dritan dajti

rama-konference.jpg
ent ela14:10 | 15/02/2019

Pas kontrollit të ushtruar në banesat e tre gjyqtarëve që hoqën burgimin e përjetshëm për Dritan Dajtin ka reaguar dhe kryeministri Edi Rama.

“Faleminderit me një përulje të thellë shërbëtorëve të shtetit që thyen mitin 30 vjeçar të paprekshmërisë absolute të kriminelëve me toga të zeza” -shkruan shefi i qeverise ne twiteer.

Kryeministri mbyll postimin  e tij me thënien se shteti sot ka hyrë në një fazë të re, pasi vrasësve të drejtësisë për 4 policët e vrarë iu tregua se se koha e të paprekshmëve po mbaron.

Aksioni në shtëpitë e gjyqtarëve u ndërmorr nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Gjykatën e Krimeve të Rënda. /abcnews.al

SKENDER-DAMINI-1280x720.jpg
ent ela11:33 | 15/02/2019

Kontrolli policor në banesën e gjyqtarit Skënder Damini zbuloi 8 fishekë armë “Makarov”, si edhe një shumë prej 17 mijë euro. Gjyqtari që vendosi pro zbutjes së dënimit të Dajtit u shoqërua në polici, por u la i lirë tre orë më vonë. “ABCnews” zbardh dëshminë e dhënë prej tij para Oficerëvë të Policisë Gjyqsore.  

Mëngjesin e së premtës, efektivë të forcave të policisë së shtetit mësynë njëkohësisht për kontroll në banesat e tre gjyqtarëve të Apelit që zbutën dënimin për Dritan Dajtin.

Ky është momenti kur policia gjeti një shumë prej 17 mijë euro, si edhe një krëhër me fishekë “Makarov” në banësen e gjyqtarit Skënder Damini, në apartamentin e tij pranë Liqenit të Thatë në kryeqytet.

Për këtë fakt gjyqtari u shoqërua për në Drejtorinë e Policisë Tiranë. Për gati tre orë me radhë, në praninë e avokatit Ferdinand Ndoja, gjyqtari Damini dha shpjegime para Oficerëe të Policisë Gjyqësore.  Sipas burimeve ai ka ka sqaruar se 8 fishekët e gjetur në banesë i përkisnin një arme që ai e kishte pasur me leje për shkak të detyrës. Kjo armë ishte dorëzuar disa vite më parë, sipas një ligji të kohës, por municioni ishte harruar në shtëpi. Për shumën e të hollave gjyqtari Damini ka pretenduar se i përkisni djalit të tij që merret me biznes.

“As nuk e dija që ishin aty, por mund ta provoj me dokumente, që janë të djalit”, ka thënë ai. Ndërsa për vendimin ndaj Dajtit, gjyqtari ka thënë se ka dhënë një vendim të bazuar në ligj dhe në bindjen e tij të brendshme. “Vendimi i dhënë nga unë është i kundërshtueshëm. Mund t’i bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë”, ka pohuar ai. Njëkohësisht gjyqtari ka shprehur gatishmëri të lërë telefonin e tij në duart e oficerëve, duke i thënë se mund ta kontrollonin për gjithcka.

Pas këtij momenti Damini është lejuar të largohet nga ambientet e policisë. Ai shfrytëzoi një dalje të pasme të godinës, për t’iu shmangur objektiëve të kamerave. Skëndër Damini dhe dy kolegët e tij që pranuan gjykimin e shkurtuar për Dritan Dajtin, c’ka uli dënimin me burg përjetë ndaj tij në 25 vite po hetohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për “korrupsion të gjyqtarëve” dhe për “shpërdorim të detyrës”./abcnews.al

kontrollet.mp4_snapshot_00.12-1280x720.jpg
ent ela09:24 | 15/02/2019

Policia e Shtetit në koordinim me Prokurorinë dhe Gjykatën kontrolluan banesat e tre gjyqtarëve që hoqën burgimin e përjetshëm për Dritan Dajtin. Në shtëpitë e tyre në Lezhë dhe në Vlorë nuk u gjet asgjë kompromentuese.

Për disa orë Forcat Speciale pasi kishin siguruar një urdhër kontrolli nga gjykata hynë në banesat e gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin në Apelin e Krimeve të Rënda.

Kontrollet u ushtruan në banesën e Aleks Nikollës në Lezhë, të Skënder Daminit në Vlorë dhe Petrit Alisë në Sarandë.

Në 8 shkurt të këtij viti, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda pasi pranoi gjykimin e shkurtuar për Dajtin, e dënuar me 25 vite burg për vrasjen e 4 policëve në gusht të vitit 2009, duke e shpëtuar Dajtin nga 4 dënimet me burgim të përjetshëm që ishin dhënë nga gjykata e shkallës së Parë të Krimeve të Rënda në vitin 2014.

Çështja në apelin e Krimeve të Rënda u gjykua nga gjyqtarë të cilët vinin nga gjykatat e Apelit te Rretheve.

Dy gjyqtarët e Shkodrës, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha, kanë votuar pjesërisht kundër vendimit ndaj Dajtit, duke kërkuar lënien në fuqi të dënimit të parë. Tre gjyqtarët e tjerë; Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolla, kanë qenë vendimtarë që Dritan Dajti t’i shpëtojë dënimit me burg të përjetshëm dhe të dënohet me 25 vite heqje lirie. Tre ditë më parë edhe ministrja Drejtësisë Etilda Gjonaj ka dërguar zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë Gjyqesor kerkesën per fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtareve Skënder Damini, Petrit Aliaj dhe Aleks Nikolli për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë poziten dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyres.

Gazetar i ABC News, Lezhë: Gjergj Figuri

Gazetar i ABC News, Vlorë: Elton Nika

/abcnews.al

KRONIKE-KERKESA-KLGJ.mpg_snapshot_00.09-1280x720.jpg
ent ela14:19 | 13/02/2019

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj dërgon pranë Këshillit të lartë gjyqësor kërkesën për hetimin dhe shkarkimin e tre gjyqtarëve që përbënë shumicën që mori vendimin për shfuqizimin e 4 dënimeve me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin e tij me 25 vjet burg. ABC News disponon kërkesën.  

E paralajmëroi në fillim të javës dhe në mes të saj u bë fakt i kryer. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka dërguar zyrtarisht pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor kërkesën për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarëve Skënder Damini, Petrit Aliu anëtar të Gjykates së Apelit Vlorë dhe Aleks Nikolli i Gjykatës së Apelit Shkodër, të cilët kanë qenë shumica, 3 prej 5 gjyqtarëve, që kanë vendosur shfuqizimin e 4 dënimeve me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin me 25 vjet burg.

Sipas kërkesës së mbërritur në KLGj dhe të disponuar nga ABC News, mes të tjerave nënvizohet se në vendimin e datës 8 shkurt të këtij vitit, pas rigjykimit, trupi gjykues i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda i përbërë nga kryesues: Fuat Vjerdha, anëtarë: Lindita Hoxha, Aleks Nikolli, Skënder Damini dhe Petrit Aliu, me shumicë votash ka vendosur të dënojë përfundimisht të pandehurin Dritan Dajti me 25 vjet burgim, falë pranimit të kërkesës për gjykim të shkurtuar.

Ministrja e Drejtësise vlerëson se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Ndaj Gjonaj i kërkon Inspektoratit fillimi e hetimit disiplinor ndaj gjyqtareve Skender Damini, Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë dhe Aleks Nikolli i Gjykatës së Apelit Shkodër. Në përfundim të procedimit disiplinor, Këshilli i Lartë Gjyqësor pasi të ketë shqyrtuar Raportin e hetimit disiplinor ndaj tre gjyqtarëve ministrja e Drejtësisë i sugjeron që marrë masën disiplinore të “shkarkimit nga detyra”, për tre gjyqtarët e dosjes së Dritan Dajtit.

Nga ana tjetër, që në momentin që ishte paralajmëruar ky reagim i ministres së Drejtësië Gjonaj, këtë kërkesë opozita e cilësoi si tallje e pacipë dhe e pamëshirshme me 4 dëshmorët e atdheut të vrarë në krye të detyrës nga Dritan Dajti. Siç kthen në vëmendje opozita, parashikimet ligjore për shkeljet disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk ekzistojnë, pasi gjykata kushtetuese ka shfuqizuar nenet nga 101 deri në 104 të ligjit për statusin e gjyqtarin, nene të cilat parashikonin shkeljet disiplinore.

Në arenën e madhe të ligjeve dhe akteve nënligjore, Ministrja e Drejtësisë me këtë kërkesë sidoqotë e hodhi një top drejt Këshillit të Lartë Gjyqësor, përgjigja e të cilit pritet në ditët në vijim. /abcnews.al

byri-politike.jpg
G. P.23:03 | 11/02/2019

Gjykata e Apelit për Krime të Rënda dënoi të premten e 8 Shkurtit me 25 vjet burg Dritan Dajtin. Ai është autor i vrasjes së katër evektivëve të policisë të cilët ishin duke punuar për arrestimin e tij në verën e vitit 2009. Mirëpo ky vendim i gjykatës ka çuar në reagimin e opinionit publik.

Për të diskutuar rreth kësaj çështjeve në emisionin “Byro Politike” këtë të hënë ishin ftuar në studio Çlirim Gjata, sekretar për çështjet ligjore në PD dhe  jurist; Ferdinand Doja, jurist; Mentor Kikia, gazetar; Saimir Vishaj, jurist./abcnews.al

eksperter.jpg
G. P.20:45 | 11/02/2019

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda aplikoi mbi Dritan Datin gjykimin e shkurtuar duke i hequr 4 dënime të përjetshme dhe duke e dënuar me 25 vite. Që prej datës 8 Shkurt, kur u dha ky vendim ka pasur reagime të shumta. Për të diskutuar rreth kësaj çështje në emisionin “Byro Politike” nga Juli Xhokaxhi ishin të ftuar tre juristë Saimir Vishaj, Ferdinand Doja dhe Clirim Gjata.

Për Saimir Vishajn, Gjykata e Apelit nuk ka shkelur ligjin me këtë vendim. Madje sipas tij, ministrja e Drejtësisë në një deklaratë të bërë këtë të hënë është keqinformuar nga këshilltarët e saj.

Saimir Vishaj: Kjo çështje duhet ndarë në dy plane. Kemi planin e parë që janë vrarë 4 efektivë dhe planin e dytë veprimet e gjykatës. Mendoj që Gjykata e Apelit nuk ka shkelur ligjin. Unë e dëgjova ministren e Drejtësisë. Më vjen keq që është keqinformuar nga këshilltarët e saj. Në Gjykatën e Apelit kërkesa ishte bërë në shkallën e parë. Në rast se ky vendim brenda 45 ditësh do të rekursohet dhe vendimi është pro atëherë çfarë mund të themi? Për mua jemi në reformë në drejtësi tepër të brishtë ku gjyqtarët sot i kam parë të trembur. Kërkesa për gjykim të shkurtuar është bërë para 8-9 vitesh kur ka filluar procesi. Trupi gjykues ishte me 5 anëtarë çfarë tregon që vepronte me ligjin e vjetër.

Ndërkohë për sekretarin për çështjet ligjore në PD ky vendim ka prapavijë politkke dhe është e lidhur me mazhorancën.

Çlirim Gjata: Ky vendim ka prapavijë politike. Ky njeri është i lidhur me kryeministrin dhe mazhorancën, përmes kanalesh kriminale prandaj ka dalë ky vendim. Dalja sot e ministres janë lot krokodili, është hipokrizi politike. Ku do e çojë KLGJ? S’ka ligj për ta ndjekur disiplinarisht gjykatësin. Pra në fund të fundit këta gjyqtarë kanë qenë që detyruan politikën dhe ndërkombëtarët që të ndërmerrte reformën në drejtësi. Cilësia e reformës në drejtësi. E gjitha si u bë, po shkon në drejtim të kapjes nga ana e kryeministrit Rama. Rasti i atij që vrau gjyqtaren, as atij nuk ia dhanë gjykimin e shkurtuar. Backragundi është politik. Të tjerat janë lot krokodili.

Ndërkohë sipas juristit, Ferdinand Doja ne nuk i dimë provat që janë shfaqur në gjyq.

Ferdinand Doja: Kemi të bëjmë me gjykim të shkurtuar. Edhe i pandehuri heq dorë nga një sërë të drejtash. Edhe vetë gjyqësori ka atë privilegjin që kursen kohën, dëshmitarët. Gjykimi i shkurtuar jepet ose mohohet me një vendim të ndërmjetëm. Ne nuk i dimë arsyetimet që ka bërë Gjykata e Shkallës së Parë në mohimin e kësaj të drejte. Është e drejtë e të gjithëve që ta kërkojnë këtë. Nuk e dimë pse është mohuar në këtë moment gjykimi i shkurtuar. Ai gjyq ka zgjatur pafundësisht, por nuk dimë çfarë provash janë marrë në atë gjyq.

Dritan Dajti ishte dënuar nga Gjykata e Shkallë së Parë për Krime të Rënda me burgim të përjetshëm. Ai akuzohet për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në Durrës më 2009, gjatë një operacioni për arrestimin e tij./abcnews.al

ETILDA_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.47-1280x720.jpg
ent ela15:25 | 11/02/2019

Etilda Gjonaj, ka folur sërish lidhur me vendimin për uljen e dënimit të Dritan Dajtit. Gjonaj deklaroi se i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor për shkarkimin e gjyqtarëve që kanë vendosur uljen e dënimit për Dajtin, i akuzuar për vrasjen e katër policëve në 2009. 

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, i kërkon institucionit të ri të Reformës në Drejtësi, Këshillit të Lartë Gjyqësor, ndëshkimin e tre gjykatësve që dhanë vendimin nga burgim i përjetshëm në 25 vjet heqje lirie për Dritan Dajtin.

Etilda Gjonaj:Si Ministre e Drejtësisë kam vlerësuar se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje të renda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, nga ana e gjyqtarëve Skënder Damini dhe Petrit Aliu të Gjykatës së Apelit Vlorë si dhe Aleks Nikolli i Gjykatës së Apelit Shkodër. Për këtë arsye, sot i jam drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratit me kërkesë zyrtare për fillimin e hetimit disiplinor dhe marrjen e vendimit të shkarkimit nga detyra ndaj gjyqtarëve të sipërpërmendur si dhe kryerjen e një hetimi të thelluar administrativ për këtë dosje”.

Gjyqtarët, sipas Gjonaj, kanë pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar nga Dritan Dajti, jashtë afateve ligjore të depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda.

Etilda Gjonaj: Sipas rregullave procedurale në fuqi në kohën e paraqitjes së kërkesës (në bazë të nenit 403 i Kodit të Procedurës Penale), kërkesa e të pandehurit për gjykimin të shkurtuar depozitohet të paktën tre ditë përpara datës së seancës të përcaktuar. Gjykata e Apelit për Krimet e Renda ka disponuar në kundërshtim me nenin 403 të Kodit të Procedurës Penale, në kushtet kur, kjo kërkesa është paraqitur pasi është deklaruar nga gjykata hapja e shqyrtimit gjyqësor në përputhje me parashikimet ligjore të procedurës penale”.

Ministrja e Drejtësisë pohoi se vendimi i gjyqtarëve të Apelit është në kundështim edhe vendimet unifikuese Gjykatës Kushteuese.

Etilda Gjonaj: “Vendimi gjithashtu është në kundërshtim të hapur dhe me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë (dhe përmend vendimin numër 2 të vitit 2003), ku sipas këtij vendimi Gjykimi i shkurtuar ka vlerë për ekonomi gjyqësore, sepse thjeshton dhe shkurton procedurat, rrit shpejtësinë dhe efektivitetin e gjykimit”.

Prokuroria e Apelit për Krimet e Rënda ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për ndryshimin e vendimit ndaj Dajtit, i cili ishte dënuar nga Shkalla për Krimet e Rënda me 4 dënime të përjetshme. Ai akuzohet për vrasjen e 4 efektivëve të policisë në verën e vitit 2009 në zonën e plazhit të Durrësit./abcnews.al

METAA-1-1280x720.jpg
ent ela12:03 | 11/02/2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda për Dritan Dajtin, i cili vrau 4 policë dhe u dënua me 25 vite burg si rezultat i gjykimit të shkurtuar. Kreu i shtetit  tha se mbështet thirrjen e ambasadorit të Bashkimit Evropian në Tiranë dhe se KLGJ dhe prokuroria duhet te vihen në lëvizje për të verifikuar dhe hetuar çështjen.

I është bashkuar edhe presidenti Ilir Meta zërave kritikë për heqjen e dënimit të përjetshëm për Dritan Dajtin dhe dënimin përfundimisht të tij me 25 vite burg.

“Mbështes fuqimisht thirrjen e ambasadorite BE që KLGJ e Prokuroria e përgjithshme të vihen në lëvizje për të vlerësuar dhe hetuar çështje në fjalë”.

Përgjigje i dha edhe mazhorancës për kandidatin Anastas Angjeli që përflitet se do të vendoset në krye të Kontrollit të Lartë të shtetit.

“Jam i bindur se të gjitha propozimet e Presidentit synojnë insitucionet e pavarura dhe forcimin e sundimit të ligjit në vend dhe jo të shumicave”.

Deklaratat e tij kryetari i shtetit i bëri pas pjesëmarrjes në konferencën me temë “Marrëdhëniet e punës dhe shqyrtimi gjyqësor” ku kërkoi  ulje të numrit të të larguarëve nga puna padrejtësisht.

30% e rasteve në Gjykatën Administrative janë për problemet në marrëdhëniet e punës- ka thënë presidenti Meta duke kërkuar edhe plotësimin me trupën e nevojshme të kësaj gjykate.

Gjithashtu kreu i shtetit ka sugjeruar që të përcaktohet me ligj evidentimi i përgjegjësisë direkt të zyrtarit publik për shkarkime të padrejta nga puna pasi dëmi nuk mund t’i ngarkohet taksapaguesit shqiptar, që janë të dëmtuarit kryesorë në këtë rast ka thënë Presidenti Ilir Meta. /abcnews.al

1549642348_dritandajti.jpg
ent ela10:34 | 11/02/2019

Nuk ka qenë unanim vendimi për të dënuar me 25 vjet heqje lirie Dritan Dajtin. Trupa gjykuese e përbërë nga 5 gjyqtarë të ardhur nga Gjykatat e Apelit në rrethe kanë dhënë vendimin për llogari të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Mes 5 anëtarëve, dy kanë qenë pjesërisht kundër dhe tre kanë qenë në favor të dënimit me 25 vjet heqje lirie, duke pranuar gjykimin e shkurtuar. Vendimi i gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda pak ditë më parë për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm për Dritan Dajtin, u dha nga trupa gjykuese që përbëhej nga; Fuat Vjerdha, që është edhe kryetar i Gjykatës së Apelit në Shkodër, anëtarët janë: Lindita Hoxha e Aleks Nikolli, gjyqtarë në Gjykatën e Apelit Shkodër. Ndërsa pesëshja e gjyqtarëve u plotësua me dy gjyqtarët e tjerë Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, të cilët janë gjyqtarë të Apelit në Vlorë. Sipas vendimit, pro këtij vendimi kanë votuar Aleks Nikolli, Petrit Aliaj dhe Skënder Damini, ndërsa Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha kanë votuar pjesërisht kundër.

Më e qartë në vendim ka qenë gjyqtarja Lindita Hoxha, e cila përveç togfjalëshit pjesërisht dakort ka bërë dhe shënimin lënien në fuqi të dënimit, për Dritan Dajtin i cili më herët ka qenë nga Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda 4 dënime me burgim të përjetshëm. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono