edoardo reja

KOMBETARJA-EDI-REJA-SENA-PAZOLINI.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
Vladimir Prenga09:59 | 21/01/2020

Edoardo Reja ende nuk ka nënshkruar me Federatën Shqiptare të Futbollit, ose më saktë ende nuk është zyrtarizuar rinovimi i kontratës me italianin. Më parë ai e ka shprehur se kanë rënë dakord për të vijuar bashkëpunimin, por duhet edhe firma në kontratë.

Pavarësisht kësaj trajneri vijon punën dhe sot do të jetë në Tiranë për një takim pune. Reja ka planifikuar disa mbledhje me Sektorin e Ekipeve Kombëtare. Italiani do të bisedojë nga afër me trajnerët e kombëtareve të moshave.

Një takim që është kthyer në një zakon, me synim që edhe te moshat të luhet njëlloj si ekipi kombëtar A. Synimi është që lojtarët e rinj të jenë sa më të gatshëm për trajnerin Edoardo Reja, në momentin që ai do të ketë nevojë. /abcnews.al

air-albania-stadium.png
Vladimir Prenga14:14 | 03/01/2020

Viti 2020 ka hyrë dhe FSHF i është rikthyer vitit të shkuar, duke evidentuar 12 ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur në futbollin shqiptar. Veçohet zgjedhja e Armand Dukës në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, sikurse edhe inaugurimi i “Air Albania Stadium” dhe luajtja e derbit në të.

Mes ngjarjeve pikante veçohet edhe emërimi i Edoardo Reja si trajner i kombëtares, fitimi i titullit kampion nga Partizani dhe kualifikimi i Vllaznisë për ferma në UEFA Women’s Champions League.

-Fëmijët e qendrës Xhonatan vizitojnë kombëtaren.
– Presidenti Duka zgjidhet anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
-FSHF ndërton fushë sportive për Institutin e Ri-integrimit të të Miturve Kavajë.

-EURO 2020/ Shqipëri – Islandë.
-Krijimi i Departamentit të Analizës, Skautizmit dhe Inovacionit.
-Partizani ngre trofeun e kampionit në edicionin e 80 të Kategorisë Superiore.

-Edoardo Reja, trajneri i ri i Shqipërisë.
-Vllaznia e femrave kualifikohet në UEFA Women’s Champions League.
-UEFA Development Tournament, për U-15 zhvilluar në Kamëz.

-Ndeshja testuese midis Vllaznisë dhe Apolonisë në “Air Albania Stadium”.
-Inaugurimi i “Air Albania Stadium”.
-Derbi Partizani-Tirana, në “Air Albania Stadium”.

Reja-1.jpg
Igli Nikolli14:33 | 19/12/2019

Edi Reja dhe stafi i tij pritet të rinovojnë kontratat në kombëtaren shqiptare në janar të vitit të ardhshëm. Federata ka plane të reja për ndihmësit e Rejës, italianët Febrari e Stezina. Firma pritet të vijë shpejt, madje në grup. Trajneri 74-vjeçar do të nënshkruajë kontratën e re me Federatën Shqiptare të Futbollit deri në 21 janar, teksa bashkë me të do të jenë edhe ndihmësit e tij.

Përveç shqiptarëve Ervin Bulku dhe Hamdi Salihi, si dhe trajnerit të portierëve Ilir Bozhiqi, do të rinovojnë edhe përgatitësi atletik, Luixhi Febrari që ka qenë pjesë e Romës, si dhe mjeku Xhanluka Stezina, që ka qenë pjesë e Juventusit. Përtej rinovimit që do ta mbante italianin në stolin e kombëtares shqiptare deri në Botërorin 2022, Federata ka edhe plane të tjera.

Dy ndihmësit italianë të Rejës do të jenë drejtues të dy departamenteve të reja, që do të mbulojnë pikërisht përgatitjen atletike dhe mjekësinë sportive. Febrari dhe Stezina do të bëjnë kurse kualifikimi me klubet e Superligës për këto elementë-bazë të skuadrave të futbollit, dhe kjo ka qenë tema që është diskutuar mes Rejës dhe Dukës pak ditë më parë, kur tekniku ishte në Shqipëri.

Febrari dhe Stezina do të duhet të kalojnë më shumë kohë në vendin tonë për të përmbushur detyrën e tyre të re. Natyrisht, kjo mund të kërkojë edhe rritje të pagës për ndihmësit e Rejës. /abcnews.al

Duka-Reja.jpg
Vladimir Prenga12:38 | 17/12/2019

Edi Reja ende nuk e ka firmosur kontratën e re si trajner i kombëtares. Pavarësisht se ka akord të plotë me presidentin e Federatës, Duka, sërish italiani zyrtarisht nuk ka rinovuar.

Pas triumfit me 4 gola në Moldavi, gjithçka u bë e qartë. Edi Reja do të vazhdonte në stolin e kombëtares shqiptare edhe për një edicion tjetër, me dëshirën e të dyja palëve për të bashkëpunuar më tej. Gjithsesi, edhe pse u tha se kontrata e re do të firmosej menjëherë pas ndeshjeve ndaj Andorrës e Francës, sërish kjo gjë nuk ka ndodhur.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollit bëjnë me dijë për “Abc News” se presidenti Duka dhe trajneri nuk e kanë finalizuar formalisht akordin e arritur mes tyre. Marrëveshja është me gojë, verbale, bëjnë me dijë këto burime, por ende jo e firmosur.

Pra, kombëtarja shqiptare mund të quhet edhe me trajner, por edhe pa të, pasi zyrtarisht Rejës i ka përfunduar kontrata që kishte deri në fund të eliminatoreve të Europianit. Thënë kjo, nuk mund të nxirret përfundimi se italiani do të largohet.

Vazhdimësia me të është e sigurt, por ka pikëpyetje se përse vonesa është kaq e gjatë. Nuk është e lehtë të gjenden arsyet, përderisa marrëdhënia me trajnerin e kombëtares është ekskluzivitet i Dukës, por ndoshta palët nuk kanë dashur të nxitohen.

Mes tyre ka pasur bisedime për kushte më të mira pune, që lidhen me stafin dhe aspekte të tjera. Me gjasë, vonesë ka shkaktuar tronditja nga tërmeti, por edhe fakti se përderisa Reja e Duka janë dakord, nuk ka pasur arsye për t’u nxituar. /abcnews.al

Duka-Reja.jpg
Veronik Istrefaj18:05 | 10/12/2019

Edi Reja do të ketë kontratë që do të rishikohet çdo vit, me Federatën Shqiptare të Futbollit. Italiani dhe presidenti Duka shpresojnë të bashkëpunojnë deri në Botërorin 2022, por nuk është çudi që të ndahen para kohe.

Në parim parashikohet që të jenë gjatë së bashku. Edi Reja dhe Armand Duka janë marrë vesh dhe, me gjasë, kanë hedhur gjithashtu firmën në kontratë, për një marrëveshje të dytë në stolin e kombëtares shqiptare, që parashikon kohëzgjatje deri në Kupën e Botës 2022.

Burime në Federatën Shqiptare të Futbollin sqaruan për Abc Neës-in se, sidoqoftë, në kontratë ka një klauzolë sipas së cilës të dyja palët do ta rishikojnë pas çdo viti. Trajneri ka deklaruar se nuk ka punuar kurrë me kontrata afatgjata, pasi ka dashur që ta kishte gjithnjë fatin e tij në duart e veta.

Duka, ndërkaq, ka pasur shqetësim lidhur me rezultatet, por edhe me shëndetin e teknikut italian që sot është 74 vjeç. Burimet në Federatë shtuan për televizionin se trajneri I pohoi presidentit se kishte pasur kontakte nga Napoli, por kishte refuzuar gjithçka sepse kishte dhënë fjalën tek Shqipëria.

Rroga e trajnerit pritet të jetë ajo që ka qenë më parë, dhe që kanë pasur edhe paraardhësit e tij, De Biazi e Panuçi, 22-23 000 euro në muaj. Shifra totale arrin në 600 000 euro, ndërsa do të shtohet edhe me rreth 100 000 euro të tjera, nëse Reja do të arrijë kualifikimin për në fazën finale të Botërorit në 2022.

Shpërblimi në rast arritje të Botërorit është ai që iu dha edhe De Biazit: 200 000 euro. Kombëtarja nis ndeshjet zyrtare në Ligën e Kombeve në periudhën nga shtatori deri në nëntor 2020, ndërsa faza finale do të jetë në qershor 2021.

Eliminatoret e Botërorit nisin në mars 2021 dhe përfundojnë në nëntor të po atij viti, me Play-Off në mars 2022. Përpara ndeshjeve zyrtare, ekipi I drejtuar nga Reja pritet të luajë miqësore në mars dhe qershor 2020./abcnews.al

broja-1280x889.jpg
Vladimir Prenga22:55 | 09/12/2019

Edoardo Reja, i ftuar në emisionin “Pressing” në ABC Neës, ka folur për emra të përveçëm, duke ju rikthyer sërish temës Grezda e Xhaka. Gjithashtu ai ka komentuar edhe në lidhje me Mavrajn dhe portierët e rinj, Gentian Selmani dhe Elhan Kastrati. Në fund ka disa fjalë edhe për sulmuesin e Chelsea, Armando Broja.

GREZDA E XHAKA – “Rasti i Grezdës ishte zgjedhje personale. Kur më tha që donte të rrinte jashtë, i thashë që është i lirë. Ai pati disa pretendime dhe u largua. Më kërkoi falje, por ishte vonë. Ishte zgjedhje personale e tij. Xhakën e thirra herën e fundit dhe pati një dëmtim. Ai është në projektin tonë, nëse përgjigjet. Nëse jo, atëherë është problemi i tij. Grezda? Të shohim. Të shohim si do ecë me skuadrën e tij”.

ZGJEDHJET E BËRA – “Ne i shohim të gjithë lojtarët, pastaj duhen parë karakteristikat. Nëse janë tre për një rol, unë do marr dy. Nuk i marr dot të gjithë. Jam munduar t’u jap hapësirë të gjithëve, vetëm Mihaj nuk ka pasur minuta. Atij i duhet eksperiencë. Në pozicionet e tjetra i kam futur të gjithë. Stërvitjet me ndeshjet ndryshojnë. Përgjegjësia është e imja”.

MAVRAJ DHE PORTIERËT E RINJ – “Mavraj ka bërë një operim në krah. Pati një problem në shpatull dhe më kërkoi të qëndrojë pushim. Duhet parë nëse ai do të vazhdojë përsëri. Kemi lojtarë të rëndësishëm. Selmani? Duhet ta shohim edhe atë. Po luan, ashtu edhe Kastrati. Ka lojtarë që mund të futën në organikën tonë”.

ARMANDO BROJA – “Ai luan në skuadrën e dytë të Chelsea. Mendoj se nuk është gati të luajë në nivel europian. E kam ftuar ta shoh. Nga ana taktike dhe fizike është mirë. Është një lojtar që e merr topin, por nuk i sulmon mirë hapësirat”. /abcnews.al

reja-ne-konferenc.png
Vladimir Prenga22:35 | 09/12/2019

Edoardo Reja ka treguar si ia riktheu ekuilbrin kombëtares shqiptare. Në emisionin “Pressing” në ABC News”, ai theksoi se nuk e kishte menduar modulin 3-5-2 për Shqipërinë, por e kishte përzgjedhur për një arsye.

“E kam provuar këtë modul, kur erdha nuk e kisha menduar. 4-3-3 është moduli im i preferuar. Pashë ndeshjet e përpara dhe mungonte ekuilibri, pësonte gola të çuditshëm. Më pëlqen të luajë me 2 sulmues qendror dhe tre mesfushorë qendre. Ne mbrojmë me 5 vetë dhe sulmojmë me pesë vetë. Një nga mbrojtësit mund të luajë në krah. Lenjani e Roshi shquhen në sulm, kurse Hysaj mund të luante djathta dhe Gjimshiti i majtë. Pra kalonim me katër”.

“Gjetëm ekuilibër dhe jemi paraqitur mirë. Një lojtar duhet të luajë këdo, i ka karakteristikat apo jo, në sulm dhe në mbrojtje. Candreva po luan mbrojtës krahu tek Interi. Isha në Pragë dhe pashë Olayinka, i cili ka luajtur në Superiore. Skuadrën nuk e bën të fortë sistemi goli, duhet parë aplikimi i tij. Lojtarët janë të lumtur me këtë modul, pasi mbrapa janë të mbuluar dhe shënojmë. Normal kemi gabuar, por këta situata nuk varen nga sistemi i lojës”.

“Hysaj e Roshi jashtë pozicioni? Kam folur me Hysajn dhe ma ka kërkuar të luajë aty. Ishte i lumtur ta bënte. Roshi ka pasur vështirësi në atë pozicion, do të luajë në sulm. Mund të luajë në të gjithë linjën, ai ka nevojë për hapësira dhe nuk luan me shpinë dot. Ndoshta për Roshin ke të drejtë, por unë i shoh në stërvitje. Është e vështirë, pasi lojtarët vijën gati. Duhen gjetur taktikat e duhura dhe them se kemi vërtetë një skuadër të mirë. Në fillim ekipi nuk ishte impakt. Tani ndjej që është skuadër”. /abcnews.al

edi-reja-abc.jpg
Vladimir Prenga22:18 | 09/12/2019

Edoardo Reja është i ftuari special në emisionin “Pressing” në Abc News. Trajneri italian ka konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me FSHF-në.  “E kishim mbyllur 20 ditë më parë. Sot u takuam për të projektuar të ardhmen tonë, jo vetëm për pjesën teknike, por edhe për pjesën tjetër të stafit. Kemi folur për të ardhmen e përbashkët”.

“Më përpara nuk mund të isha. Është e rëndësishme të jesh nga fillimi. E kam marrë ekipin kur ishte projektuar. Bëmë disa ndeshej të mira, në Islandë dhe Turqi. I vetmi defekt ishte në ndeshjen me Andorrën, pasi po mendonim për Francën. E marr unë përsipër, pasi nuk e motivova skuadrën si duhet”.

“Nuk mund ta them se do të ishim në Europian, nëse do të isha që në fillim. Nuk ka asnjëherë siguri në fillim. Ka gjithmonë pikëpyetje. Për mënyrën se si punuam gjatë kësaj periudhe, skuadra reagoi pozitivisht. Djemtë kishin entuziazëm kur vinin në kombëtare. Kemi luajtur mirë dhe kemi shënuar gola”.

“Në këtë moment, do të jetë pak e vështirë. Në kualifikueset e Botërorit, ka skuadra shumë të forta. Duhet të flas me presidentin dhe të përgatitemi sa më mirë për Europianin e pas katër viteve. Në këtë pikëpamje, duhet të përmirësohemi edhe më shumë, që të punojmë sa më mirë. Ky ishte diskutimi që kemi bërë me presidentin, të shikojmë të ardhmen që kemi, me të rinjtë U-17, U-19. Të shikojmë të rinjtë për të ardhmen. Kjo është ideja për të cilën folëm sot”.

“Duhet të bëjmë edhe më mirë. Duhet qëndrueshmëri dhe të jemi inteligjent. Nga ana mentale, nga ana psikologjike, duhet të përmirësohemi. Kam folur me djemtë dhe kanë nisur ta kuptojnë çfarë duam. Ndaj kemi nisur të përmirësohemi. Me Moldavinë shënuam, jemi paraqitur mirë. Jemi përmirësuar dhe tani do të shohim për lojtarë të tjerë që të përfshihen në grup”. /abcnews.al

Duka-Reja.jpg
Igli Nikolli17:20 | 09/12/2019

Trajnerët e përfaqësueseve të Shqipërisë kanë pasur një takim pune me Armand Dukën ditën e sotme. Interesi i madh është për Edoardo Rejën dhe të ardhmen e tij në krye të kombëtares kuqezi. Tani nuk ka më dilema dhe italiani konfirmon rinovimin në një prononcim për A2.

Është e vërtetë që takimi ka të bëjë me rinovimin, por ne nuk kemi nevojë për letra. Kemi folur më përpara dhe akordi është gjetur prej kohësh. Sot jam së bashku me bashkëpunëtorët e mi për të folur me presidentin dhe për të dëgjuar nëse ai është i kënaqur nga ne apo jo. Duka do të bëjë më të mirën dhe ka një plan konkret, me të cilin jam dakord, pasi kemi biseduar rreth këtij projekti të ardhshëm. Shpresoj të jemi në lartësinë e duhur.

Unë punoj edhe pa pagesë. Pa u paguar! Është një projekt afatgjatë, mua do të më pëlqente të qëndroja sa më gjatë, por nuk i dihet. Nuk jam më i ri. Nëse jam mirë si tani, vazhdojmë edhe 10 vjet së bashkë. Fillimisht duhet të programojmë dhe më pas të shohim rezultatet dhe si do të luajë skuadra. Ka mjaft punë për t’u bërë.

Më intereson projekti dhe stimujt janë të duhurit, ashtu si edhe lidhja me këtë vend, mbi të gjitha në këtë moment vështirësie për Shqipërinë e veçanërisht për Durrësin. Gjithmonë, duhet të vendosen objektiva, kombëtarja duhet t’i ketë. Tani do të nisim vëzhgimet në të gjithë Europën dhe të përqendrohemi edhe te nivelet e të rinjve, për të hedhur bazat që Kombëtarja të ketë gjithmonë lojtarët më të mirë. Në këtë mënyrë arrin rezultate të larta dhe besueshmëri“, thekson 74-vjeçari.

Një koment të shkurtër jep edhe Duka, kreu i futbollit shqiptar. Presidenti i FSHF-së thekson se palët janë mbledhur për realizimin e një projekti të përbashkët dhe nuk ka asnjë problem në lidhje me rinovimin e Rejës.

Bashkë me të gjithë stafin jemi duke bërë një projekt për të ardhmen. Më pas, do të bëjmë një marrëveshje të përbashkët me të gjithë. Parimisht nuk është se kemi ndonjë pikë që na ndan“, deklaron Armanad Duka. /abcnews.al

reja.jpg
Igli Nikolli14:25 | 09/12/2019

Edoardo Reja ka ardhur në Shqipëri ditë e sotme. Trajneri i kombëtares flet në lidhje me interesimin e Napolit në një prononcim për mediat, teksa konfirmon edhe akordin e rinovimit me Armand Dukën, kreun e FSHF-së, për të vijuar aventurën në stolin e kombëtares kuqezi.

Italiani zbulon shkakun e kësaj vizite në vendin tonë. Të gjithë trajnerët e skuadrave përfaqësuese do të kenë një takim me Dukën, aty ku do të ketë një përmbledhje të punës së tyre.

Në Napoli unë kthehem gjithmonë, sepse më presin shumë gjëra të bukura. Kam shumë miq, kam raporte të mira me presidentin, qyteti më pëlqen shumë. Është e vërtetë që takimi ka të bëjë me rinovimin, por ne nuk kemi nevojë për letra apo shkrime.

Kemi folur praktikisht, sepse akordin e kemi gjetur prej kohësh. Sot jam së bashku me kolegët e mi të kombëtareve të moshave për të folur me presidentin dhe për të dëgjuar nëse ai është i kënaqur ose jo nga ne“, përfundon Edoardo Reja. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono