Diego Maradona

Maradona.jpg
Igli Nikolli21:53 | 21/11/2019

Një lajm i bujshëm vjen nga Argjentina. Largimi nga Gimnasia La Plata zgjati vetëm pak ditë dhe Diego Maradona është rikthyer sërish në stolin e ekipit argjentinas.

Legjenda e futbollit botëror u shkarkua me datë 19 nëntor dhe presidenti i Gimnasias e akuzoi për ndarje të skuadrës dhe jo bashkimin e saj. Diçka e tillë ka acaruar tifozët, të cilët i kanë kërkuar klubit rikthimin e Maradonës në pankinë.

Lajmi pozitiv është dhënë nga Matias Morla, agjenti i ish-futbollistit legjendar. “Të dielën do të jetë në pankinë në ndeshjen kundër Arsenal Sarandi”, është shprehur Morla, duke konfirmuar lajmin e mirë për tifozët e Gimnasia La Plata. /abcnews.al

Maradona.png
Igli Nikolli13:09 | 17/10/2019

Një eurogol është shënuar në Argjentinë. Flasim për futbollin e femrave, aty ku emri i momentit është Lucia Guinazu. Lojtarja e Gimnasia La Plata ka realizuar një kryevepër, që të kujton golin e Diego Armando Maradonës kundër Anglisë në Botërorin 1986.

Aksion fantastik i Guinazu, e cila driblon çdo kundërshtar dhe arrin të gjejë rrugën e rrjetës. Një realizim i tillë ka mahnitur edhe vetë Maradonën, i cili drejton ekipin e meshkujve të Gimnasia La Plata.

“El Pibe de Oro” nuk i ka kursyer komplimentet për vajzën e talentuar, duke vlerësuar golin e shënuar në ndeshjen e fundit. /abcnews.al

Gimnasia-La-Plata.jpg
Igli Nikolli14:31 | 07/10/2019

Diego Maradona mund të buzëqeshë dhe të vallëzojë në stilin e tij. Legjenda argjentinase ka arritur fitoren e parë si trajner i Gimnasia La Plata. 2-4 triumfoi në transfertë përballë Godoy Cruz ekipi i 58-vjeçarit, ndërkohë që vendasit e mbyllën sfidën me 9 vetë.

Kjo ishte fitorja e parë në këtë sezon për Gimnasian, që parakalon Godoy Cruz dhe renditet në vend të parafundit. Kaq është dashur dhe Maradona ia ka marrë valles.

Një ritual i vjetër kërcimi në dhomat e zhveshjes bashkë më djemtë e tij. Diçka të tillë e bënte dhe në Meksikë te Dorados Sinaloa. Tersi u thye dhe tifozët e Gimnasia La Plata urojnë që ta shohin sa më shumë të jetë e mundur një skenë të tillë. /abcnews.al

Maradona-Gimnasia.jpg
Igli Nikolli16:04 | 04/10/2019

Diego Maradona u prit si mbret dhe solli entuziazëm të madh te Gimnasi La Plata, por edhe zero pikë. Tre ndeshje, po kaq humbje me Diegon në stol dhe vendi i fundit në renditje. Gjatë humbjes së fundit kundër River Plate u panë përmirësime në ekip, por nuk mjafton.

Nesër është transferta kundër Godoy Cruz dhe trajneri ka marrë një vendim të fortë. Ai ka dërguar plot 7 futbollistë që të stërviten me ekipin e të rinjve sipas raportimeve të The Sun. Jo vetëm kaq, pasi trajneri ka marrë një tjetër vendim.

Maradona ka vendosur të kryejë përgatitjet e ndeshjes së nesërme në qendrën stërvitore të kombëtares argjentinase, që është 100 km larg stadiumit të Godoy Cruz. Diçka e tillë nuk është vlerësuar as nga lojtarët dhe as nga tifozët e Gimnasia L.P. Këta të fundit presin një rezultat pozitiv, përndryshe situata mund të përkeqësohet. /abcnews.al

Dieog.jpg
Igli Nikolli12:17 | 29/09/2019

Humbja e radhës për Diego Maradonën. Gimnasia La Plata humbi në shtëpi përballë River Plate 0-2 dhe kjo ishte disfata e tretë me legjendën argjentinase në stol. Vendasit nuk shfrytëzuan faktin që Gallardo zbriti në fushë një River me formacion të dytë.

“Millonarios” do të përballen me Boca Juniors të martën për Kupën Libertadores dhe pjesa më e madhe e titullarëve qëndruan pushim. Gjithsesi River fitoi duke u ngjitur në vend të gjashtë me 14 pikë, katër më pak se kryesuesit e Boca Juniors.

Gimnasia mbetet e fundit me vetëm një pikë dhe objektivi mbijetesë po fillon e komplikohet shumë. Maradona e përjetoi keq humbjen e fundit dhe në fund të ndeshjes u nis drejt tifozëve me lot në sy.

Diego kërkoi ndjesë, ndërsa nuk munguan duartrokitjet nga tifozët e tij, duke treguar se ata besojnë ende tek ekipi, trajneri dhe kthesa e madhe. /abcnews.al

diego-maradona.jpg
Vladimir Prenga14:23 | 21/09/2019

Në fund të muajit shtator në kinematë italiane do të shfaqet dokumentari “Diego Maradona”, që tregon për shkëlqimin dhe rënien e yllit argjentinas të futbollit. Regjisori Asif Kapadia, fitues i çmimit Oscar, sjell dy anët e një njeriu, jeta e së cilit ishte e jashtëzakonshme dhe dramatike.

Pasi u prezantua jashtë konkursit në Kanë, publikohet në kinema në datat 23, 24 e 25 shtator dokumentari “Diego Maradona”, që flet për yllin më të diskutueshëm në historinë e futbollit. Vetë titulli i zgjedhur tregon shumë për punën e fituesit të çmimit Oscar, Asif Kapadia: “Diego nga një anë dhe Maradona nga ana tjetër”. Regjisori prezanton “këmbën e artë” si një njeri me dy shpirtra. Nga njëra anë është njeriu bujar, i lumtur, i rritur në periferi të Buenos Aires, kurse nga ana tjetër është personazhi publik, kampioni, njeriu pa frena, ai që e ktheu në një mit dhe e drejtoi në rënie.

Për të rrëfyer Maradonën, Kapadai ka marrë disa intervista ekskluzive nga kampioni argjentinas dhe ka përdorur pamje nga një arkiv me më shumë se 500 orë filmimesh, që nuk janë transmetuar më parë. Pamje të rralla, private dhe sportive.

Diego ka një jetë të jashtëzakonshme dhe të tmerrshme. Kapadia e përqendron rrëfimin e tij në vitet e jetuara në Itali. Në jetën e tij të komplikuar dhe të mbushur me drama, Napoli mbetet pjesa më e rëndësishme. Parabola e jetës së tij përshkruhet më së miri në Napoli.

Rebel, mashtrues, hero dhe zot. Një yll absolut, por i paaftë për të menaxhuar një famë të tillë. Sipas regjisorit, mitet nuk bëhen vetë, por krijohen, lëshohen dhe ngadalë-ngadalë dobësohen nga vetë njerëzit. Parabola e dhimbshme e Diegos e çon brenda një kohe të shkurtër nga Zot në fushë, në ferr.

Çdo gjë nis në 5 korrik të 1984-ës, kur Maradona pritet në San Paolo nga 85 mijë persona. “Një nga qytetet më të varfra të Italisë ka blerë lojtarin më të shtrenjtë në botë”, do të shkruanin mediat e huaja.  Më pas vijnë dëshmitë e ish-bashkëshortes,motrave të tij dhe ish-bashkëpunëtorëve.

Nga kjo del një figurë e Diego Maradona, që ndoshta është e njëjtë me atë që ka mbetur në zemrat e atyre që vazhdojnë ta duan: një person shumë i komplikuar, tërheqës, pasi është e kundërta e një shembulli të përsosur për një sportist dhe një burrë.

A ishte futbollisti më i mirë në histori? Gjithsesi çmimi që pagoi për të qenë i tillë ishte shumë i lartë, pasi asgjë nga ato që ndodhën më vonë nuk shkoi mirë. Kur përfundoi Maradona futbollist, ai që mbeti ishte vetëm miti… / ABC news Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono