DH Albania

AVDIOL-DOBI-SHPALLET-NE-KERKIM-NDERKOMBETAR.mpg_snapshot_00.07-1280x720.jpg
ent ela16:35 | 02/02/2019

Avdjol Dobi shpallet në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare. Për të prangosur përfaqësuesin e “DH Albania”, i cili fitoi dy tendera me vlerë 30 milionë euro me dokumenta të falsifikuara, uniformat blu kërkojnë ndihmën e Europol dhe Interpol.

Pasi refuzoi tre herë prokuroinë e Tiranës për t’u marrë në pyetje, Avdjol Dobi, përfaqësuesi i kompanisë “DH Albania”,  shpallet në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit. I riu fitoi dy tendera me vlerë 30 milon euro me dokumenta të falsifikuara, ndërsa nga sistemi TIMS rezulton se ai nuk ka dalë nga vendi ynë, të paktën jo me emrin e tij në pikat e kalimit  kufitar.

Për të rënë në gjurmët e 26-vjeçarit, uniformat blu kërkojnë ndihmën e partnerëve të saj, Interpol dhe Europol. Kompania “DH Albania” e cila u krijua nga Avdjol Dobi fitoi lotin e parë të “Unazës së Madhe” në Tiranë me vlerë 18 milionë euro dhe 12 milionë euro për ndërtimin e një linje të tensionit të lartë Burrel-Peshkopi, aktualisht të anuluar.

Në janar Prokuroria mori në pyetje anëtarët e Komisionit të vlersimit të Ofertave në ARRSH dhe në OST. Pas tyre në pyetje u morën edhe dy ish-drejtuesit e këtyre institucioneve, Afrim Qëndro dhe Klodian Gradeci. Sipas prokurorisë së Tiranës, “DH Albania” ka falsifikuar 4 dokumente  zyrtare të shtetit të Delawerit në SHBA, vend ku është themeluar kompania mëmë “Dunëell Huberman”. Organi i akuzës ka regjistruar procedimin penal për 4 vepra; shpërdorim detyre, shkelje e barazisë në tendera, falsifikim dokuemtash dhe mashtrim. /abcnews.al

 

gjykata-e-tiranes.jpg
ent ela14:50 | 23/01/2019

Gjykata e Tiranës ka caktuar një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë për 26-vjeçarin Avdiol Dobi. Ai është administratori i kompanisë “DH Albania”, e cila fitoi tenderin për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe dhe një linjë tensioni të lartë Burrel-Peshkopi përmes dokumentaciuonit të falsifikuar.

Gjykata e Tiranës ka prerë një fletë-arresti për Avdjol Dobin, administratorin 26-vjeçar të kompanisë “DH Albania”. Kjo kompani po hetohet nga prokuroria, për shkak se mundi të përfitojë dy tendera publikë, me vlerë 30 milionë Euro në total, përmes dokumentacionit të falsifikuar.

Tenderat në fjalë ishin për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe në Tiranë dhe ndërtimin e një linje të tensionit të lartë Burrel-Peshkopi, aktualisht të anuluar. Burime të rezervuara konfirmuan se Gjykata e Tiranës ka caktuar një masë sigurie “arrest në burg” në mungesë për Dobin. Vendimi është marrë në 19 Janar 2019 me kërkesë të prokurorisë, ndërsa i është përcjellë Policisë së Shtetit për të mundësuar ekzekutimin e tij.

Nga nisja e hetimit në Dhjetor të vitit të kaluar, Dobi u thirr tre herë nga Prokuroria e Tiranës për t’u marrë në pyetje, por ai nuk u paraqit. Edhe urdhërimi për shoqërim të detyruar dështoi pasi policia nuk mundi ta gjente atë. Pas këtij momenti i riu u shpall në kërkim policor.

Nga sistemi TIMS rezulton se ai nuk ka dalë nga Shqipëria, të paktën jo me emrin e tij në pikëkalimet  kufitare.  Javën e kaluar Prokuroria mori në pyetje anëtarët e Komisionit të vlerësimit të Ofertave në ARRSH dhe në OST. Pas tyre në pyetje u morën edhe dy drejtuesit e këtyre institucioneve, Afrim Qëndro dhe Klodian Gradeci. Sipas prokurorisë së Tiranës, “DH Albania” ka falsifikuar 4 dokumente  zyrtare të shtetit të Delawerit në SHBA, vend ku është themeluar kompania mëmë “Dunwell Huberman”./abcnews.al

IMG-20170908-WA0016-1-1280x944.jpg
ent ela16:11 | 21/01/2019

Ka dhënë dorëheqjen drejtori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Klodian Gradeci. Disa ditë më parë Gradeci u mor në pyetje nga prokuroria së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro në lidhje me skandalin e firmës ‘DH Albania’.

Operatori i sistemit të Transmetimit është nën hetim për tenderin me vlerë 11 milionë euro që iu dha kompanisë  DH ALBANIA për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel Peshkopi, një nga tenderat më të mëdhenj të zhvilluar nga OST gjatë viti të kaluar./abcnews.al

dhalbania-846x445.jpg
ent ela20:40 | 14/01/2019

Pas këqyrjes së dokumentave të ardhura nga institucionet për dy tenderat që kompania DH Albania fitoi me dokumente të falsifikuara, ka nisur marrja në pyetje e zyrtarëve të cilët janë marrë me këto procedura. Këtë të hënë është pyetur në Prokurori, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Operatorin e Sistemit të Transmetimit, institucion nga i cili DH Albania fitoi tenderin 12  milionë Euro për ndërtimin e linjës së Interkonjeskionit Burrel- Peshkopi.

Pesë zyrtarët kanë dhënë sqarime në lidhje me dokumentacionin e paraqitur online nga kjo firmë me përfaqësues 26- vjeçarin, Avdjol Dobi. Ata kanë sqaruar se nuk kanë vënë re ndonjë parregullsi në dokumentacionin e paraqitur, duke sqaruar se kompania plotësonte kushtet për të qenë fituese e tenderit. Por, menjëherë, pasi skandali u bë publik në media, OST anuloi pagesat fillestare që kishte bërë ndaj DH Albania, duke shmangur kështu dëmin financiar.

Në ditët në vijim Prokuroria do vazhdojë të marrë dëshmi të reja për këtë skandal, pasi po me dokumente të falsifikuara kjo firmë fitoi edhe tenderin e ndërtimit të lotit të parë të Unazës së Re me vlerë 18 milionë Euro. Para hetuesve do jenë dhe zyrtarë të Autoriteti Rrugor dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në këtë institucion.

Gjithashtu sqarime do të japin dhe operatorët ekonomikë që janë përshirë në tenderimin e këtyre projekteve. Ndërsa përfaqësuesi i DH Albania, Avdjol Dobi ende nuk është gjetur nga Prokuroria edhe pse është thirrur tre herë. DH Albania ka falsifikuar 4 dokumente  zyrtare të shtetit të Delawerit atje ku është themeluar kompania mëmë e saj Dunwell Huberman.

Firma e Sekretarit të Shtetit të Delawerit, bilancet e kompanisë, data e themelimit dhe të dhënat e një noterie në Delaware janë të manipuluara. Përveç falsifikimit, Prokuroria është duke hetuar edhe për shkeljen e barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre.

Tv Klan

unaza-e-re12.jpg
G. P.21:55 | 09/01/2019

Sekretariati Teknik i Komisionit të Posaçëm të Licensimit ka reaguar pas investigimit të Zërit të Amerikës, sipas të cilit kompania “DH Albania” është ndihmuar nga administrata shqiptare.

Në njoftimin thuhet se nga ky komision është zbatuar procedura ligjore dhe mbledhja e datës 30 Korrik 2018, ka marrë në shqyrtim aplikimin e shoqërisë “DH Albania” për njëhsimin e licencës së huaj, vetëm pasi shoqëria ka plotësuar të gjithë dokumentacionin ligjor të kërkuar, përfshirë edhe dokumentin e pretenduar nga “Zëri i Amerikës”, aktin e regjistrimit në QKB.

“Fillimi i procedurës së aplikimit deri në kalimin e dosjes për vendimmarrje drejt Komisionit, subjektet sipas ligjit kanë të drejtën të depozitojnë dokumente plotësuese në funksion të aplikimit të tyre”, thuhet në njoftimi.

Në fund të reagimit thuhet se është Sekretariati që shqyrton dhe relaton drejt Komisionit vendimmarrës vetëm aplikimet, të cilat rezultojnë me dosje të plotë, të dokumentacionit ligjor të kërkuar. /abcnews.al

licensa.jpg
G. P.18:56 | 09/01/2019

Në Shqipëri zbulohen detaje të tjera lidhur me kompaninë DH Albania e cila fitoi garën për ndërtimin e një pjese të Unazës së Re në Tiranë, duke përdorur dokumenta të falsifikuar të një kompanie amerikane Dunwel Haberman. Zëri i Amerikës ka siguruar informacione që dëshmojnë se administrata shqiptare ka ndihmuar kompaninë DH Albania për marrjen e licencës së ndërtimit në zbatim, duke nisur procedurat, përpara se vetë kompania të rregjistrohej zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit

Në fund të dhjetorit, duke folur për rastin e kompanisë DH Albania, kryeministri Rama deklaroi se “kompani që hyjnë me letra të falsifikuara nëpër tendera ka në të gjithë botën. Një qeveri, një ministri, një ministër nuk gjykohen nga fakti nëse hyn apo nuk hyn një kompani me letra të falsifikuara. Gjykohen nga mënyra sesi reagojnë në momentin kur fakti konstatohet… Përsa i përket rastit në fjalë, ku është korrupsioni që ka ndodhur, që të jem unë i qartë? Si?” u shpreh ai.

Që prej momentit, kur emisioni “Të Paekspozuarit” në News 24, zbuloi në fillim të dhjetorit, se kompania DH Albania kishte fituar 30 milionë Euro në dy tendera përmes një serie dokumentash të falsifikuara, në disa dalje publike kryeministri Edi Rama i mëshoi faktit se bëhej fjalë, sipas tij, thjesht për një mashtrim nga ana e kompanisë. Tenderat e fituar u anuluan dhe për këtë çështje ka nisur një hetim i prokurorisë.

Por informacionet e siguruara nga Zëri i Amerikës, dëshmojnë se institucionet shqiptare duket se janë vënë në shërbim të plotë të kompanisë, madje edhe në shkelje të rregullave dhe kërkesave ligjore.

Sipas një përgjigjeje zyrtare, që Ministria e Infrastrukturës i ktheu kërkesës për informacion nga Zëri i Amerikës, rezulton se “Shoqëria DH-ALBANIA, degë e shoqërisë së huaj, me kërkesën e saj të datës 13.07.2018, shoqëruar me dokumentacion përkatës, ka aplikuar për njehsimin e licencës së huaj, në fushën e zbatimit në ndërtim”, thuhet në shpjegimin dhënë për Zërin e Amerikës.

Referuar faqes zyrtare të ministrisë së Infrastrukturës, në seksionin për formularët e aplikimit për ekuivalentimin e licencës së shoqërive të huaja, (http://infrastruktura.gov.al/formular%20aplikimi-3/) në kërkesat e renditura për aplikim, pika b) parashikon dhe paraqitjen e “esktraktit historik, apo ekstraktit për të dhënat e subjektit të rregjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, me të cilën dëshmohet ndër të tjera, lidhja e shoqërisë së krijuar, që kërkon të licensohet, me atë të vendit të origjinës që disponon licencë profesionale, veprimtaria dhe statuti aktiv i shoqërisë”.

Por më datë 13 korrik, kur është bërë aplikimi, shoqëria DH Albania ishte ende inekzistente. Referuar Qendrës Kombëtare të Biznesit, data e saj e regjistrimit figuron 18 korriku 2018, me përfaqësues një 26 vjeçar të panjohur Avdjol Dobin. Është e pakuptueshme se si Sekretariati i Komisionit të Licencave, ka nisur procedurat mbi një entitet, që deri në atë moment nuk ekzistonte. Sikundër është e paqartë, se çfarë dokumetacioni, kompania ka paraqitur për t’u identifikuar si DH Albania, duke qenë se e ka patur të pamundur të dorëzojë një ekstrakt nga Qendra Kombëtare e Biznesit.

Komisioni i Licencave, i cili drejtohet nga Gerta Lubonja, e emëruar me vendim të Këshillit të Ministrave, ka në përbërjen e tij dhe tre drejtorë të Ministrisë së Infrastruktrës dhe Energjitikës. Bazuar në afatet kohore të ushtrimit të aktivitetit të tij, të publikuara deri pak ditë më parë në faqen e Ministrisë së Infrastrukturës (http://infrastruktura.gov.al/wp-content/uploads/2018/10/aAFATE.pdf ) “dokumentacioni i shoqëruar me material përmbledhës të hartuar nga sekretariati teknik, i vihet në dispozicion anëtarëve të Komisionit 3 ditë pune përpara datës së përcaktuar për zhvillimin e mbledhjes”.

Licenca për DH Albania është dhënë në mbledhjen e datës 30 Korrik, e cila ka qenë ditë e hënë. Për pasojë, dokumentacioni për të, do të duhej t’i dorëzohej Komisionit, të paktën më 25 korrik. Por sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës, DH Albania, i ka plotësuar dokumentat vetëm më 27 Korrik.

Shkeljet në favor të DH Albania, bëjnë të mendosh se Komisioni e ka patur të qartë se nuk po ndihmonte thjesht të riun Avdjol Dobi, por njerëzit real që qëndrojnë pas kësaj kompanie. Një seri të dhënash ngrejnë dyshime të forta që të çojnë tek biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj. Që nga lidhjet familjare mes të dyve, të fakti se punonjës së kompanisë Gener 2, të zotit Ulaj janë angazhuar në plotësimin e dokumentacionit të DH Albania-s e deri te pagesa që GENER 2, siç dëshmoi një investigim i BIRN-it, ka bërë për llogari të kësaj kompanie.

Prokuroria e cila po heton si për krimin e falsifikimit ashtu dhe për atë të shpërdorimit të detyrës, nga ana e institucioneve të përfshira, nuk ka mundur ende të thërrasë Avdjol Dobin i cili, të paktën zyrtarisht, nuk rezulton të ketë dalë nga Shqipëria./Zëri i Amerikës

KRONIKE-DH-ALBANIA-APP-SHIFRAT_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
G. P.16:56 | 21/12/2018

Skandali i kompanisë “DH Albania” e cila mundi të përfitojë dy tendera publike me dokumente të falsifikuara, një prej të cilëve një lot i Unazës së Madhe, nuk është një rast i izoluar. ABC News ka siguruar disa të dhëna zyrtare, sipas të cilave në 5 vitet e fundit Agjencia e Prokurimit Publik ka përjashtuar 35 kompani nga garat tenderuese për shkak të dokumentacionit të pavërtetë.

Këto raste nuk i përkasin vetëm ndërtimit të rrugëve, linjave të interkonjeksionit, apo veprave të mëdha publike, por thelbi i përjashtimit nga gara mbetet paraqitja e dokumentacionit të pavërtetë. Sipas të dhënave, në vitet 2013 dhe 2014 janë konstatuar nga 5 raste të tilla. Në vitin 2015 me 4 të tilla. Dy në vitin 2016 dhe shtatë një vit më vonë. Ndërsa në vitin 2018 Agjencia e Prokurimit publik ka përjashtuar nga garat tenderuese 12 operatorë ekonomikë për të njëjtin problem.

Këto shifra shtojnë dyshimet për filtrimin e ligjshmërisë së dokuemtacionit të paraqitur nga kompanitë e ndryshme tregtare që garojnë për prokurimet publike. Ashtu si ndodhi me rastin e kompanisë “DH Albania”, e cila përfitoi një tender nga OST dhe një tjetër nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për ndërtimin e një loti të Unazës së Madhe në vlerën e gati 30 milionë eurove.

Deri më tani, në rrugë diplomtike është vërtetuar se kompania “DH Abania” ka depozituar një akt fals të themelimit të kompanisë mëmë “Dunwel Haberman LTD” në Delaware të SHBA, bilancin ekonomik të tre viteve të fundit, si edhe një letër nga sekretari i shtetit të Delawere. Por burime nga Prokuroria e Tiranës bënë me dije se numri i akteve të falsifikuar dyshohet të jetë shumë më i madh, mes të cilave vërtetime për taksat, licensat, apo aktet e konvertimit të licensave./abcnews.al

unaza-e-re-e1545253673117.jpg
G. P.22:09 | 19/12/2018

Shteti shqiptar nuk arrin të arkëtojë shumën prej 4.1 milionë dollarësh që kompania “DH Albania” kishte lënë si garanci të kontratës që fitoi me anë të falsifikimit dhe mashtrimit për ndërtimin e lotit të parë të Unazës. Shoqëritë e sigurimit “Sigma” dhe “Sigal”, që kanë bërë garancinë e kontratës shprehen se nuk kanë siguruar vërtetësinë e dokumentacionit, por zbatimin e kontratës. Në këto kushte çështja pritet të përfundojë në gjykatë.

Shteti shqiptar nuk do të mund të arkëtojë vlerën e garancisë se dy kontratave me vlerë 30 milionë euro që kompania “DH Albania” fitoi përmes falsifikimit të dokumentave dhe mashtrimit. Kompanitë e sigurimit të kontratave të lotit të parë të Unazës së Madhe dhe realizimin e punimeve për linjën 220 kilovolt Burrel-Peshkopi, refuzojnë që të derdhin pagesën për llogari të “DH Albania”.

Konfisikimi i garancive u njoftua në një konferencë për shtyp nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Menjëherë Autoriteti Rrugor dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit dërguan shkresat për konfiskimin e garancisë pranë dy kompanive “Sigal” dhe “Sigma”. Por televizioni Klan ka mësuar të dyja kompanitë kanë refuzuar pagesën, duke i dërguar edhe një shkresë zyrtare të dyja institucioneve publike.

Televizioni Klan bisedoi me drejtues të kompanive, të cilët sqaruan se garancia që kompanitë e sigurimit kanë bërë për “DH Albania” lidhet me realizimin e kontratës dhe jo me prishjen e njëanshme të saj nga autoritetet kontraktore në kushtet e mashtrimit. Drejtori i kompanisë “Sigma”, Klajdi Citozi tha se edhe vetë kompanitë e sigurimit janë të mashtruara, çka bën që vetë kontrata të ketë rënë. Firma e tij, tha ai,  ka marrë përsipër të garantojë realizimin e punimeve dhe jo vërtetësinë e informacionit.

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar pranon se garancia është refuzuar të paguhet, ndërsa ka dërguar një tjetër kërkesë për vjeljen e saj pranë dy shoqërive të sigurimit. Nëse sërish do të ketë refuzim, këtë çështje do ta zgjidhë gjykata, tha drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro, në një bisedë telefonike.

Qeveria kërkon që të vjelë nga dy kompanitë e sigurimit shumën prej 4.1 milion dollarësh, si garanci e lënë për realizimin e kontratës nga “DH Albania”, e cila rezulton të ketë mashtruar edhe shoqëritë e sigurimit. Televizioni Klan kontaktoi edhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, i cili sqaroi se nuk ka bazë ligjore që të veprojë në situata të tilla, e se çështja e me të gjitha gjasat do të përfundojnë në gjykatë./abcnews.al

Prokuroria-e-Tiranes.jpg
ent ela20:33 | 19/12/2018

Marrja në pyetje e përfaqësuesit ligjor të kompanisë “DH Albania” nga Prokuroria ka dështuar. 26 vjeçari, që rezulton të jetë personi i vetëm i kompanisë, që ka negociuar kontratat e dy tenderave me vlerë 30 milionë euro, nuk është paraqitur pranë organit të akuzës.

Prokuroria e Tiranës dështoi sot të marrë në pyetje përfaqësuesin ligjor të kompanisë “DH Albania”, e përfshirë në skandalin e fitimit të dy tenderave me vlerë 30 milionë euro përmes dokumentave të falsifikuar. Avdjol Dobi ishte thirrur të jepte sqarime në lidhje me aferën e lotit të parë të Unazës së Madhe me vlerë 18 milionë euro dhe atë të ndërtimit të linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi.

Por 26 –vjeçari nuk është paraqitur pranë organit të akuzës. Si personi i vetëm që përfaqëson “DH Albania” në Shqipëri dhe që ka negociuar dy kontratat me shtetin shqiptar, dëshmia e tij konsiderohet e rëndësishme. Megjithatë, edhe pse hetimet kanë nisur prej më shumë se 1 javë, deponimi i tij nuk është bërë ende pjesë e hetimit. Avdjol Dobi do të japë sqarime në lidhje me dokumentat që kompania dorëzoi pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe do të pyetet nëse ka dijeni që dokumentat e paraqitura janë të falsifikuara apo se kush janë personat që ia kanë dhënë atij këto dokumenta.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se “DH Albania” ka falsifikuar datën e regjistrimit, bilancet dhe një çertifikatë të sekretarit të shtetit të Delaëare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas të cilës ajo nuk ka detyrime fiskale në këtë shtet ku është regjistuar. Dyshohet gjithashtu se “DH Albania” ka falsifikuar edhe noterizimin në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë një noter, i cili rezulton se nuk ekziston. Sipas sistemit TIMS Avdjol Dobi rezulton se ndodhet në vendin tonë, por ai nuk ka njoftuar në Prokurori as nëse e ka marrë fletë-thirrjen e nisur nga prokurorja e çështjes, Elisabeta Ymeraj.

Grupi hetimor ka nxjerrë fletë-thirrje edhe për noteren Xhevahire Brahaj e cila ka kryer noterizimin e të gjithë dokumentacionit të “DH Albania” në vendin tonë, si dhe për përkthyesen Shenda Kruja e cila nuk ka një lincesë të ministirisë së drejtësisë dhe përkthimi i saj nuk është ligjor. Zëri i Amerikës dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative – BIRN – kanë publikuar të dhëna dhe dokumenta zyrtare që e lidhin Dobin e Krujën me kompaninë “Gener 2”, e cila rezulton se ka paguar edhe për hapjen e niptit në Shqipëri për llogari të “DH Albania”. /abcnews.al

 

dh-albania-1.jpg
G. P.18:32 | 18/12/2018

Teksa autoritetet shqiptare presin ndihmën amerikane për të gjetur se kush qëndron pas kompanisë “DH Albania”, Rrjeti Ballkanik i Gazetarise Investigative ka zbuluar disa dokumente zyrtare, që e lidhin atë me kompaninë “Gener 2”.

“Unë inkurajoj me forcë të madhe prokurorinë ta hetojë këtë çështje deri në fund për të zbuluar kush janë autorët e vërtetë të këtij falsifikimi dhe autorëve që fshihen pas saj”, tha Gjiknuri në një deklaratë.

Pak ditë pas kësaj deklarate të Ministrit të Infrastrukturës, dalin në dritë të tjera të dhëna që zbulojnë se kush qëndron pas kompanisë “DH Albania”, e cila përmes dokumentave të falsifikuara fitoi dy tendera me vlera 30 milionë euro, në harkun kohor të 4 muajve që prej themelimit të saj.

Tenderi i parë lidhet me ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe dhe tjetri për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë. Ky dokument i siguruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Investigativ tregon në mënyrë kronologjike se një prej procedurave bankare në emër të “DH” është kryer dhe paguar nga kompania “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulajt.

Sipas BIRN, më 3 Dhjetor 2018, Avdjol Dobi si përfaqësues i kompanisë “DH Albania” vendosi hapjen e një nipti sekondar në kantierin e punimeve në Unazë të Re. Një ditë më pas ai autorizoi juristen e kompanisë “Gener 2”, Ledi Hysenj për të paguar tarifën prej 150 lekësh në një bankë të nivelit të dytë, ndërsa më pas mandatin bankar e dorëzoi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Dokumenti zbulon se në vend të kompanisë “DH Albania”, mandati bankar për hapjen e adresës në sheshrrotullimin “Shqiponja” mban përshkrimin “Aplikim Gener 2”. BIRN thotë se Avdjol Dobi është pjesë e rrethit familjar të Bashkim Ulajt.

Përveç Dobit dhe Hysenj, veprime në emër të kompanisë “DH Albania” kanë kryer edhe noterja Xhevahire Brahaj, përkthyesja Shenda Kruja dhe juristja Blerina Konçi.

Fillimisht dyshimet e para se “Gener 2” qëndron pas “DH Albania” i hodhi “Zëri i Amerikës”, dyshime për të cilat tani BIRN thotë se ekzistojnë edhe prova të pakundërshtueshme. BIRN thotë në shkrimin e tij se tani autoritetet shqiptare s’kanë arsye pse të presin ndihmën nga SHBA për të zbuluar kush fshihet pas kompanisë fantazmë që fitoi dy tendera përmes falsifikimit, pasi dokumenti i QKB-së dhe rrethi i njerëzve pas “DH Albania” ekspozojnë kompaninë “Gener 2” të biznesmenit Ulaj. Ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i kërkoi kryeprokurores Arta Marku të hetojë kryeministrin Rama për këtë aferë korruptive./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono