buxhet

spak.jpg
ad min15:25 | 01/08/2019

Gjykata dhe Prokuroria Speciale që do të hetojnë politikanët dhe zyrtarët e lartë është duke u ngritur. Paralelisht me procesin e zgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve specialë, qeveria i ka bërë gati edhe buxhetin e nevojshëm për këtë vit.

Me propozimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave i miratoi Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar buxheti fillestar prej 150 milionë lekësh.

Qeveria ka miratuar po ashtu edhe një vendim që i jep mbrojtje speciale çdo prokurori e gjyqtari, gjatë ushtrimit të detyrës apo edhe pas daljes në pension, nëse i rrezikohet jeta.

Në këtë skemë mbrojtjeje përfshihen familjarët e magjistratëve, por edhe pasuritë e tyre që mund të rrezikohen për shkak të detyrës./ABC News Albania 24/7

border-shba-1280x723.jpg
nev ila20:05 | 26/06/2019

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një projekt/buxhet për emigrantët në kufi me Meksikën. Ndërkohë, republikanët kanë kërcënuar se do ta bllokojnë draftin në Senat, pasi nuk bien dakord me mënyrën e shpenzimit të fondeve.

Demokratët në Kongresin amerikan kanë aprovuar një buxhet prej 4.5 miliardë dollarësh për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve në kufirin jugor të Shteteve të Bashkuara. Vdekjet e fundit të emigrantëve dhe raportimet për mbajtjen në kushte çnjerëzore të fëmijëve të tyre i hapën rrugë miratimit të fondit.

Por drafti pritet të përballet me një pengesë të fortë në Senatin e kontrolluar nga republikanët, që po konsideron miratimin e një drafti rival me më pak kufizime për përdorimin e fondit nga agjencitë ligjzbatuese që kontrollojnë kufirin.

Varianti demokrat, ndryshe nga ai republikan, parashikon që fondi të përdoret vetëm për ndihma humanitare dhe jo për operacione kundër emigracionit, apo ngritjes së kampeve për mbajtjen e refugjatëve dhe ngritjen e murit në kufi. Sidoqoftë, drafti kaloi me 230 vota pro dhe 195 kundër, i kundërshtuar edhe nga disa prej demokratëve.

Duke reaguar, Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se presidentit Trump do t’i sugjerohet nga këshilltarët që të vendosë veton ndaj draftit nëse ai shkon në tryezën e tij në formën aktuale.

Administrata amerikane akuzoi demokratët se po përpiqen të përfitojnë politikisht duke shfrytëzuar krizën aktuale të emigracionit./ABC News Albania 24/7

lulzim-basha-2-e1545328318977.jpg
ad min18:53 | 20/12/2018

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, propozoi në Kuvend që të dyfishohet buxheti për arsimin e lartë. Sipas tij, dyfishimi duhet të përdoret në dy mënyra. Së pari për studentët që vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj dhe së dyti nga studentët nga familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë të vjetra.

“PD propozon që të dyfishohet buxheti për arsimin e lartë. Nga 74 milionë dollarë në afro 150 milionë dollarë. Ky dyfishim të përdoret në dy mënyra. Së pari fasha e studentëve që vijnë nga familjet me të ardhura nën 640 mijë lekët të vjetra në muaj të përfitojnë subevencionim të plotë të vlerës. Efekti buxhetor do jetë afro 3.6 miliard lekë.

Fasha e dytë fëmijët që vijnë me familje me të ardhura mbi 640 mijë lekë. Për këtë fashë është përgjysmimi i tarifës. Efekti buxhetor është vetëm 2 milionë dollarë. Me dyfishimin e buxhetit 38 mln dollarë duhet të kalojnë si transfertë direkte në universitetet për tarifat e studentëve. 5 milionë euro duhet të përdoren për politika sociale për studentët”, u shpreh ai.

Sipas kryedemokratit Basha, para për të dyfishuar buxhetin e arsimit të lartë ka, por nuk ka vullnet. Megjithatë sipas tij, kjo nuk mjafton, pasi duhet të anulohet ligji për arsimin e lartë.

“Para ka për të dyfishuar buxhetin e arsimit të lartë, por Edi Rama nuk ka vullnet. Por rritja nuk mjafton. Duhet një reformë e thellë që fillon me anulimin e ligjit për arsimin e lartë. Ne do të parashtrojmë një program me studentë dhe pedagogë, por sot le të mjaftohemi me këtë të vërtetë: para ka por hajdutët i duan vetëm për vete”, përfundoi Basha./abcnews.al

rrogozhina123.jpg
ad min16:15 | 15/12/2018

Këshilltarët e Partisë Socialiste në bashkinë e Skraparit nuk e kanë miratuar projekt buxhetin për vitin e ardhshëm. Në një mbledhje që është shoqëruar me debate, me nëntë vota socialistët rrëzuan buxhetin me pretendimin se numri i punonjësve të bashkisë është i lartë, ndërkohë që jo të gjithë punonjësit paguhen me një nivel pagash.

Këshilltarët e PS, u shprehën kundër me argumentin se pa miratimin e ri të numrit të punonjësve të bashkisë dhe institucioneve në varësi të saj nuk mund të miratohej buxheti.

Nga ana tjetër kryetari i bashkisë së Skraparit Nesim Spahiu u shpreh se vendimi i marre është krejtësisht politik. Sipas tij bashkia e Skraparit me nëntë qendra administrative, 105 fshatra dhe me sipërfaqe pyjesh ka nevojë për më shumë punonjës./abcnews.al

korca.jpg
ad min15:16 | 17/11/2018

Në këshillin bashkiak të Korçës është miratuar paketa fiskale për vitin 2019. Para se të votohej ka patur debate mes këshilltarëve të djathte dhe kryebashkiakut të Korçës Sotiraq Filo në lidhje me rritjen e taksave gjatë tre viteve të fundit.

Mes debatesh dhe akuzash të ndërsjellta Këshilli Bashkiak i Korçës miratoi paketën fiskale për vitin 2019, e cila do të jetë e pandryshuar, krahasuar me 2018-n. Por këshilltarët e djathtë fajësojnë bashkinë për rritje taksash në tre vitet e fundit.

Dyfishimi i taksës së pastrimit, pa u vënë ende në funksion landfilli i Maliqit, nga e cila bashkia ju mblodhi qytetarëve 56 milionë lek të reja, përfshiu në debat kreun e grupit te këshilltarëve të djathte me kryebashkiakun Sotiraq Filo.

Të ardhurat e siguruara nga turizmi ishin një tjetër argument, për të cilin opozita akuzoi bashkinë se përtej propagandës, ekzekutivi është treguar i paaftë për të formalizuar këtë industri në të cilën, sipas këshilltarëve të djathtë janë investuar edhe para të paligjshme.

Akuzat e opozitës janë kundërshtuar nga kreu i bashkisë, për të cilin, Korça mbetet atraktive si nga vizitorët ashtu edhe nga investitorët. Me shumicë votash, të majtet votuan paketën fiskale, ndërsa të djathtët u shprehën kundër. /abcnews.al

edi-raamw.jpg
ad min18:24 | 13/11/2018

Sektori i bujqësisë do të marrë gjatë vitit 2019, mbështetjen financiare më të madhe në historinë e 8 qeverive të fundit. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me fermerë dhe përfaqësues të këtij sektori në Ibë të Tiranës, ku u prezantua buxheti i vitit 2019.

Në Buxhetin për Bujqësinë u fol për shumë herë të para.

“Vitin që vjen ne do të kemi një buxhet në mbështetje të bujqësisë, që është më shumë sesa të gjitha vitet e qeverisë së mëparshme të marra së bashku, të teta dhe çelim një program të ri mbështetje financiare të BE për fshatin, që i bashkohet programit të mbështetjes së qeverisë shqiptare, që në vetvete është për të dytin vit radhazi, një program që i kalon 20 milionë euro, diçka që as mund të mendohej dot më parë”.

Me krenari tregon kryeministri se eksportet i kanë dyfishuar që nga dita që janë ulur në karriget e qeverisë.

Kur ne e filluam punën, pasi morëm detyrën për të qeverisur Shqipërinë, kjo shifër ishte 150 milionë dollarë.

Burokracitë janë zeruar, e po zero dokumenta kërkohen për të aplikuar në skemat  mbështetëse te bujqësisë. Ky sektor ka marrë të gjithë vëmendjen e qeverisë në të gjitha drejtimet tha kryeministri Edi Rama duke i kujtuar se nuk e ka harruar premtimin për zerimin e TVSH-së mbi imputet bujqësore.

“Për momentin jemi në pikën, ku kemi një nivel të arsyeshëm dakordësie për të shkuar në 6 me 6. Pra, për ta ulur nga 20% në 6% TVSH-në e imputeve bujqësore dhe për të ulur po ashtu rimbursimin për grumbulluesit, pasi kanë demonstruar një shkallë jo të vogël mungese, si të thuash, respekti për skemën, duke mos e ndarë suksesin e skemës me fermerët”.

E sa për sigurinë ushqimore kryeministri shprehet mëse i bindur se konsumojmë e tregëtojmë ushqime shumë më të garantuara se para kohës që qeverisnin Shqipërinë./abcnews.al

blendi-klossii.png
ad min18:03 | 09/11/2018

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka kërkuar më shumë buxhet për pastrimin e venddepozitimeve të mbetjeve ilegale dhe për të arritur sfidën e 10 milionë turistëve. Ministri Blendi Klosi ishte në komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese ku raportoi për projekbuxhetin e vitit që vjen.

Harta e vendeve të ndotura është gati, por mungojnë paratë për t’i pastruar. Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka kërkuar më shumë buxhet për eleminimin e vendeve ilegale, ku depozitohen mbetjet. Ministri Blendi Klosi iu tha deputeteve të komisionit parlametar të veprimtarisë prodhuese se këtë problem nuk e zgjidh vetëm bashkëpunimi me pushtetin vendor.

“Ajo që na duhet nga komisioni i nderuar është që të mbështesim edhe më shumë në buxhet eleminimin e venddepozitimit ilegale të venddepozitimeve të mbetjeve urbane. Shqipëria do të jetë e papastër nëse ne nuk arrijmë të mbyllim 128 pika të cilat janë në përgjithësi buzë lumenjve ose në zona bregdetare”, tha Klosi.

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit njëkohësisht po punon për të hartuar kriteret e reja për marrjen e një leje mjedisore për 18 prej industrive në vend. Ato pritet të jenë gati brenda pranverës. Pasi synimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Turizmit është që sezoni i ardhshem turistik ta gjejë Shqipërinë më të pastër.

“Ne vazhdojmë të shprehim bindjen që Shqipëria nuk është e papastër, Shqipëria është e ndotur”, u shpreh ministri.

Turizmi sipas ministrit Klosi i solli vendit këtë vit 2 miliardë euro të ardhura, por sfida është më e madhe sa kaq.

“Mbi 300 milionë ka qenë fitimi i drejtpërdrejtë dhe të shtuara më shumë sesa viti 2017. Nëse flasim për sektorin e turizmit, rritjet janë relativisht shumë të mëdha dhe kjo pasqyrohet në projektbuxhetin e vitit tjetër”, u shpreh Klosi.

Me buxhetin e ri synohet që turizmi të mos përqëndrohet vetëm në bregdet, por përmes mbështetjes për agroturizmin të shtrihet në çdo bashki. /abcnews.al

shqiptare.png
ad min15:43 | 01/11/2018

Barra më e madhe e shpenzimeve për familjet shqiptare vitet e fundit duket se bie mbi produktet ushqimore dhe veshjeve. Këtë e konfirmojnë edhe statistikat e fundit nga INSTAT që lidhen me anketën e Buxhetit të Familjeve për vitin 2017.

Pjesën më të madhe të buxhetit për shumë shqiptarë e zënë shpenzimet për ushqime. Të pyetur nga ABC News shumë qytetarë thonë se shumicën e të ardhurave i harxhojnë për produktet ushqimore.

“Si pensionist ushqimet. Ata që kanë fëmijë mendojnë për gjëra të tjera, arsimi. Ne pleqtë mendojmë edhe për shëndetësinë”, tha një i moshuar.

“Për ushqim sigurisht. Ajo është kryesorja dhe pak për rroba”, u shpreh një qytetare.

Por kemi edhe një kategori tjetër, kryesisht të rinjtë që shpenzojnë më shumë për veshje dhe për argëtim.

“Gjëra bazike. Kafe, ushqime për pushim, këto të përhershme”, tha një tjetër.

“Janë ato qejfet fundjavave se ditë shkolle kemi orarin e përcaktuar”, tha një nxënës.

Në lidhje me shpenzimet dhe konsumin e qytetarëve shqiptarë shprehen edhe tregtarët, të cilët theksojnë se shpenzimet janë kryesisht për produktet ushqimore.

“S’ka lekë, s’ka xhiro. Populli fukara, çfarë të bëjmë”, tha një tregtar.

“Kursimi është i pashmangshëm. Konsumi është më i pakët, kuptohet është vështirësia ekonomike ajo që kufizon gjithçka”, tha një tjetër.

Sipas të dhënave të INSTAT, në anketën e Buxhetit të Familjeve për vitin 2017, shpenzimet totale mujore për rreth 770 mijë familje ishin 56.5 miliardë lekë në muaj ose 678 miliardë lekë në vit. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve, rreth 44% shkon për t’u ushqyer. Pas ushqimeve, sipas të dhënave të INSTAT, renditen shpenzime për veshjet, banesën, ujin dhe energjinë elektrike, me 10.9% të totalit ose 550 milionë euro./abcnews.al

greqia.png
ad min09:31 | 02/10/2018

Qeveria greke ka hartuar një buxhet të lehtësuar nga taksat dhe që shmang shkurtimin e pensioneve. Por teksa kreditorët shprehen skeptikë se Athina mund të arrijë objektivat e saj pa masa shtrënguese, manovra konsiderohet një taktikë e kryeministrit Tsipras për të fituar mbështetje popullore për zgjedhjet e ardhshme.

Qeveria në Greqi publikoi të hënën projekt buxhetin e vitit të ardhshëm, që do të ketë si prioritet rritjen e suficitit përtej kuotës së rënë dakord me kreditorët ndërkombëtarë dhe rritjen e ekonomisë në 2.5 për qind.

Bëhet fjalë për buxhetin e parë që vendi harton që pas daljes nga programi i ndihmave e që mes të tjerash ka si synim edhe shmangien e shkurtimit të pensioneve, siç është kërkuar nga huadhënësit.

Qeveria greke synon që sufici buxhetor të arrijë deri në 4.14 për qind të GDP-së vitin e ardhshëm, por nëse nuk bën shkurtimet e pensioneve, atëherë objektivi ka pak shanse të arrihet dhe mund të ndalet në 3.5 për qind, sa ç’është rënë dakord me ndërkombëtarët.

I ndodhur pas opozitës në sondazhe, presidenti Tsipras është fokusuar në një buxhet më pak shtrëngues, në mënyrë që të sigurojë mbështetjen e votuesve në zgjedhjet parlamentare.

“Lehtësimi i barrës së taksave dhe ulja e kontributeve për sigurimet shoqërore nuk do të ishin të mundura pa performancën fiskale të tre viteve të fundit, fryt i sakrificave të qytetarëve grekë”, thotë drafti qeveritar.

Kryeministri Aleksis Tsipras ka deklaruar se hapësira fiskale për të bërë një manovër të tillë ekziston. Ndërsa zëdhënësi i qeverisë, Dimitris Tzanakopulos ka deklaruar të hënën se bisedimet me Komisionin Europian për të shmangur shkurtimin e pensioneve janë në rrugën e duhur. Athina doli nga programi ndërkombëtar i ndihmave në gusht./abcnews.al

vlcsnap-error938-1-1280x720.jpg
ad min15:35 | 15/02/2018

Kontrolli i Lartë i Shtetit kërkon më shumë bashkëpunim nga qeveria në lidhje me personat që kanë marrë masën e largimit nga detyra. Shqetësimin, kreu i këtij institucioni, Bujar Leskaj, e shprehu gjatë analizës vjetore .

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka një kërkesë për qeverinë

“Kërkojmë më shumë bashkëpunim nga qeveria në lidhje me personat që kanë marrë masën e largimit nga detyra”.

Gjate anlizës vjetore të këtiij institutioni, kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit tha se me gjithë rritjen e trajnimeve dhe efikasitetit të punës, shtetit shqiptar vazhdon t’i shkaktohet nje dëm i madh ekonomik nga veprime dhe mosveprime të administrates publike.

“Pyetja a janë bërë gjatë vitit 2017, strukturat qeverisëse më të ndërgjegjshme në menaxhimin e fondeve publike për fat të keq merr një përgjigje jopozitive duke parë nivelin e dëmeve dhe shpenzimeve joefektive me efekte negative në buxhetin e shtetit”.

1007 masa disiplinore janë propozuar gjatë vitit të kaluar nga kontrollet e KLSH-së, ndërsa dëmi i shkaktuar shtetit është 11.5 milardë lekë./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono