ceremonia hapese

HAPJA-BOTRORIT.jpg
ent ela17:06 | 14/06/2018

Në Rusi ka nisur të enjten Kampionati Botëror i ftubollit, për mbarëvajtjen e të cilit presidenti Putin ka vënë bast reputacionin e tij. Por duket se rusët nuk janë kujdesur shumë për ceremoninë e eventit, e cila ndryshe nga më parë ka qenë më e shpejtë dhe më e shkurtër.

Kampionati Botëror i futbollit ngriti të enjten pasdite siparin, me ceremoninë hapëse në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, që i parapriu takimit Rusi-Arabi Saudite. Por ndryshe nga ceremonitë e mëparshme, që kanë qenë të gjata dhe me koreografi të larmishme që pasqyronin kulturat e vendit mikpritës, ajo e këtij viti ka qenë diçka më e shpejtë, më e gjallë, por edhe më e shkurtër. Protagonisti kryesor ka qenë pa dyshim këngëtari britanik Robbie Williams, i cili pushtoi skenën e improvizuar në fushën e lojës, ku këndoi hitin e vitit 1998 “Let me entertain you”, por ku edhe nuk hoqi dorë nga zakonet e tij. Ndërkohë, kampioni i Botës i vitit 2010, portieri Iker Kasillas, i shoqëruar nga modelja ruse Natalia Vodianova, bëri dorëzimin e trofeut. Përpara ndeshjes nuk pati fjalime, përveç përshëndetjes së shkurtër të presidentit Putin.

“Rusia është një vend që e do futbollin dhe në fakt, me këtë sport ka qenë dashuri me shikim të parë që në ndeshjen e parë që është luajtur këtu, në vitin 1897”, tha Putin.

Presidenti uroi që tifozët t’ia kalojnë mirë gjatë qëndrimit në Rusi, një vend sipas tij i hapur, mikpritës dhe me njerëz që ndajnë vlerat.

 “Kjo lojë spektakolare na bashkon të gjithëve në një skuadër të vetme”, tha Putin. /abcnews.al

KUPA-E-BOTES.m-1280x720.jpg
ent ela22:16 | 13/06/2018

Kupa e Botës përveç futbollit ofron edhe kulturë. Në ceremoninë hapëse që do të mbahet të enjten në stadiumin “LUZHNIKI” të Moskës, sportdashësit do të kenë mundësi të njihen me traditat ruse, që do të prezantohen përmes valleve tipike të vendit mikpritës.

Përveç lojës, një tjetër aspekt i rëndësishëm i Kupës së Botës që nis të enjten në Rusi është edhe ceremonia hapëse. Evente të tilla, të cilat i paraprijnë ndeshjes së parë, përbëjnë një shans për vendin mikpritës për të treguar kulturën dhe traditat përmes valleve dhe performancave të tjera. Këtë vit, ceremonia do të mbahet në 14:00 me orën lokale të Rusisë, në 18:00 me orën tonë. Ndërkohë, dy orë më vonë do të luhet ndeshja e parë, Rusi-Arabi Saudite. Ceremonia do të mbahet në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, ku do të luhet edhe finalja e turneut. Bëhet fjalë për stadiumin më të madh dhe kombëtar të Rusisë, që mund të presë 80 mijë tifozë e ku më parë janë zhvilluar një mori eventesh sportive. Ai ishte vendi ku së fundmi Rusia luajti me Brazilin, e ku ekipi amerikano-jugor fitoi 3-0. Gjithashtu, atje kanë performuar yje të muzikës botërore si Red Hot Chili Peppers, Michael Jackson, Madona dhe Metallica. Pa harruar natyrisht ndeshjen finale të edicionit të vitit 2008 të Ligës së Kampioneve, ku Manchester United mundi Chelsean me penallti. Ceremonia do të drejtohet nga Ëill Smith dhe Nicky Jam, që së bashku me Era Istrefin do të këndojnë këngën-himn të këtij botërori, “Live it Up”. Përveç ceremonisë, ku do të interpretohen edhe valle tradicionale ruse, do të ketë një tjetër koncert në Sheshin e Kuq të Moskës, ku do të këndojnë yje si Placido Dominguez dhe Juan Diego Flores. Botërorin e kaluar, i mbajtur në Brazil, ishin këngëtarët Shakira dhe Pitbull që udhëhoqën ceremoninë hapëse me hitin “Ëe Are One”, që u pasua nga valle tradicionale braziliane dhe koreografi të tjera. Në Kupën e Botës të vitit 2010, në stadiumin “Soccer City” të Johanesburgut performuan këngëtarë dhe valltarë afrikano-jugorë, ndërsa në 2006, në Gjermani, protagonist ishte një grup muzikor bavarez, me veshjet karakteristike vendase. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono