ceremonia

EDI-RAMA.jpg
ent ela11:13 | 21/05/2019

Kërkesat për azil janë ulur me 32% në vitin 2018 krahasur me vitin  2017. Këtë deklaroi kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në ceremoninë e nisjes së punës së misionit të BE, Frontex në Shqipëri.

“Na vjen mirë që emigracioni i paligjshëm i shqipatrëve në vendet e BE vazhdon të ulet në mënyrë të ndjehsme dhe bazuar në raportin e 2018 të Komisionit Evropian shkruhet se në 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshëm 27% më pak shqiptarë, se një vit më parë, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në 2018 krahasur me vitin 2017”. /abcnews.al

KONGRESI-LUSHNJES-1280x688.jpg
ent ela15:24 | 21/01/2019

Në Lushnjë u përkujtua 99- vjetori i Kongresit historik, i cili vuri themelet e shtetit shqiptar.  Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, zv/kryeministri Erjon Braçe, deputetë dhe familjarë të pinjollëve të Kongresit morën pjesë në festimet e kësaj dite. Ata kanë vizituar shtëpinë muze ku u mblodh Kongresi i Lushnjës dhe më pas u zhvillua një koncert artistik. Që nga sot, Kuvendi i Shqipërisë do të nisë përgatitjet për celebrimin e kësaj ngjarjeje historike, tha Ruçi. Prej një jave bashkia e qytetit ka organizuar aktivitete kulturore dhe artistike për nder të 99- vjetorit të kongresit. /abcnews.al

qeveria-e-re.jpg
G. P.14:43 | 17/01/2019

Janë betuar në Presidencë zëvendëskryeministri dhe 7 ministrat e rinj të qeverisë pas votimit në seancën e pasdites së djeshme të dekreteve të kreut të shtetit Ilir Meta. Në këtë ceremoni nuk ishte i pranishëm kryeministri Edi Rama. Pezull ka mbetur kërkesa e kreut të qeverisë për shkakimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati dhe zëvendësimin e tij në këtë detyrë nga kryeministri Edi Rama.

Pas kësaj ceremonie kanë marrë detyrën zyrtarisht zëvendës kryeministri Erjon Brace, Ministrja e ekonomisë Anila Denaj, Ministrja e Infrastrukturës dhe energjitikës Belinda Balluku, Ministrja e Kulturës Elva Margariti, Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi,
Ministri për Sipërmarrjen Eduard Shalsi dhe Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali./abcnews.al

MBYLLET-VITI-I-SKENDERBEUT-ABC-1280x720.jpg
ent ela22:36 | 27/11/2018

Me prezantimin e një harte që provon vërtetësinë dhe influencën e figurës së Skënderbeut në Europën e shekullit XV u mbyll viti mbarëkombëtar i Skënderbeut. Ceremonia u zhvillua mbrëmjen e së martës në Kryeministri, aty ku harta dhe një përkrenare e punuar mjeshtërisht e Skënderbeut do të jenë të vizitueshme për publikun.

Me borxhe të shlyer është mbyllur Viti i Skënderbeut. Zakonisht jemi në borxhlinjtë, por këtë herë ndryshon, janë Roma dhe Napoli që duhet të shlyenin Gjergj Kastriot Skënderbeun.

“Me artefaktin që do të shfaqet sot këtu, në një farë mënyre, pas 500 vjetësh, jemi të larë. Roma dhe Napoli, deri diku, borxhin e kahershëm, ja shlyen, moralisht Gjergj Kastriotit”.

Këtë e thotë duke iu referuar çka thënë Fan Noli.

“Nëse ne vërtetojmë dokumentarisht, shtronte Fan Noli, siç e nënvizon edhe Kristo Frashëri, saktësinë e të paktën tri fushatave perandorake të sulltanëve osmanë kundër Krujës dhe dështimin e turpshëm të tyre para mureve të kalasë, atëherë, thekson ai, kemi vërtetuar se veprimtaria e Skënderbeut nuk është legjendë, por histori e vërtetë. Më ngjan, mua, që nuk jam historian, se artefakti, përkatësisht një hartë në lëkurë viçi ende të palindur, e vitit 1455, është ca më shumë se një dokument që vërteton të jashtëzakonshmen në veprën e Skënderbeut në të gjallë të tij”.

Me prezantimin e hartës që provon vërtetësinë dhe influencën e figurës së Skënderbeut në Europën e shekullit XV mbyllet viti mbarëkombëtar Skënderbeut por pa harruar simbolin unik.

“Përkrenarja që shihni në krahun tim të djathtë, na ka shoqëruar gjatë këtij viti, qysh prej përkujtimit gjithaq të veçantë të 550-vjetorit të kalimit n’amshim të Gjergj Kastriotit. Kjo përkrenare, krenari e kombit dhe sublimim simbolik i vijimësisë historike të shtetit shqiptar, është për ne edhe një krenari e artit dhe artizanatit vendas”.

Si fjalë përmbyllë kryeministri zgjodhi një citim nga Papa Kaliksti III adresuar Skënderbeut në vitet 1450-1457.

“Ne, bir i dashur, kemi patur gjithmonë mendim shumë të mirë për fisnikërinë tënde. Emri yt i lumtur është përhapur në të gjithë popujt për të gjitha këto punë të mira që ti ke kryer, për këto fitore të shkëlqyera që ti ke korrur. Qofsh pasqyrë e shembull për të gjithë princat e krishterë dhe për mbarë kombet dhe emri yt do të kurorëzohet prej famës së amëshuar!” Roma locuta, causa finita! (Pas fjalës së Romës, çështja quhet e mbyllur), thoshin dikur ca pleq me mjekër, buzëhollë e të ditur”. /abcnews.al

 

POLEMIKAT-VUCIC.mpg_snapshot_01.01-1280x720.jpg
G. P.22:34 | 12/11/2018

Ceremonia e përkujtimit të 100 vjetorit të përfundimit të luftës së parë botërore është pasuar nga polemika të shumta në Beograd. Mediat kanë sulmuar autoritetet franceze lidhur me vendin që i ishte rezervuar presidentit Vuçiç në ceremoni.

Një ditë pas shënimit të njëqindvjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris të Francës, në Beograd vazhdon pakënaqësia me trajtimin që iu bë president serb Aleksandar Vuçiç, i cili u la larg liderëve botërorë, për dallim nga presidenti Kosovar, Hashim Thaçi, që ishte ulur pranë kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron si dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Ambasadori i francës në Beograd, Frederic Mondoloni, është gjetur këtë mëngjes mes gërshërëve të medias serbe për shkak të vendeve ku u ulën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Në adresë të protokollit, përkatësisht mikpritjes franceze kritik ka qenë edhe vetë Vuçiçi, teksa ka pranuar se Thaçi ka pasur pozicion më të mire se të gjithë liderët e Ballkanit Perëndimor, por që është mjaftuar me komentimin se ‘nuk kishte kuptim që atje të shkaktonte skandal’.

E, kryediplomati francez në metropolën serbe, këtë të hënë i ka kërkuar falje presidentit por edhe popullit serb: Nuk e di çfarë ndodhi. Them se ky ishte gabim për keqardhje,’- ka arsyetuar ambasadori francez.

Analistët serbë, ndërkaq kanë shtruar pyetjen se kujt i dedikohej një mesazh i tillë – Vuçiçit apo presidentit rus Vladimir Putin, prapa të cilit ishte sedilja e Presidenti Hashim Thaçi.

Media në Pishtinë ndërkaq ka nënvizuar se në shënimin e njëqindvjetorit të Luftës së Parë Botërore jo të gjithë patën mundësi të ulen në vendet më të veçanta. Për dallim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ishte pikërisht i pari i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi i cili u ul në binën A ku ishin liderët e shteteve dhe të organizatave më të fuqishme të botës. Thaçi si duket ka pasur trajtim të veçantë edhe në Forumin e Paqes që u zhvillua po të dielën në Paris: ai ishte në afërsi të kancelares gjermane, Angela Merkel, presidentit francez Emmanuel Macron si dhe presidentit rus, Vladimir Putin./abcnews.al

USHTARET-GREK-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.11-1280x720.jpg
ent ela18:37 | 12/10/2018

Rivarrimi i eshtrave të ushtarëve grekë të zhvendosur nga parcela në fushën e fshatit Dragot në Tepelenë tek manastiri në grykën e Këlcyrës, është organizuar nën masa të forta sigurie.

Megjithatë ceremonia për rivarrosjen e eshtrave të 700 ushatarëve u realizua në qetësi të plotë dhe pa asnjë incident.

578 kuti metalike të mbushura me eshtra u vendosen në varrezat murale dhe ato tokësore në Manastirin e Këlcyrës. Funksionarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Greke, ambasadorja greke Elenis Surani, kreu i PBDNJ Vangjel Dule, kanë qenë autoritetet më të larta përfaqësuese në ceremoninë e organizuar.

Pas meshës në ambjentet e brendshme të Manastirit të kryer nga kleri ortodoks grek, ceremonia ka vijuar sipas protokollit me varrosjen e eshtrave të ushtarëve grekë në gropat e hapura. Ky proces ka zgjatur tri orë. /abcnews.al

103257669_mediaitem103257668.jpg
ent ela18:50 | 01/09/2018

Familjarë, të afërm, miq, por edhe rivalë të betuar politikë i kanë dhënë lamtumirën senatorit Xhon MekKein në ceremoninë mortore të mbajtur në Uashington. Me kërkesë të veteranit të luftës, ceremonia është udhëhequr nga ish-presidentët Obama dhe Bush, ndërkohë që Donald Trump nuk ka qenë i pranishëm.

Ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush u mblodhën të shtunën bashkë me mijëra qytetarë për të nderuar Xhon MekKein, senator i Arizonës dhe veteran i luftës së Vietnamit. Trupi i MekKein mbërriti në katedralen kombëtare të Uashingtonit pasi autokolona që e shoqëronte ndaloi së pari në Memorialin e Veteranëve, ku bashkëshortja e tij Sindi MekKein vendosi një kurorë me lule në nder të atyre që kanë humbur jetën në betejë. Më pas, pjesëtarë të ushtrisë amerikane transportuan mbi shpatulla arkivolin brenda në katedrale, të ndjekur nga miqtë dhe të dashurit e të ndjerit, por edhe nga figura e ish-figura kyçe të politikës amerikane në dekada. MekKein i kishte kërkuar pikërisht ish-rivalëve të tij Obama dhe Bush, njëri demokrat dhe tjetri republikan, që të mbanin fjalimet. Një veprim ky i interpretuar si një mesazh drejtuar vendit për dëshirën e tij për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy partive që ndajnë skenën politike amerikane. Senatori dhe ish-i burgosuri i luftës ndërroi jetë në më 25 gusht për shkak të kancerit në tru, në moshën 82-vjeçare. Donald Trump, i kritikuar ashpër nga MekKein pavarësisht se të dy vinin nga radhët e republikanëve, e kaloi ditën duke postuar cicërima për çështje të tjera. Por pavarësisht kësaj, anëtarët kryesorë të rrethit të tij të ngushtë nisur nga e bija Ivanka, dhëndri Xhared Kushner, shefi i stafit Xhon Kelli dhe këshilltari Xhon Bolton ishin të pranishëm në ceremoninë solemnte. Familja MekKein e kishte bërë të qartë se Trump nuk ishte i mirëpritur në shërbimin memorial në Arizona, në atë në Uashington dhe në ceremoninë mortore private të mbajtur në Anapolis, ku ndodhet dhe Akademia e Marinës amerikane. /abcnews.al

ARETHA-VARRIMI-ABCM4T1.mpg_snapshot_02.15-1280x720.jpg
G. P.16:51 | 01/09/2018

Ikona e muzikës Aretha Frenklin është përcjellë për në banesën e fundit, me një ceremoni mortore të ndjekur nga këngëtarë, familjarë, miq dhe ish-presidentë që mes të tjerash kanë vlerësuar angazhimin e saj për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve me ngjyrë.

Muzikantë, familjarë, miq dhe adhurues i dhanë lamtumirën e fundit legjendës Aretha Frenklin, në ceremoninë mortore të mbajtur në Detroit. Ceremonia zgjati për rreth 7 orë dhe u shoqërua si me vajtim, ashtu edhe me këngë dhe në një moment vallëzime. Duke u fokusuar tek lidhja e fortë e Frenklin me Ungjillin, gjatë ceremonisë performuan këngëtarja Ariana Grande dhe Çaka Khan, të shoqëruar nga Stivi Uonder, që dha dhe një finale emocionuese. Frenklin ndërroi jetë për shkak të kancerit në pankreas në moshën 76-vjeçare.

Ajo u përcoll në banesën e fundit nga një autokolonë prej 100 Kadillakësh rozë, një arkivol të larë në ar, e vlerësuar nga tre ish-presidentë dhe dhjetëra predikues. Të pranishmit e kujtuan atë jo vetëm si mbretëreshën e Soul-it, por edhe si teze, gjyshe, shoqe dhe aktiviste për të drejtat civile të njerëzve me ngjyrë. “Arsyeja përse jemi këtu sot është dashuria. Dashuria për këtë grua”, tha Stivi Uonder, duke interpretuar refrenin e një prej këngëve të tij që thotë: “Do të të dua përgjithmonë”. Ylli i muzikës pop, Ariana Grande këndoi një nga këngët ikonë të Frenklin, “A Natural Woman”; Xhenifer Hjudson këndoi “Ëmejzing Grejs”, ndërsa versioni i Gledis Najt “You will never walk alone” bëri që të pranishmit të ngriheshin në këmbë dhe të luteshin. I pranishëm në ceremoni, ish-presidenti Bill Klinton foli nga podiumi, duke u prezantuar si një adhurues të Frenklin dhe vlerësoi punën etike të yllit të muzikës.

Ndërsa ish-presidenti Barak Obama, në pamundësi për të qenë i pranishëm, dërgoi mesazhin e tij. “Përmes zërit të saj të veçantë, Aretha u dha fuqi dhe frymëzim të lënduarve, të shtypurve dhe kujtdo që kishte nevojë për pak dashuri”, thuhej në mesazhin e presidentit të parë me ngjyrë. Një mesazh të ngjashëm dërgoi edhe ish-presidenti Xhorxh W. Bush. Gjatë karrierës muzikore të gjatë 7 dekada, Frenklin fitoi 18 çmime Gremi dhe dominoi 17 herë top tenin e klasifikimeve amerikane. Performanca e saj e fundit ishte nëntorin e kaluar në një event në Nju Jork, në mbështetje të fondacionit të kolegut Elton John kundër Sidës./abcnews.al

HOMAZHET-MBULIM.mpg_snapshot_01.34.jpg
ent ela22:40 | 29/08/2018

Rradhë të gjata njerëzish janë krijuar përpara selisë së qeverisë vendore në Feniks të Shteteve të Bashkuara, për të bërë homazhe në nder të senatorit të Arizonës, Xhohn MekKein. Arkivoli me trupin e MekKein mbërriti i shoqëruar nga patrulla policie, ndërsa një njësi e Gardës së Nderit e transportoi atë mbi shpatulla në hollin e godinës qeveritare.

I pranishëm në ceremoni, guvernatori i Arizonës vlerësoi maksimalisht figurën e senatorit të ndjerë. “Si shtet kemi privilegjin ta quajmë atë një qytetar arizonas”, u shpreh Dag Djusi. MekKein, që këtë 29 gusht do të mbushte 82 vjeç, ndërroi jetë të shtunën e kaluar pas një beteje të gjatë me kancerin. Ish-pilot i marinës amerikane, ai mori pjesë në luftën e Vietnamit, ku dhe qëndroi i burgosur për 5 vjet e gjysmë pasi avioni i tij u qëllua teksa fluturonte mbi Hanoi.

Në përfundim të luftës ai iu përkushtua politikës për disa dekada me radhë. Në dy vitet e fundit u kthye në rivalin dhe kritikun kryesor të presidentit Donald Trump dhe vetëm pak kohë përpara vdekjes kërkoi që ai të mos lejohej në ceremoninë mortore./abcnews.al

OK-FALJA-E-KURBAN-BAJRAMIT-MBULIM.mpg_snapshot_00.27-1280x720.jpg
ent ela08:32 | 21/08/2018

Sot besimtarët myslimanë në gjithë botën festojnë Kurban Bajramin, një ditë e shënuar në kalendarin islam.

Dita nisi me faljen e namazit, e cila u zhvillua në sheshin Skënderbej, për herë të parë që pas rikonstruksionit të këtij sheshi në qendër të Tiranës.

Besimtarët janë mbledhur në shesh rreth orës 05:30 duke nisur namazin e sabahut dhe më pas me leximin e Kuranit dhe fjalën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar Skënder Bruçaj deri në orën 07:00 kur është falur namazi i Bajramit.

Kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj gjatë faljes së namazit ka bërë thirrje për më shumë dashuri, mëshirë dhe bujari që shoqëria të mos përjetojë vuajtje dhe tragjedi.

Simbolikë e kësaj dite është prerja e kurbanit, akti i flijimit, që sipas rregullit duhet ndarë me persona të tjerë në nevojë. Kurban Bajrami njihet si festa e sakrificës, përkushtimit ndaj Zotit, por edhe ndaj solidaritetit për të afërmit e personat më në nevojë. Dita vazhdon me vizita familjare e tek miqtë për të përcjellë urimet e kësaj dite, si dhe me dreka të bollshme festive.

Edhe në qytete të tjera të vendit, mijëra besimtarë myslimanë sot në mëngjes falën namazin e Kurban Bajramit.

Ceremontë janë kryer në sheshet kryesore të qyteteve dhe të fshatrave, ndërsa drejtues të myftinive, teologë e imamë kanë mbajtur fjalimet e rastit. Festa e Kurban Bajramit është një ngjarje e shënuar për fenë islame, dita që i afron besimtarët më pranë Allahut dhe që rrit paqen solidaritetin dhe harmoninë. Myftinitë  organizojnë pritje për autoritetet lokale dhe për drejtues të besimeve të tjera fetare në të gjithë vendin./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono