edy reja

duka.png
Vladimir Prenga15:44 | 22/10/2019

Armand Duka, nga Kukësi ka folur edhe për kombëtaren shqiptare. Ai konfirmoi trajnerin Edy Reja, teksa shkurtimisht tha: “Reja do të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë, por kur do ta bëjmë kontratën nuk ta them dot. Duhet ta diskutojmë këtë pjesë”.

Më tek ai analizoi edhe situatën në kombëtare dhe mendon se aktualisht kemi një ekip më të mirë se ai i Europianit: “Dy ndeshjet e fundit, ose tre bashkë me Islandën, kanë qenë të mira. Ekipi është rikthyer, ka fituar besimin te vetja. Në gjithë opinionin sportiv është rikthyer besimi, është rikthyer klima pozitive.

Kjo do e ndihmojmë më shumë ekipin, do i japë energji për dy ndeshjet e fundit, si dhe për kualifikueset e Botërorit dhe Nations League. Mendoj se më këto paraqitje, nëse do bëja një krahasim, kemi një ekip akoma më të mirë se në Euro 2016”.

Duka ka folur gjithashtu edhe për stadiumin e ri në kryeqytetet, që pritet të inaugurohet në ndeshjen me Francën.  “Më pëlqen që pyetem për stadiumin kombëtar në Kukës. Do jetë gati, nga atje po vij. Ka shumë punë për t’u bërë, por do të arrijmë patjetër ta kemi gati për ndeshjen e 17 nëntorit. Kemi ndarë edhe ftesat dhe ne shqiptarët kur i shpërndajmë ftesat, e bëjmë dasmën”, përfundon Duka. /abcnews.al

 

duka-reja.jpg
Vladimir Prenga15:05 | 22/10/2019

Armand Duka ka qenë sot i pranishëm në Kukës, ku ka inspektuar punimet në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit ka folur edhe për mediat dhe mes të tjerash i është përgjigjur pyetjes në lidhje me të ardhmen e trajnerit të kombëtares, Edy Reja.

Duka është shprehur se italiani do të vijojë të mbetet në krye të kombëtares dhe vlerëson frymën e krijuar te kuqezinjtë gjatë periudhës që e drejton Shqipërinë. “Reja do të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë, por kur do ta bëjmë kontratën nuk ta them dot. Duhet ta diskutojmë këtë pjesë”, ka thënë mes të tjerash Duka.

SHIFRAT E ITALIANIT – Edi Reja ka debutuar me Shqipërinë në ndeshjen me Islandën. Italiani e nisi me humbje dhe bilancin e ka “gri”. Kuqezinjtë, nën drejtimin e tij, kanë fituar tre ndeshje dhe kanë humbur po kaq. Moldavia ka qenë “viktima” e Shqipërisë në dy ndeshje, teksa i kemi shënuar 6 gola pa pësuar asnjë.

Hakmarrja me Islandën është gjithashtu në listën e ndeshjeve të kombëtares sonën nën drejtimin e Rejës. Sfida me Francën është nga ato që nuk duhen diskutuar. Të mundësh kampionët e botës është një mision i pamundur dhe në kampin kuqezi nuk është llogaritur ndonjë pikë ndaj tyre. Humbja me Turqinë është ajo që “djeg”, por ngroh për lojën.

NDESHJET E SHQIPËRISË NË EPOKËN REJA
Islandë-Shqipëri 1-0
Shqipëri-Moldavi 2-0
Francë-Shqipëri 4-1
Shqipëri-Islandë 4-2
Turqi-Shqipëri 1-0
Moldavi-Shqipëri 0-4

/abcnews.al

duka-reja.jpg
Vladimir Prenga12:41 | 20/10/2019

Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, duhet të vendosë në lidhje me trajnerin e kombëtares, Edy Reja. Italianit i përfundon kontrata në nëntor dhe koha nuk pret. Në krye të kuqezinjve ai ka bërë një punë të mirë deri më tani.

Mosha është faktori kundër italianit, pasi ka mbushur 74 vjeç. Gjithsesi ai e thotë shpesh se ndihet i ri. Gjithashtu në konferencat për shtyp ka deklaruar se është i gatshëm të rinovoje. Pro zgjatjes së bashkëpunimit është edhe Hamdi Salihi.

Shkodrani ka folur në emisionin “Zona Gol” në Supersport dhe e vlerëson Rejën. Në fund Duka është ai që vendos, ndërkohë që Salihi i përçon një mesazh kreut të federatës. “Unë ia kam thënë trajnerit, disa gjëra në fushë i shoh edhe si lojtar, edhe si trajner. Është një njeri që duhet t’i besohet, por në fund gjërat i vendos presidenti.

Kam mendimin se ka bërë një punë të mirë, më shumë për qartësinë që lojtarët kanë në fushë. Është i thjeshtë dhe i qartë në gjërat që bën. Besoj që ajo që ka treguar ekipi në fushë i ka dhënë të drejtë trajnerit”, është shprehur Salihi, i cili është pjesë e stafit të teknikut italian të kombëtares. /abcnews.al

reja-1280x720.jpg
Vladimir Prenga11:10 | 06/10/2019

Edoardo Reja, trajneri i kombëtares shqiptare, ka dalë para mediave për të folur për ndeshjet me Turqinë dhe Moldavinë, ndërkohë që normalisht ai ka komentuar edhe zgjedhjet që ka bërë. Në listë ka disa mungesa të mëdha si Mavraj e Sadiku, kurse Taulant Xhaka dhe Myrto Uzuni janë në listën e pritjes, sikurse edhe Ergys Kaçe.

LISTA – “Kam folur me të këtë javë dhe më ka thënë se do të operohet në krah. Ka kërkuar pushim. Do rikthehet në të ardhmen. Edhe Sadiku më ka thënë se ka probleme të rëndësishme familjare. Sa i takon Xhakës, kam folur dhe i kam thënë se dua të shoh Selahin, ndaja është jashtë. Nuk dua të shoh shumë lojtarë dhe t’i dërgoj në tribunë. Më pas do krijoheshin situata jo të këndshme. Dua të shoh edhe për perspektivën dhe t’u jap minuta. Xhakën dhe Mavrajn i njohin të gjithë, ua dimë cilësitë. E kam parë edhe Trashin dhe mendoj se e meritonte një ftesë. E kemi pasur në një grumbullim dhe e kam parë”.

KATËR PORTIERË – “Edhe Turqia ka grumbulluar katër portierë.  Nuk ka një çështje Berisha. Për mua është e vështirë të zgjedh kush do të luajë, Berisha e Strakosha po luajnë shumë mirë në Itali dhe të gjithë po i shohin. Selmani po luan në Turqi dhe është portier me perspektivë”.

MINUTAT QË PO MARRIN LOJTARËT – “Më vjen keq që disa nuk luajnë, ndodh me Dermakun. Duhet marrë në konsideratë si sillen këtu. Ai ishet vendimtar me ne dhe na jep diçka më shumë. Kemi edhe nga at që luajnë, si Kumbulla që po paraqitet mirë te Hellas Verona. Tregoi personalitet dhe shënoi gol. Nuk mund t’i lëmë në shtëpi ata që nuk luajnë. Do aktivizohen kush janë në formën më të mirë. Me Hysajn kam folur. Nuk ishte në Champions, ka zgjedhur të stërvitet në Napoli më mirë se të shkojë dhe të qëndrojë në tribunë”.

NDESHJA ME TURQINË – “Kemi besim se mund të marrim rezultat. Dihen vlerat dhe cilësitë e tyre. Luajnë në Europë dhe janë të rrezikshëm. Treni i fundit për Europianin? E dimë shumë mirë se është mundësia e fundit. I gjithë grupi është gati të bëjë një ndeshje pozitive dhe të fitojmë. Edhe barazimi na penalizoi. Atyre u mjafton edhe një pikë. Objektivi i vetëm është të bëjmë një ndeshje pozitive dhe të fitojmë”.

“Ndeshja në Shkodër ishte tjetër. Skuadra është tjetër, ka ndryshuar. Turqia ka arritur të mundë Francën dhe atë ndeshje shoh unë. Ata kanë pasur probleme në transferta. Në shtëpi janë shumë të fortë dhe luajnë me intensitet të lartë. Po përgatitim ekipin me intensitetin e duhur, që të jemi gati për Turqinë. Kanë në çdo pozicion lojtarë të mirë, që po u le hapësira të godasin. Skuadra është rritur, ka më shumë garanci. Kemi pasur mungesë vëmendje me Islandën dhe po punojmë t’i shmangim ato gabime. Në Shkodër ishte shumë e rëndësishme ajo ndeshje, do kishin dy pikë më pak nëse do shkonte ndryshe. Shkojmë për të bërë ndeshje të mirë dhe për të marrë rezultat”.

E ARDHMJA – “Detyra është të punoj mirë dhe i impenjuar. Në nëntor do të shohim si do të shkojnë gjërat. Besoj në këtë skuadër dhe në perspektivën e saj. Vendimi im është që të qëndroj, grupi po formohet dhe ka njëfarë sintonie. Më pëlqen të kem një skuadër që luan futboll dhe jo vetëm të mbrojmë e të fitojmë me cinizëm”.

RINOVIMI I KOMBËTARES – “Po e rinovojmë grupin. Kam mbajtur në konsideratë punën e mirë të Panuccit. Me ISlandën ndryshuam mesfushë, vetëm Bare kishte luajtur në Francë. Nuk na mungon cilësia, por duhet të shoh karakteristikat individuale dhe të vlerësoj cilët duhen për ndeshje të caktuara. Prurjet e reja na japin diçka plus.  Do luajnë ata që na shërbejnë për çdo situatë. Dua të them që Xhaka, Abrashi dhe Ramadani, nuk kanë bërë paraqitje të dobëta. Kanë luajtur mirë, por ndeshjet vendosen nga episodet. Roshi u kritikua në Francë, por me Islandën na zgjidhi ndeshjen. Na vunë në vështirësi dhe fizikisht ishin lart, sikurse edhe taktikisht. E zgjidhëm me Roshin. Kemi edhe Qosen, apo edhe Ndojin që është i dëmtuar. Vjet ai ka bërë mirë te Brescia. Qose po pret momentin të luajë. Është një grup që duhet vlerësuar gradualisht. Duhet gjetur momenti, kur lojtarët të japin maksimumin”.

“Duhet të ecim me të njëjtin hap, si kualifikimi, si rinovimi i kombëtares. Është normale të punosh për të ardhmen. Në Itali ka shumë shqiptarë, të lindur pas vitit 2000. Edhe në Gjermani. Ne do provojmë të marrim nga ata lojtarë, sikurse edhe Kosova. Normal na prish punë. Do i provojmë krejt të rinjtë që na duken premtues. Duhet të punojmë për të ardhmen. A shoh përtej nëntorit? Normal që shoh përtej nëntorit. I shohim ndeshjet një pas një, në fund vendoset për të ardhmen. Edhe unë mund të gaboj, kush punon edhe gabon. Do mundohem të sjell lojtarët që mendoj se i shërbejnë kësaj skuadre. Përgjithësisht jam larguar unë nga ekipet. Më lidhin projektet, jo paratë.” /abcnews.al

edi-rejajj.jpg
ad min11:53 | 11/09/2019

As edhe një fitore 4-2 nuk e kënaqi plotësisht trajnerin e kombëtares, Edi Reja. Italiani pati kritika për golat e pësuar, ndonëse u ndje i lumtur për reagimin e ekipit.

Doli krejt si papritur në zonën e intervistave. Vëmendja u zhvendos menjëherë nga Sokol Cikalleshi tek Edi Reja, por fillimisht, trajneri i kombëtares pati një ankesë pasi u pengua.

“Po si mund të vendoset kjo tavolinë këtu, për cilin është kjo tavolinë këtu? Epo mirë, le të flasim për ndeshjen”.

Pyetja e parë ishte pikërisht për Cikalleshin.

“Nëse ai dëshiron të luajë, duhet të shënojë gola, të ndihmojë mesfushën, dhe madje edhe mbrojtjen. Ndryshe, me mua nuk luan. Sokoli është i fortë, dhe mund t’ia dalë. Ka kohë që nuk luan në klubin e tij, por sot bëri 90 minuta , po ashtu luajti 30 minuta në Paris. Kjo, sepse ai është profesionist, kujdeset për veten. Por, duhet të përmirësohet, sepse humbi më shumë topa sesa duhet”.

Fitorja ishte çlirim, por Reja nuk u duk shumë entuziast, as plotësisht i kënaqur.

“Përtej 4 golave, për të cilët jam shumë i lumtur, nuk pranoj dot që të pësojmë dy gola. Nuk pranoj golin e pësuar në fillim të pjesës së dytë. Një skuadër e mirë nuk pëson gol të tillë, sepse e rrezikuam veten seriozisht. Kjo, sepse Islanda ka cilësi fizike superiore ndaj nesh. Sidoqoftë, lojtarët u treguan të zotët që ruajtën zotërimin e topit”.

Pavarësisht kritikave, italiani e vlerësoi lart skuadrën e tij.

“Nuk më intereson edhe aq fitorja, por më intereson shpirti i garës që tregoi skuadra, reagimi që ajo bëri, dëshira për të fituar. Luftoi për çdo top, dhe është pikërisht kjo që tregon se je skuadër. Suksesi im si trajner ishte ky, që lojtarët reaguan, dhe që kemi një raport shumë të mirë me njëri-tjetrin, që punojnë shumë mirë. Nuk më interesoi shumë fitorja, por fryma dhe uniteti që u rikthyen. Kjo do të thotë se jemi një skuadër”./ABC News Albania 24/7

kombetarja-shqiptare-1-1280x719.jpg
nev ila14:55 | 31/08/2019

Trajneri i kombëtares, Edi Reja, kërkon besim dhe lojë të mirë në ndeshjen ndaj Francës, në Paris, për eleminatoret e Europianit. Italiani publikoi një listë me ndryshime, ndërsa shpjegoi sesi duhet luajtur ndeshja e 7 shtatorit.

A do të mund të përsëritet ajo që ndodhi atëherë?

Kombëtarja shqiptare luajti një ndeshje epike ndaj Francës stërfavorite në ndeshjen e grupit në Euro 2016, duke humbur vetëm në minutat e fundit, ndërsa në 7 shtator do të jetë sërish përballë kampionëve të botës në Paris.

Jo më me De Biazin, por tashmë me Edi Rejën, një personalitet jo më pak i madh, i cili padyshim që ka ambicie.

Gjithsesi, në listën e lojtarëve të grumbulluar prej tij, duket qartë se ekipi është në fazë tranzicioni.

“Në skuadër ka ndryshime, pasi ka lojtarë të rinj që më parë nuk i njihja, por që kanë rënë në sy në ekipin Shpresa apo në kampionatet ku luajnë, ndaj dua t’i shikoj. Është Manaj, Gjasula që fitoi vjet kampionatin dhe tani është titullar, me fizik të fortë. Do t’i shoh gjatë javës dhe do t’i vlerësoj. Binaku ishte në grup, por ishte i dëmtuar. Nuk i kam thirrur, por i kam si alternativa të para, Trashin që më ka bërë përshtypje të mirë, Seferin që po bie në sy. Pastaj janë Vrioni e Selahi, ndërsa Kumbulla këtë vit i ka bërë të gjitha ndeshjet dhe po luan titullar. Dua të shoh edhe Keidi Baren. Federata më ka kërkuar rezultate, por edhe të mendoj për të ardhmen”, tha Reja.

Pra, çfarë objektivi ka Shqipëria ndaj Francës?

“Luajmë ndaj një kundërshtari me vlera shumë të mëdha, por në asnjë ndeshje rezultati nuk dihet që në fillim. Ne shkojmë që ta vendosim Francën në vështirësi, do të përpiqemi të bëjmë maksimumin e mundshëm. Synimi ynë është të luajmë mirë, do të kërkojmë edhe rezultat pozitiv. Edhe në të kaluarën, ndaj Francës, Shqipëria ka bërë paraqitje të mira“.

Si pret Edi Reja që të luajë Franca, dhe sa rëndësi ka fakti që lojtari kryesor, Mbapé, mungon.

“Francën e njohim, por varet se me çfarë sistemi do të luajë. Është e qartë që ne e vlerësojmë Francën si pak më të fortë se Shqipërinë, por gjithçka është për t’u parë. Mbape është lojtar me cilësi të jashtëzakonshme, por Deshampit i mjafton të mbyllë sytë dhe të zgjedhë një lojtar, që do të jetë sërish i nivelit tepër të lartë, sepse janë të gjithë lojtarë me cilësi të madhe dhe përvojë ndërkombëtare. Gjithsesi, ne nuk do të kemi frikë, do t’i respektojmë, por jo të trembemi. E qartë, që duhet të kemi kujdes në mbrojtje, të mbyllim hapësirat dhe të mos u japim shans për kundërsulm”.

Shpesh ndodh që ekipet e vegjël i humbin ndeshje të tilla pa hyrë ende në fushë.

Si mendon Reja ta motivojë dhe ta bindë ekipin?

“Më vjen mirë për këtë pyetje, sepse po mendoja që kanë ndryshuar shumë gjëra që kur unë erdha këtu. Gjeta një skuadër jo në gjendje të mirë. Kemi punuar shumë dhe jam shumë i kënaqur. Lojtarët treguan se besojnë në punën e bërë dhe përparimet janë të rëndësishme. Lojtarët kanë treguar dashuri për fanelën dhe janë shumë të motivuar. Unë kam shumë shpresë nga kjo gjë, sepse kryesorja është që lojtarët të japin gjithçka, këtë kërkoj, pastaj rezultati i mirë apo i keq, del në plan të dytë”.

Gjithë vëmendja është tek dueli i 7 shtatorit në Francë, por Reja tërheq vëmendjen për ndeshjen me Islandën në fushën tonë, në 10 shtator.

“Dueli direkt nuk është edhe aq me Francën, sesa me Islandën, ndeshje shumë e rëndësishme për ne. Nëse do të fitonim me Islandën, do të ishim pertendentë për një pozicion të mirë në renditje. Grupi është i hapur dhe interesant. Për shembull, askush nuk priste që Turqia të fitonte me Francën. Pra, përse të mos mendojmë që edhe Shqipëria mund të shkojë në Francë për të marrë rezultat pozitiv”.

Kontrata e Rejës përfundon në nëntor.

Do t’i pëlqente të vazhdontë?

“Ne jemi të lidhur me rezultatet dhe paraqitjet në fushë. E qartë që unë do të doja të vazhdoja, por këtë duhet ta vlerësojë me kujdes Federata. Unë jam i kënaqur që kam gjetur një grup pune mjaft të mirë, sidomos presidentin Duka, për të cilin kam konsideratë të lartë sidomos nga ana morale. Unë nuk kam firmosur kurrë kontrata më të gjata se 1 vit, nëse ka akord, nëse shkohet mirë, unë kam qenë gjithnjë në dispozicion”.

Trajneri Italian është i shqetësuar për formën e lojtarëve, por ka edhe besim sepse mendon që ata kanë luajtur jo pak.

Reja vlerësoi lart Migjen Bashën si njeri dhe si lojtar, dhe e falenderoi që ai i hapi rrugë të rinjve, ndërsa nxiti Federatën që ta mbajë pranë në të ardhmen./ABC News Albania 24/7

 

kombetarja-shqiptare-1280x720.jpg
nev ila11:12 | 31/08/2019

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja ka shpallur listën e të grumbulluarve për sfidat ndaj Islandës dhe Francës, të vlefshme për eleminatoret e “EURO 2020”.

Dy ndeshje shumë të rëndësishme për Kombëtaren tonë, e cila do tentojë të dalë me pikë nga këto sfida.

Në sy bie mungesa e sulmuesit Armando Sadiku, që është lënë jashtë nga trajneri italian. Rikthehet me kuqezinjtë Klaus Gjasula dhe të grumbulluar gjithashtu janë Kumbulla dhe Binaku.

Lista e të grumbulluarve:

Portierë: Thomas Strakosha, Etrit Berisha dhe Alban Hoxha

Mbrojtës: Hysaj, Dermaku, Mihaj, Ismajli, Gjimshiti, Kumbulla, Veseli, Mavraj

Mesfushorë: Ramadani, Lenjani, Xhaka, Bare, Abrashi, Memushaj, Gjasulën, Qose

Sulmuesë: Uzuni, Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Odise Roshi, Rei Manaj.

Lojtarë të gatshëm: Balliu, Trashi, Sadiku, Kaçe, Seferi, Vrioni dhe Selahi./abcnews.al

 

edy-reja.jpg
ad min23:36 | 10/07/2019

Trajneri i kombëtares shqiptare Edi Reja ishte i pranishëm në stadiumin “Selman Stermasi” për të ndjekur takimin Partizani-Karabag. Strategu italian beson se te kuqtë kanë shanse reale për të kaluar në turin tjetër.

I pranishëm në stadiumin “Selman Stermasi” për të ndjekur ndeshjen mes Partizanit dhe Karabag ishte edhe trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Reja. Tekniku italian përgëzoi trajnerin Lerda për lojën e zhvilluar nga Partizani dhe mendon se të kuqtë kanë shpresa për t’u kualifikuar në ndeshjen e kthimit.

“Kanë bërë një lojë të mirë. Partizani luajti mirë në mbrojtje. Nëse nuk do të luante kështu mund të pësonte. Ndeshja e kthimit do të jetë e bukur. Mendoj se ka shpresa për kualifikim duke parë kualitetin që posedon kjo skuadër. Shpresoj që Partizani të bëjë të njëjtën paraqitje edhe në ndeshjen e kthimit. Uroj që të kualifikohen në turin tjetër”.

Tekniku italian ka nën vëzhgim disa futbollistë të Partizanit si Telushi dhe Mala ndërkohë që paraqitjet e mira të disa futbollistëve të tjerë nuk mund t’i kenë shpëtuar trajnerit të kombëtares./ABC News Albania 24/7

kombetarja-2.jpg
ad min17:00 | 07/06/2019

Kombëtarja shqiptare vijon përgatitjet në Reikjavik në prag të duelit kualifikues të Euro 2020 ndaj Islandës. Trajneri Edi Reja pritet të aplikojë në fushë formacionin 3-5-2.

Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon përgatitjet në Reikjavik në prag të duelit zyrtar ndaj Islandës. situata është e qetë në radhët e kuqezinjve dhe mjaft optimiste për transfertën e Islandës.

Problem i vetëm aktualisht janë temperaturat e ulëta. Trajneri Edi Reja ka vendosur që seancat stërvitore të zhvillohen në një orar të përafërt me atë të ndeshjes në mënyrë që lojtarë të përshtaten me kushtet atmosferike.

Trajneri italian nuk ka ndryshuar shumë gjëra në skuadër në krahasim me përgatitjet e zhvilluara në Shqipëri dhe Gjermani. Për sfidën ndaj Islandës trajneri Edi Reja pritet të hedhë në fushë formacionin 3-5-2.

Në portë do të pozicionohet Etrit Berisha në mungesë të Strakoshës. Në mbrojtjen me tre do të rreshtohen Dermaku, Ismajli dhe Veseli. Para repartit difensiv do të vendohet Migjen Basha.

Ndërkohë që reparti i mesit të fushës do të plotësohet në qendër nga Xhaka dhe Kaçe ndërkohë që në linjat anësore Hysaj dhe Aliji. Në repartin ofensiv pas shumë kohësh do të shohim dyshen shtatlartë Bekim Balaj dhe Sokol Cikalleshin.

Përballë mbrojtjes nordike duhen centimetra në  fazën ofensive dhe dy sulmuesit kuqezi do të përbëjnë kërcënim real për Islandën. Shqipëria renditet në vendin e tretë në grupin H në kuotën e 3 pikëve me një fitore ndaj Andorrës dhe një humbje në “Loro Boriçi” përballë Turqisë./ABC News Albania 24/7

edy-reja-1.jpg
ad min17:10 | 28/05/2019

Kombëtarja do të ketë mungesa, por nuk do t’i mungojë optimizmi në ndeshjet eliminatore të Evropianit. Trajneri Edi Reja flet për lojtarët e përzgjedhur dhe për ndeshjet ndaj Islandës e Moldavisë.

Puna e vërtetë nis tani. Është i bindur për këtë Edoardo Reja, ndërsa trajneri I Shqipërisë nxjerr listën për ndeshjet e Evropianit, dhe komenton zgjedhjet e tij. Janë dy përballje të rëndësishme, ndaj Islandës e Moldavisë, dhe me pak kohë në dispozicion, por italiani nuk i dredhon përgjegjësisë.

Reja: “Objektivi është i qartë, e dini që të gjithë, të arrijmë në Evropian. Janë 5 skuadra në grup, 2 të para kualifikohen. Do të mundohemi të rregullojmë mbrojtjen dhe më pas të kalojmë tek sulmi. Çdo lojtar duhet ta ketë të qartë objektivin, para se të vijë në Kombëtare. Kam folur edhe me djemtë. Lojtarët që vijnë këtu duhet ta ndjejnë këtë skuadër. Nga përvoja e di se mund të kesh probleme teknike, por nëse krijon një grup të mirë, dhe nëse je pozitiv kur del në fushë, edhe kur ke përballë një skuadër superiore, rezultati ndodh që ndryshon”.

Gjatë këtyre ditëve, Reja bëri shumë prova, vëzhgoi lojtarë të rinj, ndërsa lista duket pak a shumë ajo që ka qenë në të kaluarën.

Reja: “Në listë janë 18 lojtarë që kanë qenë me De Biazin, po ashtu janë dhe lojtarët e tjerë që kanë qenë me Panuçin. Më duhet kohë që të bëj vlerësimin e duhur. Kam parë të rinj, kam parë 4 lojtarë të Partizanit dhe janë lojtarë të tjerë që kam parë dhe më pas i kam kthyer. Vrionin e kam parë, por më pas e ktheva, pasi nuk kishte gjendjen e duhur. Tani për tani kam një listë me 35 lojtarë që unë po i ndjek. Koha është shumë e shkurtër, ndaj vendosa të marr ata lojtarë që kanë qenë më përpara”.

Trajneri duket se e njeh mirë kombëtaren shqiptare, pasi flet me siguri për skemat që do të përdorë.

Reja: “Unë do të luaj me dy sulmues, diçka që ndoshta nuk është bërë shpesh në kombëtare. Nuk është se dua të bëj lojë sulmuese, por dy sulmuesit duhet të jenë mbrojtësit e parë kur humbasim topin. Loja varet nga situatat dhe nga koncepti që krijohet tek skuadra. Do të bëj më shumë skemën 3-5-2, sepse kemi lojtarë krahu, që mund ta bëjnë këtë skemë. Ose mund të luajmë më 4-3-1-2. Këto janë skemat që i përshtaten më mirë kësaj skuadre”.

Në ekip mungon një mbrojtës i rëndësishëm i Gjimshiti i Atalantës, po ashtu Endri Çekiçi nuk është thirrur.

Reja: “Gjimshiti operohet sot. Ai ka luajtur i dëmtuar këto javë se Atalanta kishte mungesa. Në vjen keq se Gjimshitin e kam marrë unë tek Atalanta dhe këto dy ndeshje nuk do ta kem. Ndërsa Çekiçin unë e kam parë, por duhet të bëjë zgjedhje, pasi kisha 4 lojtarë të tjerë në atë pozicion. Por, kjo nuk është lista përfundimtare”.

Reja ngacmohet për faktin se atmosfera në ekip duket shumë e mirë, ndryshe nga më parë.

Reja: “Tani për tani lojtarët janë të lumtur, kanë shpresë, aq më tepër që ka pasur një ndryshim, ka ardhur një trajner i ri. Mezi presin që të nisin punën dhe të tregojnë veten. Unë, si trajner, duhet të arrij shpejt që të krijoj skuadrën e duhur. Nuk kemi shumë kohë dhe ndeshjet janë afër. Mendoj se kjo skuadër ka cilësi, ka lojtarë mjaft të mirë, edhe pse në shumë ndeshje të kaluara nuk ka treguar ekuilibër. Gjithsesi, këta janë lojtarë shumë të mirë, dhe unë i kam parë në skuadrat e tyre”.

Një tjetër ngacmim kishte të bënte me gjuhën shqipe, sa e kupton atë trajneri?

Reja: “Kam qenë shumë i vëmendshëm, por nuk kam arritur të kuptoj asnjë fjalë që keni thënë ju. Nuk më ka ndodhur kurrë, pasi kur kam dëgjuar gjuhët e tjera, gjermanisht, anglisht, sllovenisht, kroatisht, kam kuptuar diçka, ndërsa në shqip, jo. Si ka mundësi të ndodhë kjo? Duket se është një gjuhë tepër e veçantë, nuk po mundem të orientohem. Mesa duket, duhet të nis të studioj fort”.

Reja ka thirrur 29 lojtarë, dhe numri do të ulet kur të dalë lista përfundimtare. Risi në kombëtare janë mbrojtësi 19-vjeçar Marash Kumbulla, që luan në Itali me Veronën, dhe mesfushori Kristi Qose që luan në Sllovaki. Kombëtarja luan në 8 qershor në fushën e Islandës, dhe në 11 Qershor./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono