DASH

dash.jpg
ad min17:55 | 11/06/2019

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, i pyetur nga Zëri i Amerikës lidhur me vendimin e presidentit Ilir Meta për të anuluar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, tha se Departamenti i Shtetit është duke ndjekur zhvillimet në Shqipëri dhe po mban kontakt me aktorët përkatës lidhur me ndikimet ligjore të njoftimit të presidentit. Departamenti i Shtetit, tha zëdhënësi, do të vazhdojë të ndjekë dhe vlerësojë situatën që është në zhvillim e sipër.

Lidhur me gjendjen politike në Shqipëri, zëdhënësi tha se qëndrimi i Uashingtonit mbetet i njejtë, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të shmangin konfrontimet dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive për të ardhmen e Shqipërisë.

Partitë e opozitës, tha zëdhënësi, duhet të gjejnë një rrugë për të hapur dialogun me qeverinë rreth reformës elektorale./VOA

palmer-1-1280x734.jpg
ent ela19:44 | 07/04/2019

Këtë fillim javë pritet të mbërrijë në Tiranë zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, për çështjet e Evropës dhe Euroazise, Mathew Palmer, në përpjekje për të zgjidhur situatën e krijuar pas fillimit të protestave nga opozita dhe djegien e mandateve parlamentare.

Ai do të zhvillojë një tur në gjithë rajonin e Ballkanit. Gjatë vizitës së tij në Shqipëri Palmer do të zhvillojë takime me zyrtarët më të lartë politik në vend, si kreu i shtetit Ilir Meta, Kryeministrin Rama si dhe me drejtues të opozitës së bashkuar.  Vizita e Mathew Palmer u parapri nga ajo e Jonathan Moore, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për Organizatat Ndërkombëtare në Departamentin Amerikan të Shtetit. Por nga takimet e këtij të fundit, të vetmet të publikuara ishin ai me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ai me deputeten Rudina Hajdari, e cila refuzoi vendimin politik të opozitës për djegie mandati./abcnews.al

palmer.jpg
ad min12:14 | 03/04/2019

Zëvendës/ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer do të vizitojë Tiranën javën e ardhshme. Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të një turi që zyrtari i lartë amerikan zhvillon në Ballkan.

Gjatë vizitës në kryeqytetin shqiptar, Palmer pritet të zhvillojë takime me Presidentin Ilir Meta, kryeministrin Edi Rama dhe me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në qendër të takimeve do të jenë diskutimet mbi krizën politike të krijuar pas djegies së mandateve të deputetëve të opozitës.

Zëvendësi i Hojt Brajen Ji pritet të luajë të njëjtin rol si ish-zyrtari i lartë i departamentit amerikan të shtetit pas vizitës të së cilit, 2 vjet më parë mazhoranca dhe opozita arritën një marrëveshje për të hyrë në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare./abcnews.al

gent-cakaj123-1280x709.jpg
ad min14:31 | 30/03/2019

Thirri mediat në konferencë shtypi, për të bërë atë që shefi i qeverisë ja quajti kalë beteje kur i la postin e Ministrit të Jashtëm: leximin. Raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit e përktheu paragraf më paragraf për të dhënë shpjegimin e tij.

“Sfida  kryesore është kursimi prej gjykimit të menjëhershëm për kapitullimin historik të Shqipërisë para aktiviteteve të jashtëligjshme dhe në fakt kultivimi i të kuptuarit përmbajtësor të lëvizjeve të Shqipërisë për të vendosur shtetin e së drejtës. Raporti sa identifikim i problemeve është dhe një pasqyrë e një momentumi pozitiv e një Shqipërie që është në zhvillim e sipër”.

Aty ku Departamenti Amerikan i shtetit sheh rritje të sasisë së drogave të rënda të cilat kalojnë transit në Shqipëri, ministri sheh gotën gjysmë plot.

“Numri i konfiskimeve i drogave në kufi dhe këtë e konfirmon i njëjti raport më poshtë ka rritur përshtypjen e shkallës së qarkullimit të drogës për shkak se është forcuar bashkëpunimi ndërkufitar dhe janë forcuar kufizimet për qarkullim ndërkufitar të drogave. Që do të thotë, nuk kemi të bëjmë thjesht me një shtim të sasisë së qarkullimit të narkotikëve në treg, por në fakt në shtim të evidenca që është e barasvlershme me shtimin e luftës ndaj këtij fenomeni për qarkullimin e narkotikëve në treg”.

Nuk kemi thjesht shtim të qarkullimit të narkotikëve por një shtim të evidencave për qarkullimin e narkotikëve në treg. Thotë se nuk do të relativizojë përgjegjësitë e qeverisë.

“Që korrupsioni është ekzistent në Shqipëri, kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe i takon kësaj qeverie ta mbajë pjesën e saj të përgjegjësisë”.

Por shpejt i kthehet krahasimit pikërisht për të zbutur shqetësimet e ngritura në raport.

“Po të lexohet i njëjti raport për vendet e rajonit, shqetësimet janë më të thella sesa për Shqipërinë”.

Për ministrin për Europën dhe punët e jashtme Gent Cakaj raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit nuk ka vend të përdoret në narrative sulmuese për qeverinë, nëse do të merret parasysh përparimi në kohë, krahasuar me vitin 2013, apo nëse pozicioni i Shqipërisë do të matet me parametrat rajonalë./abcnews.al

IMG_6657-1280x853.jpg
ad min15:36 | 29/03/2019

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, në një deklaratë për media pasi bëri një përmbledhje të raportit më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë, theksoi se arsyeja e vetme e përkeqësimit të situatës është kreu i qeverisë Rama.

“Edi Rama dhe Qeveria e tij kriminale arriti ta klasifikojnë Shqipërinë si prodhues dhe eksportues të sasive domethënëse të marijuanës, kryesisht për përdorim evropian dhe ta kthejë vendin tonë në një vend tranzit për heroinën dhe kokainën afgane, duke shërbyer si një portë kyçe për shpërndarjen e heroinës nëpër Evropë. Në këtë mënyrë, narkoshteti i instaluar është realiteti i hidhur qe i ofrohet shqiptarëve.

Që Shqipëria të mos shërbejë si bazë për veprimtarinë e organizatave kriminale rajonale, siç thekson Raporti i DASH, është e domosdoshme që të largohet përgjegjësi i kësaj situate. Zgjidhja e vetme e mbetur, është vetëm shembja e domosdoshme e këtij pushteti të kriminalizuar, si burimi kryesor i kësaj pasqyre fatkeqe ku e ka zhytur Shqipërinë sot. Shqiptarët e bashkuar do të fitojnë. Shqipëria nuk meriton të jetë portë kyçe për shpërndarjen e kokainës dhe heroinës nëpër Evropë. Shqipëria meriton të jetë si gjithë Europa dhe ashtu do të jetë”, tha Alibeaj./abcnews.al

dash.jpg
ad min08:30 | 29/03/2019

Shqipëria gjithnjë e më shumë mbetet një vend tranzit për drogat e forta, si dhe konsiderohet si burim për drogën e llojit kanabis. Është ky përfundimi i arritur nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2018.

Departamenti Amerikan i Shtetit i dorëzoi të enjten Kongresit raportin vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve. Në pjesën për Shqipërinë, DASH thotë se vendi ynë është njëkohësisht burim i kanabisit dhe, gjithnjë e më shumë, një vend tranzit për kokainën dhe heroinën.

Në këtë raport që mbulon vitin 2018, Departamenti i Shtetit thotë se tranziti i kanabisit si dhe i drogave të forta komandohet kryesisht nga elementë të krimit të organizuar që transferojnë droga të paligjshme nga vendet burim për në tregjet evropiane.

Sipas raportit, roli i Shqipërisë si burim apo treg për droga të paligjshme përtej kanabisit është i vogël, por ka pasur një rritje në konfiskimet e kokainës që kalon nëpër Shqipëri për në Europë, përveç zbulimit të laboratorëve të përpunimit të heroinës dhe kokainës në Shqipërinë veriore dhe qendrore.

“Grupet kriminale shqiptare e trafikojnë kokainën dhe heroinën drejt tregjeve evropiane nga vendet burimore në Amerikën e Jugut dhe Azi”.

Në raport thuhet se korrupsioni në të gjitha nivelet e qeverisjes e kufizon efektivitetin e përgjithshëm të luftës kundër narkotikëve. Korrupsioni zyrtar, thuhet aty, është i përhapur dhe nxit një mjedis në të cilin trafikantët e drogës janë mjaft të aftë të veprojnë pa u ndëshkuar.

Sipas raportit, përpjekjet për të çrrënjosur kanabisin dhe ndjekur penalisht kultivuesit e tij kanë qenë të gjera, por jo kudo njëlloj, dhe ndërhyrja në infrastrukturën e trafikimit të drogës që është krijuar gjatë dy dekadave përbën një sfidë.

Raporti thotë se shkalla e lartë e papunësisë dhe sundimi i dobët i ligjit kanë krijuar një ambient ideal për grupet e krimit të organizuar që shkaktojnë problemin e kontrollit të drogës në Shqipëri.

Në pjesën e raportit për pastrimin e parave, Departamenti i Shtetit thotë se gjatë vitit 2018 qeveria e Shqipërisë nuk bëri përparim të rëndësishëm për parandalimin e pastrimit të parave dhe krimeve financiare.

Si shkak për këtë, raporti e ve gishtin te korrupsioni, rritja e rrjeteve të krimit të organizuar dhe institucionet e dobëta ligjore dhe qeveritare. Shqipëria, thuhet në raport, shërben si bazë operacionesh për grupet e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.

Raporti vjetor për strategjinë e luftës ndërkombëtare kundër narkotikëve, i kërkuar nga Kongresi dhe i ndarë në dy vëllime, vlerëson përpjekjet e qeverive të huaja për të reduktuar prodhimin, trafikimin dhe përdorimin ilegal të drogës, si dhe punën e tyre për të luftuar pastrimin e parave që lidhen me trafikimin e drogës. Raporti nisi të botohej në vitin 1986 dhe publikimi i tanishëm mbulon vitin kalendarik 2018./abcnews.al

BARDHI-1280x735.jpg
ent ela17:45 | 14/03/2019

Pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili në pjesën për Shqipërinë vinte në dukje edhe korrupsion, mosndëshkimin dhe shitblerjen e votave, ka reaguar Partia Demokratike. Nëpërmjet sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi, selia blu pohon se ky raport ka konfirmuar blerjen e votave në 2017 dhe nivelin e lartë të korrupsionit të qeverisë së Edi Ramës. “Askush nuk ndëshkohet! Kundër blerjes së votave, kundër pandëshkueshmërisë, kundër korrupsionit, shqiptarët do bashkohen më 16 Mars!”, shkruan Bardhi.
Më tej ai citon një pjesë të raportit ku thuhet: “Ligji parashikon ndëshkime penale për korrupsion për zyrtarët publikë, por qeveria nuk e zbatoi ligjin në mënyrë efektive. Zyrtarët shqiptarë shpesh u angazhuan në praktika korruptive pa u ndëshkuar”./abcnews.al

 

 

dash.jpg
ent ela19:12 | 13/03/2019

Departamenti amerikan i Shtetit publikoi raportin mbi të drejtat e njeriut në botë. Në pjesën pëqr Shqiperinë, vihet në dukje së janë sporadike rastet kur zyrtarët që kryejnë abuzime ndiqen penalisht dhe dënohen.

Mosndëshkimi është një ndër problemet kryesore që rendit Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin mbi të drejtat e njeriut në botë.

“Ndjekja penale dhe sidomos dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe jokonsistent”, vë në dukje ky raport.

Sipas tij, zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale. Në përgjigje të kësaj,- vijon raporti- autoritetet kanë ndërmarrë një veting të monitoruar ndërkombëtarisht të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kanë skualifikuar një numër të konsiderueshëm zyrtarësh për pasuri të pashpjegueshme ose lidhje me krimin e organizuar.

Në raportin  Departamentit Amerikan të Shtetit, thuhet gjithashtu se korrupsioni vazhdoi të ishte një problem serioz në qendrat e paraburgimit.

“Edhe pse qeveria ka mekanizma për të hetuar dhe dënuar abuzimin dhe korrupsionin, korrupsioni në radhët e policisë mbeti problem”- vijon raporti i DASH.

Në raport vërehen gjithashtu edhe problemet në fushën e medias.

“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi pikëpamjesh, megjithëse pati përpjekje për të ushtruar presion politik dhe ekonomik të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë mbi median”, nënvizohet në raportin për lirimin e mediat te publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit./abcnews.al

2AB5AF12-F4CC-4B4E-B92A-E6E68F6A821C_cx0_cy1_cw0_w1023_r1_s.jpg
ent ela16:27 | 21/02/2019

Departamenti i Shtetit i bën thirrje opozitës në Shqipëri të mos i dorëzojë në masë mandatet dhe të dënojë publikisht dhunën e ushtruar gjatë protestave.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha Zërit të Amerikës se Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Matthew Palmer ka zhvilluar mbrëmë dy biseda të veçanta telefonike me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe me kryetaren e Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi.

Sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, zoti Palmer u bëri thirrje të dy udhëheqësve të opozitës të qëndrojnë të angazhuar në mënyrë konstruktive në proceset demokratike, duke theksuar rolin jetik, që partitë e opozitës duhet të luajnë në një shoqëri demokratike.

Diplomati i lartë amerikan, siç u shpreh zëdhënësi për Zërin e Amerikës, “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”.

Zoti Palmer, ndërsa theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për të drejtën e qytetarëve për të protestuar në paqe, u bëri thirrje si zotit Basha edhe zonjës Kryemadhi të hedhin poshtë dhe të dënojnë publikisht gjithë dhunën. /VOA

DASH-PER-VIZEN-E-BERISHES-1280x720.jpg
ent ela15:33 | 01/02/2019

Ish-Kryeministri Sali Berisha nuk rezulton në listën e personave që i është refuzuar viza nga Shtetet e Bashkuara të Amerikes, për shkak të përfshirjes në korrupsion. Mediat shqiptare kanë kontaktuar Departamentin Amerikan të Shtetit pas debateve të ashpra në seancën e djeshme në Parlament mes Kryeministrit Rama dhe Sali Berishës. Dyshimi lindi pas asaj që dukej si një pyetje retorike e kreut të qeverisë Rama, kur pyeti Berishën nëse mund të kalonte dot oqeanin nëse dëshironte. Pas interesimit të mediave shqiptare, Departamenti Amerikan i Shtetit paraqiti rastet e publikuara të refuzimit të vizës që lidhen me çështje të korrupsionit, ku pas verifikimeve rezulton se emri i Sali Berishës nuk është në listë. Përpos këtyre pak rasteve të publikuara, Shtetet e Bashkuara përgjithësisht nuk komentojnë rastet individuale të vizave – përfundon Departamenti Amerikan i Shtetit. /abcnews.al

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono