droga

droga-e-sekuestruar-1280x720.jpg
ent ela09:41 | 23/05/2018

Një 19 vjeçar është arrestuar për shpërndarje droge në Kurbin të Lezhës. Ai është Kristian Ndoci, banues në Kurbin. Policia ka sekuestruar 4 doza lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.

Njoftim i Policisë

Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogërave të forta

Sekuestrohen 4 doza lëndë narkotike e dyshuar Kokainë si dhe arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre

Më datë 22.05.2018, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të narkotikëve, pas një pune hetimore të mirëorganizuar, nga forcat policore të Seksionit kundër narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, u bë i mundur kapja në flagrancë e shtetasit :

– Kristian Ndoci, 19 vjeç, banues në Kurbin.

Në Kurbin, gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale 4 doza lëndë e dyshuar narkotike Kokainë, të cilat i mbante për t’i shitur.

Vepra penale në ngarkim të tij ” Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Materialet proçeduriale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al

basha1.jpg
ent ela11:54 | 10/05/2018

Fjalën e tij në Kuvend kreu demokrat Lulzim Basha e nisi me faktet dhe dosjen penale të vëllait të Ministrit të Brendshëm, Afgron Xhafaj.

Basha paralajmëron se Partia Demokratike do publikojë sot fakte të reja për vëllain e Fatmir Xhafajt.

Duke iu referuar vendimit dënimit të vëllait të Xhafës me 7 vjet e dy muaj burg, Basha tha se Agron Xhafaj është organizator i bandave kriminale për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe jeton i lirë.

Kreu demokrat bën përgjegjës ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, që sipas tij duke shkelur ligjin ka mbrojtur vëllain e tij trafikant.

“Sot do shpaloset se Fatmir Xhafaj ka gjithë përgjegjësisnë ligjore, politike e penale. Është detyrë e tij dhe vartësve të tij që Agron Xhafaj të arrestohej e ekstradohej”./abcnews.al

 

E.Alibeaj-1280x762.jpg
ent ela17:10 | 02/05/2018

Deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj, nga foltorja e selisë blu ka akuzuar qeverinë shqiptare si të lidhur me trafikun e narkotikëve dhe si shembull sjell kapjen e një sasie rekord të drogës në brigjet italiane. Sipas demokratëve kjo ndodh vetëm ne vendin ku kryeministri mbron me imunitet politik trafikantët, duke iu referuar ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri.

Deklaratë për media e deputetit Enkelejd Alibeaj

Kapja e një tjetër sasie rekord lënde narkotike nga Shqipëria në brigjet e Italisë, është një provë e fortë e lidhjes së qeverisë me trafikun e drogës.

Gomonia me 2.5 ton Canabis Sativa ka kaluar nën hundën e policisë shqiptare dhe para syve të radarëve, për t’u kapur vetëm nga autoritetet italiane të cilët prej kohësh janë në gadishmëri të plotë dhe në gjendje alarmi nga droga shqiptare.

Kjo është e disata herë që brenda pak kohësh mjetet lundruese të nisura nga Shqipëria nisen me tonelata drogë drejt Italisë dhe kapen nga Guardia di Financa duke sfiduar policinë dhe radarët shqiptarë .

Dhe në fakt nuk ka si ndodh ndryshe, kur vendi qeveriset nga një kryeministër vëllai i të cilit është i përfshirë direkt në trafikun e kokainës.

Kjo ndodh në vendin ku vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar në Itali për trafik droge, por mbrohet nga qeveria dhe nuk ekstradohet për tu përballur me drejtësinë e vendit fqinj.

Gomonia me 2.5 ton drogë kalon pa u ndalur nga askush, pasi ish-ministri i brendshëm dhe e gjithë kupola e Policisë së Shtetit u vu në shërbim të kushërinjve Habilaj dhe ndihmonte avionët me Canabis Sativa të fluturonin të mbrojtur nga qeveria drejt Europës dhe sot janë të lirë ose të arratisur.

Kjo ndodh sepse ish-ministri i kapur në trafik droge, mbrohet me forcën e kartonit nga Rlindja dhe nuk i dorëzohet drejtësisë.

Ndërkohë që policia dhe prokuroria ende nuk kanë zbardhur të vërtetën e kokainës së Maminasit, dhe nuk kanë vënë në pranga asnjë prej pronarëve të vërtetë të 613 kg kokainë me vlerë 180 milionë euro, një tjetër sasi rekord kokaine është kapur në Spanjë.

Ndërsa Europa mbarë jep alarmin dhe i kërkon qeverisë të ndalë lumen e drogës shqiptare dhe kur Departamenti i Shetit na etiketon si vend tranzit I kokainës kolumbiane, qeveria shqiptare mbron Olsin, Agronin apo Saimirin të kapur në flagrancë si kokat e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Policia mbyll sytë para 2.5 tonëve drogë dhe mbron vëllezërit!

Qeveria bëhet e vërbër dhe nuk e sheh detin me drogë, sepse kryeministri Edi Rama është vetë koka e triadës së trafikut të drogës dhe krimit në Shqipëri./abcnews.al

teloneio-kakabias.jpg
ent ela10:22 | 23/04/2018

Policia greke ka sekuestruar 1 kg kokainë të fshehur në autobusin e linjës Tiranë – Athinë. Sipas mediave greke, autoritetet kufitare të Greqisë kishin informacion se autobusi që ishte nisur nga Tirana dhe po udhëtonte drejt Greqisë, po transportonte edhe lëndë narkotike.

Agjentët kufitarë ushtruan kontrolle të hollësishme në autobus, deri sa gjetën kokainën të fshehur pranë sediljes së shoferit. Ky i fundit, kur kuptoi se policia kishte zbuluar drogën, braktisi autobusin dhe u largua me vrap drejt territorit shqiptar.

Nuk dihet nëse ai është arrestuar nga policia jonë kufitare apo ndodhet në arrati. Ndërkohë, pasagjerët e autobusit që po udhëtonin drejt Athinës, qëndruan për disa orë në Kakavije, deri sa mbërriti një tjetër autobus nga Shqipëria. Hetimet e policisë janë duke vazhduar për të zbardhur tërësisht këtë trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. /tvklan.al

Policia-Lac.jpg
gra moz15:56 | 21/04/2018

Tre persona janë vënë në pranga në Fier pasi dyshohet se janë poseduesit e drogës së sekuestruar një ditë më parë. Të arrestuarit janë Velo Myrtaj, 28 vjeç, Gramoz Shakaj, 33 vjeç dhe Foto Shahaj, 25 vjeç.

Të tre të ndaluarit janë nga Vlora. Të premten, Policia e Fierit gjeti në fshatin Kraps një furgon të braktisur dhe brenda tij ishin ngarkuar 310 kilogramë kanabis. Por deri tani nuk ka informacione se ku do ta dërgonin drogën të rinjtë./abcnews.al

3424.jpg
ent ela18:41 | 05/04/2018

Deputeti David Lammy, i Partisë Laburiste në Britaninë e Madhe, ka deklaruar se bandat kriminale të trafikut të drogës, fshihen pas ngjarjeve të shtuara kriminale në Londër.

Në një intervistë për “BBC Radio”, deputeti Lammy bëri një krahasim të thjeshtë për të treguar situatën e rëndë të krimit.

“Të blesh drogë është njësoj si të porosisësh pica. Ju mund t’i porosisni në Snapchat, WhatsApp. Fëmijët e moshës 12-vjeçare po rekrutohen nga bandat për të shitur drogë“, tha ai, duke akuzuar qeverinë se nuk po bën asgjë për të rregulluar situatën.

Deputeti laburist deklaroi hapur se policia e ka humbur tërësisht luftën me trafikun e drogës.

“Mendoj se policia dhe vendi ynë e ka humbur kontrollin në tregun e drogës”, u shpreh Lammy. I pyetur se kush fshihet pas këtij aktiviteti kriminal, ai tha: “Nga burimet policore kam dijeni se janë banda të mëdha, nga Evropa Lindore, shqiptarët. Ata trafikojnë njerëz, trafikojnë drogë dhe trafikojnë armë”.

Ai tha gjithashtu se policia nuk ka burimet e nevojshme për të përballuar luftën me bandat kriminale, ndërkohë që akuzoi edhe kryebashkiakun e Londrës Sadiq Khan se nuk e po merr seriozisht këtë çështje. /tvklan.al

TRUMP-DROGA-1280x720.jpg
ent ela22:47 | 19/03/2018

Presidenti amerikan ka propozuar dënim kapital për trafikantët e drogës, në përpjekje për të frenuar epideminë e qetësuesve, me bazë opiumi. Në media, propozimi i Donald Trump është krahasuar me ekzekutimet e urdhëruara nga presidenti filipinas, Duterte.

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje që trafikantët e drogës të dënohen me vdekje, në përpjekje për të frenuar epideminë e qetësuesve që shpërndahen në tregun e zi. Trump e ka prezantuar planin e tij në një fjalim në lokalitetin Mançester, në Nju Hempshër, një nga shtetet më të prekura nga përdorimi i qetësuesve me bazë opiumi. “Nëse nuk tregohemi të ashpër ndaj trafikantëve të drogës, atëherë po çojmë kohën dëm. Dhe ashpërsia, në këtë rast, përfshin edhe dënimin me vdekje”, ka thënë Trump, i cili është pritur me brohoritje nga të pranishmit. Përdorimi i qetësuesve u mori jetën 63 mijë amerikanëve në vitin 2016, sipas shifrave të Departamentit të Shëndetësisë. Ndërkohë, rreth 2.4 milionë amerikanë vlerësohet të jenë të varur nga opiodet, një familje droge që përfshin qetësuesit dhe heroinën. “Shikojini pak vendet ku autoritetet nuk bëjnë shaka! Ato nuk kanë probleme me drogën”, ka thënë më tej Trump. Kohë më parë, presidenti amerikan vlerësoi nismën e homologut filipinas Rodrigo Duterte, i cili i bëri thirrje popullsisë që të ekzekutonte trafikantët e narkotikëve. Policia lokale deklaroi se në kuadër të fushatës ishin vrarë 4.100 të dyshuar, por grupet e të drejtave të njeriut thonë se shifra është trefish më e lartë, ndërkohë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka hapur një hetim. /abcnews.al

Mark-Gurini-Arbian-Celaj-dhe-Abubaker-Mohamed.jpg
gra moz11:08 | 19/03/2018

Anëtarët e një bande shqiptare të drogës janë dënuar me burg në Britani, pasi autoritetet u gjetën një sasi kokaine me vlerë më shumë se 4 milionë paund.

Kreu i grupit, Mark Gurini u arrestua në një pikë karburanti pranë shtëpisë së tij në Buckhurst Hill, Shtatorin e shkuar pas një hetimi të kryer nga Agjencia Kombëtare e Krimit dhe Policia Metropolitane.

Oficerët kontrolluan fillimisht makinën e 26-vjeçarit, ku gjetën të fshehur 2 kilogramë kokainë dhe një mjet identifikimi italian të falsifikuar.

Ndërsa nga kontrolli në apartamentin e tij në Queens, Gurinit iu gjetën 49 kilogramë kokainë, si dhe prova të tjera që treguan se banda e përdorte pronën si bazë për aktivitetin e tyre kriminal.

Ndër to përfshihej një sasi prej 100 mijë paund kesh, një peshore, si dhe pajisje të tjera për paketimin e drogës.

Më herët, po gjatë atij muaji, autoritetet kishin vënë në pranga dy pjesëtarë të tjerë të bandës, shqiptarin Arbian Celaj, 25 vjeç dhe 22-vjeçarin Abubaker Mohamed.

Secilit prej tyre iu gjet nga 1 kilogramë kokainë. E gjithë droga e sekuestruar nga ky operacion, përllogaritet se do se kapte vlerën e rreth 4.2 milion paund, nëse do të hidhej në treg.

Të tre të pandehurit u shpallën fajtorë të premten, teksa dolën në gjykatën e Blackfriars. Gurini u dënua me 8 vjet burg, Celaj me 5 vjet, ndërsa Mohamed me 3 vjet heqje lirie./tvklan.al

mifol-1280x654.jpg
gra moz15:09 | 17/03/2018

Sasia e drogës së gjetur në Mifol është rreth 600 kilogramë. Kjo konfirmohet nga Policia e Vlorës, e cila po vijon kontrollet për të gjetur sasi të tjera droge dhe për të identifikuar poseduesit e lëndës narkotike.

Në të gjithë fshatin Mifol ka zbarkuar Policia e Vlorës. Kontrolle të shumta po bëhen në zonë. Për të gjetur sasi të tjera droge ose gjurmë që të çojnë drejt poseduesve të drogës.

Policia ende nuk ka shoqëruar asnjë person që mund të ketë dijeni ose të jetë i përfshirë në trafikun e drogës. Konfirmohet se sasia e sekustruar të premten është rreth 600 kilogramë kanabis sativa.

Një pjesë e mirë ishte tërësisht e lagur, kjo për shkak të afërsisë së vendit, ku u gjet me lumin Vjosë. Sipas burimeve të ABC News, droga mund të jetë sjellë nga rrjedha e lumit, pas përmbytjeve që pati kohë më parë. Ndërkohë, një tjetër pistë është ajo e braktisjes nga persona, të cilët mbeten ende të paidentifikuar nga Policia e Vlorës./abcnews.al

meksike-droga-1280x661.jpg
gra moz21:04 | 15/03/2018

Kartelet meksikane të drogës i kanë zgjatur tentakulat e tyre në vende të tjera të Amerikës Latine. Duke dhënë alarmin, kryeprokurori i Kolumbisë ka deklaruar se këto grupe janë një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Kartelet meksikane të drogës po shtrihen edhe në vendet fqinje, duke u kthyer në kërcënim për sigurinë kombëtare të tyre. Prokurori i përgjithshëm i Kolumbisë ka dhënë alarmin për praninë e shtuar të grupeve kriminale meksikane, nga të cilat spikat karteli famëkeq i Sinaloas. Ky i fundit blen kokainën nga bandat lokale dhe e transporton atë në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

“Ne i kemi identifikuar këto grupe dhe kemi informuar qeverinë për rritjen e pranisë së tyre në vendin tonë, një prani që kërcënon sigurinë kombëtare”, ka thënë kryeprokurori Nestor Humberto Martinez.

Autoritetet kolumbiane kanë bërë përpjekje të vazhdueshme për goditjen e grupeve kriminale të huaja në territorin e tyre, por duket se kanë qenë të pamjaftueshme. Vendi latin mbetet numri një në botë për prodhimin e kokainës, që llogaritet të arrijë deri në 910 tonelata në vit.

Karteli meksikan i Sinaloas ka bërë një aleancë të fortë me një grup prej 300 disidentësh të lëvizjes FARK, që vitin e kaluar u shpërbë pasi nënshkroi marrëveshjen e paqes me qeverinë kolumbiane.

Disidentët veprojnë pranë kufirit mes Kolumbisë dhe Ekuadorit, i njohur për prodhimin e narkotikëve dhe qeveria ofron 50 mijë euro për kë ndihmon në identifikimin e liderit të tyre./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono