ekstradim

bajri.jpg
G. P.21:02 | 19/09/2019

Gjykata e Apelit në Shkodër ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për ekstradimin e Ilir Bajrit. Vendimi u mor nga gjyqtarët Vojsava Kola, Aleks Nikolli dhe Marina Rraboshta, të cilët kthyen rigjykim çështjen me një trup tjetër gjykues.

Apeli i Shkodrës arsyeton se vendimi i Gjykatës së Shkallës së parë është i pazbatueshëm, i marrë në kundërshtim me ligjin procedurial penal dhe si i tillë duhet të dërgohet për rigjykim.

Bajri u arrestua nga policia në kuadër të operacionit OAZ që goditi grupin “Bajri”, në Shtator të vitit të kaluar. Italia kërkon ekstradimin e Ilir (Rustem) Bajrit, vëllait të Safet Bajrit pasi ai rezulton i dënuar me 5.6 vite nga gjykata e Bolonjës për trafikim droge dhe prostitucion./ABC News Albania 24/7

KRONIKE-ARBER-CEKAJ-AVOKLATET.mpg_snapshot_00.02.jpg
G. P.15:12 | 26/08/2019

Pas hapjes së dritës jeshile nga Gjykata Penale e Shkallës së Parë në Dusseldorf të Gjermanisë për ekstradimin drejt vendit tonë, të Arbër Çekajt, pronari i “Arbi Garden” e ka ankimuar në Apel vendimin.

Biznesmeni, të cilit në kontenierin me banane iu kap sasia prej 613 kilogramë kokainë, ka kërkua azil politik në Gjermani, kërkesë kjo që nuk është shqyrtuar akoma nga Gjykata e Dusseldorfit.

Kjo do të thotë se nuk mund përcaktohet koha se kur mund ekstradohet biznesmeni. Gjithashtu burime kanë konfirmuar se biznesmeni ka bërë kërkesa të shumta përpara autoriteteve të drejtësisë gjermane, me qëllim pengimin e ekstradimit.

Çekaj ka më shumë se një vit e gjysmë që është i arrestuar në Gjermani dhe kërkesën për azil e ka bërë me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta. Ndërkohë që nisja e procesit gjyqësor është penguar pikërisht nga ky i fundit, pasi në vendin tonë nuk ka ardhur letërporosia e Çekajt nga Gjermania, pasi sipas ligjit biznesmeni duhet që të japë pëlqimin e tij për nisjen e procesit dhe të deklarojë nëse do të jetë ose jo i pranishëm në gjykatë, apo do të përfaqësohet vetëm nga avokati.

Në Shqipëri të arrestuar për këtë çështje janë Donaldo Lushaj menaxheri i “Arbi Garden” dhe Armando Pezaku shoferi i kontenierit me banane që e transportoi nga porti i Durrësit drejt magazinave në Maminas./ABC News Albania 24/7

KRONIKE-ARBER-CEKAJ-AVOKLATET.mpg_snapshot_00.02.jpg
G. P.17:27 | 23/08/2019

Ndizet drita jeshile për ekstradimin e Arbër Çekajt. Gjykata e Shkallës së Parë në Dusseldorf të Gjermanisë ka vendosur pro  ekstradimit të pronarit të “Arbi Garden”, ku në kontenierin me banane të kësaj kompanie u kap sasia prej 613 kilogramë kokainë. Ndërkohë nga gjykata Gjermane nuk është shqyrtuar akoma kërkesa e Çekajt për azil.

Gjykata penale e Shkallës së Parë në Dusseldorf të Gjermanisë i ka hapur rrugën ekstradimit drejt vendit tonë, të Arbër Çekajt. Vendimi është dhënë 20 ditë më parë. Pronari i “Arbi Garden” në kontenierin e të cilit u kap sasia prej 613 kilogramë kokainë, ka kërkua azil politik në Gjermani, kërkesë kjo që nuk është shqyrtuar akoma nga Gjykata e Dusseldorfit.

Kjo që do të thotë se nuk mund përcaktohet koha se kur mund ekstradohet biznesmeni. Gjithashtu burime kanë konfirmuar se biznesmeni ka bërë kërkesa të shumta përpara autoriteteve të drejtësisë gjermane, me qëllim pengimin e ekstradimit. Çekaj ka më shumë se një vit e gjysmë që është i arrestuar në Gjermani dhe kërkesën për azil e ka bërë me argumentin se në Shqipëri i rrezikohet jeta.

Arbër Çekaj është nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, pikërisht për sasinë rekord të kokainës të kapur ndonjëherë në vendin tonë. Tre muaj më parë, prokurori i çështjes Edvin Kondili ka udhëtuar drejt Gjermanisë për t’i komunikuar zyrtarisht akuzat pronarit të “Arbi Garden”.

Ndërkohë që nisja e procesit gjyqësor është penguar pikërisht nga ky i fundit, pasi në vendin tonë nuk ka ardhur letërporosia e Çekajt nga Gjermania, pasi sipas ligjit biznesmeni duhet që të japë pëlqimin e tij për nisjen e procesit dhe të deklarojë nëse do të jetë ose jo i pranishëm në gjykatë, apo do të përfaqësohet vetëm nga avokati.

Në Shqipëri të arrestuar për këtë çështje janë Donaldo Lushaj menaxheri i “Arbi Garden” dhe Armando Pezaku shoferi i kontenierit me banane që e transportoi nga porti i Durrësit drejt magazinave në Maminas.

Arbër Çekaj është i kërkuar edhe nga autoritetet e Ekuadorit për trafikim të drogave të forta. Prokuroria për Krime të Rënda vijon hetimet për të zbuluar se kush ishin porositësit e sasisë për 613 kilogramë kokainë të kapura në kontenierin me banane, nga Kolumbia në vendin tonë, e më pas destinacioni final ishin vendet e Bashkimit Europian./ABC News Albania 24/7

ekstradim.jpg
G. P.10:15 | 14/07/2019

Një 41-vjeçar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar u ekstradua nga Belgjika mbrëmjen e së shtunës drejt Tiranës. Alket Preka, ishte dënuar në vitin 2010 me 6 vjet burg për  veprën penale “Vjedhje me dhunë” dhe “Mbajtje pa leje e armëve luftarake”.

Sipas njoftimit të policisë, Preka në aksin rrugor Zogaj-Shirok, ka vjedhur nën kërcënimin e armës një automjet dhe e ka çuar në Shkodër. Pak kohë më pas, automjeti u gjet, ndërsa brenda tij u sekuestrua edhe një armë zjarri.

Ky është ekstradimi i dytë që ndodh nga Janari deri në Korrik që Interpol Tirana bashkë me homologët e tyre belg prangosin persona të dënuar në Shqipëri me vendim gjykate./ABC News Albania 24/7

jambelli.jpg
Sej rie16:52 | 12/06/2019

Gjykata e Lartë Greke liron Bledar Jambellin, i dyshuar si personi që ka porositur vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku.

Prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të vendimit të plotë nga gjykata greke, në mënyrë që të vendosë për hapat e mëtejshëm që do të ndjekë.

I dyshuari si porositësi i vrasjes së ish-drejtorit të policisë së Vlorës, Artan Cuku lihet i lirë. Deri të mërkurën, asnjë nga autoritetet e vendit duket se nuk e dinin se iu kishte rrëshqitur nga duart Bledar Jambelli, personi që urdhëroi ekzekutimin mafioz të zyrtarit më të lartë të policisë të vrarë deri më tani me një plan të mirëfilltë kriminal.

Autoritetet shqiptare mësohet se ishin informuar në maj të këtij viti për vendimin e dhënë nga gjykata e ë greke për mos ekstradimin e Bledar Jambellit. Por prej një muaji duket se ishin në pritje të zbardhjes së vendimit nga ana e drejtësisë helene e cila duket se ka vlerësuar si nul provat e paraqitura në gjykata bashkangjitur kërkesës për ekstradimin e Jambellit.

Bledar Jambelli rifitoi lirinë, vetëm pak ditë pasi ish-drejtuesi i lartë i policisë Artan Cuku, i vrarë për shkak të detyrës u shpall dëshmor i atdheut.

Përgjigja negative për Jambellin ka mbërritur prej më shumë se 1 muaji pranë Ministrisë së Drejtësisë, por është mbajtur e fshehtë nga autoritetet tona.  Ndërkohë, prokuroria e Krimeve të Rënda është në pritje të vendimit të plotë i Gjykatës së Lartë Greke.

Bledar Jambelli, i njohur ndryshe me emrin Rikardo Muho, u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar në Greqi, gati 2 vite pas vrasjes së kryekomisarit Artan Cukut. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe gjykata e krimeve të rënda i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë. Kryekomisari u vra duke hyrë në shtëpinë e tij në Tiranë më 8 Prilli 2017.

Në baze të hetimeve ka rezultuar se 38-vjeçari Jambelli e urdhëroi vrasjen e Kryekomisarit për shkak se ai e kishte arrestuar në kohën kur mbante detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës. Për vrasjen e Artan Cukut, vuan dënimin ekzekutori Mikel Shallari, ndërsa është ende në kërkim i akuzuari si bashkëpunëtor, Kristian Leci si bashkëpunëtor./ABC News Albania 24/7

assange-1-1280x853.jpg
G. P.14:08 | 01/05/2019

Është dënuar me 50 javë burg nga Gjykata e Londrës, bashkëthemeluesi i Uikiliks Julian Assange. Ai shpall fajtor për shkelje të lirisë me kusht pasi gjykata ekuadoriane në Britaninë e Madhe i hoqi të drejtën e azilit.

Julian Assange u ka treguar prangat në duar fotografëve të mbledhur para Gjykatës së Londrës. Bashkëthemeluesi I Uikiliks u dënua me 50 javë burg, pasi u shpall fajtor për shkelje të lirisë me kusht.

47-vjecari kreu këtë shkelje ligjore në momentin që ambasada e Ekuadorit në Britaninë e Madhe tërhoqi të drejtën e azilit, duke lejuar policinë britanike që ta arrestonte. Ai u strehua në ambasadën në Londër në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin në Suedi ku akuzohet për ngacmim seksual, akuza që ai i mohon.

Në një letër drejtuar gjykatës Assange shprehej se po përballej me rrethana të vështira. Ai u kërkoi falje atyre që mund të mos i kishte treguar respekt, duke shtuar se në atë kohë, ai ka bërë atë që e ka menduar si më të mirë dhe të vetmen që mund të bënte.

Teksa po shoqërohej në qeli, ai përshëndeti njerëzit që ishin mbledhur për ta mbështetur.

Britania e Madhe do të vendosë nëse do të ekstradojë ose jo Assange në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ai do të përballet me akuzën e rrezikimit të sigurisë kombëtare amerikane. Kjo pas publikimit në Uikiliks të dokumenteve sekrete ushtarake që i ishin dhënë nga ish-anëtari shërbimit amerikan të inteligjencës Çelsi Mening.

Aktualisht më shumë se 70 deputetë britanikë i kanë dërguar një letër sekretarisë së shtetit, me anë të së cilës kërkohet ekstradimi i Assange nëse autoritetet suedeze do e kërkojnë një gjë të tillë./abcnews.al

habilajt.jpg
G. P.13:49 | 18/04/2019

Interpol Roma ekstradoi drejt Shqipërisë anëtarin e grupit të Habilajve, Reshat Radhima. Sipas policisë, 54-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2017, i dyshuar si anëtar i grupit të strukturuar kriminal, që merrej me trafik ndërkombëtar të narkotikëve.

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi në Shkurt të vitit 2017 masën e sigurisë “Arrest në burg” në mungesë për Reshat Radhimën, pas disa provave të pakundërshtueshme të implikimit të tij në trafik droge.

Në kërkesën e prokurorisë për këtë masë sigurie, gjykatës iu paraqitën edhe disa përgjime, ku anëtarët e grupit të strukturuar kriminal flisnin për sasi të konsiderueshme droge./abcnews.al

ELTON-SEFA.jpg
Sej rie17:30 | 15/04/2019

I riu që akuzohet për vrasjen e punëdhënësit të tij në Angli do të ekstradohet. Gjykata e Durrësit e mori vendimin pavarësisht pretendimeve të avokatit të Elton Sefës, i cili tha se klienti i tij nuk mund të kthehet mbrapsht sepse është i diagnostikuar me probleme të shëndetit mendor.

Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës vendosi të ekstradojë drejt Anglisë Elton Sefën, 23 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për një vrasje në atë shtet. Arsen Çaushaj, avokati mbrojtës i 23-vjeçarit, kërkoi pezullimin e vendimit duke vënë para gjykatës dhe prokurorit Ilir Turja dokumente që vërtetojnë se i riu ka diagnozën, çrregullim psikotik.

Kur ai u kthye nga Anglia u shtrua ne spitalin psikiatrik në Tiranë. Por këto dokumente nuk u morën  parasysh as nga prokuroria dhe as nga gjykata.

“Më kanë paraqitur një akt shkresor që shtetasi Elton Sefa ka qenë i shtruar në spitalin psikiatrik në Tiranë, për një periudhë më shumë se dy javore. Është ekzaminuar nga mbi 7 ekspertë shqiptarë, të cilët kanë përcaktuar se ai është një person që vuan nga shqetësime psikike mendore dhe nuk kupton realitetin në të cilin ndodhet”, tha avokati Arsen Çaushaj.

Babai i 23-vjeçarit kuksian tregon vuajtjet e të birit në Angli, i cili akuzohet për vrasjen e 47-vjeçarit John Woodward në 17 Prill të 2018.

“Ka qenë punëtor. Ka ik se ka qenë pa letra. Kështu akuza që thotë prokurori Ilir Turja”, tha Babai Elmi Sefa

Gjykata e Durrësit nuk pranoi kërkesën e mbrojtjes për ekzaminim ligjor, por familja dhe avokati do vazhdojnë betejën ligjore për të anuluar vendimin e ekstradimit drejt Anglisë./abcnews.al

assange-1280x720.jpg
G. P.18:38 | 11/04/2019

Kush është Julian Assange, njeriu që me uebsajtin e tij tronditi themelet e diplomacisë amerikane?  

Për mbështetësit e tij, Julian Assange është një prijës i fushatës për të vërtetën. Për kritikët, ai është vetëm një person që kërkon të jetë në qendër të vëmendjes e që ka vënë në rrezik jetë njerëzish, duke publikuar në masë të madhe materiale të rëndësishme. Asange përshkruhet nga njerëzit që kanë punuar me të si një njeri energjitik dhe jashtëzakonisht inteligjent, i pajisur me një aftësi fantastike për të zbërthyer kodet e kompjuterëve.

Vetë ai nuk para ka folur për prejardhjen e tij, por media të shumta pas publikimit të Wikileaks janë interesuar për të. Assange lindi në Townsville të Australisë në vitin 1971 dhe kaloi një fëmijëri në zhvendosje të vazhdueshme për shkak se prindërit e tij menaxhonin një teatër lëvizës. Ai u bë baba në moshën 18-vjeçare dhe menjëherë më pas nisi betejat ligjore për kujdesin e fëmijës.

Zhvillimi i internetit i dha një shans për të përdorur aftësitë e tij në matematikë, edhe pse edhe këtu hasi vështirësi. Në vitin 1995, Assange u akuzua bashkë me një shokun e tij për një seri aktivitetesh hakerimi. Edhe pse grupi i piratëve informatikë ishte në gjendje të gjurmonte detektivët që u ishin vënë pas, Assange u arrestua dhe në gjyq u vetëdeklarua fajtor.

Ai u gjobit rëndë, por i shpëtoi burgut me kushtin e vetëm që të mos përsëriste krimet që kishte kryer. Më pas Assange kaloi një periudhë të gjatë akademike, i fokusuar në matematikë dhe fizikë. Kolegët me të cilët ka punuar e përshkruajnë atë si një gjeni që dallonte në çdo drejtim dhe që ishte shumë i dhënë pas konceptit të etikës, drejtësisë dhe atyre çfarë qeveritë nuk duhet të bëjnë.

Ai e ngriti portalin Wikileaks, që publikon dokumente konfidenciale të administratës amerikane, në vitin 2006, por do të ishte në Prill të vitit 2010 që ai do të pushtonte faqet e para të gazetave, kur publikoi pamjet e ushtarëve amerikanë që qëllonin për vdekje 18 civilë në Irak. Ai e promovoi dhe e mbrojti videon, ashtu sikurse bëri me publikimin e materialeve të klasifikuara të ushtrisë amerikanë në Afganistan dhe Irak, në Korrik dhe Tetor të të njëjtit vit.

Gjithashtu, faqja denoncuese e internetit arriti kulmin kur publikoi një seri dokumentesh, përfshirë 5 milionë email-e konfidenciale të agjencisë amerikane të inteligjencës Strefor. Por më vonë gjatë të njëjtit vit, ai u ndalua në Mbretërinë e Bashkuar, pasi autoritetet në Suedi shpallën një urdhër-arrest ndërkombëtar nën akuzën e agresionit seksual.

Pala suedeze donte ta merrte në pyetje në lidhje me dyshimet se ai kishte përdhunuar një grua dhe ngacmuar seksualisht një tjetër në Gusht të vitit 2010, teksa po vizitonte Stokolmin për të mbajtur një fjalim para studentëve. Vetë Assange ka deklaruar disa herë se në të dyja rastet kontaktet kanë qenë konsensuale, por megjithatë beteja ligjore që nisi e detyroi atë të strehohej në ambasadën e Ekuadorit në Londër për të shmangur ekstradimin.

Pasi kaloi thuajse 7 vjet brenda ambasadës, Assange u arrestua nga policia britanike më 11 Prill 2019, pasi presidenti ekuadorian Lenin Moreno bëri me dije se vendi i tij kishte vendosur t’i hiqte statusin e azilantit. Themeluesi i Wikileaks kishte argumentuar disa herë se nuk mund ta linte ambasadën për shkak se i druhej ekstradimit nga Suedia në Shtetet e Bashkuara, por oficerët e ambasadës i shpërfillën pretendimet e tij dhe e dorëzuan në policinë e Londrës./abcnews.al

gezim-toma.jpg
G. P.12:12 | 02/03/2019

Ekstradohet nga Greqia Gëzim Toma, i dënuar me 20 vite burg për vrasje, vjedhje me dhunë dhe arratisje nga burgu”.Toma, ishte duke vuajtur dënimin në institucionin e burgut të Drenovës, për veprën penale “Vrasja me dashje” kryer në bashkëpunim, si autor i vrasjes së një 25-vjeçari ngjarje e ndodhur në Krastë, Martanesh.

Gjithashtu ai bashkë me Admir Tafili dhe disa të burgosur të tjerë, u arratisën më 23 Nëntor të 2013, duke kërcënuar me armë gardianët. Ata u prangosën më pas në disa magazina në qytetin e Përrenjasit, por Toma mundi të shpëtonte.

Arratia e tij zgjati shumë pak, pasi u prangos nga policia greke më datë 29 Nëntor të po atij viti, ku Gëzim Toma kishte kaluar në mënyrë ilegale kurfin helen. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono