Damian Gjiknuri

damian-gjiknuri.jpg
ent ela15:54 | 23/10/2018

Punimet për rehabilitimin e aksit rrugor Vorë-Fushë-Krujë u inspektuan nga ministri Damian Gjiknuri dhe kreu i ARRSH-së Afrim Qendro të cilët theksuan se punimet po ecin me ritme të shpejta dhe brenda standardeve të duhura.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri dhe drejtori i ARRSH Afrim Qendro inspektuan sot punimet që po kryhen për rehabilitimin e aksit rrugor Vorë-Kthesa e Rinasit-Fushë-Krujë. Ndërhyrja në këtë aks kryhet në kuadër të programit të qeverisë shqiptare për mirëmbajtjen e akseve rrugore dhe parashikon rehabilitimin e plotë të nënshtresave asfaltike. Investimi i parashikuar shkon në 4.3 milion euro dhe prek gjithashtu edhe gjithë sinjalistikën vertikale e horizontale.

Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro theksoi se punimet në segmentin Vorë-Fushë Krujë po ecin me ritme të shpejta dhe ku deri më tani është përfunduar gjysma e segmentit

Ministri Gjiknuri vuri në dukje se ky është një tjetër kantier i rëndësishëm i mirëmbajtjes dhe rehabilitimit të akseve kombëtare

Ministri Gjiknuri vuri theksin tek nevoja për të mirëmbajtur rrugët edhe në aspektin e disiplinës së lëvizjes së mjeteve të tonazhit të rëndë, në mënyrë që ndërhyrja të garantojë që këto investime të rëndësishme që paguhen nga taksapaguesit shqiptarë të kenë mundësi të jetojnë sa më gjatë. /abcnews.al

 

GJIKNURI-DHE-KLOSI-PARA-ESTONEZVE.mpg_snapshot_00.32-1280x720.jpg
G. P.15:16 | 18/10/2018

Rehabilitimi i hekurudhës nga Tirana në Durrës dhe anasjelltas do të nisë këtë vit. Lajmin e dha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Ndërkohë, Gjiknuri tregoi edhe fondet e parashikuara për investime në rrugë.

1.4 miliardë dollarë parashikohet të investohen këtë vit për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore. Rreth 450 milionë do të lëvrohen nga buxheti i shtetit ndërsa të tjerat do të vijnë përmes partnerit publik privat, pjesë e projektit “1 miliard për rindërtim”. Ministri i Infrastruktures dhe Energjisë Damian Gjiknuri e bëri të ditur në Forumin Ekonomik Shqipëri–Estoni ku tregoi edhe për projekte që do të zbatohen në sistemin hekurudhor.

Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: “Ne këtë vit po zhvillojmë dhe një procedurë të tenderimit me mbështejtje të fondeve të BE dhe një pjesë të buxhetit të shtetit, për të rehabilituar për herë të parë hekurudhen Tiranë-Durrës dhe për ta lidhur atë me aeroportin e Rinasit dhe njëkohësisht të përfundojmë dhe studimin për ndërlidhjen me Malin e Zi që shumë shpejt dhe atu të fillojmë rehabilitimin e hekurudhës, për tu lidhur me rrjetin ndërkombëtar.”

Më përfundimin e rrugëve kryesore në vend dhe rehabilitimin e sistemit hekurudhor, qeveria synon një ndërveprim më të mirë me fqinjët, gjë që pritet të ndikojë në zhvillimin ekonomik.

Blendi Klosi, ministër i Mjedisit dhe Turizmit: “Shqipëria është një vend në rajonin e mesdheut i cili kërkon që të marrë në rol shumë herë më të fortë për sa i përket lidershipit të saj në këtë zonë, duke ofruar më të kirën që ka, bukurinë natyrore.”

Në këto aspekte, ministrat e konsideruan tepër të vlefshme përvojen e Estonisë. Ata kërkuan gjithashtu bashkëpunimin e specialistëve të huaj për menaxhimin e transportit dhe trafikut në vend./abcnews.al

GJIKNURI-NE-KLOS-_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.28-1280x720.jpg
G. P.19:28 | 13/10/2018

Aksi rrugor Klos-Burrel do ti nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, i pranishëm në nisjen e punimeve tha se me rehabilitimin e rrugës banorët do të kenë përfitime dhe do të ndikojë pozitivisht në ekonominë shqiptare.

Nis puna për rehabilitimin e segmentit rrugor Burrel-Klos. Investimi në segmentin me gjatësi 18.6 km do të jetë në vlerën 3.7 milionë eurove. Projekti parashikon rehabilitimin e plotë të aksit rrugor. Për të inspektuar punimet nga afër ishte edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri. Ai tha se ka gati mbi 20 vjet që në këtë segment nuk është bërë asnjë investim.

Damian Gjiknuri, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë: “Për herë të parë po bëhet një rikonstruksion i thellë i gjithë kësaj rruge dhe realisht kjo ka qenë nga nyjet shumë të rëndësishme për ekonominë shqiptare, sepse ka edhe transportin e mallrave sidomos nga pjesa e Bulqizës drejt uzinës së Burrelit apo drejt portit të Durrësit. Nga pikëpamja strategjike kjo është një nga rrugët e rëndësishme që meritonte ndërhyrje me kohë. Ky investim serioz do ta ndihmojë shumë bashkinë e Klosit dhe bashkia e Klosit ka edhe një fat sepse me përfundimin e rrugës së Arbrit dhe me këtë lidhje të re në drejtim të Burrelit do të jetë një bashki që do të ketë një akses të jashtëzakonshëm në të gjitha drejtimet e Shqipërisë dhe komuniteti këtu do të ndjej përfitimet ekonomike”.

Ministri Gjiknuri ka edhe një përgjigje për të gjithë skeptikët që mendojnë se qeveria e ka harruar këte krahinë.

“Ne ironikisht hodhëm poshtë edhe skeptikët apo kritikët që para ca kohësh na thonin që e paskemi harruar këtë krahinë. Fatmirësisht ne për herë të parë po bëjmë një investim serioz në infrastrukturën rrugore që këtu e kanë pritur prej shumë e shumë vitesh. Unë ju uroj sukses dhe përfundim të shpejtë.”/abcnews.al

edi-rama....png
G. P.13:45 | 11/10/2018

Kryeministri Edi Rama inspektoi punimet që po kryhen në Rrugën e Arbrit. Ai i kërkoi kompanisë ndërtuese që pranverën e vitit 2021 punimet të kenë përfunduar. Nëse qeveria tregohet korrekte me pagesat sipas përfaqësuesit të firmës, rruga mund të jetë gati dhe më herët.

Mes batutash ia lanë nga një porosi njëri-tjetrit. Bëhet fjalë për përfundimin e Rrugës së Arbrit që do të lidhë Peshkopinë me Tiranën në më pak se një orë. Punimet që po kryhen, kryeministri Edi Rama i inspektoi bashkë me ministrin e Infrastrukturës Damian Gjiknuri, për të cilin kjo rrugë dëshmon efektivitetin e Partneritetit Publik –Privat.

“Meqë jemi dhe në kuadër të PPP-ve, kjo është prova e parë që po ecim me ritëm edhe më të shpejtë se sa projektet që paguhen me buxhetin e shtetit. Veprën mund ta fillosh ti, por vepra mund të shkojnë dhe 10 vjet siç kanë vajtur. Me këtë ritëm që kanë këta do bëhet për aq kohë sa e kemi parashikuar”, u shpreh ministri.

Thuajse në të gjithë gjatësinë e rrugës po punohet. Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar sqaron se aktualisht janë investuar mbi 25 milionë euro.

“Janë 35 kilometra dhe punohet aktualisht në 29. Në këtë 14 kilometërshin që jemi aktualisht, kanë mbaruar dy ura, nga ura e Çerenecit e deri në Bllatë e është duke u punuar në dy ura të tjera. Nga 4 tunele, një tunel 500 metra ka mbaruar së hapuri si galeri dhe në të gjithë tunelet e tjera është duke u punuar”, tha Qendro.

Ndërtimi i urave dhe tuneleve i shpjeguan inxhinierët kryeministrit mbetet pjesa më e vështirë e kësaj vepre. Ndërsa shefi i qeverisë nga ana e tij u ndal te panorama që rruga do të ofrojë në përfundim të saj.

“Do jetë një rrugë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e aseteve dhe vlerës që do krijohet në zonat rreth e rrotull. Është fantastike për agroturizëm, për bujqësi. Është Shqipëri e pazbuluar kjo pjesë”, theksoi kryeministri.

Rruga e Arbrit, si pjesë e rrugës së vjetër Egnatia dhe tashme pjesë  e Korridorit 8, është një nga investimet më të rëndësishme për modernizimin e infrastrukturës rrugore të vendit. Investimi kap vlerën e 240 milionë eurove ndërsa punimet po kryhen ne Partneritet Publik-Privat./abcnews.al

qendrooo.jpg
G. P.14:31 | 12/09/2018

Dy ministrat Bushati dhe Gjiknuri bashkë me Drejtorin e ARRSH inspektuan punimet e sapo filluara në rrugën Shkodër-Muriqan. Ata u thanë gazetarëve se do të investohen miliona euro për disa rrugë të këtij qarku.

Rreth 4.5 milionë euro do të kushtojnë investimet në infrastrukturën rrugore në disa zona të rëndësishme të Shkodrës. Lajmin e dha Drejtori i Autoritetit Rrugor, Afrim Qendro. Bashkë me të ishin ministri i Infrastruktuës, Damian Gjiknuri dhe ministri i Jashtëm njëkohësisht deputet i qarkut, Ditmir Bushati, inspektuan punimet e saponisura në rrugën Shkodër- Muriqan.

“Ne në këtë projekt jemi në një projekt mirëmbrajtjeje dhe nuk kemi vendosur mbikalime ose nënkalimesh këmbësore, por kemi zgjidhur të gjitha nyjet ku ka qenra banimesh me sinjalistikë të plotë”, tha Qendro.

Nga ana tjetër, dy ministrat thanë se këto investime synojnë që të ndikojnë në përmirësimin e rrjetit rrugor të Shkodrës sidomos në nyjet hyrëse dhe dalëse.

“Fokusi i përmirësimit të infrastrukturës shtrihet në dy drejtime. Një është investime të reja në segmente të reja rrugore. Së dyti është një paketë intensive investimesh në mirëmbajtjen e rrugëve. Siç është kjo rrugë që kishte filluar amoritzimin dhe është shumë e rëndësishme për turizmin”, tha Gjiknuri.

“Kjo është një rrugë shumë e rëndësishme siç tha edhe ministri dhe drejtori përsa i përket sigurisë rrugore. Është edhe elementi ndërlidhës me Malin e Zi. Siç dihet ka një angazhim tonin dhe të Malit të zi për menaxhimin e përbashkët kufitar”, u shpreh Bushati.

Kurse në lidhje me By Passin e Shkodrës drejtori i Autoritetit Rrugor akuzoi bashkinë e Shkodrës për mosdhënie të dritës jeshile për përfundimin e tij.

“Bashkia Shkodër ka ndryshuar qëndrimin, natyrisht ky projekt të rishikohej. E kemi parë e kemi sjellë dhe jemi në një moment që Bashkia duhet të shprehet”, tha Qendro.

Punimet në aksin Shkodër-Muriqan, Shkodër-Mjedë, Hani i Hotit-Tamarë janë pjesë e programit të Bankës Botërore për mirëmbajtjen e rrugëve të vendit./abcnews.al

GJIKNURI-PER-RRUGEN-E-LINIT-ABC-5-T1.mpg_snapshot_00.39-1280x720.jpg
G. P.11:49 | 01/09/2018

Pas vitesh i rrënuar, aksi prej 16 kilometrash që lidh Linin me Pogradecin ka përfunduar. Në inaugurimin e punimeve në këtë rrugë ishte i pranishëm ministri Gjiknuri.

Kanë përfunduar punimet në rrugën që lidh Linin me Pogradecin. Rruga kishte mbetur për disa vite pa zgjidhje edhe pse e hapur si kantier ndërtimi. Për inaugurimin e punimeve në aksin 16.5 kilometra shkoi vete Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro.
Gjiknuri vlerësoi transformimin që i ka sjellë zonës ky aks rrugor i shoqëruar edhe me ndërhyrjen për pastrimin e vijës së liqenit nga ndërtimet pa leje.

“Po të kthejmë kokën përpara pak vitesh, kjo pamje e liqenit, pra mbi 16 kilometra ka qenë totalisht tjetër. Një rrugë e ngushtë, e shkatërruar dhe një liqen tërësisht i zënë nga ndërtimet pa leje. Sot që flasim kemi një breg të liqenit tërësisht të transformuar, një nga veprat më të bukura. Kushdo që do të vijë në Pogradec, një qytet që ka shumë atraksione turistike do të shohë një nga rrugët më të bukura të realizuara në vendin tonë. Ky do të jetë standardi i qeverisë shqiptare për të gjitha rrugët e reja dhe kantieret që ne po hapim dhe që do ti përfundojmë në këto 3-4 vitet e ardhshme të qeverisjes sonë”.

Ndërsa Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Qendro, sqaroi se kjo rrugë është e kategorisë C1 me të gjitha elementët e sigurisë rrugore.
Gjiknuri dhe Qendro, më pas inspektuan edhe punimet që po vazhdojnë në tunelin panoramik në hyrje të qytetit të Pogradecit./abcnews.al

gjiknur.jpg
G. P.11:34 | 01/08/2018

Më shumë linja transporti me Korfuzin dhe në një të ardhme të afërt edhe një aeroport në Sarandë. Kështu është shprehur ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, gjatë vizitës në disa biznese të reja hotelerie në Sarandë dhe Ksamil.

Rritja e numrit të turistëve në jug të vendit ka nxjerrë në pah kërkesën për shtim të linjave të transportit me Greqinë, madje edhe planifikimin e ndërtimit të një aeroporti në Sarandë.

Në këtë përfundim arriti ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, në takimin me operatorë turistikë në Sarandë e Ksamil.

“Pra më shumë linja transporti me Korfuzin, pse jo në të ardhmen e afërt edhe një aeroport në Sarandë. Shpresojmë që me partneritet të huaj, të kemi mundësinë të ngremë një aeroport turistik në Sarandë. Ne po punojmë, Saranda e ka këtë mundësi dhe do të ofrojë një ekonomi shkalle të tillë që ta justifikojë bërjen e një aeroporti turistik”, tha Gjiknuri.

Sipas ministrit Gjiknuri, zgjatja e sezonit turistik do të mund të krijojë mundësinë për të gjetur edhe fuqi punëtore më të përgatitur, e cila të ofrojë shërbimet në këto zona. Në emër të qeverisë tha se investimet në zonat bregdetare kanë nisur dhe do të vazhdojnë me qëllim mbështetjen e sektorit të turizmit./abcnews.al

etilda-gjonajjjj.jpg
G. P.14:02 | 30/07/2018

Janë hapur për herë të parë në Bashkinë Himarë, sportelet e Zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka njoftuar se nga data 15 Gusht do të fillojë shpërndarja e 815 certifikatave të pronësisë, të parat për banorët e fshatit Dhërmi.

Nuk do të shkojnë më në Vlorë e në Sarandë. Banorët e Himarës dhe fshatrave përrreth për të marrë shërbime që lidhen me pronat e tyre. Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme ka hapur në Bashkinë e Himarës një degë të saj, me sportele të dedikuara.

Për Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Damian Gjiknuri, kjo zyrë ka qenë një premtim i qeverisë, sot i mbajtur.

“Realisht ka qenë një premtim i qeverisë, një premtim i mbajtur. Nuk është i vetmi pasi qytetarët e Himarës e dinë se shumë shpejt do të hapet edhe zyra e shërbimit të transportit rrugor. Tashmë është përzgjedhur personeli dhe për pak ditë do të bëhet gati edhe zyra, pra pjesa logjistike dhe ky shërbim do të ofrohet në Bashkinë e Himarës. Me vendimin e fundit të marrë nga qeveria shqiptare në lidhje me problematikat e trashëguara të shtëpive të vjetra në Himarë, ky problem do të marrë zgjidhje. Pra, qytetarët himariotë, të cilët për shkak të mangësive të dokumentacionit të trashëguara edhe para viteve ‘90 nuk kanë pasur dokumentacion, shumë shpejt do të pajisen me certifikatat e shtëpive të tyre”, tha ai.

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka dhënë edhe një tjetër lajm për banorët e fshatit Dhërmi, për të cilët ZRPP ka mundësuar regjistrimin fillestar të pronave të këtij fshati.

 “Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme ka mundësuar regjistrimin fillestar të pronave të fshatit Dhërmi, që janë 815 pasuri, të cilat që nga 15 gushti do të mundet të marrin certifikatat e pronësisë. ZRPP e ka bërë këtë si një projekt pilot, për ta shtrirë më pas regjistrimin fillestar në të gjitha zonat që i përkasin bashkisë së Himarës. Kjo zyrë ka një vlerë të shtuar për shkak të këtyre shërbimeve të shtuara që do të duhet t’u ofrohen banorëve të zonës, me qëllim njëherë e mirë t’u japim zgjidhje të gjitha problematikave të paraqitura deri tani lidhur me titujt e pronësisë”, ka thënë Ministrja e Drejtësisë.

Fshati Dhërmi përbëhet nga 815 pasuri me një sipërfaqe 30 mijë m² dhe është zona e parë në pjesën e bregut për të cilën mund të lëshohen certifikata pronësie./abcnews.al

gjiknuriii.jpg
G. P.14:01 | 29/07/2018

Gjatë vizitës së zhvilluar në Pikën e Aventurës të hapur në plazhin e Jalës, ministri i Energjisë Damian Gjiknuri tha se synimi i sipërmarrjeve te ekzekutivit është zgjatja e sezonit turistik në vend. Ndërsa për ministrin Klosi sfida është që tashmë turizmi të shikohet si ekonomi. 

Jugu i vendit tonë kësaj verë nuk ofron vetëm bukuritë batyrore, por edhe emocionet e aventurave të organizuara. Pikërisht për këtë në plazhin e Jalës është hapur Pika e Aventurës (Adventure Point).

Pika e ngritur me mbështetjen e pjesshme të GIZ Shqipëri, synon t’u ofrojë vizitorëve vendas e të huaj mundësinë e përfshirjes në aktivitete sportive si ngjitje në mal, Jeep Safari, kajak, zhytje, stand-up paddle, mountain biking etj, edhe përtej sezonit të verës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, njëkohësisht deputet i zonës tha se synohet zgjatja e periudhës së sezonit turistik në vend.

“Që turizmi në jugun e Shqipërisë të jetë një paketë e diversifikuar, pra jo vetëm plazh por të ketë sporte të kombinuara dhe me bukuri të tjera të natyrës. Qëllimi është që të zgjatet sezoni turistik, të vijnë njerëz që i pëlqejnë këto sporte, të vijnë të huaj të cilët nuk duan vetëm bregdetin shqiptar, por duan të kenë një paketë më të diversifikuar. Unë kam kënaqësi që e mbështes këtë iniciativë dhe jami bindur që kjo do të shtrihet në shumë pika të tjera të zonës”, tha ai.

Në vlerësimin e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, sfida është që tanimë turizmi të shihet si një ekonomi.

“Sot akoma jemi në fazën që turizmi trajtohet si një shërbim. Ne padyshim nëqoftëse nuk e kthejmë turizmin në një ekonomi, ekonomi e cila prodhon të mira, prodhon para, prodhon punësim nuk do jemi aty ku duhet. Siguria në plazhe dhe pastërtia në plazhe këtë vit është shumë herë më mirë se një vit më parë, por ama kemi nevojë që të vazhdojmë dhe të edukojmë qyetarët shqiptarë për aksionet tona të mëdha në kuadër të mbajtjes pastër të plazheve”, tha Klosi.

Ministrat ndoqën disa aktivitete të tjera të zbatuara nga GIZ Shqipëri, financuar nga qeveria gjermane në kuadër të projektit “Krijimi i mundësive duke mbrojtur trashëgiminë dhe natyrën”, mbështetur tek popullsitë e Vlorës, Himarës e Konispolit për një zhvillim të integruar të bregdetit të jugut.

Ministri Gjiknuri inspektoi edhe punimet që po kryhen për asfaltimin e rrugës së fshatit Pilur duke vlerësuar se zhvillimi i infrastrukturës tanimë do zhvendoset edhe drejt fshatrave.

/abcnews.al

damian-gjiknurrr.jpg
G. P.13:04 | 21/07/2018

Zona turistike e Gjirit të Lalëzit shumë shpejt do të ketë një nënstacion të ri elektrik, që pritet t’i japë fund problemeve të furnizimit me energji elektrike. Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, paralajmëroi investime të ngjashme edhe në zonat e tjera turistike, si ajo e Orikumit, apo Velipojës.  

Në zonën turistike të Gjirit të Lalëzit po vijon puna për ndërtimin e nëntacionit të ri elektik. Investimi në vlerën 458 milionë lekë është kryer në masën 40% deri më tani dhe pritet të përfundojë plotësisht në fillim të vitit të ardhshëm. Paralelisht me këtë investim, Operatori i Sistemit të Transmetimit po ndërton linjën 110 kV Sallmone-Gjiri i Lalëzit.

Ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, bashkë me administratorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, Adrian Çela, inspektuan kantierin, ku po punohet për ndërtimin e nënstacionit të ri të Gjirit të Lalëzit.

“Është një zonë, e cila është që nga koha e elektrifikimit e paprekur, e painvestuar, përsa i përket energjisë elektrike. Ka nisur fazën e parë që është realizimi i këtij nënstacioni dhe do të pasohet me fazën e dytë në fund të vitit, me zhvillimin e rrjetit  20 kilovolt që është një investim tjetër rreth 1 miliard lekë të reja, ku parashikohen rreth 10 fidera të linjës 20 kilovolt dhe zgjidhin përfundimisht problemin e energjisë elektrike të gjithë kësaj zonës, jo vetëm të Gjirit të Lalzit, të fshatrave përreth, Hamallaj e Ishëm. Paratë që qytetarët paguajnë për konsumin e energjisë elektrike, Operatori ia kthen qytetarëve me cilësi shërbimi me investime me një furnizim më të mirë të energjisë elektrike”.

Ndërsa ministri Gjiknuri u ndal tek filozofia me të cilën tanimë do të strukturohet plani i investimeve që do të kryhen në rrjetin elektrik me përparësi turizmin.

“Investimet në këtë fazë do të fokusohen në dy drejtime:  Një, duke i paraprirë zhvillimeve të mundshme apo duke investuar në ato zona që kanë potencial të madh të rritjes ekonomike, siç janë zonat me përparësi turizmi. Këtu jemi në një nga zonat, por njëkohësisht do të investohet në zonën e bregut, në zonën e Orikumit dhe në bregdetin e Velipojës në mënyrë që i gjithë brezi ku pritet një investim i madh në fushën e turizmit dhe ku do të ketë aktivitet ekonomik të shtuar do të mbulohet me një furnizim bashkëkohor të energjisë elektrike”, u shpreh ministri Gjiknuri.

Sipas tij, objektivi i dytë është kryerja e investimeve në ato element që çojnë në mirëmenaxhimin e kompanisë, si në sistemet e matjes, në sistemet e menaxhimit të flukseve të energjisë në mënyrë që të administrohen më mirë të ardhurat nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike që do të bëjnë të mundur në të ardhmen edhe fillimin e hapave të parë të liberalizimit të tregut të energjisë elektrike. Deri më tani OSHEE ka investuar mbi 1.5 miliardë lekë për infrastrukturën energjetike nga Gjiri i Lalzit, e deri në Golem të Kavajës./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono