duel

BOKS-JURGEN-ULDEDAJ-PER-TITULL-BOTERORE.mpg_snapshot_00.26-1280x720.jpg
ent ela14:16 | 11/05/2019

Boksieri shqiptar, Jurgen Uldedadj, mund të fitojë një tjetër brez botëror. Lezhjani ndeshet sonte në Magdeburg të Gjermanisë, për federatën WBC.

Pas dy titujve, kërkon edhe të tretin. Boksieri shqiptar, Jurgen Uldedaj, do të provojë të fitojë titullin botëror për të rinjtë në këtë sport profesionist.

Lezhjani ndeshet sonte me polakun Krzhistof Tvardovski, në sallën e Magdeburgut, qytetit gjerman ku edhe jeton.

Ai e vlerëson shumë lart titullin e sotëm, në federatën WBC.

“Është titulli më i lartë deri në moshën 24 vjeçare dhe pas kësaj moshe arrij të futem në top 10, e cila është më e rënëdëshishme në boksin profesionist”.

Më herët, 21-vjeçari fitoi titullin kampion të Gjermanisë në peshat e mesme, pasi mundi kundërshtarin Jakub Sinek, ndërsa në dhjetor të vitit të kaluar u shpall kampion i botës në versionin ËBO, pas triumfit ndaj argjentinasit Arganjaraz.

Cilat janë synimet e Uldedajt?

“Për momentin synoj të mbroj këto dy tituj që kam dhe të shtoj dhe titullin WBO”.

Boksieri lezhjan ka 10 ndeshje në boksin profesionist për të rinjtë, duke i fituar të 10-ta, dhe dy suksese i ka me nokaut. /ABC News Albania 24/7

champions.jpg
G. P.15:02 | 30/04/2019

Do të luhet sonte në orën 21:00, gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve, mes Tottenham-it dhe Ajax-it. Priten emocione të mëdha në sfidën e Londrës.

Ata thonë se janë gati. Një grup djemsh të rinj, me fare pak veteranë mes tyre, do të synojnë të realizojnë çudinë e radhës në Ligën e Kampionëve.

“Fëmijët e tmerrshëm” të Ajax-it të Amsterdamit udhëtuan drejt Londrës, me besimin e plotë se mund t’ia dalin edhe ndaj Tottenham-it në gjysmëfinale, pasi eliminuan në raundet e kaluara, Realin kampion në fuqi dhe Juventusin favorit.

E dinë se përballë do të kenë Tottenham-in, një nga skuadrat më të mira të Europës vitet e fundit, por kjo nuk i bën të druhen. Gjithsesi, edhe anglezët kanë planet e tyre për të shkuar në finale, me një ekip që ka kushtuar më shumë, por që do të jetë me probleme sonte në orën 21:00.

Tottenham do të ketë mungesa të rëndësishme, mes të cilave sulmuesi kryesor Harry Kane, i dëmtuar, dhe sulmuesi tjetër, koreanojugori Son, i pezulluar. Po ashtu, mbrojtësi i kombëtares Uinks është i dëmtuar, si edhe Orie e Lamela.

Katër lojtarë të Tottenham-it kanë qenë më parë tek Ajax, Eriksen, Sanchez, Vertongen dhe Alderveireld, dhe klubi anglez postoi një foto të tyre në faqen zyrtare në Instagram.

Trajneri i Spurs-ave, Maurisio Poçetino, ishte shumë i frymëzuar në konferencën para ndeshjes.

“Unë jam duke e jetuar ëndrrën time, – tha argjentinasi, – kjo është ëndrra për të luajtur në gjysmëfinale të Championsit me Totenhemin. Këtë ëndërr e kishim 5 vjet më parë, dhe tani po e jetojmë. Gjithnjë duhet të ëndërrosh për të shkuar në Hënë, nëse dëshiron të marrësh diçka nga qielli. Duhet që ëndrrat t’i kesh për në pafundësi dhe përtej saj. Sukseset mund t’i arrish vetëm nëse i ëndërron dhe i dëshiron me gjithë shpirt”.

Gjithsesi, Poçetino nuk ngurroi të krijonte polemika, duke deklaruar se Ajax-i pati më shumë ditë në dispozicion sesa skuadra e tij, dhe se kjo nuk ishte e ndershme. Nuk vonoi përgjigja e trajnerit rival, Ten Hag.

“Ne fitojmë vetëm 10 milionë euro për faktin që luajmë në ligën holandeze, – tha ai, – ndërsa ata fitojnë 200 milionë në Premier Ligë. A mund ta quajmë këtë gjë, të padrejtë, dhe të pandershme ndaj nesh? Gjithnjë ka rrethana të ndryshme në vende të ndryshme, dhe skuadra të ndryshme, kjo nuk është në dorën tonë. Për sa i përket ndeshjes, ëndrra jonë është finalja, por duhet të jemi të kujdesshëm”.

Holandezët kanë shumë më pak probleme me dëmtimet, edhe i vetmi I dëmtuar, Nusair Mazraui, duhet të jetë i gatshëm. Yjet si De Ligt, De Jong, De Bek apo Tadiç janë në formë.

Tottenham jepet favorit për të fituar në stadiumin e tij, por Ajaksi është lehtësisht favorit për të kaluar në finale. Dy skuadrat janë ndeshur vetëm një herë në Europë, në të kaluarën, në Kupën e Kupave në 1981, dhe anglezët i fituan të dyja ndeshjet, 3-0 e 3-1./abcnews.al

inter-juventus-1280x769.jpg
Sej rie16:55 | 27/04/2019

Interi dhe Juventusi luajnë sot Derbin e Italisë në stadiumin “San Siro” të Milanos. Një duel i fortë që vlen sidomos për vendasit, ende jo të sigurt për kualifikimin në Champions.

Është Derbi origjinal i Italisë.

Pa i hequr asnjë meritë duelit Juventus-Milan, tradita e do që këtë epitet ta ketë Inter-Juventus, me dy gjigandët që ndeshen sot në “San Siro” të Milanos, për Serinë A.

Zikaltërit, në vend të tretë, duan të sigurojnë plotësisht kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm, ndërsa në javët e ardhshme do të ndeshen edhe me Napolin.

Po ashtu, duan që të triumfojnë ndaj rivalit të përjetshëm.

Interi nuk ka shqetësime me dëmtimet, me përjashtim të mbrojtësit Vrsaljko.

Gjithsesi, lojtari më polemik i sezonit, Mauro Ikardi, nuk pritet të jetë në formacion, ndërsa peshën e sulmit besohet se do ta mbajë Lautaro Martinez.

Trajneri Luçiano Spaleti thotë se kroati Brozoviç do të luajë dhe ky është një rikthim I rëndësishëm sidomos për këtë ndeshje.

Spaleti e komentoi kështu ndeshjen.

“Në ndeshjet e fundit, brenda apo jashtë fushe, ne kemi luajtur mirë futboll, – tha ai, – do të përpiqemi të bëjmë po kështu edhe ndaj Juventusit. Është shumë e rëndësishme ta fitojmë këtë ndeshje, dhe ka vetëm një mënyrë. Të kemi ekuilibër mes sulmit dhe mbrojtjes. Juventusi do të bëjë lojën e tij, mbështetur tek lojtarët e mëdhenj, dhe ne duhet të veprojmë shpejt”.

Po Juventusi çfarë do të bëjë?

Kampionët u shpallën sërish kampionë, pra motivimi mund të mos jetë ai I zakonshmi, edhe pse trajneri Alegri thekson të kundërtën.

Megjithatë, torinezët do të kenë disa mungesa.

Dagllas Kosta, Mario Manxhukiç, Paulo Dibala, Kedira, Betankur apo Perin nuk janë të gatshëm.

Masimiliano Alegri mendon se, për asnjë arsye, nuk duhet prishur bukuria tradicionale e derbit.

“Ne nuk do të dalim në “San Siro” për të bërë shëtitje, por për të luajtur një ndeshje të vërtetë, – tha ai, – ndaj Interit, është gjithnjë një ndeshje e veçantë, do të luajmë përpara një stadiumi të mbushur plot. Do të bëjmë atë që kemi bërë çdo vit, të synojmë që të përmirësohemi edhe më shumë. Një duel i madh që na motivon shumë”.

Bilanci I derbit në “San Siro”, për Serinë A, është në favor të Interit, edhe pse jo me epërsi të madhe, me 36 fitore të vendasve, por edhe 23 të juventinëve, ndërsa bilanci total është thellësisht në favor të Juves.

Edhe parashikimet e kompanive të basteve janë lehtësisht në favor të miqve./abcnews.al

ttvsman.jpg
ent ela16:32 | 09/04/2019

Një duel i madh anglez do të jetë sonte në Champions. Totenhemi pret Mançester Sitin në Londër, me skuadrën e Pep Guardiolës që cilësohet favorite

Do të luhet në stadiumin e ri, dhe kjo nuk është pak. Totenhem Hotspuri shpreson që të jetë edhe më shumë i frymëzuar në ndeshjen tepër të vështirë të Championsit ndaj Mançester Sitit, nga atmosfera e jashtëzakonshme e 62 000 tifozëve në shtëpinë e tij.

Pikërisht në impiantin me vlerë 1 miliardë paund stërlina, londinezët do të synojnë të hedhin edhe një hap tjetër përpara në garën kryesore të klubeve në Evropë, të synojë gjysmëfinalet, për herë të parë që nga viti 1962.

Suksesi ndaj Dortmundit, një raund më herët, dha shumë shpresë, edhe pse Siti pritet të jetë pengesë shumë më e vështirë.

Londinezët do të kenë tre mungesa, Erik Lamelën, Erik Dajerin dhe Serzh Orienë, por Jorente duhet të jetë i gatshëm.

“Natyrisht, kjo është ndeshja më e madhe në karrierën time si trajner”, – pohoi tekniku i Spërsave, Poçetino, – padyshim, është një nga më të rëndësishmet. Objektivi është kualifikimi për në gjysmëfinale. Do të jetë e vështirë, pasi Siti është shumë i fortë. Skuadrat e Guardiolës janë agresive, por edhe ne jemi agresivë”.

Mançester Siti e tregoi veten sesa agresiv ishte kur shkatërroi Shalken 7-0 në “Etihad”.

Një ndeshje e rrallë, me një rezultat që flet vetë për potencialin dhe momentin që po kalon formacioni i trajnerit Pep Guardiola.

Kampionët e Anglisë kanë lajme shumë të mira, pasi Kun Aguero u kthye nga dëmtimi, e po ashtu gati është edhe Fabian Delf.

Mungesë e rëndësishme Kajl Uolker, ashtu si i riu Zinçenko.

Siti ka fituar Kupën e Ligës, është në finale të Kupës së Anglisë, pretendon titullin në Premier, si dhe Championsin.

“Ne po synojmë pesë trofe, jo katër, – tha Guardiola, duke e nisur me një protestë, – ju keni harruar Superkupën që fituam në verë. Përsa i përket ndeshjes, do të jetë shumë e vështirë, me një publik të jashtëzakonshëm kundër nesh. Duhet të tregojmë veten se dimë ta përballojmë presionin, pasi vetëm kështu mund të kemi sukses në Champions”.

Mediat angleze e kanë pasur duelin në qendër të vëmendjes.

“Star Sport” komenton në specialen e Championsit: Pesë synimet e mëdha të Pepit! Trajneri i Sitit thotë se skuadra e tij synon 5 trofe, pas fitores së Superligës!

“Deili Meil” jep fjalët e trajnerit të Totenhemit, Maurisio Poçetino, që e quan këtë ndaj Sitit, si ndeshjen më të madhe të karrierës së tij në stol.

Interesant fakti se vetëm 1 nga 16 ndeshjet e fundit mes tyre kanë përfunduar në barazim, ndërsa ekipi i Guardiolës ka 3 fitore radhazi.

Siti, sipas parashikimeve, duhet të bëjë qejf në Londër, pasi i jepet koeficienti 1.87 për fitoren, ndërsa Totenhemi ka kuotën 4.10.

Për kualifikimin, padyshim, skuadra e Guardiolës është favorite e madhe, me vetëm 1.19 koeficient, ndaj 4.50 për Spërsave./abcnews.al

mess.jpg
G. P.22:15 | 03/02/2019

Lionel Messi e Cristiano Ronaldo vazhdojnë sfidën me njëri-tjetrit edhe pse luajnë në liga të ndryshme. Të dy yjet shënuan nga dy gola, por nuk mundën të arrinin fitore.

Deri në Maj ishte një duel ballë për ballë. Edhe pse tani luajnë në kampionate të ndryshëm, sërish Lionel Messi e Cristiano Ronaldo nuk mund të mos jenë rivalë. Në fundjavë shkëlqyen përsëri edhe pse nuk dolën plotësisht të kënaqur nga fusha.

Messi shënoi dy gola ndaj Valencias në “Kamp Nou”, në duelin e ligës spanjolle. Argjentinasi arriti të shpëtonte ekipin nga një humbje e sigurt, pasi miqtë kryesuan 2-0, ndërsa barazimi 2-2 bëri që gara për titull të jetë më interesante.

“Valencia rihap kampionatin, – është titulli I gazetës “AS”, – një dygolësh i Mesit shpëton pikën”!

Në Serinë A, Ronaldo u përgjigj po me dy gola, por gjithashtu nuk ishte fitues.

Parma shkaktoi një të papritur në Torino, duke i marrë barazimin Juventusit me shifrat 3-3. Ish-lojtari i Arsenalit, Zhervinjo, ashtu si CR7-ta, realizoi dy herë, ndërsa ky rezultat nuk është se i prishi shumë punë kampionëve të Italisë, që janë 9 pikë përpara Napolit, në krye të renditjes.

“La Gazetta dello Sport”: Parma befason Juven, 3-3! Gervinho ngrin CR7-ën!

Gazeta shkruan CR17, dhe jo CR7 për të treguar 17 golat e portugezit në kampionat.

“Tutosport”: Banda e vrimës! Parmë e madhe, Juves nuk i mjafton një super CR7!

Këtë sezon, argjentinasi ka 29 gola në 27 ndeshje, si dhe 14 pasime për gol, ndërsa portugezi ka realizuar 19 herë dhe ka shërbyer 8 pasime vendimtare, ndërsa ka luajtur tri takime më shumë.

Dy yjet janë në garë të ethshme edhe për statistikat e karrierës, me Mesin që ka 581 gola për Barçën e 226 asistë në 664 ndeshje, dhe CR7-ën me 592 gola për klubet e 188 asistë në 791 ndeshje.

Gjithsesi, për argjentinasin ka një problem jo të vogël. Ai ndjeu dhimbje fizike përballë Valencias, dhe ndonëse e mbylli përballjen, lajmet janë shqetësuese, ndërsa në mesjavë luhet për Kupë ndaj Realit.

Gazeta “Marca” thekson se Barça ka një problem të dyfishtë përpara duelit gjysmëfinal të Kupës, pasi në dyshim janë edhe Messi, por edhe Dembele.

“El Mundo Deportivo” komenton: Ankth! Leo pati kontraktim në këmbën e djathtë dhe është në dyshim për të mërkurën ndaj Realit! Barcelona pret raportet mjekësore për të mësuar nëse do ta ketë yllin kryesor në “El Klasikon” e Kupës së Mbretit./abcnews.al

920x920.jpg
ent ela17:02 | 13/01/2018

Kevin Durant fitoi një duel të madh në basketbollin amerikan, duke I dhënë suksesin skuadrës. Falë tij, Golden Stejti fitoi triumfoi në fushën e Miluokit dhe mbeti në krye të kampionatit.

Një duel zbukuroi ndeshjen në Arenën e Miluokit.

Kevin Durant i miqve gjeti një kundërshtar të fortë si Janis Antetokumpo I vendasve, dhe ia doli të dilte më I fortë, ndërsa Golden Stejti fitoi si udhëtuese.

Kampionia në fuqi e NBA-së mori suksesin me shifrat 108-94, ndërsa vështirësia ishte e madhe pa praninë e lojtarit më të saktë në gjuajtje, Stefën Kërri.

Lojtari më i mirë i kampionatit në 2015 e 2016 mungoi për shkak dëmtimi dhe besohet se nuk do të jetë as në sfidën tjetër të fortë, atë ndaj Torontos.

Durant shënoi 26 pikë, kapi 6 topa në tabela, dhe shërbeu 6 pasime për kosh, si dhe bëri 2 vjedhje topash.

Antetokumpo iu përgjigj me 23 pikë, 7 topa në tabela, 4 asistë, 1 bllokim gjuajtjeje.

Gjithsesi, Golden Stejti pati një plus të madh, Drejmond Grinin, që iu afrua një tripëll dabëlli, me 21 pikë, 10 topa në tabela e 7 asistë.

Skuadra mike kryesoi vazhdimisht, por gjithsesi rrezikoi shumë.

Pasi arriti në pushim të ndeshjes me 14 pikë diferencë, në fund të pjesës së tretë u ndodh në humbje 80-82.

Gjithsesi, me Durantin në fushë, kampionët nuk u tronditën aspak.

Pavarësisht nga gabimet në gjuajtjet nga largësia, Durant dhe Grin arritën të ishin të saktë pikërisht në periodën e katërt duke vendosur fatin e ndeshjes.

Uorriorsët mbeten skuadra më e mirë e NBA-së, në krye të Konferencës Perëndimore, me 34 fitore e 9 humbje./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono