dorëheqje

oerd-bylykbashi-1.jpg
G. P.15:43 | 18/08/2019

Partia Demokratike e konsideron të jashtëligjshme mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, në kushtet kur nga zgjedhjet e paligjshme të 30 Qershorit nuk ka asnjë kandidat fitues, pas largimit të Valdrin Pjetrit. Ish-deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi ka sjellë në vëmendje rastin e Kavajës dhe largimin e Elvis Roshit, për të treguar se vetëm përmes një procesi të ri zgjedhor mund të ketë konstituim të organeve të reja vendore në Shkodër. Në një intervistë për ABC Neës, Bylykbashi e sheh 30 Qershorin një proces nul dhe të pacertifikuar nga Gjykata Kushtetuese.

Socialistët janë të vendosur që edhe pa një kryetar për drejtimin e bashkisë, të largojnë Voltana Ademin nga zyra dhe të drejtojnë institucionin me nënkryetar të zgjedhur prej tyre. Por për ish-deputetin demokrat, Oerd Bylykbashi rasti i Shkodrës është i ngjashëm me atë të Kavajës, dy vjet më parë kur ish-kryebashkiaku Elvis Roshi ra në rrjetën e dekriminalizimit dhe Presidenti dekretoi zgjedhje të reja vendore. Në një intervistë për ABC News, Bylykbashi sqaron se themeli kushtetues i 30 Qershorit ka rënë me dekret Presidencial.

“Askush të mos mendojë që zgjedhjet lokale u mbyllën me 30 Qershor. Janë të vetmet zgjedhje në historinë 25-vjeçare, pas rënies së komunizmit që kanë një pikëpyetje të hapur, thelbësore, kushtetuese përpara një gjykate, pra anulimi i datës 30 Qershor si datë zgjedhjesh dhe dekretimi i datës 13 Tetor si datë tjetër zgjedhjesh i kanë hequr themelin kushtetues dhe ligjor zgjedhjeve të 30 Qershorit. Për rrjedhojë, ato zgjedhje janë në procesin kushtetues nul”, tha Bylykbashi.

Gishtin e akuzës për situatën e krijuar, Bylykbashi e drejton te anëtarët socialist të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të cilët paralajmëron se do të përgjigjen penalisht për dëmin miliona euro që i kanë shkaktuar shtetit shqiptar.

“Të mbajnë përgjegjësi penale katër anëtarët socialistë të KQZ-së, do ta mbajnë këtë përgjegjësi penale, nuk i shpëtojnë dot. Kanë shpërdoruar miliona euro pasuri publike shqiptare për të organizuar zgjedhjet e PS-së, kështu që janë të vetmet zgjedhje të cilat nuk kanë fjalën e Gjykatës Kushtetuese. Këtë e thonë OSBE/ODHIR-i, këtë e thotë Departamenti i Shtetit, këtë e thonë ata që kanë minimumin e kuptimit të demokracisë, që është Gjykata Kushtetuese që shprehet”, tha Bylykbashi.

Ndonëse Partia Demokratike nuk është regjistruar në zgjedhjet e 13 Tetorit, Bylykbashi e sheh plotësisht të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme në këtë datë, e cila në rrafshin Kushtetutës është akoma e vlefshme.

“Ne jemi të gatshëm kurdo që sipas parametrave kushtetuese të ketë zgjedhje. 13 Tetori është një datë, e cila është brenda këtyre lloj parametrash. Problemi kryesor është sjellja e KQZ-së”, tha Bylykbashi.

Dorëheqja e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës, pas publikimit nga PD të dënimit të tij në Itali për trafik të lëndëve narkotike, u pasua me një sërë takimesh në kampin opozitar. Lulzim Basha u takua me aleaten e LSI-së, Monika Kryemadhi dhe atë republikan, Fatmir Mediu për të përcaktuar aksionin e radhës përballë qeverisë. /ABC News Albania 24/7

3F6B4283-8E50-4D4E-ADE3-6F7A5538C896_cx0_cy6_cw0_w1597_n_r1_st-1-1280x720.jpg
nev ila19:40 | 25/07/2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar përmes një komunikate se pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë”, theksohet në komunikatë.

Thaçi ka sqaruar se “çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”.

Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”, thuhet në komunikatë.

Të premten, më 19 korrik, Ramush Haradinaj dha dorëheqje nga pozita e kryeministrit, pasi që ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Dhomave të Veçanta në Hagë, për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.

Nga ai moment, spektri politik i ka bërë thirrje presidentit Thaçi të ndërmarrë veprime për tejkalimin e gjendjes, qoftë përmes formimit të qeverisë së re apo shpalljes së zgjedhjeve të reja./REL

kadri-eseli.jpg
G. P.23:44 | 20/07/2019

Kadri Veseli, aleati kryesor qeverisës i Ramush Haradinajt shprehet gati për zgjedhje të parakohshme. Në një konferencë për media pas kthimit nga vizita zyrtare në SHBA, kreu i Partisë Demokratike të Kosovës tha se nuk ka patur njoftim paraprak për dorëheqjen e Haradinajt, por e pranon si vendim personal.

Kryetari i Partisë Demokratiketë Kosovës, që ishte partneri kryesor i koalicionit qeverisës, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij është e gatshme për zgjedhje. Në një konferencë për media pas kthimit nga vizita zyrtare në ShBA, ai tha se tash do të ulen të flasin për kohën që duhen mbajtur zgjedhjet.

 “Vendimi i ish-Kryeministrit për dorëheqje është vendim personal dhe si të tillë e kemi pranuar, pavarësisht që për këtë nuk kemi pasur asnjë njoftim ose konsultë paraprake. Tashmë, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme për zgjedhje, kurdo që caktohen ato. Ajo që mund të diskutohet tash është vetëm koha kur ato duhet të mbahen. Për këtë, besoj se do të kemi konsulta edhe me partnerët e koalicionit të deritashëm dhe me parti të tjera politike, në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha Veseli./ABC News Albania 24/7

SHULLAZI-1280x720.jpg
G. P.14:44 | 18/06/2019

Seanca në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda për grupin e Emiljano Shullazit ka dështuar sërish. Gilmando Dani, i ka kujtuar gjyqtares Albana Boski se ajo duhet që të japi dorëheqjen duke qene se ka gjykuar çështjen e “Hotel Vollgës” në Durrës, ashtu siç kanë bërë edhe shumë kolegë të tjerë të saj.

Gjyqtarja Albana Boksi, që më short është caktuar edhe kryesuese në këtë proces, i ktheu përgjigje Danit duke i thënë “Faleminderit për paralajmërimin”. Seanca duhet që të shtyhej pas Apeli i Krimeve të Rënda ka pranuar kërkesën e Blerim Shullazit për përjashtimin e Saida Dollanit nga trupi gjykues.

Pasi ky i fundit e kishte ngritur padi më herët për Dollanin duke e akuzuar për shkelej proceduriale.  Seanca është shtyrë për në datën 24 Qershor, në orën 11:00 pasi KLGJ akoma nuk ka caktuar gjyqtarin e tretë në këtë çështje.

Pritet që Apeli për Krime të Rënda të shqyrtoj kërkesën për përjashtimin e Albana Boksit. Në këtë seancë mungonin edhe avokatët e caktuar kryesisht./ABC News Albania 24/7

Andrea-Nahles-1-1280x720.jpg
nev ila14:10 | 02/06/2019

Humbja e rëndë në zgjedhjet euro-parlamentare dhe rënia e popullaritetit në minimumin historik kanë bërë që kryetarja e Partisë Social Demokrate të Gjermanisë të japë dorëheqjen. Kryetarja Andrea Nahles ka deklaruar se në këto kushte nuk mund të kryejë më detyrat e saj.

Kryetarja e Partisë Social-demokrate të Gjermanisë, Andrea Nahles ka deklaruar se do të japë dorëheqjen për shkak se nuk gëzon mbështetjen që i duhet për të udhëhequr subjektin politik.

Lëvizja e saj vjen në një kohë kur të Gjelbërit kanë tejkaluar konservatorët e kancelares Angela Merkel duke u kthyer në partinë më popullore të Gjermanisë, ndërkohë që vetë SPD ndodhet në nivelin më të ulët historik.

Debatet e brendshme në grupin parlamentar dhe reagimet kanë treguar se nuk gëzoj më mbështetjen e duhur për të kryer detyrat e mia”, ka deklaruar Nahles ditën e diel.

Politikania ka saktësuar se do të zyrtarizojë dorëheqjen e saj si kryetare të partisë ditën e hënë dhe më pas të martën si kryetare e grupit parlamentar. Nahles do të përballej me një votëbesim për lidershipin e saj ditën e martë, pasi vendimi për të qëndruar në koalicion me partinë e Merkel u kritikua nga partia e saj.

Më herët, zëvendës kancelari gjerman Olaf Sholc tha për një gazetë vendase se, e përjashtonte hyrjen në një tjetër koalicion të madh teksa social-demokratët po përpiqen të rigrupohen pas humbjes së verifikuar në zgjedhjet euro-parlamentare të javës së kaluar./ABC News Albania 24/7

komerssant-1280x720.jpg
G. P.13:29 | 21/05/2019

11 gazetarë përfshirë dhe kryeredaktorin e redaksisë politike të së përditshmes ruse “Kommersant” kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste. Pronari i të përditshmes, një oligark pranë presidentit Putin, kishte pushuar nga puna dy kolegë të tyre për një artikull kritik të shkruar për kryetaren e Senatit rus.

Në Moskë, pothuajse e gjithë redaksia politike e të përditshmes “Kommersant”, 11 gazetarë, përfshirë dhe kryeredaktorin, ka dhënë dorëheqjen. Arsyeja e gjestit të protestës ishte pushimi nga puna i kolegëve të tyre, korrespondentit Ivan Safronov dhe kolegut të tij Maxim Ivanov, për shkak të një artikulli kritik ndaj Valentina Matvienko, kryetares së Senatit rus.

Artikulli supozonte pezullimin e saj nga detyra. Pronari i “Kommersant”, Alisher Usmanov, oligark pranë presidentit rus Vladimir Putin, vendosi pushimin nga puna të dy gazetarëve dhe kolegët e tyre dhanë dorëheqjen në shenjë proteste kundër pronarit dhe duke u solidarizuar me dy gazetarët e pushuar nga puna./ABC News Albania 24/7

tunizi.jpg
G. P.09:20 | 10/03/2019

Ministri tunizian për Shëndetësinë, Abderraouf Cherif, ka dhënë dorëheqjen nga detyra pas vdekjes së 11 bebeve në një spital në kryeqytetin Tuniz.  Të gjitha foshnjet vdiqën pas infeksioneve në maternitetin Rabta në datat 7 dhe 8 Mars. Cherif kishte vetëm katër muaj në detyrën e ministrit të Shëndetësisë.

Kryeministri i vendit, Youssef Chahed tha se kanë nisur hetimet mbi institucionin mjekësor shtetëror për praktikat farmaceutike dhe higjienike. Në një postim në rrjetet sociale, shoqata e pediatrëve në Tunizi tha se infeksioni mund të ketë ardhur si pasojë e një produkti ushqimor.

Shoqata i bëri thirrje autoriteteve që të hedhin dritë mbi rastin dhe kritikoi kushtet e pasigurta mbi të cilat punojnë mjekët.

Shërbimi shëndetësor në Tunizi ka pasur reputacionin si një nga më të mirët në Afrikën e Veriut dhe turizmi mjekësor konsiderohet si një nga burimet kryesore të të ardhurave për shtetin.

Por që nga rrëzimi i presidentit Zine El-Abidine Ben Ali në 2011-n, sistemi shëndetësor ka hasur shumë pengesa nga problemet me financat dhe menaxhimin./abcnews.al

binali.jpg
G. P.09:59 | 19/02/2019

Kryetari  i parlamentit në Turqi, Binali Jëlldërëm, ka dhënë dorëheqjen.

Nën efektet e një situate të vështirë ekonomike, Jëlldërëm do të përfaqësojë Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim të Presidentit Erdogan në zgjedhjet e 31 Marsit për bashkinë e Stambollit.

Jëlldërëm ka qenë krahu i djathtë i Presidentit Erdogan që prej viteve 1990. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadollu”, Parlamenti turk pritet të zgjedhë drejtuesin e ri të dielën në 24 Shkurt./abcnews.al

rama-3.jpg
G. P.09:27 | 18/02/2019

Një ditë pasi kreu demokrat, Lulzim Basha, paralajmëroi djegien e mandateve për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, kryeministri Edi Rama i përgjigjet se as ka ndërmend të japë dorëheqjen dhe as të shpallë zgjedhje të parakohshme. Në një intervistë për “Corriere della Sera”, shefi i qeverisë tha se është opozita ajo që po kalon krizë.

Në intervistën e tij të parë pas protestës së të shtunës, kryeministri Edi Rama ka folur për “Corriere della Sera”.

Kreu i ekzekutivit dhe kryetari i Partisë Socialiste gjithsesi nuk mohon problemet e vendit. Korrupsioni për shembull ekziston. Ashtu si dhe vendimet e gjyqësorit për shkak të presioneve, zemërimin e të rinjve dhe trafikun e drogës. Por në intervistën e tij, ai thekson se qeveria që drejton po bën atë që askush para saj nuk pati kurajo të bënte për të eliminuar këto të këqija të shoqërisë.

“Që në Shqipëri ka korrupsion kjo as nuk diskutohet dhe është një problem por ne po bëjmë gjithçka që ta çrrënjosim”, vijon më tej Rama.

Pyetjes së gazetarit nëse po arrin ndonjë sukses në këtë fushë pas pesë vitesh e gjysmë në postin e kryeministrit, Rama përsërit se kjo është një betejë e gjatë dhe rezultatet nuk mund të vijnë menjëherë.

Për sa i përket sistemit të drejtësisë, Rama pretendon se po bën atë që askush në Ballkan dhe në Europë ka guxuar ta bëjë duke vijuar me një reformë që largon nga gjykatata gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar.

Edhe pse trafiku i drogës duhet pranuar si fenomen, kreu i ekzekutivit theksoi se në raportin e fundit, Guardia di Finanza pranoi se pala shqiptare po bën shumë progres në luftën ndaj tij.

Duke folur për protestën e studentëve, Rama e përshkruan si një manifestim të sinqertë, ku studentët kundërshtojnë probleme reale dhe për këtë arsye u dëgjuan dhe qeveria po u përgjigjet kritikave të tyre.

Ndërsa protesta e të shtunës kundër qeverisë së tij, sipas Ramës është një pasqyrim i qartë i krizës ku është futur opozita shqiptare, e cila nuk mund të sfidojë qeverinë politikisht. Sipas tij nëse do të votohej sot, opozita do të merrte dhe më pak vota se në 2017-n.

Rama nuk ka pranuar të komentojë akuzat e liderit të opozitës Basha suke thënë se shqetësimi i vetëm i tij është se politika që po ndjek opozita po hedh baltë mbi vendin dhe i uron rivalëve të tij që arsyeja të jetë më e fortë se dëshpërimi.

Për sa i përket kërkesës për dorëheqje nga ana e opozitës, Rama përgjigjet prerë.

“Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen. Kam një mandat të qartë nga populli, kemi një mazhorancë të pastër në parlament dhe deri në fund kam një detyrim ndaj bashkëqytetarëve të mi. Nuk jam i detyruar të plotësoj kërkesët e minorancës parlamentare. I vetmi detyrim është kontrata me popullin shqiptar që na ka dhënë votën për të qeverisur”.

Në fund, gazetari e pyet nëse pas asaj që ndodhi të shtunën, sipërmarrësit italianë dhe të huaj duhet të fillojnë të shqetësohen.

Por Rama përfundon me faktin se e vetmja gjë që shkaktoi protesta e opozitës ishte një imazh I Shqipërisë me një dhunë absurde por me një rezultat zhgënjyes.

“E vetmja pasojë konkrete ishte shkatërrimi i një vepre arti, një kërpudhë, që kisha instaluar në oborrin e kryeministrisë”./abcnews.al

880x495_cmsv2_88d150d9-da90-5c9f-8d78-3777390892de-3521414.jpg
G. P.10:58 | 19/12/2018

Kryeministri i Belgjikës Sharl Mishel ka dhënë dorëheqjen vetëm 10 ditë pas krijimit të ekzekutivit. Një nga arsyet e kësaj dorëheqje ishte dhe shmangia për marrjen e votëbesimit nga parlamenti për qeverinë e re.

Në Belgjikë, nën goditjet e ndërkombëtares sovraniste anti emigrant dhe opozitës së socialistëve dhe të gjelbërve, zgjati vetëm dhjetë ditë aventura e qeverisë së minorancës drejtuar nga Sharl Mishel. Përballë vështirësive të dukshme dhe në rritje në gjetjen e aleancave për të miratuar projektbuxhetin që do të conte vendin në zgjedhjet e 26 majit 2019, kryeministri belg zgjodhi të jepte dorëheqjen. Vendimi u mor pas një pasditeje me shumë tension në parlamentin e vendit.

Kryeministri i cili ditët e fundit ishte në qendër të kritikave pasi shmangu të kërkonte votë besimin e parlamentit për ekzekutivin e ri, kishte ngjallur debate pas bëri apel për krijimin e një koalicioni “të vullnetit të mirë”, në mënyrë q ëtë përballej me problemet më urgjente të vendit. Por socialistët dhe të gjelbërit paralajmëruan një mocion për votëbesimin e tij.

Ajo që nisi dhe krizën e qeverisë ishte vendimi i tashmë ish kryeministrit për të firmosur Global Kompakt të OKB-së për emigrantët. Pas vendimit të tij, Marin Lë Pen dhe Stiv Banon ish këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump, në 9 dhjetor ndodheshin në Bruksel me ftesë të partisë ksenofobe të ekstremit të djathtë Vlaams Belang, për të sulmuar jo vetëm kryeministrin por dhe partinë nacionaliste flaminge N-va, prej katër vitesh në qeveri me liberalët dhe kristian demokratët.
Për vendin, prej kohësh në një situatë përcarjesh sociale dhe politike, tashmë hapet një periudhë e një pasigurie të madhe, në pritje të vendimit të Mbretit i cili duhet ët menaxhojë krizën dhe në fund mund të vendosë për zgjedhje të parakohshme./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono