edi reja

Eros-Grezda.png
Igli Nikolli14:09 | 13/11/2019

Eros Grezda ka reaguar menjëherë pas konferencës për shtyp të Edoardo Rejës. Trajneri italian i kombëtares u shpreh se 2-vjeçarit nuk i kishin pëlqyer disa situata të ndodhura dhe nuk i ishte përgjigjur pozitivisht ftesës së mëvonshme për të luajtur me kombëtaren.

Kush vjen këtu duhet të jetë i qetë dhe nuk duhet të shkaktojë probleme. Të gjithë mund të luajnë, por vendimet i merr trajneri. Nëse duam një grup të fortë, që e do kombin dhe skuadrën, lojtarët duhet të vijnë edhe kur nuk luajnë. Gjithmonë është Shqipëria që zbret në fushë. Kush mendon se është Messi, nuk ka vend këtu. Më vjen keq për Grezdën, ishte lojtar me potencial të madh. Nuk pranoi disa situata dhe nuk e pranoi ftesën tonë. Të gjithë duhet të pranojnë situatën dhe vendimet që merr trajneri”, u shpreh Edi Reja, teksa Grezda jep versionin e tij në komentin e bërë  në rrjetet sociale.

Komenti i Eros Grezdës

Për korrektësi dhe për informimin e saktë të gjithë tifozëve, më duhet të sqaroj polemikat e krijuara rreth emrit tim. Për grumbullimin e tanishëm për dy ndeshjet e radhës, unë s’kam marrë asnjë ftesë zyrtare ose ndonjë telefonatë nga federata apo trajneri i kombëtares. Sa më përket mua personalisht, kam qenë, jam dhe do të jem gjithmonë i gatshëm të përfaqësoj popullin tim dhe të mbroj ngjyrat kuq e zi“, thekson anësori ofensiv nga Gjakova. /abcnews.al

lila.jpg
Vladimir Prenga22:52 | 17/10/2019

Andi Lila është pro rinovimit të kontratës me Edi Rejën. Futbollisti i Tiranës, i ftuar në emisionin Pressing në ABC News, vlerëson trajnerin italian. Gjithashtu ai shpreh edhe një dëshirë për pankinën. “Normalisht, me trajnerin De Biasi, skuadra e tregoi me vepra sa ishte rritur.

Pasardhësi, Panuçi, duhet të vazhdonte me të njëjtën ecuri. Kjo gjë nuk ndodhi dhe erdhi Reja. Tha se është ekipi i De Biasit. Shumë mirë, shpresoj të shkojmë dhe me Rejën në Europian. Trajneri Reja më dukët shumë trajner i mirë, pozitiv, trajner që bën grupin. Nëse e bën këtë, gjithmonë do ketë sukses.

Ne nuk do kemi kurrë, do doja, një lojtar që të marrë topin dhe ta zgjidhë i vetëm. Ylli ynë është grupi. Do të thotë që ky trajner ka mend në kokë. Kuzhe thoshte gjithmonë: ‘nuk ka lojtarë të rinj apo të vjetër, ka të mirë dhe të këqij’. Disa lojtarë i ka ndryshuar, nuk mund të ndodhë direkt ndryshimi i brezave”

“Reja më duket pozitiv dhe jam pro të vazhdojë. Nuk ka problem mosha. Do doja Donadonin, por nuk kemi mundësi financiare. Kombëtarja tani më duket si një ishull i bukur brenda një oqeani, është si një oaz. Është diçka e bukur në mes të shumë gjerave të tjera. Po të fitonim me Turqinë, atëherë do të flisnim ndryshe. Mos të harrojmë edhe fitoren me Islandën”. /abcnews.al

kacaj.jpg
Vladimir Prenga22:13 | 17/10/2019

Salvador Kaçaj, ish-futbollisti i kombëtares, është një nga të ftuarit në emisionin “Pressing” në ABC News.  I pyetur mbi situatën e kombëtares, ai tha: “E shoh në situatën e para tre viteve. Kemi ekipin e De Biasit akoma dhe jam i bindur për këtë gjë. Ky është ekipi i De Biasit, tetë lojtarë të formacionit janë të tij. Reja për mua nuk është trajner, është një pensionist.

Kur ndërtojmë grupin, duhet të ndërtojmë grup të ri. Ky trajner po bën një ekip të ri, kështu thuhej në fillim. Por Reja ka gjetur një bërthamë të ndërtuar. Këtë grup nuk po e ndërton Reja. Kush e mban përgjegjësinë për tre vitet që kombëtarja ishte e dobët? Kush e solli Panuçin këtu? E kemi thënë që në fillim se do ishte një dështim”.

“Më mirë të merrte Neptun Bajkon, në të njëjtën moshë janë. Reja nuk duhej marrë. Kishte tre vite që nuk kishte ekip. Për gjashtë muaj do drejtojë. Është 75 vjeç dhe nuk ka asnjë parametër të jetë trajneri i kombëtares. Duhet ta drejtojë një shqiptar. Tabarez mos e krahasoni me Rejën. A e dini kush është ai?”.

Andi Lila ndan mendim tjetër me Kaçajn: “Normalisht, me trajnerin De Biasi, skuadra e tregoi me vepra sa ishte rritur. Pasardhësi, Panuçi, duhet të vazhdonte me të njëjtën ecuri. Kjo gjë nuk ndodhi dhe erdhi Reja. Tha se është ekipi i De Biasit. Shumë mirë, shpresoj të shkojmë dhe me Rejën në Europian. Trajneri Reja  më dukët shumë trajner i mirë, pozitiv, trajner që bën grupin. Nëse e bën këtë, gjithmonë do ketë sukses. Ne nuk do kemi kurrë, do doja, një lojtar që të marrë topin dhe ta zgjidhë i vetëm. Ylli ynë është grupi. Do të thotë që ky trajner ka mend në kokë. Kuzhe thoshte gjithmonë: ‘nuk ka lojtarë të rinj apo të vjetër, ka të mirë dhe të këqinj’. Disa lojtarë i ka ndryshuar, nuk mund të ndodhë direkt ndryshimi i brezave”. /abcnews.al

duka-reja.jpg
Vladimir Prenga16:58 | 16/10/2019

Shqipëria ka gjetur entuziazmin. Fitoret me Islandën dhe Moldavinë, si dhe loja me Turqinë kanë bërë që atmosfera rreth kombëtares të jetë më e ngrohtë. Ka shumë optimizëm, për shkak se edhe në ekip janë afruar elementë të rinj. Jo vetëm më shumë alternativa, por edhe cilësi.

Trajneri Edi Reja nuk e ka fshehur dëshirën për të vijuar të punojë me Shqipërinë. Me FSHF-në dhe presidentin Armand Duka nuk e lidh vetëm kontrata. Respekti reciprok ekziston dhe nuk do të jetë e vështirë për të nënshkruar sërish.

Fuqia e FSHF-së në aspektin financiar dihet. Palët do të bisedojnë dhe me shumë gjasa presidenti Armand Duka do tentojë të joshë Rejën me bonuse. Përpara janë kualifikueset e kampionatit botëror dhe sigurisht që është një mision i vështirë pjesëmarrja në të.

Reja, në moshën që është, sigurisht që nuk do të ketë super oferta dhe ajo që FSHF do i propozojë do të ketë prioritet. Në nëntor marrëveshja aktuale përfundon dhe mes tij e Dukës do të ketë bisedime konkrete. Kreu i FSHF-së do të duhet të marrë një vendim, që nuk është i lehtë. Mosha është faktori i vetëm kundër italianit. Ana financiare me gjasa nuk do të jetë problem.

Cikalleshi duke festuar golin ndaj Moldavisë

SHIFRAT E ITALIANIT – Edi Reja ka debutuar me Shqipërinë në ndeshjen me Islandën. Italiani e nisi me humbje dhe bilancin e ka “gri”. Kuqezinjtë, nën drejtimin e tij, kanë fituar tre ndeshje dhe kanë humbur po kaq. Moldavia ka qenë “viktima” e Shqipërisë në dy ndeshje, teksa i kemi shënuar 6 gola pa pësuar asnjë.

Hakmarrja me Islandën është gjithashtu në listën e ndeshjeve të kombëtares sonën nën drejtimin e Rejës. Sfida me Francën është nga ato që nuk duhen diskutuar. Të mundësh kampionët e botës është një mision i pamundur dhe në kampin kuqezi nuk është llogaritur ndonjë pikë ndaj tyre. Humbja me Turqinë është ajo që “djeg”, por ngroh për lojën.

NDESHJET E SHQIPËRISË NË EPOKËN REJA
Islandë-Shqipëri 1-0
Shqipëri-Moldavi 2-0
Francë-Shqipëri 4-1
Shqipëri-Islandë 4-2
Turqi-Shqipëri 1-0
Moldavi-Shqipëri 0-4

/abcnews.al

de-biassi.jpg
Vladimir Prenga17:36 | 14/10/2019

Ish-tekniku i kombëtares, Gianni De Biasi, mendon se Shqipëria mund të fitojë në Moldavi. Italiani foli për ndeshjen e sotme dhe për epokën e tij kuqezi, i intervistuar në Emisionin e Mëngjesit në Abc News.

Kush mund t’i ketë harruar këto skena? Gianni De Biasi u soll si një personalitet i nivelit të lartë, ndërsa kombëtarja shqiptare luajti rolin e saj më të rëndësishëm në histori, atë të finalistes së Kampionatit Europian. Kanë kaluar katër vet nga kualifikimi i madh dhe tre vite nga Euro 2016 në Francë, kombëtarja synon sot të arrijë në ato nivele. Gjithsesi, së pari duhet të luajë sonte në Moldavi dhe italiani pyetet në Emisionin e Mëngjesit në Abc News, nga Enkel Demi.

“Mendoj se Shqipëria fiton. Nuk do të jetë e lehtë, por besoj se ka mundësi për ta fituar këtë ndeshje. Pashë edhe ndeshjen ndaj Turqisë, ku humbja erdhi vetëm nga një gabim i Strakoshës dhe i mbrojtësit. Mendoj se Shqipëria luajti një ndeshje shumë të mirë dhe jam shumë i kënaqur”.

Si e gjykon De Biazi periudhën në të cilën drejtoi kombëtaren? “Mendoj se ishte një etapë fondamentale për historinë e Shqipërisë, sepse mund të themi se kemi arritur në nivele të tjera, dhe shpresoj që këto nivele të arrihen sërish në të ardhmen. Patëm një detyrë jo të lehtë sepse duhej ndryshuar një mentalitet, një mënyrë pune, dhe mbi të gjitha sepse duhej të harronim gjithçka tjetër dhe të përqendroheshim vetëm tek futbolli, tek dëshirat dhe ëndrrat e një futbollisti. Besoj se kjo na ndihmoi shumë për t’u rritur”.

A mund të flasim për një “Debiazizëm” për futbollin? “Në Shqipëri, padyshim që po, por në vende të tjera është më e vështirë. Ndoshta mund të flitet për “debiazizëm” në Modena, po ashtu në Shqipëri. Mund të thuash pjesërisht në Torino, por jo tek Juventusi, me të cilin jeni tifozë ti Enkel dhe Gerti.  Kjo është më tepër çështje e gazetarëve, që me të drejtë bëjnë punën e tyre”.

Shqipëria drejtohet sërish nga një italian si Edi Reja, a mund të flasim për ngjashmëri?”Jo, unë mendoj se secili prej nesh ka mënyrën e tij në punën që bën, ka një stil sesi bashkëpunon me njerëzit që ka pranë, lojtarë apo ndihmës. Mendoj se gjëra kryesore është që t’i bësh njerëzit që të kenë besim se mund t’ia dalin mbanë, sepse jo gjithnjë njerëzit kanë besim se së bashku mund të arrijmë një objektiv të caktuar. Nëse arrin t’i bindësh dhe t’u tregosh rrugën për t’ia dalë, është më e lehtë të kesh sukses. Nuk është e lehtë, por bëhet pak më e lehtë”,  u shpreh trajneri italian. /ABC NEWS 24/7

Reja-Hysaj.jpg
Igli Nikolli19:24 | 19/09/2019

Napoli i sivjetshëm është i frikshëm dhe tepër i uritur për të fituar trofe. Edi Reja është një emër i njohur dhe i dashur në qytetin jugor. Katër sezone qëndroi trajneri në pankinën e Napolit gjatë viteve 2005-2009.

Prej 17 prillit të këtij viti është ulur në stolin e Shqipërisë, aty ku po tenton të ringrejë kombëtaren e shqiponjave sa më lart. Reja ka folur në një prononcim për “Radio Kiss Kiss”, duke u ndalur te gjendja e Napolit, forca e ekipit të Karlo Ançelotit dhe Elseid Hysaj.

Ekipi italian po rivalizon prej vitesh me Juventusin, ndërsa 73-vjeçari ka ndjesi shumë të mira për këtë sezon. Napoli e nisi mbarë edhe në Europë, duke mposhtur 2-0 kampionët e Liverpoolit në ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Champions League.

“U bënë vite që Napoli ndodhet në nivel të lartë. Ju ka mbetur të hedhin hapin e fundit për të fituar trofe, por nuk është aspak e thjeshtë. Jam i lumtur që ka mbërritur Llorente, i cili është një lojtar shumë i rëndësishëm. Fernando (Llorente) mund të bëhet shumë vendimtar.

Ka 15 vite që De Laurentis nuk gabon në merkato dhe po arrin rezultate me ciklet e tij pesëvjeçarë. Kam ndjesinë që Napoli do ia dalë të fitojë titullin kampion këtë sezon.

Hysaj? Mes lojtarëve që kam stërvitur, Elseidi është ai që di të sulmojë shumë mirë hapësirat. Ka luajtur gjithmonë në një mbrojtje me katër, ndërsa te Shqipëria po luajmë me tre mbrojtës. I kam kërkuar të tentojë avancimet dhe ia doli të gjente edhe rrugën e rrjetës (kundër Islandës)”, thekson trajneri i kombëtares kuqezi. /abcnews.al

vasil-ruci.jpg
ad min19:46 | 17/09/2019

Flamurtari rrezikon mbijetesën në Superligë edhe nëse miratohet ligji për sponsorizimet. Legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, ngre alarmin për fatin e klubit.

Humbjet radhazi dhe kriza financiare po përballohen sepse ka sado pak shpresë. Flamurtari vërtet është në vend të fundit në Superligë, por presidenti Sinan Idrizi shpreson në miratimin e ligjit të sponsorizimeve, që të paguajë rrogat, veçse koha nuk pret. Një alarm e ngre legjenda e futbollit vlonjat, Vasil Ruci, në intervistën për Abc News.

“Diskutohet për një buxhet emergjent, por nuk besoj se këto janë zgjidhjet. Nëse do dalë ligji i sportit, kam parasysh Kosovën që e nxorri vitin që shkoi dhe në Janar të vitit tjetër hyn në fuqi. Patjetër ligji i sportit nuk besoj të arrihet shpejt se do shoqërohet me drafte. Flamurtari e ka të ngutshme. Duhet me se s’bën të gjendet një zgjidhje mes Presidentit dhe kryetarit të Bashkisë”, tha Ruci.

Përsa i përket skuadrës, Ruci nuk është aq shumë pesimist.

“Si ekip besoj se duhet të jemi shumë më të mirë nga Gjirokastra. Humbjet kanë qenë pothuajse te barazimi. E vetmja ndeshje që nuk ka shoi mirë ishte me Kukësin”, tha Ruci.

Si njeri jo vetëm i Flamurtarit, por edhe i gjithë futbollit shqiptar, si e mendon Ruci konkurrimin në Superligë?

“Tirana e ka mbjellë tani pemën dhe është pak e brishtë, është edhe e bukur. Luan futboll mirë, por duhet rritur avash-avash. Më i konsoliduar është Kukësi sepse ka futbollistë të mirë. Partizani është i turbullt për ndryshimet që ka bërë, por besoj se shpejt edhe Partizani do jetë shumë konkurrent i fortë”, tha Ruci.

Ruci ka qenë edhe pjesë e kombëtares dhe ndihet i kënaqur me të./ABC News Albania 24/7

KOMBETARJA-EDI-REJA-SENA-PAZOLINI.mpg_snapshot_00.08-1280x720.jpg
ent ela12:45 | 17/09/2019

Trajneri i kombëtares shqiptare, Edi Reja, është i njohur për karrierën në futboll, por edhe për dy miqësi të veçanta. Italiani 73-vjeçar kujton njohjet me personalitete si Pier Paolo Pazolini dhe Airton Sena.

Në Itali është cilësuar shpesh si monument kulture, apo sporti.

Nuk mund të jetë ndryshe një njeri me gati 60 vjet lidhje me futbollin, siç është Edi Reja, njeriu që sot është trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit.

Përtej karrierës në fushë e në stol, veterani italo-slloven tërheq vëmendjen edhe për disa nga miqësitë e tij të veçanta, njohje që përfshijnë shkrimtarin, aktorin, gazetarin dhe drejtuesin e filmave, të shquarin Pier Paolo Pazolini.

Reja kujton se njohja ndodhi në plazhin e Grados, në lagunën pranë Venecias, ku në atë kohë shkonin futbollistë të njohur si ai, Kapelo, Riva apo Sormani, dhe që njiheshin me emrin “banda e Grados”.

Në Grado, në një natyrë shumë të bukur, Reja e të tjerët luanin futboll me Pazolinin, dhe trajneri i Shqipërisë e kujton si lojtar krahu tipik, të shpejtë dhe teknik, të cilit duhej t’i bëje faulla për ta mbajtur.

Pazolini ishte intelektual i shquar i kohës, i akuzuar si komunist dhe më pas i vrarë, drejtues i filmave të shumtë, siç ishte “Meduza”, ku luajti edhe aktorja e madhe Maria Kalas, film që pati shumë skena të xhiruara në Grado.

Një tjetër miqësi e shtrenjtë e Rejës ishte ajo me Airton Senën.

Trajneri i Shqipërisë e njohur pilotin e famshëm brazilian në Peskara, kur punonte si trajner i ekipit Shpresa të klubit.

Reja pati takime të shpeshta me Senën, por mban mend një ditë speciale, të shtunën e 30 prillit 1994, kur darkoi me Senën, një ditë përpara vdekjes së kampionit të madh të Formula 1.

Kanë kaluar shumë kohë që atëherë, por ndërsa Reja drejton kombëtaren shqiptare, nuk i harron dy miqësitë e tij tragjike, me personazhet që humbën jetën para kohe, Pier Paolo Pazolinin dhe Airton Senën. /ABC News Albania 24/7

shqiperia.jpg
ad min15:47 | 09/09/2019

Kombëtarja shqiptare do të ketë 4-5 ndryshime në formacion për sfidën e së martës ndaj Islandës në “Elbasan Arena”. Trajneri Reja ul në stol kapitenin Mavraj dhe deklaron se ndeshja është përcaktuese për Europianin.

Nuk duhet lënë pas vetëm ajo që pësuam pak ditë më parë. Franca tashmë kaloi, bashkë me humbjen 1-4, dhe në radhë është Islanda, një ekip që e kemi më shumë detyrim ta mundim, por që na theu në duelin e parë në Rejkjavik. Ja kur vjen momenti i së vërtetës dhe trajneri i kombëtares Edi Reja nuk ngurron të pohojë.

“Kjo do të jetë ndeshja jonë më vendimtare. Kjo do të tregojë nëse do ta vazhdojmë ëndrrën tonë europiane, apo jo. Normalisht, në rast se nuk fitojmë kjo gjë do na heqë shumë mundësi për t’u kualifikuar. Kemi tri ndeshje në shtëpi, duhet të shfrytëzojmë faktorin fushë, do të na japë një shtysë shumë të fortë për kualifikimin. Kalendari na favorizon për të bërë më të mirën. Do të kërkojmë të bëjmë më të mirën jashtë fushë. Nesër do të japim 200% për të marrë fitoren”.

Pas lodhjes ndaj Francës, Reja e ka të qartë se çfarë do të bëjë.

“Formacioni 3-5-2 që kemi ne, do të më bëjë të ndryshoj disa lojtarë. Dermaku do të jetë titullar në vend të Mavrajt. Do mundohemi që të jemi më ofensivë. Do të bëjmë vlerësimin për formacionin përfundimtar, vetëm para ndeshjes. Kush rikuperon më shumë dhe kush më pak do të duket në stërvitje dhe do të vendosim”.

Në stol, edhe kapiteni Mërgim Mavraj, për të cilin pati kritika.

“Është një zgjedhje teknike nga ana ime. Do të bëj një vlerësim të të gjithë grupit. Përsa i përket Mërgimit është shumë i zoti në ajër, garanton një mbulim të mirë në goditje këndi, por ne kemi edhe lojtarë të tjerë. Në e vlerësojmë Islandën në bazë të ndeshjes së parë, ku nuk e toleruam. Duhet të bëjmë një vlerësim të grupit, për të luajtur më të mirët, ata që janë në formë. Duhet patjetër që ata që do të jenë në fushë, të jenë 100% të motivuar”.

Çfarë mendimi ka trajneri i Shqipërisë, për Islandën?

“Kundërshtari është brenda mundësive tona, është një skuadër me vlera të rëndësishme, por jemi në kushte që të përgjigjemi. Nëse lojtarët bëjnë detyrën dhe janë në 100%, ne do të kemi mundësinë ta mundim Islandën. Jam shumë i bindur që mund të bëjmë një ndeshje të madhe”./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono