ekonomi

INTERVISTE-JORIDA-TABAKU.mpg_snapshot_00.33-1280x720.jpg
ent ela15:20 | 05/10/2019

Partia Demokratike ngre alarmin se në ekonominë shqiptare po qarkullojnë jashtë bankave sasi të mëdha të parave të drogës. Duke iu referuar një raporti të fundit të Bankës së Shqipërisë, ish-deputetja Jorida Tabaku në një intervistë për ABC News deklaron se paratë e ardhura nga rrugë kriminale po çojnë drejt falimentit biznese të ndershme. 

Jashtë bankave të Shqipërisë qarkullojnë 2.3 miliardë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë 22.2% e gjithë parasë në vend, qarkullon jashtë sistemit bankar në formën e parasë cash. Për Partinë Demokratike kjo shifër alarmante është tregues se para të pista kryesisht të ardhura nga trafiku i lëndëve narkotike po qarkullojnë me shpejtësi në ekonominë shqiptare.

Shifra e 288 miliardësh lekësh që qarkullon në ekonomi është më e larta që nga viti 2009, kohë kur kishte një valë tërheqje depozitash për shkak të panikut që u krijua nga kriza globale financiare. Për ish-nënkryetaren e Komisionit të Ekonomisë kjo është një këmbanë alarmi për daljen e bizneseve të ndershme jashtë ekonomisë.

Demokratët shohin një kontrast të fortë mes boomit të lartë të ndërtimeve dhe parasë së madhe që qarkullon jashtë sistemit. Dhe këtu sërish dyshimi i çon tek burimi i palighshëm nga i cili vijnë këto para.

Ministria e Financave ka hartuar ligjin e ri “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, i njohur ndryshe edhe si “Fiskalizimi”, që synon që të gjitha transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen tek Administrata Tatimore në kohë reale. /ABC News Albania 24/7

 

AMERIKANET-DHE-GJERMANET-PER-SITUATEN-MBULIM.mpg_snapshot_00.10-1280x720.jpg
ent ela14:08 | 24/05/2019

Situata politike që po kalon Shqipëria ka shqetësuar dhe sipërmarrësit e huaj që investojnë në vendin tonë.

Dhoma Amerikane e Tregtisë, Shoqata Gjermane e Industrisë e Tregtisë dhe Dhoma Ndërkombëtare e Tregtisë përmes një deklarate për mediat theksojnë se shumë prej anëtarëve të tyre ndjehen të frustruar. Pasiguria politike sipas tyre po ndikon negativisht në klimën e biznesit dhe ekonominë shqiptare.

Investitorët e huaj i bëjnë thirrje partive politike që të gjejnë një zgjidhje për këtë situatë.

“Çdo ditë që kalon pa marrëveshje dëmton besimin e qytetarëve në sistemin tonë politik dhe ekonomik, duke penguar investimet e mundshme ndërkombëtare. Komuniteti ynë i biznesit kërkon fuqishëm që të gjithë palët e përfshira – veçanërisht Qeveria dhe Opozita – të veprojnë me përgjegjësi dhe të bëjnë çdo përpjekje për t’i dhënë fund ngërçit politik në dobi të stabilitetit në vend”  thuhet në deklaratën e përbashkët. /ABC News Albania 24/7

nikolin-jaka.jpg
G. P.12:48 | 20/05/2019

Goditjet nuk i merr kryeministria, as Kuvendi, por ekonomia. Janë sipërmarrësit dhe përfaqësuesit e shoqatave të bizneseve që vendosë të mos heshtin më, por t’i kërkojnë mazhorancës dhe opozitës t’i venë gishtin kokës.

“Jemi për t’i bërë apel politikës që t’i thërrasin mëndje se kanë përgjegjësi të madhe për vendin”.

Të gjithë sektorët e biznesit në vend janë prekur nga kriza politike në vend. Nuk kanë ende shifra të dëmit, por dinë që e ardhmja nuk është e sigurt nëse kjo situatë vazhdon.

“Ajo që është më e rëndësishme për turizmin është që muaji Maj dhe Qershor janë të gjitha vendimmarrjet për 2020-n. Pas Qershorit 2019 nëse Shqipëria rikthehet sërish në hartën e dyshimtë për të qenë destinacion do na duhet një dekadë e tërë për ta kthyer trendin në nivelin që e kemi”.

Reagimi vjen nga forumi i dhomave të tregtisë dhe shoqatave të sipërmarrjes. Apelin e kanë vetëm për sot, nuk kanë ende një përgjigje se cili do të jetë hapi i radhës nëse situata politike në vend nuk ndryshon.

“Ne nuk jemi në biznes jo në politikë që të mendojmë për zgjidhje politike”.

Ndërsa përfaqësuesit e biznesit kërkojnë që mos të humbet më kohë. Në një zë shprehet forumi i dhomave të tregtisë dhe shoqatave të sipërmarrjes private se në këtë situatë të krijuar më shumë nga të gjithë po cënohet sipërmarrja  private  si kontribuesi kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit me 85% të prodhimit të përgjithshëm vjetor dhe me punësimin nga ku 9 në 10 shqiptarë sot punojnë në sipërmarrjen private./ABC News Albania 24/7

ekonomia.jpg
G. P.21:13 | 08/05/2019

Që prej fillimit të krizës politike në vend, Banka e Shqipërisë ka shprehur shqetësimin se mund të ndikojë edhe në ekonomi. Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, deklaroi këtë të mërkurë në Abc News se çdo acarim i situatës politike ka ndikime negative në ekonomi. Në emisionin “Byro Politike” nga Juli Xhokaxhi, Malaj nënvizoi se Banka e Shqipërisë nuk do të interferojë në ballafaqimin e brendshëm politik.

“E kemi ngritur këtë shqetësim që ka aktualisht vendi ynë. Ne nuk duam të interferojmë në ballafaqimin politik mazhorancë-opozitë, por nuk mund të ngurojmë që të japim mesazhin publik që çdo acarim i situatës politike dhe çdo zvarritja e zgjidhjes ka ndikime negative në ekonomi. Pastaj sa do jenë këto ato do jenë për t’u matur. Ne jemi në detyrimin emergjent të ndryshojmë mënyrën e qeverisjes së vendit nga qeverisja me statistika, nga qeverisja me emocion, nga qeverisje me telefon, në një qeverisje që duhet të bazohet në kërkimin shkencor sipas ministrive përkatëse. Është e detyrueshme dhe imediate që çdo dikaster të ketë departament të kërkimit shkencor, ku mund të gjesh shumë mirë të rinj të talentuar shqiptarë”, tha Malaj.

Eksperti i ekonomisë Vjold Danaj nga ana tjetër tregoi se si ndikon kriza politike në ekonomi. Ai u shpreh se situata aktuale mund të çojë në frenimin e investimeve, frenimin e konsumeve dhe largimin e shqiptarëve nga vendi.

“Ndikimet janë qoftë në frenimin e investimeve të bizneseve qoftë edhe shqiptare vendase duke e parë situatën jo të qartë dhe ecurinë e saj, asnjë biznes nuk e merr guximin të bëjë investime madhore në vend. Gjëja tjetër është frenimi i investimeve të huaja. Asnjë i huaj nuk mund të vijë në një vend që nuk ka stabilitet ekonomik. Problemi i pronës në Shqipëri është një problem madhor që ul ose kufizon investimet e huaja. Kjo situatë politike krijon këtë zymtësinë e situatë ekonomike e cila çon në frenimin e investimeve, frenimin e konsumeve dhe largimin e mëtejshëm të shqiptarëve. Aq më keq që ne kemi një mungesë të madhe edhe në pjesën e investimit në infrastrukturën e arsimit”, tha Danaj./abcnews.al

eurozona-1280x706.jpg
Sej rie23:00 | 30/04/2019

Rritja ekonomike për tremujorin e parë të vitit në Eurozonë ka tejkaluar parashikimet. Por ekspertët paralajmërojnë se pavarësisht të dhënave pozitive, rritja po plaket dhe pritshmërinë për periudhat në vijim nuk duhet të jenë shumë të larta.

Ekonomia në zonën Euro u rrit më shumë se parashikimet në tremujorin e parë të vitit, ndërsa papunësia ra në nivelin më të ulët në dekadën e fundit. Zyra evropiane e statistikave, EUROSTAT deklaroi se sipas vlerësimeve paraprake, prodhimi i brendshëm në 19 vendet që ndajnë monedhën e përbashkët u rrit me 0.4 për qind në tre muajt e parë të 2019-s, nga 0.2 për qind që ishte në tremujorin e fundit të vitit parardhës. Sipas vlerësimeve, vit pas viti GDP-ja e zonës Euro është rritur me 1.2 për qind, kuotë kjo e verifikuar edhe në fund të 2018-s. Të dhënat e EUROSTAT përfshijnë edhe nivelin e GDP-së së Gjermanisë, që vazhdon të mbetet ekonomia më e madhe e Evropës. Ekonomistët kishin parashikuar një rritje prej 0.3 për qind për tremujorin dhe një rritje prej 1.1 për qind në nivel vjetor. Të pyetur nga agjencia e lajmeve “Reuters”, ata vënë në dukje se pavarësisht të dhënave pozitive, rritja po plaket dhe pritshmërinë nuk duhet të jenë shumë të larta. Gjithashtu, shifrat e fundit i japin pak indice Bankës Qendrore Evropiane për manovrat që duhet të bëjë; konkretisht nëse duhet të vijojë ose jo me lehtësimin e politikës monetare, apo me shtrëngimin e saj. Vetë BQE, që në fund të vitit të kaluar zgjodhi shtrëngimin përballë inflacionit të ulët, kishte parashikuar që rritja për tremujorin e parë të vitit të ishte 0.2 dhe në nivel vjetor 0.3 për qind./ABC News Albania 24/7

byro-politike-1.jpg
ent ela21:27 | 11/03/2019

Në emisionin “Byro Politike” një panel ekspertësh diskutuan për temën “Ekonomia, mungesa e arsyes së stabilitetit”. Të pranishmit në studio, Selami Xhepa, Adrian Civici, Arben Malaj dhe Fatos Çoçoli dhanë mendimet e tyre për situatën e mungesës së stabiliteti në ekonominë e vendit tonë.

Selami Xhepa : Ne kemi fituar betejën me të shkuarën tonë, po nuk kemi fituar betejën me standardet, progresin dhe modernitetin atje ku duhet të jemi. Kur shikojmë se ku ka shkuar bota ne vijojmë të jemi një vend realisht me të njëjtën problematikë relative sikurse e kemi pasur edhe më parë. Ne edhe sot pas 30 vitesh tranzicion jemi gati me 1/3 e të ardhurave të vendeve të BE. Problemi i dytë themelor mendoj se është se ne vazhdojmë akoma ta matim progresin tonë të shoqërisë me një metër të vjetër.

Adrian Civici: Si zhvillohet një vend dhe cilët janë faktorët. Efektivesh dallohen në mënyrë të përgjithshme tre preje tyre. Sasia e kapiteleve që investohen, sasia e burimeve njerëzore apo dhe burimeve natyrore që ka një vend për të përdorur në zhvillimin e tij ekonomik dhe struktura e ekonomisë, cilësia e politikave dhe zgjedhjeve që ne bëjmë ku përfshihen një mori problemesh që ne akoma nuk i kemi zgjidhur, që nga pronat qëndrueshmëria fiskale dhe shumë gjera të tjera.

Fatos Çoçoli: Askush nuk flet se ne kemi një rregullore që është Enti Rregullator i Energjisë që kompania shtetërore dhe ka një vit të mirë dhe nuk parashikon politikën e tarifave. Ka dy tre vite që ka qenë mirë. Po të shikon ata tarifat dhe njerëzit do të ishin të kënaqur.

Këta njerëz jo vetëm po plaken por po braktiset vendi. Po na ikin njerëzit më të aftë për punë. E vetmja mënyrë një qeveri e jona nëse do donte të ishte e përgjigje të investonte aty ku ka përfitime. Pse paratë nuk shkojnë aty ku mund të investohen mirë, tek ai bujku dhe ata para të kthehen për një kohë të shkurtër. Jo po ai nuk ma kthen, rrisko, investo dhe provo.

Arben Malaj: Nëse shoku Fatos më lejon e kam pas edhe koleg në shkollë.

Fatos Çoçoli: Jemi miq nuk jemi vetëm shokë, vazhdo…

Arben Malaj: Nëse politika që ne përmendim të bankës qendrore dhe flas si profesor dhe jo si anëtar i bordit, kështu ndodh edhe në botë mund të shprehesh edhe duke qenë anëtar i bordit për gjërat e bankës.

Fatos Çoçoli: Fol për bankën qendrore pavarësish çfarë pozicioni je…

Arben Malaj: Prit një minutë një minutë … se në qoftë ato që ju përmendi dhe ato që lexojmë çdo ditë se janë hapur shumë diskutime për produktivitetin e bankës qendrore dhe nëse ato mbeten brenda sektorit financiar dhe shërbejnë për shëndoshjen e sektorit financiar por nuk shkojnë si instrumente të monetare në atë të ekonomisë ka diçka që nuk shkon.

Fatos Çoçoli: Ta ka çuar mor vëlla, ta ka çuar afër zeros interesin e përqindjes së parasë.

 Arben Malaj: Tani unë votoj … nëse ke ardhur për të bërë zhurmë unë nuk e di që je zhurmues. Ti nuk mund të më tregosh mua normat e interesit kur unë votoj atje.

Fatos Çoçoli: : Do bëjmë debat kështu folëm që në fillim. 

 Arben Malaj: Por që të bëjmë debat ka një shprehje në demokraci që hapësira për të lëvizur gishtin tënd varet nga afërsia me hundën time. Pra t’i nuk mund të vazhdosh e të flasësh…

Fatos Çoçoli:  Jemi nja 5-6 metra larg.

 Arben Malaj: Kështuqë ta kuptosh.

Fatos Çoçoli: E kuptoj shumë mirë

 Arben Malaj: Mirë më fal dhe mbaje mend mundohu të lexosh pak më shumë dhe të abdetohesh. Se nëse efekti i një politike monetare nuk shkon në ekonominë reale diçka është problem në tërësi. Nëse sot bankat nuk kanë dhënë kredi ka qenë për shkak se kreditë e këqija kanë qenë në nivelin më lart sesa i gjeta në ’97.

Fatos Çoçoli:  25% tani e ke 12.4 % tani të është ulur urdhëro.

 Arben Malaj: Po a e di t’i strukturën e uljes apo jo?

Fatos Çoçoli: Tu fshinë kreditë e këqija…

Arben Malaj: Çfarë do të thotë fshirje kredie?

Fatos Çoçoli:  Do të thotë që është lehtësuar bilanci i një banke tregtare. Se bërë pyetje dhe me lejo të përgjigjem, ose vazhdo me monologun tënd si të duash.

Arben Malaj: Çfarë është fshirë?

Fatos Çoçoli:  Fshirja e kredive të këqija i jep mundësinë bankës që të mos bllokojë kapitelet dhe duke i pasur brenda bilancit të saj i ngrinte sepse për çdo kredi duhet të ishte ngrirë një pjesë e kapitalit të saj.

 Arben Malaj: E para është së duhet të dish që fakti që bankat tregtare nuk japin kredi do të thonë se ulja e kredive nuk ka ardhur nga arkëtimi i kredive të këqija. Pra nuk funksionon që me mbledhjen e kredive të këqija të detyrohen dhe t’i fshijmë./abcnews.al

genc-sejko.jpg
G. P.15:32 | 22/02/2019

Por kriza politike në vend pritet të ketë pasoja negative edhe në sektorin e ekonomisë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, i ben apel klasës politike të rikthejnë stabilitetin në vend dhe të vijojnë reformat.

Kriza politike që po kalon vendi parashikohet të ndikojë dhe në situatën ekonomike, prandaj Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, i tërheq vëmendjen qeverisë dhe opozitës.

“Çdo krizë politike, stabilizim, destabilizim politik do të kishte dhe efektet e tij në ekonomi. Ne si Bankë Qendrore sigurisht që jemi të interesuar dhe bëjmë thirrje që të ketë gjithmonë stabilitet politik në mënyrë që ekonomia, reformat dhe prosperiteti i parashikimit të gjithë reformave tona të një rritje ekonomike të vazhdojë në një mënyrë të suksesshme”, tha Sejko.

Kreu i Bankës Qendrore mbajti këtë qëndrim pas ceremonisë së promovimit të librit “Paraja, Banka dhe Shoqëria, bashkëudhëtimi historik që nga fillesat deri në kohët moderne” me autor Aristotel Panon dhe Anastas Angjelin. Ndërsa përshkroi rrugëtimin tre mijë vjeçar të parasë eksperti i ekonomisë Angjeli mesazhin e dha për aktualitetin që po kalon vendi.

“Zbatimi me konseguencë i sistemit tonë monetar, bankar. Stabiliteti dhe qëndrueshmëria monetare dhe fiskale edhe në kushtet e tronditjebve politike janë të domosdoshme dhe duhet të jenë në vëmendjen e të gjithëve”, tha ai.

Shqetësimin për situatën e trazuar politike pak ditë më parë e shprehu dhe Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, sipas të cilit destabiliteti step investitorët e huaj për t’u vendosur në Shqipëri./abcnews.al

selami-xhepa-1280x716.jpg
ent ela21:19 | 12/02/2019

“Politika është bërë barrë për ekonominë”. Kështu u shpreh nga studioja e “Provokacija” pedagogu i UET-së, Selami Xhepa.

“Problemi më serioz që ka ekonomia e vendit tonë gjatë gjithë historisë ka qenë rëndesa politike mbi të. Edhe politikat më të mira ekonomike dhe reformat më të mira ekonomike që në pjesën tjetër të botës kanë pasur shumë sukses në Shqipëri nuk kanë ngjitur shumë. Dhe arsyeja mendoj kryesisht lidhet me rëndimin e klimës politike dhe më mënyrën se si politika sillet me ekonominë.

Tensionimi i klimës politike në mënyrë të përhershme është një kosto shumë serioze. Por edhe mënyra e të qeverisurit është gjithashtu shumë problematike. Qeveria nis një reformë dhe vjen një qeveri tjetër e ndalon dhe e ç’bën atë për të filluar nga e para. Këto fatkeqësisht po shikojmë që po ndodhin edhe brenda qeverisjes së një force politike. Kur kalon nga një ministër tek një tjetër efektivisht çfarë bëhet?! Fshihet çfarë ka bërë ministri paraardhës dhe fillon histori sërish nga fillimi”.

Më tej, Xhepa ka folur për mënyrën se si duhet të funksionojë taksa e sheshtë.

“Me nivelin e informalitetit që ka ekonomia e vendit, me devijimet që bëjnë qofte individët, qoftë subjektet për të shmangur taksat ka thelluar informalitetin. Taksa e sheshtë e reformuar për të ardhur deri në 3000 mijë lek nuk duhet. Aplikimi i taksimit duhet të jetë vetëm tek të ardhurat mbi 3000 mijë lekë. Kjo mbron shtresën e mesme të shoqërisë. Ata që punojnë më shumë paguajnë më shumë taksa. Dhe ata me të ardhura të ulëta mbrohen”.

Ndër të tjera, ai ka folur për struktura ekonomike që sipas tij janë shumë problematike.

“Ne kemi struktura ekonomike shumë problematike. Për shembull, bujqësia është barrë për ekonominë dhe nuk është një aset, sepse nuk është investuar nga sipërmarrës që kanë mundësira të mëdha eknomike. Me mbështejtje që ka BE investimet në bujqësi dalin flasa nëse je një biznesmen i pasur. Por problemi i tokave dhe i pronësisë mbi tokën është problem serioz”.

Ndërsa sipas tij buxheti i shteti është i përqëndruan në duar e një grupi njerëzish dhe ky është një problem i madh.

“Unë shikoj më shqetësim të madh se një grup i caktuar individësh zotërojnë pjesën më të madhe të buxhetit të shtetit. Kjo lloj miksture që krijohet midis politikës, buxhetit të shtetit dhe përdorimti të buxhetit të shtetit në mënyrë klienteliste, ky mendoj se është një shqetësim serioz”.

Duke u ndalur tek ligji i Partneritetit Publik Privat, Xhepa tha se është absulutisht kundër kësaj praktike të investuari.

“Absulutisht që jam kundër kësaj praktike. E para në kontratat e PPP duhet të ketë kufizime shumë serioze. Ligji i PPP duhet korrigjuar. Unë jam për ta reformuar në mënyrë të thellë skemën e koncesioneve. Jo me pikë dhe me bonus, por duke e marrë në pronësi shteti dhe duke i paguar shenzimet atij që e ka bërë projektin. Në fakt ne nuk kemi koncesione. Këto nuk janë koncesione. Këto janë të prokurosh paratë e publikut dhe efektivish risku është tek buxheti i shtetit dhe jo tek privati. I vetmi koncesion që unë kam qenë dakord është hidrocentrali në kaskadën e Devolit pasi risku për buxhetin e shtetit është zero”./abcnews.al

milva-ekonomi.jpg
G. P.14:31 | 14/01/2019

Javën e kaluar, Kryeministri Edi Rama prezantoi platformën “Punë të mbarë” për punësimin e të rinjve. Deputetja e Partisë Socialiste, Milva Ekonomi, ishte e ftuar në studion e ABC News, ku foli rreth numrit të lirë të vendeve të punës dhe se çfarë kërkohet për të aplikuar. Kjo platformë vlen vetëm për studentët ekselentë. Shumica e vendeve të lira të punës kërkojnë vetëm studime të përfunduara në nivelin Bachelor.

“Janë vende pune nga të cilat 500 kërkojnë të kenë vetëm nivelin Bachelor dhe 303 të tjera studime të nivelit më të thelluar Bachelor. Deri tani ju keni ndjekur, portali ka sjellë 100 kërkesa që kanë bërë studentët e ekselencës. Unë mendoj se është një mundësi shumë e mirë që studentët të njohin administratën. Aplikimet vahzdojnë, ka një fat. Procesi është një proces do vazhdojë derisa të bëhet plotësimi i këtyre numrave.

Këto 803 venden janë për ekselentët. Dokumentet që duhen kërkohet një letër reference një letër motivimi më shumë, një CV, dhe pastaj janë dokumente që vijnë nsga sistemi arsimit, notat”, u shpreh ajo.

Puna për këtë platformë ka nisur menjëherë nga ministritë e linjës u shpreh Ekonomi përballë gazetares Bruna Çifligu. Ndërkohë përsa i përket ngujimit të studentëve në universitete ajo u shpreh se “ata janë pak në krahasim me ata shumë që duan të vazhdojnë studimet”./abcnews.al

hgjermania.jpg
G. P.19:43 | 27/12/2018

Zhvillimi ekonomik që ka karakterizuar Gjermaninë në dekadat e fundit nuk ka përfshirë sektorin e forcave të armatosura të vendit. Mediat gjermane shkruajnë se ushtria është në gjendje të dëshpëruar për shkak të mungesës së investimeve, personelit të tkurrur dhe mirëmbajtjes së varfër.

7 vjet pasi ndërpreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, Gjermania po përballet me një mungesë të theksuar personeli në radhët e forcave të armatosura. Komandanti i përgjithshëm, gjenerali Eberhard Corn ka deklaruar se për t’i dhënë zgjidhje problemit po shqyrtohen disa opsione, përfshirë ai për punësimin e qytetarëve nga vendet e tjera të BE-së.

Ushtaraku i lartë ka nënvizuar se më alarmante është mungesa e specialistëve, kryesisht në fushën e infermierisë dhe teknologjisë së informacionit. Por mediat gjermane nënvizojnë se personeli është vetëm maja e ajsbergut e problemeve që kanë përfshirë ushtrinë federale në vitet e fundit. Ndërsa vendi synon të ketë 70 për qind të kapaciteteve luftarake në gjendje gatishmërie, të dhënat e fundit tregojnë se arritja e objektivit është ende larg.

Sipas burimeve mediatike, që citojnë një raport të hartuar nga Ministria e Mbrojtjes, vitin e kaluar Gjermania kishte gati për luftë vetëm një të tretën e 97 tankeve, avionëve dhe helikopterëve ushtarakë. Gjithashtu, asnjë nëndetëse dhe avion i madh transporti nuk ishte dhe nuk është as sot në gjendje funksionale.

Dokumenti vë në dukje se situata e dëshpëruar është pasojë e tkurrjes së investimeve dhe mirëmbajtjes së varfër. Sa i takon personelit, forcat e armatosura kanë një vakum prej 21 mijë oficerësh dhe i vetmi aspekt ku duket se shkëlqejnë është prania e femrave, që përbëjnë rreth 12 për qind të trupave. Ministrja e Mbrojtjes, Ursula Fon Der Lejen ka deklaruar se, ndryshimi i situatës është prioritet i qeverisë.

Ajo ka saktësuar se brenda vitit 2025 është planifikuar mbushja e vakancave, si dhe rritja e buxhetit për mbrojtjen nga 1.2 në 1.5 për qind të GDP-së, pas kritikave të presidentit Trump se vendi nuk përmbush detyrimet si anëtar i NATO-s./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono