Champions

barcelona-lyon-130319v.jpg
G. P.12:25 | 14/03/2019

Lionel Messi iu përgjigj Cristiano Ronaldos, duke shënuar dy gola e duke shërbyer dy asiste, në suksesin e Barcelonës ndaj Lionit. Katalanasit duan të fitojnë çdo trofe këtë sezon.

Nuk priti gjatë për t’u përgjigjur. Cristiano Ronaldo ishte njeriu i mbrëmjen në Champions, të martën, por Lionel Messi e zëvendësoi mbrëmjen e së mërkurës. Pasi Ronaldo realizoi paraqitjen e jashtëzakonshme ndaj Atletikos, me 3 gola në fitoren 3-0 të Juventusit, Messi iu përgjigj me dy gola dhe dy asistë në suksesin 5-1 të Barcelonës ndaj Lionit.

Edhe pse niveli i rrezikut për katalanasit nuk ishte sa ai i Juventusit, sërish fitorja e tyre dhe paraqitja e argjentinasit, ishin mbresëlënëse. Spektakli i Mesit nisi në momentin më të vështirë të ekipit. Shënoi me aksion personal golin e tretë, duke mos lejuar rrezikimin e fitores.

Më pas shërbeu asistin për Gerard Pique-në që shënoi golin e katërt, por nuk u mjaftua me aq. Dha edhe asistin për golin e pestë, nga Ousmane Dembele. Kapiteni i katalanasve ka tani 108 gola në Champions, ndaj 125 të Ronaldos, kjo edhe për shkak se ka luajtur shumë më pak ndeshje se portugezi (131 ndaj 166).

Mesi ka 8 gola në 6 ndeshje këtë edicion në Champions, dhe 36 rrjeta në 36 paraqitje në sezon si total. Argjentinasi po i drejtohet vitit të 10-të sportiv me të paktën 40 gola të shënuar, por gjithsesi, nuk harroi të vlerësonte lart rivalin Ronaldo.

“Ishte një fitore e madhe e jona, – tha Messi, – e realizuam misionin tonë, ndërsa për çerekfinalet nuk kam parashikim, të na bjerë kush të na bjerë. Sa për Cristianon, ajo që ndodhi me të dhe me Juventusin ishte e jashtëzakonshme. Cristiano pati një natë magjike me 3 gola”.

Messi u vlerësua lart edhe lojën në mbrojtje, dhe një tifoz postoi një video të argjentinasit duke ndihmuar ekipin ndaj Lionit. Falë kapitenit, Barcelona lufton në çdo kompeticion, e shkëputur në krye të La Ligës, e kualifikuar në finale të Kupës së Mbretit në Spanjë, dhe tani në çerekfinale të Championsit.

“El Mundo Deportivo”: Manitë e Zotit, por titulli ka dy kuptime, pasi dy shkronja jepen me numrin 10 që Mesi mban në shpinë! Mesi sipëror me dy gola dhe dy asiste!

“Sport”: Dridhet Europa! Barça kualifikim madhështor për në çerekfinale!

Gazeta “Marca” vlerëson: Barça si ciklon! Pasi rrezikoi me rezultatin 2-1, ekipi i Valverdes shpërtheu ndaj Lionit!

Suksesi i katalanasve u arrit edhe falë penalltisë së fituar pa të drejtë nga Suarezi, dhe shënuar me stilin “Panenka” nga ana e Messi-t. Po ashtu, nga goli i Coutinho-s shërbyer nga Suarezi, ndërsa Lioni thjesht shkurtoi diferencën përkohësisht në 1-2. Publiku në “Camp Nou” festoi gjatë dhe me të drejtë, me skuadrën që po hyn në formën më të mirë në fazën vendimtare të sezonit./abcnews.al

griezman.jpg
G. P.13:05 | 12/03/2019

Juventusi pret Atletikon sonte në orën 21:00, në një sfidë vendimtare për kualifikimin në çerekfinale të Championsit. Skuadra spanjolle jepet favorite pas fitores 2-0 në ndeshjen e parë

Gjithë shpresa duket se është tek ai. Juventusi pret që Cristiano Ronaldo ta udhëheqë drejt një përmbysjeje të madhe në Champions ndaj Atletikos, dhe superylli portugezi di sesi shënohet kundër madrilenëve. Ronaldo shënoi 22 gola në 31 ndeshje ndaj Atletikos, kur ishte tek Reali, disa prej tyre pikërisht në Ligën e Kampionëve, ndërsa fitoi gati gjysmën e përballjeve.

Italianët do të luajnë sonte në orën 21:00, në Torino, pas humbjes 0-2 në Madrid, diçka që e vështirëson shumë kalimin në çerekfinale, por CR7-ta mbetet me besim të plotë.

“Fituam Superkupën ndaj Milanit, jemi në krye të kampionatit, dhe objektivi ynë, natyrisht, është edhe Championsi, – tha ai, – Jemi të përqëndruar vetëm tek Atletiko. Ne jemi të fortë dhe kemi besim. Duhet të jetë një mbrëmje speciale. Tifozëve dua t’u them që të mendojnë vetëm në mënyrë pozitive, është e mundshme, por kemi nevojë për mbështetjen e tyre”.

Kampionët e Italisë, sidoqoftë, do të jenë pa Douglas Costa-n, po ashtu do të mungojnë Khedira, Barzagli, De Sciglio dhe Cuadrado.

Trajneri juventin, Allegri, gjithsesi, nuk mendon për problemet.

“I kemi mundësitë për përmbysje, – thotë tekniku, – nëse ia dalim, do të jetë një sukses i jashtëzakonshëm, ndonëse duhet të jemi të kujdesshëm dhe të zgjuar. Nuk dua të dëgjoj se kjo është ndeshja e vitit, sepse do të na prishte punë. Atletiko është një nga skuadrat më të forta të Europës në 10 vitet e fundit, por edhe ne jemi Juventusi dhe duam të realizojmë objektivin”.

Atletiko zbriti në Torino, gjithashtu me besim. Nën drejtimin e trajnerit Simeone, spanjollët po zhvillojnë një sezon pozitiv, duke qenë të dytët në kampionat, dhe pranë çerekfinaleve. Me lojtarë të rëndësishëm si Grizman, Koke, Morata apo portieri Oblak, madrilenët kanë potencial të madh, ndërsa lajmi i mirë është kthimi i mbrojtësit Godin.

Mungesat e vetme të rëndësishme janë ato të Filipes, Lucasit e Diego Costa-s.

“Nuk kemi asgjë të garantuar për kualifikimin, – janë fjalët e argjentinasit, – sot luajmë pjesën e dytë të së njëjtës ndeshje, dhe duhet të jemi me kokën ulur e me këmbët në tokë. Juventusi është një skuadër e madhe, dhe nuk është vetëm Kristiano Ronaldo, por ka edhe shumë kampionë të tjerë. Kemi një avantazh, por asgjë më shumë, ndërsa synimi ynë është që të kualifikohemi patjetër”.

Atletiko jepet favorite për t’u kualifikuar, ndërsa ndeshja do të jetë e veçantë për Alvaro Morata-n, lojtar i Juventusit për dy sezone, gjatë të cilave fitoi dy tituj dhe arriti një finale Championsi./abcnews.al

PRAG-PARIS-SG-MANCESTER-JUNAJTID.mpg_snapshot_00.03-1280x660.jpg
ent ela14:51 | 06/03/2019

Mançester Junajtid do të kërkojë të shkaktojë një të papritur të madhe në Champions. Skuadra angleze luan sot në fushën e Paris Sen Zhermenit, dhe ka besim ndonëse ndeshjen e parë e ka humbur 0-2.

Si mundet që të realizohet përsëri një përmbysje e tillë? Mançester Junajtid do të ndodhet sonte ndaj Paris SG, në të njëjtën pozitë si në finalen e Championsit ndaj Bajernit 20 vjet më parë, kur ktheu rezultatin dhe fitoi.

Skuadra angleze e ka njërin nga protagonistët, autori i golit të dytë Ole Gunar Solskjer, është sot trajneri i saj, por ja ku vjen edhe i dyti.

Ish-trajneri Sër Aleks Ferguson u bashkua me ekipin në udhëtimin e tij drejt Parisit, në përpjekje për të ringjallur frymën e vitit 1999.

Le ta themi që në fillim se nuk do të jetë e lehtë, dhe jo vetëm nga rezultati 0-2 I sfidës së parë në “Old Traford”.

Anglezët janë në Francë pa plot 10 lojtarë.

Pol Pogba është i pezulluar, dhe Marsial, Aleksis Sançez, Matiç, Lingard, Mata, Herrera, Valensia, Xhons dhe Darmian janë të dëmtuar.

Gjithsesi, Solskjer foli pa asnjë fije dyshimi në prag të duelit të sotëm të orës 21:00.

“Asnjë mision nuk është i pamundur, – tha norvegjezi, – ne ia kemi dalë shumë herë në historinë tonë, edhe këtë sezon kemi mundur Çelsin, Totenhemin apo Arsenalin. Në Europë, e kanë bërë Juventusi me Realin apo Barcelona me Paris SG. Është një detyrë e vështirë, por mund t’ia dalim”.

Gjithsesi, po këtë besim kanë edhe kundërshtarët, dhe si mos ta kenë.

Suksesi 2-0 në Angli nuk ishte rastësor, dhe parizienët besojnë se më në fund kanë jo vetëm talentin, por edhe përvojën e duhur për ta tentuar Championsin.

Nejmar e Kavani do të mungojnë përsëri, veçse fitoret po arrihen prej kohësh pa ata, nën udhëheqjen e yllit të ri, Kilian Mbape.

Shpresat e kryeqytetit të Francës janë pikërisht tek 20-vjeçari kampion i botës, por edhe tek personaliteti i të tjerëve si Bufon, Tiago Silva, Di Maria, apo Verrati.

Trajneri Tomas Tuhel flet duke bërë kujdes.

“Përpara nesh është një sfidë e madhe, – tha gjermani, – Junajtid është një skuadër e fortë, dhe Solskjer është një profesionist I madh, siç ishte si futbollist. Realiteti është ky dhe ne duhet të jemi të përgatitur. Kemi hedhur hapin e parë, por tani duhet ta përfundojmë punën siç duhet”.

Parashikimet janë që të gjitha në favor të vendasve për t’u kualifikuar për në çerekfinale, ndonëse suksesi në futboll nuk arrihet nga ato që thuhen përpara vërshëllimës së gjyqtarit, por nga ajo që ndodh në fushë. /abcnews.al

afp-afp_1e96fe.jpg
ent ela11:59 | 06/03/2019

Protestë e tifozëve në Madrid pas eleminimit të Realit nga Championsi. Kampionët e Europës u turpëruan nga Ajaksi, duke u mundur 4-1 në fushën e tyre.

Nuk mund të habitet kush nga kjo kryengritje. Tifozët e Realit rrethuan stadiumin “Santiago Bernabeu”, në një protestë pas turpit ndaj Ajaksit.

Madrilenët u eleminuan nga Championsi, dhe futbollistët u larguan sikur po arratiseshin, për t’i shpëtuar zemërimit të përkrahësve të tyre. Reali nuk do ta mbrojë titullin kampion të Europës, pasi e fitoi tri herë radhazi në vitet 2016-2018.

Nuk u eleminua nga ndonjë superfuqi e sotme, si Juventusi, Barcelona, Liverpuli, Paris SG apo Mançester Siti, por nga një lavdi e vjetër dhe që nuk mendohej se mund t’ia dilte, nga Ajaksi.

Dalja e Madridit nga Championsi ishte e denjë për një ndryshim epokal, pas një katastrofe të vërtetë, humbjes 1-4 ndaj skuadrës pa përvojë holandeze.

Zijah e Neres i dhanë epërsinë e hershme 2-0 Ajaksit që në minutën e 18-të, ndërsa Reali kurrë më parë në Champions nuk kishte pësuar kaq shpejt dy gola.

Dushan Tadiç shënoi një gol të madh, veçse pas polemikave në minutën e 62-të, ndërsa trajneri Solari kishte mbetur pa Vinisiusin dhe Lukas Vaskezin të dëmtuar.

Asensio u duk se dha shpresë me golin e minutës së 70-të, ndonëse Realit i duheshin tre rrjeta gjithsej. Fund i iluzioneve ishte goli i madh i Lase Shones shumë shpejt, në minutën e 72-të.

Ajaksi mori hakun ndaj madrilenëve pas shumë zhgënjimeve radhazi, e kalon në çerekfinale, duke kapërcyer edhe humbjen 1-2 në Amsterdam.

Tifozët në stadium lëshuan edhe thirrje “Florentino dorëhiqu”, ndërsa gazetat bënë pyetjen: Çdo të ndodhë deri në fund të sezonit?

“Këtu vdiq një ekip që bëri histori”, ishte titulli kuptimplotë i gazetës “Marka”, që shton se ky ishte një fund turpërues i një cikli të papërsëritshëm!

“Javë tragjike, – komenton “AS”, – në 6 ditë Reali mbeti pa kupën, kampionatin dhe Championsin”!

Që nga 17 shkurti, Reali i Madridit kaloi nga “purgatori” në “ferr”.

Bilanci i skuadrës më të madhe të historisë, në 3 javët e fundit është e denjë për cilindo ekip të fundit të renditjes, me dy humbje e një fitore në La Liga, një humbje me eleminim në Kupën e Mbretit dhe një humbje po me eleminim në Champions.

Nëse mbledhim golat, bilanci është edhe më turpërues, plot 4-11.

“Unë jam këtu për të punuar, – iu përgjigj trajneri Solari, pyetjes për dorëheqje, – duhet të jemi profesionistë dhe të kthehemi në punë që të nesërmen. Nuk kam ardhur këtu që të lë në baltë klubin në një moment kaq të vështirë”.

Mediat raportojnë se presidenti Perez i ka dhënë besimin trajnerit deri në fund të sezonit, kur besohet se do të synohet të merret Poçetino nga Totenhemin.

“Ishte një ndeshje e madhe nga ana jonë, ishte shumë pranë përsosmërisë, – ishin fjalët e trajnerit holandez, Ten Hag, – besoj se e merituam kualifikimin, dhe mendoj se kemi arsye të synojmë gjysmëfinalet”.

Ajaksi është pesë herë kampion i Europës, por do të ishte një mrekulli nëse do t’ia dilte të fitonte Championsin me një skuadër kaq të re. /abcnews.al

ajax-real-madrid.jpeg
ent ela17:14 | 05/03/2019

Reali i Madridit pret sot Ajaksin në ndeshjen e dytë në Champions, në një duel vendimtar për sezonin. Pas dështimeve në Spanjë, Europa mbetet shansi i fundit për trofe.

Pritja e së shtunë ishte madhështore. Futbollistët e Realit u brohoritën si heronj ndërsa mbërritën në “Bernabeu” për ndeshjen e La Ligës ndaj Barcelonës, veçse pas dy orësh gjithçka u përmbys.

Skuadra pësoi humbjen e dytë në 4 ditë ndaj Barçës, humbën shanset në kupë dhe kampionat, dhe tifozët shpërthyen në sulme të ashpra. Tashmë gjithkush e di se Championsi mbetet shpresa e fundit.

Ndaj Ajaksit sot në “Bernabeu” luhet për jetë a vdekje, ndonëse fitorja e parë në Holandë e bën shumë më të lehtë pozitën e madrilenëve. “Këtu mbërthehet Madridi”, shkruan gazeta “Marka”, duke nënkuptuar se Championsi është shansi i vetëm i mbetur për trofe në këtë sezon.

“Duhet një plumb, por është si një predhë topi”, komenton gazeta tjetër madrilene, “AS”, që shton se Madridi është në dilemën “të jesh apo të mos jesh, madje pa Sergio Ramosin në mbrojtje”. Kapiteni është mungesa e vetme për trajnerin Santiago Solari, i cili ka mundësi të zgjedhë formacionin më të mirë të mundshëm, minus qendërmbrojtësin. Gjithsesi, Solari ndihet i shqetësuar për diçka tjetër.

“Federata Holandeze u tregua siç duhet, dashamirëse, ndaj Ajaksit, duke ia shtyrë ndeshjen e kampionatit, – tha ai, – pra, kundërshtari ka pasur më shumë kohë për të pushuar. Kemi luajtur më shumë ndeshje se ata, por le të jepi optimistë, jemi mësuar me këto kushte”. Ajaksi udhëtoi drejt Madridit pa presion.

Holandezët nuk janë favoritë, madje u lavdëruan për lojën që zhvilluan në ndeshjen e parë të turit të dytë në “Johan Krujf Arena”. Skuadra më e shquar e Holandës është inferiore ndaj spanjollëve, dhe ka humbur radhazi prej saj, por ky duket fati i saj, sepse kurrë nuk e ka gjetur Realin në një moment kaq të keq.

Trajneri Ten Hag është në të njëjtën gjendje si përpara sfidës së parë, me dy mungesa, ato të qendërmbrojtësit Magajan dhe të mesfushorit Eiting. Reali, gjithsesi, jepet favorit i madh jo vetëm për t’u kualifikuar, por edhe për të fituar, ndonëse presioni do të jetë tepër i madh./abcnews.al

PRAG-MANCESTER-JUNAJTID-PARIS-SG-1280x720.jpg
ent ela12:43 | 12/02/2019

Mançester Junajtid pret Paris Sen Zhermenin, në një duel të madh të Championsit, sonte në mbrëmje. Skuadra angleze jepet favorite për të fituar ndaj kampiones së Francës, që ka të dëmtuar disa nga lojtarët kryesorë.

Nuk ka kohë më të mirë sesa kjo për të synuar çerekfinalet. Championsi rikthehet me një përballje të madhe, dhe tifozët e Mançester Junajtidit besojnë se me këtë trajner, Ole Gunar Solskjerin, mund t’ia dalin ndaj Paris SG.

Dhjetë fitore në 11 ndeshje në Angli e kanë transformuar skuadrën dikur në krizë të Zhoze Murinjos.

Simboli i kthesës nuk mund të ishte tjetër përveçse Pol Pogba, një nga yjet më të mëdhenj të botës, që po shënon gola e po ndihmon shokët që të realizojnë.

Për më tepër, Solskjeri ka në dorë një skuadër thuajse pa mungesa, me mbrojtësin Lindelof të rikthyer, dhe vetëm me mbrojtësin tjetër, Markos Roho, në dyshim.

“Jemi në momentin më të mirë për të luajtur ndeshje të tilla, – thotë trajneri, – kjo, sepse po luajmë shumë mirë dhe po fitojmë. Kemi besim në vetvete dhe po luajmë si skuadër. Kjo është koha më e mirë për të luajtur një duel të tillë. Tifozët dhe lojtarët mezi i presin përballje si kjo”.

Paris SG udhëtoi drejt Anglisë me moral të lartë, të paktën në dukje.

Pavarësisht mungesave, nuk mungojnë emrat e mëdhenj si Bufoni, Mbape, Tiago Silva, Dani Alvesh, apo Marko Verrati.

Francezët kanë probleme të mëdha me dëmtimet, dhe kjo në momentin më të keq.

Përveç Nejmarit, mungon edhe shënuesi kryesor i klubit, Edinson Kavani, si dhe mbrojtësi Tomas Mënie.

Trajneri Tomas Tuhel shpreson që Marko Verrati të jetë në gjendje të luajë sërish titullar, ashtu siç bëri në kampionat ndaj Bordosë, ndërsa sapo është kthyer nga dëmtimi.

Edhe forma e parizienëve nuk ka qenë e mirë, dhe në tre ndeshjet e fundit kanë një humbje në fushën e Lionit, një kualifikim me kohë shtesë në Kupën e Francës ndaj një ekipi të vendit të tretë, dhe një fitore 1-0 në kampionat ndaj Bordosë, falë një penalltie.

“Do të kemi një nga sfidat më të vështira në “Old Traford”, – u shpreh Tuheli, – Mançester Junajtid është në formë shumë të mirë nën drejtimin e Solskjerit dhe po fiton shumë ndeshje. Ne në Gjermani themi se kur doktori të shëron, ai ka të drejtë, dhe Solskjer duket se e ka shënuar skuadrën e tij. Për fat të keq, situata jonë ka ndryshuar krejtësisht, por besoj se shanset për kualifikim janë 50 me 50”.

Junajtid jepet favorit për fitoren me koeficientin 2.35 ndaj 3.00 të francezëve, por Paris SG, gjithsesi, vlerësohet si favorit për kualifikimin. /abcnews.al

SHORTI-I-CHAMPIONSIT.mpg_snapshot_00.31-1280x720.jpg
G. P.19:17 | 17/12/2018

Çifte të mëdha dolën nga shorti i turit të dytë të Ligës së Kampionëve. Gjithsesi, disa skuadra të mëdha si Reali, Barcelona apo Mançester Siti patën fat nga goglat.

Liverpool-Bayern, Atletico Madrid Juventus dhe Manchester United-PSG ishin sfidat më delikate që rezervoi edhe shorti për 1-16 e finaleve në UEFA Champions League. Skuadra potenciale e këtij edicioni për këtë trofe, Juventus do t’i duhet të kalojë një ferr të vështirë siç është fusha e “Vincente Calderon” ku Simeone do të kërkojë të ndalë furine e madhe juventine të deritanishme. Një tjetër përplasje klasike është ajo mes Liverpool-it dhe Bayern. Klopp do të rigjejë sërish përballë bavarezët këtë herë me një stil e profil tjetër kompeticioni dhe loje.

Mourinho me Manchester-in edhe ata me një shuplakë nga goglat pasi përballë do të kenë PSG. Do ti duhet të bëjnë shumë në takimin e parë në mënyrë që të kalojnë sa më lehtë të mundshëm sfidën në Paris. Goglat e shortit kanë përkëdhelur dukshëm Manchester City-n dhe Barcelonën. Guardiola do të ndeshet me Schalken dhe takimin e parë do e luajë në Gelsenkirchen, ku do të kërkojë të mbyllë gjithçka aty. Francezet e Lion do të luajnë përballë Barcelonës së Mesit në një sfidë në letër me të superfavorizuar skuadrën e Valverdes.

Ajaks-Real Madrid një tjetër përballje delikate, por me stekën e kualifikimit që anon për nga madrilenët që do të luajnë në fushën e tyre takimin e dytë. Po kështu një tjetër përballje shumë shumë interesante është edhe përplasja anglo-gjermane, Tottenham-Borusia Dortmund, ku të dyja skuadrat janë në ekuilibër të plotë të shanseve për kualifikim. Diçka më e thjeshtë për ekipin tjetër Italian të Romës që do të përballet me Porton, por që do ti duhet të mbyllë gjithcka në sfidën e parë në “Olimpico” në mënyrë që të mos ketë aspak surpriza në kthim./abcnews.al

psg.jpg
G. P.13:59 | 13/12/2018

Skuadrat kryesore të Europës pësuan humbje në ndeshjet e fundit të Ligës së Kampionëve. Të rënda, sidomos, disfatat për Realin dhe Juventusin.

Nuk mbahet mend të ketë ndodhur kaq keq më parë. Katër skuadra favorite u mposhtën në ndeshjet e fundit të Championsit, madje Reali e Juventusi mund të thuhet se u turpëruan. Bashkë me ta, edhe Manchester United, i thyer në Spanjë nga Valencia, dhe Roma e mposhtur në Çeki nga Viktoria Plzenj.

Çfarë ndodhi që gjigandë të tillë si madrilenët dhe juventinët u dorëzuan kaq pa lavdi?

Duke lënë mënjanë, për momentin, teoritë konspirative, le të themi se Reali thjesht konfirmoi se nuk mund t’i zihet besë këtë sezon. Juvja, ndërkaq, pati një mbrëmje “jo” në fushën e një rivali mjaft modest si Young Boys-i i Zvicrës, në një sfidë si ajo e Davidit ndaj Goliadhit.

Kampionët e Italisë kanë të ardhura vjetore prej mbi 400 milionë eurosh, ndërsa zviceranët mezi arrijnë në 35 milionë. Cristiano Ronaldo sërish nuk arriti të shënonte, ndonëse ishte titullar. Prej 11 vitesh nuk i ndodhte që të shënonte vetëm 1 gol në fazën e grupeve në Champions. Reali, kampion i Europës, pësoi një humbje që as nuk mund të mendohej, 0-3 në “Bernabeu” ndaj CSKA-së së Moskës, disfata më e rëndë në shtëpi në histori, në Ligën e Kampionëve.

Trajneri Solari bëri ndryshime në formacion, por gjithsesi pati mjaft emra të njohur, plus pas pushimit u aktivizuan edhe Kross, Karvajal apo Bale. Po në këtë grup, i hidhur edhe dështimi i Romës. Klubi italian ishte padyshim një gjigand i vërtetë në krahasim me Viktorian modeste të Plzenjit nga Çekia, me një buxhet shumë më të vogël.

Humbja 1-2 nuk i prishi punë romanëve, por i futi edhe më shumë në krizë dhe e afroi shkarkimin e trajnerit Di Françesko.

E rëndë edhe për Manchester United dhe për Jose Mourinhon. Edhe pse me një ekip me mjaft ndryshime, sërish trajneri portugez priste më shumë në Spanjë, ku u mund 1-2 nga Valencia. Ai i dha shans yllit kryesor të ekipit, Paul Pogba, veçse as francezi nuk mundi të ndryshonte balancën e ndeshjes, ndërsa konflikti i tij me Mourinhon vazhdon. Pavarësisht se shumë nga skuadrat e mëdha pësuan humbje, ato e siguruan kualifikimin për në turin e dytë.

Të hënën hidhet shorti dhe të kualifikua janë këto.

Vendet e para në grup: Barcelona, Bayern, Dortmund, Juventus, Manhcester City, Paris SG, Porto, Real Madrid.

Vendet e dyta në grup: Ajax, Atletiko Madrid, Liverpool, Lyon, Manchester United, Roma, Schalke, Tottenham./abcnews.al

bayern.jpg
G. P.14:39 | 12/12/2018

Bayerni i Mynihut dhe Juventusi kërkojnë të ruajnë vendin e parë në grup në Ligën e Kampionëve. Dy skuadrat e mëdha luajnë sot ndeshjet e fundit, dhe gjermanët kanë një sfidë klasike ndaj Ajax-it.

Vetëm njëra prej tyre do të jetë klasike, por vëmendja ëshë tek të dyja. Bajerni dhe Juventusi zbresin sot në fushë në Ligën e Kampionëve, në orën 21:00, me objektiv të njëjtë, të sigurojnë vendin e parë në grup. Gjermanët udhëtuan për në Holandë, ku i pret një klasike europiane, ndeshja me Ajaksin në Amsterdam, dhe atyre u bën punë edhe një barazim.

Do të ketë mungesa, sërish. Arjen Roben është lënë jashtë ekipit, për të qenë gati për Bundesligën. Po ashtu, janë mungesat e James Rodrigezit dhe Korenten Toliso, por trajneri Niko Kovaç flet pa asnjë lëkundje.

“Duam të dalim në vend të parë në grup, – tha kroati, – dhe ta luajmë ndeshjen e dytë në turin tjetër, në shtëpi. Nuk kemi probleme, dhe nuk jam i shqetësuar nga deklaratat e Komanit, pasi janë normale në futboll. Ajaksi është një ekip shumë i mirë, dhe unë këtë e kam ditur që më përpara”.

Ajax-i gjithsesi, nuk pritet të jenë me potencial të plotë. Trajneri Ten Hag, sipas mediave holandeze, po mendon të lerë jashtë ekipi disa nga yjet si Dolbergun, Zijeçin dhe Van de Bekun, që janë në rrezik për t’u dëmtuar. Pesë herë kampionët e Europës duan të ruajnë forcat edhe për kampionatin, pasi konkurrimi për titull me PSV Eindhovenin është shumë i fortë.

Kjo mund t’ia lehtësojë detyrën bavarezëve, që të paktën do të kenë një sukses të rëndësishëm në një sezon të vështirë, ku ndodhen në vend të tretë në Bundesligë. Skuadra tjetër e madhe që kërkon të mbajë vendin e parë është Juventusi. Trajneri Masimiliano Allegri e ka përgatitur skuadrën që të shkojë në Zvicër vetëm për fitore ndaj Young Boys-it. Kampionët e Italisë kryesojnë grupin H me 12 pikë ndaj 10 të Mançester Junajtidit, dhe vetëm fitorja ia bën të sigurt kryesimin.

“Dua që të luajmë një tur të dytë më të qetë, – u shpreh Alegri, – për këtë na duhet vendi i parë, pra normalisht na duhet fitorja. Nëse do të ishte ndryshe, CR7-ta do të pushonte ndaj Young Boys-it. Nëse nuk dalim të parët, rrezikojmë të ndeshemi me rivalë shumë të fortë si Barcelona, Reali, Bayerni, City apo Paris SG”.

Pra, Cristiano Ronaldo do të jetë në fushë, por nuk do të luajë Giorgo Chielini. Fusha e Young Boys-it është me bar sintetik dhe Allegri ka frikë se kapiteni do të dëmtohet. United, ndërkaq, do të ketë një ndeshje të vështirë në Spanjë ndaj Valencias.

Anglezët janë të kualifikuar, por trajneri Jose Mourinho po kalon një moment të vështirë, ndaj kërkon që ekipi të luajë mirë dhe për fitore. Ai u shpreh se do t’i japë mundësi të shumëkritikuarit Paul Pogba që të luajë në formacion për të treguar veten./abcnews.al

intri.png
G. P.08:06 | 31/10/2018

Interi mendohet si kundërshtari kryesor i Juventusit në Serinë A. Fitorja 3-0 në fushën e Lacios tregoi se skuadra e trajnerit Luçiano Spaletit është tepër e fortë në kampionatin italian.

Kërkohej reagim dhe ai erdhi. Interi la pas versionin negativ të Championsit, që u turpërua në Barcelonë, duke u shfaqur krejt ndryshe në kampionatin italian. Suksesi 3-0 në fushën e Lacios ishte i tillë që edhe kritikët më të rreptë të skuadrës së trajnerit Luçiano Spaleti, patën vetëm lavdërime. Epërsia ishte e madhe, me epërsi të dy golave që në pjesën e parë, dhe me mbërritjen në vendin e dytë, krah për krah me Napolin, në kuotën 22 pikë.

Zikaltërit vërtet ende nuk shënojnë sa Juventusi apo napolitanët, por janë në përmirësim me 6 fitore radhazi në Serinë A. Padyshim që mund të pretendohet për titull.

“Shikoni se çfarë Interi, – titullon “La Gazeta delo Sport”, – Lacio mposhtet 3-0 në fitoren e gjashtë radhazi, me zikaltërit në vend të dytë”.

“Inter shkakton frikë, – komenton “Il Korriere delo Sport”, – dygolësh vrasës i Ikardit, gol i Brozoviçit dhe ndeshja kurrë në diskutim”.

Trajneri Spaleti është cilësuar “prifti” nga analistë të ndryshëm. Ai foli sërish si i tillë, duke u treguar i kujdesshëm.

“Le të themi se ishte një ndeshje e bukur, duke marrë parasysh gjithçka, ndonëse ne kemi luajtur edhe ndeshje të tjera të mira. Kjo ka ndodhur edhe kur kemi humbur, apo nuk kemi fituar, sepse në futboll gjërat jo gjithnjë shkojnë siç duhet. Pjesa e parë ndaj Lacios ishte vërtet thuajse e përsosur. Arritëm të bënim lojën që donim, të zotëronim topin, ndërsa ruajtëm qetësinë dhe nuk u nxituam. Sot jemi një skuadër më e fortë se vjet, më të ndërgjegjshëm dhe arrijmë të reagojmë edhe kur gjërat nuk na shkojnë mirë”.

Po presidenti më i ri në historinë e klubit, 26-vjeçari nga Kina, Stiven Çan, çfarë mendon për ekipin e tij?

“Kjo ndeshje tregoi se lojtarët tanë kanë zemër të madhe dhe personalitet gjithashtu të madh. Interi jo vetëm fitoi ndeshjen, por sidomos lojtarët e mbështetën njëri-tjetrin. Kjo ndeshje tregoi jo vetëm se kemi lojtarë shumë të talentuar, por edhe që ata punojnë fort në stërvitje. Jam i bindur se do të dimë të konkurrojmë në Serinë A dhe në Champions, edhe ndaj ekipeve si Barcelona. Do të mësojmë nga humbjet dhe do të përmirësohemi”.

Druajtja e vetme e klubit nga Milano është nëse do të dijë të ruajë këtë vazhdimësi deri në fund. Tifozët, për momentin, duan të paktën fitimin e një trofeu të madh, qoftë Championsin apo Serinë A, edhe pse ëndrra mbetet përsëritja e tripletës së Murinjos./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono