deshtimi

zoran-zaev.jpg
ad min14:02 | 19/10/2019

Pas dështimit me negociatat, Maqedonia e Veriut pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Vendimi është marrë nga Kryeministri Zoran Zaev, i cili tha se pavarësisht gabimit historik të BE, çdo politikan duhet të marrë përgjegjësi para qytetarëve.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në fjalën e tij në selinë e qeverisë në Shkup, tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Deklarata vjen pasi një ditë më parë nuk u pranua hapja e negociatave për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian. Ndër të tjera ai u shpreh se duke parë zhvillimet që ndodhën dhe pas konsultimeve të zhvilluara, zgjidhja më e mirë dhe për të mos humbur kohë ishin zgjedhjet e parakohshme.

Ai tha se me këtë propozim do të shkojë edhe në takimin e së dielës, të liderëve, të kërkuar nga presidenti Pendarovski. Zaev u shpreh se Brukseli kishte bërë një padrejtësi pasi vendi i ka kryer të gjitha detyrat.

“Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Ky është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Ky është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë së Veriut nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve”, tha mes të tjerash Zaev.

Ai theksoi se fokusi i tij do të jetë për reforma, integrimin euroatlantik dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve./ABC News Albania

AMBASADORET-TAKIMI-ABC-M5-T2.mpg_snapshot_00.32-1280x720.jpg
ent ela19:38 | 14/10/2019

Takimi i ambasadorëve të përhershëm të BE-së nuk ka prodhuar një rezultat konkret në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit. Edhe pse nuk ka mbështetur ndarjen e rastit të Shqipërisë nga ai i Maqedonisë së Veriut, Franca nuk është treguar fleksibël, ndërsa Holanda ka insistuar për një përgjigje negative. Ndërkohë, Danimarka mbështet ndarjen e vendimmarrjes.

Përfundon pa rezultat takimi i 28 ambasadorëve të përhershëm të Bashkimit Europian mbi draft-konkluzionet për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE. ABC News ka mësuar nga burimet franceze, se ambasadori francez nuk ka treguar fleksibilitet për dhënien e dritës jeshile lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Ndërkohë Franca nuk mbështet ndarje midis vendimmarrjes për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë. Por nuk është e qartë, nëse ministrja franceze për çështjet europiane, Amelie de Montchalin do të lëshojë pe për kushtin lidhur me prokurorinë speciale për Maqedoninë e Veriut përballë 27 ministrave të jashtëm në Luksemburg.

Për Shqipërinë, qëndrimet variojnë midis një një PO-je të kushtëzuar dhe një JO-je të fortë. ABC News ka mësuar nga burimet holandeze, se Holanda i mbahet JO-së të fortë për Shqipërinë, duke konsideruar se vendi nuk është gati për këtë etapë të integrimit europian.

Të njëjtat burime janë shprehur për ABC News, se ministri i jashtëm i Holandës, Stef Blok, do të mbrojë JO-në për Shqipërinë gjatë takimit tê nesërm tê ministrave të jashtëm të Bashkimit Europian në Luksemburg.

ABC News ka mësuar gjithashtu, se Danimarka është në favor të ndarjes së vendimmarrjes midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, e ndjekur nga Spanja.

Burime zyrtare të Këshillit të ministrave janë shprehur për ABC News, se Greqia nuk e lehtëson po ashtu kompromisin për Shqipërinë për shkak të rezervave që ka lidhur me trajtimin e minoriteteve.

Draft-konkluzionet për Shqipërinë flasin për një kombinim të qëndrimit gjerman dhe francez, për të hapur negociatat me vendin pasi Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë të jenë funksionale dhe progres në reformën zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR. Por nuk dihet ende nëse do të jetë ky formulimi dhe kushtëzimi që do dalë nga takimi i ministrave të jashtëm në Luksemburg në 15 tetor. /ABC News Albania 24/7

macron.jpg
nev ila09:22 | 12/10/2019

Pas humbjes së kandidates franceze për në Komisionin e BE, Sylvie Goulard, presidenti i Francës e ka rritur presionin ndaj presidentes së ardhshme të Komisionit të BE-së, gjermanes Ursula von der Leyen.

Presidenti i Francës Emmanuel Macron pas dështimit të kandidates së Francës për Komisionin e BE-së ka paraljamëruar për “krizë politike”.

“Ka një Komision të ri, një Parlament të ri Europian (…) që të dy po konfrontohen me një krizë politike. Nuk duhet të lejojmë, që kjo të avancojë më tej. Unë besoj, se është e rëndësishme të kemi një komision të fortë, që të mund t’i realizojë projektet ambicioze.“, tha Macron. Macron bëri thirrje, se duhet të kapërcehen tensionet.

Parlamenti Europian të enjten e refuzoi kandidaten franceze ish-ministren e Mbrojtjes Sylvie Goulard  për Komisionin e ri të BE-së.

Ajo ishte propozuar të drejtonte sektorin e Industrisë dhe Tregut të Brendshëm në Komisionin e BE-së. Një problem për të ishin ndër të tjera edhe hetimet lidhur me një aferë për punësim të rremë. Kjo aferë bëri që ajo të tërhiqet nga posti i ministres së Mbrojtes në vitin 2017.

Macron bëri drejtpërdrejt përgjegjëse për këtë dështim presidenten e ardhshme të Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Ai tha, se ajo vetë kishte insistuar për Goulard, të cilën e njeh nga koha si ministre e Brendshme dhe se kishte llogaritur me miratimin e saj në parlament. Macron duhet t’i jetë drejtuar von der Leyen me fjalët: “Kujdes, (…) do kemi diskutime.” Një zëdhënëse e komisionit në Bruksel tha, se “as nuk e mohon dhe as nuk e konfirmon këtë“.

Sekretarja e shtetit në Francë për Europën, Amélie de Montchalin, e paralajmëroi Ursula von der Leyen, se Komisioni i ri me gjasë nuk mund të nisë më 1 nëntor sipas planifikimit punën e tij.

“Ursula von der Leyen duhet të thotë tani, se çfarë pret nga Franca“, kërkoi de Montchalin.

Në shtypin francez refuzimi i kandidates Goulard vlerësohet si një dështim i rëndë për Macron./DW

manchestercity-1280x720.jpg
nev ila18:15 | 15/09/2019

Në Angli janë ngritur dyshime të mëdha mbi aftësinë e Manchester City-t për të fituar titullin e tretë radhazi. Kjo, pas humbjes në fushën e Noruiçit, edhe pse trajneri Pep Guardiola u shpreh me besim të plotë.

Nuk është aspak shenjë e mirë kur humbet kështu.

Në Angli kanë nisur të dyshojnë nëse Mançester Siti është në nivelin e duhur për të fituar një tjetër titull kampion, dhe kjo pas disfatës ndaj një Noruiçi më shumë sesa modest.

Pep Guardiola nuk ngurroi t’i jepte gjithë besimin lojtarëve të tij, pavarësisht rënies në stadiumin “Karrou Roud”, por në jetë më shumë vlejnë faktet sesa fjalët.

“Nuk mund të shmangësh plotësisht gabimet në futboll, – tha katalanasi, – ja që kjo ndodhi. Noruiçi është një skuadër shumë e mirë, pavarësisht mungesave, dhe luftoi fort. Unë kam 100 për qind besim tek futbollistët e mi, as nuk mendoj t’i hedh poshtë për një humbje. Së bashku fituam dy tituj radhazi, së bashku do të përpiqemi të fitojmë të tretin”.

Sa do të jetë e mundur që City-t ta bëjë këtë?

Liverpuli është shkëputur 5 pikë pasi janë luajtur vetëm 5 ndeshje këtë sezon në Premier Ligë, dhe ndonëse gjithçka është e hapur, shenjat nuk janë të mira.

Edhe më të rëndë e bën dështimin, krahasimi mes dy ekipeve.

Një skuadër me vlerë vetëm 110 milionë paundë stërlina, arriti të thyente një superfuqi, me një ekip që kushton mbi 1.1 miliardë paundë stërlina.

Jo vetëm kaq, por diferenca ishte shumë me e madhe, sepse trajnerit të Noruiçit, Daniel Fark, i mungonin plot 11 futbollistë, ndërsa Pep Guardiolës shumë më pak.

“Daily Mail” informon se formacioni vendas këtë herë vlente vetëm 6 milionë paundë stërlina, ndërsa titullarët e hedhur në fushë nga Guardiola arrinin në mbi 400 milionë.

E tillë ishte diferenca, por kjo nuk u kuptua në fushën e stadiumit “Karrou Roud”, në tribunat e të cilit ishin mbi 27 000 spektatorë.

Kishin kaluar ndoshta 25 vjet që nga emocionet e fundit të forta për këta tifozë, atëherë kur skuadra e tyre e zemrës luante në Kupën UEFA dhe eliminonte Bayernin e madh të Mynihut, si dhe ndeshej si e barabartë me Interin e Milanos./ABC News Albania 24/7

 

DESHTON-SAMITI-1280x720.jpg
ent ela17:15 | 01/07/2019

Pas 18 orësh diskutime liderët e vendeve të Bashkimit Europian dështuan të binin dakord mbi emrin e presidentit të ri të Komisionit Europian e drejtuesve të tjerë të institucioneve europiane. Kandidati i të majtëve Frans Timermans është rrëzuar nga 11 vende, të cilat kanë kërkuar të dinë edhe emrat e propozuar për postet e tjera para se të vendosin. Kjo ka sjellë pakënaqësi të dukshme nga Presidenti francez Macron, ndërsa kancelarja Merkel kërkoi që të vijohet në gjetjen e kompromisit sërish të mërkurën.

Dështon samitit i 28 liderëve europianë pas më shumë se 18 orë diskutimesh për Presidencën e Komisionit Europian dhe poste të tjera kyçe të institucioneve europiane. Një dështim që tregon ndarjet e mëdha politike në gjirin e 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian për ekipin e ri të institucioneve europiane. Emri më i diskutuar i kandidatit Frans Timmermans i grupimit socialist dhe demokrat është rrëzuar nga 11 liderë evropianë, të cilët kanë kërkuar të njihen me përbërjen e të gjithë ekipit të posteve para se të japin dritën jeshile për presidentin e Komisionit Europian: Mosarritjen e dakortësisë, presidenti francez, Emanuel Macron e e ka konsideruar një arsye më shumë për të refuzuar zgjerimin e BE-së.

Emanuel Macron, President i Francës: “E përfundojmë këtë ditë me atë që mund të quhet një dështim. Asnjë s’mund të jetë i kënaqur me një përfundim të tillë pas kaq shumë orësh. Kjo tregon problemet e thella që kemi. Ky dështim është ai i ndarjeve politike në gjirin e partisë politike konservatore europiane që kanë kundërshtuar disa liderë që mund të ishin aprovuar në bazë të propozimit të bërë. Nga ana tjetër, ndarje gjeografike midis vendeve; që bëri që samiti të shtyhet për nesër në orën 11.00 dhe të gjejmë në orët që vijnë pushimin e nevojshëm dhe qetësinë e shpirtrave”.

Angela Merkel, Kancelarja e Gjermanisë: “Sot kemi një rezultat të keq dhe duhet t’a pranojmë, sepse duhet të gjejmë një kompromis që ka më shumë avantazhe sesa dizavantazhe dhe nëse nuk kemi arritur sot nuk është e rëndësishme nëse samiti do të duhet të vijojë një ditë më shumë. Ne duhet të vendosim për Presidentin e Komisionit Europian duke ditur rrjedhojat që ka në nivelin e Parlamentit Europian. Por ka vende që thonë që do të marrin vendimin e tyre pêr presidentin e Komisionit Europian nëse e dinë se cili do të jetë përfaqësues i lartë i BE-së, apo presidenti i Këshillit. Pra ka shumë propozime, por ato nuk kanë marrë aprovimin e shumicës”.

Giuseppe Conte, Kryeministër i Italisë: “Është një paketë që është hartuar nga disa parti. Ndërkohë që ne e braktisëm parimin e spitzekandidat, kandidatët e propozuar nga grupimet e Parlamentit Europian, ne na u propozua sërish një paketë me Frans Timmermans si president i Komisionit Europian. Italia s’mund ta pranojë një proces të tillë që s’funksionon edhe pse s’kam asgjë me kandidaturën e Timmermans. U deshën 18 orë që të shpjegoja”.

Emanuel Macron, President i Francës: “Jam gjithashtu shumë skeptik për të gjithê ata që na shpjegojnê që e ardhmja e Europës është te zgjerimi i ri i saj, ndërkohë që ne nuk arrijmë të biem dakort midis 28 shteteve. Pra, unë do refuzoj çdo formë zgjerimi para një reforme të thellë institucionale të  Bashkimit Europian për të patur seriozitet”.

28 liderët europianë do mblidhen sërish nesër për të vendosur për Presidentin e Komisionit Europian, në mënyrë që të zgjedhin Presidentin e Komisionit Europian para zgjedhjes së Presidentit të Parlamentit Europian, vota për të cilin është fiksuar për të mërkurën.  /ABC News Albania 24/7

 

 

 

880x495_cmsv2_61e1ff1b-9044-5a0c-8234-cb0f1b516dd7-3925394.jpg
ent ela13:00 | 30/05/2019

Parlamenti izraelit votoi për shpërndarjen e tij, pas zgjedhjeve të 9 prillit, duke shpallur zgjedhje të reja të jashtëzakonshme për 17 shtatorin e ardhshëm. Një skenar ky i paprecedentë në historinë e vendit. Parlamenti miratoi mbrëmjen e djeshme me 74 vota pro dhe 45 kundër, kërkesën e partisë Likud të kryeministrit në largim Benjamin Netanjahu.

Ai nuk arriti të krijojë një qeveri koalicioni me partitë e së djathtës, duke vendosur të ftojë izraelitët që të votojnë për herë të dytë në më pak se 5 muaj. Netanjahu nuk i dha Presidentit të vendit mundësinë për t’ia dhënë dikujt tjetër të drejtën e krijimit të një qeverie. /ABC News Albania 24/7

BREXIT-BISEDIMET.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
ent ela19:59 | 17/05/2019

Bisedimet ndërpartiake të mbajtura për Breksit në Mbretërinë e Bashkuar kanë dështuar. Kanë qenë vetë konservatorët dhe laburistët që kanë njoftuar për falimentimin e procesit të dialogut, duke fajësuar për këtë njëri-tjetrin.

Bisedimet mes qeverisë dhe laburistëve për zhbllokimin e ngërçit të Breksit janë mbyllur pa një marrëveshje. Kreu i opozitës, Xheremi Korbin deklaroi në përfundim të procesit se gjatë dialogut laburistët kishin dhënë gjithçka, por fajësoi atë që e quajti “dobësinë dhe paqëndrueshmërinë” e qeverisë për dështimin. Nga ana tjetër, kryeministrja Theresa Mej deklaroi se mungesa e një qëndrimi të përbashkët me laburistët për një referendum të mëtejshëm i kishte bërë bisedimet të vështira. Kryetarja e qeverisë tha gjithashtu se do të shqyrtojë mundësinë për t’u parashtruar ligjvënësve opsione që procesin e Breksit ta udhëheqë mazhoranca. Një ditë më parë, zonja Mej premtoi se do të caktonte një datë për largimin nga detyra nëse marrëveshja e divorcit me BE-në do të dështojë sërish në votimin që do të mbahet më 3 qershor në Parlament. Breksit duhet të hynte në fuqi më 29 mars, por pasi ligjvënësit hodhën poshtë tre herë rresht marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Mej dhe Brukseli, data u shty për më 31 tetor. Kjo shtyu palët, konservatorët dhe laburistët, që të nisnin bisedimet me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për daljen nga BE-ja, pavarësisht diferencave mbi një sërë aspektesh, si anëtarësia në një union doganor dhe mbajtja e një referendumi të dytë. /ABC news Albania 24/7

KOMPANIA-E-SIGURISE-RINAS_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.27-1280x720.jpg
ent ela14:01 | 11/04/2019

Siguria e Aeroportit Ndërkombëtar në Tiranë pas grabitjes së dytë në pistën e avionëve është vënë në pikëpyetje të madhe. Ndërkohë që për të garantuar këtë ICTS Albania merrte 2.5 milionë euro në vit.

Grabitja e parave në pistën e avioneve të martën e 9 prillit tregoi se Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka dështuar sa i përket kushteve të sigurisë.

Po cila kompani e garantonte dhe sa janë të ardhurat që disponon për këtë çështje?

Aeroporti “Nënë Tereza” ka kontratuar për këtë çështje ICTS Albania një kompani e krijuar në vitin 2005, 100% në pronësi të ICTS Europe që ka angazhuar 152 punonjës dhe që qarkullon në vit rreth 309 milionë lekë.

Vetëm në vitin 2017 sipas bilanceve i janë arkëtuar 2.5 milionë euro me qëllim garantimin e sigurisë në aeroport.

Krhasuar me një vit më parë të ardhurat e saj janë rritur me rreth 20%, ndërsa në raport me vitin 2014 me 30%.  ICTS Albania para taksave kishte një normë fitimi prej 12% ose rreth 37.7 milionë lekë në vit.

Megjithëse nga viti në vit të ardhurat e kompanisë përgjegjëse për sigurinë kanë njohur rritje ajo për të dytën herë dështoi të ndalojë vjedhjen brenda aeroportit. Grabitja e 9 prillit në hangarin e avionit erdhi tre vite pas asaj të 30 qershorit të 2016-ës kur një makinë e blinduar ra pre e grabitësve ndërsa transportonte paratë drejt avionit.

Ndërkohë vetë shoqëria që menaxhon konçesionin e aeroportit të Rinasit tetorin e vitit 2016 ndryshoi pronësi. China Everbright Limited, një kompani ndërkombëtare investimesh dhe menaxhimi të aseteve e vendosur në Hong Kong sipas njoftimit zyrtar të Aeroportit Ndërkombëtar e mori në 100% në zotërim. Por zyrtarisht në Qendrën Kombëtare të Biznesit aksionieri i vetëm i tij në vend që prej prej 11 nëntorit 2016 është Real Fortress Private Limited. Një kompani e krijuar në 22 qershor 2016 me adresë në Singapor dhe që rregullohet nga ligjet e këtij shteti. Një kompani offshore, e cila tashmë menaxhon koncesionin e aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend. /abcnews.al

 

BREXIT-DESHTIMI-_ABC-M4-T2.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
ent ela23:52 | 12/03/2019

Ligjvënësit britanikë kanë hedhur poshtë për herë të dytë marrëveshjen e kryeministres Mej për Breksit. Në fjalimin e mbajtur në Dhomën e Përfaqësuesve, Mej nuk arriti t’i bindte grupet parlamentare për koncensionet e minutës së fundit që kishte siguruar nga Brukseli.

Marrëveshja e kryeministres Theresa Mej për daljen nga BE-ja është hedhur poshtë për herë të dytë nga ligjvënësit britanikë, duke futur në kaos dhe pasiguri strategjinë e saj të Breksit. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan me 391 vota kundër dhe 242 vota pro, duke i shkaktuar shefes së qeverisë një humbje edhe më të thellë se votimi i janarit. Mej ka deklaruar pas votimit se tashmë ligjvënësve do t’u jepet mundësia të votojnë nëse Mbretëria e Bashkuar do të dalë nga BE-ja pa një marrëveshje më 29 mars dhe, në rast dështimi, një votim për të vendosur nëse Breksit duhet të shtyhet. Mej ka thënë gjithashtu se Britanisë do t’i duhet të sqarojë me detaje Unionin Europian se për çfarë do të shërbejë çdo shtyrje e mëtejshme e procesit. Partia e Unionit Demokrat të Irlandës së Veriut, që mban në këmbë qeverinë, votoi kundër marrëveshjes bashkë me deputetët e thjeshtë konservatorë që mbështesin Breksit. Vota kundër u paralajmërua gjatë debateve që i paraprinë votimit edhe nga lideri i opozitës Xheremi Korbin dhe grupet parlamentare euro-skeptike. Për Korbin, pas dështimit, kryeministrja duhet të organizojë zgjedhje të përgjithshme. Më herët para votimit, kryeministrja paralajmëroi anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve se, nëse nuk mbështesnin marrëveshjen e saj të përmirësuar do të vinin në rrezik realizimin e Breksit. Por ajo nuk arriti t’i bindte ata se konçesionet e minutës së fundit që kishte përfituar nga BE-ja ishin ato çka ata kishin kërkuar pas rrëzimit të marrëveshjes në janar. /abcnews.al

REFORMA-ZGJEDHORE-NEGELI-NE-KLASE-1280x709.jpg
ent ela15:41 | 27/12/2018

Konsensusi i munguar nga forcat politike në vend çoi në dështimin e reformës zgjedhore për vitin 2018. Thirrjet e ndërkombëtarëve për të miratuar brenda vitit ndryshimet në kodin zgjedhor nuk e bënë bashkë mazhorancën dhe opozitën.

Shpresuan ndërkombëtarët se deputetët e Kuvendit do t’i ndërprisnin pushimet për të miratuar reformën zgjedhore. Por më kot. Seanca e jashtëzakonshme parlamentare e parashikuar në 27 dhjetor dështoi duke i hedhur në kosh thirrjet e përsëritura të përfaqësive diplomatike në Tiranë për ta përfunduar brenda dhjetorit të këtij viti.

Ambasadorja gjermane Shutz: “Ne jemi të mendimit që në demokraci nevojitet një opozitë por edhe për këtë opozitë vendi është në parlament dhe unë i bëj apel opozitës që të kthehet përsëri në parlament sepse ka shumë ligje për tu miratuar si reforma e kodit zgjedhor, për të cilat nevojitet edhe vota e opozitës .

Ne si Gjermani kemi thënë që 6 shteteve Ballkanit perëndimor kanë një perspektivë për anëtarësimin në BE, kjo vlen edhe për Kosovën e Serbinë por është e rëndësishme që këto dy vende të bëjnë progres për normalizimin e dialogut mes tyre dhe në këtë kontekst shpresoj që diferencat mes këtyre dy vendeve të përballohen. Qeveria federale gjermane dhe vetë kancelarja gjermane ka thënë që një ndryshim i kufijve nuk do të çonte në një zgjidhje”.

Soreca:Ne presim që partitë politike të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, duke u angazhuar në mënyrë gjithëpërfshirëse për të trajtuar rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR-it. Është shumë e rëndësishme që kjo të përfundojë tani, 6 muaj para zgjedhjeve vendore të vitit 2019.”

Lëvizja që bëri Partia Socialiste duke cuar në Kuvend draftin e njëanshëm ndeshi në kundërshtimin e demokratëve për rrugën e paligjshme që kishin ndjekur sipas opozitës.

Balla: “Sigurisht erdhi pronari i ndërmarrjes edhe drejtori, por besoj që të dy ërkoj që të shpreheni lidhur me kërkesën për të futur në rend të ditës kodin zgjedhor, sipas të gjitha atyre që keni kërkuar një për një. Për zgjedhjet e 30 qershorit të jemi gati për zgjedhjet lokale”.

Basha: “Jeni të poshtër si dreqi, por bëni budallenj si gomari. E dini fare mirë që ka një komision. Si mund ta sjellësh pa kaluar komisionin. Çfarë po bëni ju këtu? E keni marrë mesazhin dje nga faktori ndërkombëtar. Jeni hileqarë, të poshtër. Del këtu shoku i trafikantit që do të bëjë pallate tek Unaza e Re e do të bëjë reformë zgjedhore tufë hajdutësh, banditësh. Gjysma prej jush duhet të jetë në burg. Prandaj leri këto gomarrliqe, fillo nga pika e parë e rendit të ditës që kemi rënë dakord”.

Depozitimi në Kuvend i amendamenteve nga mazhoranca u konsiderua minim për reformën zgjedhore nga demokratët.

Bylykbashi: “Ajo që kërkon PS në mënyrë të njëanëshme minon reformën zgjedhore, nëse vazhdon kështu reforma zgjedhore mbytet aty ku është”.

Konsensusi i munguar nga forcat politike ka bërë që reforma zgjedhore të ngelë edhe në vjeshtë për vitin 2018. E vetmja që sheh një ditë shprese është mazhoranca. Nëpërmjet kryetarit të grupit parlamentar socialist Taulant Balla i drejton thirrjen e fundit opozitës.

Balla:  “Apeli im përkundrejt dy forcave të tjera është që në funksion të kësaj kërkese legjitime të shqiptarëve që jetojnë jashtë, të vijnë ta miratojmë nesër, në mos janë duke gatuar bakllavanë të vijnë ditët e para të janarit për ta miratuar.” /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono