Dashamir Shehi

aleatet-1280x652.jpg
G. P.16:58 | 17/09/2019

Aleatët e Partisë Demokratike besojnë se platforma për daljen nga kriza do të jetë zgjidhje për krizën politike. Për ABC Neës, aleatët e PD sqarojnë propozimet që do ketë alternativa opozitare dhe thirrja për kontributet historike.

Darka informale e organizuar nga kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, unifikoi qëndrimet opozitare të cilat do të pasqyrohen të plota në një dokument që do të mbajë emrin “Platforma për daljen nga kriza”. Për ABC News, aleatët e PD, Mediu, Shehi dhe Vasili sqarojnë thelbin e alternativës opozitare.

“Koordinimi konsiston në një lloj institucionalizimi të marrëdhënieve tona në pikëpamjet e vendimmarrjeve si kryetar partie, por pastaj në nivele të tjera të organizimit të grupeve të punës, platformave, reformave të rëndësishme me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Mundësitë për të ndërtuar një debat të qënësishëm për të kthyer Shqipërinë në rrugë kushtetuese, sidomos garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Mediu.

“Teza bazë është kjo, përgatitja e një platforme të gjerë që do u ofrohet për transparencë të gjithë shqiptarëve. Brenda këtij muaji do i ofrohet dhe ndërkombëtarëve për t’u thënë që ne si opozita e bashkuar ka këto pretendime dhe ofrojmë këto mënyra zgjidhjeje”, tha Shehi.

“Ne po përgatisim një platformë, e cila nuk ka lidhje me datën e negociatave pasi ne e kemi shumë të qartë krizën. Keni edhe një skaner plotësues që e ka bërë më së miri ODIHR, por keni edhe shumë konstatime që kanë ardhur edhe nga institucionet e mediat, keni raportin e DASH. Kjo është një platformë që po punohet instensivisht dhe do të jetë shumë shpejt gati, ndërkohë aksioni do të vijojë në të gjitha format e veta”, tha Vasili.

Duke bërë të qartë se opozita është e unifikuar, nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i referohet qëndrimeve të Kryemadhit kur thotë se me Ramën në zgjedhje fitorja e opozitës është më e sigurt.

“Zonja Kryemadhi ka thënë edhe një fjalë tjetër që prania e Edi Ramës e bën më të sigurt fitoren e opozitës. Pra ka dhënë të kuptojë që ne nuk kemi shqetësim nga kjo, por standarde të larta dhe administrim zgjedhor nuk mund të kryhet me Edi Ramën. Për 30 Qershorin kur votoi vetë, numëroi vetë, administroi vetë dhe mori atë raport të OSBE/ODIHR që nuk është parë në historinë e zgjedhjeve tregon raportin e Ramës me zgjedhjet dhe raporti i opozitës me të”, tha Vasili.

Opozita do të mbledhë të gjithë kontributet e saj, duke sjellë një tjetër KOP si ai i 2005-s që krijoi ish-kryeministri Berisha.

“Që të vlerësojmë historinë politike të opozitës së sotme dhe të ardhme dhe krijimin e një marrëdhënie institucionale me të gjitha autoritetet që kanë qenë në legjislaturat parlamentare, në ato qeverisëse por edhe ato në nivelet lokale”, tha Mediu.

“Për të përfshirë të gjithë ata që kanë qenë kontribuues gjatë gjithë kësaj periudhe, jo thjesht PD, por në gjithë harkun opozitar shqiptar”, tha Shehi.

Platforma e opozitës do të jetë alternative për nxjerrjen e vendit nga kriza përmes një tryeze dialogu me mazhorancën./ABC News Albania 24/7

shehi-1280x628.jpg
Sej rie20:00 | 16/07/2019

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi në një intervistë për ABC News është shprehur  se aksioni i opozitës do të vijojë.

“Këto që ju i quani zgjedhje nuk qenë zgjedhje por qenë votime. Ajo që doli si rezultat është se 15 ose 16 % e atyre që shkuan të votojnë është një shifër e parëndësishme të paktën brenda sistemit politik shqiptar. Në një farë mënyre ne nuk i lejuam sepse sa shqiptarë morën pjesë? Shumë pak. Dhe praktikisht nuk i kemi lejuar dhe nëse dikush ka menduar se do t’i ndalonim me pushtë nuk e kemi thënë dhe nuk kemi ndër mënd ta bëjmë. Ky aksion do të vazhdojë. Rruga është e gjatë dhe malore por edhe në fund të tunelit ne shikojmë dritë”.

Por çfarë do të ndryshojë nga Shtatori e tutje?

 “Nuk e di dhe sot në mbledhjen e fundit nuk është se kemi pasur një kalendar afatshkurtër. Por sigurisht që protesta vazhdon dhe mbetet arma kryesore e opozitës, e cila sigurisht do të jetë e shoqëruar me një propozim politik. Propozim për ta ndryshuar të gjithë fytyrën e shteti shqiptar. Nga pjesa kushtetuese në një ligj të ri zgjedhor. Ndryshim të sistemi politik nëpërmjet një ligji të ri zgjedhor dhe do ta bëjë protagonist popullin në zgjedhje. Do të ndërtojmë një platformë të madhe politike e cila ia merr pushtetin shtetarëve të sotëm edhe ia rikthen qytetarëve nëpërmjet një sistemimi me mandate të kufizuar… Nga Shtatori e pas ne do të ngremë një dallgë të madhe në të gjitha drejtimet duke filluar nga protesta e rrugës derisa ta shporrim këtë lloj regjimi”./abcnews.al

DASHAMIR-SHEHI-SINKRON-abcm4t1.mpg_snapshot_00.11-1280x720.jpg
ent ela14:10 | 24/06/2019

Shtrëngojnë duart e njërit-tjetrit se ato të kundërshtarit të përbashkët politik i janë larguar më shumë me afrimin e 30 Qershorit.

Për afro 1 orë e 30 minuta, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha diskutoi me kryetarët e Partive Aleate aksion opozitar në këto pak ditë që kanë mbetur nga zgjedhjet vendore.

Me hir apo me pahir votime në 30 Qershor nuk do të ketë. Mesazhin kryeministrit Edi Rama ia transmeton në emër të opozitës së bashkuar Dashamir Shehi.

Ne do shkojmë të përballemi në çdo cep të Shqipërisë me këtë juntën e re politike, quheni si të doni. Ne këto zgjedhje nuk do i njohim. Në 30 Qershor nuk do ketë votime, kemi shumicën e shqiptarëve me vete. Jemi të qetë që po bëjmë gjënë më të mirë për Shqipërinë që po kalon një fazë të paprecedentë”, tha ai.

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim kombëtar nuk është i surprizuar nga vendimi i kolegjit zgjedhor që u vu në radhë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kundër dekretit të presidentit për anulimin e 30 qershorit.

Kolegji Zgjedhor mori sot një vendim me një pati fantazmë. Kolegji në vetvete është një lloj fantazme, nuk ka më asnjë vlerë juridike dhe politike. Kolegjit i ka ra rasti me marr ca vendime të vështira, për veten e vet jo për ne, se ne nuk i njohim ato vendime”, tha ai.

Protesta është kryefjala e opozitës, paqësore apo e dhunshme merr një përgjigje të thjeshtë nga Dashamir Shehi.

“Rrezikshmëria e këtij presioni dhe këtij grupi është kaq e madhe saqë justifikon çdo lloj formë rezistence”, tha ai.

Opozita ka nisur përgatitjet edhe për të refuzuar publikimin e listave të zgjedhësve dhe hapjen e qendrave të votimit në bashkitë që drejtohen prej tyre./ABC News Albania 24/7

dashamir-shehi.jpg
G. P.23:15 | 12/06/2019

Presidenti i Republikës ka nisur konsultimet me partitë politike për përcaktimin e datës së re të zgjedhjeve vendore. Të parët në zyrën e kreut të shtetit ishin partitë e grupimit të djathtë, të parat që kishin kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Pas takimit Dashamir Shehi tha se nuk është folur për një datë konkrete.

Janë të njëjtët që i kërkuan shtyrjen e zgjedhjeve.

Tani presidenti i ka thirrur të konsultohet me ta për datën e re të zgjedhjeve vendore.  Partia Republikane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Demokristiane, Partia Basshkimi i të Drejtave të Njeriut dhe Partia Agrare Ambientaliste iu drejtuan zyrës së kreut të shtetit në orën 19 të pasdites së të mërkurës.

Pas afro 40 minutash dolën të buzëqeshur si në takimin e 30 prillit. Këtë të mërkurë i thanë së pari faleminderit kreut të shtetit. Mazhoranca këmbëngul në mbajtjen e zgjedhjeve më 30 Qershor, ndërsa një javë më parë kreu i republikanëve kishte kërkuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve me 6 muaj. Për Dashamir Shehin është ende herët për t’u përcaktuar data.

Opozitarët jashtë parlamentit presin një reagim pozitiv edhe nga mazhoranca. Në të kundërt e pashmangshmja mund të ndodhë sipas tyre.

Pas Grupimit të Qendrës së Djathtë, presidenti Ilir Meta ka pritur edhe kreun e Demokracisë Sociale Paskal Milo. I kontaktuar nga ABC News, Milo tha se ka ndarë me presidentin shqetësimin për krizën politike ku ndodhet vendi e se zgjedhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse.

Partia Demokracia Sociale bëhet aleati i parë i Socialistëve, i regjistruar për zgjedhjet e 30 Qershorit që shprehet i hapur për shtyrjen e datës së zgjedhjeve. Presidenti Meta  do të zhvillojë konsultime për një datë të re zgjedhjesh edhe me PD e LSI, ndërkohë që PS vazhon të përsërisë se zgjedhjet vendore do të zhvillohen në 30 Qershor./ABC News Albania 24/7

mediu.jpg
G. P.15:35 | 22/05/2019

Krerët e pesë partive opozitare aleate të Lulzim Bashës gjatë takimit me mbështetësit në qytetin e Lezhës, pasi i ftuan të jenë pjesëmarrës në protestën e 25 Majit, theksuan arsyet përse kryeministri Rama nuk mund të jetë në krye të qeverisë që do të zhvillojë zgjedhje brenda standardeve demokratike.

Grupimi i Qendrës së Djathtë, pesë aleatët e demokratëve në opozitë, tezat e tyre i artikuluan në Lezhë.

“Ky po i përcakton kundërshtarët vetëm, po regjistron vetë jashtë çdo rregulli, po i voto dhe thotë “Kështu bëhet se kështu dua unë””, tha Duka.

Qeveria kalimtare është rruga e vetme për mos zvarritjen e kësaj krize, sipas tyre, përballë të cilës qëndron alternative opozitare.

“Lulzim Basha si lider i opozitës sot ka një përgjegjësi shumë të madhe. Përveç aksionit opozitar, përveç kauzës për largimin e kryeministrit do japim dhe alternativa bindëse për qytetarët dhe ai tashmë ka filluar ta bëjë një gjë të tillë, të gjithë e shohim”, tha Ndoka.

Precedent për largimin e kryeministrit përpara zgjedhjeve ekziston, kujton Mediu, madje shumë pranë nesh.

“Kemi një precedent rajonal, siç është precedenti i Maqedonisë së Veriut ku u ra dakord për qeverisje tranzitore ku Gruevski nuk ishte kryeministër dhe për të përgatitur zgjedhjet”, tha Mediu.

Arsyeja për këtë është më e qarta për shqiptarët, sipas kreut të LZHK-së.

“Ky ka filluar i ka marrë të gjitha. Ky ka vënë ato emrat e lezetshëm, jo tepsia, jo timoni që të qeshin pak njerëzit, mirëpo ky në fakt u ka futur dorën në xhep njerëzve. Domethënë merr paratë e shtetit publik. Ky ka marrë drejtësinë, ky ka marrë ekonominë, edhe Akademinë e Shkencave. Se për çfarë i duhet Akademia e Shkencave, ka ndonjë peshë për ekonominë? Në këto rrethana bëhen zgjedhjet? Nuk bëhen dot. Ky merr para, media, çfarë zgjedhjesh të bëjmë”, tha Shehi.

Ndaj pjesëmarrja në protestën e së shtunës duhet të jetë tregues i refuzimit të kësaj farse sipas aleatëve të demokratëve.

“Të shtunën ta shumëfishojmë praninë tonë në protestën e madhe të opozitës së bashkuar”, tha Dule./ABC News Albania 24/7

presidencaaa.jpg
G. P.12:20 | 30/04/2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim me partitë e vogla të opozitës këtë të martë në lidhje me krizën politike. Kreu i republikanëve Fatmir Mediu, ai i LZHK-së, Dashamir Shehi, kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka, ai i demokristianëve Nard Ndoka dhe kryetari i Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule mbërritën në Presidencë në orën 11:00.

Në përfundim të takimit mes Presidentin Ilir Meta dhe partive të vogla opozitare, kreu i republikanëve Fatmir Mediu theksoi se situata aktuale politike është shumë problematike dhe duhet të përpiqemi që të ndalojmë që vendi të shkojë në një konflikt që nuk i shërben qytetarëve.

Ai nënvizoi se Presidenti vlerësoi kërkesën e partive të vogla dhe do të fillojë veprimet për diskutime me palët e tjera politike.

“Presidenti i Republikës ka bërë gjithçka që mundet ai në autoritetin e tij që reforma në drejtësi të jetë në përputhje me garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe interesave të një pushteti gjyqësor që i shërben interesave të qytetarëve. Presidenti ka ndërmarrë iniciativa edhe me mazhorancën edhe me opozitën dhe do vazhdojmë në këtë rrugë që zgjedhjet të jenë sa më zgjedhjet të jenë sa më përfshirëse sa më pluraliste dhe jo të devijojnë nga akset kushtetuese siç kemi shqetësimin edhe ne. Presidenti i Republikës vlerësoi kërkesën e partive tona. Në vlerësim të kërkesës sonë dhe qëndrimeve tona do të ndërmarrë veprimet e veta dhe në diskutim me partitë e tjera politike. Ka nevojë me diskutim për të gjitha palët për këto çështje”, tha Mediu.

Takimi me presidentin është kërkuar nga ky grupim i qendrës së djathtë, me qëllimin që t’i kërkohet kreut të shtetit ndërmjetësimi i një tryeze politike gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e krizës.

Ndërkohë me anë të një reagimi nga zyra e shtypit, Presidenti  theksoi se do vazhdojë kontributin e tij për zgjidhjen e krizës.

“Presidenti Meta nxit dialogun dhe zërat e arsyeshëm, për dekurajimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të krizës. Kreu i Shtetit do të vazhdojë kontributin e tij, me të gjitha format e mundësitë për të kërkuar reflektimin e të gjithëve, me qëllim garantimin, jo vetëm të bashkëjetesës demokratike, por edhe ecurinë e suksesshme dhe të besueshme të reformave të lidhura me integrimin evropian”, thuhej në komunikatën për shtyp.

Opozita ka nisur aksionin antiqeveritar përmes protestave dhe djegies së mandateve të deputetëve që prej 16 Shkurtit. Opozita joparlamentare i humbi mundësitë ligjore për të marrë pjesë ne zgjedhjet vendore të 30 Qershorit, pasi ka përfunduar tashmë afati i regjistrimit në KQZ për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

Edhe për këtë çështje, Presidenti Meta shpreh shqetësimin e tij.

“Kreu i Shtetit shprehu shqetësimin se mosregjistrimi i të gjitha partive opozitare të legjislaturës së fundit parlamentare rrezikon jo vetëm standardet e zgjedhjeve, por edhe pluralizmin politik në vend”.

Opozita kërkon shtyrjen e zgjedhjeve dhe krijimin e një qeverie tranzitore që do të garantonte zgjedhjet, sipas saj të lira dhe larg mundësive për shitblerje të votës./abcnews.al

dashamir-shehi-1280x757.jpg
Sej rie20:15 | 29/04/2019

U nënshkrua sot platforma për marrëveshje kushtetuese e pesë partive aleate të demokratëve në opozitë. I ftuar në studion e “Mbrëmje Ide”, Dashamir Shehi ka folur për platformën e grupit të qendrës së djathtë dhe 12 pikat që ajo përmban.

Mirela Milori: Çfarë synon në mënyrë të përmbledhur platforma juaj, të ulë palët në tryezën e bisedimeve apo të hapi rrugë të reja për zgjedhjen e ngërçit?

Dashamir Shehi: “Dy gjëra dhe janë dy elementë të rëndësishëm përtej 12 pikave. E para është që të ezaurojë deri në fund gjithë hapësirën e mundshme të negociuehsme në bazë të kushteve që kemi vënë. Për largimin e Ramës që e firmosëm bashkë me PD-në, por t’i ezaurojë dhe mendojnë se ka ende hapësirë për negociata, për Presidenti, për ndërkombëtarët. Kjo është e para, më imediatja dhe më pragmatistja.  

E dyta është që të lëmë një dokumente, një shpresë dhe  një linjë më ndryshe edhe për kohët që vijnë sepse këtu nuk do mbyllet politika. Ne kemi dalë nga Parlamenti ne kemi dalë nga zgjedhjet dhe prepuzohet se nëse nuk gjente një rrugë atëherë opozita do të rifillojë rrugën e vet malorë. Do ta shikojmë se sa do të zgjasin kjo punë një muaj një vit dhe kur mund të bëhen zgjedhjet. Dhe zgjedhjet nuk mund të bëhen nesër ose pasnesër sikundër pretendojnë disa. Zgjedhjet duhen bëra pas 6-7 muajve ose nga fundi i vitit. Nëse ata bëhen në të njëjtin kontekst politik, me të njëjtat personazhe dhe me të njëjtat ligje nuk do të kishin më vlerë. Këto janë dy gjëra që do të thotë të mbarojmë fazën e mundësive të negociueshme për të hapur pastaj fazën e re”.

Mirela Milori: Mendoni se do të pranohen nga të dyja palët këto?

Dashamir Shehi: “Tani ofrojmë një dokument dhe ofrojmë vullnetin tonë. Mendoj se në shumicën e këtyre pikave jemi dakord edhe me PD-në. Po ta shikosh atë që kemi nënshkruan edhe me PD-në nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Diferenca është në dy tre pika në të cilat PD ka qenë më sensitive. Siç është ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Nuk ka qenë e përqendruan shumë në kufizimin e mandateve PD”./abcnews.al

Rama-kuvendi-zgjedhjet.jpg
nev ila17:30 | 25/04/2019

Lutjet ja kanë refuzuar, e sot s’ka ç’ti të bëj më shumë opozitës që ka zgjedhur protestat në rrugë.

Kush e ka ngrënë siç e kemi ngrënë ne në këtë sallë baltën, bojën, vezët? Faji ynë është që pasi i konsumuan të gjitha mjetet, përfshirë edhe flakadanët, vendosën të ikin nga parlameni? Kanë dalë në rrugë se nuk vijnë dot në zgjedhje, se po të vijnë në zgjedhje dalin ashtu si hyjnë

Angazhimin e tij pro kundërshtarëve politikë e radhiti me çka i dha në zgjedhjet e shkuara, me orët e fjalimeve nga foltorja e parlamentit që ia kanë kaluar edhe atij që është kryeministër. Madje i kujtoi kryetarit të Partisë Demokratike se kundër kujt bënë fushatë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.

Një problem kishim, si ti ruajmë votat se do na i blejë fallxhorja, a ju kujtohet e gjithë fushatat e 2017, për të cilën sot akuzohemi ne, ishte fushata e Lulzimit për të shpëtuar viktimat e Partisë Demokratike”

Këshilla që jep për partinë e dytë opozitare i bën të qeshë deputetët e majtë e të djathtë.

“Bëni provë të rri LSI ja 1 turn pushim dhe mos hyj në zgjedhje, nuk ka blerje votash, nuk ka shitje votash. Një copë SHQUP-i rri në garë, një copë SHQUP-i e kemi në rrugë. Ndryshimi i vetëm është që kjo copa e SHQUP-it që është këtu  nuk e do Monikën, ndërsa atë copën tjetër, e ka marrë Monika, e ka fut në filxhan dhe e rrotullon, për ti nxjerrë në fund atë pjesën ku, L-ja ngrihet lart dhe E-ja bie poshtë

Sot thotë se i vetmi hap që do të hedhë janë zgjedhjet e 30 qershorit. Kush i pengon i pret burgu.

“Pengimi i subjekteve zgjedhore sipas ligjit të votuar në parlament, ku shumicë ishte Sali Ramë Berisha dhe në pakicë ishte Edvin Kristaq Rama, dënohet nga 1 deri në 5 vjet burg”.

Nuk do të jenë të vetëm gjithsesi. Do të kenë koalicione me aleatë por edhe kundërshtarë thotë kryeministri midis të cilëve radhit edhe Partinë më të re të krijuar nga Astrit Patozi.

“Ndryshimi mes Astrit Patozit dhe Lulzim Bashës është se Luli bashkë me Saliun merrnin pjesë në aferat e mëdha të qeverisë, Astriti vinte këtu dhe i bënte avokatin me duar në xhepa pa qenë asnjëherë në pushtet. Astrit Patozin e ka futur Saliu në zgjedhje jo unë”.

Pavarësisht kërcënimeve zgjedhjet do të zhvillohen në 30 qershor është mesazhi i fundit i kryeministrit Rama.

Ne kemi përgjegjësinë maksimale, jo të fitojmë zgjedhjet por të vazhdojmë të dëgjojmë njerëzit, të vazhdojmë të punojmë për njerëzit dhe të vazhdojmë të qeverisim, duan apo s’duan ata, do Fatmiri s’do Fatmiri, bashkë me Dashin, Nardin dhe qirje Vangjelin”/abcnews.al

kqz.jpg
G. P.12:01 | 04/04/2019

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë një tjetër mandat deputeti, kandidatit të dalë nga lista shumëemërore e Partisë Demokratike për Qarkun Tiranë.

Korab Lita do të bëhet kështu deputeti i 100-të i parlamentit shqiptar, pas betimit të tij në seancën plenare të radhës. Lita është njëkohësisht zëvendëskryetar i Bashkisë Kamëz, pozicion të cilin do i duhet ta dorëzojë pas marrjes së mandatit të deputetit.

I 21-ti në listën e Partisë Demokratike, Lita zëvendëson kështu Dashamir Shehin, kreun e LZHK-së aleat i kryetarit të demokratëve Basha në Parlament./abcnews.al

KRONIKE-SHEHI-PER-PROTESTEN-DHE-SISTEMIN.mpg_snapshot_00.58-1280x720.jpg
ent ela16:35 | 01/04/2019

Përpara protestës së radhës përpara parlamentit, e teta e thirrur nga opozita e bashkuar prej 16 shkurtit, për aleatin e demokratëve Dashamir Shehi, rezultati është i prekshëm.

“Ka një rritje të entuziazmit ndoshta nuk ka mbërritur pika e vlimit, por do të mbërrijë shpejt”.

Shpresën qytetarët sipas kreut të Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, e shohin pikërisht tek ndryshimi i sistemit që riciklon politika dhe politikanë.

“Bëhet fjalë për të përmbys sistemin nga rrënjët sepse është e vetmja mënyrë që matrica jonë politike te mos prodhojë gjithnjë Rama, të tjerë dhe kjo është shpresa për shqiptarët dhe mbi këtë ide të re po përqasen qytetarë”.

Në kushtet ku jemi sot, hyrja në zgjehdje nuk është opsion sipas Shehit.

“E vetmja mënyrë për të shkëmbyer pushtetet janë zgjedhjet, por të lira dhe të ndershme dhe me rregulla loje, që nuk vidhen votat në kuti dhe që mund të prodhojnë një gjë të re për shqiptarët. Ditën që mbushen këto kushte ne do hyjmë dhe do i fitojmë zgjedhjet”.

Trampolinë e këtij ndryshimi mund dhe duhet të jetë sistemi elektoral, pjesë e shkakut të klimës politike të krijuar në vend sipas tij.

“Unë për vete e kam menduar që ky sistem është një nga burimet që ushqen këtë të keqe të madhe. Nëse do bëjmë një qeveri teknike nuk do e bëjmë vetëm për të larguar Ramën, por mentalitetin e Ramës për të ndryshuar gjerat, teknikja në radhë të parë të ndryshojë sistemin. Kemi hedhur jo një por disa teza bazë mbi të cilat mund të ndërtohet një dialog politik, sepse ligji i ri sistemi i ri nuk bëhet i njëanshëm. Ne do fillojmë debatin tonë, por të paktën kemi mbërritur që të kuptojnë në krahun tonë që duhet ndryshuar jo vetëm mënyra si numërohen votat, por si votojnë shqiptarët për alternativën e vet”.

Shqiptarët nuk do të mbeten jashtë frymës së re që po fryn në Europën Lindore thekson Shehi, duke marrë si shembull Presidentin në Sllovaki, atë në Ukrainë apo edhe në Turqi. Por ndryshimi i sistemit mund të vijë vetëm përmes një marrëveshje të madhe politike, përfundoi ai. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono