Donald Tusk

brexit-1.jpg
G. P.20:45 | 24/11/2018

Një marrëveshje e minutës së fundit mes Spanjës dhe Mbretërisë së Bashkuar i hap rrugë miratimit të marrëveshjes së Breksit nga Bashkimi Europian. Presidenti Donald Tusk u ka bërë thirrje vendeve anëtare që të votojnë pro në samitin e së dielës.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk u ka rekomanduar vendeve anëtare të BE-së që të aprovojnë marrëveshjen e Breksit në samitin që mbahet të dielën. Reagimi i Tusk erdhi pasi kryeministri spanjoll Pedro Sanchez gjeti gjuhën e përbashkët me qeverinë britanike në lidhje me Gjibraltarin dhe tërhoqi kërcënimin për vendosjen e vetos ndaj marrëveshjes.

Sanchez deklaroi se kishte marrë garancitë e nevojshme me shkrim sa i takon rolit të Spanjës në të ardhmen e territorit britanik. Madridi zyrtar kishte ngritur në ditët e fundit shqetësime për menaxhimin e Gjibraltarit, kur varianti i rënë dakord mes Londrës dhe Brukselit ishte drejt finalizimit.

Por tashmë liderët e Unionit siguruan një kompromis me kryeministrin spanjoll, i cili tha se Europa dhe Mbretëria e Bashkuar kishin pranuar kushtet e Spanjës, ndaj dhe vendi i tij do të votojë në favor të Breksit. Në një letër dërguar përfaqësuesve të të gjitha vendeve anëtare të Këshillit Europian, presidenti Tusk tha se rekomandon që të dielën të miratohet finalizimi i negociatave të Breksit.

“Askush nga ne nuk ka arsye për t’u ndjerë i gëzuar, por të paktën, në këto momente kritike, 27 vendet anëtare të BE-së kaluan testin e unitetit dhe solidaritetit”, u shpreh Tusk.

Pas votimit në Europë, topi do të kalojë në fushën e Londrës, ku muajin e ardhshëm do të jetë parlamenti britanik që do ta votojë akordin dhe rreziqet për një dështim janë të mëdha./abcnews.al

GettyImages-923478558-714x497.jpg
G. P.10:44 | 20/10/2018

Urimet për votimin në Kuvendin e Maqedonisë të nismës për ndryshime kushtetuese kanë arritur edhe nga presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk.
“Një votë, një hap i madh drejt afrimit të marrjes së vendit që iu takon në komunitetit tonë transatlantik”- ka shkruar Tusk në gjuhën maqedonase në llogarinë e tij të Tuiter.
Më herët reaguan dhe eurokomisioneri për zgjerimin Johanes Hahn si dhe kryediplomatja europiane Federika Mogerini, e cila nëpërmjet një deklarate në emër të BE-së thekson se kjo ishte me të vërtetë e vetmja mundësi që vendi të lëvizë në rrugën e sigurt drejt Bashkimit Evropian, si dhe qetësisë në rajon. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë vendin, të gjithë qytetarët e saj dhe institucionet e tij “, thuhet në deklaratë.

Pas votimit për ndryshimet kushtetuese në Maqedoni vjen edhe reagimi i Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jans Stoltenberg. Ai ndërsa përshëndeti votimin në parlamentin e Maqedonisë theksoi se tani, qeveria dhe udhëheqësit politikë duhet të plotësojnë procedurat për zgjidhjen e emrit dhe të përdorin këtë mundësi historike për ta çuar vendin në NATO”, shkruan Stoltenberg në rrjetin social Tuiter./abcnews.al

zjarre.jpg
G. P.10:46 | 24/07/2018

Zjarret kanë përfshirë një pjesë të Athinës që prej mbrëmjes së të hënës, ndërkohë mesazh solidaritetit ka shprehur edhe presidenti i Këshillit të Europës, Donald Tusk.

Ai shkruan në Twitter se Europa do të qëndrojë pranë Greqisë në këto momente të vështira.

“Shumë i trishtuar për zjarret tragjike të pyjeve në Greqi. Europa do të qëndrojë pranë miqve grekë në këto momente te vështira. Ndihma po vjen ngga disa shtete të nfryshme të BE-së”, shkruan Tusk.

Deri më tani flitet për 60 viktima dhe qindra të tjerë të plagosur nga zjarret në Athinë, por autoritetet shprehen se ky numër mund të rritet. Shumë persona janë evakuuar dhe kanë humbur shtëpitë e tyre duke mbetur të pastrehë.

Kryeministri grek, Alexis Tsipras, ndërpreu një vizitë zyrtare në Bosnje për shkak të situatës tragjike dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.

/abcnews.al

donald-tusk.jpg
G. P.15:09 | 13/07/2018

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për mediat edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk. Presidenti Tusk u shpreh se Shqipëria e ka vendin në Bashkimin Evropian, por për t’ia arritur këtij qëllimi kërkohet bashkëpunim nga të gjitha forcat politike në vend.

Presidenti i Këshillit Evropian vazhdon të shprehet optimist për realizimin e reformave, të cilat sipas tij do ta bëjnë pjesë të Bashkimit Evropian.

Donald Tusk: “Nuk kam dyshime se nëse Shqipëria vijon momentin pozitiv të reformave do të jetë e mundur të arrijë rezultatet e nevojshme qershorin e ardhshëm sepse vendi i Shqipërisë është në BE dhe Shqipëria do të bëhet vend anëtar në BE. Nuk ka dyshime për këtë”.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, presidenti Tusk uroi që të jetë bashkëpunuese e gjithë politika në Shqipëri.

Donald Tusk: “Është shpresa ime dhe uroj që të gjithë krahët pro europiane të politikës shqiptare të punojnë drejt këtij objektivi të njëjtë”.

Përpjekjet për të zgjidhur dallimet e mbetura me Greqinë janë prova më e mirë për angazhimi e Shqipërisë ndaj Bashkimit Evropian dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mire tha presidenti Tusk, i cili mori edhe konfirmimin e Kryeministrit Edi Rama.

Edi Rama: “Jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës europiane dhe zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut dhe kemi bërë progres të mirë. Shpresoj se do ta përfundojmë me sukses këtë dialog të vështirë, të hapur, por të sinqertë, siç jemi të angazhuar njëkohësisht ndaj bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal”.

Pjesë e bisedimeve të Kryeministrit Edi Rama dhe presidentit të Këshillit Evropian Donald Tusk ishin edhe përpjekjet për të shtuar një rrugë të re të emigrantëve ilegalë përmes Shqipërisë.

Në fund kreu i qeverisë nuk foli për diellin sic bëri në takimin që zhvilloi në Tiranë me presidentin Tusk, por i shprehu keqardhjen për humbjen e skuadrës së zemrës të presidentit të Këshillit të Evropës.

Edi Rama: “Më vjen keq për Poloninë që humbi në kampionatin botëror”.

/abcnews.al

 

tusk-dhe-rama.jpg
G. P.12:02 | 12/07/2018

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, do të presë nesër në Bruksel kryeministrin shqiptar, Edi Rama. Takimi do të zhvillohet në Këshillin e Ministrave të Bashkimit Europian. Ky takim është i një rëndësie të veçantë dhe vjen 2 javë pas vendimit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në Qershor 2019.

Po ashtu javën tjetër në Tiranë mbërrin për një vizitë zyrtare një tjetër eksponent i lartë i Bruskelit, komisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johanes Hahn. Kjo vizite do të jetë pjesë e një turi ballkanik që nis me Maqedoninë. Komisioneri Hahn do të diskutojë me autoritetet në të dy vendet mbi hapat që do të ndërmerren gjatë muajve në vazhdim për përgatitjen e hapjes së negociatave Qershorin e ardhshëm./abcnews.al

TUSK-ZAEV-1280x720.jpg
ent ela19:13 | 28/06/2018

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk është shprehur besimplotë se liderët europianë të mbledhur të enjten në Bruksel do të miratoojnë konkluzionet e ministrave të Jashtëm për hapjen e rrugës drejt negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë.

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk nuk i ka kursyer lëvdatat pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev, që u zhvillua para fillimit të samititi të 28 liderëve europianë në Bruksel. Lidhur me këtë të fundit, Tusk është shprehur se kjo është një javë me lajme të mira për Ballkanin Perëndimor, pasi liderët europianë pritet të miratojnë konkluzionet e ministrave të Jashtëm për hapjen e rrugës drejt negociatave të anëtarsimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE, në qershor të 2019-s. Presidenti i Këshillit Europian ka inkurajuar më tej Maqedoninë të ruajë ritmin e reformave në fushat kyçe për të ardhmen e vendit.

Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian: “Të martën, ministrat e BE-së nisën rrugën drejt hapjes së bisedimeve të pranimit me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë dhe Shqipërinë në qershor të vitit 2019. Dhe në vetëm disa orë, unë pres që krerët e shteteve të BE-së ta miratojnë këtë vendim. Kjo arritje e madhe nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin tuaj personal dhe pa hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga qeveria juaj drejt forcimit të reformave për forcimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në vendin tuaj, si dhe nisjen e reformave strukturore dhe kompromiseve me fqinjët tuaj. Kjo është arsyeja pse të mërkurën u bëra thirrje të gjithë anëtarëve të Këshillit Evropian që të shprehin njëzëri mbështetjen e tyre për marrëveshjen e kryeministrave Zaev dhe Tsipras mbi çështjen e emrit”.

Tusk ka përcjellë gjithashtu një mesazh të rëndësishëm sa i takon mosmarrëveshjeve të vendeve anëtare në lidhje me emigracionin e paligjshëm drejt BE-së.

Donald Tusk, presidenti i Këshillit Europian: “Unë sugjeroj që të fokusohemi në kufirin e jashtëm të BE-së, duke përfshirë edhe projektin e platformave të zbarkimit. Në fakt, kjo do të ishte në linjë me sugjerimet e Kombeve të Bashkuara të shprehura qartësisht në letrën e tyre, të cilën e mora të mërkurën. Alternativa ndaj kësaj zgjidhjeje do të ishte mbyllja kaotike e kufijve, përfshirë ato brenda BE-së, si dhe konfliktet në rritje midis shteteve anëtare. Disa mund të mendojnë se unë jam shumë i ashpër në propozimet e mia për emigracionin. Por më besoni, nëse nuk pajtohemi me to, atëherë do të shihni disa propozime vërtet të vështira nga disa njerëz vërtetë të ashpër”.

Tema më e nxehtë e samitit të liderëve europianë është gjetja e një kompromisi për 3 qasje të ndryshme sa i takon politikës europiane për emigracionin klandestin, ku bën pjesë edhe propozimi i platformave të zbarkimit. /abcnews.al

70853Bashkimi.jpg
G. P.13:16 | 26/06/2018

Një grup eurodeputetësh i kërkojnë kreut të Këshillit Europian, Donald Tusk dhe liderëve të vendeve anëtare të mbështesin hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Përmes një letre, eurodeputetët theksojnë se BE duhet t’u tregojë dy vendeve ballkanike se mbështet përpjekjet e tyre për të ndërtuar shtet modern.

Një letër e hapur e nënshkruar nga Tanja Fajon, Knut Fleckenstein, Eduard Kukan dhe Monica Macovei drejtuar preidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, kërkon të shtyjë krerët e shteteve dhe qeverive anëtare të Bashkimit europian në pranimin e asaj që quajnë “hap deçiziv drejt politikës së zgjerimit të Unionit” përmes pranimit të hapjes së negociatave me Tiranën dhe Shkupin në samitin e datave 28-29 Qershor, liberalizimin e vizave me Kosovën, hapjen e kapitujve të rinj të negociimit për Malin dhe Zi dhe Serbinë, si dhe shpërblimin e reformave të Bosnjë-Hercegovinës në varësi të zgjedhjeve të përgjithshme elektorale të 7 Tetorit.

Një thirrje i drejtohet edhe vetë liderëve të vendeve anëtare, të cilat pritet të votojnë për fatin e negociatave, që të kapin këtë rast unik sipas tyre për t’i dhënë popullit ballkanas një shenjë të qartë se BE-ja e mbështet mundimin e tyre në ndërtimin e shteteve modern me institucione të forta dhe të pavarura, ekonomi të fortë dhe shoqëri solidare. Letra flet edhe për disa fuqi rajonale dhe globale, të cilat kanë për qëllim frenimin e ambicieve europiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo nuk duhet të lejohet të ndodhë./abcnews.al

tusk-dhe-gjukanovic.jpg
G. P.17:03 | 05/06/2018

Presidenti i Këshillit Europian ka pritur Presidentin e Malit të Zi në Bruksel. Tusk i kërkoi Gjukanoviçit, që të veprojë për të kapërcyer mosmarrëveshjet mes partive proevropiane.

Situata konfliktuale politike e krijuar brenda institucioneve të Malit të Zi  cilësohet si dobësi strategjike nga institucionet e Bashkimit Europian. Gjatë një konference për shtyp në Bruksel, Presidenti i Këshillit Europian, Doland Tusk i ka kërkuar Presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, që të marrë drejtimin për të kapërcyer mosmarrëveshjet midis forcave proeuropiane në gjirin e  institucioneve kyçe të vendit.

Donald Tusk, President i Këshillit Europian: “Sot më shumë se kurrë nuk kemi nevojë vetëm për deklarata politike, por edhe aksione konkrete. Ndaj,do të doja të shihja një avancim më të shpejtë të ecurisë së negociatave të anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Kjo do të thotë jo vetëm hapje të kapitujve të rinj, por edhe mbyllje të kapitujve të tjerë. I thashë Presidentit Gjukanoviç, se ecuria e reformave varet nga vendi i tij. Një gjurmë provash solide lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar ështê esenciale në këtë kuadër, ashtu si dhe pavarësia e medias dhe shoqëria civile është element thelbësor i procesit.  Shpreha keqardhjen që forcat proeuropiane në Mal të Zi nuk janë në gjendje që të bashkëpunojnë në gjirin e institucioneve të vendit. E inkurajova Presidentin Gjukanoviç që të marrë drejtimin për të kapërcyer këtë dobësi strategjike”.

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjykanoviç, ka treguar angazhimin, që vendi i tij të ecë me hapa të shpejtë në kuadrin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe të vendosë fokusin në prioritetet e forcimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër krimit të organizuar. Ai është takuar edhe me përfaqësuesen e lartë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mogherini dhe presidentin e Parlamentit Europian, Antonio Tajani./abcnews.al

tusk-me-meten.jpg
G. P.18:49 | 27/04/2018

Gjatë qëndrimit në Shkup, ku po merr pjese në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, Presidenti shqiptar, Ilir Meta zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk.

Presidenti Meta e konsideroi shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Presidentit Tusk në këtë samit, shenjë e vëmendjes dhe mbështetjes gjithnjë e në rritje të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.

Kreu i Shtetit gjithashtu vlerësoi vizitën dhe mesazhet inkurajuese që Presidenti Tusk përcolli gjatë vizitës së tij në Tiranë. Ato, sipas presidentit, duhet të nxitin të gjitha institucionet shqiptare drejt arritjeve konkrete në zbatim të 5 prioriteteve kyçe.

Presidenti Ilir Meta theksoi rëndësinë që ka edhe vendimi për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave me Kosovën, një hap i merituar, sipas tij, që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë drejt hapësirës Shengen.

tusk-dhe-thaci.jpg
G. P.14:29 | 26/04/2018

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me Presidentin e Këshillit Evropian tha se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke. Ndërsa Tusk nënvizoi se ndihet më shumë optimist pasi bisedoi me Thaçin dhe Vuçiç për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë. Zyrtari i Brukselit fillimisht u takua me presidentin Hashim Thaçi dhe pas bisedës me dyer të mbyllura, ata mbajtën një konferencë për shtyp. Në fjalën e tij, Thaçi ripërsëriti se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Hashim Thaçi, President i Kosovës: “Me Presidentin Tusk folëm për përkushtimin tonë për procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve. Përkushtimi nënkupton zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani por edhe lëvizjen drejt një marrëveshjeje të obligueshme që do të thoshte njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë dhe integrim në familjen e madhe evropiane. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve do të jetë një nga çështjet që do të diskutoj edhe në Berlin në takimin me Merkel që do të ndodhë më 9 Maj”.

Gjithashtu presidenti i Kosovës, u shpreh shumë optimist dhe sa I përket liberalizimit të vizave. Ndër të tjera Thaçi nënvizoi se BE dhe Ballkani Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën nuk kanë qenë kurrë më afër njëri-tjetrit. Nga ana tjetër, Tusk përgëzoi autoritetet e Kosovës për ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi duke thënë se ky veprim ka arfuar dhe më shumë vendin drejt liberalizimit të vizave. Gjithashtu, zyrtari europian foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Donald Tusk, President i Këshillit Evropian: “Pa normalizim gjithëpërfshirës dhe pa implementimin e plotë te marrëveshjeve nuk shoh se si mund të bëhet një ndryshim dhe përmirësim i marrëdhënieve. Pas takimit që realizova me presidentin e Serbisë, Aleksnder Vuçiç dhe sot me presidentin tuaj Hashim Thaçin, jam shumë më optimist”.

Ndërkohë, qëllimi kryesor i vizitës së Tusk në Kosovë ishte përgatitja për Samitin BE – Ballkan Perëndimor që do të zhvillohet në Sofje më 17 Maj. Më përpara, ai vizitoi Shqipërinë dhe Serbinë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono