demokracia

basha-5.jpg
R D15:24 | 24/01/2020

Kreu i opozitës Lulzim Basha ka reagur ndaj indeksit të demokracisë të publikuar nga “The Economist”. Në një postim në Twitter, Basha thekson se përkeqësimi në renditje me 3 vende ka ardhur për shkak te mungesës së një qeverie funksionale, parregullsive në zgjedhje, korrupsionit të lartë, sundimit të dobët të ligjit dhe mungesës së drejtësisë së pavarur.

Sipas indeksit të “The Economist”, Shqipëria shënoi përkeqësim duke rënë nga vendi i 76 në vendin e 79-të.

Ulet me 3 vende indeksi i demokracisë për Shqipërinë, The Economist: Shqipëria me regjim hibrid

 

muzeu-kombetar-1.jpg
nev ila19:18 | 22/01/2020

Niveli i demokracisë në Shqipëri ka pësuar rënie  gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë që vendi ynë mbetet pjesë e shteteve që kanë një regjim hibrid.

The Economist ka publikuar indeksin në bazë të cilit mat demokracinë në 167 shtete të botës, dhe Shqipëria renditet e 79,  nga  vendi i 76 që ishte në 2018.

Vendi ynë është ulur në renditje, e ndikuar nga kategoria e “pjesëmarrjes politike” në 2019. Ky faktor shpjegohet me mungesën e opozitës, në mbajtjen e zgjedhjeve vendore, në qershor të vitit të kaluar ku mazhoranca mori drejtimin e të gjitha bashkive në vend.

Indeksi i demokracisë vlerëson  5 indikatorë  të cilët janë procesi zgjedhor dhe pluralizmi, funksionimi i qeverisë, pjesëmarrja politike, kultura demokratike politike dhe liritë civile.

Në këto kategori Shqipëria ka pasur përmirësim të vlerësimit në liritë civile, procesi zgjedhor dhe funksionimi i qeverisë. Në rajon Serbia është vendi që renditet më lartë  për sa i përket indeksit të demokracisë duke u përcaktuar një shtet me demokraci në lulëzim.

Ndërsa Shqipëria lë pas në renditje Malin e Zi dhe Bosnjë Hercegovinën. Indeksi i The Economist vlerëson se në 167 shtete, vetëm 22 prej tyre plotësojnë indikatorët si vende me demokraci të plotë.

Ndërkohë që më shumë se një e treta e popullsisë së botës, ende jetojnë nën sundimin autoritar.

Norvegjia rezulton të jetë vendi me demokratik në botë e ndjekur nga Islanda dhe Suedia./abcnews.al

henri-cili123.jpg
ad min21:04 | 20/09/2019

Universiteti Europian i Tiranës do të nisë një projekt të ri ku do t’i japë hapësirë studimeve mbi tranzicionin. Henri Çili, i cili ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Provokacija”, ku tha se tranzicioni në vendin tonë është mbyllur. Madje sipas tij ka qenë i suksesshëm. Ai renditi disa parametra për ta vërtetuar këtë.

“Ideja është që tranzicioni shqiptar është më i lavdishmi në periudhën e Shqipërisë, 30 vjetët e kësaj pjese të historie shqiptare. Mua prandaj më vjen keq që kryqëzohet elita politike. Elita politike i ka bërë një shërbim Shqipërisë dhe për mendimin tim meriton të amnistohet dhe jo të ndëshkohet. Pse? Po të marr katër parametra.  Në 25-30 vjet, GPD-ja, të ardhurat për frymë të shoqërisë shqiptare janë rritur midis 25 dhe 35 herë. Në vitin ’90, ne kishim midis 200 dhe 400 dollarë për frymë. Sot kemi midis 7 dhe 10. Ndryshimi jonë infrastrukturor është epokal. Për dy orë ti shkon në çdo cep të Shqipërisë.

Ne kemi mbjellë institucione, praktika të cilat vendet e tjera nuk i kemi pasur. Vendet e tjera sa i kanë rikthyer. Është e thjeshtë të flasim për evoluimin e Çekisë, por ajo ka pasur senat dhjetëra vjet.  Gjykata Kushtetuese, sistemi ynë i komunikimit, format e tjera nuk kanë ekzistuar. Ne kemi sisteme komunikimi dhe financiare që nuk i kemi pasur kurrë në histori, sistemi bankar, sistemi i sigurimeve etj.  Fitoret tona janë absolute. Do thoja që ka dy mënyra si të jemi të kënaqur dhe të pakënaqur. Krahasimi me lart dhe krahasimi me poshtë, por mbi të gjitha ka një krahasim që nuk mund ta shmangim, njëshin. Unë mendoj se çdo shqiptar sot është tmerrësisht më mirë se në vitin 1990”, tha Çili.

Por nga ana tjetër, Nano kishte një mendim ndryshe. Ai bëri me faj politikën shqiptare dhe tha se një pjesë e njerëzve e shohin vendin si të pabanueshëm.

“Unë e bëj me faj politikën. Sot një pjesë e madhe të shqiptarëve e shohin vendin si të pabanueshëm dhe ka një arsye. Unë përmenda zgjedhjet. Jemi i vetmi vend në Europë, dhe kjo na turpëron të gjithëve”, tha Nano. /ABC News Albania 24/7

META-SINKRON.mpg_snapshot_00.13-1280x720.jpg
ent ela09:39 | 15/09/2019

“Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!” Është ky apeli i fortë i Presidentit Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë. Në një postim në  Facebook kreu i shtetit u bën thirrje të rinjve që të mos largohen nga Shqipëria dhe  u kërkon që të luftojnë për demokracinë dhe të ardhmen e tyre.

Sipas tij e vetmja mënyrë për të rrëzuar regjimin e oligarkëve është përballja.

Mesazhi i Presidentit Ilir Meta:

Të dashur miq, sot është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Në themel të demokracisë qëndron vota, e drejta e çdo qytetari për t’u zgjedhur e për të zgjedhur, pluralizmi politik.

Demokraci do të thotë që çdo qytetar të vendosë për të ardhmen e vet. Që çdo qytetar të ketë besim te roli i vet në demokraci. Që çdo qytetar të ketë mundësi për të ndikuar mbi vendimmarrjen. Për ta detyruar atë të jetë transparente, nëpërmjet llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe kombëtar.

Demokraci do të thotë që çdo qytetar të jetë i barabartë para ligjit. Fatkeqësisht shumë nga këto parime e vlera që janë kolonat dhe zemra e botës demokratike, janë përçudnuar në vendin tonë.

Zhgënjimi është i madh. Jo ndaj demokracisë që sollëm në dhjetor ’90, por ndaj formës së shëmtuar që ajo mori në 30 vite. Shpopullimi dramatik i Shqipërisë dhe humbja e shpresës, veçanërisht tek brezi i ri, është treguesi më i dhimbshëm dhe fatkeq. Shikoni ku jemi sot: të fundit në rajon para dyerve të BE-së. Dhe ende askush nuk mban përgjegjësi, përkundrazi. Ka edhe më shumë thellim në paligjshmëri.

Fenomeni i rrezikshëm i shtetit paralel të propagandës dhe PPP-ve, dhe axhendat e nëndheshme që kanë kapur për fyti Shqipërinë, nuk janë gjë tjetër veçse një komplot kundër demokracisë, çdo vlere e parimi të saj, kundër sovranitetit të të gjithë qytetarëve që duan një demokraci të vërtetë europiane dhe perëndimore.

Ndaj ne sot kemi një mision të përbashkët historik: Të shpëtojmë demokracinë nga pengmarrja e një pakice të papërgjegjshme dhe jolegjitime!

Koha nuk pret!

Kjo është beteja jonë! E njerëzve të lirë, të ndershëm dhe punëtorë, e rinisë sonë të mrekullueshme! E të gjithëve ne që e duam me shpirt dhe zemër Shqipërinë! Dhe unë jam më i vendosur se kurrë!

Për një Shqipëri demokratike, si gjithë Europa! Sepse liria, demokracia dhe dinjiteti njerëzor janë të panegociueshme!

Mbrojtja e demokracisë sot është një detyrë patriotike për t’i rikthyer besimin çdo qytetari dhe çdo të riu se e ardhmja më e mirë është vetëm këtu dhe kjo kërkon kontributin e secilit për ndryshim.

Zgjidhja nuk është largimi, por zgjimi dhe ndryshimi! Largimi u intereson atyre që duan të zbrazin Shqipërinë nga shqiptarët, ndaj prej kohësh kanë planifikuar vrasjen e ngadaltë të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

T’ua kthejmë Shqipërinë shqiptarëve dhe vetëm atyre! Sepse të rinjtë tanë mund të gjejnë çdo gjë jashtë që u mungon sot këtu, por kurrë nuk do të gjejnë Atdhe!

Regjimi i bllokmenëve ishte shumë herë më i vështirë se regjimi i oligarkëve për t’u përmbysur! Zgjidhja nuk është tërheqja dhe justifikimet foshnjore, por përballja me të keqen dhe ligësinë!

O SOT O KURRË!

/abcnews.al

190912233528-04-hong-kong-protest-0912-restricted-1280x720.jpg
ad min14:30 | 14/09/2019

Protesta dhe dhunë mëngjesin e të shtunës në Hong Kong. Qindra mbështetës të Pekinit u mblodhën për të manifestuar në një qendër tregtare, duke mbajtur në duar flamuj kinezë dhe parulla pro Policisë së Kinës.

Mbështetës të reformave pro demokracisë organizuan një kundër protestë. Mes tyre fillimisht kishte ofendime e më pas situata degjeneroi në sulme fizike. Situata u qetësua vetëm pas ndërhyrjes së policisë e cila arrestoi një numër të madh personash./ABC News Albania 24/7

zgjedhje.jpg
ad min17:06 | 01/09/2019

Në tre lande gjermane votohet në vjeshtë. Populistët e djathtë kanë shanse madje të bëhen madje partia më e fuqishme. Pse ndodh kjo?

Pa lëvizjen qytetare të ish-RDGJ-së Gjermania sot do të ishte ndryshe. Dhjetëra mijëra aktivistë dhanë para 30 vjetësh, kontributin e tyre për rrëzimin e Murit të Berlinit, që Gjermania e ndarë prej dekadash të bashkohej. Njerëzit që dolën në rrugë në Lindjen gjermane kërkuan liri dhe të drejtat e njeriut. Tani para zgjedhjeve në tre lande gjermane, sloganet e lëvizjes qytetare përdoren nga pala tjetër, nga populistët. Në Saksoni e në Brandenburg votohet më 1 Shtator, kurse në Tyringji në fund të tetorit.

Janë populistët e partisë Alternativa për Gjermaninë, AfD që me sloganet, „Bëhu qytetar aktivist”, apo „Përmbyll ndryshimin” dhe „Lindja ngrihet” kërkojnë të bëjnë për vete gjermanolindorët. Slogane zgjedhore që lidhen me vitet e kthesës në Gjermani, vite jo të lehta për gjermanolindorët, të sunduara nga zhgënjimi dhe shpresat e paplotësuara.

Nuk ka liri mendimi në Gjermani?

Në faqen e saj online, AfD e krahason Gjermaninë me ish-RDGJ-në. „Kush mendon sot ‚ndryshe‘, shtypet po ashtu si dikur me Stas-in”, thuhet aty. Fjala është për shërbimin sekret që përgjonte opozitarët, frikësonte ata që mendonin ndryshe, e shkelte të drejtat qytetare. Björn Höcke, një nga eksponentët e krahut të djathtë nacionalist të AfD, që para 30 vitesh as nuk ka qenë në RDGJ, është shprehur së fundmi se „ndjehesh si në RDGJ”. „Për këtë nuk e kemi bërë revolucionin paqësor, miqtë e mi.”

Për kujtesë: Gjermania është një shtet ligjor demokratik. Megjithatë deklarata të tilla prekin disa njerëz në nerv. Në zgjedhjet në landet gjermane lindore, partia populiste „Alternativa për Gjermaninë” ka gjasa sipas sondazheve të bëhet partia më e fortë. E kjo edhe pse jo pak politikanë të njohur të saj, e shprehin hapur botëkuptimin e tyre djathtist apo bien në sy përmes deklaratave raciste.

Deutschland AfD & Religion | Pegida-Demo Flagge Deutschland & Israel (picture-alliance/dpa/D. Naupold)Demonstratë e lëvizjes djathiste nacionaliste, Pegida

24% e lindjes gjermane voton për AfD

Sipas një sondazhi të EMNID, 24% e votuesve në Gjermaninë lindore në zgjedhjet parlamentare për Bundestagun do të jepnin votën e tyre për AfD. Në perëndim kjo shifër do të ishte vetëm 12%. „Shumë njerëz nga ish-RDGJ-ja janë të zhgënjyer, ata nuk ndjehen të kuptuar, as të marrë seriozisht nga shoqëria e shumicës në perëndim”, thotë sociologja, Judith Enders. Kjo lidhet edhe me atë, që gjermanolindorët përbëjnë vetëm 17% të popullsisë gjermane. Por më shumë rol luan mungesa e përfaqësimit të tyre në shoqërinë e përgjithshme gjermane, sipas saj. Vetëm 1,7% e gjermanolindorëve zënë poste kyçe në ekonomi, politikë dhe administratën gjermane. Pas bashkimit, elita socialiste e RDGJ-së u zëvendësua nga elita perëndimore, kjo elitë riprodhon veten ende edhe sot, pas 30 vjetësh, thotë studiuesja.

Judith Enders është rritur në Lindje, dhe ka krijuar një iniciativë që kërkon t’i japë një kuptim të ri nocionit „Lindje”. Më shumë vetëbesim dhe më shumë angazhim. Jo të gjithë në Lindje ia kanë dalë. „Disa janë dorëzuar”, thotë ajo. Shumë vetë, 30 vite pas kthesës ndjejnë ende një fyerje kolektive. Sipas statistikave, njerëzit në Lindje fitojnë ende më pak se punonjësit në perëndim. Nga ana tjetër që nga rënia e Murit, qindra mijëra vetë, sidomos të rinj i kanë kthyer kurrizin lindjes gjermane. Ata që qëndruan duhej të luftonin me papunësinë, më shpërbërjen e ekonomisë gjermanolindore dhe me papunësi të lartë. Në Lindje ende papunësia është më e lartë. Në vitin 2019, 6,6% e njerëzve ishin të papunë, në perëndim vetëm 4,7%.

Politikwissenschaftlerin Judith Enders (privat)Judith Enders

Një ‘verë solidariteti’ në Lindje

Vetëm pasojat e ndryshimit para 30 viteve nuk i shpjegojnë sukseset e populistëve të djathtë: Sipas një studimi të Universitetit të Lajpcigut, çdo i dyti person i anketuar në Gjermaninë lindore ka rezerva ndaj të huajve apo pakicave. Në të gjithë Gjermaninë e ndan këtë qëndrim çdo i treti person. Në vitet e kaluara „lindja” gjermane ka zënë vend negativisht në kryeatikujt e gazetave, si për sulme kundër migrantëve, për lëvizjen raciste Pegida apo trazirat me sfond radikal të djathtë si në Chemnitz.

Shumë vetë në Lindjen gjermane janë kundër perceptimit të Lindjes si vatër e ekstremistëve të djathtë. Iniciativa „Kur, nëse jo tani” dhe „Rilindja e Lindjes” luftojnë kundër racizmit, por edhe të diskutojnë, se si gjermanolindorët e perceptuan kohën pas ndryshimit të RDGJ-së. Nën moton „Vera e Solidaritetit” ata duan të organizojnë në të gjithë lindjen koncerte, aktivitete letrare, diskutime në podium. Ana-Cara Methmann, e lindur në veri të Gjermanisë, por që prej 10 vitesh jeton në Lajpcig është zëdhënëse e iniciativës, „#Unteilbar”. „Ne kërkojmë një distancim të prerë nga racizmi”, thotë ajo.

Chemnitz Bürgerfest Herzschlag (picture-alliance/dpa/H. Schmidt)Festa qytetare kundër racizmit në Chemnitz

Lajpcigu, ku jeton ajo, është një qytet i preferuar në Saksoni. Në zgjedhjet europiane në Maj të Gjelbrit arritën të merrnin aty 20,2% të votave. AfD me 15,5% ka marrë aty më pak vota krahasuar me nivelin e federatës. Por Gjermania nuk është e ndarë vetëm mes Lindjes e Perëndimit, ndarja ekziston edhe mes qytetit e zonave rurale. Shpesh janë gjërat praktike që e shkaktojnë këtë ndarje. Një autobus që vjen vetëm dy herë në ditë, një stacion treni 20 kilometra larg. Methmann, e cila jep seminare kundër diskriminimit në të gjithë Gjermaninë, e ka përjetuar vetë këtë. Në Saksoni vetë keqqeverisja e CDU-së ka bërë që të forcohet AfD-ja. „Shumë pak është investuar tek rinia. Qendrat e rinisë janë mbyllur”, thotë Mettmann. Por mjeti më i mirë kundër djathtizmit është krijimi i shumë mundësive që njerëzit të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën shoqërore, thotë aktivistja./DW

selia-pd.jpg
ad min21:16 | 10/06/2019

Gjatë mbledhjes që u zhvillua mbrëmjen e kësaj të hëne, kryesia e Partisë Demokratike vendosi që t’i propozojë Këshillit Kombëtar të PDSH-së, angazhimin e strukturave të Partisë Demokratike dhe të Opozitës së Bashkuar në 61 Bashkitë e vendit për krijimin e Aleancës Qytetare për Mbrojtjen e Demokracisë.

Kjo Aleancë, sipas një reagimi nga zyra e shtypit të Pd-së, do të krijohet si bashkim qytetar dhe intelektual, që do të ndërgjegjësojë qytetarët për rrezikun që po i kanoset demokracisë në vend dhe marrjen e të gjitha masave për të mbrojtur rendin demokratik dhe kushtetues./abcnews.al

europa-1.jpg
ad min10:35 | 28/04/2019

Dy studime këtë javë provuan: Në Gjermani dhe Europë gjithnjë e më shumë njerëz nga mesi i shoqërisë i kthejnë kurrizin politikës së qendrës e po anojnë djathtas. Kjo duhet të merret seriozisht, mendon Jens Thurau.

A ka më ndonjë efekt, kur dëgjon politikanët në Gjermani të thonë fjali si „Gjermania i ka punët më mirë se kurrë më parë”. Kur thonë, se kemi gati punësim të plotë? Që ka një gjeneratë pensionistësh, që ka pensionet që nuk i ka pasur asnjë gjeneratë përpara saj? Që të rinjtë kanë perspektiva, që asnjë gjeneratë më parë nuk i ka pasur? Jo, nuk ndihmon.

Kërkimi i orientimit

Sepse ky vend është bërë i pasigurtë, kërkon orientim, jo vetëm në skajet e shoqërisë, por edhe në mesin e saj. Një studim i Fondacionit Friedrich Ebert arriti në përfundimin se asnjëherë nuk ka qenë kaq i lartë refuzimi për azilkërkuesit si sot – rreth 54% kanë rezerva ndaj refugjatëve. E vetëm në pamje të parë të duket pak paradoksale që rritet pranueshmëria për të pastrehët. Sepse janë refugjatët ata, klasa tek të cilët derdhet një ndjenjë tjetër e thellë e të mosndjerit mirë: Më shumë se gjysma e të anketuarve mendon, se organizatat sekrete përcaktojnë vijat e politikës. Një e treta shikon tek politikanët marioneta. Nëse teoritë e konspiracionit marrin dimensione të tilla, atëherë vërtet që diçka ka shkuar keq.

Po e provojmë me një shpjegim: Treni vjen me vonesë, ose nuk vjen fare prej vitesh. Arsyeja, e shprehur apo jo: Nuk ka para. Në qytetet gjermane mungon ndjeshëm hapësira e banimit, dhe politika ngre supet. Duhet të ndërtohen më shumë apartamente. Por edhe këtu nuk ka para. Lista vazhdon: shkolla të vjetëruara, poste që mbahen të pazëna. Po, po sigurisht çdo gjë është ende e durueshme, e në shkallë ndërkombëtare ende jemi mirë. Por njerëzit kanë kujtesë të fortë: Ata kujtojnë, se para 10 vitesh gjatë krizës financiare papritur paska pasur miliarda brenda natës për të shpëtuar bankat.

Një vështrim përtej kujfive të mëson të njëjtën gjë: Fondacioni Bertelsmann ka bërë një sondazh për qëndrimet politike jo vetëm në Gjermani, por edhe në 12 vende europiane para zgjedhjeve europiane të majit. Rezultati: Grupimi më i madh politik, që është i bindur, se kë do të zgjedhin që tani është me afër 10% ai i populistëve dhe ekstremistëve të djathtë. Shumica di vetëm se kë nuk do të zgjedhë – vetëm një pakicë pranon, se në zgjedhjen mes disa partive do të vendosë për një nga partitë tradicionale.

Thënë shkurt: Politikanë, media, sindikata, kisha, shoqata ekonomike: Ato nuk po mbërrijnë dot më tek njerëzit, tek skajet jo që jo, por as tek mesi i shoqërisë.

Bëni detyrat e shtëpisë!

Po tani? Ajo që të jep shpresë, është se në të dyja sondazhet, njerëzit shprehen si edhe më parë me shumicë pro demokracisë dhe madje për një komunikim më të mirë me njëri-tjetrin në Europë. Por jo siç po zhvillohen gjërat tani. Për Gjermaninë kjo do të thotë: zbrisni në tokë. Bëni detyrat e shtëpisë, hapni veshët dhe mos premtoni gjëra që nuk bëhen, por njihni edhe kufijtë e mundësive tuaja.

Kjo nuk është e lehtë në kohët e individualizimit si masa e të gjitha gjërave, në kohë të përshpejtimit maksimal, si në aspektin privat ashtu edhe atë të vendit të punës. Shumë alternativa nuk ka: duhet ruajtur qetësia, kur populistë të djathtë buçitës mbushin kryetitujt. Duhen punuar fort për të rifituar njerëzit, edhe pse nuk je i sigurtë për suksesin – në komuna, në zyra. Në fund të fundit bëhet fjalë për përfaqësim, këtë e thotë edhe studimi i Fondacionit Bertelsmann. Kush ka për një kohë të gjatë ndjesinë, se nuk është i përfaqësuar fillon e mendon gjëra të papërtypshme. Por pa atë ujdinë e pashprehur, se të gjithë kanë pjesën e tyre në shoqëri, demokracia nuk ka shans. Diktatura po. Shoqëria liberale jo. Prandaj futuni në garë. Ende Europa nuk është e humbur!/DW

edi-palokaaaa.jpg
ad min20:03 | 12/04/2019

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, u shpreh i vendosur këtë të premte në emisionin “Mbrëmje ABC” të gazetares Mirela Milori përsa i përket zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit. Sipas tij, nuk do të ketë zgjedhje me kryeministrin Edi Rama.

I pyetur se nëse ky qëndrim i opozitës çon te përdorimi i forcës, Paloka u shpreh se në momentin kur në vend është eliminuar demokracia, çdo gjë është e ligjshme.

Edi Paloka: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 Qershor. Copë! Edi Rama nuk do të zhvillojë dot zgjedhje në 30 Qershor. Zgjedhje jo të lira dhe jo të ndershme nuk do të ketë më. Zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë dhe zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë.

Mirela Milori: Kjo të çon te forca zoti Paloka se gjuha e politikës nuk e përmban një solucion të tillë?

Edi Paloka: E përmban gjuha e demokracisë kur një vend, një qeveri, një regjim shkel Kushtetutën. Ne s’kemi Gjykatë Kushtetuese. Që nga kjo ditë ai që s’kemi Gjykatë Kushtetuese ai s’ka të drejtë të miratojë një ligj. Atëherë jemi në demokraci ne këtu? Atëherë kur ky ka eliminuar demokracinë në këtë vend, çdo gjë është legjitime. E keni dëgjuar atë debatin me ndërkombëtarët. Edhe publikisht. Edhe ndonjëherë me ato bisedat që ne bëjmë direkt me ata e thonë copë, ne në radhë të parë jemi të interesuar për stabilitetin. Demokracia del në dorë të dytë. Nuk mund të jetë kështu. Nuk është kështu në vendet demokratike.

Mirela Milori: Patjetër, por në Amerikë i ka lënë hapësirë Kushtetuta që nëse nuk iu pëlqen qeverisja të rrëmbejnë dhe armët. Ka një nen. Ndërsa këtu po flisni për forcë, këtë dua të qartësoj?

Edi Paloka: Flitet për në Amerikë.

Mirela Milori: Flitet në Amerikë, por aty nuk ka ndodhur deri më tani?

Edi Paloka: Ishalla aty nuk ndodh. Ishalla nuk ndodh as këtu.

Mirela Milori: Këtu është e jashtëligjshme po ndodhi. Nuk keni asnjë interpretim të mundshëm?

Edi Paloka: E jashtëligjshme dhe antikushtetuese është ajo që bën Rama çdo ditë./abcnews.al

47439319_303.jpg
ad min09:31 | 24/02/2019

Socialdemokratët europianë duan t’i japin zemër vetes për zgjedhjet në Parlamentin Europian në fund të majit. Me të drejtë, sepse sondazhet e tyre tregojnë tendencën në rënie kudo në Europë.

Bëjeni një provë vetë! Kujtoni emrin e një kreu të një qeverie socialdemokrate në Bashkimin Europian. Nuk iu bie ndërmend…me të drejtë, sepse nuk jeni i vetmi që duhet të mendoheni gjatë për këtë. Portugalia, Malta, Suedia, Sllovakia dhe Rumania qeverisen në BE nga socialdemokratët. Por në shtetet e mëdha të BE si Franca, Italia, Polonia nuk qeverisin socialdemokratët, edhe në Gjermani jo plotësisht (socialdemokratët janë në koalicion me konservatorët, shën.red.). Në Spanjë kryeministri Pedro Sanchez sapo shpalli zgjedhjet e parakohshme dhe nuk dihet, nëse ai do të fitojë zgjedhjet.

Qëllimisht socialdemokratët europianë zgjodhën të premten (22.02) kryeqytetin spanjoll, Madrid si vend për kongresin e tyre para zgjedhjeve europiane në fund të majit. Socialdemokratët që vuajnë në shumë vende nga vlera në rënie, donin të merrnin pak ndriçim nga drita që ende e rrethon Sanchez. Por edhe kjo dështoi, sepse vetë Sanchez po del në zgjedhje të reja.

Politologu dhe studiuesi i partive politike, Franz Walter në një intervistë me gazetën „Die Zeit” gati që para 10 vjetësh bëri parashikimin se Partia Socialdemokrate gjermane „nuk do të jetë më kurrë parti popullore”. Sepse elektorati i dikurshëm i punëtorëve, zgjedhësit kryesorë të saj është reduktuar. Ata që sot ndjehen të injoruar nga politika përqafojnë më mirë populistët, djathtas apo majtas. Kjo mund të vërehet në shumë vende europiane.

Sondazhe jo optimiste

Në Francë, Itali, Gjermani partitë tradicionale socialdemokrate kanë rënë ndjeshëm në elektorat. Me gjasë grupi parlamentare socialist në Parlamentin Europian pas zgjedhjeve të majit do të rrudhet ndjeshëm. Në vitin 2014 socialdemokratët arritën të kapnin 191 vende. Në këtë vit, sipas një prognoze të platformës së studimit të opinionit publik, „Poll of Polls” ata mund të arrijnë vetëm 136 vende. Partia laburiste britanike nuk do të jetë më pjesë e parlamentit të ri, bën që t’u hiqen atyre edhe 21 vende. Megjithatë, kreu i grupit parlamentarr socialist në PE, Udo Bullmann, dëshiron të mbetet forca e dytë politike. Pritet që liberalët dhe populistët euroskeptikë pritet të fitojnë shumë vende në Parlamentin e ri Europian. Forca kryesore mbeten konservatorët, fraksioni i të cilëve, nga 221 vende pritet të dobësohet nga 221 në vitin 2014, në 177 vende.

As kandidati kryesor i socialdemokratëve europianë për postin e kreut të KE, Frans Timmermans nuk e ka të lehtë. Forca politike që kishin socialdemokratët në Holandë është rrënuar. Socialdemokratët holandezë me gjasë do të dërgojnë vetëm 3 deputetë në PE. Timmermans, shpreson të jetë njëri prej tyre.

Nga ana tjetër brenda familjes socialdemokrate europiane ka tensione. Socialdemokratët sllovakë apo rumunë nuk janë më socialdemokratë të vërtetë, sipas mendimit të shumë drejtuesve socialdemokratë, por në shumë pika më konservatorë apo nacionalistë se CDU dhe CSU në Gjermani. Më problematike paraqitet situata në Rumani, ku Frans Timmermans, zëvendëspresident aktual i Komisionit Europian akuzoi socialdemokratët, se nuk bëjnë sa duhet kundër korrupsionit dhe ruajtjes së shtetit ligjor. Në Rumani ka zëra se kreu arrogant i socialdemokratëve rumunë planifikon të dalë nga grupi parlamentar i përbashkët në PE. Kjo do të ishte një goditje e re në fushatë zgjedhore për socialdemokratët, pasi rumunët socialdemokratë sjellin në parlament 11 vende./DW


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono