cdekretim

koli-bele.jpg
G. P.21:52 | 24/06/2019

Juristi Koli Bele deklaroi këtë të enjte se situata pasi Presidenti çdekretoi datën e zgjedhjeve është e paprecedentë. Ai ishte i ftuar në emisionin “Byro Politike”, ku theksoi se institucionet kushtetuese, duke përfshirë edhe Presidentin e Republikës janë menduar që të sillen me vetëpërmbajtje.  Sipas tij, akti i presidentit Meta për anulimin e zgjedhjeve është politik.

“Mendohet që institucionet kushtetuese si dhe Presidenti i Republikës do sillen me vetëpërmbajtje dhe afërmendsh si në Kushtetutë nuk mund të detajosh një situatë hipotetike kur dy javë apo tre javë para zgjedhjeve presidenti çdekreton datën. Ngjarja është e paprecedentë. E vërteta sot e gjithë ditën është që ky akt sot e gjithë ditën është një akt politik i cili ka sjellë disa pasoja dhe palët janë pozicionuar për arsye të kuptueshme.

Ne kemi një proces që për pesë ditë finalizohet dhe ndërhyrja politike me një akt, i cili quhet dekret apo çdekret krijoi këtë tymnajë, por KQZ si një institucion kuazi gjyqësor, por edhe që administron procesin zgjedhor nuk mund të përfshihej në debate apo hollësi kushtetuese por ishte para faktit do të vazhdonte të administronte procesin zgjedhor sipas atij dekreti apo do zgjidhte aventurën e një çdekreti duke krijuar aventurën e një situate të paprecedentë”, tha Bele.

Ndërkohë këtë të hënë Kolegji Zgjedhor konfirmoi datën 30 Qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Gjyqtarët rrëzuan kërkesën e partisë Uniteti Kombëtar për ta çregjistruar nga zgjedhjet, duke i dhënë të drejtë KQZ-së, e cila e konsideron anulimin e zgjedhjeve nga Meta si një akt të pavlefshëm./abcnews.al

mustafa-nanoo.jpg
G. P.20:52 | 11/06/2019

Të gabuar e quan Mustafa Nano dekretin e Presidentit Meta që anulon zgjedhjet e 30 Qershorit. Gjatë emisionit “Provokacija”, gazetari e konsideroi këtë gjest si një prej atyre që përplasjen civile e mbartin si qëllim.

“Presidenti i Republikës ka nxjerrë një dekret nëpërmjet së cilit ka provokuar një diskutim të madh kombëtar. Është një dekret nëpërmjet të cilit, ai anulon dekretin e parë mbi mbajtjen e zgjedhjeve në 30 Qershor. Sipas meje, ky është një vendim tërësisht i gabuar. Madje, madje më duket qëllimisht i gabuar. Është një prej atyre gjesteve që përplasjen civile nuk është se e sjellin si pasojë, por e mbartin si qëllim. Ky është qëndrimi im lidhur me vendimin e Presidentit”, tha Nano.

Nga ana tjetër, edhe pse mendon se duhet tentuar shkarkimi i Metës, kjo është gjë e pamundur. Shkak sipas tij është Kushtetuta.

“Lind pyetja duhet shkarkuar Presidenti? Sipas meje do duhej tentuar shkarkimi i tij, por mund të shkarkohet? Është e pamundur të shkarkohet. Ne do kemi president Ilir Metën, sepse pavarësisht nga vendimi që do merret në parlament dhe ndoshta votat aty mund të gjenden, në fund fare, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë do duhej që vendimi i Parlamentit t’i jepej OK i Gjykatës Kushtetuese, e cila nuk ekziston. Ky problem më duket i zgjidhur dhe gjithë përpjekja e mazhorancës për të krijuar një aksion parlamentar apo politik për të shkarkuar Presidentin e Republikës më duket i kotë, më duken të humbura”, tha Nano.

Sipas Nanos, zgjedhjet mund të bëhen edhe nëse mungon opozita duke pasur parasysh rrethanat, sepse demokracia nuk e nënkupton garën si detyrim për pjesëmarrje, por si të drejtë për pjesëmarrje.

“Lind pyetja tjetër. Si i bëhet me zgjedhjet në këto rrethana? Do bëhen zgjedhjet? Duhet të bëhen zgjedhjet? Unë këtë nuk e di. Unë pres që të flasin konstitucionalistët, njerëzit që janë të dijshëm në këtë fushë dhe ata po flasin, për fat të keq janë të ndarë mbi bazën e pozicioneve të tyre politike dhe në këtë kuptim nuk e di se çfarë do ndodhë. Nuk më pëlqejnë disa njerëz, kolegë të mia apo intelektualë të tjerë që tani janë kapur pas vendimit të Presidentit dhe thonë që në këto rrethana nuk mund të bëhen zgjedhjet. Kanë hequr dorë nga teza e parë, nga fakti që deri para këtij momenti ishin kapur te principi sipas të cilit nuk ka zgjedhje pa opozitën. Unë bëj pjesë te ata njerëz që mendoj se zgjedhje pa opozitën mund të bëhen. Janë një situatë qesharake, janë një situatë absurde, por në rrethanat që opozita merr vendimin për të mos u futur për arsyet e veta, zgjedhjet duhen mbajtur sepse janë detyrim kushtetues. Demokracia nuk e nënkupton garën si detyrim për pjesëmarrje, e nënkupton garën si e drejtë për pjesëmarrje.

Kolegët e mi që kanë mbajtur këtë qëndrim nuk më kanë pëlqyer edhe për një arsye tjetër. Më saktë për qëndrimin që kanë mbajtur lidhur me tre gjëra, që mua më duken të rënda dhe që unë kam menduar gjithmonë që shqiptarët duhet të kishin një konsensus të përbashkët lidhur me qëndrimin që duhej mbajtur ndaj: 1. Djegies së mandateve 2. Bojkotimit të zgjedhjeve 3. Kërcënimeve dhe kanosjeve që i janë bërë vendim me përplasjen civile. Në këto tre momente, pavarësisht kritikave që kemi me mazhorancën, me Edi Ramën, janë tre gjeste që i venë minat sistemit tonë që kemi zgjedhur të jetojmë. Për mua ky qëndrim është qëndrim destruktiv. Unë kurrë në jetën time nuk kam parë qëndrime të tilla kaq destruktive”, tha analisti./abcnews.al

meta1.jpg
G. P.16:55 | 11/06/2019

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka sqaruar këtë të martë gjatë një konference tpër mediat se pse e mori vendimin për çdekretimin e datës së zgjedhjeve pak kohë para fillimit të protestës së tetë kombëtare të opozitës.

Sipas tij ka pasur informacione se situata në 8 Qershor mund të shfrytëzohej nga grupe të interesit brenda dhe jashtë vendit për akte të cilat mund të dëmtonin rendin dhe stabilitetin në vend. Sipas Metës, vendimi u mor pas bisedave me drejtues të agjencive ligjzbatuese në vend dhe partnerëve seriozë të Shqipërisë.

“Ky vendim nuk bëhet për të plotësuar tekat e opozitës. Përkundrazi. Opozita ka çështje mjaft të drejta që i ngre dhe që unë i kam përkrahur dhe në pozita të tjera, por edhe më parë, si e dini ju, në pozitën e kryetarit të Kuvendit, si kryetar i një partie në koalicion me Partinë Socialiste. Unë nuk jam këtu për të ndihmuar tekat e opozitës, por as kurrsesi për të toleruar që Shqipëria përveç datave mjaft problematike që ka në historinë esaj që nga 2 Prilli, 26 Maji apo më pas 28 Maji, që nga 21 Janari të ishte dhe 30 Qershori. Vendimi im është marrë me përgjegjësi të plotë për arsye sepse në bazë të gjithë të të dhënave, jo për shkak të vullnetit të drejtuesve të dy palëve, por për shkak të grupeve të interesave të caktuara jashtë dhe brenda vendit, situata në 8 Qershor në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe në vijimësi mund të shfrytëzohej për akte të cilat do të dëmtonin rëndë stabilitetin, rendin publik dhe do u jepnin mundësi dy palëve për të fajësuar njëra tjetër dhe pp kështu faji ngelet jetim dhe pasojat i vuajnë qytetarët e Shqipërisë. Ky është një vendim i marrë në bazë të informacioneve të besueshme edhe me drejtues të agjencive ligjzbatues këtu, por edhe të partnerëve serioze dhe mjaft të interesuar jo vetëm për stabilitetin këtu për edhe kredibilitetin e faktorit shqiptar”, tha Meta./abcnews.al

enkelejd-alibeaj.jpg
G. P.19:03 | 10/06/2019

Enkelejd Alibeaj ka sqaruar këtë të hënë se Gjykata Administrative nuk mund të zhbllokojë situatën që është krijuar pas çdekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit. Sipas tij, një dekret i presidentit mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, të cilën nuk e kemi.

Enkelejd Alibeaj: Ky akt është akt i natyrës politike. Caktimi i datës së zgjedhjeve është një pushtet publik që i jepet Presidentit. Ka vetëm një mënyrë që një akt i natyrës politike i Presidentit të mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese. Atëherë kur ky akt politik krijon një mosmarrëveshje kompetence me aktin e një organi tjetër që është një pushtet tjetër, parlamentit, qeverisë, apo një pushtet tjetër kushtetuese. Mosmarrëveshja e kompetencës në këtë rast zgjidhet në Gjykatën Kushtetuese, fatkeqësisht që nuk e kemi.

Mirela Milori: Nuk i kalon Administratives sipas jush?

Enkelejd Alibeaj: Nuk i kalon. Ky është një teknikalitet. Gjatë reformës në drejtësi edhe një ligj duhet të miratohej atë kohë, ishte ligji për Presidentin e Republikës. E kanë harruar. Nëse do kishte një ligj për Presidentin e Republikës do të përcaktonte mënyrën si shkojnë dekretet, çfarë vlere kanë, do ishte një rrugë e zgjidhur.

Ndërkohë më tej gjatë rubrikës “Mbëmje ABC” me Mirela Milorin, Alibeaj komentoi edhe deklaratat e anëtarëve të KQZ-së. Sipas tij, Presidenti është organ me autoritetet më të madh se KQZ. Nëse nuk respektohet dekreti i kreut të shtetit ky është uzurpim i kompetencave të Presidentit dhe Gjykatës Kushtetuese.

“Çështjet juridike janë të vështira. Presidenti i Republikës ka nxjerrë një akt të vetin, dekret. Pastaj na qenka KQZ që dikur ka qenë organ kushtetuese, por sot është organ ligjor, që për nga pesha, për nga autoriteti nuk qëndron në të njëjtin nivel me Presidentin. Ka marrë guximin që për vendimin e një organi epror, të presidentit të thotë unë nuk e marr parasysh. Ky është një uzurpim flagrant i kompetencave të Presidentit të  Presidentit po e po, por edhe dhe Gjykatës Kushtetuese. Një akt siç është ky për vendosjen e datës së zgjedhjeve, është Gjykata Kushtetuese ajo që mund ta shqyrtojë”, tha Alibeaj./abcnews.al

myslim-murrizi.jpg
G. P.17:19 | 10/06/2019

Grupi parlamentar demokrat dhe ai i pavarur kanë dalë në një deklaratë të përbashkët për shtyp. Në emër të tyre nënkyetari i Kuvendit Myslim Murrizi deklaroi se vendimi i presidentit Ilir Meta për të çdekretuar datën e zgjedhjeve është një term që nuk e njeh as Kushtetuta.

“Nuk kam lexuar asnjë rresht të Kushtetutës së Shqipërisë fjalën çdekretim. Dekretim po. Çdekretim është një shpikje allashqiptarçe. Nuk e mbaj veten për jurist të madh, por Kushtetuta ka qenë vullnet i zotit Berisha dhe zotit Rama në marrëveshjen e prillit 2008. Në atë Kushtetutë përcaktohet qartë se jemi Republikë Parlamentare dhe parlamenti është sovrani. Pastaj të gjitha institucionet e tjera derivojnë nga ky parlament qoftë edhe Presidenti i Republikës, që është dhënë që në raundin e fundit të zgjidhet me shumicën e thjeshtë të votave”, tha Murrizi./ABC News Albania 24/7

 


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono