burg

bajri-shkoder.jpg
G. P.16:16 | 24/09/2018

Gjykata për Krimet e Rënda ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë për 6 nga 9 të arrestuarit në Shqipëri si anëtarë të grupit kriminal “Bajri”. ABC News ka siguruar vendimin e gjykatës ku zbardhen akuzat për gjithë të dyshuarit.

Gjashtë nga nëntë të arrestuarit në Shqipëri nga operacioni “Oaz” si pjesë e grupit kriminal “Bajri” dolën të hënën para Gjykatës për Krimet e Rënda. Gjyqtarja Ilirjana Olldashi verifikoi masat e sigurisë “arrest në burg” caktuar në mungesë për ta, duke i lënë ato të pandryshuara.

Seanca e paracaktuar në orën 14:00 nisi me një orë vonesë. Shkak u bë vonesa në transportimin e Safet Rustemit (Bajrit) nga Shkodra, ku ai ishte paraditen e së hënës ishte për një masë sigurie për llogari të njohjes së vendimi penal fajësie dhënë ndaj tij në Belgjikë.

Në përfundim të seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, avokati i Safet Bajrit, i konsideruar si më kryesorët e grupit e cilësoi të papërshtatshme masën “arrest në burg” për klientin e tij. Ai tha se gjykata nuk kishte marrë parasysh as një garanci pasurore.

ABC News siguroi një kopje të vendimit të Gjykatës për Krimet e Rënda në lidhje me grupin “Bajri”. Mbi të dyshuarit e lënë në “arrest në burg” rëndojnë veprat penale të “paracaktimit të rezultateve në garat sportive”, “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe “organizim i llogarive të palejuara”, të gjitha në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Sipas dosjes gjyqësore, rezulton se hetimi ndaj këtij grupi ka nisur nga Krimet e Rënda gjashtë muaj më parë duke ngritur dyshime për përfshirjen e tyre në vrasje, gjobëvënie dhe trukim ndeshjesh sportive.

Në vijim këtij procedimi i janë bashkangjitur edhe tre procedime të Prokurorisë së Shkodrës, përkatësisht ai për tentativën e vrasjes së Arbën Tuzit në vititn 1999, vrasjen e tij në vitin 2001, si edhe vrasjen e Fabiola Bajrit në vitin 2002. Sipas Prokurorisë për Krimet e Rënda, autori i dyshuar i tyre është Behar Bajri (Rustemi), aktualisht i arrestuar në Holandë.

Ndërkohë të martën, pritet të dalin për verifikim mase para Gjykatës për Krimet e Rënda, tre nga personat e tjerë të arrestuar në Shqipëri nga operacioni “Oaz”./abcnews.al

 

OK-HETIMET-PER-SAFET-BAJRIN.mpg_snapshot_00.17-1280x720.jpg
G. P.12:08 | 24/09/2018

Gjykata e Shkodrës ka dhënë masë sigurie arrest me burg për Safet Bajri. Sipas burimeve nga gjykata, kjo masë ishte për llogari të belgëve, të cilët kanë çuar dosjen në ngarkim të tij në këtë gjykatë.

Gjykata e Shkodrës la arrest me burg Safet Bajrin për krimet në Belgjikë. Më herët, FNSH-ja dhe forcat e Policisë, blinduan territorin kur Safet Bajri, i arrestuari i klanit Bajri, u fut në gjykatë për të marrë masën e sigurisë. Ai u arrestua bashke me 10 persona të tjerë, por Gjykata e Krimeve të Renda vendosi masën e sigurisë për ta. Kurse për Safet Bajrin vendosi  Gjykata e Shkodrës, pasi sipas një procedure dosja per krimet e Belgjikës, ka shkuar në këtë gjykatë.

Avokati i klientit nuk pranoi të flasë për mediat, por as nga gjykata dhe prokuroria nuk u dha asnjë informacion rreth dosjes së Belgjikës. Vetë Bajri nuk foli në gjykatë kur iu komunikua masa e arrestit. Më 25/01/2017, Safet Rustemi u dënua nga Gjykata e Apelit e Brukselit me 9 vjet burg si kreu i një bande kriminale që përpiqej të kontrollonte skenën e drogës dhe prostitucionit në Bruksel. Më herët në 22 shkurt 2014, ai ishte dënuar nga Gjykata Penale e Brukselit me një burgim prej 9 vjetësh si kreu i një bande kriminale që merret me importin dhe trafik droge. Po të njëjtën ditë, ai dënohet me pesë vjet burgim për posedim dhe trafikim droge dhe heqje të paligjshme të lirisë përmes kërcënimeve me vdekje./abcnews.al

uroriaaa.jpg
G. P.12:11 | 23/09/2018

Donata Lepenica, avokatja e arrestuar të enjten pas dyshimeve për “korrupsion” do të hetohet në masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata ka lënë të pandryshuar masën e sigururisë të marrë në mungesë për të, ndrsa ka liruar një prej të bashkëarrestuarve me të. Tre të dyshuarit kanë heshtur në sallën e gjyqit.

Gjykata për Krimet e Rënda ka lënë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë me herët në mungesë për avokaten Donata Lepenica. Ajo u arrestua të enjten, pasi dyshohet të jetë përfshirë në një aferë korruptive prej 2 mijë euro në Prokurorinë e Tiranës, me qëllim zbutjen e akuzës për një person të proceduar.

Avokatja Lepenica ka qëndruar e heshtur në sallën e gjyqit. Avokati i saj ka rezervuar të drejtën për të dhënë shpjegime në një moment tjetër procedurial, pasi të jenë njohur me të gjitha aktet e dosjes. Masa “arrest në burg” është lënë në fuqi edhe për të arrestuarin tjetër nga operacioni i koduar “Ndërmjetësi”, Yzeir Bala.

Ndërkohë gjykata ka vendosur lirimin nga burgu të bashkëshortes së tij, Megi Naksi. Ndonëse prokuroria kërkoi “arrest në burg”, gjykata vlerësoi për të masën “arrest shtëpie”. Edhe Bala e Naksi janë shfaqur të kursyer në pretendimet e tyre para gjykatës, duke pohuar se do të shprehen në një moment të dytë.

Afera korruptive ku dyshohet të jetë përfshirë avokatja Lepenica dhe dy të tjetët u zbulua nga përgjimet e kryera për llogari të një hetimi tjetër në Prokurorinë e Tiranës. Në një bisedë mes avokates dhe një personi të arrestuar për “shitje lëndësh narkotike”, ajo përmend emrin e prokurorit Përparim Hasa, aktualisht nën hetim për çështjen, duke thënë se e kishte rregulluar me të.

Oficerët e Krimeve kanë administruar edhe disa pamje filmike të kamerave të sigurisë në godinën e Prokurorisë së Tiranës për të verifikuar hyrje-daljet e avokatës në godinë, apo zyrën e prokurorit, apo edhe të personave të tjerë të arrestuar./abcnews.al

familjaaa.jpg
G. P.11:09 | 18/09/2018

Tetë anëtarë të një familjeje shqiptare rrezikojnë të dënohet me burg në Belgjikë pasi dyshohen se merreshin me trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ata e kryenin biznesin e paligjshëm përmes tregtisë së makinave.

Arrestimi i familjes u bë në Janar të këtij vitit, kur policia i arrestoi në disa adresa në Sint-Niklaas dhe një në Gent. Autoritetet sekuestruan disa makina dhe kuti në garazhin e bandës. Aty gjetën sasi të mëdha kokaine, kanabisi dhe 32 mijë euro në total.

Në krye të familjes qëndronin tre vëllezërit; Gëzimi, 38 vjeç, Martini, 31 vjeç dhe Erlindi, 26 vjeç. Përveç tyre në grup ishin përfshirë edhe dy motrat, një kunatë, dy kushurinj dhe një shok i një prej vëllezërve.

Në seancën e radhës gjyqësore të zhvilluar të hënën, ata mohuan që të jenë pjesë e trafikut të drogës.

Familja shqiptare siguronte transportin e kokainës nga Roterdami në Zvicër, Gjermani, Itali dhe Angli. Hetimet zbuluan se banda kishte filluar një biznes shitjesh me pakicë në Sint-Niklaas që operonte në të gjithë zonën e Waasland.

Secili prej anëtarëve të familjes rrezikon deri në 4 vjet burg. Dënimi për ta do të jepet muajin e ardhshëm./abcnews.al

BURG-JURISTIT-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.12-1280x720.jpg
G. P.14:04 | 09/09/2018

Gjykata e Korçës la në burg juristin e Hipotekës në fund të seancës për masën e sigurisë. Elvis Gjata akuzohet se përmes mashtrimit i mori një gruaje nga Librazhdi tetë mijë euro. Këtë e bëri duke i premtuar asaj ndërhyrje për një çështje penale në gjykatë.

Mbi Gjatën rëndon akuza e mashtrimit në bashkëpunim. Juristi u arrestua dy ditë më parë pas denoncimit të bërë nga viktima e mashtrimit. Me të marrë padinë, policia dhe prokuroria e vunë në ndjekje Elvis Gjatën dhe siguruan prova për akuzën e mashtrimit./abcnews.al

150819-saudi.jpg
G. P.17:35 | 22/08/2018

Organizata e të drejtave të njeriut po përpiqen që të shpëtojnë jetën e gruas së parë aktiviste në Arabinë Saudite, e cila është dënuar me vdekje për shkak të këndvështirmeve të saj politike. Israa al-Ghomgham 29 vjeç, u arrestua bashkë me bashkëshortin e saj Moussa al-Hashem në Dhjetor te vitit 2015. Ata kishin organizuar protesta anti-qeveritare në lindje të provincës së Qatifit.

Në gjyqin nga specialistët vendas, Ghomgham dhe pesë të akuzuar të tjerë iu dha dënimi me prerje koke për shkak të ligjit ndaj anti-terrorizmit. Aktivistët e tjerë tashmë po lobojnë për një rishikim të vendimit në apelimin e fundit të planifikuar në tetor. Aktivistja tashmë ka kryer tre vite burg dhe nuk është lejuar që të mbrohet nga një avokat./abcnews.al

KRONIKE-SEBASTIAN-VALL-SUEDEZI-MASA.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
G. P.14:35 | 16/08/2018

Gjykata për Krimet e Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për 21 vjeçarin suedez Rickard Sebastian Vall. Ai u arrestua në 14 gusht në doganën e Muriqnit, teksa po tentonte të kalonte 19 pistoleta drejt Malit të Zi. Në gjykatë i riu tha se ishte vetëm transportues dhe se e kishte bërë gjithçka për para.

“E kam bërë për para. Unë jam vetëm transportuesi”.
Rickard Sebastian Vall, 21 vjeçari suedez i arrestuar në 14 gusht në pikëkalimin kufitar të Muriqatit me 19 pistoleta me vete dha këtë shpjegim në seancën e caktimit të masës së sigurisë tek Krimet e Rënda. Me kërkesë të prokurorit, gjyqtari Sandër Simoni caktoi masën e sigurisë “arrest në burg”, paçka qëndrimit pohues për përfshirjen në trafikun e armëve.

“Kam udhëtuar me avion nga Suedia drejt Kosovës me një linjë tranzit nga Turqia. Qëndrova katër ditë në Prishtinë ku edhe bleva pistoletat tek një person që nuk ia dija emrin. Do të kthehesha në Suedi në rrugë tokësore, fillimisht me linjë autobusi nga Kosova në Gjermani e më tej në Suedi. Kisha nevojë për para, pasi isha i papunë. Doja të studioja, por nuk kisha mundësi”, tha Vall në sallën e gjyqit.

I dyshuari nuk rrëfeu vlerën e blerjes së pistoletave dhe as porositësit e saj në Suedi. Prokurori Vladimir Mara tha se 21 vjeçari po hetohet për akuzën e “trafikut të armëve dhe municionit”, kryer në bashkëpunim. Sipas prokurorit, Vall u ndalua nga kontrolli policor në doganën e Muriqanit, teksa autobusi i tij po dilte nga Shqipëria drejt Malit të Zi.

Me ndërmjetësimin e përkthyesit dhe avokatit të tij Stefan Topalli, Val kërkoi një masës sigurie me afat 2 mujor, kërkesë që nuk u mor parasysh nga gjykata. Në sallën e gjyqit nuk ndodhej asnjë përfaqësues i ambasadës suedeze në Tiranë, por ABC News mësoi se ai është kontatuar nga përfaqësues të ambasadës në ambientet e praburgimit./abcnews.al

GRUAJA-NE-FIER-MBULIM_ABC-M2-T1.mpg_snapshot_00.53-1280x720.jpg
G. P.12:51 | 15/08/2018

Gjykata e Fierit ka lënë në burg gruan 42 vjeçare që i vuri flakën shtëpisë dhe tentoi të mbyste në lumin Seman dy fëmijët e saj të vegjël. Rudina Kishta tha para trupit gjykues se i vuri flakën shtëpisë për shkak se burri i saj ishte pijanec dhe e dhunonte.

Rudina Kishta, e cila i vuri flakën shtëpisë së bashkëjtuesit dhe tentoi të mbyste dy fëmijët e saj në lumin Seman, nuk nguroi tu fliste gazetarëve para se të niste seancën për masën e sigurisë. Ajo u tha atyre ato që kishte pranuar edhe para prokurorit. Burri pinte alkool dhe e dhunonte. Ky është shkaku, sipas saj, që dogji shtëpinë. Kurse për fëmijët, ajo tha se donte të tërhiqte vëmendjen që shteti ti marrë e të kujdeset për to sepse nuk mund ti rrisë e ti ushqejë.

Por masa e sigurisë “burg pa afat” nuk vonoi për Rudina Kishtën. Në pak minuta, gjykatësi Taulant Banushi, vendosi arrestin dhe urdhëroi edhe ekspertizën psikiatrike për 42 vjeçaren. Mbi Kishtën rëndon akuza e tentativës për vrasje dhe zjarrëvënie me qëllim. Çifti kishte dy vjet që ishin martuar, por pasi jetuan 6 muaj ishin ndarë dhe pas një periudhe ishin ribashkuar. Kjo gjë ka ndodhur disa herë. E diela e javës që shkoi ishte hera e fundit që Ardian Gjika shkoi ta merrte gruan e tij duke e bindur që ajo kthehej./abcnews.al

ITALI-ARRATISJA.mpg_snapshot_00.05-1280x720.jpg
G. P.13:37 | 02/08/2018

Duke përfituar nga leja që i ishte dhënë nga burgu, një 45 vjeçar shqiptar në Torino është arratisur pa lënë gjurmë, pasi plagosi me thikë kunatin e tij egjiptian. Tashmë ai akuzohet dhe për vrasje të mbetur në tentativë.

Një i burgosur shqiptar 45 vjeç, ka përfituar nga leja dhe nuk ëshët kthyer më në qeli. Pasi ka plagosur me thikë kunatin e tij egjiptian ai është arratisur pa lënë gjurmë.

Ai ishte punësuar përkohësisht në një firmë në provincën e Monkalierit. Mbrëmjen e të martës ai nuk u rikthye në qeli por shkoi në shtëpinë e kunatit të tij egjiptian në periferinë jugore të Torinos. Si pasojë e një debati i burgosuri qëlloi kunatin e tij me thikë duke e lënë të plagosur. Tashmë ai akuzohet dhe për vrasje të mbetur në tentativë.

Ndërkaq në Itali kanë nisur debatet për shkak të lehtësisë për dhënien e lejeve të të burgosurve që konsiderohen si një rrezik për shoqërinë./abcnews.al

korceee.jpg
G. P.13:42 | 31/07/2018

Autori që plagosi një person para bashkisë së Korçës u la në burg. Gjykata caktoi masën e sigurisë arrest me burg për 48-vjeçarin Gazmend Agolli.

Ai akuzohet se qëlloi me armë të shtunën 38-vjecarin Erjon Hoxhallari. Për personin tjetër të përfshirë në konflikt Daniel Morava, gjykata, sipas kërkesës së prokurorisë, caktoi masën e sigurisë, detyrim paraqitje.

Të njëjtën masë sigurimi personal dha gjykata edhe për Erjon Hoxhallarin, i cili mbeti i plagosur nga të shtënat e Gazmend Agollit./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono