Edmond Spaho

IMG_0001-1280x853.jpg
ent ela16:12 | 05/11/2018

Partia Demokratike kërkon arrestimin e kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako. Nënkryetari Edmond Spaho nëpërmjet një deklarate për shtyp tha se çdo ditë në liri, kryebashkiaku Dako përbën rrezik për shkatërrimin e provave që vërtetojnë sipas demokratëve, blerjen e votave me mbështetjen e bandave kriminale.

Edmond Spaho, Nënkryetar i Partisë Demokratike
Ka të paktën dy javë që shqiptarët kanë parë provat e vërtetësisë së denoncimit të Partisë Demokratike se Vangjush Dako ka bashkëpunuar me bandat e Durrësit duke i përdorur ato për të  blerë vota për pushtetin e tij dhe të Edi Ramës.

Përgjimet e dosjes 339 kanë faktuar se Vangjush Dako është në komunikim të vazhdueshëm me bandat para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke shkëmbyer me pasuri dhe pushtet votat e blear për tepsinë e Edi Ramës.

Faktet e krimit elektoral të Vangjush Dakos janë të qarta dhe për këtë krim ai duhet të jetë në burg!

Deri tani janë publikuar vetëm 3 përgjime, që janë maja e ajsbergut e provave se Vangjush Dako e qeveris Durrësin me bandat më të rrezikshme, njësoj si Edi Rama qeveris vendin me krimin e organizuar.

Përgjimet zyrtare të prokurorisë nga dosja 339 nxjerrin në pah marrëdhënien e ngushtë të Vangjush Dakos me bandën e Avdylajve, trafikantë ndërkombëtarë droge nga Amerika latine në Euopë, të cilët i ka përdorur në fushatë për të blerë zgjedhjet. Përgjimet faktojnë gatishmërinë dhe garancinë e Vangjush Dakos për t’i mbaruar punë bandës.

Vangjush Dako duhet të arrestohet pa vonesë.

Çdo ditë në liri ai shkatërron prova dhe manipulon dëshmitarët, i ndihmuar plotësisht nga kryeministri i vendit Edi Rama.

Mosarrestimi i Dakos është dëshmia më e qartë e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar me mbështetje të organizatës kriminale të Rilindjes të drejtuar nga Edi Rama.

Mosarrestimi i Dakos është prova e shkatërrimit total të prokurorisë së krimeve të Rënda.

Mosarrestimi i Dakos hedh në erë alibitë qesharake për suksesin e reformës në drejtësi.

Ndodhemi para një momenti dramatik për fatin e drejtësisë dhe të vendit.

Nuk mund të ketë as drejtësi as paqe sociale, kur arrestohen dhe mbahen në burg ata që protestojnë për bukën e gojës dhe bredhin të lirë politikanë kriminelë si Vangjush Dako, vetëm pse gëzojnë mbështetjen e kreut të qeverisë.

Në Shqipëri nuk ka për të patur as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe asnjë zhvillim normal pa u ndëshkuar krimi elektoral që mban në pushtet qeverinë ilegjitime të Edi Ramës! /abcnews.al

 

balla-2.png
G. P.11:26 | 31/10/2018

Presidenti Ilir Meta nisi sot konsultime me palët politike për caktimin e datës se zgjedhjeve vendore që mbahen vitin e ardhshëm. Drejtues  të tre partive kryesore Taulant Balla, Edmond Spaho dhe Luan Rama, kanë zhvilluar takime të veçanta me kreun e shtetit në presidencë.

Është koha për të vendosur datën e zgjedhjeve të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja që kryetari i grupit parlamentar socialist po i drejtohet institucionit të presidencës. Është i pari në listën e të thirrurve për konsultime nga Presidenti i Republikës. 30 minuta më pas, Taulant Balla informon se një prej dy të dielave të fundit të muajit Qershor 2019 parashikon Kodi Zgjedhor për zgjedhjet lokale.

“Janë cituar dy të dielat e fundit të Qershorit si dy datat e mundshme të zhvillimit të zgjedhjeve vendore. Ka pasur në fakt nga operatorët turistikë një kërkesë për një datë më herët se fundi i Qershorit, por sigurisht që kjo është një çështje që i takon edhe dakordësisë mes të gjithëve. Megjithatë presidenti do të bëjë këtë proces konsultash. Ne nuk propozojmë datë sepse datën e përcakton Presidenti dhe Kodi Zgjedhor”, tha Balla.

Pas takimit me Presidentin e Republikës të kryetarit të grupit të deutetëve socialistë ishte e radha e Edmond Spahos që ndryshe nga kolegu i tij hyri me makinë. E po kështu doli duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat mbi propozimin në emër të grupit parlamentar demokrat.

Ndryshe bëri partia tjetër në opozitë. Zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, qëndroi më gjatë pasi siç tha në dalje kishin shqetësime jo me vendosjen e datës, por me standardet e zhvillimit të zgjedhjeve.

“Një pushtet që buron nga veprimtaria kriminale dhe lobimi kriminal natyrisht nuk mund të bëjë tjetër veçse t’i kthejë reston grupimeve kriminale. Ky është shqetësimi i madh dhe për sa kohë nuk ka vëmendje, vlerësim dhe angazhim të qeverisë për të pastruar ajo e para veten dhe zgjedhjet nga krimet pastaj çdo gjë tjetër është formale”, tha Rama.

Pas konsultimeve me partitë politike, Presidentit të Republikës i duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve jo më vonë se 9 muaj pasi i mbaron mandati të zgjedhurve të njësive të qeverisjes vendore./abcnews.al

edmond-spaho.jpg
ent ela19:44 | 01/10/2018

I ftuari i dytë në “Mbrëmje në ABC News” me gazetaren Mirela Milori, ishte kreu u grupit parlamentar të PD Edmond Spaho. Diskutimi ishte vazhdimësi e trajtimit të çështjes së dhunimit të Xhisiela Malokut dhe situata e përgjithshme politike në vend.

Sipas Spahos Xhisiela ka denoncar 3 herë dhe akuza e e vënë ndaj Rexhep Rrajës është vetëm për përndjekje, “sa për tu tallur”. Sipas tij kjo nuk është çështje politike dhe se në protestë ai ishte i pranishëm si familjar. “Po përpiqen të manipulohen hetimet”.

Ne lidhje me përfshirjen e Taulant Ballës, Spaho tha se fakti që nuk trgojnë pamjet e kamerave është tregues se deklaratat e Nuhut ishi të sakta. Reagimin e kryeministrit Rama e tregon të “turpshëm”:

“Vajzën e ka përdorur ai për të shpëtuar deputetët e partisë së vet. Në të gjitha rastët ajo ç’ka Rama ka thënë është gënjeshtër. Shteti shqiptar ka pasur probleme sa të duash, por probleme të tilla nuk ka pasur”.

Në lidhje me mospjesmarrjen e PD në parlament, Spaho tha se: “Duhet rrëzuar diktatura e krimit të Edi Ramës. Qytetarët duhet të dalin rrugëve dhe ta rrëzojnë”./abcnews.al

referendumiii.png
G. P.18:07 | 01/10/2018

Mungesa e një shifre pjesmarrjeje që do të mbyllte çdo shteg debati sa i përket vendimit që Maqedonia pritet të marrë tashmë në Kuvend për ndryshimin apo jo të emrit, bazuar në marrëveshjen e arritur në Bruksel, jo domosdoshmërisht eklipson atë të shprehjes Pro këtij ndryshimi, sipas politikës shqiptare.

“Rezultati ishte pozitiv, mbi 90% kanë votuar pozitivisht. Për mua është e qartë që teknikisht ishte e vështirë të arrihej 50+1”, shprehet Shehu.

Mungesa e një liste reale votuesish solli vështirësinë teknike për të cilën flet ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu, mendim ky i përqafuar si nga demokratët edhe nga socialisët.

“Listat ishin të fryra, ka njerëz që nuk ekzistojnë në lista ndaj ka qenë shumë e vështirë të arrihej 50+1%”, tha Paulin Sterkaj.

“Duke parë rezultatin mendoj që përgatitjet për referendum ishin difektoze. Fakti që kryetari i Kuvendit nuk voton sepse nuk gjen emrin është tërësisht e papranueshme. Në organizimin e referendumit mendoj që duhej të ishte bërë një punë më e mirë”, u shpreh Edmond Spaho.

Por është pikërisht mbështetja në shifrën mbi 90% e atyre që votuan ajo që tregon sinjalin pozitiv të nevojshëm për çuarjen drejt përmbylljes së këtij problem disa vjeçar sipas socialistëve.

“Unë mendoj që qytetarët e Maqedonisë sidomos shqiptarët janë të interesuar të jenë pjesë e NATO dhe BE dhe një vote pro në 90% është një sinjal i mirë pozitiv i një vazhdimësie që gjithë rajoni duhet ta ndjekë”, tha Ervin Bushati.

“Sipas Kushtetutës nuk është kaluar pragu, por po e ratifikoi parlamenti është normale”, thotë Paulin Sterkaj.

I një mendje janë edhe demokratët. Për Tritan Shehun, referendumi kreu funksionin e tij konsultativ.

“Duke pasur përkrahjen e një referendumi ku 37% votuan dhe pro me 90% shpresoj që parlamenti të votojë pozitivisht”, tha ai.

Jo kaq pozitiv është nënkryetari i demokratëve Spaho.

“Fakti që nuk u arrit pjesëmarrja është problematike sepse do duhet të shkojë në Kuvend, ku mazhorana nuk i ka votat e nevojshme për t’i kaluar. Unë jam skeptik që opozita do japi votën për ndryshimet kushtetuese”, sipas tij.

Ky referendum ishte rasti më i mirë, tashmë i djegur sipas tij, për të kapërcyer një problem që për Edmond Spahon tashmë zgjidhet përmes skenarit të zgjedhjeve të parakohshme.

“Mbase merr shumicën e nevojshme në parlament për ta kaluar”.

“Në qoftë se ky ndryshim nuk kalon në parlament, rrezikon e gjithë Maqedonia. Është problem i madh që padyshim do jetë shqetësues për gjithë rajonin tonë”, thotë nga ana tjetër Tritan Shehu.

Pas votës referendare të 30 Shtatorit është radha e ligjvënësit maqedonas të votojë për ndryshimin apo jo të emrit të shtetit fqinj, kryeministri i së cilës Zoran Zaev, në rast të bllokimit të finalizimit të marrëveshjes së arritur mes tij dhe Aleksis Tsipras në Bruksel, paralajmëroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme./abcnews.al

edmond-spaho.jpg
ent ela17:00 | 06/09/2018

Partia Demokratike e lexon si refuzim përgjigjen e Ramës ndaj propozimit të Bashës për vetting të politikanëve.

“Refuzimi i Edi Ramës për vettingun me ligj të politikanëve provoi se Rama është peng i krimit!” shkruan në rrjetet sociale kryetari i grupit parlamentar demokrat. Edmond Spaho thotë se Kryeministri po përdor drejtësinë e tij dhe mediat e tij për të mashtruar shqiptarët.

“Edi Rama e refuzon vettingun me ligj të politikanëve, sepse vetë ka lidhje me kokat kryesore të krimit të organizuar”, përfundon qëndrimi i demokratëve përmes Edmond Spahos. /abcnews.al

screenshot-13_1516470796-8585941.jpg
G. P.12:39 | 03/09/2018

Burime nga Konferenca e Kryetarëve bëjnë me dije se opozita po denoncon kriminalitetin dhe vrasjet e fundit. Edmond Spaho: “Qeveria drejtohet nga droga, ndërsa deputetët janë të lidhur me krimin”. Spaho gjithashtu flet për vrasjen në Shkodër dhe sulmin ndaj gazetares Klodiana Lala. Ai kërkon miratimin e dekretit të Presidentit dhe rrëzimin e ligjit për teatrin.
Burimet, gjithashtu shprehen se Shalsi ka kërkuar që të shtyhet shqyrtimi i ligjit për teatrin përtej datës 13 shtator./abcnews.al

E.spaho_-1280x853.jpg
ent ela14:08 | 22/08/2018

Pas lirimit të Edmond Begos nga autoritetet e shtetit grek, akuzat drejtuar mikut të familjes së numrit dy të socialistëve Taulant Balla, demokratët nuk i ndalën, por i ndryshuan në formë dhe përmbajtje. Mbrojtja politike u kthye në favorizim politik dhe këtë kolegu i Ballës në krahun tjetër, Edmond Spaho, thotë se e ilustron me dokumenta zyrtar.

https://youtu.be/OBt8TLQCMYE

“Kompania pa përvojë e mikut trafikant droge të Taulant Ballës përfitoi një tender publik nga Operatori i Sistemit të Transmetimit”, deklaroi Edmond Spaho.

Kjo, theksojnë demokratët, vetëm pak muaj pasi kompania në pronësi të Edmond Begos, “Inerte Express” shtoi në funksionet e saj “ndërtimin e nënstacioneve elektrikë” në dhjetor të 2017, ndërkohë që:

“Dokumentet tregojnë se tenderi i OST-së me vlerë 100 milionë lekë i është dhënë trafikantit të dënuar me 21 vjet burg për drogë, në fillim të verës, në zemër të zonës elektorale të Taulant Ballës, në Librazhd”, u shpreh nënkryetari i PD-së”, u shpreh nënkryetari i Partisë Demokratike.

Një kontroll dokumentacioni në Qendron Kombëtare të Bizneseve, tregon se kompania në pronësi të Mondi Begës, InertExpress në 5 Dhjetor 2017, shtoi në në veprimtarinë e kompanisë ndërtimet për nënstacionet, kabinat e transfomatorëve për shpërndarjen e energjisë në funksionet e saj, 6 muaj përpara se të fitonte tenderin prej 100 milionë lekësh të reja për rikonstruksionin e impiantit të nënstacionit Librazhd.

Për demokratët, ka qënë dora e Taulant ballës ajo që ka lëvizur kartat në mënyrë që OST të shpallë kompaninë InertExpress fituese të tenderit, edhe pse pa eksperiencë në fushën e kërkuar dhe për këtë, thekson Spaho, numri 2 i socialistëve duhet t’u përgjigjet shqiptarëve./abcnews.al

 

edmond-spahoo.jpg
G. P.13:09 | 01/08/2018

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, nga foltorja e selisë blu ka argumentuar ato që sipas forcës politike ku bën pjesë, janë shkak i rritjes ekonomike, jo për xhepat e shqiptarëve, por për ato të ekzekutivit.

“Statistikat e Edi Ramës se rritja ekonomike është 4.45 përqind janë përpjekje për të mashtruar shqiptarët. Numrat janë të pagabueshëm! 66.4 përqind të rritjes ekonomike e zë energjia elektrike. Thënë ndryshe, rritja ekonomike prej 4.45 përqind ka ardhur për shkak të reshjeve të shiut dhe shitjes së energjisë elektrike”, deklaroi Spaho.

E zhveshur nga zëri i energjisë elektrike, rritja ekonomike, ajo që ndikon në përditshmërinë e qytetarëve, kap vetëm shifrën 2.5%, thekson Spaho, duke listuar edhe arsye të identifikuara edhe në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

“Ekonomia mund të njohë rritje reale vetëm; kur në Shqipëri të vijnë investime serioze të huaja, kur kryeministri të mos i shantazhojë investitorët e huaj që të punojnë me oligarkët e tij; kur kryeministri të mos e japë Shqipërinë me koncesion tek klientët e tij dhe kur kryeministri të mos e shndërrojë Shqipërinë në kampionë të Europës për korrupsion, ku 1 në 3 tendera jepen pa garë. Të gjitha këto, siç vuri në dukje Departamenti Amerikan i Shtetit, po ndodhin në Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama”, tha Spaho.

Zgjidhja ofrohet nga vizioni i demokratëve, thekson Spaho, i cili kthen taksat e ulëta, lufton korrupsionin dhe i jep fund klientelizmit dhe abuzimit me fondet publike./abcnews.al

spaho-123-1280x700.jpg
G. P.12:03 | 19/07/2018

Opozita braktisi punimet e seancës plenare, kur nisën diskutimet për rendin e ditës. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edmond Spaho, tha se largimi nga seanca ishte në shenjë proteste për mospërsëritjen e votimit të ligjit për teatrin, që sipas opozitës ishte i manipuluar. Mazhoranca e akuzoi për mungesë alternative.

Opozita nuk është tërhequr nga kërkesa e saj. Këmbëngul se projekt ligji për teatrin duhet të rivotohet.

Kryetari i Kuvendit urdhëroi që të mblidhej Këshilli i Emërimeve dhe Procedurave, i cili u mblodh dhe në fakt vërtetoi qëndrimin e opozitës. Në fakt votimi i një deputeti të opozitës ishte kryer pavarësisht pretendimeve të palëve se kush e kishte kryer. Sa kohë që ky votim ka qenë i parregullt duhet të përsëritet. Unë në emër të opozitës kërkoj që  të ripërsëritet ky votim.

Kërkesa e tyre është refuzuar prandaj Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e sheh me vend qëndrimin në sallën e Kuvendit.

Në shenjë proteste ne do të largohemi nga kjo seancë sepse nuk mund të qëndrojmë në një Kuvend ku vidhet vota edhe pse nuk është e nevojshme që të bëhet”.

Kryetari i grupit parlamentar socialist i sqaron edhe një herë se barra e asaj që ndodhi i bie përsëri opozitës për rrengu që iu bë deputetit Bitri.

Nëse ka një faj për këtë çështje u takon deputetëve të caktuar të opozitës”.

Taulant Balla i kujton opozitës kërkesën e eurolomisionerit Johanes Hann për mosbojkotim.

Kreu i grupit të Partisë Socialiste tha se do të shtyhet dhe votimi i dy ligjeve që duan shumicë të cilësuar votash siç janë Kodi Rrugor dhe ligji i Magjistraturës.Ai ftoi në mënyrë të vecantë LSI-së për të votuar së bashku ligjin.

Kjo është hera e dytë që dështon votimi i Ligjit për magjistratët i cili kërkon 84 vota.

/abcnews.al

spaho-per-teatrin-1280x688.jpg
ent ela11:02 | 09/07/2018

Opozita ka bojkotuar seancën e sotme parlamentare në shenje proteste kundër votimit të ligjit për shembjen e godinës së teatrit Kombëtar. Kryetari i grupit parlamentar demokrat Edmond Spaho në fjalën e tij në Kuvend akuzoi për manipulim të rezultatit të votimit, pasi sipas tij një nga deputetët e opozitës pa qenë në sallë rezulton të ketë votuar pro ligjit. Ai kërkoi anulim të votimit dhe rivotim të ligjit.

Spaho: “Të enjten është kryer votimi për shembjen e Teatrit Kombëtar në një akt të paprecedentë, por më shumë se përmbajtja e ligjit dhe vetë procesi i votimit ka pasur difekte, rezultati është manipuluar. Një nga deputetët e opozitës pa qenë në sallë rezulton të ketë votuar pro ligjit për shembjen e Teatrit. Nuk është hera e parë në këtë kuvend që të ndodhin çudira të tilla. Kërkesa jonë për të anuluar votimin, për ta rivotuar ligjin, është bërë para dy ditësh.

E para gjë që duhet të bënte Kuvendi do të ishte verifikimi i pretendimeve të opozitës dhe sot të kishim  një përgjigje të qartë çfarë ka ndodhur. Në këto kushte ne nuk do të marrim pjesë në seancën e sotme për shkak se gjendje të tilla në Kuvendin e Shqipërisë po bëhen të zakonshme. Opozita jo vetëm po provohet nga e drejta e fjalës, por vullneti i saj po denatyrohet nëpërmjet mekanizmave të tilla që falsifikojnë votimin e  një ligji kaq të rëndësishëm dhe të kontestuar nga një pjesë e madhe e opinionit publik”. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono