dinamo zagreb

dinamo-zagreb.jpg
Klejdi Kaimi10:05 | 07/12/2019

Solidarizim nga të gjitha anët për të prekurit nga tërmeti i 26 nëntorit. Dje në Rumani parullat “Pray for Albania” ishin prezente, ndërkohë që edhe në Greqi e Itali ka pasur mbështetje për shqiptarët. Në Spanjë gjithashtu surprizoi klubi i Malaga, ku luajnë Armando Sadiku dhe Keidi Bare.

Befasia e radhës vjen nga Kroaci, ku klubi i Dinamo Zagreb ka vendosur të dhurojë të ardhurat e grumbulluara nga ndeshja e djeshme me Varazdin. Jo vetëm kaq, pasi raportohet se gjiganti kroat do dhurojë edhe të ardhurat nga derbi me Lokomotiva Zagreb.

Te ku i fundit luajnë një koloni shqiptarësh, madje janë edhe protagonistë. Myrto Uzuni u shpall lojtari i javës, ndërkohë që Jon Mersinaj ishte pjesë e formacionit të javës. Aktualisht po paraqitet shumë mirë edhe Enis Çokaj e Lirim Kastrati, sikurse edhe i riu Indrit Tuci. /abcnews.al

Dani-Olmo.png
Igli Nikolli15:24 | 08/11/2019

Dani Olmo do të provojë për herë të parë emocionet e aktivizimit me kombëtaren. Ylli i Dinamo Zagreb do të jetë pjesë e Spanjës për dy ndeshjet shtëpiake kundër Maltës dhe Rumanisë.

21-vjeçari po shkëlqen në kampionatin vendas dhe Champions League. Kampionët e Kroacisë renditen në vend të tretë me 5 pikë në grupin C. Lufta me Shakhtar Donetsk dhe Atalantën do të jetë e ashpër deri në fund dhe ekipi ballkanas po lufton për t’u kualifikuar.

Talenti spanjoll orkestron sulmet e Dinamos dhe po i befason të gjithë. Deri tani ka shënuar një gol dhe ka dhuruar një asist në ndeshjet e grupeve, teksa është i papërmbajtshëm përballë kundërshtarëve.

Teknika është pika e tij më e fortë dhe Olmo ka regjistruar 17 driblime deri tani në katër ndeshjet e para. Më mirë se ai ka bërë vetëm Leo Messi (28 të tilla). Një statistikë e tillë konfirmon vlerat e mesfushorit ofensiv, teksa Dinamo Zagreb fërkon duart. Çmimi i tij është në rritje dhe klubet e mëdha janë gati për të vepruar. /abcnews.al

nenada-bjelica.jpeg
Vladimir Prenga09:17 | 07/11/2019

Nenad Bjelica u pa i tërbuar pas ndeshjes që Dinamo Zabreg barazoi me Shakhtar Donetsk mbrëmë. Kroatët e kishin mundësinë të fitonin, pasi deri në minutën e 92-të kryesonin 3-1. Ukrainasit në shtesë realizuan dy herë dhe barazuan, duke e lënë të hapur garën për vendin e dytë deri në fund.

Penalltia e dhënë në fund, pas një bërryli që mori portieri i skuadrës ukrainase, e ka bërë trajnerin Bjelica të reagojë ashpër në lidhje me përdorimin e VAR në futboll.

“VAR është një copë m*ti. Çfarë na duhet teknologjia nëse nuk ndihmon? Hiqeni atë, nuk kam nevojë për atë. VAR i largon të gjitha emocionet. Është një cirk i pastër që nuk ndihmon aspak”, është shprehur Bjelica, ndërkohë që ai është i sigurt që skuadra e tij do të kualifikohet në raundin tjetër në Champions League. /abcnews.al

Son-Tottenham.png
Igli Nikolli22:59 | 06/11/2019

Emocione por asnjë fitues në duelin Atalanta-Manchester City. Rahem Sterling zhbllokoi shifrat në ndeshjen e zhvilluar në “San Siro” që në minutën e shtatë. Goli i katërt kundër ekipit italian për sulmuesin anglez.

Gabriel Jesus mund të kishte mbyllur ndeshjen në fund të pjesës së parë, por gaboi nga pika e penalltisë. Gjimshitit (u aktivizua si titullar) me shokë i bëri mirë pushimi dhe barazuan menjëherë në fillimin e pjesës së dytë. Gomez krosoi bukur në zonë dhe Mario Pasalic nuk gaboi përballë Claudio Bravos (zëvendësoi Edersonin e dëmtuar në pushim).

“Cityzens” mbetën me një lojtar më pak në minutën e 81-të. Portieri Bravo gaboi dhe në portë u fut mbrojtësi Walker për minutat e mbetura. Pavarësisht insistimit të Atalantës, ndeshja nuk pati më gola dhe u mbyll në barazim 1-1.

Tottenhami ka arritur të sigurojë një fitore me aromë kualifikimi. 0-4 fituan djemtë e Pochettinos në Beograd përballë Crvena Zvezdës vendase, të cilën e mposhtën edhe në shtëpi 5-0. Lo Celso gjeti golin e parë me Spurs në pjesën e parë, teksa në të dytën mendoi Son Heung-Min për të mbyllur ndeshjen.

Lojtari aziatik tronditi tifozët e Crvenës me anë të një dygolëshi të shënuar brenda 4 minutave. Dedikimi ishte për Andre Gomes, të cilin e dëmtoi në ndeshjen e fundjavës në kampionat. Koreano-jugori nuk festoi dhe zgjodhi t’i kërkonte ndjesë portugezit të pafat.

Emocione, gola dhe dramë në Zagreb. Dinamo Zagreb ishte pranë fitores, por Shakhtar shënoi dy herë në minutat shtesë dhe përballja u mbyll 3-3. Ekipi ukrainas kaloi i pari në avantazh në minutën e 13-të, por kroatët përmbysën gjithçka me tre gola të shënuar. Goli i Tete nga pika e penalltisë në minutën e shtatë shtesë i dhuroi një pikë të artë miqve. /abcnews.al

Atalanta – Manchester City 1-1
(Pasalic 49′ / Sterling 7′)

Dinamo Zagreb – Shakhtar Donetsk 3-3
(Petkovic 25′, Ivanusec 83′, Ademi 89′ / Alan Patrick 13′, Moraes 90+3′, Tete (pen) 90+7′)

Crvena Zvezda – Tottenham 0-4
(Lo Celso 34′, Son Heung-Min 57′, 61′, Eriksen 85′)

Morata-1-1280x853.jpg
Veronik Istrefaj20:59 | 22/10/2019

Janë mbyllur dy sfidat e orës 18:55 në Champions League për ditën e sotme. Atletico Madrid priti ekipin e Bayer Leverkusen në “Ëanda Metropolitano” dhe arriti të triumfojë me rezultatin e ngushtë, 1-0. Ka mjaftuar një gol i Alvaro Morata në minutën e 78-të që djemtë e Simeones të marrin tri pikë të vyera në Grupin D. Këto tri pikë, i japin kreun Atleticos (7 pikë), ndërsa Juventusi në vend të dytë ka një ndeshje më pak në kuotën e 4 pikëve.

Ndërsa në Ukrainë, sfida mes Shakhtar Donetsk dhe Dinamo Zagreb ka qenë spektakolare, duke u mbyllur me rezultatin 2-2. Ishin vendasit ata që shënuan të parët, me anë të Konoplyanka. Sulmuesi konkretizon me gol një aksion shumë të bukur të ukrainasve në minutën e 16-të. Por ky avantazh nuk do të zgjaste shumë, pasi kroatët arritën të barazonin shumë shpejt. Fantazisti Olmi shënoi në minutën e 24-ët, për të barazuar shifrat.

Jo vetëm kaq, por në pjesën e dytë, Dinamo arriti të përmbysë gjithçka, falë një penalltie të shndërruar në gol nga Orsic në minutën e 60-të. Shakhtar arriti të shmangë humbjen vetëm në minutën e 75-të, kur Dodo do të vendoste rezultatin final të sfidës në 2-2./abcnews.al

Champions League, raundi 3

Grupi D
Atletico Madrid – Bayer Leverkusen 1-0
Morata 78′

Grupi C
Shakhtar Donetsk – Dinamo Zagreb  2-2
Konoplyanka 16′, Dodo 75′ / Olmo 24′, Orsic 60′

 

Modriç-Levy.jpg
Igli Nikolli11:35 | 25/09/2019

Luca Modric është prej vitesh një ndër mesfushorët më të mirë në botë. Shtatshkurtri kroat ka fituar katër herë Champions League në 6 vitet e fundit, dërgoi Kroacinë në finalen e Kupës së Botës dhe vitin e kaluar u shpall fituesi i “Topit të Artë”.

Ai shpërtheu tek ekipi i Dinamo Zagreb, ndërsa në vitin 2008 u shit te Totenham për shumën e 21 milionë eurove. Ishte 26 prilli i vitit 2008 kur presidenti i Spurs udhëtoi drejt kryeqytetit kroat për të mbyllur marrëveshjen.

Zdravko Mamic mbante atë periudhë rolin e drejtorit ekzekutiv të Dinamos. Në një prononcim për “FourFourTwo”, ai na sjell një detaj interesant në lidhje me atë akord. Gjithçka lidhet me Daniel Levy, kreun e Totenhamit.

“Kishim arritur akordin për transferimin e Modric te Totenhami. I kërkova presidentit të tyre 5 uniforma të Totenhamit. Levy m’u përgjigj se do të mi jepte dhe Totenhami do të paguante një shumë më të vogël për kartonin e Modric. Shumës së 21 milionëve do i zbritej vlera e 5 uniformave. Ai është negociatori më i mirë në botë. Kjo histori më bëri të kuptoj se sa rëndësi i jep Levy çdo euro të vetme që del nga arkat e klubit të tij”, përfundon Mamic. /abcnews.al

091606867-f0fd079c-cf10-4fb0-b030-718db46470aa.jpg
ad min18:11 | 18/09/2019

Një skuadër e re debuton në Champions. Kjo është Atalanta nga Seria A, që do të luajë ndeshjen e saj historike në Kroaci ndaj Dinamos së Zagrebit.

Dita historike ishte 26 maji 2019. Me fitoren 3-1 ndaj Sasuolos në Serinë A, një skuadër e re iu bashkua Championsit, Atalanta e Bergamos.

Ekipi ku luan mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, i drejtuar nga trajneri Gasperini, u kualifikua për herë të parë në jetën e saj për në garën më të madhe të klubeve në Europë.

Natyrshëm, pati ekstazë nga tifozët, por edhe nga lojtarët pas triumfit të madh, diçka që habiti kontinentin, por jo edhe aq shumë Italinë, që e njihte mirë se çfarë projekti kishte klubi i mbiquajtur “DEA”.

Jo më kot, zikaltërit shënuan 77 gola në kampionat, më shumë se çdo ekip tjetër, duke dalë në vend të tretë. Sonte, Atalanta do të luajë ndeshjen e parë në Champions, atë në Zagreb ndaj Dinamos, një klub me më shumë histori, ndonëse jo ashtu si dikur.

E përditshmja torineze “Tutosport” komenton Atalantën:  “Juventusi për lavdinë, ndërsa DEA për historinë! Atalanta debuton në Zagreb mes entuziazmit”!

“Atalanta në botën e çudirave, – shkruan tabloidi britanik “Deili Meil”, – si mundet që një klub me buxhet sa Bërnli të bëhet pjesë e elitës së Europës, pas tri rënieve nga kategoria në shekullin e 21-të? Dhe me një stadium kaq të keq, saqë duhet të luajnë në “San Siro” ndeshjet e Championsit?”

Gjithsesi, buxheti bergamask nuk është aq i vogël, pasi mediat italiane e japin në 130 milionë euro këtë sezon, më shumë edhe sesa Lacio. Plot 3 000 tifozë e kanë ndjekur pas skuadrën në Kroaci.

Ata u nisën me autobusë, por edhe me mjete private apo fluturime ajrore, për të qenë në stadiumin “Maksimir” për mbrëmjen historike. Përballë italianëve të vegjël do të jetë një ekip që gjithashtu ëndërron shumë, që ka një kapiten me origjinë shqiptare si Arijan Ademi, dhe që ka një buxhet prej rreth 60 apo 70 milionë eurosh./ABC News Albania 24/7

skenderbeu.jpg
ad min14:50 | 28/08/2019

Dinamo e Zagrebit pritet të ketë një buxhet të jashtëzakonshëm pas kualifikimit për në Champions. Skuadra kroate arriti një sukses të madh, dy vjet pasi u eliminua nga Skënderbeu.

Dy vjet më parë, nuk ia dolën përballë një skuadre shqiptare. Dinamo e Zagrebit u eliminua në plej ofin e Ligës së Europës nga Skënderbeu i Ilir Dajës, por ndërsa ai ekip korçar sot është një e kaluar, kroatët janë rikthyer.

Eliminim i Rozenborgut dhe kualifikim në fazën e grupeve në Champions, madje me një buxhet të jashtëzakonshëm. Klubi ka qenë gjithnjë një pasanik i Ballkanit, por një “vogëlush” apo “adoleshent” në kontinent.

Gjithsesi, kjo duket se po ndryshon pasi, sipas mediave kroate, buxheti po arrin nivele të pandodhura kurrë më parë.  Kualifikimi pas suksesit në plej of, i siguron kampiones së vendit një pozicion financiar tepër të lakmuar.

Media “gol.dnevnik” shkruan se buxheti vjetor këtë herë mund të arrijë në 60-70 milionë euro, për shkak të kualifikimit për në fazën e grupeve të Championsit.

Edhe nëse Dinamo do t’i humbasë të gjitha ndeshjet në grup, fitimet e saj në total mund të arrijnë në 20 milionë euro, ndërsa çdo fitore jep 2.7 milionë euro, e çdo barazim 900.000.

Kualifikimi për në turin e dytë shton edhe 9.5 milionë euro, diçka realiste sipas analistëve në Kroaci.

Kaq i madh bëhet buxheti i Dinamos me pjesëmarrjen në fazën finale të Championsit, saqë klubi i kryeqytetit do të ketë financa dy herë më të fuqishme se të gjithë klubet e tjerë të Ligës së Parë Kroate, të marrë së bashku.

Kjo është hera e shtatë që Dinamo kualifikohet për në fazën e grupeve, duke qenë një nga skuadrat tradicionale. Rozenborgu ishte pengesë e fortë, për të kaltrit e kaluan me sukses pas fitores 2-0 të ndeshjes së parë në stadiumin “Maksimir”, dhe barazimit 1-1 në Norvegji, në ndeshjen e kthimit.

Në radhët e Dinamos është edhe futbollisti shqiptar nga Maqedonia, Arijan Ademi, që madje mban shiritin e kapitenit./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono