Çelsi

LAMPARD-TRAJNERI-I-RI-I-CELSIT.mpg_snapshot_00.10-1280x720.jpg
ent ela17:15 | 04/07/2019

Frenk Lampard është trajneri i ri i Çelsit. Legjenda e bluve të Londrës u prezantua në stadiumin “Stemford Brixh”, dhe premtoi të fitojë trofe.

Padyshim një nga rikthimet më të mëdhenj.

Frenk Lampardit iu dha zyrtarisht detyra që ai e ëndërronte, ajo e trajnerit të Çelsit, dhe legjenda e bluve të Londrës u prezantua në “Stemford Brixh”, në krah të njeriut të besuar të pronarit Abramoviç, Marina Granovskajës.

Pas vetëm një viti në stol, tek Derbi Kaunti, Lampardi u vlerësua si njeriu i duhur për të zënë vendin e Mauricio Sarrit që u largua tek Juventusi.

“Është diçka e madhe për mua, gati surreale, sepse karriera ime ishte këtu, – u shpreh ish-mesfushori, – luajta për 13 vjet me Çelsin dhe ky klub është shumë i rëndësishëm për mua. Ky është një kapitull I ri, dhe unë mezi po pres të filloj punën. Emocionet janë të mëdha. Kam qenë me fat që kam luajtur me lojtarë të mëdhenj, dhe po ashtu jam me fat sepse po gjej sërish lojtarë të mëdhenj. E di se prej meje kërkohet shumë, dhe do të përpiqem të fitoj”.

Objektivat për Lampardin janë po ato të trajnerëve përpara tij, të sigurojë trofe.

Edhe pse Çelsi nuk do të mund të bëjë përforcime, për shkak të dënimit të UEFA-s, sërish nga tekniku kërkohet titulli kampion.

Lampard luajti më shumë se 1 000 ndeshje si profesionist, me klubet dhe kombëtaren e Anglisë, duke shënuar mbi 300 gola.

Edhe pse mesfushor ai është shënuesi më I mirë në historinë e Çelsit, si dhe rekordmeni i golave  për mesfushorët në Premier Ligë.

Gjatë karrierës, ai fitoi 3 tituj kampion në Angli, katër Kupa të Anglisë, si dhe Championsin e Ligën e Europës, të gjithë me Çelsin. /ABc news Albania 24/7

 

EdenHazard0701abcd-1280x854.jpg
ent ela13:20 | 30/05/2019

Eden Hazar prezantohet javën e ardhshme si futbollist i Realit të Madridit. Ylli belg deklaroi lamtumirën ndaj Çelsit, pas fitores në Ligën e Europës.

Do të kalojnë fare pak ditë nga kjo finale, por Eden Hazanit i dihet e ardhmja. Të hënën, numrin 10 të Çelsit e presin në “Santiago Bernabeu”, për t’u prezantuar tek Reali.

Indirekt, ai vetë e pohoi një gjë të tillë, për kamerat televizive, menjëherë pas fitores së Ligës së Europës.

“Po, mendoj se është një lamtumirë, por, nuk mund ta thuash me siguri të plotë, – u shpreh superylli belg, – Do të diskutojmë këto ditë, por deri tani unë kam menduar vetëm për të fituar finalen. Ndoshta, tani është koha për një sfidë të re. E kisha ëndërr të luaja në Premier Ligë dhe këtë e realizova në një nga klubet më të mëdhenj”.

Përpara ndeshjes, mesfushori i Belgjikës i hodhi “benzinë zjarrit” duke thënë se “im vëlla e ndërroi skuadrën, mungoj vetëm unë”.

Lajmet janë që presidenti Florentino Perez ka rënë dakord të paguajë, pa bërë zë, 130 milionë euro për kartonin e 28-vjeçarit, për të shpëtuar nga ndonjë “ankand” i mundshëm.

Vetë Hazar do të fitojë rreth 23 deri në 25 milionë euro në sezon.

“E kemi dashur Hazarin prej vitesh, – ishte deklarata e presidentit madrilen, – deshëm ta merrnim vjet pas Botërorit, por nuk mundëm. Po punojmë në një projekt, që t’i bëjë njerëzit të ëndërrojnë, që ne të kemi sërish ambicie për triumfe, diçka që unë e kam provuar në të kaluarën”.

Gazetat spanjolle dhe tifozët e Realit, thonë në një gojë se “më në fund, Madridi e mori një galaktik tjetër”.

Tani, pritet të shihet se çdo të bëhet me objektivat e tjerë të Realit, Pogbanë, Nejmarin apo Mbapenë. /ABC News Albania 24/7

CELSI-FITON-LIGEN-E-EUROPES.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela12:30 | 30/05/2019

Çelsi triumfoi në Ligën e Europës, por duhet të nisë të mendojë për të ardhmen. Klubi anglez e mbylli sezonin me trofe, por duhet të kërkojë për trajner dhe lojtarë të rinj.

Ishte favorit dhe e respektoi parashikimin, madje më shumë se ç’duhet.

Liga e Europës i takoi Çelsit që triumfoi bindshëm në finalen 100 për qind angleze në stadiumin “Olimpik” të Bakusë ndaj Arsenalit, edhe pse një epokë e re mund të nisë për klubin e Londrës.

Ndeshja në Azerbajxhan përfundoi 4-1, veçse Eden Hazar e Mauricio Sarri mund të largohen, duke bërë që gjithçka ndoshta të nisë nga e para.

Sidoqoftë, ishte momenti i fitores, i një trofeu të madh, titulli i 6-të kontinental i bluve, fitore së cilës ia kalon vetëm ajo e Championsit në 2012.

Eden Hazar, edhe një herë tjetër më i miri në fushë, (me gjasë) i dha lamtumirën skuadrës dhe tifozëve me një dygolësh, një ndarje e shkëlqyer, por edhe dëshpëruese në skaj të Europës.

Golat e tjerë u shënuan nga Olivie Zhiru, që hapi rezultatin në pjesën e dytë, dhe Pedro.

Gazetat angleze ishin me ngjyrën blu.

“Deili Telegraf”: Çelsi-Arsenal 4-1! Lamtumira e Hazarit! Sulmuesi frymëzoi fitoren në Ligën e Europës!

“Metro Sport” bën lojë fjalësh: Bak dhe Blu! Çelsi triumfon në Ligën e Europës, ndërsa Hazar bën realizim të dyfishtë!

“Në pjesën e parë ndeshja ishte shumë e vështirë, – deklaroi Sarri, më pas, – ishte takimi i 64-ët I sezonit për ne, dhe ishte shumë vapë. Në pushim u kërkova lojtarëve të guxonin, edhe pse mund ta pësonim. Kjo ndodhi, ne luajtëm shumë më mirë dhe besoj se e merituam fitoren. Për të ardhmen time, më duhet të flas me drejtuesit”.

Në ndeshje ishte edhe pronari i bluve, Roman Abramoviç, që kishet 1 vit që nuk i ndiqte ndeshjet e klubit të tij.

Arsenali duhet të mendojë se i takon të ardhmes.

Djemtë e tij të talentuar, disa të rinj e disa me më shumë përvojë, nuk ishin aq bindës përballë yjeve të Çelsit, pasi skuadra e Sarrit kishte në formacion Azpilikuetën, David Luizin, Kantenë, Zhorzhinjon, Kovaçiçin, Pedron, Zhirunë dhe Hazarin, si dhe më pas Uillianin, ndërsa në stol njerëz të tillë si Higuainin apo Alonson.

“Goli i parë ndryshoi gjithçka, – u shpreh trajneri i “topçinjve”, Unai Emeri, – ne patëm mundësitë tona, por nuk i shfrytëzuam, por Çelsi e meritoi. Nuk jam i shqetësuar për të ardhmen, pasi ne po përmirësohemi dhe do të jemi edhe më të fortë, pavarësisht se vitin e ardhshëm nuk do të jemi në Champions”.

Çelsi mbylli një sezon që mund të quhet i mirë, me dy finale të luajtura, një trofe të fituar dhe kualifikimin për në Champions, por tashmë me të ardhmen të pasigurt. /ABC News Albania 24/7

celsi-1280x638.jpg
ent ela17:26 | 23/04/2019

Çelsi pati një tjetër dështim në Premier Ligën angleze, duke rrezikuar kualifikimin për në Champions. Trajneri Sarri u përjashtua me karton të kuq, në një ndeshje që përfundoi me konflikt.

Tri pikët duheshin marrë patjetër, dhe mendohej se do të merreshin. Gjithsesi, këto ditë Çelsit nuk mund t’i besohet as kur luan në stadiumin e tij, përballë mbi 40 000 tifozëve, dhe ndaj një kundërshtari jo të vështirësisë maksimale si Bërnli.

Përfundoi 2-2 në “Stemford Brixh”, dhe blutë e Londrës e vunë edhe më shumë në rrezik kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm.

Dueli i Premier Ligës i pati të gjitha, me përjashtim të fitores vendase.

Katër gola, përmbysje dhe emocione të mëdha, në një ndeshje të shpejtë e të vrullshme, tipike angleze, ku edhe skuadrat e vendit të fundit duken të barabarta me ato të kreut.

Ishte edhe mbrëmja e një goli të shkëlqyer nga Gonzalo Higuain, sulmuesi argjentinas që po përpiqet të gjejë fatin tek Çelsi, pas Realit, Napolit, Juventusit e Milanit.

Ai pati fatin që një tifoze e bluve ta fuste në gjoks nga gëzimi, pas realizimit.

Tifozët, megjithatë nuk mbetën të kënaqur.

“Sarri është një trajner i mirë, por nuk i përshtatet stilit të Çelsit”, – ishte një koment në rrjetet sociale.

“Sarri, ore burrë plak, shko rri në shtëpinë tënde, shikoji ndeshjet në televizor”, – shkruajti një tifoz tjetër.

“Çelsi do të dalë në vend të 6-të, unë e di”, – u shpreh me dëshpërim një komentues.

Fundi në “Stemford Brixh” ishte me konflikt.

Lojtarë e trajnerë të të dyja skuadrave thuajse u përleshën, për shkak të një tensioni tepër të madh.

Duket se gjithçka nisi nga përjashtimi i trajnerit vendas, Mauricio Sarri, drejt të cilit duket se u tha diçka më pas nga stoli I miqve.

“Sarri nuk duhej të ishte përjashtuar, – tha ndihmësi i tij, Xhanfranko Xola, – ai thjesht deshi t’u fliste lojtarëve dhe doli jashtë zonës së lejuar. Por, ai u ofendua nga njerëz në stolin e Bërnlit, ndaj ishte shumë i zemëruar dhe i fyer”.

Fati i trajnerit duket i vendosur për t’u shkarkuar në fund të sezonit, madje edhe nëse Çelsi arrin kualifikimin për në Champions, gjë që duket shumë e vështirë në këtë moment.

Blutë kanë 67 pikë, ndaj 66 të Arsenalit e 64 të Mançester Junajtidit, që kanë një ndeshje më pak. /abcnews.al

HIGUAIN-SHENON-DY-GOLA-PER-CELSIN.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
ent ela20:52 | 02/02/2019

Sulmuesi Gonzalo Higuain shënoi dy golat e tij të parë në Premier Ligën angleze. Argjentinasi i ardhur nga Milani, ndihmoi Çelsin të arrinte një fitore të thellë.

Ndoshta është herët të thuhet se mbërriti shpëtimtari. Çelsi i trajnerit Mauricio Sarri duhet të bëjë shumë më tepër që të bindë tifozët dhe kritikët, por për momentin le të kënaqet me fitoren 5-0 ndaj Hadërsfildit, dhe me dy golat e shënuar nga Gonzalo Higuain.

Ish-sulmuesi i Realit, Napolit, Juventusit dhe Milanit, reagoi në ndeshjen e dytë në Premier Ligë, edhe pse mund të thuhet se kundërshtari ia bëri punën më të lehtë.

Hadërsfildi ishte në krizë të plotë, me vetëm një gol të shënuar në 7 ndeshjet e fundit të kampionatit, dhe i shkëputur në vendin e fundit në renditje.

Sarri ka besim se Higuain do ta ndihmojë edhe në sfidat e tjera, i bindur se Çelsit të tij i mungonte një qendërsulmues tipik, siç ishte Diego Kosta apo më herët, Didie Drogba.

Trajneri italian shpreson që edhe ylli kryesor i ekipit, Eden Hazar, të japë më shumë kontribut që të arrihet kualifikimi për në Champions.

Futbollisti belg, i kërkuar fort nga Reali i Madridit, shkëlqeu edhe ai ndaj Hadërsfildit duke realizuar dy herë.

Me suksesin 5-0, blutë e Londrës u ngjitën në vendin e katërt, pra brenda zonës Champions, me 50 pikë pas 25 ndeshjesh të luajtura.

Presioni ndaj Sarrit sikur është lehtësuar disi, por trajneri nuk do ta ketë postin të sigurt nëse nuk siguron të paktën Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm. /abcnews.al

liverpool.jpg
ent ela17:23 | 31/01/2019

Skuadrat kryesore të Anglisë e patën sërish të vështirë në ndeshjet e Premier Ligës. Pas dështimit të dy ekipeve të Mançesterit, këtë e provuan edhe Liverpuli e Çelsi

U kuptua që në fillim se nuk ishte java e duhur për të fortët. Pasi dy skuadrat e Mançesterit provuan sesa e vështirë është Premier Liga, u erdhi radha edhe dy skuadrave të tjera të majës së tabelës.

Liverpuli dhe Çelsi dolën nga fusha krejtësisht të pakënaqur, ndonëse blutë e Londrës ishin të shkatërruar. Skuadra e trajnerit Jurgen Klop nuk arriti të përfitonte maksimalisht nga disfata e Mançester Sitit, pasi mori vetëm një barazim në stadiumin e vet, “Anfild”.

Leisteri, një rival serioz, i hapi punë dhe e mbylli ndeshjen 1-1, me Liverpulin që tani është 5 pikë larg Sitit, ndërsa shpresa ishte për të shkuar në +7. Sadio Mane kaloi vendasit në epërsi që në minutën e tretë, por mbrojtësi i kombëtares angleze, Harri Megajer barazoi në fund të pjesës së parë.

Të kuqtë kërkuan një penallti pas pushimit, dhe ajo mund të ishte dhënë, por përsa i përket lojës, Leisteri e meritoi barazimin. “Nuk duhet të shqetësohemi shumë nga ky rezultat, – theksoi Klopi pas ndeshjes, – natyrisht, nuk jam i lumtur sepse doja që të fitonim, por nuk ia dolëm dhe tani jemi edhe më shumë të shkëputur nga Siti”.

Liverpuli gjithsesi ka me vete historinë. Tetë herë në 9 sezonet e fundit, kampione ka dalë ajo skuadër që ka pasur një epërsi prej 5 pikësh ose më shumë në fund të muajit janar. E qartë që Çelsi doli nga mesjava shumë më keq se Liverpuli, pas katastrofës 0-4 në fushën e Bornmuthit.

Londinezët pësuan humbjen më të rëndë në 23 vitet e fundit, një sinjal i qartë se fundi i trajnerit Sarri mund të jetë i afërt, sidomos me një president si Roman Abramoviçi.

“Ndoshta është faji im që nuk arrij t’i motivoj këta lojtarë, – u shpreh italiani, – në fund të ndeshjes, i mbajta futbollistët për 50 minuta në dhomën e zhveshjes. Ne mund të humbasim, por jo në këtë mënyrë”. Analistët parashikuan se Sarri është në rrezik të madh, sidomos pasi kritikoi publikisht lojtarët e tij një javë më parë. Çelsi doli jashtë zonës Champions, me golaverazh më të dobët se Arsenali, ndërsa Mançester Junajtidi është shumë pranë. Liverpuli, ndërkaq, ka 61 pikë ndaj 56 të Sitit, ndërsa Totenhemi u afrua me dyshen e kreut pas suksesit ndaj Uatfordit./abcnews.al

TOTENHEMI-CELSI-KUPA-E-LIGES-1-1280x634.jpg
ent ela11:56 | 09/01/2019

Totenhemi mundi Çelsin në gjysmëfinalen e parë të Kupës së Ligës në Angli. Gjithsesi, pati polemika të shumta pas derbit të Londrës në stadiumin “Uembli”.

Dueli i parë shkoi në favor të vendasve. Totenhem Hotspuri e konfirmoi veten, të paktën për momentin, si skuadra më e mirë e Londrës, këtë herë edhe në Kupën e Ligës.

Të mbiquajturit “gjelat” triumfuan minimalisht 1-0 në gjysmëfinalen e parë ndaj Çelsit, dhe bënë një gjysmëhapi drejt objektivit për të fituar më në fund një trofe, veçse polemikat sikur e errësuan suksesin.

Goli i vetëm në “Uembli” u shënua me 11-metërsh, madje pas një penalltie të dhënë me ndihmën e VAR-it.

Gjyqtari Majkëll Oliver fillimisht nuk sinjalizoi asgjë, ashtu siç kishte hedhur poshtë pretendimet e mëparshme të Totenhemit për penallti, por vendasit protestuan dhe ai kërkoi ndihmën e teknologjisë.

VAR-i vendosi për ndëshkim maksimal, dhe Harri Kejn nuk gaboi nga 11 metra larg, duke vendosur fatin e ndeshjes, por ende jo fatin e kualifikimit.

Trajneri i Çelsit, Mauricio Sarri, u shpreh shumë i pakënaqur për vendimin.

“Pas ndeshjes, e pashë aksionin e penalltisë në kameran tonë, dhe mund të them se ishte pozicion jashtë loje, – tha italiani, – kamera jonë ishte në vijë të drejtë me Harri Kejnin. Për fat të keq, vijërojtësi ndaloi dhe mbrojtësit tanë menduan se do të jepej pozicion jashtë loje. Në Angli nuk dinë ta përdorin VAR-in, ndaj gjyqtarët duhet të ndjekin aksionin kur nuk janë të sigurt”.

Edhe trajneri i Totenhemit, Mauricio Poçetino, i dha të drejtë në një farë mënyre, kolegut të tij.

“E vërteta është se VAR-i nuk më pëlqen, – u shpreh argjentinasi, – Këtë herë ne përfituam prej tij, por nga në Kupën e Botës dhe në ligën spanjolle kanë dalë shumë pakënaqësi. Nuk jam kundër teknologjisë, sepse nuk jam kundër përparimit, por rregullat duhet të jenë më të qarta. Nuk më pëlqen të fitoj në këtë mënyrë”.

Çelsi ishte i pafat në “Uembli”, pasi goditi dy herë shtyllën, por nuk arriti të shënonte.

Blutë e Londrës kanë ende shpresë për të përmbysur rezultatin në “Stemford Brixh”, por sezoni bëhet gjithnjë e më i vështirë, sidomos në mungesë të një qendërsulmuesi.

Totenhemi, ndërkaq, shpreson të arrijë finalen dhe të fitojë trofeun e parë që nga vitit 2008. /abcnews.al

city.jpg
ad min21:52 | 25/11/2018

Mançester Siti dhe Liverpuli duken skuadrat e vetme pretendente për titull në Angli. Gjithsesi, trajneri i Sitit, Guardiola, nuk është ende i kënaqur nga lojtarët e tij.

Pritej të ishte një garë treshe, por duket se ka një reduktim. Mançester Siti e Liverpuli vazhduan me fitoret në Premier Ligë, duke u shkëputur nga rivali tjetër, Çelsi, që pësoi disfatë në derbin e Londrës. Skuadra e trajnerit Pep Guardiola konfirmoi sërish se është favorite për titullin kampion, me suksesin 4-0 në fushën e Uest Hemit. Të mbiquajturit “qytetarët” jo vetëm dinë të fitojnë, por edhe të japin spektakël duke shënuar shumë gola. David Stërling, Silva dhe Sane ishin autorët e tyre, Gjithsesi, Guardiola sërish nuk ishte plotësisht i kënaqur.

“Në pjesën e parë ishim nën nivelin e duhur, – tha trajneri katalanas, – lojtarët u vonuan shumë për të pasuar topin, por pas pushimit ishim më mirë. Ne nuk mund të kënaqemi me këtë që po bëjmë, pasi duam të mbrojmë titullin, diçka që nuk ka ndodhur kurrë tek Siti. Liverpuli po zhvillon sezonin më të mirë në histori, dhe kjo na motivon edhe më shumë”.

Liverpuli vërtet po luan edicionin më të mirë, edhe pse është një skuadër me shumë më tepër emër se Siti. Triumfi 3-0 në fushën e Uatfordit bëri të mundur që skuadra e Jurgen Klopit të mbetej në vend të dytë, vetëm dy pikë larg Sitit, ndonëse nuk është në gjendje të shënojë aq shumë sa ajo. Salah, Arnold dhe Firmino ishin protagonistët e rrjetave, ndërsa Shaqiri luajti si titullar për 74 minuta.

Po me Çelsin çfarë ndodhi?

Formacioni i trajnerit Mauricio Sarri humbi në mënyrë të merituar derbin me Totenhemin, në stadiumin “Uembli”. Blutë e Londrës u duk sikur po luanin një miqësore, dhe morën kritika të mëdha nga analistët, ndërsa Spërsat luajtën vërtet si në një derbi. Dele Ali, Kejn dhe koreanojugori Son shënuan për vendasit, që kaluan Çelsin në renditje, me 30 pikë ndaj 28. Sarri kritikoi ashpër lojtarët e tij, ndërsa blutë mbetën 7 pikë larg kreut, ndonëse ende në zonën Champions./abcnews.al

roberto-firmino-liverpool-celebration-vs-man-city-champions-league-1718_7hndcwj2m9371faolf59iz55o-1280x721.jpg
ent ela20:43 | 01/09/2018

Nuk ndryshojnë kryesuesit në Premier Ligën angleze. Liverpuli dhe Çelsi arrijnë fitoret e radhës, edhe pse nuk e patën të lehtë.

Me shumë gjasë hierarkia do të ndryshojë. Liverpuli sërish nuk hodhi hap të gabuar në Premier Ligën angleze, dhe po kështu bëri edhe Çelsi.

Të dyja skuadrat mbajnë kreun e renditjes me nga 4 fitore në 4 ndeshje të luajtura deri tani, dhe besohet se do të jenë rivalë të fortë të kampiones Mançester Siti.

Formacioni i trajnerit Jurgen Klop ia doli në një sfidë aspak të lehtë, në fushën e Leisterit.

Të kuqtë nuk është se shkëlqyen, me përjashtim të fillimit kur kaluan në epërsi me golin e sulmuesit Sadio Mane, por gjithsesi, ishin tepër të sigurt në mbrojtje.

Roberto Firmino realizoi golin e dytë pas pushimit dhe liverpulasit po e mbyllnin ndeshjen me shumë komoditet, por një gabim I portierit Alison e rrezikoi fitoren.

Gjithsesi, Liverpuli u mbajt, në një javë kur edhe Çelsi i Mauricio Sarrit iu përgjigj. Londinezët triumfuan 2-0 në stadiumin e tyre, “Stemford Brixh” ndaj Bornmuthit, veçse rrjetat u shënuan shumë vonë.

Pedro Rodrigez prishi barazpeshën kur duheshin edhe 18 minuta deri në fund, ndërsa suksesi u garantua nga belgu Eden Hazar.

Të dyja skuadrat kanë nga 12 pikë, veçse Çelsi është në vend të dytë me golaverazh më të keq. /abcnews.al

fa-cup-final-chelsea.jpg
ent ela09:15 | 20/05/2018

Çelsi fitoi Kupën e Anglisë në finalen ndaj Mançester Junajtidit në stadiumin “Uembli”. Trajneri I bluve të Londrës, Antonio Konte, do të largohet nga detyra me triumf.

Trofeu më i vjetër në botës u ngjyros me blu.

Ishin londinezët e Çelsit që e fituan Kupën e Anglisë në stadiumin po londinez “Uembli”, pas një finaleje të ashpër ndaj Mançester Junajtidit.

Trajneri italian Antonio Konte mbylli sezonin, dhe me shumë gjasa edhe etapën e karrierës tek Çelsi, duke fituar sërish një kupë, ndërsa vjet mori titullin kampion.

Ishte një sfidë e pronësuar ndaj njërit prej rivalëve të tij më të mëdhenj e më armiqësorë, trajnerit të Junajtidit, Zhoze Murinjo, ndonëse në fund të ndeshjes, të dy konkurrentët i dhanë dorën njëri-tjetrit dhe u përqafuan.

Finalen e vendosi një gol me penallti shënuar nga mesfushori belg, Eden Hazar, në minutën e 22-të.

Ky ishte titulli I 8-të në histori për Çelsin, pesë prej të cilëve i ka fituar në epokën e presidentit dhe pronarit Roman Abramoviç.

Themeluar 147 vjet më parë, në 1871, Kupa e Anglisë është gara më e vjetër e futbollit në botë, ndërsa ky I këtij viti ishte edicioni numër 137.

Pavarësisht fitores të kompeticionit të lavdishëm, Konte mund të shkarkohet, sidomos pasi nuk mundi ta kualifikonte Çelsin për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm.

Këtë gjë e bëri Murinjo, pra Junajtid do të luajë në Champions, edhe pse këtë vit nuk arriti të fitonte asnjë trofe. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono