det

NDOTJA-E-PALZHEVE-DURRES_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.17-1280x705.jpg
G. P.13:44 | 15/08/2018

Në plazhet e Durrësit nuk gjen asnjë banjo publike. Pushuesit ankohen se për këtë shkak bregdeti është i ndotur. Para viteve ’90, në plazhin e Durrësit ishin në funksion 11 banjo publike.

Megjithësë impianti i ujërave të zeza është është vënë në funksion në plazhet e Durrësit, mungesa e nyjeve hidrosanitare publike bën që ky bregdet të jetë ende i ndotur.Në pikun e sezonit turistik, ku fluksi i pushuesve ka arritur kulmin, frekuentuesit ankohen për mungesën e banjove dhe dusheve publike. Prej vitesh ky shërbim mungon në kete plazh, duke mos marrë zgjidhje as këtë sezon turistik.

Mungesa e tyre detyron që një pjesë e mirë e pushuesve t’i kryejnë nevojat e tyre fiziologjike në det, apo në lokalet buzë Adriatikut. Por përpara thonë pushuesit, duhet të bëhesh klient i tyre, ndryshe nuk i lejojnë.

Pushuesi 1:“Është rrëmujë, njerëzit hyjnë vend pa vend, s’ka as banjo as dushe.”

Pushuesi 2: “Tani sa hyra në det me fëmijët, por është shumë shumë i pisët.”

Pushuesi 3: “Po, kemi probleme sepse nuk ka ujë dhe nuk ka banjo. Problemet janë evidente. Kemi banesën këtu dhe shkojmë në banësë. Në lokale s’na lejohet gjithmonë.”

Pushuesi 4: “Nëpër lokale është zgjidhja e vetme. Duhet të pish kafe ose diçka tjetër ndryshe nuk shkon”.

Para viteve ‘90 në plazhin e Durrësit ishin në funksion 11 banjo publike. Por ky numër u refuzua në vazhdimësi, ndërsa aktualisht ky bregdet nuk disponon asnjë të tillë. Në të tilla kushte, pushuesit janë të detyruar të kujdesen vetë për higjenën e tyre.
Ata duhet të zgjedhin mes dy mundësive.

Ose të shpenzojnë më shumë duke përdorur banjot private të bizneseve që operojnë në plazhin e Durrësit për një ambjent më të paster, ose të perdorin detin, duke e ndotur atë./abcnews.al

kosta-rika.jpg
G. P.08:54 | 04/08/2018

Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Kosta Rika njoftuan se kanë konfiskuar më shumë se dy tonë kokainë, sasia më e madhe e drogës e konfiskuar në det.

Autoritetet e Kosta Rikës e nisën mbikëqyrjen në oqeanin Paqësor të mërkurën, sipas të dhënave të ofruara nga Roja Bregdetare amerikane. Kokaina u kap në një varkë rreth 80 milje larg bregut.

Autoritetet thonë se mjeti lundrues i njohur si narko-nëndetëse, përdoret shpesh nga trafikantët e drogës, pasi radarët e kanë të vështirë ta zbulojnë.

Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Kosta Rika njoftuan arrestimin e tre personave nga Kolumbia të cilët aktualisht ndodhen në paraburgim./abcnews.al

gjiri-i-lalezit-foto-ilustruese-1280x720.jpg
ent ela15:05 | 08/07/2018

Efektivët e Stacionit të Policisë Manëz, të cilët patrullojnë përgjatë vijës bregdetare në Gjirin e Lalëzit,  paraditen e sotme kanë shpëtuar nga mbytja një fëmijë me iniciale E.P. 11 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ndodhet në spital Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Pak orë më vonë po në Gjirin e Lalëzit Efektivet e Stacionit të Policisë Manëz kanë shpëtuar nga mbytja dy shtetas të tjerë,  shtetasit H.S. 70 vjeç dhe G.Xh. 65 vjeç, banues në Tiranë.

Shtetasi H.S. është larguar për në banesë pa probleme për jetën ndërsa shtetasi G.Xh.

ndodhet në Spital Tiranë jashtë rrezikut për jetën.

Uniformat blu kanë shtuar shërbimet në zonat turistike për ti ardhur në ndihmë pushuesve, të cilët janë të lutur të telefonojë në numrin 112 për çdo problem.

emigranteee.jpg
G. P.22:50 | 22/06/2018

Mbi 1 mijë emigrantë të nisur nga Libia për të arritur Europën kanë humbur jetën në ujërat e Mesdheut që nga fillimi i vitit. Duke publikuar të dhënat shokuese, UNHCR ka kritikuar Bashkimin Europian për mungesën e unitetit për zgjidhjen e çështjes.

Mbytjet e fundit në brigjet e Libisë e kanë çuar bilancin e viktimave që përpiqen të kalojnë Mesdheun në mbi 1 mijë, që nga fillimi i vitit. Duke publikuar të dhënat, UNHCR e ka cilësuar një shifër shokuese dhe ka bërë thirrje për një aksion ndërkombëtar të menjëhershëm për të shpëtuar jetët e njerëzve.

“Duke qenë se jemi në stinën e verës presim që numri i refugjatëve që do të përpiqen të kalojnë Mesdheun të rritet”, thuhet në një komunikatë të agjencisë së OKB-së me bazë në Gjenevë të Zvicrës.

Ndërkohë, në ujërat territoriale libiane janë rekuperuar të premten trupat e pajetë të 20 emigrantëve. Lajmin e ka bërë të ditur simotra e Kryqit të Kuq, Gjysmëhëna e Kuqe, përmes një njoftimi të publikuar online.

Shumica e viktimave, 15, janë rekuperuar në brigjet e qytetit të Homsit, ndërsa 5 të tjerët në molin e bazës ushtarake Abu Seta në Tripoli. Në vijim të njoftimit, UNHCR ka kritikuar Bashkimin Europian për mungesë uniteti dhe koherence për zgjidhjen e krizës së emigrantëve.

“Vendet e lidhura nga gjeografia, nga kultura dhe vlerat kanë qenë të ndara sa i përket çështjes së azilit dhe asaj të mbrojtjes së personave që u largohen luftrave”, thuhet në deklaratë.

Kjo sjellje e vendeve anëtare, sipas UNHCR, kulmoi me rastin e anijes “Aquarius”, një rast, që sipas saj, nuk duhet të përsëritet më./abcnews.al

plazhi.jpg
G. P.14:54 | 13/06/2018

Një 20-vjeçar ka humbur jetën pasi është mbytur në det. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Currila të Durrësit, ndërsa nuk dihen ende shkaqet. Nga të dhënat e para që ka mbledhur policia, i riu ka qenë, duke u larë me shokët. Më pas, ata vërejtën që shoku i tyre kërkoi njëherë ndihmë, por më pas u gjet i pajetë./abcnews.al

klosii.jpg
G. P.15:30 | 19/05/2018

Bizneset në zonat turistike kanë më pak se dy javë kohë për të marrë masa për trajtimin e ujërave të ndotura. Pas një Qershorit, ka paralajmëruar ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, ata që i derdhin këto ujëra në det do të ndëshkohen ashpër.

Kjo inxhiniere po i prezanton Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi teknologjinë që një resort turistik në bregdetin e Tales në Lezhë po përdor për të trajtuar ujërat e ndotura.

Nisma vjen si një detyrim që duhet të përmbushin strukturat akomoduese në zonat turistike deri më 1 Qershor.

Blendi Klosi: “Nga data 1 Qershor ne do të veprojmë me gjithë institucionet që shfrytëzojnë ujin e detit. Qofshin ato private apo shtetërore, që nuk kanë deburatorë për trajtimin e ujërave të zeza. Ne do të jemi shumë më ashpër me këdo që nuk zbaton lejen mjedisore në raport që ka me shtetin shqiptar  për të administruar ujërat e zeza dhe trajtuar mbetjet urbane”.

Edhe sipas ambjentalistit Sazan Guri, praktikës së vjetër për mënyrën e trajtimit të ujërave të zeza duhet t’i vijë fundi.

Sazan Guri:“Nuk janë vetëm për hotelet të komplekseve turistike, por janë për çdo lloj punishteje, fabrikë, kombinat që do të thotë që në Shqipëri nga ky moment këta janë dallëndyshja e parë. Është një nga praktikat më të mira në vend dhe në Shqipëri mbaroi koha që t’i mund të bësh çfarë të duash me ujërat e zeza”.

Në këtë resort, gjithashtu do të ketë edhe një impiant për trajtimin e mbetjeve të tjera që krijohen nga konsumatorët. Lënda që përftohet, sipas administratorit Gjergj Liqejza, do të përdoret për plehërimin e hapësirave të gjelbëruara./abcnews.al

edi-rama-ujerat.jpg
G. P.14:43 | 06/04/2018

Qeveria u jep ultimatum bizneseve në zonat bregdetare të marrin masat e nevojshme për të mos shkarkuar në det ujërat e zeza. Në këtë sezon turistik nuk do të ketë asnjë tolerancë, sipas autoriteteve, që e cilësuan turizmin me rëndësi strategjike për vendin.

Që turizmi të sjellë të ardhura në Shqipëri nuk mjafton vetëm të promovohet. Duhet edhe ndëshkim ndaj atyre që duan të përfitojnë duke shkelur ligjin.

Në çeljen e edicionit të 2-të “Panairi Mesdhetar i Turizmit 2018” në Expocity Tirana, me operatorë turistikë nga i gjithë rajoni i Mesdheut të shifrat e të ardhurave vjetore janë optimiste. Por sipas kreut të qeverisë, operatorët turistikë ndeshen me vështirësinë se nuk i përgjigjen dot kërkesës së lartë.

Edi Rama: “Për këto arsye kemi adresuar nga njëra anë boshllëkun që kemi në raport me infrastrukturën e mikpritjes, sidomos për nivelin e lartë dhe për atë pjesë të kësaj infrastrukturë që në Shqipëri mungon plotësisht, që janë hotelet e certifikuara me 4 dhe 5 yje”.

Duke iu referuar uljes së TVSH-s për të gjithë strukturat akomoduese turistike në 6%, kryeministri Rama tha se kjo e ka ndihmuar dhe do të vazhdojë ta ndihmojë ndjeshëm turizmin në Shqipëri. Por ky nuk është hapi i vetëm që ka hedhur qeveria.

Edi Rama: “Ndërkohë deri në javën e fundit të këtij muaji, ne do të bëjmë publik edhe aspektin tjetër, lehtësirat që do të krijojmë për të gjithë ata sipërmarrës, individë, apo familje që do të synojnë ndërtimin e strukturave të agroturizmit në gjithë hapësirën rurale të Shqipërisë”.

Fjala e fundit e kreut të qeverisë është autokritika.

Edi Rama: “Sigurisht jemi të vetëdijshëm se në këtë sezon mbase nuk do arrijmë të bëjmë gjithçka në këtë drejtim, por të gjithë duhet të jemi të vetëdijshëm se kush do të gjendet në shkelje të këtij kushti, nuk do të tolerohet dhe do të rrezikojë të humbasë të gjitha të ardhurat e pritshme nga sezoni turistik”./abcnews.al

edi-rama-1280x720.jpg
G. P.22:55 | 01/02/2018

Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë në lidhje me negociatat me Greqinë. I ftuar në emisionin “Real Story” në Vizion Plus, Rama u shpreh se negociatat janë në vazhdim e se duhet pritur deri në muajin Prill për një marrëveshje me fqinjin tonë jugor.

Marrëveshja e 2009-s, sipas Ramës, është tradhëti që nuk lahet në histori.

Qeveria atëkohë –tha kryeministri – fali territor për të marrë mbështetje politike”.
Kurse marrëveshja e re, sipas Ramës, do të jetë shumë më e mirë dhe e bazuar në kornizën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
I pyetur në lidhje raportet e kësaj qeverie me Greqinë dhe përgjithësisht angazhimin për marrëdhëniet në rajon, Rama tha se ekzekutivi i tij vuri mes nesh dhe fqinjit, çështje që parardhësi I tij nuk kishte guxuar.

“Kur vendos objektiv të mos kesh probleme me fqinjët nuk do të thote të heshtësh por t’i zgjidhësh ato”, deklaroi kryeministri.

vlcsnap-error847-1280x720.jpg
G. P.20:47 | 01/02/2018

Taulant Balla kështë shprehur në ABC News se partia e tij nuk do të nënshkruajë një vendim që prek interesin e shqiptarëve dhe vendimin e Gjykates Kushtetuese.

“Nuk ka për të ndodhur kurrë që kjo parti ku unë bëj pjesë të nënshkruajë nje marrëveshje, ku të preket vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe interesi i shqiptarëve”, u shpreh Balla.

Sipas tij është hiprokizi që për këtë çështje të flasë Sali Berisha dhe Lulzim Basha pasi kanë qenë ata që më parë e kanë firmosur një vendim të tillë./abcnews.al

vlcsnap-error306-1-1280x720.jpg
G. P.13:26 | 31/01/2018

Ka apo nuk ka në marrëveshje për kufirin detar midis Greqisë dhe Shqipërisë?
Pas takimeve që ministrat e Jashtëm të dy shteteve zhvilluan, Greqia e ka përgjigjen e saj, madje edhe me shifra konkrete.

Gazetari: Për kufirin detar?
Nikos Kotzias: “Kemi rënë dakord”.
Gazetari: Kur thoni që keni rënë dakord nënkuptoni që hapësira jonë detare zgjerohet në 12 milje sepse zoti Bushati ka hedhur akuza ndaj paraardhësve të tij?
Nikos Kotzias: “Zonën Ekskluzive Ekonomike mund ta shpallësh, kur tjetri ka pranuar se ke të drejtën e 12 miljeve”.
Gazetari: Domethënë e kanë pranuar këtë?
Nikos Kotzias: “Po. Bëhet fjalë për zonën bregdetare kombëtare”.

Një ditë më pas intervistohet ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, nga gazetari Blendi Fevziu në emisionin Opinion në televizionin Klan.
Ndryshe nga homologu grek, ministri Bushati nuk është aq i drejtëpërdrejtë në përgjigje.

Ditmir Bushati: “Në bisedën në princip që kemi rënë dakord me palën greke për këtë çështje, mund t’iu them që rezultati për palënm shqiptare është një rezultat disa herë më i mirë se i 2009-s. Është në respekt të plotë me vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese dhe me të drejtën ndërkombëtare. marrëveshja që ne synojmë të arrijmë me palën greke sot do të bëhet mbi bazën e parimit të barazlargësisë, por e axhustuar në përputhje me gjeografinë dhe në përputhje me karakteristikat që kanë dy vendet. Unë po ju them dhe njëherë qartë dhe shkoqur. Ne kemi diskutuar në parim mbi linjat e kuqe mes të cilave dhe përtej të cilave ne nuk dalim dot. Do të ulen ekspertët në tavolinë sepse ekspertët nuk janë ulur në tavolinë dhe do të finalizojnë marrëveshjen”.

Asnjë shifër nuk artikulohet nga ministri Bushati, por njëkohësisht as nuk kundërshtohet se një marrëveshje për kufirin detar do të jetë gati në gjatë muajt në vijim. Një gjë është e sigurtë sipas tij, se janë ekspertët ata që do të vendosin për kufijtë.

Ditmir Bushati: “Do të ulen ekspertët në tavolinë sepse ekspertët nuk janë ulur në tavolinë dhe do të finalizojnë marrëveshjen”.

Një tjetër pikë e ndjeshme është çështja çame. Ministri i jashtëm i Greqisë tha se nuk është diskutuar me palën shqiptare.

Gazetari: Çështjen e çamëve e diskutuat?
Nikos Kotzias: “Jo. Pala shqiptare e ngre, pala greke thotë nuk e diskuton dhe mbyllet këtu. Mendoj se pala shqiptare do dëshirojë të bëjë propozime për disa parime të përgjithshme të të drejtave të njeriut”.

Ndërsa, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme shqiptar, Ditmir Bushati, nuk i referohet drejtpërdrejtë takimit të fundit, kur siguron se është diskutuar apo do të vazhdojë të dikutohet me qeverinë greke.

Ditmir Bushati: “Nga 2013-a e deri më sot që flasim, çështja çame ka qenë pjesë e çdo diskutimi të çdo qeveritari të lartë shqiptar me qeverinë greke. Pala grake ka një shqetësim të madh përsa I përket mundësisë që kjo çështje do të pasojë me pretendime territoriale”.

Ndonëse nuk ishte i ftuar në emisionion opinion, kryeministri Edi Rama ka qenë aktiv në rrjetet sociale duke i dhënë përgjigje komentuesëve që ndiqnin intervistën e Ministrit Bushati. Ai ka sqaruar se çështjet e vjetra u hapën jo për të bërë një tjetër marrëveshje të dëmshme për Shqipërinë, po për një marrëveshje të re, që i jep Shqipërisë atë që i takon! As më shumë, as më pak. Sipas kreut të qeverisë në fund, të vërtetën do ta thonë kartat e shkruara e të nënshkruara dhe pastaj deti do të marrë puplat e rëna të kakaritësve shurdhues të katundit politik e mediatik./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono