edi lika

burg-1.jpg
G. P.10:25 | 12/07/2018

Gjykata për Krimet e Rënda la në burg katër të ndaluarit për 3.4 milionë eurot e gjetura në mjetet Toyota në Portin e Durrësit. Ata u paraqitën sot në këtë gjykate, që ka marrë në kompetencë këtë dosje.

4 të arrestuarit pas kapjes së 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit do të vazhdojnë të qëndrojnë në burg, pas rivlerësimit të masës së sigurisë nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Kjo gjykatë la në fuqi të njejtin vendim atë të “arrest me burg” të caktuar nga gjykata e Durresit më 28 Qershor, e cila shpalli moskompetencë, duke e kaluar çështjen te Gjykata e Krimeve të Rënda. Të pranishëm në sallën e gjyqit ishin, Edi Lika, administrator i kompanisë që solli makinat nga Belgjika, djali i tij Klevis Lika, shoferi i trailerit Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri, pronar servisi.

Ndryshe nga seanca gjyqësore e zhvilluar në Durrës, ku media ishte e pranishme gjatë gjithë procesit, te Gjykata e Krimeve të Rënda ndodhi e kundërta. Dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi dhe Doloreza Musabelli, kërkuan që mediat të mos ishin të pranishëm pasi mund të dalin fakte që cënojnë hetimin.

Kjo gjë u kundërshtua nga avokatët mbrojës të të pandehurve. Sipas tyre, prokuroria nuk ka sjellë asnjë akt të ri ligjor.

Saimir Vishaj: “Absolutisht ishin të njëjtat prova dhe dyshimet që ishin në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës. Ndërkohë është shtuar akuza e re që ka të bëjë me grup të strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave kriminale kryer nga grup i strukturuar kriminal”.

Ndërkohë në kerkim për këtë çështje vijojnë të mbeten dy kushërinjtë Alfred dhe Elvis Vladi, të cilët sipas prokurorisë, dyshohet së janë porositesit e makinave Toyota. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar letërporosi në 3 shtete, Gjermani, Belgjikë dhe Angli, ku pritet të merret informacion i detajuar, në lidhje me aktivitetin e katër personave që mbahen në qeli, si dhe zbulimin e origjinës së parave të gjetur dy automjete.

burguu.jpg
G. P.14:15 | 28/06/2018

Katër të ndaluarit pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në Durrës kanë pretenduar pafajësi në gjykatë. Ata deklaruan se nuk kanë dijeni për paratë, por gjykata e Durrësit dha si masë paraprake për të ndaluarit arrest me burg. Çështja ndaj tyre do t’i kalojë Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë.

Akuzohen që kryen transportin e 3.4 milionë eurove përmes dy automjeteve që u kapën në Durrës. Të katërt u paraqitën për masë sigurie ne gjykata.

Ata janë  Edi Lika, administrator i kompanisë që solli makinat nga Belgjika për llogari të shtetasit Alfred Vladi, djali i tij Klevis Lika, shoferi i trailerit tip Bizark Agim Çeka dhe Alban Mollaymeri, pronar servisi.

Prokuroria Ornela Rrumbullaku kërkoi arrest me burg për të ndaluarit duke i akuzuar për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal.

Gjykata dha si masë sigurie paraprake për të katërt atë të arrestit me burg. Ndërkohë referuar akuzave te ngritura nga organi i akuzës, gjykata shpalli moskompetencë duke ia kaluar çështjen Krimeve të Rënda  në Tiranë.

Mësohet se avokatët e 4 personave të pandehur, kanë deklaruar se në 12 qershor është nisur kamioni drejt Belgjikës për të ngarkuar disa autovetura tip Toyota Yaris, ndërkohë që në datë 16 qershor ka mbërritur në Belgjikë. Personi që ka ngarkuar makinat ka qenë Elvis Vladi, ndërsa në Durrës ato do të priteshin nga djali i xhaxhait të tij, Alfred Vladi, i shpallur në kërkim.

Në fund të vendimit avokati i dy prej të arrestuarve, Saimir Vishaj ka deklaruar se të ndaluarit janë viktima duke e cilësuar si të padrejtë vendimin e dhënë nga gjykata.

Katër të arrestuarit kanë mohuar të kenë dijeni mbi paratë, duke pretenduar pafajësinë. /abcnews.al

 

 

 

 

 

 

 

/abcnews.al

toyota-2.jpg
G. P.15:55 | 26/06/2018

Automjetet Toyota, ku u gjetën 3,4 milionë euro, ishin blerë në Belgjikë, me porosi të Alfred Vladit. Ky është versioni që ka deklaruar para grupit hetimor Alban Mollaymeri, një nga 4 personat e ndaluar. Dy kushërinjtë Elvis dhe Alfred Vladi janë ende në kërkim.

Katër të arrestuarit pas sekuestrimit të rreth 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit janë marrë dy herë në pyetje nga oficerë të policisë dhe grupi hetimor.

Alban Mollaymeri personi që shikoni në foto ka mohuar të ketë pasur dijeni për paratë e gjetura në dy automjete tip Toyota. Ai ka pranuar se ishte kontaktuar nga personi i shpallur në kërkim Alfred Vladi për të blerë disa automjete për kompaninë e tij.

Më pas, 40-vjeçari Mollaymeri ka kontaktuar me biznesmenin tjetër në kryeqytet, Edi Lika, i cili kishte dërguar djalin e tij Klevi Lika dhe shoferin e kompanisë Agim Çeka për të kryer transportin e automjeteve nga Belgjika për në Shqipëri.

Ndërkohë drejtuesi i automjetit, Agim Ceka, por edhe personat e tjerë të arrestuar, rrëfyen intinerarin që kishin kryer automjetet për të ardhur në Shqipëri. Veturat janë blerë tek një koncesionar në Belgjikë dhe më pas kanë udhëtuar në Ahen të Gjermanisë.

Babë e birë kanë pohuar se për këtë shërbim do të paguheshin nga Alban Mollaymeri, ndërsa ky i fundit theksoi se ishte kontraktuar nga Alfred Vladi. Dy kushërinjtë, Alfred e Elvis Vladi, gjithashtu të shpallur në kërkim, kishin në pronësi nga 7 Maji i këtij viti një kompani per huadhënie, dhënie me qera apo shitblerje makinash.

Policia ka organizuar disa operacione për kapjen e Alfred dhe Elvis Vladit, të dy nga Peshkopia, banues ne Tirane, të cilët dyshohen se janë personat që sipas policisë kanë porositur ngarkesën me euro. Por deri tani nuk ka pasur asnjë rezultat për rënien në gjurmë të tyre. Burime kofidenciale nga Ministria e Brendshme konfirmojnë faktin se kanë nisur verifikimet nga SHÇBA për dekonspirim operacioni./abcnews.al

ervin-salianji.jpg
G. P.15:57 | 25/06/2018

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka publikuar një vendim të gjykatës, që sipas tij, tregon se Edi Lika, pronari i firmës që transportonte me ‘”Toyota Yaris” 3.4 milionë euro ka qenë i dënuar për dhunë në familje.

Edi Lika, administratori i firmës që transportoi dy ndër 9 automjetet, ku u gjet të dielën shuma prej 3.4 milionë euro, ka qenë i dënuar më parë. Vendimin e gjykatës ua tregon kolegëve deputë të Partisë Socialiste, Erivin Salianji.

Ervin Salianji: “I pandehuri është Edi Lika, nëse nuk ju thotë gjë se kush është Edi Lika, është personi që kapet me 4.5 apo 1.5 milionë euro dje me ‘Toyota Yaris’ në portin e Durrësit. Është vendim gjykate që dënon këtë person. Ky zotëria që është dënuar, nuk e vuan dënimin”.

Deputeti demokrat tregon edhe arsyen pse nuk e vuan dënimin i ndaluari Edi Lika.

Ervin Salianji: “E dini pse? Sepse ky zotëria thotë, bashkë me çunin e vet që është dhe ky i shoqëruar, thotë ‘policia është me ne’. Shikojeni pak në Facebook. Ky zotëria thotë ‘policia është me ne”.

Pavarësisht se deputetët socialistë në komisionin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë kishin thënë më herët gjatë mbledhjes se komision nuk është i duhuri për debate të tilla nuk mundën ta shmangin.

Ervin Salianji: “Policia e ka kapur vetëm për një arsye. Që të mos çohej hetimi deri në fund dhe të mos mësohej kreu i grupit të strukturuar kriminal”.

Paralajmërimin e radhës demokratët ia drejton edhe deputetes Klodjana Spahiu. Qetësia nuk u vendos dot nga kryetarja e komisionit Elisa Spiropali.Pas kësaj, Elisa Spiropali u detyrua ta mbyllë për ta shtyrë në në tjetër orë mbledhjen e komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë./abcnews.al

porsche.jpg
G. P.15:50 | 25/06/2018

Firma që zotëron kamionin, i cili transportoi Toyota-n me para deri në portin e Durrësit, ka një ambient në zonën e Alliasit, në periferi të Tiranës. Në fund të vitit të kaluar, kjo firmë ishte licensuar për transportin e automjeteve ndërkombëtare me qira.

Brenda rrethimit të auto-servisit nuk ka asnjë njeri.

Banorët e zonës pohojnë jashtë kamerave se, nuk e njohin pronarin e godinës, Edi Lika. Por brenda ambienteve gjendet edhe një automjet tjetër tip Toyota Yaris, e patarguar.

Gjithashtu, deputeti i PD-së, Ervin Salianji publikoi një foto, ku pretendon se është e njërit prej ndaluarve në qytetin e Durrësit, për fshehje të parave me vlerë rreth 3.4 mln euro. Automjeti që ndodhet në foto tip “Porche Chayane” gjendet pikërisht në servisin në zonën e “Alliasit”, i parkuar, ndërsa pronësinë e tij policia nuk e bën të ditur.

Administratori Edi Lika kishte marrë licensën në fushën e auto-servisit dhe të transportit rrugor ndërkombëtar mallrash për të tretë me qira, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë më 14 Dhjetor të 2017-s.

Ndërkohë sipas Qëndrës kombëtare të Biznesit, Edi Lika e kishte regjistruar aktivitetin e tij privat më 9 shtator 2015. Fillimisht, Edi Lika ishte pajisur me leje vetëm për auto-servis dhe karrotrec, por e kishte ndryshuar këtë status në fund të 2017, duke kryer transport ndërkombëtar mallrash për të tretë./abcnews.al

toyota-1.jpg
G. P.15:14 | 25/06/2018

Mbajtja në përgjime e disa personave të dyshuar për trafik droge nga Krimet e Rënda ka zbuluar dërgesën prej 3.4 milionë euro me dy “Toyota” në Durrës.

Përgjimet telefonike për llogari të një hetimi të Prokurorisë për Krimet e Rënda kundër një grupi të dyshuar për trafik droge ka zbuluar dërgesën prej 3.4 milionë euro cash të bllokuara të dielën në portin e Durrësit. Burime të rezervuara bënë me dije për ABC News se gjatë veprimeve hetimore proaktive përmes metodave speciale gjatë këtij hetimi autoritetet kanë dëgjuar biseda mbi përpjekjen e trasnportit të një shume cash drejt Shqipërisë.

Transkiptimi i përgjimeve ka bërë më të qartë tablonë dhe faktin se paratë do vinin në bordin e një mjeti të porositur për tregun shqiptar. Pas mbërritjes së kësaj ngarkese në portin e Ankonas në kushte të konfidencialitetit të plotë janë sinjalizuar autoritetet policore portuale të Durrësit, të cilët kanë pritur trailerin, ku ndodheshin mjetet e dyshuara.

Kontrolli fizik zbuloi shumën prej 3.4 milionë euro në brendinë e dy automjeteve “Toyota” të ngarkuara në trailerin që shërben për transportin e automjeteve. Ato ishin pjesë e një ngarkese prej 9 automjeteve në total, nga të cilat shtatë “Toyota”, një “Opel” dhe një “Alfa Romeo”.

Sipas burimeve, sasia e parave ishte voluminoze për shkak të prerjeve të vogla dhe ishin vendosur në të gjithë xhepat anësore të mjeteve, në kroskot dhe poshtë sediljve. Burime të ABC News konfirmuan se porositësi i mjeteve është një biznesmen shqiptar, pronar i një servisi automjetesh në kryeqytet.

Pas kryerjes së veprimeve të para prokuroira e Durrësit ka regjistruar procedim penal për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale”. Ndërkohë që pritet që dosja të merret në dorë nga Prokuroria për Krimet e Rënda. Aktualisht, policia ka ndaluar dy shoferët e trailerit dhe administratorin e shoqërisë së transportit./abcnews.al

toyota-yaris.jpg
G. P.08:39 | 25/06/2018

Policia ende nuk ka gjetur pronarin që ka porositur Toyota-n brenda së cilës u gjetën rreth 3.5 milionë euro. Pronari i kamionit që transportonte makinat ka dëshmuar se porosia e makinës ishte bërë nga një biznesmen kosovar, por pa dhënë emrin e tij.

Ka përfunduar numërimi i eurove që u kapën pasditen e dielë në një makinë në Portin e Durrësit, e cila kishte mbërritur nga Ankona. Sipas Policisë së Durrësit, shuma e bllokuar është 3 milionë e 470 mijë Euro.

Kjo valutë u gjet në makinën tip Toyota Yaris, e cila ndodhej në mesin e disa makinave të tjera në një kamion që transporton mjete. Dyshohet se këto para janë të siguruara nga rrugë kriminale dhe që vinin në Shqipëri për t’u pastruar.

Në të njëjtën kohë, policia pasi i mori në pyetje ka ndaluar pronarin e kamionit që transportonte makinat Edi Likën, djalin e tij, Klevis Likën, bashkë me shoferin Agim Ceka, 61 vjeç.

Në dëshminë e tij, Lika ka deklaruar se nuk kishte asnjë dijeni për prezencën e shumës së eurove të gjetura brenda tyre. Ai ka thënë se makinat po i transportonte për llogari të një biznesmeni nga Kosova, por pa dhënë emrin e tij.

Edhe djali i tij i vogël bashkë me shoferin Ceka kanë deklaruar në Polici se nuk kanë lidhje me shumën e eurove pasi kanë kryer thjesht transportin e makinave, siç edhe kanë bërë në shumë raste të tjera.

19-vjeçari Lika rezulton se ka kryer një itinerar të tillë të paktën 4 herë nga periudha Shkurt-Qershor, për të transportuar makina nga Italia për në Shqipëri.

Kurse 61-vjeçari, nga verifikimi në sistemin TIMS, rezulton se ka kryer një proces të tillë dy herë.

Grupi hetimor vijon punën për zbulimin e personave që kanë porositur automjetet, të cilët dyshohet të jenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.  Ndërkohë që makinat dhe shuma e eurove janë sekuestruar nga prokuroria për llogari të hetimeve./abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono