drejtesia

gjykata.jpg
G. P.17:37 | 12/03/2019

Nuk janë të pakta deklaratat e kryeministrit Edi Rama që targeton gjyqtarët për vendime e padrejta mbi pronën. I ndryshëm ka qenë reagimi i kreut të qeverisë ndaj banorëve që nuk lejuan zbatimin e vendimit të formës së prerë për banesën në zonën pranë shkollës “Petro Nini” në Tiranë.

Teoria dhe praktika duken në kundërshtim me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për vendimet e gjykatave mbi dhënien e pronësisë. Të paktën kështu duket nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndër vite.

“Në Shqipëri ka pretendentë për prona dhe pretendime për kthime sa dyfishi i sipërfaqes së vendit tonë. Një absurd që është zhvilluar falë një bande në sistemin e drejtësisë. Një bandë kriminale që ka bërë një kasaphanë duke përdorur çekiçin e gjykatës”, është shprehur kryeministri në korrik të vitit 2015

“Gjykatës që fshihen pas vendimesh kolegjiale që kanë marrë dhe formë të prerë në disa shkallë dhe që në këto kushte aktualisht janë të pandëshkueshëm”, ka thënë ai në Gusht të 2015-s.

“Në 25 vjet jo nuk u bë shtet, por një rrumpallë e paimagjinueshme dhe gjykatat që janë shtylla kryesore e shtetit u kthye në pazare kur e drejta shitej e blihej”, është shprehur në Nëntor të 2016-s kryeministri.

“Kemi qenë këtu kur unë thosha nuk duhet të shtojmë një gjykatë, por duhet të përmbysim një sistem, sepse një gjykatë më shumë do jetë një kasap më shumë ku ju do shkoni dhe do lini lëkurën”, tha ai në Shkurt të 2017-s.

“Për mua është shumë e rëndësishme të jem këtu sot pas më shumë se 15 vitesh luftë për këtë kënd të Tiranës, ku mund të shkruhet një libër për shqipërinë që kishim. Në këtë truall u ngatërruan të gjitha sëbashku, që nga babëzia deri te korrupsioni i gjykatave”, është shprehur ai gjatë 2018-s.

Tonet e kryetarit të qeverisë ndryshuan për rastin më të fundit që u dha drejtpërdrejtë në media. Banorët që kërkonin të mos i merrte pronën përmbarimi pasi pretendojnë se gjykata ka dhënë vendim në kundërshtim me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave.

“Të trishtueshme pamjet nga rruga e shtëpisë ku kërkohet ekzekutimi i një vendimi gjyqi të formës së prerë. Por e trishtueshme edhe se si Kazani i përzien gjërat pa lidhje!Qeveria s’ka asnjë fuqi mbi vendimet e gjykatave dhe policia e ka detyrim ligjor t’i përgjigjet Përmbarimit”.

Pas pamjeve në kazanin mediatik drejtori i Policisë Tiranë u shkarkua e po ashtu edhe një punonjëse e repartit “Shqiponja” sepse protestoi kundër prishjes së banesës, ku ajo e familjarët e saj jetonin prej vitit 1953.

Me statusin e fundit të kryeministrit Edi Rama duket se gjykatat janë në rrugë të mbarë dhe mbi vendimet e tyre të formës së prerë nuk duhet të dalë askush. Këtë e konfirmoi nga studio e ABC News edhe numri dy i Partisë Socialiste Taulant Balla.

“Jam në një pozicion që ligji dhe Kushtetuta në një vend se kush ka të drejtë përcaktohet vetëm nga gjykata”, tha Balla.

Ky rreshtim në krah të gjykatës pritet të nxisë edhe shumë pronarë trojesh që nuk janë kompensuar nga shteti ndonëse ua kanë dhënë trojet për shërbime publike./abcnews.al

b6330fbc-acf1-4c87-ad9f-50531c4c741a-1280x853.jpg
ent ela14:18 | 26/02/2019

33 persona janë vënë nen prangat e policisë për importin e një sasi të madhe kokaine nga Hollanda në drejtim të Italisë. Pesë prej tyre janë arrestuar në Shqipëri me qëllim ekstradimin drejt vendit fqinj ndërsa gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim. Me këtë bilanc është mbyllur operacioni policior “Metropolis” një bashkëpunim mes autoriteteve shqiptare dhe atyre italiane. Detajet u bënë publike nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë se Shtetit Ardi Veliu.

“Njësia Hetimore Qëndrore në Departamentin e Policisë Kriminale në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës Operacionale në Policinë e Shtetit dhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë, Durrës, Berat e Shkodër, në bashkëpunim dhe bashkërendim të veprimeve me Interforcën Italiane dhe Karabinierinë e Breshias Itali, kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimi drejt Italisë të shtetasve: G.S., 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, S. D., 43 vjeç, lindur në Gërmenj dhe banues në Tiranë, E.H., 39 vjeç, lindur dhe banues në Shijak/Durrës, A. M., 32 vjeç, lindur dhe banues në Shijak/Durrës, L. P. 35 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër”.

Në këto masa përfshiheshin edhe personat e arrestuar nga operacionin në fjalë.

“Në përfundim të operacionit të përbashkët “METROPOLIS” me autoritetet policore italiane u arrestuan gjithsej 33 persona, nga këta 5 persona në Shqipëri, ndërsa 6 persona të cilët nuk janë kapur ende, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe po vijon puna për kapjen e tyre”.

Arrestimi i tyre është bërë për llogari të drejtësisë italiane, ndaj dhe pritet që të ekstradohen në fqinjin e përtej Adriatikut./abcnews.al

akuza.jpg
G. P.14:12 | 22/02/2019

Ministria e Jashtme gjermane ka komentuar edhe një herë protestat e thirrura nga opozita. Në një deklaratë për Deustche Welle, përfaqësues të kësaj ministrie theksojnë se akuzat që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e zgjedhjeve duhet të trajtohen dhe gjykohen nga organet e drejtësisë dhe parlamenti.

Në reagimin e saj, ministria njeh të drejtën për të demonstruar si një element të rëndësishëm të kushtetues demokratike, por duke bërë dallimin mes atyre që janë paqësore apo jo.

Dhuna, siç e pamë të shtunën e kaluar, është e papranueshme”, thotë në reagimin e saj Ministria Gjermane, duke vijuar me thirrjen ndaj palëve të përfshira që të ndihmojnë që protestat të vijojnë paqësore./abcnews.al

TE-MERKUREN-NIS-JURIDIKU-1280x720.jpg
ent ela18:23 | 29/01/2019

Mjediset e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë në orët e pasdites do t’i vihen në dispozicon Fakultetit të Drejtësisë. Të mërkurën në orën 14.00 studentët do të nisnin mësimin në ambjentet e shkollës së mesme. Konfirmimi vjen për ABC Neës nga dekani i Fakultetit të Drejtësisë Artan Hoxha.

Një grup studentësh vijojnë të qëndrojnë të ngujuar në Fakultet, duke kërkuar anulimin e ligjit për Arsimin e Lartë. Por studentët e tjerë, që kërkojnë t’i rikthehen mësimit, thonë se janë të gatshëm që leksionet dhe seminaret t’i nisin në çdo mjedis të mundshëm.

“Kudo, mjafton të zhvillojmë mësim se kemi humbur shumë volum”.

Hyrja për në auditoret e fakultetit të drejtësisë në Tiranë vazhdon të mbahet e mbyllur. Ligji për arsimin e lartë ngarkon me përgjegjësi Rektorin e Universitetit të Tiranës, si titullar i tij, për të zgjidhur situatën dhe garantuar  paprekshmërinë e institucionit. Statuti i Universitetit të Tiranës sugjeron ndërhyrjen e policisë.

Neni 34 pika GJ e tij thotë; “Rektori autorizon në rast nevoje ndërhyrjen e forcave të rendit në mjediset universitare”.

Neni 39 pika SH;  “Administratori autorizon në rast nevoje ndërhyrjen e forcave te rendit në mjediset universitare”. 

Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni takoi dy grupet e studentëve në Fakultetin e Drejtësisë, por ndonëse kanë kaluar katër ditë ende nuk ka dalë me një vendim.

Ne tentuam të merrnim një përgjigje prej Rektorit Koni, por ai refuzoi të bisedojë për këtë çështje.

Ndërkohë drejtori i Komunikimit ne Rektorat tha se po punohet për gjetjen e një zgjidhje, ndërkohë që përjashtoi mundësinë e ndërhyrjes së policisë në Fakultetin e Drejtësisë.

ABC News tentoi të merrte një përgjigje dhe nga Administratori i Universitetit të Tiranës, por dhe Ai refuzoi të fliste. /abcnews.al

21janari-1280x720.jpg
G. P.12:51 | 27/01/2019

Më 21 Janar të vitit 2011, në qendër të Tiranës, u konsumua një nga krimet më të rënda për shkak të pushtetit. Katër protestues u vranë nga plumbat e Gardës së Republikës.

Por nuk mjaftoi me kaq. Një ditë më pas policia refuzoi të zbatonte urdhër-ndalimet e prokurorisë për të dyshuarit si autorë, duke e rrëzuar me këtë veprim shtetin ligjor. Pikërisht prapaskenat e 21 Janarit, deri në shpalljen të pafajshëm të atyre që vranë qytetarët në shesh, sjell ky material./abcnews.al

ngujimi1.jpg
G. P.16:47 | 26/01/2019

Pas dështimit të takimit mes studentëve të Fakultetit të Drejtësisë dhe Rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni gjatë së premtës, studentët zhvilliuan takim tjetër të shtunën. Grupi i studentëve të Drejtësisë bën me dije se Rektori Koni ka deklaruar se është dakord me kërkesat e tyre.

Takimi i zhvilluar gjatë së premtes mes Rektorit të Universitetit të Tiranës me studentët e Fakultetit të Drejtësisë nuk rezultoi konstruktiv. Duke marr shkas nga kjo situatë, një grup studentësh nga ky fakultet zhvilluan një takim tjetër gjatë së shtunës me Rektorin Mynyr Koni, të cilët thonë se rektori është dakord me kërkesat e studentëve.

“Ishim një grup studentësh nga Fakulteti i Drejtësisë që shkuam në Rektorat për të biseduar me Rektorin. Prandaj dhe Rektori doli në mbrojtjen tonë. Ne kërkuam një vendim nga rektorati që të dalë kundër Ligjit për Arsimin e Lartë dhe të kërkojnë shfuqizimin e këtij ligji”.

“Një argument që ne përdorëm te Rektori në mënyrë që ai të kuptonte që jo bvetëm studentët, por edhe një masë e madhe pedagogësh janë pro studentëve dhe ata kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e Ligjit për Arsimin e Lartë që e dimë të gjithë që është burimi i gjithë këtyre pakënaqësive të viteve të fundit”.

Pavarësisht se studentët e Drejtësisë na e konfirmuan takimin me Rektorin e Universitetit të Tiranës, Rektorati vetë nuk pranoi të komentonte diçka të tillë. Grupi i studentëve të Fakultetit të Drejtësisë që vijojnë të qëndrojnë të ngujuar në ambientet e fakultetit prej rreth 15 ditësh, deklarojnë se bojkoti i mësimit dhe ngujimi i tyre do të vazhdojë.

“Me shumë mundësi ngujimi do vazhdojë deri në plotësimin e nëntë kërkesave tona”./abcnews.al

theo.jpg
G. P.14:58 | 15/01/2019

Avokati i Klement Balilit është shprehur para mediave se klienti i tij është vetëdorëzuar në polici për t’u përballur me akuzën që është ngritur ndaj tij. Sipas tij, Balili nuk i është shmangur asnjëherë drejtësisë. Thoeodhori Sollaku tha se klienti i tij ka marrë vetëm garanci ligjore dhe se në dosjen kundër tij nuk ka prova.

Theodhori Sollaku: Klement Balili është vetëdorëzuar në polici për të përballur me akuzën që është ngritur ndaj tij. Është e vërtetë që ka qenë në kërkim policor, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm që në momentin e daljes së urdhrit të arrestit megjithëse nuk kishte asnjë provë trysnia ka qenë shumë e fortë për ta arrestuar. Prokuroria dy vjet më parë ka kërkuar prova nga Greqia sepse dosja nuk kishte prova megjithëse kishte urdhër arresti. Tani që erdhi letërporosia e plotësuar me akte proceduriale dhe hetimet janë drejt përfundimit, shtetasi Klement Balili vendosi të dorëzohej sepse ç’do bënte këto dy vjet. Shteti do paguante ushqimin, fjetjen do mbante policë për ta ruajtur në burg. Edhe kjo duhet marrë në konsideratë sepse kostoja e një të burgosuri është 50 euro në ditë që i thonë gati 50 mijë euro. Megjithëse kjo është dytësore. Një gjë po ju them që shtetasi Klement Balili nuk i është shmangur asnjëherë drejtësisë sepse gjatë dy vjetëve drejtësia shqiptare nuk ka kryer asnjë veprim procedurial.

Në çfarë kushtesh është dorëzuar?

Theodhori Sollaku: Është e vërtetë që këto ditët e fundit është negociuar midis policisë dhe familjarëve dhe sot u gjetën modalitetet për t’u dorëzuar.

Çfarë garancish ka marrë Balili?

Theodhori Sollaku: Garanci vetëm ligjore.

Do kërkohet gjykim i shkurtuar?

Theodhori Sollaku: Ne do jemi në përfundim të procedurës së fazave të hetimit. Do të njhemi me aktet përfundimtare që ka prokurori dhe këtu do jemi në seancat në vazhdim. Gjatë gjykimit të themelit do shohim  si do ecë çështja. Megjithatë mund t’ju them që dosja është në atë gjendje që ka qenë para dy vjetëve. Provat janë të dyshimta. Nuk ka asnjë implikim nga asnjë dëshmitar. Nuk ka asnjë bisedë telefonike të përgjuar. Pretendohet që një numër grek i përket Balilit ndërkohë si në Shqipëri dhe në Greqi kush blen një numër telefoni identifikohet me kartë identiteti apo me pasaportë dhe në këtë aspekt do thosha që akuza ngelet e dyshimtë.

Klement Balili u dorëzua mëngjesin e kësaj të hëne. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

klp-dhe-klgj.jpg
G. P.19:24 | 23/12/2018

Plotësimi me anëtarë dhe nisja e funksionimit te Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor ka kaluar në një tjetër fazë Reformën në Drejtësi. Por çfarë pritet të ndodhë në vijim?

Java që lamë pas do të memorizohet në historinë e sistemit të drejtësisë në vend për nisjen e funksionimit të dy prej institucioneve të rëndësishme në kuadër të Reformës në Drejtësi, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në mbledhjet e para, drejtuesit respektivë të dy organizmave qeverisës së prokurorëve dhe gjyqtarëve përmendën qëllimin e përbashkët për rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Por cilat janë lëvizjet e para që do të ndërmarrin këto dy institucione?

Një nga ndërmarrjet më primare të Këshillit të Lartë të Prokurorisë është hapja e garës për Prokurorin e Përgjithshëm me mandat. Prokurori i ri do të zërë vendin e Arta Markut, prokurores së Përgjithshme të Përkohshme. Në korridoret e prokurorive kanë nisur të përfliten emrat e parë të kandidatëve, por nuk përjashtohet edhe një kandidim i kryeprokurores së Përkohshme, Marku. Në vijim KLP-ja do të zgjedhë edhe prokurorët e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, të njohur si SPAK.

Nga ana tjetër, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të jetë në funksion me gjithë kapacitetin për të garantuar mbarëvajtjen e gjykatave në vend. Pasi të zgjedhë katër komisionet e përhershme mes anëtarëve të Këshillit, KLGJ pritet të hedhë hapa për ngritjen e Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Njëkohësisht KLGJ-ja do të miratojë aktet nënligjore për gjyqtarët dhe do të marrë vendime për emërimet dhe promovimin e gjyqtarëve tyre apo vendosjes së masave disiplinore.

Pas nisjes së procesit të Vettingut, vënia në funksion e KLP-së dhe KLGJ-së dhe veprimet që do të ndërmerren duket se do të jetë prova e radhës e sistemit të drejtësisë në sytë e publikut./abcnews.al

DREJTESIA-POLONI-1280x798.jpg
ent ela19:04 | 21/11/2018

Presioni i Bashkimit Europian ka gjunjëzuar Poloninë, duke detyruar qeverinë e këtij vendi të ndryshojë ligjin për Gjykatën e Lartë, që i jepte kontroll të plotë mbi gjyqësor. Krahas kësaj, qeveria polake ka humbur mbështetje tek qytetarët për shkak të një skandali korrupsioni.

Mazhoranca qeverisëse në Poloni nxitoi të mërkurën të miratonte një amendament në Parlament, që kthen mbrapsht ndryshimet e bëra në ligjin për Gjykatën e Lartë, pas presionit të rritur nga Bashkimi Europian. “Ne do të përmbushim detyrimet tona dhe në të njëjtën kohë do të vijojmë me ndryshimet e tjera në sistemin e drejtësisë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Zbignjev Ziobro. Në tetor, Gjykata Europiane e Drejtësisë urdhëroi Poloninë të pezullonte atë reformim që i jepte qeverisë kontroll të plotë mbi gjyqësorin dhe njëkohësisht detyronte shumë gjykatës të jepnin dorëheqjen. Që prej implementimit të atij ligji, mbi 20 gjyqtarë të Gjykatës Supreme, rreth 1 e treta e totalit, u detyruan të braktisnin detyrën. Ndërkohë, me amendamentin e miratuar të mërkurën, të njëjtët gjyqtarë kanë mundësi të kthehen. Që kur mori pushtetin në vitin 2015, partia Ligj dhe Drejtësi ka patur një mbështetje të fuqishme nga populli, për shkak të përfitimeve nga rritja e fortë ekonomike, rritja e mirëqënies, shpenzimeve publike dhe madje retorikës nacionaliste. Por një sondazh i kësaj jave tregonte se mbështetja ishte tkurrur për shkak të një skandali korrupsioni. Sondazhi i publikuar të martën tregonte se mbështetja për mazhorancën kishte rënë me 5 pikë përqindjeje, në 33 për qind; ndërsa ishte rritur ajo për opozitën me të njëjtën kuotë, në 26 për qind. /abcnews.al

SAFETI-BELGET-1280x720.jpg
ent ela20:33 | 22/09/2018

Mediat në Belgjikë i kanë bërë jehonë arrestimit të Safet Bajrit, i cili konsiderohej nga autoritetet vendase si një ndër kriminelët më të rrezikshëm në Europë. Një prej të përditshmeve vendase ka shkruar në edicionin online se Bajri u arrestua në kuadër të një hetimi të nisur nga drejtësia belge, në të cilin bashkëpunuan oficerë shqiptarë.

Emri i Safet Bajrit, i konsideruar kreu i një prej bandave më të rrezikshme kriminale të Shkodrës, është shfaqur sërish të shtunën në mediat belge, këtë herë për arrestimin e tij në Tiranë. Dhe faktikisht, Bajri konsiderohej nga autoritetet belge si një ndër kriminelët më të rrezikshëm të Europës, që ndodhej në majat e klasifikimit të listës së personave më të kërkuar nga policia federale. Duke njoftuar arrestimin e tij në edicionin online, gazeta “L’echo” shkruan se Bajri, që në Bruksel përdorte mbiemrin Rustemi, ishte përpjekur të merrte nën kontroll xhiron e prostitucionit duke mos kursyer aktet e dhunës.

Më 27 shkurt 2015, ai do të arrestohej dhe në fund të procesit gjyqësor, ku u akuzua për vrasje, shantazhe dhe shfrytëzim prostitucioni, u dënua me 22 vjet burg. Por pavarësisht dënimit të rëndë, Bajri u lirua me kusht dhe qershorin e kaluar Zyra për të Huajt në Bruksel e dëboi atë nga vendi. Një lëvizje kjo që shkaktoi një përplasje të ashpër mes zyrës në fjalë dhe Ministrisë belge të Drejtësisë.

Sa i takon arrestimit, “Lesho” shkruan se ai u arrit falë hetimeve të organeve belge të drejtësisë në bashkëpunim me oficerin shqiptar të kontaktit. Një bashkëpunim nga i cili ministri belg i Drejtësisë Koen Gens ka mbetur shumë i kënaqur, vijon gazeta, duke shtuar se drejtësia ka ristrukturuar çështjen në ngarkim të Bajrit duke e ngritur atë sërish. Emri i Bajrit kishte tërhequr vëmendjen e mediave belge shumë më parë.

Më 27 shkurt 2015, “Lavenir” do të shkruante për arrestimin e tij dhe për dy atentate me armë zjarri të kryera në lokalitetet Vilvorde dhe Ganshoren. Në shkrimin në fjalë thuhej se Bajri është përgjegjës për rreth 40 vrasje të kryera nga familja e tij në Shqipëri. Fillimisht, organizata e drejtuar prej tij ishte aktive në veri të Italisë, ku detyronte vajza të reja të ushtronin prostitucion përgjatë një autostrade. Në korrik 2014, policia italiane ndërmorri një operacion masiv kundër bandës dhe që prej atëherë Rustemi dhe vëllai i tij u transferuan në Belgjikë. Brenda një kohe të shkurtër ata u përfshinë në shfrytëzimin e prostitucionit në Gar dë Nord dhe lagjen Alhambra.

Gjithashtu, banda kishte qenë aktive edhe në shpërndarjen e drogës dhe në disa raste gjobëvënieje. Në tetor të 2014-s policia federale në Bruksel arrestoi grupin kriminal, duke vënë në pranga vëllezërit Safet dhe Saed Rustemi dhe 3 bashkëpunëtorë. Por jo vetëm kaq, duke e cilësuar një kriminel me të vërtetë të keq, gazeta tjetër “La Dernier Hër” shkruan se për të marrë nën kontroll prostitucionin bashkë me vëllain dhe kushërinjtë e tij Ilir, Bardhyl dhe Dushi Rustemi, ai kreu një sërë veprash të rënda penale si shkatërrim prone, vrasje të mbetur në tentativë, zhvatje dhe trafikim të qënieve njerëzore me qëllim shfrytëzimin.

Në një shkrim të datës 18 korrik 2018, e njëjta gazetë shkruante se Rustemi kishte pushtuar plazhet e Velipojës, duke publikuar përmes një fotoje edhe hartën e ndarë sipas gazetës belge nga grupet kriminale në veri të Shqipërisë. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono