dekret

dervishaj-1280x720.jpg
ad min17:34 | 13/06/2019

Institucioni i Presidentit të Republikës e ka konsideruar debatin e zhvilluar në parlament si lumë fyerjesh, që nuk i shërbejnë zgjidhjes së krizës. Anulimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit deklaroi këshilltari ligjor i Presidentit Besnik Dervishaj është një akt i detyrueshëm për t’u zbatuar.  Çdekretimin e vendoreve sipas Dervishajt, mund ta vlerësojë vetëm Gjykata Kushtetuese.

Pas votimit të rezolutës në Kuvend ka reaguar sërish presidenti i Republikës. Përmes këshilltarit të tij ligjor Bledar Dervishaj, bëri të ditur se shfuqizimi i datës së zgjedhjeve është kryer konform kushtetutës dhe është i detyrueshëm për zbatim.

“Akti i Presidentit të Republikës, për shfuqizimin e Dekretit për caktimin e datës 30 qershor, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, në zbatim të parashikimeve kushtetuese; referuar praktikës kushtetuese; referuar marrëdhënieve juridiko-shoqërore që ai rregullon, si dhe referuar argumenteve kushtetuese mbi bazën e të cilëve është marrë, e bën Dekretin e Presidentit një akt me natyrë krejtësisht të veçantë, dhe si i tillë, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të shqyrtojë vlefshmërinë apo anti-kushtetutshmërinë e tij”, tha ai.

Presidenti ka nisur tashmë konsultimet me partitë politike dhe u bën të ditur qytetarëve se do caktojë së shpejti një datë të re zgjedhjesh.

“Presidenti i Republikës i siguron gjithashtu qytetarët e Shqipërisë se ata do të votojnë përtej 30 qershorit, në një datë sa më të afërt, në një situatë të qetë dhe në mënyrë të lirë e të ndershme. Pikërisht për caktimin edhe të kësaj date të re, Presidenti, prej ditës së djeshme ka nisur një proces të gjerë konsultimi me të gjitha forcat politike në vend. Presidenti do të shprehet me Dekret për caktimin e një date të re”, tha ai.

Këshilltari Dervishaj përsëriti qëndrimin e kreut të shtetit se shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk cënon interesat e qytetarëve e nuk prek shërbimet ndaj tyre sepse kryetarët e bashkive qëndrojnë në detyrë deri në ardhjen e pasardhësve.

gjykata-kushtetuese.jpg
nev ila22:06 | 10/06/2019

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese nuk ka ndikim në situatën e krijuar pas dekretit të presidentit të Republikës, Ilir Meta, për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit. Edhe në rast se ajo do të ishte funksionale, nuk do të kishte kompetencë për ta shqyrtuar dekretin e kreut të shtetit.

Kjo për faktin, se vetë kjo Gjykatë, në një rast të ngjashëm, atë të vendimit të presidentit Bujar Nishani për shtyrjen e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 nga 18 qershori në 25 qershor,  pas një ankimimi të bërë nga partia “Forca Rinia”, ka vendosur që kompetencën për ta shqyrtuar çështjen e ka gjykata Administrative.

Në rastin konkret, Kolegji konstaton se akti ndaj të cilit është ushtruar ankim, dekreti i Presidentit të Republikës, i cili është një akt administrativ individual, pasi ka për objekt vetëm caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për këtë arsye, Kolegji çmon se ky akt nuk hyn në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative dhe për këtë arsye, kërkuesi nuk legjitimohet t’i drejtohet kësaj Gjykate me objektin sipas kërkesës”.

Edhe për rastet e pretendimeve se dekreti i presidentit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve mund të bjerë ndesh me Kodin Zgjedhor, gjykata thotë çështja shqyrtohet në gjykatën administrative ose në Kolegjin Zgjedhor.

“Përputhja apo jo e dekretit të Presidentit të Republikës me dispozitat e Kodit Zgjedhor nuk është në juridiksionin e kësaj Gjykate, por në juridiksionin e gjykatave administrative apo, sipas rastit, të Kolegjit Zgjedhor dhe si e tillë nuk mund të shqyrtohet nga kjo Gjykatë”.

Me argumentet e mësipërm, Gjykata Kushtetuese vendosi që të mos e marrë në shqyrtim kërkesën për pezullimin e dekretit të presidentit për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, duke i dhënë përgjigje shteruese çështjes se kush janë institucionet gjyqësore që duhet të japin përgjigje për këto raste./ABC News Albania 24/7

ilir-meta123.jpg
ad min11:08 | 24/05/2019

Kreu i Shtetit Ilir Meta ka deklaruar se është i gatshëm të rishikojë dekretin presidencial që ka përcaktuar datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Përmes një reagimi Meta ka theksuar se për zgjidhjen e krizës është i gatshëm të sakrifikojë edhe mandatin e tij.

“Presidenti cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendit, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve”

Është kjo pika kushtetuese e referuar nga presidenti Meta si bazë ligjore e zgjidhjes që ai ofron nga karrigia e kreut të shtetit për krizën politike në vend.

“Në këtë kuadër, shpreh gadishmërinë time institucionale, që në përputhje me kompetencën që më jep shkronja “gj” e nenit 92 të Kushtetutës, të rishikoj Dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore dhe të dekretoj një datë tjetër për zhvillimin e tyre, në përputhje me vullnetin e shprehur të palëve politike”.

Për këtë përsërit deklaratën e pak muajve më parë.

“Mbetem i gatshëm që për një zgjidhje që i shërben interesit më të mire, stabilitetit dhe demokracisë së vendit; të vendos në dispozicion edhe mandatin tim si President i Republikës, nëse palët e gjykojnë edhe këtë element si të rëndësishëm për një zgjidhje gjithëpërfshirëse, që do t’u jepte qyetetarëve shqiptarë të drejtën për të zgjedhur edhe Presidentin me votën e tyre të lirë”.

Garantimi i rendit kushtetues, sigurisë publike, stabilitetit të vendit dhe i zgjedhjeve demokratike, të lira dhe të ndershme janë parime kushtetuese që mbizotërojnë mbi çdo aspekt tjetër formal, përfshirë këtu rishikimin e datës së zgjedhjeve. – deklaroi Meta duke i bërë thirrje palëve të ndalojnë retorikat si reflektim i sinqertë ndaj apelit të Parlamentit Gjerman, i shprehur i gatshëm për ndërmjetësimin e dialogut mes palëve.

/ABC News Albania 24/7

 

blendi-fevziu.jpg
ad min21:10 | 10/01/2019

Për Blendi Fevziun, me refuzimin e dekretimit të Genti Cakajt si Ministër i Punëve të Jashtme, Presidenti Ilir Meta mendon të vendosë një standard të ri. I ftuar në emisionin “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori, gazetari u shpreh se Meta synon që roli i Presidentit të mos jetë më vetëm konfirmues, por edhe aktor në kabinetin qeverisës së vendit.

“Shkollimi dhe karriera politike janë dy gjëra të ndryshme. Nuk dua t’i hyj Cakës si person, por Presidenti po vendos një standard. Presidenti mendon që këtë standard do ta vendosë tani e tutje. Po ndërton një standard sipas të cilit Presidenti nuk mund të jetë thjesht konfirmues, por edhe aktor në kabinetin qeverisës”, tha Fevziu.

Që prej ditës, kur Kryeministri Rama çoi për dekretim emrin e Genti Cakajt pati reagime të ndryshme duke qenë se është shqiptar i Kosovës. Por Fevziu u shpreh në ABC News se këtu nuk bëhet fjalë për të refuzuar një shqiptar të Kosovës, pasi ata veçse e nderojnë Shqipërinë.

“Këtu nuk bëhet fjalë për të refuzuar një kosovar, por një figurë politike për një rol në Shqipëri. Kam dëgjuar disa komente, që çdo ky shqiptar i Kosovës në qeveri. Çdo shqiptar i Kosovës e nderon Shqipërinë. Në mënyrë absolute çdo shqiptar i Kosovës nuk mund të ketë kufij. Mjafton të jetë shtetas i Shqipërisë. Kaq është kriteri. Unë nuk besoj që Presidenti dhe s’do ta besoj kurrë, që Presidenti e refuzon se është shqiptar i Kosovës”, u shpreh Fevziu.

Këtë të mërkurë, Presidenti Ilir Meta refuzoi dekretimin e Genti Cakajt. Sipas tij, Shqipëria është në momente vendimtare sa i takon politikës së jashtme, ndërsa Cakaj nuk ka përvojën e duhur politike dhe diplomatike./abcnews.al

vitore-tusha.jpg
ad min19:23 | 27/11/2018

Në komisionin e ekonomisë është shqyrtuar dekreti i presidentit për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në seancën dëgjimore kandidatja Vitore Tusha është shprehur për vazhdimësinë KLSH-së, si një institucion i pavarur, por nga ana tjetër ka parë të domosdoshme trajnimin dhe certifikimin e audituesve.

Vitore Tusha është propozuar nga Presidenti i Republikës në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Përpara deputetëve të komisionit të ekonomisë gjyqtarja e Gjykatës Kushtetuese shpreh përgjegjësinë që ndjen për këtë detyrë.

“Besimin që më ka dhënë Kuvendi i Shqipërisë duke më votuar disa herë në funksione të larta kushtetuese unë vahzdimisht e kam vlerësuar me përgjegjshmëri të lartë si një detyrim për të shërbyer në mbrojtje të të drejtave themelore të shtetasve. Mbi të njëjtat parime dhe shumë respekt ju drejtohem ju të nderuar deputetë të më jepni besimin e duke më votuar në rolin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit”, tha ajo.

Por edhe angazhimin për që Kontrolli i Lartë i Shtetit të jetë një institucion i pavarur.

“KLSH-ja duhet të avancojë në ambiciet profesionale për të arritur në një nivel të lartë pavarësie ekspertize kompetence dhe sjellje etike. Situata ende kërkon një profesionalizëm të auditëve pasi vetëm auditët të institucionit të lartë të KLSH të cilët presupozohen të kenë nivelin më të lartë të ekspertizës nuk janë të ceritifikuar”, tha Tusha.

Në fund të seancës dëgjimore, kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, ka thënë se ky Komision do të hartojë një raport, të cilin më pas do ta depozitojë në Kuvend. Vitore Tusha është kandiduar në këtë post pas përfundimit të mandatit aktual të kreut të KLSH-së, Bujar Leskaj. Mandati i kreut të KLSH-së është 7-vjeçar. Gara për zgjedhjen e kreut të KLSH-së nis me propozimin e Presidentit, në fund është Kuvendi që vendos me votë./abcnews.al

zguro.jpg
ad min14:54 | 20/11/2018

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon partive politike të dorëzojnë raportet për financimin e fushatave për zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Kryetari i këtij komisioni Klement Zguri tha se nëse partitë këtë detyrim e lënë për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot.

Caktimi i datës 30 Qershor 2019 nga Presidenti i Republikës si dita për zhvillimin e zgjedhjeve ka detyruar Komisonin Qendror të Zgjedhjeve t’i bëjë thirrje partive politike që të bëjnë transparencën e financimit të fushatave elektorale.

“Me dekretin e Presidentit lidhet edhe një detyrim i rëndësishëm i partive politike, detyrim i cili në të shkuarën shpesh është anashkaluar ose dhe neglizhuar, detyrimi për të bërë transparencën e plotë të financimit.  Raportet financiare depozitohen pas zgjedhjeve, por dokumentimi i finacimit bëhet sot. Sot mbahen llogaritë.  Sot plotësohen detyrimet ndaj ligjit”.

Nëse partitë duan të tregojnë se zgjedhjet vendore do të kenë standardet e kërkuara atëherë është koha të mos vonohen.

“Nëse partitë këtë detyrim e lenë për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot, nuk do ketë transparencë, do të ketë financim ilegal dhe, pse jo, përdorim të parave për qëllime të kundraligjshme. Ndaj unë dua t’i kujtoj sot publikisht për këtë detyrim të tyre”.

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i kujton partive politike pjesëmarrëse se sfida përballohet me sukses, kur të gjithë bëhen të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë çështje vetëm e institucioneve dhe nuk varen vetëm nga fati i reformës zgjedhore./abcnews.al

SINKRON-META-PER-DEKRETIN_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.32-1280x720.jpg
ad min20:52 | 16/11/2018

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar Sandër Lleshajn ministër të Brendshëm. Dekretimi është bërë në limitet e fundit të afatit kohor. Kjo ishte hera e dytë që emri i Sandër Lleshajt qëndronte në tavolinën e Metës për dekretim, pasi herën e parë e refuzoi.

Vetëm pak orë përpara përfundimit të afatit kushtetues 7-ditor për t’u shprehur për propozimin e kryeministrit Edi Rama, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka dekretuar për Ministër të Brendshëm, Sandër Lleshajn.

Kjo ishte hera e dytë që emri i Lleshajt qëndronte në tavolinën e Metës për dekretim, pasi herën e parë e refuzoi. Dekretimi u paralajmërua në mesditë, pasi Presidenti pranoi dorëheqjen e Gjeneral Sandër Lleshajt si ushtarak aktiv. Tashmë i preferuari i kryeministrit Rama do të jetë edhe zyrtarisht në krye të Ministrisë së Brendshme, pas votimit në Kuvend dhe betimit në Presidencë.

Statusi i ushtarakut aktiv të Lleshajt ishte edhe pengesa kushtetuese për mosdekretimin e emrit të tij si ministër nga Presidenti Ilir Meta. Vetë kreu i shtetit e pati konsideruar si problematikë themelore kushtetuese propozimin për Lleshajn për shkak të statusit të ushtarakut aktiv. Ndërsa pas ç’dekretimit si ushtarak aktiv e firmosi emërimin e dekretit si ministër i Brendshëm.Më herët propozimi i kryeministrit Edi Rama për të zevëndësuar në detyrë Fatmir Xhafajn e dorëhequr me Sandër Lleshajn, nuk e ka bindi kreun e shtetit,i cili nuk ka dhënë arsyet se perse nuk e dekretoi fillimisht kandidaturën e Lleshajt.

Rasti mos dekretimit nga Presidenti të një ministri nuk mungon. Një tjetër qeveri socialiste, ajo e drejtuar nga vetë Ilir Meta në vitin 2001 për shumë muaj ka qenë pa 3 ministra, pas dorëheqjes së Mustafa Muçit, Anastas Angjelit dhe Bashkim Finos dhe pas presioneve të Nanos si kryetar partie se Meta nuk do të arrinte dot që të kishte votat në parlament për të votëbesuar ministrat e rinj./abcnews.al

META-DITA-KUNDER-DHUNES-NDAJ-GAZETAREVE-3-1280x720.jpg
ad min09:27 | 06/11/2018

Presidenti i Republikës dekreton Helidon Bendon, si kryetar i Shërbimit Informativ Shtetëror. Vendimi Kreut të Shtetit, u bë i ditur mëngjesin e kësaj të marte, ndërsa propozimi i Kryeministrit për emrin e Bendos qëndronte prej fund tetorit 2017, në Institucionin e Presidencës.

Iu desh një vit Presidentit të Republikës të bindej për propozimin e kryeministrit për kreun e SHISH. Në 6 nëntor 2018 presidenti Ilir Meta vendos të dekretojë Helidon Bendon në detyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror.

Në 30 tetor 2017,  pas dorëheqjes së Visho Ajazi Likës që e mbajti detyrën e drejtorit të SHISH prejviti  2012, kryeminstri Edi Rama iu drejtua presidencës për të kërkuar firmosjen e propozimit të tij, Helidon Bendos që ishte zëvendës drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror.

Por kryetari i shtetit kërkoi kohë dhe këtë e sqaron 5 muaj më pas.

Mars 2018, Meta: “Mbetet shumë për të bërë nga SHISH, në raport me institucionet e tjera ka qenë më aktiv gjatë kohës së drejtimit të zotit Visho Ajazi Likës, por mbetet ende për të vlerësuar vendosmërinë për të forcuar më tej këtë institucion dhe për të garantuar pavarësinë e tij në të ardhmen”.

Një ndër arsyet që e mbajti në sirtar propozimin e kryeministrit ishte pikëpyetja se sa në gjendje do të ishte Helidon Bendo të luftonte trafikun e drogës.

Meta: “Ju duket pak droga?”

Idetë e tij u qartësuan këtë 6 tetor duke i dhënë të drejtën që të ushtrojë detyrën e drejtorit ndonëse Helidon Bendo ka 12 muaj që e bën nën petkun e zëvend drejtorit por me kompetencat e drejtuesit kryesor dhënë nga kryeministri Edi Rama.

Helidon Bendo ka eksperiencë 21-vjeçare në Shërbimin informative shtetëror  ku ka mbajtur detyra të ndryshme. Ai është trajnuar në fushën e sigurisë si brenda edhe jashtë vendit./abcnews.al

 

ilir-meta.jpeg
ad min13:40 | 11/10/2018

Presidenti Ilir Meta ka kthyer përsëri ligjin për Teatrin Kombëtar. Në argumentimin e tij kreu i shtetit sqaron se ligji ri për Teatrin nuk zgjidh problematikat kushtetuese dhe ligjore të cilat janë evidentuar në dekretin e parë të Presidentit të Republikës. Për kryetarin e grupit parlamentar socialist dekreti do të shqyrtohet me kujdes.

Presidenti i republikës, Ilir Meta, ka kthyer për herë të dytë tek ligjvënësi ligjin për procedurën e veçantë për negocimin dhe lidhjen e kontratës për realizimin e projektit urban dhe godinës së Teatrit Kombëtar. Arsye e refuzimit të miratimit të këtij ligji është dështimi që ndryshimet e miratuara në të njëjtën seancë kur u pranua edhe kthimi për herë të parë i ligjit për Teatrin, sërisht nuk kanë arritur të zgjidhin në thelb çështjet dhe problematikat kushtetuese dhe ligjore të evidentuara në dekretin e parë, të miratuar nga ligjvënësi më 20 shtator.

Kuvendi, thekson kreu i shtetit, edhe pse është përpjekur të plotësojë vetëm një prej konstatimeve kushtetuese, atë të trajtimit preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërisht nuk ka arritur ta zgjidhë as këtë cështje përmes ndryshimeve të miratuara.

“Në këtë mënyrë edhe kjo normë e re ligjore me kriteret e vendosura dhe me paqartësinë e saj, nuk e ka zgjidhur problemin kushtetues që ekzistonte në lidhje me këtë çështje, pasi sërish nëpërmjet kritereve të tilla vlerësuese të vendosura në ligj, kufizohet pjesëmarrja në konkurim, duke bërë të mundur kështu që në praktikë të ekzistojë trajtimi preferencial dhe i favorizuar i një ose disa subjekteve të caktuar, gjë e cila sjell si rezultat paracaktimin e fituesit në këtë proces”.

Ndaj për shkak të problemeve kushtetuese të diskriminimit, të dukshme në dispozitat e këtij ligji, Presidenti konstaton se ligji në tërësi paraqet të njëjtat probleme, për këtë arsye i rikthehet Kuvendit për rishikim.

Dokumenti i kryetarit të shtetit është në duart e deputetëve. Kryetari i grupit parlamentar socialist e siguroi presidentin se do ta shqyrtojnë me kujdes./abcnews.al

Presidenti_Ilir_META-1280x854.jpg
ad min13:49 | 10/10/2018

Forcave tona të armatosura i shtohet një tjetër Gjeneral Major. Ai është ushtaraku 53-vjecar Nazmi Cahani. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, firmosi dekretin për dhënie grade madhore për Cahanin që kishte gradën Gjeneral Brigade.

Nazmi Cahani mban detyrën e Komandantit të Komandës së Forcës Tokësore. Sipas njoftimit të presidencës, dekreti për dhënie grade “Gjeneral Major” për Nazmi Cahani, hyn në fuqi menjëherë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono