dorezim

drilona-hoxhaj.jpg
G. P.11:50 | 24/09/2019

Partitë politike që morën pjesë në zgjedhjet e 30 Qershorit kanë afat deri më datë 26 Shtator për të dorëzuar raportin mbi të ardhurat e përfituara, shpenzimet e kryera, bilancet apo detyrimet që partia ka pasur qysh nga caktimi i datës së zgjedhjeve e deri në ditën e zgjedhjeve.

Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj, në një deklaratë për mediat tha se partitë politike e kanë detyrim këtë gjë, por deri më tani janë vetëm  5 parti që e kanë dorëzuar raportin.

“KQZ nisur nga fakti që për herë të parë partitë politike duhet të përfshijnë raportet financiare të fushatës së kandidatëve ka komunikuar në mënyrë të vazhduar me financierët e partive pritke duke iu kërkuar zbatimin e ligjit. Deri tani nga 36 parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 Qershorit pranë KQZ e kanë dorëzuar raportin vetëm 5 parti politike”.

Sipas zëdhënëses, KQZ do të marrë masa administrative ndaj partive që nuk e respektojnë ligjin.

“Brenda datës 26 Nëntor, audituesit ligjor duhet të depozitojnë raportet e monitorimit të fushatës ligjore dhe brenda datës 16 dhjetor 2019 raportet e auditivit financiar të partive politike. Raportet e dorëzuara në KQZ do të publikohen në faqen zyrtare brenda 10 ditëve nga dorëzimi i tyre”.

Sipas KQZ, dorëzimi i raporteve financiare të partive është faktor i transparencës si edhe një çështje e trajtuar gjerësisht në raportin e OSBE-së./abcnews.al

dorezohet-ne-gjykate.jpg
G. P.12:38 | 03/06/2019

Dorëzohet në Gjykatën për Krime të Rënda pjesa e parë e dosjes 339, ku janë përcaktuar 12 të pandehur nga Prokuroria. Shorti ka përcaktuar gjyqtarin Fran Prendi për seancën paraprake, e cila do të përcaktoj nëse kjo dosje do të kaloj për gjykim ose je.

Të pandehur në këtë dosje janë: Ramadan Dushaj, Rezart Çaçani, Fatbardh Gostini, Neritan Saraçi, Ardit Haxhagiqi, Gentjan Marku, Oltion Noka, Fation Marku, Samuel Ndoka, Vilson Ndoka, Elis Guri, Luan Boça.

Gjatë hetimeve të prokurorisë, ka rezultuar se i pandehuri Ramadan Dushaj, kamuflonte veprimtarinë e paligjshme të tregtimit të lëndëve narkotike me aktivitet të grumbullimit dhe shitjes së produkteve bujqësore.

12 të pandehurit akuzohen për “Kryerjen e veprave penale në kuadër të grupit kriminal, prodhim dhe shitja e lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe krijim të grupit kriminal”.

Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda vazhdon hetimet për 339/1 ku pak kohë më parë është marrë në pyetje edhe Kryetari i Bashkisë Durrës Vangjush Dako së bashku me zyrtarë të tjerë që kanë bërë fushatën në qytetin bregdetar.

Kryebashkiaku i Durrësit është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni, ndërsa nuk kanë dalë detaje nga dëshmia e tij./ABC News Albania 24/7

edi-rama-soreca.jpg
G. P.18:27 | 29/05/2019

Shqipëria dhe Bashkimi Evropian duken të bashkuar në këtë ditë. Kjo shihet nga mesazhet përtej ekranit, por edhe nga komunikimi jo publik i ambasadorit Luigi Soreca dhe kryeministrit Edi Rama.

Kanë një takim së bashku. Ambasadori i delegacionit evropian në Tiranë e përshkon rrugën drejt kryeministrisë për t’i dorëzuar të njëjtën përgjigje që i dhanë edhe një vit më parë, rekomandojnë çeljen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.

Siç e kërkon protokolli, ambasadori i delegacionit Evropian të Shqipërisë Luigi Soreca ia jep në duar kryeministrit Edi Rama progres-raportin e bërë publik nga Komisioni Evropian. Në fillim të fjalës folën me optimizëm për gjysmën plotë të gotës.

“Vettingu ka ecur përpara, ka avancuar duke nxjerrë në më shumë se 140 vendime”, tha Soreca.

“E pres me kuriozitet vendimin ku do i kërkohet vendeve të tjera të rajonit edhe atyre që po negociojnbë që të bëjnë po të njëjtën gjë. Që të bëjnë Vettingun e të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve ama me monitorim ndërkombëtar kushtetuese ditën kur një vend tjetër do ta fusë në Kushteutë ONM më lajmëroni që do jetë një ditë e bukur për mua”, tha Rama.

Pa harruar se ka edhe një gjysmë bosh që duhet mbushur me progresin që i kërkohet Shqipërisë të arrijë.

“Nevoja për një konsensus kombëtar për prioritetin madhor të integrimit evropian duke tejkaluar kështu polarizimin dhe duke treguar vullnet politik të fortë për të kaluar përtej ndasive partiake”, tha Soreca.

“Por unë mendoj që me ndihmën e opozitës rrugore ne mund t’ia dalim plotësisht”, tha kryeministri.

Kryeministri Rama është i vetëdijshëm se hapi i radhës drejt çeljes së negociatave nuk është i lehtë, pasi vlerësimi nuk është më teknik, por politik. Dhe këtu i duhet të thyejë rregullin e tij që të flasë në gjuhë të huaj për opozitën.

“Përkthyesi të mos përkthejë nga unë në gjuhë të huaj për opozitën, ama një gjë është e sigurtë nga raporti dhe këtë e kam apel për Lulzim Bashën dhe për atë pjesë të opozitës që është rrugëve deri në momentin e vendimmarrjes nga KiE është mirë që të mendojmë për Shqipërinë jo për partinë”, tha Rama.

E ka ftuar 6 herë për të dialoguar nëpërmjet letrave publike, nuk mohon se do ta vazhdojë këtë mënyrë komunikimi virtual.

“Thonë nuk ka 6 pa 7 dhe nuk e di por mbase do të ketë dhe një të shtatë”, tha Rama.

Një falenderim i dërgon presidentit Ilir Meta për dëshirën e shprehur për t’i ulur në tryezë palët kundërshtare, por i kërkon të mos sakrifikojë veten për shtyrje të zgjedhjeve sepse nuk do të ketë.

“Ne nuk kemi datë për të negociuar dhe nuk kemi Kushtetutë për të anashkaluar”, tha Rama.

E për t’u rikthyer tek tema e ditës, kryeministri Rama ka nxjerrë disa konkluzione mbi shkaqet që kanë vonuar çeljen e negociatave.

“Nëse opozita rrugore do të ndalonte dhe të mrrte frymë dthellë dhe t’i jepte një shans Shqipërisë, 1005 Shqipëria do të hapte negociatat. I vetmi element i panjohur në këtë ekuacion është opozita në rrugë”, tha Rama.

I druhet opozitës jashtë parlamentit se do të bëjë çmos që disa vendeve të Bashkimit Evropian të mos i lejojë të ngrenë dorën në qershor për t’i thënë po çeljes së negociatave me Shqipërinë./ABC News Albania 24/7

sims.jpg
G. P.14:31 | 24/05/2019

Jemi mësuar që të shpallurit në kërkim të kërkojnë ulje dënimi apo lehtësime të tjera gjatë negociatave për dorëzimin e tyre, por një histori ndryshe vjen kësaj here nga Amerika.

Një departament policie në Connecticut ka negociuar kushtet për dorëzimin e një të arratisuri në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo pasi 29-vjeçari Jose Simms, pranoi të dorëzohej nëse postimi në Facebook për shpalljen e tij në kërkim do të arrinte 15 mijë pëlqime.

I riu mendohet se fshihet në New York. Ai nuk shkoi në një seancë gjyqësore ndaj tij dhe në këtë mënyrë policia ka lëshuar për të shtatë mandate arresti.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, Sims kontaktoi me policinë dhe ofroi vetëdorëzimin nëse postimi i tij për shpalljen në kërkim do të arrinte 20 mijë pëlqime. Por pasi disa negociatave me oficerin Brett Johnson, Sims ra dakord për 15 mijë pëlqime.

“E vështirë, por jo e pamundur. Nëse e dini ku ndodhen mund të na e tregoni”, shkruante Johnson në Facebook.

Në vetëm 13 orë, postimi arrit në 9 mijë pëlqime. Ndërkohë tani ka shkuar në 26 mijë të tillë. Mesa duket erdhi koha që Jose Simms të dorëzohet sepse sido që të ishte, “luftën” me pëlqime në Facebook e kishte të humbur.

Para kësaj, ai kontaktoi edhe me “Associated Press” me anë të Facebook-ut dhe tha se ishte serioz për ofertën.

“Dua t’i nxis pak për punën e vështirë që po bëjnë për të më kapur mua”, shkroi ai./abcnews.al

 

dritan-hilaa123.jpg
G. P.21:13 | 26/03/2019

Moderatori Dritan Hila e konsideron djegien e mandateve nga ana e opozitës si një budallallëk. Sipas tij, edhe njerëz të ndryshëm brenda të djathtës nuk e kuptojnë logjikën e daljes nga parlamenti.

Nga emisioni “Provokacija”, ai theksoi se me këtë veprim i është lënë dorë e lirë kryeministrit Rama.

“Ne kemi ca njerëz që kanë dalë nga sistemi, një klasë politike që nuk e ka kuptuar se ça është ky sistem. Dalin nga sistemi, dalin nga parlamenti. Unë kam takuar njerëz, të cilët janë të djathtë dhe vijnë nga shtresa e të persektuarve, të cilët këtë nuk kuptojnë dhe nuk i japin dot një logjikë, dalja nga sistemi. Mua më duket Muçi se është një budallallëk tipik shqiptar dhe tani po përpiqen që të gjejnë një veshje evropiane. Janë lëshuar lart e poshtë për të treguar që na ka thënë dikush ne për arsye strategjie nuk po përmendim, janë tipike budallallëqe shqiptare të teorive komplotiste. Në fakt është një budallallëk shqiptar dhe kanë dalë nga parlamenti dhe tani nuk dinë. I kanë lënë dorë të lirë një njeriu që pikërisht këtë ëndërronte, që t’i dilnin nga parlamenti. Mos harroni se kanë për t’u bërë ligje në këtë parlament që kanë për t’i vuajtur shqiptarët në qoftë se nuk merr një rrugëzgjidhje.

Ky veprim i opozitës, në mos veprime të tjera banale nga mbrapa banale, që në përgjithësi janë banale, nuk kishte një shkak të dukshëm dhe objektiv për të dalë nga parlamenti, tha Hila.

Hila komentoi edhe reformën në drejtësi. Sipas tij, Rama nuk po e zë drejtësinë, por po ia merr ish-kryeministrit Berisha.

“Sa për këtë që thoni që po e zë Rama le të jemi më realistë. Nuk po e zë Rama. Po ia merr Berishës, Rama sepse deri tani drejtësia ka qenë me njerëz të Berishës. Kanë mbizotëruar njerëzit e Berishës. Unë shpresoj që në gjithë këtë reformë të dalë SPAK-u. Që të gjithë i tremben SPAK-ut dhe nuk më tremb ajo se një prokuror që ka fituar SPAK-un nuk është në gjendje të justifikojë një shtesë pallati që ka bërë. Mendoj që SPAK-u është dorë e amerikanëve. Biles sa më mirë që këta prokurorë janë pak të kompromentuar. Unë mendoj që është gjë e mirë se ishin amerikanët që u përqendruan te SPAK-u dhe duan të shmangin këto problematika. E kanë më kollaj që të heqin kontrollin partiak dhe të fusin kontrollin e prokurorisë”, tha moderatori i njohur./abcnews.al

mataj.jpg
G. P.15:54 | 02/03/2019

Pas rreth 5 muajsh në kërkim, Ervin Mata u vetëdorëzua në policinë e Tiranës për të sqaruar pozicionin e tij, lidhur me masakrën e ish-bllokut. Sipas burimeve Mata ka deklaruar në polici se ai nuk ka qëlluar dhe u largua nga lokali sapo u dëgjuan të shtënat me armë zjarri.

Ervin Mata, i shpallur në kërkim prej 5 muaj pas vrasjes  së ndodhur më 4 tetor në një lokal në zonën e ish-Bllokut , u vetëdorëzua në polici e Tiranës.

Mata u dorëzua tek blutë e kryeqytetit në prani të avokatit të tij. Gjatë marrjes në pyetje, Ervin Mata mësohet të jetë shprehur se nuk kishte qëlluar dhe as nuk kishte parë se kush qëlloi në drejtim të viktimës Fabian Gaxha.

“Unë u largova sapo nisën të qëllonin me armë zjarri”– mësohet të ketë deklaruar Mata në polici. Hetimet ndërkaq pritet të zbardhin rolin e tij në konfliktin mes dy grupeve në lokal.

Dy persona të tjerë Ervis Martinaj dhe Eljo Hato mbetën të plagosur në këtë ngjarje. Eljo Hato u lirua në saje të një garancie pasurore prej rreth 1 milionë lekësh, për tu hetuar në gjendje të lirë. Ai mbeti i paralizuar nga përplasja me armë mes dy grupeve, brenda ambjenteve të lokalit.

Nga hetimet e deritanishme Fabian Gaxha dyshohet se u qëllua për vdekje nga ish-komandoja Mervjol Bilo, i cili vijon të jetë ende në kërkim. Po ashtu në kërkim është edhe biznesmeni Eldi Dizdari, qe dyshohet nga prokuroria të jetë i përfshirë në këtë ngjarje.

Më herët jane vetëdorëzuar ne polici, pas shpalljes në kërkim , edhe Ajaks Boshnjaku dhe Fabio Allushi. Por ata u lanë të lirë më pas nga gjykata Tiranës.

Në polici është pyetur edhe e dashura e Ervin Matës, këngëtarja Elvana Gjata, e cila rrëzoi pistën që konflikti në lokal të ketë qenë pasojë e ngacmimit të saj nga viktima Fabian Gaxha. /abcnews.al

clirim-gjataa.jpg
G. P.14:42 | 20/02/2019

Sekretari për çështjet ligjore në Partinë Demokratike, Çlirim Gjata, tha në ABC News se po përgatiten deklaratat në të cilat deputetët e PD-së do të dorëzojnë mandatet e tyre. Ai theksoi se dorëzimi i mandateve është nominal dhe jo kolektiv.

Ndërkohë që deputetët do ta dërgojnë deklaratën e tyre në Kuvend, pjesa tjetër, që gjendet në listat e PD-së dhe që fiton automatikisht mandatin për shkak të dorëzimit të të parëve, do ta dërgojë deklaratën në KQZ.

“Po përgatiten deklaratat sepse ato bëhen nominale. Të gjithë deputetët kanë rënë dakord. Është shtruar në kryesi. Sot vulën e fundit e ka Këshilli Kombëtar. Absolutisht një gjë na thonë qytetarët, jeni të vonuar. Do jetë deklaratë noiminale e njëjtë për të gjithë. Ne si opozitë heqim dorë dhe nuk pranojmë zëvendësismin e mandateve. Ligji e ka, kur mbaro lista e partisë dhe koalicionit, maron lista, s’ka më nuk kalon se nuk ka koalicion. Kur mbaron lista e partisë nuk ke ku shkon herë tjetër”, tha Gjata.

Gjata renditi dhe arsyet se pse u mor ky vendim.

“Në të paktën tre qarqe është vërtetuar që janë përgjuar duke biseduar me kriminelë për të blerë vota dhe kjo nuk hetohet sepse prokurorinë e ka kapur Edi Rama. Me ça ti mbajmë ne kriminelët me komisionerë votimi? Ata kërkojnë një ndërhyrje jo të fortë politike, një tërmet, vullkan politik prandaj u mor ai vendim. Ai popull foli, ne lexuam protestën. Kjo qeveri ka rënë, ka rënë ky parlametn. Mënyra si sillet qeveria me ligjin dhe kushtetutën, ka rënë kushtetuta dhe ligji.

Djegia e mandateve nuk është qëllim në vetvete. Po bëhet për të ndryshuar regjimin. Nuk ka mbetur asnjë rrugë tjetër demokratike që të ndryshohet diçka”, tha Gjata./abcnews.al

donald-lu.jpg
G. P.15:51 | 15/01/2019

Për gati dy vjet ka qenë ambasadori i SHBA-së, Donald Lu, ai që në mënyrë të përsëritur e publikisht e ka evidentuar si dështim të Shqipërisë moskapjen e Klement Balilit edhe pse kishte një mandate arresti për të. ABC Neës ju sjell disa prej këtyre deklaratave që pasqyronin zhgënjimin e SHBA.

Qeveria shqiptare ka qenë gjithmonë në presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për prangosjen e Klement Balilit të ashtuquajturit  Eskobari i Ballkanit. Në të paktën katër dalje publike ish-ambasadori Amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka kërkuar arrestimin  e Balilit. Për herë të parë, Lu kërcënoi autoritet ligjzbatuese në Shqipëri, në rast se nuk arrestohet i shumëkërkuari Klement Balili.

“Si mund ta shpjegojmë ndryshe faktin që trafikanti i paprekshëm i drogës, Klement Balili është ende i lirë. Por nëse në arrestimin e Klement Balilit ish zyrtar në Sarandë përfaqëson një dështim të madh të policisë dhe të sistemit të drejtësisë”, tha Lu.

Më tetor 2017 Donald Lu e pagëzoi Balilin si magjistar, pasi shumë operacione për kapjen e tij kishin dështuar.

“Magjistari Klement Balili, një trafikant droge i kërkuar nga agjencia e DEA-s por që ia ka dalë t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare falë paaftësisë së prokurorëve, policisë dhe Ministrisë së Drejtësisë”.

Te shkolla e magjistraturës ambasadori e rendit mes disa emra të famshëm kriminelësh shqiptarë.

“Katër klane kriminale kontrollojnë 20 familje kriminale që menaxhojnë operacione kriminale ku përfshihen trafiku njerëzor, shantazhi, vjedhja e makinave dhe pastrimi i parave”.

Deri në ditët e fundit në detyrë ambasadori Donald Lu nuk la rast pa e nënvizuar si dështim të Shqipërisë mosarrestimin e Klement Balilit.

“Klement Balili, ne amerikanët besojmë se ai është akoma në Shqipëri dhe besojmë se ai do të arrestohet në ditët në vijim. Po shtyjmë shumë për këtë. Dua të theksoj një dështim të qeverisë , prokurorisë dhe policisë, për të arrestuar Klement Balilin. Për dy vjet, policia dhe prokurorët nuk kanë pasur aftësinë apo vullnetin që ta arrestojnë. Askush nuk është mbi ligjin. I bëj thirrje Kryeministrit Rama, ministrit Xhafaj, policisë dhe prokurorëve që të vazhdojnë luftën kundër krimit të organizuar pa mëshirë”.

Cka solli edhe reagimin e vetë kryeministrit pas këtyre shigjetimeve të përsëritura, duke kujtuar edhe Balili kishte qenë një funksionar vendor i zgjedhur nga LSI.

“Unë e mirëkuptoj shqetësimin që nënvizoi nuk e di për të satën herë, miku ynë, ambasadori, për një nga profilet më të larta të krimit të organizuar. Normalisht që padiskutim arritja në kapjen e këtij personazhi të botës së krimit është një domosdoshmëri dhe do të jetë sukses i madh. Mos të harrojmë se nuk ishte 40 vite më parë, vetëm pak vite më parë, ky ishte drejtor, ishte drejtor i lidhur politikisht. Dhe politikisht i provuar drejtor. Dhe çuditërish jo drejtor peshkimi por drejtor transporti. Sot është në kërkim dhe patjetër që në bashkëpunim me partnerët, herët ose vonë do të kapet. Siç tregojnë dhe shembujt nga vendet e tjera, herët ose vonë do të kapet”.

Pavarësisht insistimit të përsëritur publik e jo publik, ambasadori Lu u largua nga vendi ynë pa e parë të ekzekutuar për dy vjet urdhër arrestin për Klement Balilin./abcnews.al

trump-2-1280x854.jpg
G. P.22:55 | 20/06/2018

Presidenti Trump është dorëzuar përpara kritikave në adresë të politikave të tij për emigracionin, duke firmosur një urdhër ekzekutiv që ndërpret praktikën e ndarjes së fëmijëve të emigrantëve nga prindërit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka firmosur të mërkurën një urdhër ekzekutiv që garanton ruajtjen e unitetit familjar të emigrantëve. Lëvizja e kreut të shtetit vjen pas valës së kritikave që ranë mbi Shtëpinë e Bardhë për shkak të ndarjes së fëmijëve nga prindërit e tyre.

Trump ka deklaruar se pamjet e fëmijëve që u merreshin prindërve ndikuan në vendimin e tij. Më herët, presidenti republikan u kishte bërë thirrje ligjvënësve që të miratonin një draft që i jep fund ndarjes së familjeve. Sidoqoftë, Trump nuk do të tërhiqet nga përforcimi i ligjeve për emigracionin ilegal.

“Nuk më pëlqen të shoh familje që ndahen, por administrata do të vazhdojë politikën e saj me tolerancë zero”, ka thënë Trump.

Zëvendëspresidenti Mike Pence dhe sekretarja e Departamentit për Sigurinë e Brendshme, Kirstjen Nielsen, që kanë qenë fytyra e politikave radikale të Shtëpisë së Bardhë, ishin të pranishëm për firmosjen e urdhërit.

Më herët gjatë së mërkurës kryetari i grupit parlamentar republikan, Paul Ryan deklaroi se Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë të enjten një legjislacion për të mbajtur familjet të bashkuara.

 “Ne nuk dëshirojmë që fëmijët të ndahen nga prindërit dhe mund t’i forcojmë ligjet kundër emigracionit pa e bërë këtë”, tha Ryan./abcnews.al

eduard-halimi.jpg
G. P.16:21 | 09/02/2018

Deputeti demokrat, Eduard Halimi, ka dhënë dorëheqjen nga posti i deputetit të parlamentit shqiptar. Lajmin e konfirmoi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku deklaroi angazhimin e tij të mëtejshëm në një projekt të së drejtës ndërkombëtare private në një rrjet në Ballkan.
Vendin e tij në Parlament për demokratët e merr emri i radhës në listën shumëemërore të Beratit.
Astrit Veliaj do të zëvendësojë deputetin e tërhequr në Kuvend pasi të bëj betimin në parlament.
Halimi në postimin e tij falenderoi ish-kryeministrin Berisha për mundësinë që i dha, Lulzim Bashën për besimin në detyrat politike prej 2013-s dhe gjithë kolegët, votuesit, mbështetësit si dhe mediat./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono