dosja 339

durres-4-1280x750.jpg
ad min14:50 | 28/06/2019

11 zyrtarë të Bashkisë së Durrësit do të merren ne pyetje javën e ardhshme në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për llogari të hetimeve të dosjes “339”. Ata janë ndër personat emrat e të cilëve kanë dalë në përgjimet e publikuara nga “Bild”.

Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur valën e marrjes në pyetej të zyrtarëve lokale të Bashkisë Durrës, pas publikimit të përgjimeve nga gazeta Gjermane “Blid”. Nga data 1 deri më 5 Korrik përballë dy prokurorëve Dritan Prençi dhe Vladimir Mara do të jenë 11 zyrtarë të bashkisë Durrës. Këta persona janë punonjës të hipotekës, portit dhe të bashkisë.

Organi i akuzës i ka thirrur për t’i pyetur në lidhje me përfshirjen e tyre në përgjimet e bëra publikë nga “Bild”. Deri më tani janë pyetur shumë zyrtarë të lartë të organeve të qeverisjes në qytetin bregdetar.

Burime kanë konfirmuar për ABC News që shumë shpejtë do të jenë para organit të akuzës për të dhënë deklarime dhe personat të cilët janë kanë dalë nga përgjimet e dosjes “184”, ku po hetohet për krimin zgjedhorë dhe për blerjen e votave për Bashkinë e Dibrës.

Në përgjimet e publikuara nga Bild rezultoi i përfshirë në këto përgjime ish-ministri Damian Gjiknuri dhe Ymer Lala.

Grupi i të fortëve të Shijakut më në krye Astrit Avdylajn  po hetoheshin nga organi i akuzës për trafik ndërkombëtar droge, por gjatë këtyre përgjimeve ata u zbuluan edhe teksa komunikonin me zyrtarë lokalë të së majtës në Durrës, se bashku me kryebashkiakun Vangjush Dako.

Nisur nga përgjimet e bëra publike organi i akuzës, ka ngritur dyshime të forta se Astrit Avdylaj së bashku me njerëzit e tij, siguronin vota për llogari të Partisë Socialiste, në këmbim të favorizimeve nga zyrtarët lokale të kësaj force politike. Prokuroria për Krime të Rënda, ka marrë më herët dëshminë e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako dhe deputetit të PS-së Ilir Ndraxhi./ABC News Albania 24/7

krimet-1.jpg
ent ela10:51 | 24/06/2019

Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë në pyetje Drejtorin e Hekurudhave në Durrës, Ani Dyrmishi, në kuadër të dosjes 339 emri i të cilit u përmend në njërin nga përgjimet e publikuara nga e përditshmja gjermane Bild.

Në përgjimet e publikuara, Dyrmishi zbulohet teksa fliste me Astrit Avdylin, ish i dënuar për vrasje. Biseda me Astrit Avdylin është bërë në kohën kur Ani Dyrmishi mbante postin e Drejtorit të Hipotekës në qytetin e Durrësit.

Burime thanë për Abc News se Dyrmishi e ka mohuar të ketë lidhje me Avdylin. Po ashtu, prokurorët e dosjes 339 kanë marrë edhe dëshminë e deputetit të PS, Ilir Ndraxhi, emri i të cilit lakohet gjithashtu në përgjimet e publikuara nga Bild.

Deputeti Ndraxhi i pyetur nga Abc News u shpreh se ka shpjeguar pozicionin e tij, ndërsa shtoi se nuk është në dijeni të bisedave  që ka bërë Astrit Avdyli.

“I mohoj akuzat në mënyrë kategorike unë kam asnjë lidhje me këtë person”, është shprehur Ndraxhi ndërsa në përgjime rezulton se vëllai i deputetit flet në telefon me Astrit Avdylin, ku ky i fundit e siguron se Ilir Ndraxhi do të jetë pjesë e listave të PS.

Në pyetje janë marrë edhe zyrtarë të tjerë lokalë, emri i të cilëve përmendet në dosjen 339./ABC News Albania 24/7

arta-marku.jpg
ad min13:41 | 20/06/2019

Ndryshe nga deklaratat e shumë politikanëve se përgjimet janë indicie, prokurorja e përgjithshme e përkohshme Arta Marku sqaron se nuk janë të tilla, por mjet në kërkim të provës. Në raportimin e punës së organit të akuzës në seancën plenare, kryeprokurorja e përkohshme u shpreh se ka ardhur koha që këto çështje të zgjidhen.

Tani është momenti që të pastrohen nga pluhurat dosjet 339 dhe 184. Në këtë përfundim ka arritur kryeprokurorja e përkohshme Arta Marku pasi i bën edhe kronologjinë e rrjedhjes së ngjarjeve.

Janë dy çështje që janë regjistruar të dyja në vitin 2016. Nga viti 2016 deri në fund të shtatorit 2018 të vetmet veprime të kryera kanë qenë përgjimet. Ka pasur vetëm transkripto bisedash dhe numrash sporadikë.

Në fund të shtatorit 2018 për të dyja çështjet janë caktuar prokurorë të tjerë. U është kushtuar e gjithë rëndësia e duhur dhe për 339 është caktuar një grup prej 3 prokurorësh dhe 11 oficerësh policisë gjyqësore. 339 në momentin që është marrë nga prokurorët e tjerë ka pasur 7074 CD dhe DVD të patranskriptuara. Aktualisht pas 9 muajsh janë transkriptuar pothuajse të gjitha CD-të. Janë regjistruar 74 emra personash si persona nën hetim, janë dërguar për gjykim shumë prej tyre dhe 12 janë dërguar sëfundmi. Jam dakord me të gjithë ata që mendojnë se këto çështje duhen zgjidhur, ka ardhur momenti që të zgjidhen”.

Zgjidhjen e kërkon edhe për prokurorët që i kanë nxjerrë nga sirtarët e organit të akuzës.

Për nxjerrjen e sekretit po hetohet aktualisht nga Prokuroria e Krimeve të rënda.

Në të njëjtën çështje me 339-n. Nisja e çështjes nuk është bërë pse dolën sekretet dhe përbënte problem nxjerrja e atyre të dhënave. Nisja e çështjes është bërë pasi nxjerrja e sekretit nga oficerët e policisë gjyqësore përbën vepër penale dhe kjo nuk mund të anashkalohet.

E ftuar në këtë seancë parlamentare për të  prezantuar raportin e prokurorisë për vitin 2018, Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme i duhet të përballej edhe me komentet e opozitës së re.

“Përgjimet nuk janë as indicie, por janë një mjet për kërkimin e provës”, tha Marku./ABC News Albania 24/7

arben-cuko-1280x708.jpg
ent ela10:34 | 11/06/2019

Dërgohet për gjykim një pjese tjetër e dosjes 339, me 6 të pandehur. Në Gjykatën e Krimeve të Rënda do të jetë sërish ish-drejtori i burgjeve Arben Çuko shoferi i tij Qerim Musha, Fatos Llatfiu, Denis Llatfiu, dhe dy të tjerë. Ish-deputeti i partisë Socialiste u arrestua në tetor të vitit të kaluar në kuadër të operacionit “Volvo 4”.

Sipas përgjimeve të bëera publike, ish-deputeti Çuko, kishte folur në celular me Jasin Avdylin për të bërë trasferimin e një të burgosuri nga burgu i Bradasheshit në atë të Fierit. Ndërsa organi i akuzës e ka hetuar atë edhe për korrupsion pasi dyshohet se në periudhën kur ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i burgjeve Çuko merrte para nga të dënuarit për të lejuar celularë brenda qelive.

Krimet e Rënda e kanë dërguar deri në 74 numrin e personave të cilët janë marrë nën hetim dhe shifër kjo që mund të rritet. Të pandehurit e kësaj dosjeje do të përballen në gjykatë me akuzat “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve, trafikim i narkotikëve, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”,  “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, “Korrupsioni pasiv” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

/ABC News Albania 24/7

MIRELA-ME-SPARTAKUN.mpg_snapshot_01.50-1280x720.jpg
ad min22:21 | 07/06/2019

Në një deklaratë për media drejtuesja e Prokurorisë së  Krimeve të Rënda Donika Prela, tha se dosja “339” ka 624 CD dhe 115 DVD përgjime të cilat kanë nisur që në vitin 2016. Prela i mëshoi faktit që dosja është voluminoze dhe deri me tani janë nën procedim 74 persona numër ky që do të rritet ne vazhdim.

I ftuar në “Mbrëmje Ide”, gazetari i kronikës Spartak Koka u shpreh se Donika Prela ka dashur të japë disa mesazhe me deklaratat e saj, fillimisht për të shfajësuar veten dhe e dyta për të adresuar tek dy prokurorët e parë (Anton Martini dhe Besim Hajdarmataj) përgjegjësinë e mos hetimit për shitblerjen e votave në  zgjedhjet e vitit 2017 dhe nxjerrjen e përgjimeve në media.

Mirela Milori: Shumë informacion, përgjimet e publikuara tek “Bild” . Pyetja është Prokuroria jonë nuk ka kapacitete dhe vitet e fundit është në nivele të ulëta të hetimit , apo e ka bykosur politika duke e përdorur si vegël?

Spartak Koka: Kapacitet edhe nuk janë nga pikëpamja administrative, por ka një qaravitje të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.  Është një dosje që ka nisur hetimi që në Dhjetor të vitit 2016. Për shkak të kompleksitetit të veprave penale të përfshira në këtë dosje, duhet të kishin një reagim më pro-aktiv.  Sot pamë drejtuesen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila u kujdes të theksonte se në kohën kur e kanë marrë dy prokurorët e fundit të çështjes janë bërë veprime hetimore cilësore. Por ka ngritur edhe disa pikëpyetje të cilat lidhen me hetimin, por edhe me nxjerrjen e sekretit hetimor.  Sepse janë 3 vjet hetime  pa konkretizim dhe normalisht  që në këto kushte do të shpërthejnë edhe  publikimi i  përgjimeve të cilat  sigurisht do të përdoren nga forcat politike, sepse u intereson të përdorin informacion kundër kundërshtarit të tyre aq më pak kur kemi të bëjmë me krim të dyshuar elektoral.

Mirela Milori: Duke qenë se e konsideron si dosjen më të madhe në historinë e Prokurorisë shqiptare , 74 persona në hetim ku jepen të dhëna dhe duket si një deklaratë që humbet mes shifrave , janë 624 CD dhe 115 DVD , përgjime që kanë nisur që në vitin 2016 dhe ndoshta ka njerëz që duhet të zbardhin përgjimet. Nga ana tjetër ne shohim të “Bild” që jo vetëm i zbardh përgjimet në anglisht dhe gjermanisht , por edhe me titra shqip, dëgjojmë edhe audion shqip. Pra mungon logjistika, por mungon edhe kapaciteti njerëzor dhe nëse është kjo logjistikë mund të vihet në përdorim?

Spartak Koka: Mund ta përkthejmë fjalë për fjalë se çfarë tha Donika Prela sot. Që nga pjesa e parë, u kujdes të thoshte se ishte Anton Martini prokurori i parë, i cili e kishte referuar çështjen dhe e hetonte çështjen për dy vepra penale “prodhim shitje narkotikësh” dhe “trafikim të lendeve narkotike”. U kujdes të thoshte se përgjatë një viti hetim të bërë nga Anton Martini, pavarësisht se kishte përgjime brenda dosjes për përfshirje në shit-blerjen e votave , nuk u krye asnjë veprim i hapur  për të provuar thëniet në përgjimet telefonike se kishim të bënim me shitblerje të vota-ve. U kujdes gjithashtu të deklaronte se dosja kaloi më pas tek Besim Hajdarmataj, prokurori i dytë i çështjes dhe në këtë rast, drejtuesja e Prokurorisë Donika Prela, u  kujdes të tregonte se edhe në këtë rast, se nuk është bërë sipas saj asnjë veprim i hapur për të provuar veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve publikë apo të të zgjedhurve vendorë, apo për të provuar shitblerjen e votave përgjatë zgjedhjeve të viti 2017. Ndërkohë deklaroi se është bërë punë voluminoze dhe u fut në ato shifrat që ju thatë por pa asgjë konkrete. Edhe një aspekt tjetër, ajo deklaroi për t’u mbrojtur se transkriptimet e CD-ve janë bërë pjesore deri në Shtator të vitit 2018  dhe ato që kanë dalë në media janë ato përgjime të transkriptuara para se të merrej nga dy prokurorët aktual të dosjes. A ka një problematikë që këtu nuk funksionon? Të gjithë shqiptarët e dinë tashmë se në këtë dosje ka një reagim shumë të madh, një presion shumë të madh dhe mund të jetë administrativ apo mund të jetë politik ne nuk e dimë. Ne dimë që në vitin 2017 është diskutuar fort për këtë dosje dhe u komentuan në atë kohë se pse u transferua Anton Martini  si prokuror i çështjes në fjalë i dosjes “339” e vitit 2016 , se përse u transferua në Nëntor të vitit 2017 si drejtues i Prokurorisë së Shkodrës. Këtu kishte pikëpyetje të mëdha.

Mirela Milori: Mendon që ka një simbiozë le të themi dhe mes mungesës së logjistikës dhe mes mungesës së kapaciteteve , por edhe mes ndërhyrjes së politikës. Kjo reforma në drejtësi që ne po presim, do ta vërë në trakun e duhur në shinën e duhur Prokurorinë? Apo përsëri do të jetë një riciklim i situatës me makiazh tjetër, kur t’iu duhet, politika do ia gjejë anën ta përdori  dhe tjetra  këto dosje do të flenë në prokurori dhe do ti lexojmë ne në media. Dhe kur të mos i duhen politikës do të kemi dosje edhe më të rënda dhe ne nuk e dimë fare sepse janë në hije.

Spartak Koka: Tani kjo dosje ka marrë shumë koka në pikëpamjen e emërimeve , shkarkimeve apo dorëheqjeve të krerëve të institucioneve të ndryshme. Vetëm t’iu kujtojmë dorëheqjen ende sot misterioze të Fatmir Xhafajt , si ministër i Brendshëm dy ditë pas arrestimit të 44 vetave të kësaj dosje , tregon për çfarë përfshirje politike ka në këtë çështje. A ka kapacitete Prokuroria sot? Donika Prela dhe drejtuesja e Prokurorisë së Përgjithshme Arta Marku duhet të ishin shumë më të vendosur para disa muajsh dhe të mos dilnin sot të qarraviteshin që nuk kemi mundësi. Por, ti kërkonin me vendosmëri Parlamentit, deputetëve, Presidentit po ashtu, që t’iu garantonin infrastrukturën e nevojshme  për dhënie përparësi këtij hetimi. Çdo zvarritje hetimi, nuk sjell drejtësi është drejtësi e mohuar, sepse provat mund të zhduken dhe nuk do të kemi një vënie drejtësie në vend për këtë skemë të dyshuar të korrupsionit, apo për këtë skemë të dyshuar të përfshirjes së grupeve të strukturuara kriminale , në blerjen e votave por edhe në ndikimin në administratën politike dhe publike  të qarkut Durrës. Politike flas për strukturat drejtuese të PS-së dhe publike flas për  ndikimin në vendimmarrjen e bashkisë së Durrësit apo në bashkinë e Shijakut, sikurse dolën nga përgjimet.

Mirela Milori: Pretendimi i Prokurorisë është që prishet hetimi , duke qenë se dosja po del me pjesë dhe është pretendim i Prokurorisë dhe i PS-së, se kjo gjë dëmton hetimin. Mendon se vërtetë e dëmton hetimin , sepse mund të këtë një kthesë dramatike po të hetohej e tëra sepse nuk do dihej se si do të dilet deri në fund, ku të mirët do dilnin të këqij dhe të këqijtë do dilnin të mirë?

 Spartak Koka: Teorikisht ka një farë të drejtë, por praktikisht ka një mungesë sensi logjik.  Prokurorja Prela vetë e pranon se nuk janë bërë veprime të hapura për të provuar veprat penale të shit-blerjes së votave,  të korrupsionit pasiv  nga ana e të zgjedhurve vendorë  apo edhe ushtrimit të ndikimit të paligjshme gjatë viti 2017 dhe viti 2018. Prokurorja Prela pranoi se me ato prokurorë që ka patur më parë ka dështuar të sigurojë provën konkrete. Nga ana tjetër thotë që të bllokohet dalja e këtyre përgjimeve. Për cilat përgjime po flasim? Po flasim për ato përgjime të 2017 dhe 2018 ku subjekte e përfshira në këto përgjime janë vënë në dijeni se kush ka qenë i përgjuar. Por nëse mund të flasim për përgjime që mund të jenë të ditëve të sotme apo të muajve të fundit të cilat mund të prishnin provën atëherë mund të cënohej hetimi. Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Përgjithshme, kanë në mungesë strategjie të komunikimit publik dhe  po tregohen amatorë  përsa i përket  nxjerrës së strategjisë së saj hetuese,  për fakte të caktuara dhe për dosje të caktuara dhe ka rënë në këtë kontradiksion logjik  edhe mbi të gjitha ligjor . Sepse nga njëra anë pranon se nuk u arritën të siguroheshin provat në 2017 dhe thua nga ana tjetër kërkon të mos dalin përgjimet e 2017, për të cilat subjekte e përgjimeve janë vënë në dijeni  në rrugë të ndryshme. Por çfarë provash do të sigurosh? Për ti konkretizuar  përgjimet e 2017, për shit-blerjen e votave në prova dhe fakte tashmë është shumë vonë.

“Mbremje Ide” i ftuar Spartak Koka

Mirela Milori: A mendon se reforma në drejtësi do ta tundi prokurorinë, apo do ketë makiazh?

Spartak Koka: Sot jemi në një rreth vicioz ku prokurorët nga njëra anë  kanë frikën si do iu shkojë çështja e vettingut, mendojnë  të marrin masa apo mos të marrin. Ata janë në dilemën si të hetojmë dhe sa të hetojmë nga frika si do shkojnë gjërat. Ne e dijmë se këtu ka prokurorë apo drejtues policie që kanë bërë punë me përkushtim, profesionalizëm dhe devotshmëri dhe janë nxjerrë në rrugë bashkë me familjet e tyre dhe  ata janë detyruar të emigrojnë, për shkak se nuk iu është ofruar asnjë lloji mbrojtje. Çfarë garancie iu ofrojmë ne si shtet që të bëhen hetimet të mira , proaktive dhe të mbrohen këta prokurorë?!

Mirela Milori: Deri tani garancitë janë apo janë zero?

Spartak Koka: Unë mendoj se garanci nuk ka, për të bërë hetime të mira, pavarësisht se nuk dua të paragjykojë dy prokurorët  e çështjes në fjalë që kanë një eksperiencë të gjatë si prokurorë. Por a do mund ata Mara dhe Prenci bashkë me prokurorin e tretë që po heton nxjerrjen e sekretit hetimor që të konkretizojnë hetimet kjo mbetet për tu parë. Kemi një prokurori që është e pamundur të veprojë cilësisht për të zbërthyer këto vepra kriminale të cilat cënojnë rëndë funksionalitetin e demokracisë në vend. Për sa kohë ne e dijmë që flitet në vendin tonë në të gjithë këtë periudhë tranzicioni për shit-blerje të votave dhe ndikimit të grupeve kriminale në zgjedhje, por asnjëherë të provuar, kjo dosje do ishte një ogur i mirë për të ndërmarrë një reformë, se si ti largojmë grupet kriminale nga vendimarrja politike dhe përfshirja e tyre në fushata zgjedhore.

Mirela Milori: Trysnia e madhe vjen nga politika, sepse politika dhe krimi janë të lidhura kaq fortë sa ndikojnë deri në punën e prokurorisë apo është vetëm politika dhe shantazhi i krimit nga njëra anë?

Spartak Koka: Grupet kriminale në Shqipëri janë subjekte me kuptim të dyfishtë, për shkak të karakterisitkat e grupimeve  politike, me një shtrirje territoriale të caktuar, me një grup administrativ, me rregulla të struktura të funksionimit. Nga ana tjetër ndihmojnë në vendimarrjen, në përzgjedhjen e kandidatëve  dhe menaxhimin e pushtetit. Pra ndihmojnë në fushatat zgjedhore; ndihmojnë në përzgjedhjen e kandidatëve sepse përgjimet e fundit treguan se ata ndihmojnë dhe japin indicie për përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin vendor; ndihmojnë në menaxhimin e pushtetit pasi fitohet dhe shpërndarjen e burimeve financiare  duke u bërë  protagonistët kryesorë të lejeve të ndërtimit në pushtetin vendor apo të tenderave.

Mirela Milori: Të flasim pak më realisht,  për këtë Shqipërinë informale ku paraja informale është prezente prej vitesh.

Spartak Koka: Realisht po flas për dy fenomene prezente në shoqëri; prodhimin mafioz të politikës dhe prodhimin politik të mafies. Këto janë dy fenomene që ne i ndeshim përditë.

Mirela Milori: Sa e lehtë është për tu arritur që të goditen këto të dyja? Duke e parë si film nga jashtë mund të duket shumë e lehtë. Sa e vështirë është , pasi ka 30 vjet që punohet kjo lloji paraje, ka 30 vjet që punojnë këto linja, të cilat erdhën në fillim si linja dytësore dhe tanimë mund të jenë bërë dhe linja kryesore. Të cilat ndonjëherë nuk afrohen këta te politika , por ju shkon politika tek ata. Pra është një rreth vicioz i një marrëdhënie të dyfishtë që nuk do ta kuptojmë ndoshta dhe do duhet një studim dhe një investigim shumë i thellë. Duke e parë kështu , sa e lehtë është kjo ? A mund ta bëj vetëm një prokurori  që duke i dhënë statusin , kalove vettingun dhe vazhdo e bjeri, si mund të arrihet?

Spartak Koka: Që grupet kriminale këtu  kanë evoluar duke kaluar nga vetëm trafikimi i lëndëve narkotike duke u marrë dhe me pushtetin politik, me tenderat publik që jepen sot, apo me lejet e ndërtimit ky është një fakt i pranishëm në vendin tonë që në vitet 2004-2005 ku grupet e strukturuara kriminale filluan të ndryshojnë fizionominë e tyre  dhe të kuptonin se sa e rëndësishme është për ta, të ishin pragmatist për të kuptuar se cila forcë politike do vinte në pushtet apo cili kandidat për kryetarë bashkie  kishte potencialet për të ardhur në pushtet, për ta shfrytëzuar  më pas mbështetjen që do i jepnin një kandidati për përfitime nga qeverisja lokale apo qëndrore .Do jetë shumë e vështirë që situata të ndryshojë pa patur një vullnet politik të qartë të të gjitha forcave politike.

Mirela Milori: Përsëri politika, duhet vullneti politik në sfond?

Spartak Koka: Po kjo drejtësi është nën hyqmin apo frikën e politikës, pasi çdo veprim i prokurorëve që do cënonte interesa madhore të një partie politike që është në pushtet, mund të sillte për pasojë transferimin e tyre apo uljen në detyrë apo dhe persekucione të tjera të cilat do dëmtonin ushtrimin e ligjshëm dhe cilësorë të detyrës së tyre.

Mirela Milori: A ka dosje të tjera përveç asaj 339 dhe 184 të kësaj natyre për krim elektoral dhe shitblerje të votive? A mendon se do ketë informacione të tjera?

Spartak Koka: Këtu në vitin 2017 ka patur me dhjetra materiale të referuar në prokuroritë e rretheve gjyqësore  për shitblerje të votave. Ajo që ka munguar në atë periudhë dhe sot është hetimi i këtyre dosjeve. Ne nuk dijmë asnjë rast të hetuar dhe të provuar nga prokuroria për shitblerje të votave për 2017. Pavarësisht faktit se në 2017 në disa raste u dërguan në prokurori nga kandidatë të caktuar edhe pamje filmike se si blihej vota dhe si bëhej pazar me votën. Këto çështje u zvarritën ose u pushuan hetimet për arsye proceduriale. Pra këtu ka munguar vullneti për të hetuar këtë krim elektoral,  i cili për shumë drejtues të pushtetit vendor është kthyer në një gjë normale, ata nuk bëjnë dot pa grupet kriminale por dhe krimi nuk bën dot pa ta, në këtë simbiozë për të cilën dhe ju folët./abcnews.al

RAMA-FLET-PER-PERGJIMET-E-BILD.mpg_snapshot_00.22-1280x720.jpg
ent ela12:26 | 07/06/2019

Shantazh Politik janë video përgjimet e dosjes 339/1 . Është ky reagimi i kryeministrit Edi Rama për publikimin e tyre nga gazeta Bild. Por që sipas kreut të qeverisë janë dërguar në redaksinë gjermane nga Partia Demokratike.

Një dosje e mbajtur në sirtar nga prokuroria, jo rastësisht, por për të shantazhuar kryeministrin dhe të gjithë ngrehinën e tij politike. Kështu e sheh numri një i qeverisë publikimin e video përgjimeve nga gazeta gjermane Bild.

“Për sa i përket aspektit hetimor këtu ka diçka se nuk kam dëgjuar askënd ta thotë, por kjo është një dosje që është mbajtur në sirtar për shantazh politik. Dhe kjo është një dosje që tregon se reforma në drejtësi do shkaktojë tërmet. Por skandali është se kjo gjë është mbajtur në sirtar dy vjet për t’u nxjerrë tani për shantazh politik”.

Një mendje i thotë se është Partia Demokratike që ka zgjatur duart drejt kësaj dosje dhe e ka shpërndarë edhe përtej Shqipërisë.

“Ti Sokol ke dyshime që i kanë nxjerrë vetë prokuroria? Skandali është që kjo çështje është mbajtur për 2 vjet dhe është përdorur nga një parti politike. Keni dyshim që këtë e kanë nxjerr prokurorët apo që ka kaluar përmes PD, përmes zëdhënësave të Partisë Demokratike? Nëse prokuroria do ta kishte marrë këtë çështje e do ta kishte zgjidhur nuk do ishim këtu tani”.

Kjo nuk ndodhi dhe kyt është fakt sot. Sa për përmbajtjen e video përgjimeve kryeministri duket I pashqetësuar pasi ato janë thjesht indicia sipas tij. Por nuk është kundër që kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako t’i përgjigjet prokurorisë.

“Jemi në kushtet kur kryetari i bashkisë së Durrësit nuk është më kandidat. Është një person i lirë që duhet të përgjigjet deri në fund. Përgjimet nuk janë prova, janë indice. Shikoj që ka një shëmti dhe më vjen për të vjellë kur dëgjoj biseda të caktuara”.

“Dako nuk është kandidat i Durrësit dhe as i Shijakut. Unë e kam thënë edhe më parë kjo ka qenë vendimmarrje e dakordësuar me vetë Vangjushin që i erdhi shpirti në majë të hundës nga ky sulm politik. “S’kam ndërmend të bëhem shënjestra e gjithë dynjasë” – më tha. Dako është një njeri i lirë dhe duhet të përgjigjet për të vërtetën. Përgjimet nuk janë prova por indicje për të arritur te e vërteta,” – tha Rama.

Por nuk la pa përmendur edhe të kaluarën e familjes Avdylaj, jo për historikun e tyre të përballjes me drejtësinë, por atë të mbaështetjes që i kanë dhënë Partisë Demokratike.

“Megjithatë kjo dosje nuk shtyn zgjedhjet vendore  e as nuk prek rezultatin e fitores së socialistëve”- shprehet i sigurtë kryeministri Edi Rama. /ABC News Albania 24/7

 

bild-pergjimet-1280x703.jpg
nev ila14:00 | 05/06/2019

Gazeta gjermane Bild ka publikuar disa përgjime, pjesë të dosjes 339 ku shfaqen në komunikime të drejtpërdrejta për vota kreu i bandës së Avdylajve me kreun e bashkisë Durrës dhe kreun e bashkisë Shijak. Në përgjime përmendet drejtpërdrejt edhe emri i kryeministrit Edi Rama.

Gazeta prestigjioze gjermane Bild ka publikuar disa përgjime, pjesë të dosjes hetimore zyrtare të prokurorisë së krimeve të rënda numër 339/1, lidhur me aktivitetin kriminal të organizatës së trafikut të narkotikëve, i njohur si “klani Avdylaj” në qytetin e Shijakut.

Gjatë përgjimeve ka rezultuar se në muajt pararendës të zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, klani kriminal i Avdylajve – shkruan Bild – është përfshirë thellësisht në blerjen e votave dhe intimidimin e zgjedhësve në emër dhe bashkëpunim të plotë me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialistë, përfshi kreun e bashkisë Durrës, qyteti i dytë më i madh në Shqipëri.

Përgjimi i parë është ai mes kreut të bandës, Astrit Avdylaj dhe Ivo Doçit, drejtorit të Ujësjellës Kanalizimeve Shijak. I pari i kërkon të dytit një listë të votuesve demokratë që punojnë tek UKT në Shijak, në mënyrë që Astriti të vijë e t’i shkundë që të votojnë për socialistët, në të kundër do të humbasin punen e tyre.

Blind argumenton se toni i drejtorit të UKT-së Ivo Doçi teksa flet me Avdylajt është ai i një vartësi, tregues ky i fuqisë që kreu i grupit Avdylaj ka në “përpjekjet e fushatës së socialistëve”.

Elton Arbana në kohën e përgjimeve ishte kreu i Partisë Socialiste në Shijak, sot kandidat i socialistëve për bashkinë atje.

Përgjimi i dytë mban datën 28 Mars 2017 dhe dëgjohet biseda mes kreut të bandës së Avdylajve dhe kreut të Bashkisë Shijak Ardian Kokomani ku Astrit Avdulaj kërkon vendosjen e një takimi mes tij, Vangjush Dakos dhe Ilir Ndraxhit, atëherë kandidat në perspektivë sot deputet i socialistëve në Parlament, me rekomandim të Avdylajve.

Përgjimi i radhës tregon Astrit Avdylajn teksa telefonin Elton Arbanën, kandidatin aktual të socialistëve për kryebashkiak në Shijak, i irrituar pasi Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar po vendoste gjoba mbi disa banorë të Sukthit dhe Astriti nuk arrinte të lidhej me Gjushin pasi ishte me Edin në Zvicër.

Në përgjimin e fundit dëgjohet Astrit Avdylaj teksa telefonon kreun e bashkisë Durrës Vangjush Dako teksa ndodhet tek Hipoteka së bashku me drejtorin atje dhe Vath Allën, një ish të dënuar për vrasje, që do të përfundojë punën në emër të Allës.

 

 

dorezohet-ne-gjykate.jpg
ad min12:38 | 03/06/2019

Dorëzohet në Gjykatën për Krime të Rënda pjesa e parë e dosjes 339, ku janë përcaktuar 12 të pandehur nga Prokuroria. Shorti ka përcaktuar gjyqtarin Fran Prendi për seancën paraprake, e cila do të përcaktoj nëse kjo dosje do të kaloj për gjykim ose je.

Të pandehur në këtë dosje janë: Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Gentjan Marku, Oltion Noka, Fation Marku, Samuel Ndoka, Vilson Ndoka, Elis Guri, Luan Boça.

Gjatë hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se i pandehuri Ramadan Dushaj, kamuflonte veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike me aktivitet të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore.

12 të pandehurit akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal, prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe krijim të grupit kriminal”.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda vazhdon hetimet për 339/1 ku pak kohë më parë është marrë në pyetje edhe Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako së bashku me zyrtarë të tjerë që kanë bërë fushatën në qytetin bregdetar.

Kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, ndërsa nuk kanë dalë detaje nga dëshmia e tij./ABC News Albania 24/7

13A367DD-D175-4D1B-B13C-47B819770053_cx0_cy7_cw0_w1023_r1_s.jpg
ad min11:50 | 03/06/2019

Pas takimit me delegacionin franko-gjerman, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u shpreh se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë pa kushte dhe se taksa ndaj produkteve serbe nuk do të hiqet.

Kreu i shtetit të Kosovës ka kërkuar sërish liberalizimin e vizave duke kërkuar që qytetarët të mos mbahen të izoluar. Ai theksoi se Kosova nuk do të pranojë kushte tjera për liberalizimin e vizave, sidomos jo në shkëmbim të kërkesave për tarifat apo për krijimin e asociacionit e komunave serbe në veri të vendit.

Pas takimit me Thaçin, delegacioni ndodhet në takim me kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj. Gjatë ditës është parashikuar edhe takimi me kryeparlamentarin Kadri Veseli./ABC News Albania 24/7

operacioni-volvo-4.jpg
ent ela17:19 | 27/05/2019

Pas mbylljes së hetimeve për “dosjen 339”, zbardhen emrat e 12 të pandehurve, mes të cilëve dy nipat e ish-deputetit socialist Arben Ndoka si dhe ish-kampioni i mundjes Elis Guri. Ndërkohë, vijojnë hetimet për pjesën 339/1, ku bëhet fjalë për shitblerjen e votave, shpërdorim detyre dhe lejet e ndërtimit.

ABC News zbardh emrat e 12 personave që janë marrë të pandehur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në kuadër të “dosjes 339”. Mes tyre, të bien në sy emrat dy nipave të ish-deputetit socialist Arben Ndoka, Vilson dhe Samuel Ndoka së bashku me ish-kampionin e mundjes Elis Guri.

Ndërsa të pandehurit e tjerë janë: Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Gentjan Marku, Fation Marku, Oltion Noka, Luan Boça

Gjatë hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se i pandehuri Ramadan Dushaj, kamuflonte veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike me aktivitet të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore. Pas disa muajsh hetime, organi i akuzës ka bërë gati kërkesën për gjykim, e cila në ditët në vazhdim do të mbërrijë te Krimet e Rënda ku do të hidhet shorti për trupin gjykues.

12 të pandehurit akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal, prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe krijim të grupit kriminal”. Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda vazhdon hetimet për 339/1, ku pak kohë më parë është marrë në pyetje edhe Kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, sëbashku me zyrtarë të tjerë që kanë bërë fushatën në qytetin bregdetar.

Kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, ndërsa nuk kanë dalë detaje nga dëshmia e tij.  Burimet kanë konfirmuar se Dako ka mohuar të këtë lidhje me grupin e Avdylajve dhe se është takuar me ta si me çdo zgjedhës tjetër. Por në përgjimet e bëra publike më herët në media, numri që përfundon me 300 e që dyshohet të jetë i Dakos, rezulton se ka shkëmbyer disa mesazhe me Jasin Avdylin, i cili i kërkon informacion në lidhje me një operacion të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono