ekonomia

gjergj-buxhuku-1280x720.jpg
ent ela09:17 | 12/04/2019

Për grabitjen e parave në Rinas ka ardhur dhe reagimi i Konfindustrisë. në një deklaratë të shpërndarë për mediat kreu i Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, shprehet se do të ketë pasoja të rënda dhe afatgjata për ekonominë kombëtare.

Deklarata e plotë

“Shpreh shqetësimin, se rënia e përsëritur e shtetit shqiptar, me shfaqje të qarta korrupsioni të tipit “state capture/kapje e shtetit”, për mbrojtjen e institucioneve publike të rëndësisë së vecantë, sikurse janë rastet e grabitjeve në Aeroportin e Tiranës, do të ketë pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare.

Konfindustria vlerëson, se pasoja të menjëhershme e ngjarjeve të mësipërme janë – goditja ndaj seriozitetit të shtetit shqiptar, – uljen e fuqisë konkuruese të vendit në tërheqjen e investimeve të huaja, – përkeqësimin e mjedisit të biznesit dhe – rritjen e kostove financiare të ekonomisë kombëtare. Në mënyrë të dukshme rrezikohet të preket pozicioni i Shqipërisë në tregtimin e letrave me vlerë para investitorëve në tregjet financiare ndërkombëtare. Pasojat e ngjarjeve të rënda të grabitjeve të përsëritura në Aeroportin e Tiranës, do të ndikojnë në rritjen e ndjeshme të kostove të sigurimit dhe risigurimit të produkteve dhe shërbimeve shqiptare. Si rrjedhim, vlerat financiare të dëmeve për buxhetin e shtetit, bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë parashikohet të jenë të rënda, deri në prekje të ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit në afatgjatë.

Konfindustria kërkon, që përballë pasojave të rënda të paraqitura më sipër, shteti shqiptar duhet të marri masa të jashtëzakonshme përtej shfaqjeve populiste dhe retorikave politike. Institucionet shtetërore civile, policore, shërbimeve sekrete, etj. të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me ngjarjet e rënda të pësëritura në Aeroportin e Tiranës, duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë. Gjithashtu, është e domosdoshme, që të vlerësohet në mënyrë ligjore zbatimi i kontratës nga kompania koncesionare e tipit “guackë” e Aeroportit të Tiranës. Në rast se krijohet bindja, se koncesionari nuk ka përmbushur dhe/ose ka shkelur kontratën, duhet të kalohet domosdoshmërisht në prishje ligjore të saj.

Nisur nga rastet e rënda të përsëritura të cënimit të papranueshëm të objekteve të rëndësisë së vecantë për ekonominë dhe sigurinë kombëtare, shteti shqiptar duhet të rishikojë rrënjësisht dhe sa më shpejt gjithë politikën e tashme koncesionare, PPP sidomos në sektorët me rëndësi strategjike. Si veprim i parë është ndalimi i lidhjes së kontratave të reja me kompani të tipit “guackë” regjistruar në parajsa fiskale dhe të kryhet zbardhja e emrave të pronarëve të vërtetë për koncesionet në fuqi”. /abcnews.al

venezuela.jpg
G. P.12:34 | 01/03/2019

Sipas të dhënave më të fundit, kriza politike dhe ekonomike në Venezuelë ka përkeqësuar ndjeshëm kushtet e jetesës në vend. Rreth 89 për qind e familjeve nuk kanë të ardhura të mjaftueshme për të blerë ushqime.

Kriza ekonomike dhe politike në Venezuelë vazhdon të përkeqësojë kushtet e jetesës. Rreth 80 për qind e popullsisë gjendet në kushte të pasigurisë së ushqyerjes, ndërsa 89 për qind e familjeve nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të blerë ushqime. Të dhënat alarmuese dalin nga hetimi kombëtar për kushtet e jetesës së popullsisë venezueliane, sipas të cilit paga e venezuelianëve në ekonominë formale është gjashtë dollarë në muaj.

Llogaritjet janë bërë duke marrë si referim rishikimin e fundit të pagave dhe taksën e ndërrimit zyrtar më të fundit, shpjegohet në këtë dokument të publikuar nga revista venezueliane “Dinero”. Regjistrohet ndër të tjera dhe një rritje deri në 51 për qind të numrit të familjeve të varfra dhe një rritje prej 10 për qind të papunësisë në periudhën 2015 – 2018. Një tjetër tregues alarmues është dhe rritja e vdekshmërisë foshnjore. /abcnews.al

guvertanot-1280x697.jpg
ent ela19:05 | 06/02/2019

Ekonomia do të vijojë rritjen. Parashikimi vjen nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko sipas të cilit pritet rritje e punësimit dhe nivelit të kredisë.

Banka e Shqipërisë ka një skenar optimist sa i përket rritjes eknomike të vendit. Këtë e bëri të ditur Guvernatori Gent Sejko, pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës.  Ai njoftoi gjithashtu se norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar në 1%.

Sejko: “Ekonomia do të rritet tre vitet e ardhshme, punësimi gjithashtu”.  

Nxitur nga konsumi, eksportet dhe prodhimi i energjisë ekonomia shqiptare u rrit me 4.25% tre mujorin e tretë të vitit të shkuar. Kjo rritje sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë vijoji dhe në tremujorin e katërt, por me ritëm më të ngadaltë.

Sa i përket kursit të këmbimit Sejko pohoi se leku do të vijojë të mbiçmohet ndaj valutës edhe gjysmën e dytë të vitit.

Sejko: “Efekti i mbiçmimit të lekut do të jetë i pranishëm edhe gjatë 6 muajve të parë të 2019, por do të shuhet në pjesën e dytë të vitit”.

Sipas Guvernatorit bankat po karakterizohen nga nivele të mira likuiditeti ndërsa kredia ka shfaqur shenja rigjallërimi. Stoku i kredisë e zhveshur nga efekti i kursit të këmbimit dhe fshirjet e bankave nga bilancet pësoi rritje me 5.9%./abcnews.al

aa123.jpg
G. P.09:01 | 01/02/2019

Ministri gjerman i Ekonomisë Peter Altmaier ka prezantuar në Berlin raportin me prognozat për zhvillimin ekonomik gjatë këtij viti. Zhvillimi do të vazhdojë, por jo siç ishte planifikuar!

Rritja ekonomike në Gjermani do të vazhdojë edhe këtë vit – të dhjetin me radhë. Kështu thuhet në prognozat e deritanishme. Ministri i Ekonomisë Peter Altmaier (CDU) nënvizoi të merkurën në Berlin se qeveria gjermane llogarit me një rritje ekonomike gjatë këtij viti prej 1 %. Në vitin 2017 është shënuar një rritje e prodhimit bruto prej 2,2 %, ndërsa vitin e kaluar rritja ka qenë 1,5%. Prognozat para disa mujave kanë qenë se rritja do të jetë rreth 1,8%, por për shkak të zhvillimeve globale, ato janë ulur.”Kjo është periudha më e gjatë e rritjes ekonomike në Gjermani, që nga viti 1966″, tha ministri, i cili nënvizoi se rritja megjithatë nuk do të jetë aq e lartë sa është parashikuar më parë. Punësimi, rrogat dhe porositë për ekonominë gjermane  – gjithandej ka sinjale pozitive, tha Altmaier. “Të gjithë parametrat tregojnë se rritja ekonomike do të vazhdojë.” Pritet që papunësia gjatë këtij viti të bjerë në nivelin rekord, prej më pak se 5%.

Rreziqet: Brexit-i dhe konflikti global tregtar

Nëse rritja ekonomike vërtet do të vazhdojë dhe në çfarë niveli, kjo varet edhe nga disa faktorë që nuk kanë lidhje vetëm me ekonominë gjermane. Rreziqet ndërlidhen në masë të madhe me Brexitin, pra daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian. Aktualisht askush nuk mund të parashikojë se cilat do të jenë pasojat e përgjithshme të daljes së Britanisë së Madhe nga BE dhe nëse ky vend do të futet në recesion. Ministri Altmaier ka apeluar tek qeveria britanike që të mos pranoj një dalje pa marrëvehje – pra skenarin “No-Deal”. Ndërkohë janë shtuar edhe rreziqet e tjera globale.

Një problem tjetër shumë i madh është konflikti tregtar mes SHBA dhe Kinës. Deri tani nuk ka ndonjë shkallëzim të konfliktit dhe për këtë një pjesë e meritës i takon angazhimit diplomatik të Gjermanisë, theksoi ministri.

Kriza e shkaktuar nga prodhuesit gjermanë të automjeteve me mashtrimet për nivelin e gazrave ndotë që çlirohen në ajër mund të jetë një faktor tjetër për uljen e zhvillimit ekonomik. Por Altmaier thekson se pajisjet për pastrimin e gazrave që lirohen nga motorët në ajër, të koncerneve VW, Audi, Mercedes dhe prodhues të tjerë, influencojnë vetëm 0,2% nivelin e zhvillimit ekonomik. Një zgjidhje e shpejtë e këtij problemi do të ishte e mirë, por nga kjo nuk duhet pritur ndonjë ngritje e madhe e zhvillimit ekonomik të përgjithshëm, tha ai.

Librat e porosive për sipërmarrjet gjermane ende janë plot, tha Altmaier. Qeveria po përpiqet që të zgjidhë edhe problemin me mangësinë e fuqisë punëtore. Për këtë qëllim është miratuar edhe projektligji për migracionin, i cili këtë vit duhet të miratohet edhe nga Parlamenti.

Heqja e pengesave burokratike

Për të evituar rënien e zhvillimit ekonomik dhe për të dhënë impulse të reja, Altmaier kërkon shfrytëzimin e të gjitha mundësive që ofrohen në buxhet. Ai kërkon miratimin e një ligji për përshpejtimin e planeve zhvillimore, sepse kjo mund të mënjanojë pengesat burokratike për investime. Ndërkohë që duhen bërë ndryshimet strukturore edhe për kalimin nga prodhimi i qymyrit në burime të tjera të energjisë. Qeveria ka planifikuar zvogëlimet e tatimeve për sipërmarrjet që merren me studime dhe hulumtime shkencore në këtë drejtim. “Ne do të barazohemi në këtë drejtim me vendet e tjera evropiane”, thotë ministri. Qeveria planifikon uljen edhe të pengesave të tjera burokratike për zhvillimin ekonomik. Në përgjithësi ministri shpreson se masat e parashikuara do të shoqërohen me një mbështetje financiare prej 10 miliardë euro. “Ne duam që zhvillimi ekonomik të vazhdojë edhe shumë vite.”

BDI ankohet për shkak të ngarkesave tatimore dhe mungesës së investimeve

Përfaqësuesit e Shoqatës  Gjermane të Industrisë (BDI) mendojnë se ekonomia gjermane është nën presion. Drejtuesi Joachim Lang pohon se qeveria duhet të krijojë kushtet për më shumë investime dhe për uljen e tatimeve, sepse sipërmarrjet gjermane në Gjermani aktualisht janë të ngarkuara me tatime deri në 30 % ndërsa mesatarja evropiane është rreth 22%. Si shembull përmenden koncernet e mëdha si Apple, Amazon apo Ikea, të cilat nuk paguajnë gati aspak tatime.

Ministri Altmaier thotë se ulja e tatimeve nuk është në listën e prioriteteve të qeverisë së tanishme. Ai mendon se sipërmarrjet dhe koncernet gjermane dhe ato evropiane duhet të krijojnë mundësi për bashkëpunim dhe rritjen e zhvillimit ekonomik. Si shembull pozitiv ai përmendi koncernin Airbus, ku janë futur në përdorim edhe inteligjencës artificiale për prodhim./DW

italia1.jpg
G. P.23:53 | 31/01/2019

Institucionet statistikore në Itali kanë konfirmuar se vendi ka hyrë në recesion, me ekonominë e kontraktuar me 0.2 për qind. Ndërkohë, kryeministri Giuseppe Conte ka deklaruar se recesioni mund të vazhdojë edhe përgjatë 2019-s.

Italia hyri në recesion fundvitin e kaluar, me ekonominë që u tkurr me 0.2 për qind në tremujorin e fundit të 2018-s. Shifra është bërë publike nga instituti vendas i statistikave, sipas të cilit bëhet fjalë për një tkurrje më të lartë se në tremujorin parardhës, kur kontraktimi ishte 0.1. Sipas autoriteteve italiane, agrikultura, pylltaria, peshkimi dhe industria ndikuan në tkurrjen ekonomike, ndërsa rritja e eksporteve nuk ndihmoi për të ndryshuar trendin e rënies.

Kryeministri Giuseppe Conte deklaroi se recesioni ka të ngjarë të vazhdojë edhe përgjatë vitit 2019. Muajin e kaluar koalicioni qeverisës në Itali u detyrua të rishikonte buxhetin ekspansionist të vitit 2019, pas shqetësimeve të ngritura nga BE se mund të ndikonte negativisht tek niveli i borxhit publik të vendit. Ndryshe nga Italia, disa ekonomi të tjera të Bashkimit Europian u rritën me ritme më të larta se parashikimet.

Kështu, Franca dhe Spanja regjistruan përkatësisht kuotat e 0.3 dhe 0.7 për qind për periudhën e cituar më sipër. Megjithatë, shifrat e institucioneve të Unionit tregojnë se në të gjithë eurozonën rritja ekonomike vazhdon të vuajë. Ajo ka mbetur e palëvizshme në 0.2 për qind në tremujorin e fundit të vitit që lamë pas, njësoj si parashikimet e analistëve të tregut. Shifrat e agjencisë europiane të statistikave Eurostat tregojnë se në Bllokun prej 28 anëtarësh, në tremujorin e katërt të 2018-s rritja ishte 0.3 për qind./abcnews.al

fmn.jpg
G. P.23:24 | 21/01/2019

Një raport i ri i Fondit Monetar Ndërkombëtar paralajmëron se re të zeza po mblidhen mbi ekonominë globale. Dokumenti nënvizon se shkak për cënimin e treguesve të ekonomisë janë bërë kontesti tregtar SHBA-Kinë dhe dalja e mundshme e Britanisë nga BE pa një marrëveshje.

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka paralajmëruar se përshkallëzimi i tensioneve tregtare mes fuqive të mëdha mund të minojë rritjen ekonomike globale. Në një raport të ri ku analizohen pritshmëritë ekonomike, FMN paralajmëron gjithashtu se një rrezik i madh rrjedh edhe nga një dalje e mundshme e Britanisë së Madhe nga BE pa një marrëveshje.

Fondi parashikon që gjatë vitit 2019, rritja ekonomike në nivel botëror do të jetë 3.5 për qind, një kuotë kjo më e ulët se parashikimi i bërë tetorin e kaluar, kur ishte 3.7 për qind. Sa i takon Mbretërisë së Bashkuar, raporti parashikon një rritje prej 1.5 për qind për këtë vit dhe atë të ardhshmin, por gjithashtu nënvizon rrezikun që vjen nga pasiguritë financiare, që mund ta ulin shifrën.

Të dhënat statistikore për këtë vit janë më të ulëta se ato të vitit të kaluar. Rritja e tarifave nga presidenti Donald Trump për produktet kineze dhe përgjigjia reciproke e Pekinit i kanë dhënë tashmë efektet për një ulje të parashikimeve. FMN parashikon gjithashtu se ngadalësimi i ritmit ekonomik të Kinës do të vazhdojë, ndonëse parashikimet për rritjen për vitet 2019 dhe 2020 është 6.2 për qind.

Raporti i ri i fondit përmban gjithashtu parashikime të tkurrura për ekonomitë e zhvilluara, sidomos për ato të Eurozonës. Kjo situatë reflekton mes të tjerash rënien e industrisë së mjeteve motorike në Gjermani për shkak të skandalit të emetimeve. Gjithashtu, shqetësime ngrihen për Italinë, ku regjistrohet paqëndrueshmëri në tregjet financiare dhe në sistemin bankar për shkak të planit të qeverisë për të rritur shpenzimet, një lëvizje kjo që kundërshtohet nga Bashkimi Europian. Edhe pse në raport nënvizohet se rimëkëmbja globale nga recesioni i madh i viteve 2008-2009 do të vazhdojë, ai vë në dukje se retë e zeza po mblidhen./abcnews.al

49517046_2106536256100995_559428355116498944_n.jpg
G. P.15:35 | 04/01/2019

Nënkryetarja e komisionit të ekonomisë, Jorida Tabaku, një përgjigje ja dha ministrit të shkarkuar Arben Ahmetaj pas bilancit që ky i fundit parashtroi për vitet e tij në krye të dikasterit të Financave dhe atij të Ekonomisë. Për demokraten 2019-a do të shënojë fundin e investimeve të huaja dhe thellimin e mëtejshëm të produktit të politikave fiskale të rilindjes: pabarazisë dhe varfërimit së shqiptarëve.

2018-a në shifra, për nënkryetaren e komisionit të ekonomisë, Jorida Tabaku, tregon tjetër histori nga ajo që ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj kërkon të parashtrojë duke tjetërsuar dhe falsifikuar të vërtetën, sipas saj. Argumentin e ndan në pesë të dhëna, kyçe sipas deputetes demokrate, për të kuptuar çfarë 2019-a pritet të sjellë. Borxhi publik i padeklaruar dhe në rritje, fundi i investimeve të huaja, detyrimet e praprambetura, rritja e taksave dhe varfërisë.

“Borxhi Publik, sipas raportit të KLSH, rezulton të jetë 73% e PBB-së dhe kjo vlerë është më e lartë se sa deklarimi i qeverisë në Komisionet Parlamentare. Ligji i Teatrit, Ligji për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, ligji i inceneratorëve të gjitha këto janë disa prej mrekullive që ka kontribuar vetë ministri Ahmetaj me gjithë kapacitetet e tij dhe fuqinë e ministrit. Sipas FMN-së, borxhi publik i Shqipërisë rezulton sot 83% e PBB-së (bashkë me PPP)”.

Detyrimet e praprambetura kapin vlerën e 200 milionë eurove sipas Tabakut, ndërsa shifra e taksave të rritura nga paketa fiskale 2014 e deri më sot është e barabartë me 1.9 miliardë euro, shifër e barabartë kjo me me vlerën e kontratave të Partneritetit Publik Privat.

“Në pak fjalë shqiptarët paguajnë me taksat e tyre paratë që qeveria çon tek oligarkët”.

Sa i përket investimeve të huaja.

“Sipas raportit të BSH 51% e investimeve të huaja janë në varësi të TAP dhe Devollit ndërkohë që viti 2019 pritet të jetë viti i fundit i këtyre investimeve. Në vend që ministri Ahmetaj të na paraqiste ndonjë projekt të huaj që ai vetë ka kontribuar të sjellë në vend, vazhdon të krenohet për atë që gjeti nga paraardhësit”.

Ministri harroi të nënvizonte taksën mbi të ardhurat që është më e larta në rajon, thekson Tabaku, ashtu si harroi të përmendte futjen e TVSH-së për bizneset e vogla dhe raportet ndërkombëtare që evidentojnë problemet në politikat fiskale.

“Vetëm vitin e kaluar buxhetit të shtetit i mungojnë 126 milionë Euro si rezultat i keqmanaxhimit dhe korrupsionit”.

Konsumi i familjeve shqiptare është rritur, pohoi Tabaku, por me një vlerë të papërfillshme prej 0.6% për 90% të shqiptarëve, ndërkohë që vlera e produkteve në treg është rritur ndjeshëm.

“Rritja e energjisë me 25%, rritja e tarifave të arsimit me 33%, rritja e ujit me 44% dhe shtrenjtimi i produkteve ushqimore me 20 përqind kanë varfëruar në masë shqiptarët”.

Është taksa e sheshtë ajo që do të çlirojë kapitalin, ndihmojë punësimin dhe ndalojë bizneset të ulin qepenat duke rikthyer ekonominë konkuruese, përfundon në deklaratën e saj Jorida Tabaku./abcnews.al

arben-ahmetaj.jpg
G. P.15:29 | 04/01/2019

Një luginë të errët thotë se e gjeti ekonominë Arben Ahmetaj kur mori detyrën e ministrit të Financave dhe Ekonomisë. Ndërkohë me largimin e tij nga ky post, Shqipëria renditet e para në rajon për rritjen ekonomike.

“Shikoni vitin 2013 që metaforikisht do ta quaja si luginë e errët e ekonomisë shqiptare me një rritje statistikore 1 përqind. Tre mujori i tretë i vitit 2018 është 4.5 përqind, që është më i larti në rajon. Borxhi publik është gati pak më pak se 10 përqind i ulët se dita që e kemi marrë. Unë personalisht këtë e kam krenari politike, profesionale, personale”, tha Ahmetaj.

 

Papunësia tre vitet e fundit sipas ministrit Ahmetaj ka arritur nivelin më të ulët historik 12.2%, punësimi është rritur me 10.7%, qytetarët konsumojnë më tepër. Panorama ekonomike thotë ministri i Financave dhe Ekonomisë në detyrë është edhe arsyeja e forcimit të Lekut.

 “Nga erdhi Euro, janë fondamentet ekonomike. Është rritur ekonomia. Është fuqizuar dhe sipërmarrja vendase, janë rritur eksportet, janë rritur shërbimet. Kjo është arsyeja pse është forcuar Leku”, tha ai.

Bashkë me bilancin e punës së tij Ahmetaj ndalet t’i përgjigjet edhe akuzave të opozitës. Qeveria sipas ministrit të Financave dhe Ekonomisë ka realizuar 1.2 miliardë dollarë më shumë të ardhura nga momenti që mori detyrën. Investimet e huaja dhe bizneset e hapura ishin dy fusha të tjera ku u ndal.

“Nëntë mujori i 2018-s është 757 milionë Euro. Viti 2018 do shënojë rekord, do kapë 1 miliard Euro investime të huaja. Jo po falimentuan, jo po nuk falimentuan është bërë një diskurs që qytetarëve iu vjen për të vjellë kur i dëgjojnë. Janë 11 mijë e 123 biznese të reja neto, në vitin 2018. Në tre vitet e fundit janë 38 mijë biznese të reja neto”, tha ai.

Arben Ahmetaj largohet nga detyra e ministrit të Financave dhe Ekonomisë ndërkohë që qeveria ndodhet përpara një beteje, atë të mbylljes së pikave të basteve kryesisht atyre online.

“Pjesa online është një betejë e vazhdueshme. Ne dje kemi mbyllur disa domeine dhe patjetër që do vazhdojë me krijimin e Task-forcës dixhitale anti-bast”, tha ministri.

Ministër apo deputet, Ahmetaj thotë se nuk do të lërë instrument pa përdorur për të mbështetur reformat e qeverisë, ndërsa me pasuesen e tij në krye të Financave dhe Ekonomise, Anila Denaj tregon se ecën në të njëjtën linjë.

“Jemi në goxha harmoni të sfidave që ka ministria, ekonomia dhe një kuptueshmëri shumë të plotë”, përfundoi Ahmetaj./abcnews.al

Capture-e1545689576313.jpg
G. P.23:13 | 24/12/2018

Donald Trump ka ndezur sërish konfliktin me Bankën Qendrore të Shteteve të Bashkuara. E teksa qarkullojnë zëra se presidenti po përgatit shkarkimin e shefit të saj, ekonomia amerikane ka nisur një rënie të lirë, e ndodhur mes pasigurive dhe bllokadës federale që ka përfshirë vendin.

Situata ekonomike në Shtetet e Bashkuara rrezikon jo pak nga bllokada federale që ka përfshirë vendin si pasojë e përplasjes mes republikanëve dhe demokratëve. Si gjithmonë, presidenti Donald Trump ka zgjedhur t’ua atribuojë përgjegjësinë të tjerëve dhe të vetëshfajësohet nga gjithçka. Pak ditë pasi fajin për bllokadën ua la demokratëve, Trump të hënën ka sulmuar Rezervën Federale të Shteteve të Bashkuara, si problemin e vetëm për ekonominë amerikane. Bëhet fjalë megjithatë për një konflikt të vjetër mes shefit të Shtëpisë së Bardhë dhe Bankës Qendrore.

Vlera e aksioneve në tregjet financiare amerikane ra të hënën për shkak të shqetësimeve që rrjedhin nga ngadalësimi i rritjes ekonomike, bllokada federale dhe zërat se Trump po planifikon shkarkimin e kreut të Bankës Qendrore, Zherom Pauell. Në një situatë të tillë, sekretari amerikan i Thesarit, Stiven Mnuchin u bëri thirrje bankave që të përgatisin një plan rezervë dhe të thërrasë grupin e posaçëm të punës pranë Shtëpisë së Bardhë. Por institucionet bankare u përgjigjën duke thënë se situata nuk ka asgjë të jashtëzakonshme. Vetë Trump, përmes një postimi në Tëitter, nuk tha asgjë për të lehtësuar shqetësimin e tregjeve, përveç se i drejtoi gishtin shefit të Bankës Qendrore.

“I vetmi problem për ekonominë tonë është Rezerva Federale. Ata nuk e kuptojnë tregun, por veprojnë si një lojtar i fuqishëm golfi që nuk mund të shënojë pikë sepse nuk ka stil”, tha Trump./abcnews.al

KOMISIONI-I-EKONOMISE-RREZON-DEKRETIN-E-METES.mpg_snapshot_00.31-1280x720.jpg
G. P.13:32 | 18/12/2018

Më pak se një orë i duhej Komisionit Parlamentar të Ekonomisë që të rrëzonin dy dekretet e presidentit të republikës. Atë për kthimin e buxhetit dhe emërimin e kandidates Vitore Tusha në krye të Kontrollollit të Lartë të Shtetit.

Për të argumetuar rrëzimin e buxheti ishte ftuar edhe Ministri i Fnancave dhe ekonomisë Arben Ahmetaj.

Arben Ahmetaj, minister i Financave dhe Ekonomisë: “Presidenti është mundur që të ketë një kontribut duke kthyer buxhetin. Besoj që një kontribut më i madh sesa të kthehesh buxhetin, që është i furnizuar me të gjitha shumat për arsimin e lartë, do të ishte që të kërkonte edhe ai dialog mes studentëve dhe qeverisë”.

Sa për buxhetin ai i përfshin edhe kërkesat e studentëve është përgjigja që i jep ministri i financave dhe ekonomisë deputetëve të partisë së tij.
Pro rrëzimit të dekretit të presidentit është edhe kryetari i komisionit të ekonomisë Erjon Braçe, por zëri kritik brenda tij nuk e lë pa ngritur pikpyetjet se ku do të shkojnë paratë e buxhetit për arsimin e lartë.

Me këto arsyetime deputetët e mazhorancës rrëzuan dekretin e presidentit të republikës që kërkoi rikthimin e buxhetit me qëllim që shumica në parlament të plotësojë kërkesat e studentëve që protestojnë prej dy javësh.

Rrëzimi i dekretit për emërimin në krye të kontrollit të lartë të shtetit të kandidates Vitore Tusha i mori vetëm 10 minuta punës së komisionit të ekonomisë. Është shumë e kualifikuar për detyra të tjera por ka mangësi në atë të drejtimit të KLSH-së –tha kryetari Erjon Braçe. Në seancën parlamentare të së enjtes pritet të ngrihen edhe kartonat jeshilë të deputetëve socialistë kundër dy dekreteve të kreut të shtetit Ilir Meta./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono