Divjakë

KLOSI-NE-DIVJAKE_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela15:00 | 26/07/2019

Japonezët do të investojnë në Divjakë dhe për këtë patën një takim me ministrin e Turizmit Blendi Klosi. Homologu i tij Minoru Kiuçhi tha se ishte i kënaqur për projektin e ri në Lagunë.

Qeveria japoneze do të investojë përsëri në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta. Lajmi u bë i ditur gjatë një takimi që ministri Blendi Klosi zhvilloi me ministrin japonez të Mjedisit, Minoru KIUCHI.

“Besoj që kemi gjetur dakordësinë për fondet e rëndësishme në konservimin e lagunës së Karavastasë dhe besoj do të jemi të shpejtë në paraqitjen e projekteve të plota që do të bëjnë të mundur që implementimi i këtyre fondeve të realizohet në kohë rekord”.

Ministri japonez i mjedisit u shpreh i kënaqur nga ky takim, i realizuar në Parkun Kombëtar të Divjakë-Karavastasë, sipas tij, një zonë me vlera të jashtëzakonshme natyrore.

“Jam shumë i kënaqur të konstatoj që përmes ndihmës së agjencisë japoneze me bashkëpunim ndërkombëtar (JICA) ne kemi zhvilluar një projekt në zonën e Divjakë-Karavastasë dhe kemi ndërtuar një plan menaxhimi të parkut Kombëtar. I premtova ministrit Klosi që ne do ta mbështesim edhe më tepër zhvillimin e qëndrueshëm në parkun Divjakë-Karavasta”.

Hapja dhe mbajtja e kanalit të komunikimit midis lagunës dhe detit,  do të zgjidhë problemin e ujë-këmbimit si kusht kryesor për oksigjenimin e lagunës; Ngritja e një sistemi monitorimi në zonë që lidhet si me parametrat e ujit dhe ato të biodiversitetit si edhe zgjidhjen e problemit të peshkimit në lagunë, si një nga problemet kryesore të mjedisit që ka shkaktuar ulje të biodiversitetit dhe kërcënim për pelikanin

 

PLAZHI-ME-ZETOR-DIVJAKE_aBC-M2-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela14:30 | 13/07/2019

Në Adriatik të Divjakës familjaret gjejnë hapësirat dhe plazhin që duan për fundjava. Madje nuk ia përtojnë të shkojnë aty me mjetet e bujqësisë.

Pranë bregut të detit kanë parkuar edhe zetorë. Rrallë ndodh të shohesh mjete bujqësore në plazh, por në Adriatik të Divjakës, kjo është e zakonshme.

Familja prej 10 anëtarësh nga fshati Karavasta e Re, prej vitesh shkon në plazh me zetor. Të gjithë bashkë, burra gra dhe fëmijë, kanë marrë nga shtëpia dyshekët dhe çarçafet, si aksesorë plazhi.

“Po i kemi marrë masat, çarcaf, dyshek dopio. I marrim me vete dhe zetorin që mos na kapë dielli”.

“Mbrapa vëmë çarçafin mos na kapë dielli”

Është bregdeti më i populluar në Divjakë. Plazhi i njohur me emrin Adriatik, konsiderohet parajsë për vendasit. Pushuesit janë nga zonat e afërta me bregdetin, ku fshati më pranë është Bedati, vetëm 5 km larg detit.

“I sjellim këtu, bëjmë plazh dhe qetësohemi”.

Plazhi është i virgjër, pasi nëpër të gjithë vijën bregdetare të Adriatikut, nuk ka asnjë investim. Pushuesit vijnë ose në këmbë, ose me çfarëdo lloj mjeti motorik, për rërën e pastër dhe të jodizuar, ujin e ngrohtë dhe për të ngrenë peshk deti të sapo zënë nga peshkatarët amatorë. /ABC news Albania 24/7

DIVJAKA-FERMERET_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.06-1280x720.jpg
ent ela14:50 | 26/06/2019

Në Divjakë të gjitha tokat bujqësore janë futur në sistemin e ri vaditës dhe fermerët ndjehen të bekuar për këtë gjë. Janë rreth 13.2 km linjë kryesore që vadit rreth 7 mijë ha tokë.

Për banorët e Divjakës pa ujin për vaditje nuk ka jetë. Puna dhe të ardhurat ekonomike të zonës,  sigurohen nga zhvillimi i bujqësisë.

Ky i moshuar i gëzohet një pamjeje të tillë. Kanalet në këto ditë të nxehta janë të mbushur me ujë.  Të mbjellat e tyre nuk do të thahen. Tokat bujqësore janë futur në sistemin e ri vaditës.

“Kjo ka dy gjëra edhe bukurinë e vendit dhe jetën e kësaj zone”.

“E ka nisur mirë shumë po mos harrojë degën tonë që janë 7-8 parcela këtu nga 10 hektarë”.

Të paktën zonat, Gradisht dhe Remas e kanë zgjidhur problemin e thatësirës. Vaditja kryhet me rrjedhje të lirë, duke hequr shpenzimet për pompat me korent.

Dega kryesore Murriz-Thanë-Gradishtë është e gjitha nën ujë.  Kjo ka bërë që pas 30 vjetësh, kanalet të çlirohen nga mbeturinat. Sot, 13,2 km linjë kryesore vadit rreth 7000 ha tokë. Kanali ka dy funksione, ka pastruar zonën dhe kryen vaditjen e tokave.

”Vazhdojnë punimet në këtë segment dhe me përfundimin e punimeve se janë shtyrë me kërkesë të bashkisë për të mos penguar sezonin vaditjes”.

Gjatë rehabilitimit u dëmtuan urat  që nuk përmbushnin kushtet duke u bërë pengesë për kalimin e rrjedhës së ujit.

Ndërtimi i tyre nga e para, u pasua me bllokimin e ujërave të zeza.  Të gjitha rrjedhjet u ndërprenë duke sjellë ujë të pastër për vaditje.

Tashmë kanali kryesor furnizon sekondaret duke bërë që për herë të parë në shumë zona uji të shkojë deri në pikat fundore.

/ABC News Albania 24/7

Edi-Rama-7.jpg
ad min20:40 | 12/06/2019

Pas 2 ditë ndërprerje kryeministri Rama iu rikthye fushatës elektorale për vendoret e 30 qershorit. 28 vjetori I PS e gjeti në Divjakë e Lushnje, por fokusi është tek presidenti i Republikës, të cilin mazhoranca ka shpallur synimin për ta shkarkuar për shkak se çdekretoi datën e zgjedhjeve të 30 Qershorit.

“Është tentativa për të çuar deri në fund një plan që ka nisur me ikjen nga Parlamenti, ka vazhduar me djegien e mandateve, është thelluar me dhunën dhe me molotovët dhe me kapsollat, për të krijuar klimën e një Shqipërie në konflikt, e një Shqipërie që rrezikon të destabilizohet dhe për t’i dhënë zotit President mundësinë që të dalë si shpëtimtar i kombit, por jo për të shpëtuar kombin, jo për të shpëtuar popullin, por për të shpëtuar veten dhe një grusht të vogël njerëzisht nga thellimi i mëtejshëm dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi”, tha Rama.

Rama nuk i beson argumentimit të kreut të shtetit se ka informacione zyrtare për përplasje në 30 Qershor.

“Kam informacion – thotë Iliri – nga agjencitë serioze ligj zbatuese. Do me thënë nga filxhani i Monikës, ka ardhur informacioni që në fund të filxhanit. Tani, se pse i duhet këtyre të katërve sistemi i komiteteve të shpëtimit që po ndërtojmë dhe i asaj aleancës për të mbrojtur demokracinë, unë e di, ne e dimë dhe do ta sqarojmë në vazhdimësi. Nuk i duhet për të mbrojtur demokracinë, i duhet për të mbrojtur veten nga drejtësia, duke krijuar këtu kaos”.

Socialistët kanë ndarë edhe detyrat për 30 Qershorin. Për Kryeministrin 30 Qershori do jetë një leksion për ata që duan kaos, e veçoi disa herë paraardhësin e tij Berisha

“Që në 30 qershor ai plaku do ta mësojë një herë e përgjithmonë që çfarë është mësuar të bëjë në të shkuarën me socialistët është kohë e shkuar për t’u harruar. As kjo nuk diskutohet, por më e rëndësishmja nga të gjitha këto është se pas 30 qershorit do të jemi në një Shqipëri tjetër, në një Shqipëri, ku përfundimisht ose politikanët do t’i nënshtrohen ligjit dhe rregullave, njësoj si të gjithë qytetarët ose për ta nuk do ketë më vend, pasi askush nuk do të vejë më nga mbrapa dhe molotovët e mbetur mund t’i përdorin për të hedhur në erë veten e tyre. Kërkojnë të mbjellin frikë. Mbajeni mend, nga frika e tyre do treten. Kur bërtasin, nuk e bëjnë se janë trima, por i bërtasin frikës së tyre se e kanë frikën brenda sa, jo lepuri, por sa ato dhelprat e Divjakës, të cilëve ne ju kthyem dhe lirinë se këta kur ishin në qeveri, i vrisnin pa mëshirë. Ne, nga ana jonë, kemi të drejtën me vete. E drejta do të na shpërblejë sepse kemi bërë gabime, jo gjithmonë kemi qenë në lartësinë e pritshmërive dhe të besimit tuaj, por ama asnjëherë nuk kemi bërë gabime të qëllimshme dhe kurrën e kurrës, as ju kemi tradhtuar dhe as do t’ju tradhtojmë, duke përdorur pushtetin në kurrizin tuaj dhe në dëm të fëmijëve të këtij vendi, të cilëve duam t’u lëmë një Divjakë dhe një Shqipëri të denjë”, tha ai.

Kryeministri përsëriti kujtesën se kush prish zgjedhjet nuk do lejohet të hyjë në SHBA familjarisht./ABC News Albania 24/7

divjaka.jpg
ad min19:33 | 02/06/2019

Moti nuk po e ndihmon aspak turizmin këto ditë të para Qershori. Në plazhin e Divjakës ka shumë pak pushues ditor ndërsa operatorët turistikë janë në pritje të vizitorëve të huaj. Ata thonë për ABC News se ka prenotime të turisteve nga Europa për sezonin veror.

Është fundjavë Qershori, por kapriçot e motit kanë sjellë pak pushues në plazhin e Divjakës. Për prenotime të gjata është ende herët për vendasit.

“Është i freskët, por mirë është prapë”, tha një pushues.

“Kemi ardhur nga Tirana të bëjmë plazh. E kemi të përvitshëm plazhin e Divjakës. Ka të meta, por ka dhe të mirat e veta”, u shpreh një tjetër.

Rezervimet janë bërë më shumë nga të huajt. Operatorët turistike thonë se vizitorë nga Gjermania, Anglia, Italia dhe Franca do të vijnë në muajt Korrik dhe Gusht.

“Nga Londra kemi shumë klientë që presim këtë vit. Gjithashtu pa lënë dhe Gjermaninë dhe dy shtete të tjera siç janë Çekia dhe Polonia që janë vizitorë të përhershëm në Divjakë”, tha njëri prej tyre.

“Parashikohet një dyndësim i madh në drejtim të frekuentimit. Tani s’po shikojmë muaj, por pretendojmë se Korriku dhe Gushti do jenë mbi normalitetin”, u shpreh një tjetër operator turistik.

Në këto ditë të freskëta qytetarët dhe nxënësit e shkollave orientohen më shumë drejt Parkut Kombëtar të Divjakës. Pylli me pisha dhe shpendët gjithmonë kanë qenë pikat më të vizituara. /ABC News Albania 24/7

rama-divjake-1280x718.jpg
ad min15:40 | 30/05/2019

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar disa inspektime në zonën e Lushnjës. Ai është njohur me efektet e lehtësive fiskale që janë aplikuar në tërësi e në mënyrë të veçante heqja e TVSH-së  për makineritë dhe inputet bujqësore që ka mundësuar investime të reja në teknologjinë bashkëkohore të bujqve dhe fermerëve. 

Është një ditë e zakonshme pune në tregun e Divjakës. Kështu njofton zyra e shtypit e Kryeministrisë mbi vizitën që numri një dhe numri dy i qeverisë kanë bërë në këtë treg agro-ushqimor.

Vetëm fjalë të mia dëgjon Kryeministri Rama nga fermerët.

“Ky vit bujqësor na ka shpërblyer për të gjitha kulturat. Kemi dalë shumë mirë. Prodhimet na janë shitur dhe vazhdojnë të shiten. Ka zbutje në të gjitha inputet bujqësore. Edhe sa i përket plehut të bimëve, apo çdo produkti që nevojitet për përkujdesjen e bimëve i marrim më lirë,” – shprehet një prej fermerëve.

Sipas zëvendëskryeministrit njëherësh edhe deputet i zonës Erjon Braçe, suksesi i fermerëve, ndonëse të rinj në moshë, qëndron tek përkushtimi i tyre ndaj tokës dhe fakti që të ardhmen e tyre kanë dëshirë ta ndërtojnë në vendin e tyre.

 “Divjaka gjithë suksesin e ka tek këta djemtë  e rinj, të cilët nuk kanë ikur, që kanë ndenjur, që punojnë me tokën dhe që duan mbështetje për atë pjesë që na takon ne si qeveri. Deri tani kanë marrë atë që kemi dhënë ne nga inputet bujqësore. Heqja e TVSH-së për makineri dhe  pajisje e ka dhënë efektin. Një pjesë që kanë marrë fitime i kanë bërë makineri bujqësore. Nuk i kanë as në llogari, i kanë bërë investime. Një pjesë tjetër po i bën sera. Ato lekë që kanë fituar po i bëjnë sera. E natyrisht po shtohet prodhimi, rritet dhe djemtë e rinj këtu nuk largohen prej këtej,” – u shpreh ai.

Tregu agro-ushqimor i Divjakës, me sipërfaqe prej 1 hektar, është vendi ku çdo ditë mbledh fermerët e zonës, për të tregtuar prodhimet e tyre, por edhe për të promovuar  produktet vendase dhe tërhequr eksportues.

Kryeministri Edi Rama ka vizituar edhe një fermë në  që ka përfituar një vit më parë nga Fondi i Programit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 12,3 milionë lekë të cilat i investoi për shtimin e kapaciteteve prodhuese.

Në fshatin Kamenicë të Divjakës, Kryeministri Rama, i shoqëruar nga zv/Kryeministri Erjon Braçe, panë nga afër pjesën fundore të veprës më të madhe vaditëse të gjithë këtyre viteve në zonën e Myzeqesë. Që do të përmirësojë rreth 5100 hektarë tokë, të cilët kanë pasur mungesë të ujit të ëmbël.

Ndërsa në Babunjë pa punimet e kryera në  rrugën e këtij fshati që e lidh me Fierin./ABC News Albania 24/7

shalqini-me-kungull.jpg
nev ila14:30 | 30/04/2019

Fermerët në Divjakë kanë kohë që nuk mbjellin më fara apo fidanë autoktonë të shalqinit. Por të gjitha serat janë mbjellë me shartime. Fermerët tregojnë pse ata prodhojnë shlaqi të shartuar me kungull.

Shijes së shalqinit  nga fidani autokton i thoni lamtumirë.  Ky frut më tepër i ngjan një kungulli.  Në Divjakë shalqini është shartuar jo vetëm me kungull, por edhe me Poç, një derivat i së njëjtës familje.

Në formë tynelësh, serrat diellore janë mbjellë që prej muajit dhjetor me këto fidanë dhe prodhimi i parë del në fillim të majit. Një teknologji e tillë, sipas prodhuesve kryhet për të luftuar sëmundjet tek bima, dhe për të rritur rendimentin.

“Bëhet për të luftuar sëmundjet dhe jep prodhim më shumë, është dhe rezistent ndaj mikroorganizmave”, thotë një nga fermerët e kësaj zone.

Ky del në 20-25 maj, sepse është vetëm me pleh organik, këtu pothuajse të gjithë i hedhin shalqinit pleh organik sepse e bën bimën më të bukur dhe më të fuqishme, gjithashtu nuk shpenzon shumë te kimikatet”, shprehet një tjetër.

Përpara viteve 90- të, në treg shalqinin e gjeje në muajin korrik.  Sot tregjet mbushen që në 15 Maj.  Për specialistët e bujqësisë në Lushnje teknologjia shikohet avantazh për rendimentin.

Pra nëse konsumojmë shalqinj jo shume të ëmbël dhe me ngjyrën e kuqe të fortë, kjo nuk do të thotë se, është një produkt i rritur me stimulantë, por vjen i tille nga shartimi.

Specialisti i Bujqësisë në QTTB Lushnje na tregon se:

Një shalqi i pashartuar kërkon 5 ose 6 ndërhyrje me spërkatje, për dëmtuesit dhe për sëmundjet, ndërsa një shalqi që kultivohet me shartim, kërkon maksimumi dy ndërhyrje. Nuk kërkon ndërhyrje me pesticide për sëmundjet e rrënjëve, dhe siguron rendiment të bollshëm”.

1070 ha tokë në Divjakë është mbjellë në 2019 vetëm me fidanë të shartuar.  Në këtë mënyrë jo vetëm tregu vendas mbushet shpejt por edhe ai në Ballkan përmes eksportit./ABC News Albania 24/7

blegtoret-1280x700.jpg
ent ela15:30 | 18/03/2019

Fermerët në Divjakë po shkojnë drejt mbylljes së fermave të tyre dhe shitjes së bagëtive. Kjo për shkak se grumbulluesit e bulmetit nuk u marrin me prodhimin. Këtë javë priten protesta.

Pas 16- vjetësh, kjo grua sipërmarrëse do të mbyllë fermën e saj. Është dita e fundit që ka mjelur lopët . Nesër qumështin nuk ka ku ta shesë. Flutura Gjeka, ka arritur pak nga pak te rrisë fermën e saj.

Por sot ndodhet në udhëkryq. Ajo nuk di ç’të bëj me sasinë e madhe të qumështit që merr nga bagëtitë.Pagesa prej 14% e TVSH së prodhimit, po detyron blegtorët e Biçukasit në Divjakë, të shesin bagëtitë dhe nëse situata nuk ndryshon, ata mendojnë emigrimin.

Këtë javë një tjetër protestë e madhe e blegtorëve është lajmëruar në Lushnje. Një javë më parë u derdhën në rrugë qindra litra qumësht.

Blegtorët  kërkojnë ndryshimin e TVSH. Diferenca prej 14% paguhet nga grumbulluesit të cilët kanë vendosur që barrën t’ua ngarkojnë blegtorëve duke mos ua marrë prodhimin ose duke u ulur çmimin nga 40 lekë në 20 lekë për litër.

Gazetare: Anila Sefa

Operator: Kastriot Toshkollari

ambulanca-cerme-e-siperme.jpg
ad min13:44 | 19/02/2019

Për pesë mijë banorët në Çermë të Divjakës nuk mund të afrohet shërbimi mjekësor. Në ambulancën e zonës mjeku mungon dhe aty gjendet thjesht një infermiere.

Banorët e Çermës së Sipërme në Divjakë kanë një vit që kërkojnë shërbim mjekësor. Mjeku mungon në ambulancën e zonës dhe ata nuk dinë ku të drejtohen për vizita. Më e vështirë situata është për moshat e treta, të cilët kanë nevoja urgjente për ndihmën e parë. Shpeshherë u ka ndodhur që të sëmurët në gjendje të rëndë, të përkeqësohen më tepër për shkak të mungesës së shërbimit mjekësor.

“Ne jemi një fshat me 3.500 banorë, mjeku vjen dy herë në javë. Unë pres të sëmurem vetëm kur të vijë mjeku. Çfarë të bëjmë neve? Të vedsim pastaj të vijë mjeku të na shohi”?

“Unë vij këtu për një dokument se dua të vizitohem në Lushnje. Jam invalid, doktor s’ka”.

“Unë jam sëmurë, ku të shkoj, ku të përplasem. Mjek s’ka, prandaj duam mjekun të jetë i përditshëm këtu në Çermë”.

Në ambulancë ndodhet vetëm një infermiere, e cila jashtë kameras thotë se ka disa muaj që është e punësuar. Mjeku sipas saj vjen vetëm dy herë në javë dhe e nis punën pas orës 11:00, kurse ditët e tjera punon në një tjetër ambulancë.

Në këto kushte, banorët duhet të drejtohen ose në spitalin e Lushnjes ose në Fier. Ambulanca e Çermës së Sipërme ka të kartelizuar rreth 3.000 banorë dhe në Çermë kërkojnë shërbimin mjekësor më shumë se 5 mijë banorë. /abcnews.al

kanalet-e-kullimit.jpg
ad min15:15 | 05/02/2019

Për të shpëtuar tokat nga përmbytja për shkak se janë nën nivelin e detit në Tërbuf të Divjakës po punohet për thellimin e sistemit kullues. Bashkia premton se tetë eskavatorët e vënë në punë do të përfundojnë investimin në muajin Qershor.

Përmbytja e tokave në Tërbuf është një fenomen i harruar. Të gjitha sipërfaqet bujqësore kanë sistemin kullues më të mirë në Shqipëri. Pastrimi i qindra kilometrave kanale po kryhet nga 8 eskavatorë, të cilët që prej fillimit të këtij viti dhe deri në Qershor do të jenë në dispozicion të punës. Si pjesë e Njësisë Administrative Divjakë, këto toka edhe pse janë nën nivelin e detit i kanë shpëtuar përmbytjeve prej një viti.

“Me këtë pastrim kanali tokat e Tërbufit nuk do të kenë më përmbytje”.

“Me pastrimin e këtij kanali çdo gjë përfundon, ka zgjidhje të plotë”.

Pastrimi nga mbeturinat dhe thellimi i kanaleve të dyta, do të shoqërohet me krijimin e një infrastrukture të re. Për kreun e Bashkisë Divjakë, Fredi Kokoneshi një eksperiencë e tille po zbatohet për zonën e Grabjanit, ku terreni ngjitur me kanalet do të kthehet në një trotuar të gjelbërt, i shoqëruar me mbjelljen e dhjetërave pemëve dekorative.

“Vetë njësitë janë ndërtuar brenda hapësirave të tokave dhe ne mendojmë që paralel t’i vijmë në ndihmë qyetarëve edhe në kullimin e tokave, por edhe në kushtet optimale që ata pas orarit të punës të ndihen qytetarë si gjithë të tjerët”, tha ai.

Puna po kryhet me ritme të shpejta dhe volumi është i madh si në rrjetin e kanaleve të dyta ashtu edhe në kanalet e treta. Rreth 600 hektarë sipërfaqe bujqësore në këto zona janë futur në sistemin kullues aktiv pas 28 vitesh. Pastrimi i tyre ka disiplinuar ndotjen e ujërave, të cilat nga zona e Tërbufit, derdhen në rezervuarin e Biçukasit dhe më pas në detin Adriatik./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono