elbasan arena

Shqiperia.jpg
Veronik Istrefaj20:57 | 08/11/2019

Është mbyllur takimi mes Shqipërisë femra dhe Skocisë. Në “Elbasan Arena”, kanë qenë skocezet ata që kanë triumfuar, me rezultatin e thellë 0-5.

Në minutën e 15-të, kombëtarja jonë kuqezi pësoi golin e parë. Ishte Emslie që kaloi në avantazh kombëtaren e Skocisë. Sulmuesja është e lirë në shtyllën e dytë dhe arrin të shënojë pas një krosimi nga e djathta.

Nëntë minuta më vonë, Jane Ross shënon dhe golin e dytë për skocezet. Një gjuajtje nga distanca nuk kontrollohet mirë nga portierja jonë kuqezi dhe Ross përfiton nga topi i kthyer, duke dyfishuar.

Në pjesën e dytë, Cuthbert do të shënonte dhe golin e tretë. Në minutën e 59-të, Skocia organizon një aksion të gjatë, që shndërrohet në gol nga Cuthbert.

Në të 64-ën, Godfrey shënon golin e katërt. Murray në të 77-ën shënoi golin e pestë dhe të fundit të sfidës. Me këtë fitore, Skocia ngjitet në kuotën e gjashtë pikëve në Grupin E, ndërsa kombëtarja jonë nuk ka marrë ende pikën e parë pas tre sfidave./abcnews.al

islande.jpg
ad min12:54 | 10/09/2019

Shqipëria do të luajë sonte në mbrëmje ndaj Islandës në duelin e vlefshëm për kualifikueset e Euro 2020. Trajneri Edi Reja do të bëjë disa ndryshime nga ndeshja e fundit me Francën.

Kombëtarja shqiptare sfidon Islandën në ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2020. Kuqezinjtë nuk janë në momentin më të mirë për t’u përballur me islandezët, të cilët kanë grumbulluar 12 pikë po aq sa Franca dhe Turqia.

Fitorja do të rikthente qetësinë tek kuqezinjtë, të cilët janë kritikuar jo pak pas humbjes me Francën edhe pse ishte një disfatë e justifikueshme përballë kampionëve të botës.

Trajneri italian Edy Reja ka paralajmëruar disa ndryshime në organike për sfidën ndaj Islandës ndërkohë që skema taktike do të jetë 3-5-2. Në portë do të startojë Strakosha ndërkohë që në mbrojtje do të ulet në stol Mavraj dhe do të startojë nga minuta e parë Dermakun.

Në linjat anësore do të vendosen Hysaj dhe Lenjani, i cili do të zëvendësoje Roshin. Në mesin e fushës konfirmohet Keidi Bare, i cili do të luajë përkrah Gjasulës ndërkohë që ka balotazh mes Memushaj dhe Xhakës.

Sa i përket fazës sulmuese konfirmohet Sokol Cikalleshi, i cili do të luajë përkrah njërit mes Uzunit dhe Manaj. Tekniku italian është optimist për këtë duel madje zbuloi në konferencën për shtyp se do të kërkojë nga lojtarët një lojë sulmuese pasi skuadra nuk ka asgjë për të humbur.

Ndaj islandezëve nuk do të jetë aspak e lehtë pasi këta të fundit janë në garë për kualifikim dhe ndaj Shqipërisë do të luajnë vetëm për fitore. Shqipëria do të shfrytëzojë faktorin fushë dhe mbështetjen e tifozerisë që nuk ka munguar si brenda ashtu edhe në transfertë. Kuqezinjtë renditen në vendin e katërt në grupin H ne kuotën e 6 pikëve./ABC News Albania 24/7

EtritBerishaO8d4yxbhqX1m.jpg
ad min13:07 | 09/09/2019

Portieri Etrit Berisha është larguar nga stërvitja me kombëtaren për shkak të një dëmtimi. Në vend të portierit të SPAL është grumbullua Gentian Osmani nga Shqipëria U21. Kombëtarja e futbollit ka nisur stërvitjet për ndeshjen ndaj Islandës, e cila është e vlefshme për eliminatoret Euro 2020.

Ndeshja do të luhet të martën në “Elbasan Arena”. Kuqezinjtë vijnë në këtë sfidë pas disfatës 4-1 me Francën. Ndërkohë Islanda fitoi me rezultatin 3-0 ndaj Moldavisë.

Skuadra e Edi Rejës ndodhet në vendin e katërt të tabelës së klasifikimi me 6 pikë, ndërsa Islanda pozicionohet e treta me 12 pikë. Të njëjtën sasi pikësh si islandezët kanë edhe Turqia e Franca, e cila udhëheq grupin H, ndërkohë shpresat për një kualifikim të kombëtares sonë pothuajse janë shuar./abcnews.al

shqiperiaaa.jpg
ad min13:08 | 20/11/2018

Kombëtarja luan miqësoren ndaj Uellsit, në orën 20:00, në “Elbasan Arena”. Ekipi përfaqësues ka shumë mungesa, ndërsa pritet që trajneri Panuçi të luajë në mënyrë më të kujdesshme.

Besimi në këtë skuadër ka rënë shumë, por në futboll kurrë nuk i dihet. Me këtë motiv shkon kombëtarja shqiptare në ndeshjen e sotme, miqësoren ndaj Uellsit në “Elbasan Arena” në orën 20:00, e fundit për vitin 2018. Humbja e rëndë me Skocinë sikur i vuri kapak gjithçkaje, dhe sfida e tanishme mund të mendohet si pa vlerë, por nuk cilësohet e tillë nga trajneri Panuçi dhe nga lojtarët.

Një reagim dhe një fitore gjithnjë janë lajme pozitive, që ndihmojnë.Siç deklaroi në konferencën për shtyp, italiani pritet të nisë me atë që mund të quhet Plani B, pra një skemë dhe një mënyrë loje më e kujdesshme, pak a shumë një rikthim në kohën e De Biazit.

Me mjaft mungesa për shkak dëmtimesh apo sëmundjesh, Panuçi do të hedhë në fushë formacionin më të mirë të mundshëm. Pritet që Strakosha të jetë në portë, mbrojtja të luajë me katër lojtarë, Ismajli, Veseli, Mavraj e Hysaj. Në mesfushë mendohet treshja Kaçe-Basha-Xhaka, ndërsa në sulm Balaj, i mbështetur në krahë nga Gavazaj e Grezda.

I fundit që u largua nga ekipi ishte sulmuesi Manaj, për shkak të gripit, pas Skocisë ikën edhe Gjimshiti, Ndoji e Binaku, ndërsa Sadiku, Cikalleshi e Roshi ishin të dëmtuar që më parë. Uellsi, ndërkaq, vendosi të mos stërvitej në Shqipëri, ndërsa mbërriti vonë, pasditen e së hënës.

Trajneri Rajan Gigs e përgatiti skuadrën që pas ndeshjes me Danimarkën, ndërsa në Tiranë thjesht dha konferencën në shtyp, pas vendosjes në hotel.

“Nuk duam të humbasim dy ndeshje radhazi, – ishin fjalët e tij, – kjo sfidë është e rëndësishme për ne, duke menduar për Europianin e ardhshëm. Duhet të luajmë më mirë sesa ndaj Danimarkës, por gjithsesi kam besim tek skuadra për një rezultat pozitiv”.

Ashtu si skocezët, uellsianët janë lojtarë shumë të fortë fizikisht dhe mjaft të shpejtë, ndërsa mund të ndihmohen edhe nga moti me reshje./abcnews.al

sh.png
ad min18:36 | 06/10/2018

Tifozët e Partizanit janë tepër të shqetësuar në prag të ndeshjes ndaj Kukësit. Ata nuk janë të kënaqur me orarin, një problem që e theksoi edhe trajneri Gega.

Janë të bindur se kundër tyre ka një komplot.

Tifozët e Partizanit ndihen keq për orarin e ndeshjes së të hënës ndaj Kukësit në Superligë, pasi duhet të jenë në “Elbasan Arena” përpara orës 13:45. Natyrisht, kanë të drejtë pasi është ditë pune, madje fillimi i javës, ndërsa sfida e javës së 8 nuk do të jetë në kryeqytet dhe do të humbet kohë për të shkuar në Elbasan e për t’u kthyer.

Tifozët e kanë shprehur haptazi shqetësimin e tyre në komentet në faqen zyrtarë të klubit në Facebook.

Jo plotësisht i qetë edhe trajneri Gega, ndonëse ai e sheh pa ndryshe këtë problem.

“Është e vërtetë, është shqetësim. Personalisht nuk kam ndonjë eksperiencë të madhe në Superligën shqiptare. Ndoshta jashtë shtetit luhet në 13 e 45. Kjo nuk është zgjedhja jonë. Nuk jemi ekipi pritës. Në fakt shqetësohem se edhe ushqimi, oraret dhe regjimi ynë do jetë ndryshe, megjithatë kundërshtari këtë do bëjë”, tha Gega.

Gjithsesi, më shumë rëndësi ka vetë ndeshja ndaj një kundërshtari të fortë si Kukësi.

“Nuk besoj se Kukësi zbehet si ekip edhe pse ka humbur karshi Skënderbeut. Mendoj që do vijë dhe do japë 100% kundër nesh dhe ne jemi përgatit për t’i vlerësuar sepse janë ekip për t’u vlerësuar. Kanë bërë një histori”, tha trajneri i Partizanit gjatë konferencës për shtyp.

Lavdërimet po vijnë me shumicë pasi të kuqtë janë ngjitur në vend të parë.

“Në qoftë se kampionati mbaron pas dy javësh do thoja me kënaqësi që jemi për titull se jemi tre pikë para, por do luajmë nga tri ndeshje me secilin kundërshtar me Tiranën, Flamurtarin, qoftë edhe me Durrësin. Mendoj që kemi bërë një performancë të mirë. Jemi munduar që secili nga ne të korrigjohet”, u shpreh Gega.

Në krah të trajnerit, në konferencë doli edhe mbrojtësi Atanda.

Afrikani vlerësoi atmosferën ndryshe tek ekipi, komunikimin më të mirë, dhe kjo sipas tij ka bërë ndryshimin këtë sezon. Mbrojtësi paralajmëroi sidoqoftë, se do të ketë momente të vështira, dhe Partizani duhet të jetë i përgatitur për t’i përballuar, nëse dëshiron të fitojë titullin.

Për tifozët e Partizanit, ndërkaq, është edhe shqetësimi i çmimeve të biletave, pasi do të duhet të paguajnë 500 dhe 1 000 lekë të reja për copë, në varësi nga tribuna, dhe ata gjithashtu mendojnë se kjo bëhet për të bërë që skuadra e tyre e zemrës të ketë sa më pak përkrahje në stadium./abcnews.al

KUKESI-PRET-LUFTETARIN-ABC-M3-T1.mpg_snapshot_00.22-1280x720.jpg
ad min18:20 | 29/09/2018

Një ndeshje e fortë e kampionatit do të luhet në “Elbasan Arena”. Kukësi pret Luftëtarin, ndërsa trajneri i vendasve, Cungu, kërkon më shumë nga skuadra e tij.

Ekipi po fiton dhe kreu është fare pranë. Kukësi besohet se po e kënaq trajnerin Armando Cungu, veçse trajneri shkodran ka mendime pak më të ndryshme në prag të sfidës ndaj Luftëtarit, në Superligë. Luhet në “Elbasan Arena” dhe Cungu mendon se futbollistët e tij duhet të përmirësojnë disa gjëra.

Armando Cungu, trajner i Kukësit: “Shfrytëzojmë këtë moment të mirë që po kalon ekipi. Besoj në fitore patjetër. Nëse do të rregullojmë diçka do të ishte finalizimi. Kjo është pjesa në të cilën unë ndoshta nuk jam shumë i kënaqur për përfundimin e aksioneve.”

Po Luftëtari, tashmë i ndryshur me trajnerin e ri, Gentian Mezani, me çfarë synimi shkon në Elbasan?
Tekniku vlonjat u kujton lojtarëve të tij atë që bënë vjet.

Gentian Mezani, trajner i Luftëtarit: “Një Luftëtar që vjet ka shkuar në kupat e Europës dhe ka zënë vend të tretë. Këta janë ata çuna që e kanë çuar këtë luftëtar aty. Do të shkojmë në këtë ndeshje të bindur që mund të bëjmë mirë. Pastaj gjithçka do të varet nga episodet mendoj.”

Gjirokastritët janë ende në vend të fundit në renditje me vetëm tri pikë, ndërsa Kukësi është në vendin e tretë për momentin, me 10 pikë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono