donika prela

donika-prela.jpg
G. P.15:43 | 07/06/2019

Drejtuesja e Krimeve të Rënda Donika Prela u shpreh për media se për dosjen 339 janë 624 CD dhe 115 DVD përgjime të cilat kanë nisur që në vitin 2016. Prela i mëshoi faktit që dosja është voluminoze dhe deri me tani janë nën procedim 74 persona numër ky që do të rritet ne vazhdim. Donika Prela nuk komentoi nëse është marrë apo jo i pandehur Vangjush Dako.

Pas debateve të shumta për dosjen 339, Drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda thyen heshtjen dhe del përpara mediave ku ka dhënë detaje të reja në lidhje me hetimet. Ato  kanë nisur si hetim për një grup kriminal të trafikut të drogës, ndërsa në përgjimet gjate këtij hetimi dolën të dhëna që ngrenë dyshime për shit-blerje të votave në zgjedhjet parlamentare të 2017-ës.

Prokurorja Prela e cilësoi dosjen 339 si dosjen më të madhe që ka hetuar ndonjëherë prokuroria shqiptare dhe deri tani janë 74 persona nën hetim.

Për  këtë dosje, sipas drejtueses së prokurorisë së krimeve të rënda,  ka një numër të madh Cd dhe DVD me përgjime për të transkriptuar.

Pas ndryshimit të disa prokuroreve që nga fundi i vitit 2016 kur nisi procedimi penal për këtë grup kriminal, dosja 339 aktualisht është në duart e prokurorëve Vladimir Mara e Dritan Premçi dhe 11 oficerëve të Policisë Gjyqësore, të cilëve u janë caktuar detyrat përkatëse nga prokurorët.

Lidhur me hetimin për nxjerrje të sekretit hetimor, përmes publikimit në gazetën Bild të disa audio përgjimeve pjesë e kësaj dosjeje, Prela tha se është caktuar një prokuror i veçantë për të zbuluar nga ka rrjedhur informacioni.

Por drejtuesja e prokurorisë së krimeve të rënda deklaroi se dy prokurorët aktualë të dosjes, Mara dhe Prençi nuk janë nën hetim nga kjo prokurori për nxjerrje sekreti.

E pyetur nga gazetaret në lidhje me implikimin e kryebashkiakut të Durresit Vangjush Dako në këtë dosje, prokurorja Prela nuk dha asnjë shpjegim, duke sqaruar se kjo dalje për mediat kishte për qellim të informonte publikun mbi ecurinë e hetimeve për dosjen 339./ABC News Albania 24/7

MBULIM-TRUPA-E-KPA-PER-PRELEN.mpg_snapshot_00.25-1280x720.jpg
ent ela17:40 | 02/05/2019

Pasditen e së enjtes u vendos trupa gjykuese për rivlerësimin e Drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Mësohet se Natasha Mulaj kryesuese, Ardian Hajdari relator, Ina Rama, Luan Daci dhe Sokol Çomo anëtarë.
Donika Prela u ankimua në prill të këtij viti nga Komisioneri Publik, pasi kaloi sitën e vettiungut në shkurt të 2019. Për Komisionerin Publik Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda nuk duhet të ishte konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke kërkuar shkarkimin nga detyra tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi pretendon se Prela nuk plotëson kushtet për konfirmimin në detyrë. /ABC News Albania 24/7

Donika-Prela-933x445.jpg
G. P.16:55 | 10/04/2019

Komisioneri Publik ankimoi vendimin e Komsionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmoi në detyrë prokuroren Donika Prela. Sipas Komisionerit Publik, Prela nuk ka krijuar besueshmërinë për konfirmimin në detyrë.

Shefja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda kaloi Vettingun më 5 Shkurt. Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar në 22 Janar, u konstatua si problematike për Prelën, punësimi i bashkëshortit të saj inxhinier “në të zezë” në një firmë ndërtimi. KPK pretendoi se për disa vite me radhë, ai ishte paguar me para në dorë, duke shmangur kështu pagesën e tatimeve dhe sigurimet shoqërore.

Por shpjegimet e dhëna më tej nga Prela duket se bindën Komisionin për të kundërtën. Ndërkohë Komisioni nuk gjeti probleme në pastërtinë e figurës apo profesionalizimin e saj. Gjithashtu Prela ka aplikuar për të qenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, SPAK./abcnews.al

alibeaj.jpg
G. P.12:19 | 05/02/2019

Demokratët nuk kishin dyshime.

“Vendimi për mbajtjen në sistemin e drejtësisë të Donika Prelës është konfirmimi se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se për të mbrojtur Edi Ramën nga drejtësia e vërtetë përbuzet dhe poshtërohet edhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”.

Janë këta të fundit, deklaron Alibeaj, ata që theksuan se Prela ka shitur prona me çmim 4 herë më të lartë se i ka blerë dhe se me të ardhurat e deklaruara nuk justifikohet as blerja lirë e disa apartamenteve. E jo vetëm kaq.

“Vëzhguesit Ndërkombëtarë gjetën se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, ka punuar në të zezë, duke mos paguar taksat për shumë vjet, duke mashtruar shtetin shqiptar, me dyshimin e fortë të pastrimit të parave nga korrupsioni”.    

Por komisioni i Vettingut nuk i hetoi këto fakte, sipas ish-ministrit të Drejtësisë.

“Por mbajti në sistemin e drejtësisë një prokurore shërbëtore të Edi Ramës, me pasuri te pajustifikuara dhe qe i ka shërbyer krimit, nga Emiljano Shullazi tek banda e Avdylajve dhe deri tek shkatërrimi i dosjes se Saimir Tahirit”. 

Vendim ky i marrë në konflikt interesi, sipas demokratëve.

“Nga verifikimi i kamerave të sigurisë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Komisioni i Vettingut do të kishte zbuluar se Donika Prela është takuar rregullisht me anëtaren e trupit të saj gjykues, Valbona Sanxhaktari në periudhën Nëntor-Dhjetor”.  

Partia Demokratike ka denoncuar faktin se me firmën e Donika Prelës, si drejtuese e prokurorisë së Durrësit, është liruar nga burgu drejtuesi i bandës së Avdyljave, Astrit Avdyli, në makinë e të cilit u gjet një armë pa leje janarin e vitit që shkoi.

Të gjitha informacione që gjendjen në dosjen 339, sipas Alibeajt, ndaj 16 Shkurti është rasti që të mos pranojmë më një drejtësi që i shërben atij që ka më shumë para dhe më shumë pushtet, përfundoi ai./abcnews.al

donika-prela.jpg
G. P.09:27 | 05/02/2019

Titullarja e komanduar e Prokurorisë për Krimet e Rënda, Donika Prela, u shfaq krejtësisht e qetë në seancën ku do të vendosej vijimi apo ndërprerja e punës së saj në sistemin e drejtësisë.

Para se të lexonin verdiktin përmes të cilit e konfirmuan në detyrë, Komisioni sqaroi se shpallja e vendimit u shty nga 29 Janari në 5 Shkurt, për shkak të nevojës për verifikim të një denoncimi publik të bërë ndaj Prelës, i përcjellë përmes medias. Bëhet fjalë për dënoncimin e artikuluar edhe në selinë e Partisë Demokratike, ku pretendohej se në vitin 2018 Prela kishte liruar nga burgu Astrit Avdylin, i arrestuar aktualisht si anëtar i një grupi kriminal në Shijak.

Pas vendimit Prela mori një shtrëngim dore edhe nga vëzhguesi ndërkombëtar Teo Jacobs, që në seancën dëgjimore tha se dosja e saj i kishte lënë një shije të keqe. Në seancën e zhvilluar në 22 Janar, KPK konstatoi si problematikë për Prelën punësimin e bashkëshortit të saj inxhinier “në të zezë” në një firmë ndërtimi. KPK pretendoi se për disa vite me radhë ai ishte paguar me para në dorë, duke shmangur kështu pagesën e tatimeve dhe sigurimet shoqërore.

Por shpjegimet e dhëna më tej nga Prela duket se bindën Komisionin për të kundërtën. Komisioni nuk gjeti probleme në pastërtinë e figurës apo profesionalizimin e saj. Qetësia e treguar në fillim të seancës nuk u reflektua nga Prela në mbyllje të saj. Ajo  zgjodhi të mos komentojë dhe përgjigjet në do kandidojë për në SPAK.

Gjatë hetimit administrativ, në korrespondencën elektronike mes Prelës, KPK-së dhe ONM-së, kryeprokurorja e Krimeve i serviri vëzhguesve ndërkombëtarë edhe një informacion të kërkuar prej tyre për dosjen “Shullazi”. /abcnews.al

Donika-Prela-933x445.jpg
ent ela09:32 | 29/01/2019

Vendimit për kalimin e Vetting-ut të drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela është shtyrë me një javë. Vendimi pritej të shpallej sot, por Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se për shkaqe të arsyeshme seanca do të shtyhet për të martën e ardhshme.

Gjatë seancës së mbajtur një javë më parë në shqyrtimin e pasurisë të Prelës u gjetën disa pasaktësi në të ardhurat e bashkëshortit të saj, që për një periudhë kohe ishte paguar në të zezë. Ndërsa për Partinë Demokratike ka prova se Prela është e lidhur edhe me Dosjen 339, pasi ka dalë në përgjime me grupin e Avdylajve të Shijakut./abcnews.al

 

IMG_5972-1280x853.jpg
ent ela14:16 | 25/01/2019

Sekretari për çështjet ligjore pranë selisë blu Çlirim Gjata, tregoi dokumenta për të vijuar denoncimin e shkeljeve, sipas tij, në procesin e vettingut ndaj shefes së Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela. Sipas Gjatës, ka dyshime për pastrim parash.

Procesi i rivlerësimit kalimtar për shefen e prokurorisë së Krimeve të rënda Donika Prela, nxorri sërisht në deklaratë sekretarin për çështjet ligjore të Partisë Demokratike Çlirim Gjata, këtë herë me dokumenta të dosjes së Prelës të ndodhur në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Dosje që për selinë blu, përmban informacione për shkelje ligji, por ngre edhe dyshime të arsyeshme për kryerjen e veprës penale të pastrimit të parave.

“Blerja e apartamentit në Durrës për 1 milionë lek të reja, shitet për 4 milion lek të reja. Apo blerje trojesh, apartamentesh, pronash, më lirë, apo shitje më shtrenjtë, apo shumë më shtrenjtë se ç’është çmimi i tregut.

A hetohet këtu për pastrim parash? Apo për fiktivitet, apo për kontrata fiktive? E ka detyrim organi i vettingut ta bëjë këtë”.

Ka edhe të tjera raste që duhen hetuar me seriozitet në dosjen “Prela” sipas Gjatës. I tillë është edhe rasti i nënvizuar nga vëzhguesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit Theo Jackobs, i pagës “në të zezë” që Vangjel Prela, bashkëhsorti i kryeprokurores së Krimeve të Rënda, ka marrë për punën si inxhinier.

“Megjithëse për vite me rradhë ka përfituar të ardhura dhe s’ka paguar taksa, kujtohet tani, pikërisht, pasi është futur nën proces verifikimi zonja Prela, bashkëshorti i saj ka hapur një proces gjyqësor kundër kompanisë përkatëse, kundër kompanisë “Bruci”, tek e cila ka punuar, deri në mars 2018. Dhe këtë padi e ka hapur pas 7 vitesh”.

Gjata flet për padinë numër 2414 e ngritur në Gjykatën e Tiranës nga Vangjel Prela më 30 gusht të 2018-ës, për mos pagim të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore të paditësit për vitet 2006-2009 si dhe për periudhat 2010 – 2011.

Por:

“Kodi civil nuk ta jep këtë mundësi që të hapësh një padi të tillë për dëshpërblim, për pagesë taksash apo sigurimeve pas 7 viteve, pasi është e parashkruar.

Është neni 115 i Kodit Civil ai që parashikon dy vjet kohë për ngritjen e një padie për pagimin e shpërblimit sipas kontratës së sigurimit dhe risigurimit, si dhe të shumës përkatëse të rrjedhur nga sigurimi i detyrueshëm dhe tre vjet kohë për paditë për shpërblim të dëmit jo kontrator dhe ato për kthimin e përfitimit pasuror pa të drejtë”.

Njëkohësisht Kodi i Punës, afat parashikimi për të drejtat e punëmarrësit kundrejt punëdhënësit dhe anasjelltas, parashikon 3 vjet nga lindja e së drejtës, minimalisht gjashtë vjet më pak se ç’ju desh bashkëshortit të titullares së Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të ngritur padinë civile ndaj kompanisë ku ka qënë i punësuar.

“Nuk e ditkërka zonja në fjalë si juriste, që bashkëshorti nuk mund të hapë një padi pas shtatë vitesh? Është bërë fiktive, pra vërtetë s’i kemi paguar, por e ka fajin kompania dhe unë po e padis në gjyq”.

E nuk mbaron me kaq dosja e zonjës Prela për demokratët.

“Prokurorja e Krimeve të Rënda ka marrë një apartament, është në marrëdhënie kontraktore me një kompani, administratori i së cilës është nën hetim nga Prokuroria që ajo drejton. Çmimi është shumë më i lirë se sa i tregut, është nga 300 deri në 500 euro më i lirë se çmimi i tregut për metër katror, dhe kjo del nga vetë thirrjet që kjo Kompani ka bërë për shitjen e apartamenteve të pallatit të ndërtuar nga kjo, ku të gjitha çmimet shkojnë minimumi nga 250 deri në 500 Euro më shtrenjtë për metër katror se ç’e ka blerë apartamentin zonja Prela”.

Ky është preferencim i cili duhet hetuar nga organet e vettingut sipas Gjatës, për të evituar atë që quan standart të dyfishtë që ky organ zbaton në gjykimet e tij.

/abcnews.al

KPK-PLANE.mpg_snapshot_01.32-1280x720.jpg
ent ela10:20 | 22/01/2019

Drejtuesja e komanduar e Prokurorisë për Krimet e Rënda u ul të martën përballë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, ku kërkoi konfirmimin në detyrë. Nga relatimi i bërë nga treshja gjykuese e vettingut duket se “themra e Akilit” për Prelën do të jetë punësimi në të zezë për vite me radhë i bashkëshortit të saj inxhinier. Kjo për faktin se të ardhurat financiare të bashkëshortëve buronin vetëm nga pagat e tyre.

Sipas raportit të KPK, për disa vite gjatë harkut 2003-2011, bashkëshorti i saj ka punuar si inxhinier pa kontratë punë, është paguar me para cash dhe nuk ka paguar tatime dhe kontributet e sigurimeve shoqërore.

Vetë Prela kundështoi faktin. Sipas saj, ndonëse pa kontrata formale, shoqëria kishte paguar sigurimet për të shoqin, pa i cënuar pagën neto. Prela foli edhe për një padi kundër shoqërisë së ndërtimit, për detyrimet e papaguara.

Në këtë pikë këmbënguli edhe vëzhguesi i ONM në sallë, Theo Jacobs. Përmes një metafore, ai tha se kjo situatë e mospagimit të taksave i linte një shije të keqe, si ajo që të mbetet në gojë pas konsumimit të një ilaci në mëngjes.

“Pse bashkëshorti juaj është paguar në cash në 2003-2009? Ai ka pasur llogari bankare. Kjo mund të duket pyetje pa vend, por kjo reduktohet kur nuk janë paguar as taksat. Si për koincidencë për pagesat cash nuk janë paguar taksa, ndërsa për ato në banke po. Bashkëshorti juaj është viktime në këtë skemë shmangie taksash, apo është pjese e saj?”, pyeti Jacobs.

Prela nga ana e saj tha se është firma e ndërtimit që nuk ka respektuar detyrimet kontraktore. “Në këtë rast të dëmtuarit jemi ne. Nëse ne do të donim të ndërtonim të ardhura të paligjshme, mund të rrisnim në mënyrë fiktive rrogën. Por duket qartë që nuk është rasti”, tha titullarja e Krimeve.

Vëzhguesi Jacobs shprehu habi edhe për një borxh të marrë në vitin 2007 pa asnjë akt shkresor tek një i afërm i bashkëshortit të prokurores. Prela tha se në realitetin shqiptar të kohës nuk çohej ndërmend formalizimi i një borxhi tek një i afërt.

Sipas KPK aktualisht Prela zotëronte një banesë të blerë nga të ardhurat e fituara nga shitja e një apartamenti në Tiranë dhe një në Durrës, si edhe 1 mijë m2 truall në Petrelë. Komisioni ngriti dyshime për blerjen e pronave të mëparshme në vlera më të ulëta nga tregu, por Prela argumentoi se çmimi kishte qënë preferencial, pasi ndërtuesi ishte shoqëria ku punonte i shoqi. Sipas KPK Prela nuk kishte probleme me figurë, apo me aftësitë profesionale.

Gjatë hetimit administrativ, ONM i kishte kërkuar Prelës informacion për dosjen “Shullazi”, informacion i servirur prej saj. Prela u lakua gjërësisht tre muaj më parë për shkak të përplasjes së saj me prokurorët e Krimeve që nuk pranuan të shortoheshin për dosjen.  Seanca e shpalljes së vendimit për “fatin” e Donika Prelës në sistemin e drejtësisë do të zhvillohet në 29 Janar./abcnews.al

kostandinos-kacifas.png
G. P.16:18 | 01/11/2018

Trupi i pajetë i 35-vjeçarit nga Bularati, Kostandinos Kaçifa gjendet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku iu nënshtrua një ekspertizë të dytë pas kërkesës së familjes së tij. Për këtë ngjarje, konsulli grek i Gjirokastrës është takuar me shefen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Për tërheqjen e trupit të Kaçifas konsulli grek i Gjirokstarës, Vasilis Tolios zhvilloi një takim tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ai u prit nga kreu i organit të akuzës së Krime të Rënda, Donika Prela, ku temë e diskutimit ndër të tjerat ishte edhe përshpejtimi i hetimeve, ndërsa duhet të saktësohet mënyra e ekzekutimit të 35-vjeçarit, Kacifa, i cili kishte edhe nënshtetësi greke.

Të njëjtën ngjarje po e heton edhe prokuroia  në shtetin fqinj, që është bërë pjesë në këtë çështje me kërkesë të familjarëve të 35-vjeçarit. Ata pretendojnë për njëanshmëri në veprimet e kryera nga policia shqiptare gjatë operacionit në Bularat në Gjirokastrës.

Por Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Ministrinë e Brendshme ka dalë në konkluzionin se, forcat Speciale RENEA kanë vepruar konformë rregullores dhe ligjit, përsa i përkët rastit të eleminimit fizik të Kostandinos Kaçifa.

Në këtë përfundim ka dalë edhe Drejtoria e Standardeve Profesionale, pasi më herët ishin vërejtur pamjet filmike të regjistruar nga kamerat e RENEA-s gjatë operacionit në Bularat të Gjirokastrës.

Sipas dinamikës së zbardhur për ngjarjen, mësohet se viktima ka hapur zjarr me breshëri automatiku ndaj mjeteve të Policisë së Shtetit, por edhe ndaj forcave “Shqiponja” të policisë së Gjirokastrës, të cilat erdhën në ndihmë, përpara se të mbërrinte RENEA nga kryeqyteti. Si provë materiale u sekuestruan, 31 gëzhoja pranë depos së ujit në Bularat si edhe 2 karikatore të zbrazur bashkë me armën automatike./abcnews.al

emiljano-shullazi-1280x683.jpg
G. P.13:37 | 24/09/2018

“Çështja në ngarkim të Emiljano Shullazit, etj., ka qenë një ndër çështjet që në dy vitet e fundit ka tërhequr vëmendjen e opinionit publik. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, etj., janë akuzuar për vepra penale të rënda dhe opinionit i janë servirur si përfaqësuesit më të spikatur të botës së krimit. Jo gjithmonë e vërteta lidhur me këtë çështje është bërë e njohur dhe kjo ka krijuar në opinion idenë se po ndëshkohet një grup i rrezikshëm kriminal, ndërsa prokurorët e çështjes kanë marrë pamjen e kalorësve në këtë betejë kundër krimit.”

Kështu e kanë nisur avokatët mbrojtës të Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Endri Qyqjes letrën e tyre që i është nisur kryeprokurores Arta Marku dhe drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.

Sipas avokatëve, kjo situatë ka dëmtuar shqyrtimin e paanshëm të çështjes dhe tashmë që dosja është duke u përfunduar rrezikon që të mos jepet vendim i bazuar mbi prova.

“Kjo situatë ka dëmtuar shqyrtimin e “ftohtë” dhe “të paanshëm” të kësaj çështjeje, ka dhunuar parimin madhor të prezumimit të pafajsisë dhe tashmë që çështja ka mbërritur në finish, rrezikon që paragjykimi dhe zhurma e krijuar rreth saj, të mos lejoje si përfaqësuesit e akuzës, ashtu dhe vetë gjykatën që të vendosin sipas “liberum arbitrium”, pra, sipas zgjedhjes së tyrë të lirë, sipas bindjes së bazuar mbi prova dhe vetëm mbi to”.

Në procesin kundër klientëve të tyre, avokatët rendisin disa shkelje ligjore dhe sipas tyre gjithashtu përmendet dhe fakti se çështja ka ndjeshmëri politike.

Letra e plotë dërguar Arta Markut dhe Donika Prelës:

letra1
letra2
letra3
letra4 (1)
letra4
letra5

/abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono