Damian Gjiknuri

damian-gjiknuriiii.jpg
G. P.22:31 | 21/03/2019

Deputeti socialist Damian Gjiknuri mendon se Presidenti i Republikës mund të kishte thirrur një tryezë dialogu, në vend që të bënte deklarata prej aktori politik. I ftuar në ABC News, Gjiknuri nuk mohoi raste të blerjes së votave, por ato sipas tij nuk përcaktojnë fituesin.

“Nuk e di kë ka dëgjuar zoti Meta apo e ka dëgjuar mirë historinë e Allendes, por unë mendoj që ka një paqartësi. Më shumë është veprimi i një aktori politik që mund të ishte një negociator për krizën. Presidenti mund të organizonte edhe ndonjë tryezë me të gjitha partitë, t’i dëgjonte, por dalja me deklarata të tilla që konfuzojnë më shumë nxjerrin në pah rolin e një aktori politik, i cili më shumë ka pasur një rol, por ka ardhur koha që të hyjë dhe të marrë pjesë në të. Mbase zoti Meta e shikon si oportunitet politik tek vakumi që do krijojë opozita shumë shpejt për ta marrë këtë rol në të ardhmen.

Që të ketë ndryshime serioze në mbarëvajtjen e një qeverie, duhet të ketë situata të tilla që të krijojë zemërim popullor. Dhe historia e Shqipërisë e ka treguar. Në këtë rast kemi të bëjmë me misionin e një grupi politikanësh të etur për pushtet, quaje si të duash, por që janë brenda konturit të një partie politike dhe tërheqin mbrapa vetes mbështetësit e tyre, të cilët do i tërheqin në atë pikë sa t’i përballojnë në mënyrë të vazhdueshme protestat.

Ky është një fenomen sporadik që ndodh herë pas here sidomos me shtresa të vobekta, shtresa të varfra. Nuk është një fenomen i panjohur dhe i takon ekskluzivisht PS. Ka pasur ndonjë episod edhe nga ne. Ka pasur shumë episode edhe nga partitë e tjera që i dimë shumë mirë, por asnjëherë nuk kanë qenë të tilla që mund të tjetërsojnë mandatet. Nuk ka asnjë strukturë kriminale të lidhur me PS-në në funksion të votave. A mund të kenë ndodhur kontakte? Po në Shqipëri jetojnë dhe ata. Ka dhe njerëz me background kriminal, të cilët kanë kontakte me të gjitha partitë dhe këtë nuk duhet ta mohojmë, por a është kjo sistemime, a është ky sistem? Asnjë s’mund ta thotë këtë. Është absurde ta mendosh këtë”, tha Gjiknuri./abcnews.al

damian-gjiiknuri.jpg
G. P.19:55 | 21/03/2019

Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, i ftuar këtë të enjte në emisionin “Mbrëmje Ide” nga Mirela Milori ka folur rreth dosjes 339, për të cilën opozita thotë se vërteton që PS ka vjedhur vota. Por për ish-ministrin ky është një rast që ka të bëjë me hetimin e një grupi kriminal për trafikun e drogës dhe jo për shit-blerjen e votës.

Për sa i përket akuzave që opozita ka bërë për të, ku thotë se edhe ai është pjesë e përgjimeve të dosjes 339 , ai tha se nuk është thirrur asnjëherë nga prokuroria për këtë çështje.

Damian Gjiknuri: Si mund të blihen me mijëra vota? Ne nuk kemi një rast të provuar. Edhe këta që pretendojnë marrin rastin e dosjes 339. Çfarë është dosja 339? Ky është një rast që ka të bëjë me hetimin e një grupi  kriminal për trafikun e drogës.

Mirela Milori: Opozita thotë se edhe ju jeni në këto dosje?

Damian Gjiknuri: Le ti nxjerrin nëse jam në këtë dosje. Nuk e di të ketë dalë. Nëse i kanë dalë le ti nxjerrin! Kemi të bëjmë me grup të strukturuar kriminal, nuk ka lidhje me zgjedhje. Se dilka dikush që paska folur me dikë kjo nuk përbën fare provë. Duhet të vërtetohet episodi i shit-blerjes së votës. Këta njerëz që këta pretendojnë i ka në burg. Është një proces në hetim. Nëse do kishte gjëra të tjera këto do dilnin gjatë hetimit publike. Dosja 339 informacioni i saj ka dalë që para 2018-s . do të thotë që ky informacion ka ekzistuar.

Mirela Milori: Opozita ju akuzon që keni folur dhe thotë që në dosjen 339 dhe 184 jeni ju, ka dhe emra të tjerë të PS që keni folur me eksponentë kriminal për shitblerje vote në Dibër?

Damian Gjiknuri: E para, zgjedhjet në Dibër janë zgjedhje të pushtetit vendor dhe s’kanë lidhje me këtë që pretendojnë këta. 184-a nuk e di. Unë nuk jam thërritur ndonjëherë nga prokuroria. Nëse kemi të bëjmë me krim elektoral nuk kemi pse futemi te Krimet e Rënda njëherë, Fenomeni i shit-blerjes së votës nuk hetohet nga Krimet e Rënda. Nëse ka ndonjë hetim penal për këtë unë nuk e di se nuk kam lidhje me atë proces. Fitorja e Dibrës është fitore mbi 4500 vota. PD në një vend të vogël si Dibra ka firmosur çdoi lloj procesverbali, nuk ka bërë asnjë ankesë.

Gjiknuri tha në ABC News se nuk ka asnjë akuzë apo provë, kundër tij, por thjesht aludime.

Mirela Milori: Nuk ju shqetësojnë akuzat?

Damian Gjiknuri: Çfarë akuzash? Unë jam mësuar me politikë. Po të vini re PD godet figura politike me peshë elektorale. Kjo është logjike. Jam goditur unë, mund të jetë goditur  Vangjushi ose dikush tjetër sepse jemi njerëz që kemi peshë elektorale dhe kemi sjellë fitore.

Jua them me garanci të plotë se nuk ka asnjë strukturë kriminale të lidhur me PS në funksion të votave. A mund të kenë ndodhur kontakte? Në Shqipëri jetojnë dhe ata. Ka njerëz me background kriminal, të cilët janë kontakte me të gjitha partitë politikë. Por a është kjo sistemike? Asnjë s’mund ta thotë këtë. Është absurde. Është thjesht sebep, justifikim për të ndërmarrë veprimet që morën. Unë nuk shoh arsye tjetër.

S’kam asnjë lloj akuze, s’kam asnjë lloj prove. Ka vetëm aludime. Fakti që qëllonke të fliske me një njeri që qenka pjesë e krimit të organizuar. Po ku e di ti me kë flet? Se në fushata takon lloj-lloj njeriu./abcnews.al

unaza-e-re-e1545253673117.jpg
G. P.22:09 | 19/12/2018

Shteti shqiptar nuk arrin të arkëtojë shumën prej 4.1 milionë dollarësh që kompania “DH Albania” kishte lënë si garanci të kontratës që fitoi me anë të falsifikimit dhe mashtrimit për ndërtimin e lotit të parë të Unazës. Shoqëritë e sigurimit “Sigma” dhe “Sigal”, që kanë bërë garancinë e kontratës shprehen se nuk kanë siguruar vërtetësinë e dokumentacionit, por zbatimin e kontratës. Në këto kushte çështja pritet të përfundojë në gjykatë.

Shteti shqiptar nuk do të mund të arkëtojë vlerën e garancisë se dy kontratave me vlerë 30 milionë euro që kompania “DH Albania” fitoi përmes falsifikimit të dokumentave dhe mashtrimit. Kompanitë e sigurimit të kontratave të lotit të parë të Unazës së Madhe dhe realizimin e punimeve për linjën 220 kilovolt Burrel-Peshkopi, refuzojnë që të derdhin pagesën për llogari të “DH Albania”.

Konfisikimi i garancive u njoftua në një konferencë për shtyp nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri. Menjëherë Autoriteti Rrugor dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit dërguan shkresat për konfiskimin e garancisë pranë dy kompanive “Sigal” dhe “Sigma”. Por televizioni Klan ka mësuar të dyja kompanitë kanë refuzuar pagesën, duke i dërguar edhe një shkresë zyrtare të dyja institucioneve publike.

Televizioni Klan bisedoi me drejtues të kompanive, të cilët sqaruan se garancia që kompanitë e sigurimit kanë bërë për “DH Albania” lidhet me realizimin e kontratës dhe jo me prishjen e njëanshme të saj nga autoritetet kontraktore në kushtet e mashtrimit. Drejtori i kompanisë “Sigma”, Klajdi Citozi tha se edhe vetë kompanitë e sigurimit janë të mashtruara, çka bën që vetë kontrata të ketë rënë. Firma e tij, tha ai,  ka marrë përsipër të garantojë realizimin e punimeve dhe jo vërtetësinë e informacionit.

Edhe Autoriteti Rrugor Shqiptar pranon se garancia është refuzuar të paguhet, ndërsa ka dërguar një tjetër kërkesë për vjeljen e saj pranë dy shoqërive të sigurimit. Nëse sërish do të ketë refuzim, këtë çështje do ta zgjidhë gjykata, tha drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro, në një bisedë telefonike.

Qeveria kërkon që të vjelë nga dy kompanitë e sigurimit shumën prej 4.1 milion dollarësh, si garanci e lënë për realizimin e kontratës nga “DH Albania”, e cila rezulton të ketë mashtruar edhe shoqëritë e sigurimit. Televizioni Klan kontaktoi edhe me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, i cili sqaroi se nuk ka bazë ligjore që të veprojë në situata të tilla, e se çështja e me të gjitha gjasat do të përfundojnë në gjykatë./abcnews.al

dh-albania-1.jpg
G. P.18:32 | 18/12/2018

Teksa autoritetet shqiptare presin ndihmën amerikane për të gjetur se kush qëndron pas kompanisë “DH Albania”, Rrjeti Ballkanik i Gazetarise Investigative ka zbuluar disa dokumente zyrtare, që e lidhin atë me kompaninë “Gener 2”.

“Unë inkurajoj me forcë të madhe prokurorinë ta hetojë këtë çështje deri në fund për të zbuluar kush janë autorët e vërtetë të këtij falsifikimi dhe autorëve që fshihen pas saj”, tha Gjiknuri në një deklaratë.

Pak ditë pas kësaj deklarate të Ministrit të Infrastrukturës, dalin në dritë të tjera të dhëna që zbulojnë se kush qëndron pas kompanisë “DH Albania”, e cila përmes dokumentave të falsifikuara fitoi dy tendera me vlera 30 milionë euro, në harkun kohor të 4 muajve që prej themelimit të saj.

Tenderi i parë lidhet me ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe dhe tjetri për ndërtimin e një linje të transmetimit të energjisë për të lidhur Burrelin me Peshkopinë. Ky dokument i siguruar nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Investigativ tregon në mënyrë kronologjike se një prej procedurave bankare në emër të “DH” është kryer dhe paguar nga kompania “Gener 2”, në pronësi të Bashkim Ulajt.

Sipas BIRN, më 3 Dhjetor 2018, Avdjol Dobi si përfaqësues i kompanisë “DH Albania” vendosi hapjen e një nipti sekondar në kantierin e punimeve në Unazë të Re. Një ditë më pas ai autorizoi juristen e kompanisë “Gener 2”, Ledi Hysenj për të paguar tarifën prej 150 lekësh në një bankë të nivelit të dytë, ndërsa më pas mandatin bankar e dorëzoi në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Dokumenti zbulon se në vend të kompanisë “DH Albania”, mandati bankar për hapjen e adresës në sheshrrotullimin “Shqiponja” mban përshkrimin “Aplikim Gener 2”. BIRN thotë se Avdjol Dobi është pjesë e rrethit familjar të Bashkim Ulajt.

Përveç Dobit dhe Hysenj, veprime në emër të kompanisë “DH Albania” kanë kryer edhe noterja Xhevahire Brahaj, përkthyesja Shenda Kruja dhe juristja Blerina Konçi.

Fillimisht dyshimet e para se “Gener 2” qëndron pas “DH Albania” i hodhi “Zëri i Amerikës”, dyshime për të cilat tani BIRN thotë se ekzistojnë edhe prova të pakundërshtueshme. BIRN thotë në shkrimin e tij se tani autoritetet shqiptare s’kanë arsye pse të presin ndihmën nga SHBA për të zbuluar kush fshihet pas kompanisë fantazmë që fitoi dy tendera përmes falsifikimit, pasi dokumenti i QKB-së dhe rrethi i njerëzve pas “DH Albania” ekspozojnë kompaninë “Gener 2” të biznesmenit Ulaj. Ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i kërkoi kryeprokurores Arta Marku të hetojë kryeministrin Rama për këtë aferë korruptive./abcnews.al

AHMETAJ-E-GJIKNURI-PER-KONVIKTET_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.48-1280x720.jpg
G. P.17:22 | 14/12/2018

Qeveria është në bisedime për të siguruar financime për rehabilitimin e konvikteve të studentëve që nuk janë përfshirë në projektin 18.8 milionë euro të mbështetur nga qeveria gjermane. Ministrat Ahmetaj e Gjiknuri firmosën sot një tjetër memorandum bashkëpunimi me Gjermaninë e Francën.

Veç grantit prej 18.8 milionë eurosh që qeveria gjermane ka dhënë për konviktet në qendrat studentore 1 dhe 2, qeveria është në bisedime për të garantuar edhe financimin për rehabilitimin e plotë të gjithë konvikteve të mbetura jashtë këtyre projekteve në Qytetin Studenti. Kjo u konfirmua pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunimin financiar mes Shqipërisë, Gjermanisë e Francës në lidhje me programin e mbështetjes në sektorin eneregjetik.

Arben Ahmetaj, ministër i Financave dhe Ekonomisë: “Një investim në përmirësimin e ambienteve të universitetit. Në favor të përmirësimit të kushteve për studentët.”

Në fazën e përfundimit të plotë është projekti i rehabilitimit me eficensë energjetike i konvikteve të inxhinierisë. Dy godina kanë përfunduar që në muajin Korrik, ndërsa dy të tjerat rehabilitohen brenda një periudhe 2 mujore.

Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: “2 janë përfunduar, sot aty jetojnë studentë. 2 të tjera përfundojnë për 1 ose 2 muaj. Kemi 4 godinat e para me parametrat e eficensës energjitikeme kursim energjie.”

Me firmosjen e këtij memorandumi shqipëria do të përfitojë një kredi të butë nga KfV me vlerë tridhjetë milionë euro dhe një financim prej 2 milionë erusosh për investimet në sektorin e shpërndarjes se energjisë./abcnews.al

damian-gjiknuriir.jpg
ent ela10:49 | 11/12/2018

Nuk ka asnjë dyshim as ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, që dokumentacioni për të marrë 30 milionë euro nga taksat e shqiptarëve është i falsifikuar. Përgjigjen për për kompnanjinë “DH Albania” ia kanë dhënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Se një pjesë e dokumentacionit të paraqitur nga kompania “DH Albania” për tender nuk është e saktë, është e falsifikuar”, tha ai.

Hetimet kanë nisur nga prokuroritë e të dy shteteve asaj në Delaware dhe prokurorisë shqiptare. Ministri Gjiknuri është i gatshmëm të hetohet e gjithë administrata duke filluar nga ai vetë.

“Nuk kam pasur lidhje dhe nuk kam asnjë dijeni në lidhje me këtë aktivitet kriminal. As me këtë kompani dhe jam i hapur deri në fund që prokuroria të hetojë të gjitha lidhjet e kësaj shoqërie dhe lidhjen që ka administrata në këtë proces”, u shpreh ai.

Tashmë të dy tenderat i janë hequr kompanisë që ka falsifikuar dokumentet. I pari 18 milionë euro për lotin e parë të Unazës së Madhe dhe tenderi i dytë për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi dhe traktin dalës të nënstacionit të Burrelit, një nga tenderat më të mëdhenj të zhvilluar nga OST gjatë këtij viti. Ky është dallimi që kërkon të nënvizojë ministri Gjiknuri me qeverinë paraardhëse.

“E keqja mund të ndodhë. Falsifikime ka pasur dhe më parë. Ndryshimi është si reagon dhe a i është shkaktuar dëm shtetit. Shtetit nuk i është shkaktuar dëm financiar mbi të gjitha”, u shpreh ai.

Të gjitha detajet e tjera që lidhen me procedurën e prokurimit publik, ministri Gjiknuri ia delegon autoriteteve përkatëse.

“Roli i ministrit në këtë rast është roli i mbikëqyrjes politike të procesit sepse janë të gjitha institucionet e varësisë ato që kanë përgjegjësinë dhe të drejtën për të organizuar prokurorime publike, apo për të lidhur të kontrata për të zbatuar punime. Jo ministria që ka mbikëqyrje politike të këtij procesi”, tregoi Gjiknuri.

Megjithatë një informacion i është dërguar në tryezë ku i thonë se tenderi është zhvilluar konform ligjit.

“Dokumentacioni nga Amerika ka ardhur me vulë Apostile, me deklarime, me përkthime, me deklarime të noterint amerikan dhe me verifikime të noterit shqiptar. Nga pikëpamja e dokumentacionit aty është bërë një falsifikim. Përmbajtja nuk ekziston, forma ka qenë korrekte”, tha ai.

Ligji e lejon, por nuk sqaroi ministri Damian Gjiknuri se sa e rastësishme është që kompania “DH Albania” të përzgjidhet fituese në një tender pa garë pasi në të dy rastet kompanitë e tjera nuk kishin paraqitur asnjë ofertë.

“Nuk është hera e parë. Legjislacioni i prokurorimit publik, i bazuar në direktivat europiane thotë dhe kjo është për ta verifikuar është i mirë apo keq. Mjafton që një ofertë e vetme të përputhjeve dhe brenda fondit limit është e pranuar. Ky është ligji, nuk mund ta refuzosh se ka vetëm një ofertë”, u shpreh ai.

Jo vetëm kaq, por autoritetet e prokurimit publik i dhanë rreth 30 milionë euro një kompanie që ishte regjistruar një muaj para pjesëmarrjes në këto tendera dhe nuk patën as dyshimin më të vogël që t’i drejtoheshin autoriteteve kompetente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës se kush është 26-vjeçari që me një kapital 1 mijë lekë po i merr taksapaguesëve shqiptarë 30 milionë euro.

Por ka reflektuar vetë ministri Damian Gjiknuri i cili pranoi se këto histori nuk kanë ndoshur për herë të parë, prandaj ai sot e sheh të arsyeshme që ti drejtohet qeverisë për të ndryshuar pikat e ligjit që kontrollojnë kompanitë që marrin pjesë në garë./abcnews.al

GJIKNURI-NE-FIER-PER-HIDROKARBURET.mpg_snapshot_00.43-1280x720.jpg
G. P.16:05 | 09/12/2018

Fondi 100 vjeçar i të dhënave të hidrokarbureve në Fier do të dixhitalizohet. Është kompania SHELL që do të realizojë fazën e parë të këtij procesi. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, tha se ky investim do të shërbejë si marketim për investitorët e huaj.

Ky është Arkivi teknik për hidrokarburet në Fier. Mban brenda tij materiale që e kanë fillesën prej vitit 1927. Nuk do të jenë më të arkivuara njëra mbi tjetrën pasi kompania SHELL ka vendosur të financojë në fazën e parë të dixhitalizimit 500 mijë paund sipas marrëveshjes që ka nënshkrayr me shtetin shqiptar.

Ardian Bylyku, drejtori i AKBN-së: “Ky projekt synon kopjimin dhe dixhitalizimin e të dhënave dhe përbën fazën e parë të dixhitalizimit. Kjo fazë do të pasohet më tej dhe nga ndërhyrjet e tjera që kërkon të ndërmarrë Ministria dhe AKBN-ja deri tek projekti për “multi client data”, duke i dhënë një perspektivë shumë të rëndësishme kërkimit dhe zbulimit të hidrokarbureve në vendin tonë”.

Jo vetëm kaq, por sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri mbi të gjitha kjo vlen që që të marketohen më mirë pasuritë e vendit për investitorët e huaj.

Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: “Shumë shpejt do të hapim dhe garat për blloqet “off shore”, pra në detin Adriatik dhe Jon. Pasja e këtyre të dhënave elektronik dhe formatimi i tyre në mënyrën e duhur do të bëjë që ne të kemi mundësi të negociojmë kontrata më të mira, por edhe investitorët të njihen me të dhënat historike të të gjithë pasurive, në këtë rast pasurive hidrokarbure shqiptare”.

Përfaqësuesi i SHELL tha se puna është në vijim dhe se kanë zgjedhur tashmë kontraktorin që do të mund të kryejë punën për dixhitalizimin në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore./abcnews.al

damian-gjiknuriio.jpg
G. P.13:27 | 08/12/2018

Një ditë pas pezullimit të punës në lotin e parë të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës nga ARRSH, ka reaguar edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri.

Në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri thekson se autoritetet në qeverisjen e sotme po bëjnë detyrën. Ai theksoi se kompania e përfshirë në skandalin që u zbulua në media nuk ka marrë para nga buxheti i shtetit. Së shpejti do të vijë edhe verifikimi i autoriteteve amerikane dhe nëse konfirmon falsifikimin e dokumenteve, atëherë do të zgjidhet kontrata dhe rasti do të referohet në organet e drejtësisë.

Reagimi i plotë i ministrit Gjiknuri në Facebook:

Atyre që duan të bëjnë politikë me Unazën e Re dhe kujtojnë se gjetën shtegun e revolucionit, pasi u katandisën me 100 protestues profesionistë të Bashkisë Kamëz nga mbrapa, u them kaq:

Ndryshe nga ju që kur qeverisnit shisnit Shqipërinë me letra fallco, sot autoritetet e shtetit po bëjnë detyrën.

ARRSH ka pezulluar projektin për lotin nr.1.

Unë si ministër i jam drejtuar autoriteteve amerikane për verifikimin zyrtar të shqetësimit të bërë publik në media.

Kompania në fjalë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga Buxheti i Shtetit dhe garancia e saj financiare do të sekuestrohet, në rast se dokumentet e paraqitura prej tyre në garë nuk janë autentike.

Në fillim-javën e ardhshme, presim përgjigjen e autoriteteve amerikane. Nëse përgjigja do të konfirmojë falsifikimin e dokumenteve nga kompania, atëherë padiskutim do të reagojmë menjëherë me zgjidhjen e njëanshme të kontratës dhe referimin e rastit pranë organeve të drejtësisë.

Ky është dallimi i madh mes nesh dhe jush. Ne nuk i fshihemi asnjë përgjegjësie shtetërore dhe as kemi gjë për të fshehur. E thënë ndryshe, shqetësimi juaj është si të shisni baltë për të mbuluar të kaluarën tuaj, ndërsa qëllimi ynë është si të hapim rrugët e zhvillimit të Shqipërisë që ju rrënuat./abcnews.al

damian-gjiknuri-gqamsh.jpg
G. P.14:47 | 25/11/2018

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, mori pjesë në inaugurimin e pallatit që do shërbejë për banesa sociale për banorët e prekur nga punimet në kaskadën e Devollit. Nga Gramshi, Gjiknuri nuk la jashtë vëmendjes edhe projektin e Unazës së Madhe në kryeqytet duke theksuar se po shihet edhe trajtimi preferencial për banesa sociale për banorët që preken nga projekti.

U inaugurua në Gramsh një pallat i ri me banesa sociale i cili do të strehojë disa prej banorëve të fshatit Drizë që ishin prekur nga projekti i ndërtimit të kaskadës së Devollit. Të pranishëm në inaugurimin e banesave sociale ishin ministri Damian Gjiknuri si dhe kryetarja e Bashkisë së Gramshit.

Ministri Gjiknuri gjatë fjalës së tij në Gramsh tha se ky objekt sistemon një pjesë të banorëve që preken nga projekti i kaskadës së Devollit.

Ky objekt realizon sistemimin e një pjese të banorëve që preken nga zhvillimi i projektit të Kaskadës së Devollit. Për një pjesë tjetër janë ndërtuar shtëpi të reja. Pjesa e mbetur që nuk kishte as tokë është sistemuar këtu në qytetin e Gramshit”, u shpreh Gjiknuri.

Më tej, Gjiknuri u ndal edhe tek rasti i Gramshit si një model që do të shërbejë për trajtimin e banorëve që preken nga punimet që do të zhvillohen për Unazën e Madhe në Tiranë.

“Ne po ndërtojmë edhe shembujt konkret ku banorët që afektohen nga projektet publike do të gjejnë zgjidhje nëpërmjet pagesës dhe këtu i referohem edhe rastit të Unazës së Madhe të Tiranës. Do të trajtohen me tre vite qira të paguar nga Bashkia e Tiranës dhe mbështetur nga qeveria. Do të shikohen me trajtim preferencial për banesa sociale ose kredi të buta për strehimin e tyre. Zgjidhjet nuk mungojnë, ne jemi duke i implementuar këto në zona të ndryshme të Shqipërisë, ku preken nga projekte madhore. Mendoj se ky është një rast konkret që ky projekt mund të zbatohet edhe në Tiranë”, tha ministri./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono