dyshimet

IMG_5972-1280x853.jpg
ent ela14:16 | 25/01/2019

Sekretari për çështjet ligjore pranë selisë blu Çlirim Gjata, tregoi dokumenta për të vijuar denoncimin e shkeljeve, sipas tij, në procesin e vettingut ndaj shefes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Sipas Gjatës, ka dyshime për pastrim parash.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për shefen e prokurorisë së Krimeve të rënda Donika Prela, nxorri sërisht në deklaratë sekretarin për çështjet ligjore të Partisë Demokratike Çlirim Gjata, këtë herë me dokumenta të dosjes së Prelës të ndodhur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Dosje që për selinë blu, përmban informacione për shkelje ligji, por ngre edhe dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale të pastrimit të parave.

“Blerja e apartamentit në Durrës për 1 milionë lek të reja, shitet për 4 milion lek të reja. Apo blerje trojesh, apartamentesh, pronash, më lirë, apo shitje më shtrenjtë, apo shumë më shtrenjtë se ç’është çmimi i tregut.

A hetohet këtu për pastrim parash? Apo për fiktivitet, apo për kontrata fiktive? E ka detyrim organi i vettingut ta bëjë këtë”.

Ka edhe të tjera raste që duhen hetuar me seriozitet në dosjen “Prela” sipas Gjatës. I tillë është edhe rasti i nënvizuar nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Theo Jackobs, i pagës “në të zezë” që Vangjel Prela, bashkëhsorti i kryeprokurores së Krimeve të Rënda, ka marrë për punën si inxhinier.

“Megjithëse për vite me rradhë ka përfituar të ardhura dhe s’ka paguar taksa, kujtohet tani, pikërisht, pasi është futur nën proces verifikimi zonja Prela, bashkëshorti i saj ka hapur një proces gjyqësor kundër kompanisë përkatëse, kundër kompanisë “Bruci”, tek e cila ka punuar, deri në mars 2018. Dhe këtë padi e ka hapur pas 7 vitesh”.

Gjata flet për padinë numër 2414 e ngritur në Gjykatën e Tiranës nga Vangjel Prela më 30 gusht të 2018-ës, për mos pagim të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore të paditësit për vitet 2006-2009 si dhe për periudhat 2010 – 2011.

Por:

“Kodi civil nuk ta jep këtë mundësi që të hapësh një padi të tillë për dëshpërblim, për pagesë taksash apo sigurimeve pas 7 viteve, pasi është e parashkruar.

Është neni 115 i Kodit Civil ai që parashikon dy vjet kohë për ngritjen e një padie për pagimin e shpërblimit sipas kontratës së sigurimit dhe risigurimit, si dhe të shumës përkatëse të rrjedhur nga sigurimi i detyrueshëm dhe tre vjet kohë për paditë për shpërblim të dëmit jo kontrator dhe ato për kthimin e përfitimit pasuror pa të drejtë”.

Njëkohësisht Kodi i Punës, afat parashikimi për të drejtat e punëmarrësit kundrejt punëdhënësit dhe anasjelltas, parashikon 3 vjet nga lindja e së drejtës, minimalisht gjashtë vjet më pak se ç’ju desh bashkëshortit të titullares së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të ngritur padinë civile ndaj kompanisë ku ka qënë i punësuar.

“Nuk e ditkërka zonja në fjalë si juriste, që bashkëshorti nuk mund të hapë një padi pas shtatë vitesh? Është bërë fiktive, pra vërtetë s’i kemi paguar, por e ka fajin kompania dhe unë po e padis në gjyq”.

E nuk mbaron me kaq dosja e zonjës Prela për demokratët.

“Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament, është në marrëdhënie kontraktore me një kompani, administratori i së cilës është nën hetim nga Prokuroria që ajo drejton. Çmimi është shumë më i lirë se sa i tregut, është nga 300 deri në 500 euro më i lirë se çmimi i tregut për metër katror, dhe kjo del nga vetë thirrjet që kjo Kompani ka bërë për shitjen e apartamenteve të pallatit të ndërtuar nga kjo, ku të gjitha çmimet shkojnë minimumi nga 250 deri në 500 Euro më shtrenjtë për metër katror se ç’e ka blerë apartamentin zonja Prela”.

Ky është preferencim i cili duhet hetuar nga organet e vettingut sipas Gjatës, për të evituar atë që quan standart të dyfishtë që ky organ zbaton në gjykimet e tij.

/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono