deklarat

vlcsnap-2018-09-18-19h11m38s726-1280x819.png
G. P.09:20 | 19/09/2018

Rrëzimi i avionit rus në Siri ka futur në sherr Parisin me Moskën. Kremlini ka konsideruar përgjegjëse një frigatë franceze për incidentin, ndërkohë që diplomacia franceze ka reaguar duke deklaruar se makineria ruse e lajmeve të rreme ka dalë nga kontrolli.

Franca ka akuzuar të martën Rusinë se ka përhapur lajme të rreme, pasi Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se një frigatë franceze në Mesdhe kishte qëlluar raketa ndaj Sirisë. Ministria deklaroi fillimisht se një avion rus ishte rrëzuar nga avionët izraelitë dhe se sistemi rus i kontrollit kishte zbuluar raketa të qëlluara nga frigata franceze “Auvernje”.

Por më vonë i njëjti dikaster bëri me dije se avioni ishte qëlluar nga sistemet siriane anti-raketë, si pasojë e një sërë rrethanave që presidenti Putin i cilësoi të rastësishme dhe tragjike. “Makineria ruse e lajmeve të rreme ka dalë nga kontrolli, duke akuzuar Francën se ka qëlluar një avion luftarak rus, që në të vërtetë ishte qëlluar nga zjarri aleat i Sirisë”, ka deklaruar ambasadori francez në Uashington, Zherard Araud.

Ndërkohë, një zëdhënës i ushtrisë franceze ka mohuar që Franca të jetë përfshirë në incident dhe që të ketë qëlluar raketa drejt Sirisë. Sidoqoftë, mediat ruse kanë vijuar me lajmet që ia atribuonin përgjegjësinë e incidentit palës franceze. Një ekspert ushtarak ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Tass” se Parisi zyrtar është pjesërisht fajtor për shkak se kishte qëlluar raketat që sipas tij ndërlikuan rrethanat që çuan në rrëzimin e avionit. Ndërkohë, Presidenca, Ministria e Jashtme dhe ajo e Mbrojtjes në Paris nuk i janë përgjigjur ende akuzave të Moskës./abcnews.al

VOKSHI.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
G. P.14:35 | 23/08/2018

Partia Demokratike ka reaguar pas njoftimit të Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit lidhur me zjarrin e rënë në çerdhet e Tiranës në ditët e fundit. Sipas kryetares së Komisionit të Edukimit Albana Vokshi, shërbimi i zjarrëfikseve, ashtu si drejtoresha e çerdhes po ndihmojnë kryebashkiakun në fshehjen e së vërtetës dhe largimit të përgjegjësisë nga pushteti vendor.

Mungesa e reagimit zyrtar të kreut të bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj për shërthimin e bombolës së gazit në çerdhen 14 dhe zjarrin në çerdhen 16 në Tiranë, ka nxjerrë sërisht në deklaratë Partinë Demokratike.

Jo vetëm nuk ka asnjë reagim zyrtar nga Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, por ai po bën gjithçka për të manipuluar opinionin publik”.

Për këtë përdor institucionin në varësi të tij, thekson selia blu, të cilët njoftuan se shpërthimi në çerdhen 16, sipas ekspertizës ishte i qëllimshëm, duke konfirmuar versionin e dhënë që ditën e parë nga drejtoresha e çerdheve në bashki.

Drejtoresha e çerdhes: “Ka një disinformim për një ngjarje që ka ndodhur ngjitur me godinën e çerdhes, e theksoj ngjitur me godinën dhe jo në godinën e çerdhes. Për sa i përket sigurisë së elementëve të shërbimit dhe në rastin konkret, bombulat e gazit janë me çerifikatë sigurie. janë të kolauduara dhe nuk ka patur shpërthim bombule, as flakë në godinë”

Vokshi: “Nëse e vërteta do të ishte kjo që po tenton të na imponojë Erion Veliaj, atëherë i gjithë shteti duhet të ishte në këmbë, sepse do të ishim përpara akteve të mirëfillta terroriste.
Në të dyja rastet, si drejtoresha e çerdheve, si zjarrfikësit, po manipulojnë të vërtetën, duke konsumuar disa vepra penale, për të fshehur përgjegjësinë e Erion Veliajt, njësoj siç u veprua edhe me fshehjen e vrasjes së 16 vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës 2 vjet më parë”.  

Është heshtja e kryebashkiakut për demokratët prova më e qartë e përgjegjësisë së tij ligjore për sigurinë e cënuar të dhjetëra vogëlushëve të cilët Veliaj, thekson vokshi, i përdor vetëm si fasadë dhe kapital politik./abcnews.al

vlcsnap-error660-1-1280x720.jpg
G. P.21:37 | 28/02/2018

Opinione të ndryshme nga trajnerët pas ndeshjes mes Kukësit e Skënderbeut. Peter Pakult dhe Ilir Daja, nuk menduan njëlloj as për faktin që takimi u luajt nën reshjet e dëborës.

Një ndeshje për të cilën mund të komentosh shumë.
E tillë ishte ajo mes Kukësit dhe Skënderbeut, dhe të ndryshme ishin deklaratat e të dyja palëve pas saj.
Trajneri i vendasve, Peter Pakult, pati vetëm një vërejtje për futbollistët e tij, ndërsa sidoqoftë, vlerësoi lart kundërshtarin.

Peter Pakult: “Normalisht, që jemi të mërzitur që na iku fitorja nga dora, por nuk duhet të harrojmë se kishim një ndeshje ndaj Skënderbeut që kryeson. Ndodhi kjo që ndodhi me rezultatin 2-2, por jeta vazhdon. Natyrisht, nuk është mirë që nuk mban dot një avantazh 2-0, dhe ne duhej ta kishim bërë këtë, pavarësisht sesa i fortë është Skënderbeu. Nuk e menaxhuam mirë ndeshjen në pjesën e dytë, por mendoj se i meritonim tri pikët”.

Më shumë i kënaqur sesa jo, kolegu i austriakut, Ilir Daja.
Strategu i Skënderbeut tregon se përse ekipi i tij arriti të shmangte humbjen, kur dukej e pamundur.

Ilir Daja: “Ishte një pikë e marrë nga mentaliteti i fituesit, atë të cilën e posedon ekipi. Sepse nga një disavantazh dy me zero, në një terren që rëndohej nga moment në moment, treguam forcë karakteri”.

A do të kishte qenë më mirë të mos luhej në këto kushte?
Në pushim u diskutua që të shtyhej?

Peter Pakult: “Mendoj se një ndeshje që fillon duhet të mbarojë po atë ditë që luhet. Ishte e vështirë, por u bë mirë që u luajt dhe që nuk u shty”.

Ilir Daja: “Besoj për të dyja ekipet do të ishte më e volitshme, do ishte më e mirë për një futboll më spektakolar, jo vetëm për ne, por edhe për Kukësin”./abcnews.al

vlcsnap-error016-1280x720.jpg
G. P.20:39 | 12/01/2018

Reagime të shumta kanë pasuar lidhur me komentet fyese të presidentit amerikan, Donald Trump për disa vende të Afrikës. Kombet e Bashkuara theksojnë se nëse vërtetohen se fjalët raciste janë thënë nga Trump do të ishte e turpshme për Uashingtonin.

Reagime të shumta kanë ardhur pas zemërimit që shkaktoi gjuha e përdorur nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të përshkruar disa vende të huaja në një takim në Zyrën Ovale. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka dënuar ashpër komentet e Kreut të Shtëpisë së Bardhë. Nëse konfirmohet se vërtet Trump i ka thënë ato fjalë, kjo do të ishte e turpshme dhe shokuese u shpreh zëdhënësi i zyrës për të drejtat e njeriut Rupert Colville. Ai thekson se deklarata të tilla mund të rrezikojnë jetën e njerëzve pasi do të ushqenin ksenofobinë.

Sipas mediave amerikane, Trump është shprehur se SHBA nuk duhet të pranojë në territorin e saj njerëz që vijnë nga vende fundërrina, duke iu referuar disa vendeve të Afrikës. Ndërkohë, mësohet se ambasadori amerikan në Panama është dorëhequr, duke shpjeguar se nuk mund të punojë më për administratën Trump. Kjo dorëheqje, sipas mediave amerikane, lidhet me komentet e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Senatori democrat, Dik Darbin, i cili ishte i pranishëm në takim, tha se Trump përdori një gjuhë raciste. Kurse Kryetari republikan i Kongresit, Pol Rajan, tha se komentet e liderit amerikan ishin “fatkeqe” dhe “të padobishme”. Shoqata Kombëtare për Avancimin e Personave me Ngjyrë në SHBA ka akuzuar presidentin se ka rënë në nivelin e racizmit dhe ksenofobisë. Mia Love, kongremenja republikane, e vetme me origjinë haito-amerikane, ka bërë thirrje që Trump të kërkojë falje publike për komentet. Por Stiv King, një kongresmen republikan nga Ajova, ka mbështetur qëndrimin e liderit amerikan.

Ndërkaq, disa vende të Afrikës kanë thirrur për këshillim të dërguarin diplomatik të Shteteve të Bashkuara. Unioni Afrikan në një deklaratë nënvizon se janë shumë të alarmuar. Ngjarja është komentuar gjithashtu edhe nga ish-lideri amerikan, Barak Obama. Në një intervistë televizive, ai theksoi se “presidentët duhet të kenë më shumë kujdes në sjelljen e tyre”./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono