edmond lashi

santjago-malko.jpg
ad min15:03 | 28/08/2019

Zbardhet skema e ekzekutimit të ish-policit Santiago Malko në Tiranë. Policia ka shoqëruar mbi 20 persona për ngjarjen, por ende nuk ka asnjë të dyshuar. Pistat kryesore që po hetohen për vrasjen e 26-vjeçarit janë konfliktet e tij të kaluara dhe përfshirja në aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi  i ish-policit Santiago Malko në Tiranë. Pista kryesore që po heton policia është ajo e zhvillimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit, nisur edhe nga e kaluara e ish-policit.

Nga burimet policore mësohet se 26-vjeçari është qëlluar me armë zjarri kallashnikov sapo ka dalë nga një lavazh në rrugën “Xhanfize Keko” në zonën e Porcelanit, ku ishte futur për të larë automjetin e tij tip “BMW”.

Por, për shkak se lavazhi ka qenë i mbyllur, Malko nuk ka mundur të qëndrojë gjatë aty, ndërsa policia dyshon se viktima e ka kuptuar që ishte në ndjekje dhe për këtë arsye është futur në lavazh për të humbur gjurmët.

Dëshmitarë në vendin e ngjarjes kanë treguar para grupit hetimor se atentatorët kanë përdorur dy mjete për ekzekutimin e 26-vjeçarit. Një mjet “Mercedez-Benz” i ka prerë rrugën të riut, ndërsa nga makina tjetër, një furgon i bardhë, autorët kanë qëlluar me breshëri armësh.

Mësohet se viktima ka rritur shpejtësinë e lëvizjes në përpjekje për t’u larguar, por makina i ka dalë nga kontrolli dhe është përplasur me një shtyllë elektrike dhe kazanët e mbetjeve urbane, duke përfunduar pranë murit të një biznesi, aty ku Santiago Malko u gjet më pas i pa jetë nga uniformat blu.

Autorët kanë qenë të maskuar me kapuç të zinj dhe nuk janë kapur nga asnjë kamer sigurie në zonë që ka filmuar atentatin. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes 10 gëzhoja, ndërsa mbi makinën e viktimës ka pasur më shumë shenja plumbash. Ndërsa në trupin e viktimës, i cili është dërguar në morg për ekspertizë mjeko-ligjore janë gjetur një plumb në kokë dhe një në kraharor.

Pas ngjarjes, autorët e atentatit janë larguar në drejtim të fshatit Ferraj, ku dhe kanë djegur mjetin tip “Mercedes Benz”. Në makinë është gjetur edhe  arma tip kallashnikov, që dyshohet se është përdorur për ekzekutimin e Santiago Malkos.

Policia ka shoqëruar mbi 20 persona dëshmitarë të ngjarjes dhe të afërm të viktimës që mund të ndihmojnë grupin hetimor për të zbuluar autorët e vrasjes së 26-vjeçarit.

Santiago Malko ishte shoqëruar në polici më parë për atentatin e 4 Tetorit të vitit 2018 në ish-Bllok, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato.

Por, ai më pas u la lirë si person që nuk kishte lidhje me këtë ngjarje, por që mbahej nën vëzhgim nga policia. 26-vjeçari ishte edhe mik i ngushtë i biznesmenit të lojërave të fatit, Ervis Martinaj.

Një tjetër pistë që mund të ketë lidhje me vrasjen e tij është edhe një konflikt që ai ka pasur me dy vëllezërit Edmond dhe Gentian Lashi në vitin 2016 për një borxh të pa shlyer që ata kishin vendosur në një nga pikat e basteve që kontrollohej nga Santiago Malko. Në këtë kohë, ish-efektivi është larguar edhe nga policia./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono