dita e veres

DITA-E-VERES-NE-TIRANE-1280x720.jpg
ent ela15:57 | 14/03/2018

Të shumtë ishin qytetarët që zgjodhën Tiranën për të festuar ditën e verës. Një larmi aktivitetesh ofroi kryqyteti për këtë festë. Pjesë e tyre u bë edhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj, i cili bashkë me urimin e festës deklaroi se projektet në Tirane do të vazhdojnë pavarësisht debateve që shkakton çdo gjë e re.

Sheshet dhe rrugët kryesore të Tiranës u kthyen në skena festë këtë të mërkurë, ndërsa qytetarë që kishin zgjedhur kryqyteti për të festuar ditën e verës ishin nga rrethe të ndryshme.

Aktivitetet nisën me një paradë karnavalesh. Në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për gati tri orë, këngëtarë të njohur dhuruan spektakël. Ndërsa Parku i Liqenit Artificial u kthye në destinacion për të gjitha moshat.

Panairi me produktet artizanale, varakat apo piktorët shëtitës tërhoqen vëmendjen e shumë qytetarëve.

Festa kulmoi në sheshin “Skënderbej” ku një ndër pilotët më të njohur në botë, Martin Sonka dhuroi shfaqje për të gjithë të pranishmit. Por dita e verës për qytetarët nuk përfundon me kaq.

Festës i është bashkuar edhe Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i cili përveç urimit për Ditën e Verës përcolli edhe një mesazh për punët e kryeqytetit.

Muzikë, sport, produkte artizanale i ofroi kryeqyteti të gjithë atyre që e zgjodhën për të kaluar ditën e verës. Aktivitetet që nisën gjatë mëngjesit do të zgjasin deri në mesnatë. /abcnews.al

ATMOSFERE-ELBASANI-1280x720.jpg
ent ela15:16 | 14/03/2018

Këtë vit Elbasani ka pritur afro 200 mijë festues për Ditën e Verës. Aktivitetet për 14 marsin nisen tri netë para dhe bashkia kishte organizuar një sërë aktivitetesh.

200 mijë vetë besohet se kaluan Ditën e Verës në Elbasan. Për sigurinë e tyre u kujdesën afro 400 forca policie, mes tyre dhe forcat speciale.Me kalimin e viteve edhe organizimet bëhen më të bukura.

Elbasani nuk ishte pritësi i vetëm i atyre që shkuan për t’u argëtuar nga Shqipëria e nga Kosova, por edhe qyteti ku zbarkuan pushtetarët e u mblodh qeveria. Pas tyre edhe lideri opozitës Lulzim Basha.

Tradita dhe trendy,  bashkë për të festuar. Karnavale, demostrime sportive dhe njerëz që lëviznin nga njëri cep i qytetit në cepin tjetër. Ballokumet zunë vitrinat më të mëdha. Kurse lokalet pritën e përcollën mijëra vetë. Elbasani kishte netë që zhurmonte nga daullet e muzika.

Koncertet ishin të parët që mblodhën njerëzit.  Spektakël fishekzjarresh. Këngëtarë të shumtë për t’i mbajtur  zgjuar në pritje të ditës së 14 marsit. Të parët ishin ata popullorë. Një festival u organizua nga ata. Disa panaire, nga ai i librit deri tek zejet. Dhe një kryetar bashkie i kënaqur për këtë ditë.

Gazetar i ABC News, Elbasan: Fatos Salliu

 

VELIAJ-1280x720.jpg
ent ela13:17 | 14/03/2018

Argëtim, sport, muzikë, produkte artizanale, ushqim i shëndetshëm, ishin ato që çfarë ofroi sot kryeqyteti për të gjithë qytetarët që zgjodhën Tiranën për të kaluar festën e Ditës së Verës. Mijëra qytetarë të të gjitha moshave, të ardhur jo vetëm nga Tirana, por edhe rrethet, janë bërë pjesë e festimeve të shumta të organizuara në rrugët dhe në sheshet e kryeqytetit, i cili është veshur me ngjyrat e festës.

Festa filloi që në orën 10:00, me paradën e karnavaleve ku fëmijë të shkollave të ndryshme të kryeqytetit parakaluan me veshje të ndryshme në drejtim të Liqenit Artificial, ndërkohë që një nga pilotët më të mirë në botë, Martin Sonka, dhuroi një shfaqje në qiellin mbi Sheshin “Skënderbej” me aeroplanin e tij sportiv.

Festës i është bashkuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili e nisi ditën duke mbjellë pemë të reja në periferi të Tiranës dhe në Parkun e Liqenit Artificial. Pasi është përshëndetur me qytetarë të shumtë, ai ndoqi nga afër shumë prej aktiviteteve të sotme, si dhe përcolli urimin e tij për të gjithë qytetarët e Tiranës.

“Dua t’u uroj nga zemra, në emër të Bashkisë të Tiranës dhe gjithë qytetarëve tanë gëzuar Ditën e  Verës! Sot kemi pasur një ditë me aktivitete, të gjithë parashikonin që do ishte shi dhe sterrë, por na pa Zoti si i thonë dhe kemi patur një ditë fantastike. E filluam me disa mbjellje masive në rrethinat e Tiranës, pastaj nga Liqeni, ku kemi patur pafund aktivitete e tani këtu në sheshin “Skënderbej”. Dua të falënderoj aeuronatikën dhe dua t’ju uroj të gjithëve një stinë të mbarë. Stina e pranverës, stina e verës, ardhja e një moti të ri  është ndoshta një moment për të reflektuar  e për të kuptuar që kur ne jemi bashkë, ne bëjmë mrekulli”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë së Tiranës siguroi se pavarësisht disa debateve, puna për ndërtimin e Tiranës do të vijojë, ndërkohë që siguroi nisjen e disa projekteve të rëndësishme për qytetin sikurse Piramida , Teatri i ri dhe pjesa e mbetur e Bulevardit të Ri.  “Pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam këndin e lojërave pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam Pazarin e Ri, pavarësisht debateve që pati, kur ndërtuam bulevardin e ri, pavarësisht debateve që pati, do të vazhdojmë në këtë mot të ri për të ndërtuar më shumë në Tiranë pavarësisht debateve që do kenë. Kjo do të jetë Piramida, do të jetë teatri I ri, do të vazhdojmë me fundin e bulevardit. Ne kemi mësuar që çdo ndryshim vjen me një rrëmujë të madhe, por kur ndryshimi vjen, të gjithë e përqafojnë dhe harrojmë që shumë prej gjërave që kemi kritikuar e debatuar janë sot pikat më të nxehta të qytetit”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se është momenti që të gjithë të fokusohen te puna dhe të tregohen bashkëpunues dhe mbështetës për të mos humbur kohë. “Në e shihni ku ka qenë popullsia më e madhe sot ka qenë tek liqeni, tek këndi i lojërave, këtu te ky sheshi i ri “Skënderbej” dhe Pazari i Ri e tek bulevardi i ri. Prandaj hajde të fokusohemi që të jemi pozitivë të jemi dashamirës, të jemi ndërtues, të jemi mbështetës ndaj njëri-tjetrit. Sa herë që zihemi e përçahemi humbasim kohë të çmuar, por disa herë që punojmë të fokusuar me optimizëm e energji pozitive, ne bëjmë mrekulli. Faleminderit të gjithëve nga zemra dhe ju uroj gëzuar ditën e verës”, deklaroi Veliaj.

Për më shumë se tre orë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” u mbajt një koncert me këngëtarët e njohur si Arilena Ara, Sidrit Bejleri, Eneda Tarifa, Lorenc Hasrama, Fifi, Denisa Gjezo& Band, ndërsa përballë piramidës Piramida ishte një tjetër skenë e muzikës ku performuan Dee Jay, Dj Aldo, DjSardi, Dj Mickey, Chriss V, VinVeli, Abel Dj.

Sikurse është bërë tashmë traditë, Parku i Liqenit Artificial ishte një nga destinacionet më të preferuara nga qytetarët, me varka dhe kanoe për argëtim, aktivitete sportive, panair dhe shëtitje buzë liqenit që gjallëruan këtë zonë të qytetit në këtë ditë të shënuar. Në rrugë të ndryshme të qytetit janë ndërtuar skena më të vogla për të vegjlit.

Aktivitetet festive me rastin e kësaj dite mbyllen në mesnatë ku të rinjtë në pika të ndryshme të qytetit do të kenë mundësi që të ndjekin DJ dhe këngëtarët më të mirë të momentit të zhanreve të ndryshme muzikore. /abcnews.al

 

 

 

28938807_1592334304153734_1815509050_o.jpg
ent ela12:45 | 14/03/2018

Lulzim Basha uroi shqiptarët për ditën e verës nga Elbasani. Pasi vizitoi panairin e përvitshëm në qendër të qytetit, kreu i opozitës takoi dhe përshëndeti qytetarët elbasanllinj.

Kreu i Partisë Demorkatike vizitoi kryeqytetin e ditës së Verës, Elbasanin. Si çdo vit kryeopozitari Basha vizitoi panairin e qytetit ku elbasanllinjtë reklamojnë produktet e tyre. Ndër ta, veçoi kë i la përshtypje.

“Dua t’ju uroj nga zemra të gjithë sipërmarrësve, tregtarëve të cilët paraqesin punët e tyre në panair. Jam impresionuar nga të gjitha punimet e dorës të të gjitha zonjave shtëpiake. Gjithashtu jam i impresionuar që në Elbasan ndodhet një nga fabrikat më të mëdha të prodhimi të paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë. Këto sektorë meritojnë mbështetje nga shteti. Gëzuar Ditën e Verës të gjithë qytetarëve të Elbasanit dhe të gjithë shqiptarëve. Ashtu siç çelin lulet në pranverë, çeltë shpresa dhe optimizmi në zemrën e shqiptarëve”, u shpreh Basha.

Kreu i opozitës Basha më pas takoi dhe përshëndeti qytetarët i shoqëruar nga bashkëshortja Aurela dhe deputetë të zonës në një ecje në rrugët e Elbasanit./abcnews.al

RAMA-DITA-E-VERES-1280x720.jpg
ent ela12:09 | 14/03/2018

Kryeministri Edi Rama edhe këtë vit ka zgjedhur Elbasanin për të festuar ditën e verës, e cila përkon edhe me axhendën dy ditore të qeverisë që zgjodhi këtë qark për të mbledhjen e radhës.Kreu i qeverisë siguroi kryebashkiakun e Elbasanit se po punohet për të siguruar më shumë punësim e mirëqënie por që të realizohen duan kohën e tyre.

Dita e verës e ka gjetur në Elbasan kryeministrin Edi Rama. Lulet që i dhuruan kreu i qeverisë ia shpërndau grave që e rrethonin.

Kryeministri vizitoi panairin që zhvillohet çdo vit në 14 mars ku ekspozohen edhe produktet tradicionale shqiptare. Më së shumti I përngjante takimesh ku nuk munguan edhe puthjet e duarve të kryetarit të qeverisë.

Elbasani ka ndryshuar, por akoma më shumë do të tjetërsohet vuri në dukje kryeministri Rama.

“Ka filluar të mos mbahet dot mend që kur kemi ardhur në Elbasan për Ditën e parë të Verës, por mbaj mend shumë mirë si ka qenë Elbasani, përsëri edhe këtë vit shquhen ndryshimet e rëndësishme nga viti i kaluar, të tjera do të ndodhin, do t’i bëjmë të ndodhin. Dhe ajo që është më e rëndësihme është të fuqizojmë vazhdimisht mundësitë e njerëzve për të pasur më shumë punësim, për të pasur më shumë ekonomi, për të pasur më shumë siguri për të nesërmen.”

Ai i siguroi qytetarët e Elbasanit se të gjitha këto do të realizohen por në kohën e mundur.

“Hap pas hapi, çdo ditë diçka po bëhet në funksion të një të nesërme që do të shkëlqejë si kjo ditë vere”./abcnews.al

 

thumbnail_IMG_3937-1280x960.jpg
ent ela10:27 | 14/03/2018

Atmosfera festive ndihet sot kudo në rrugët dhe në sheshet e qytetit të Tiranës. Kryeqyteti ka veshur ngjyrat e festës, ndërkohë që koha e mirë dhe aktivitetet e shumta të parashikuara nga Bashkia e Tiranës kanë bërë që mijëra qytetarë të dalin shëtitje bashkë me familjet dhe miqtë.

Sot në orën 12:00 tek sheshi Skënderbej, do të ketë show, por jo në tokë, në qiell. Sot bën 25 vite Aeronautika shqiptare dhe për këtë kryebashkiaku Veliaj përmes një postimi në Instagram njofton se piloti, Martin Sonka do të bëjë show me një mini aeroplan në qiell.

Gjithashtu, Parku i Madh pret Ditën e Verës, sivjet edhe më i pastër e më i sistemuar, më i madh me zgjerimet e rrugicat e reja, më i ndriçuar e më rekreativ. Ai do të jetë sot një nga destinacionet kryesore të qytetarëve të Tiranës. Varka dhe kanoe për argëtim, aktivitete sportive, panair kulinarie e muzikë do të gjallërojnë ditën e sotme. Ndërkohë që në orën 10:00 nga sheshi “Skënderbej” drejt Liqenit Articial, do të zhvillohet për herë të parë parada e karnavaleve ku fëmijë të shkollave të ndryshme të kryeqytetit do të parakalojnë me veshje të ndryshme. Veç zbukurimeve me lulet që simbolizojnë largimin e dimrit dhe ardhjen e pranverës, ndërmarrjet bashkiake kanë veshur edhe të gjitha pemët përgjatë gjithë këtij bulevardi me ngjyra që krijojnë një atmosferë festive. Në rrugë të ndryshme të qytetit janë ngritur skena më të vogla për të vegjlit, por edhe për të rinjtë të cilët do të kenë mundësi që të ndjekin DJ dhe këngëtarët më të mirë të momentit të zhanreve të ndryshme muzikor.

Ndërkohë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka uruar sot të gjithë qytetarët për Festën e Ditës së Verës, teksa ka postuar foto nga Pazari i Ri që shënon edhe 1-vjetorin e hapjes së tij. “Mirëmëngjes nga Pazari i Ri. 1 vit me xhevahirin e Tiranës që më shumë se treg, bëri bashkë një komunitet. Gëzuar Ditën e Verës”, shkruan Veliaj. Projekti transformues i Bashkisë së Tiranës, e ka kthyer zonën e Pazarit të Ri, nga një ngrehinë, në një hapësirë që funksionon 24 orë, ku paradite fokusi më i madh është te tregtia dhe pazari, kurse pasdite te kulinaria, restorantet rreth e rrotull dhe aktivitete të tjera kulturore, festive e panaire./abcnews.al

DITA-E-VERES-ELBASAN-1280x720.jpg
ent ela10:12 | 14/03/2018

Dita e Verës ka vëmendjen më të madhe sot në Elbasan, aty ku atmosfera është shumë festive.

Mendohet se rreth 200 mijë qytetare do të jenë pjesë e festimeve ne rrugët e sheshet e këtij qyteti. Elbasani vazhdon të mbetet epiqendra e kësaj feste pagane. Dita e Verës konsiderohet si festa e ripërtëritjes, bukurisë dhe begatisë.

Kulmi i aktivitetev arrin me karnavalet, me demonstrime sportive të klubit shumësportesh  dhe me vazhdimin e koncertit të madh.

Më pas njerëzit do t’i drejtohen natyrës, pasi moti e mundëson një gjë të tillë.

Për mbarëvajtjen e festës janë angazhuar 321 forca policie të Elbasanit, të mbështetura edhe nga Forcat Speciale nga Tirana.

Edhe qeveria shqiptare është zhvendosur prej dy ditësh në Elbasan.

Gjatë ditës së sotme axhenda qeveritare do të vazhdojë me dorëzimin e çertifikatës së pronësisë Kishës Katolike, vizitë në Panairin e madh tek Pallati i sportit, ecje në bulevard dhe kalimi tek sokakët e restauruara të kalasë etj.

Gjithashtu sot në Elbasan shkon dhe lideri i opozitës Lulzim Basha. /abcnews.al

 

TIRANA-BLLOKOHET-PER-AUTOMJETET-1280x720.jpg
ent ela15:09 | 13/03/2018

Më 14 mars pjesa qendrore e Tiranës do te bllokohet për qarkullimin e automjeteve. Policia Bashkiake ka hartuar një plan masash për të garantuar aktivitetet e organizuara për ditën e Verës, ndërkohë që ndryshim të lëvizjes do të pësojnë edhe linjat e autobusëvë urban që kalojnë në pjesën qendrore të kryeqytetit.

Kufizoni lëvizjet me makina, ose do të mbeteni në trafik. Të mërkurën thuajse e gjithë pjesa qendrore e Tiranës do të bllokohet për qarkullimin e automjeteve. Arsyeja është garantimi i mbarëvajtjes së aktiviteteve organizuar nga Bashkia për të festuar ditën e Verës. Ndalimi i lëvizjes së automjeteve nis mesnatën e 14 marsit dhe përfundon në orën 4 të 15 marsit në këto segmente kryesore.

“Dëshmorët e Kombit” në kryqezim me “Ismail Qemalin” deri tek Bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Ibrahim Rugova” në kryqëzim me bulevardin “Bajram Curri” dhe rrugën “Ismail Qemali”, rruga “Pjetër Bogdani”, “Brigada e VIII” dhe “Sami Frashëri”. Më datë 14 mars nga ora 7 deri në 19:00 bllokohet edhe bulevardi “Dëshmoret e Kombit në kryqëzim me rrugën “Myslym Shyri” dhe bulevardin “Zhan Dark”.

Ndryshim të itinerarit të lëvizjes sipas shefit të qarkullimit në Policinë Bashkiake të Tiranës do të pësojnë dhe linjat e autobusëve urbanë që aktualisht kalojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në rrugët ku do të bllokohet qarkullimi i automjeteve i ndaluar do të jetë edhe parkimi i tyre. Nëse qytetarët nuk do t’i largojnë vetë nga rruga shefi i qarkullimit në Policinë Bashkiak thotë se ato do të lëvizen nga policia bashkiake.

 

ELBASAN-MASAT-1280x720.jpg
ent ela10:56 | 13/03/2018

Në Elbasan ka një vëmendje të shtuar për ditën e verës, për shkak se në qytet ka mbërritur kabineti qeveritar për të zhvilluar një mbledhje dy ditore.

Policia vendore ka hartuar një plan të rreptë masash për të siguruar qetësinë dhe shmangur incidentet.

Sipas njoftimit zyrtar, 321 forca policore do të jenë të angazhuara edhe nga forcat speciale të Tiranës.  Shumë rrugë do të jenë të bllokuara dhe aty nuk do të lejohet lëvizja apo parkimi i mjeteve.

Ndër to janë bulevardi “Aqif Pasha”,  nga Stadiumi deri tek 1 Maji. Në zonën prej stadiumit e deri tek “Pallati i Sportit”, nuk do të lejohen parkimet apo qëndrimi i mjeteve.

Mjetet e tonazhit të rëndë nuk do të lejohen të qarkullojnë në rrugën Elbasan – Librazhd./abcnews.al

 

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono