bundestag

48969267_303.jpg
G. P.18:20 | 19/06/2019

Në një analizë të saj Deutsche Welle, rendit arsyet se pse Bashkimi Europian lë ende në pritje Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ndërsa ministri gjerman Michael Roth arsyeton mëdyshjet e tij.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian nuk kanë përmendur datë konkrete për dy vendet aspirante për në BE, Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Por në vjeshtë mund të diskutohet për këtë. Ndoshta. Gjermania ngurron. Në një analizë të saj Deutsche Welle shkruan ndër të tjera se derisa të valëviten në Bruksel flamujt e Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut do të duhet kohë. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të kenë ende durim.

Në Tetor ministrat përkatës të BE-së mund të vendosin për një datë konkrete për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me këto dy vende. Komisari i BE-së për zgjerimin, Johannes Hahn, në fund të majit u dha një dëftesë pozitive të dy vendeve duke shpresuar, që shtetet e BE-së do ta mbështesin propozimin e tij. Tani ai është disi i zhgënjyer, që Franca, Danimarka, Holanda dhe Gjermania ngurruan të japin premtime konkrete.

Ministri i Shtetit pranë Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë,  Michael Roth, e argumentoi qëndrimin gjerman me “po, por…” në takimin e ministrave të Jashtëm në Luksemburg. Bundestagu gjerman, miratimi i të cilit është i nevojshëm për hapjen e negociatave, ende nuk ka pasur kohë të mjaftueshme, që të shqyrtojë rekomandimet e komisionit.

Diplomatët e BE-së e konsiderojnë këtë argument si pretekst, sepse prej kohësh ishte e qartë, që vlerësimet për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të ishin pozitive. Madje edhe vetë Michael Roth-it iu desh ta pranojë, që të dyja vendet detyrat e fundit të shtëpisë, që iu ngarkuan prej ministrave vitin e kaluar, tashmë i kanë realizuar: “Për mendimin tim ato janë të realizuara”.

Maqedonia e Veriut madje ka “shkruar histori”, duke i dhënë fund grindjes me vendin fqinjë Greqinë, anëtare në BE, me ndryshimin e emrit të shtetit.  “Këtë duhet ta vlerësojmë. BE-ja nuk duhet të humbasë kredibilitetin”, nënvizoi ministri i shtetit Roth. Ndaj mbetet objektivi për t’i nisur sa më parë bisedimet e anëtarësimit.

Shqipëria, sipas vlerësimit të Komisionit e ka forcuar dukshëm luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë ky vend aktualisht ndodhet në një krizë kushtetuese, sepse Gjykata Kushtetuese është e paralizuar dhe ka probleme me zgjedhjet lokale.

Presidenti i Shqipërisë i shtyu zgjedhjet lokale. Kryeministri ia mohon këtë të drejtë presidentit. Shumë njerëz prej muajsh demonstrojnë kundër qeverisë. Numri i shqiptarëve, që kërkojnë azil në BE është në rritje. Ky nuk është një rekomandim pozitiv, mendojnë nëpunësit e BE-së në Luksemburg.

Por nuk është vetëm kjo arsyeja përse parlamenti holandez i sheh me sy kritik negociatat me Shqipërinë. Deputetët holandezë kanë paraqitur një kërkesë që Shqipëria të mbetet në pritje, ndërkohë që t’i jepet një datë konkrete Maqedonisë së Veriut për negociatat.

Një shkëputje të dy vendeve në raundin e ardhshëm e refuzon Italia, që si vendi i drejtpërdrejt fqinjë me Shqipërinë në Adriatik e mbështet fort anëtarësimin e saj. Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas (SPD) javën e kaluar u shpreh për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me të dyja këto vende kandidate, por ai u frenua prej partnerit të koalicionit në Berlin duke iu referuar nevojës së miratimit në Bundestag./abcnews.al

taulant-balla.jpg
nev ila11:55 | 06/06/2019

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla nuk ka dhënë asnjë koment për përgjimet e bëra publike një ditë më parë nga gazeta BILD. Nga Berlini ku ka zhvilluar një vizitë dy ditore, numri dy i Partisë Socialiste ka akuzuar opozitën se ka bërë përpjekje kundër integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Asnjë fjalë për përgjimet e gazetës Bild nuk tha kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla në mbyllje të vizitës dy ditore në Gjermani. Zgjodhi të  komentojë vetëm artikullin e Die Welt mbi bukuritë e Shqipërisë.

 

Po ashtu dua të ndaj me ju faktin që gazeta më e madhe gjermane, përsa i përket edhe qasjes në politikën e jashtme, Die Welt kishte një edicion të veçantë kushtuar Shqipërisë.

Në më shumë se 50 faqe kjo gazetë kishte prezantuar një Shqipëri të vërtetë, jo Shqipëria e disa mediave të cilat në mënyrë të qëllimshme mundohen t’i bëjnë dëm imazhit të Shqipërisë”, tha Balla.

Pavarësisht situatës në vend ku prokuroria ka nisur hetimet edhe ndaj vetes për të zbardhur nxjerrjen e sekretit hetimor, kreu i grupit parlamentar socialist flet për baltën që është mundur të hedhë opozita në Gjermani.

“Edhe këtu nga Berlini dua ta them shumë qartë se kushdo politikan që është kundër kësaj reforme është automatikisht kundër rrugës evropiane të Shqipërisë.

Për fat të keq, opozita shqiptare është munduar edhe në Gjermani, të hedhë baltë mbi Shqipërinë dhe mbi rrugën evropiane të saj, por unë jam i bindur që këtu kjo baltë nuk ngjit për sa kohë që vlerësimi është teknik. Ky vlerësim ka të bëjë me realizimin e këtyre reformave; Reforma në Drejtësi, apo lufta kundër krimit dhe korrupsionit njihet si rezultat pozitiv dhe progres i dukshëm nga ana e Shqipërisë”, tha ai.

Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla ka zhvilluar takime në Parlamentin Gjerman (Bundestag) dhe me përfaqësues të Qeverisë gjermane. Qëllimi ishte biseda lidhur me rekomandimin pozitiv pa kushte të Komisionit Evropian për fillimin e bisedimeve për anëtarësim mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian dhe shqyrtimi i këtij rekomandimi nga Bundestagu gjerman në një kohë sa më të afërt./ABC News Albania 24/7

 

ramush-haradinaj_1499679648-5275555.jpg
nev ila10:39 | 06/06/2019

 

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ndodhet në Berlin në kuadër të një vizite njëditore, ku do të takohet me kancelaren gjermane Angela Merkel. Fillimisht kreu i ekzekutivit kosovar është takuar me Grupin Parlamentar për Evropën Juglindore të Bundestagut

Haradinaj, u shpreh se këto takime kanë për qëllim thellimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Bashkëpunimi i bazuar në besim është i domosdoshëm në rrugëtimin e Kosovës për zhvillim ekonomik, integrime evropiane dhe në fushën e sigurisë. Gjermania vazhdon të jetë një ndër partnerët kryesorë të Kosovës dhe përkrahja e tyre është jetike në arritjen e objektivave tona të përbashkëta”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj ka mbërritur në Berlin gjatë ditës së djeshme ku është pritur me ceremoni ushtarake. Ai është i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli./ABC News Albania 24/7

Florian-Hahn-1.jpg
G. P.18:48 | 27/02/2019

Zëdhënësi i politikave për Evropën në grupin parlamentar CDU / CSU në Bundestagun gjerman Florian Hahn mbështet protestat e organizuara nga opozita në Shqipëri, por shprehet kundër djegies së mandateve nga deputetët e saj. Në një intervistë për Deutsche Welle Hahn deklaron:

“Nuk kam asgjë kundër protestave. Por kam pasur këshillën që të mos bojkotohet Parlamenti dhe mundësisht të braktiset kjo rrugë e nisur, në mënyrë që sërish të krijohet një bashkëpunim normal me njëri-tjetrin, ose edhe kundër njëri-tjetrit, por në kuadër të parlamentit, ashtu siç e parasheh demokracia.”

Situata e krijuar në Shqipëri konsiderohet e vështirë nga Florian Hahn, i cili i bën thirrje deputetëve opozitare në listë pritje të plotësojnë vendet bosh në parlament. Ndërsa zgjedhjet e reja nuk konsiderohen zgjidhje prej tij.

“Ky ishte një gabim i rëndë dhe në fakt nuk është partia ajo që vendos për mandatin. Ta zëmë se do të kishim një parti tjetër në pushtet. Çfarë do të mësonte partia opozitare nga kjo? Do të mësonte se duke bojkotuar sistemin dhe duke dorëzuar mandatet sërish mund të imponoheshin zgjedhje të reja. Këtu shtrohet pyetja se ku dëshiron të shkojë Shqipëria. Dëshiron të jetë një vend i qëndrueshëm demokratik, dëshiron të bëhet pjesë e BE-së?”

Hahn vlerëson pozitivisht procesin e Vettingut ndërkohë që ashtu si edhe në qëndrimin e pak ditëve më parë thotë se perspektiva evropiane në vendin tonë është vënë në rrezik./abcnews.al

 

MBULIM-BALLA-NE-BUNDESTAGUN-GJERMAN.mpg_snapshot_00.01-1280x720.jpg
G. P.18:27 | 19/11/2018

Tre çështje ka paraqitur kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në vizitën zyrtare që po zhvillon në Gjermani. Përpara deputetëve të Bundestagut Taulant Balla tha se Reforma në Drejtësi, po ecën në rrugën e duhur dhe se procesi i Vettingut në radhët e kandidatëve të KLGJ dhe KLP është drejt përfundimit. Çështja e dytë e ngritur në takim ishte Reforma Zgjedhore, ku vetë qeveria gjermane është investuar.

Për herë te parë në draftin e përgatitur janë pasqyruar të gjitha rekomandimet e raporteve të OSBE për procesin zgjedhor që nga 2013- nënvizoi Balla. Lufta ndaj krimit të organizuar ishte çështja e tretë e diskutuar në takim, e cila sipas deputetit socialist po jep çdo ditë rezultate edhe më të mira, sidomos për sa i përket kultivimit të kanabisit./abcnews.al

ruci.jpg
G. P.15:59 | 06/09/2018

Opozita nuk ka arsye të kërkojë kthimin prapa të reformës në drejtësi duke sulmuar organet e Vetting-ut sepse reforma mbështetet mbi urinë dhe dëshirën e madhe të shqiptarëve për drejtësi.

Kështu është shprehur kryetari kuvendit Gramoz Ruci në takimin që ka zhvilluar me raporterët e Komitetit Monitorues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Andrej Hunko, përfaqësues i Bundestagut Gjerman, dhe Joseph O’Reilly, senator i Dhomës së Lartë të Irlandës, të cilët ndodhen në Shqipëri për një vizitë faktmbledhëse për monitorimin e detyrimeve dhe angazhimeve të Shqipërisë.

Në përgjigje të interesimit të reporterëve për mundësinë e uljes së tensioneve politike dhe zbutjen e polarizimit politik, Ruçi nënvizoi se shqetësimi i tij si kryetar i Kuvendit është që opozita të ketë akses të plotë në ligjbërje dhe kontroll parlamentar.

Raporterët inkurajuan Kryetarin e Kuvendit që të bëjë gjithcka mundet, të përdorë çdo nismë parlamentare, brenda kornizës kushtetuese, për të mbajtur opozitën në Kuvend./abcnews.al

meta123344.jpg
G. P.13:19 | 15/06/2018

Shqiptarët luten që vendimi të jetë pozitiv për celjen e negociatave. Me këto fjalë iu drejtua deputetëve gjermanë Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në “Takimin e 23-të Ndërkombëtar të Berlinit”, ku mori pjesë si i ftuar nderi.

Dy javë e ndajnë Shqipërinë nga vendimi i rëndësishëm që pritet të merret nga Këshilli Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. I ftuar nderi i Bundestagut gjerman në “Takimin e 23-të Ndërkombëtar të Berlinit”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u shpreh se shqiptarët luten që ky vendim të jetë pozitiv si për Shqipërinë, ashtu edhe për fqinjin tonë Maqedoninë.

“Brenda kësaj lutjeje qëndron dhe vetëdija e plotë për punën akoma më të madhe që duhet të bëjmë për të rritur cilësinë dhe standardet në të gjitha fushat e politikbërjes. Çelja e negociatave do të ishte një shtysë inkurajuese për adresimin edhe më të fortë të prioriteteve kyçe”.

Një tjetër lutje e përbashkët ishte për zgjidhjen sa më parë të cështjes së emrit të Maqedonisë tha kreu i shtetit por edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të përparojë drejt një zgjidhjeje përfundimtare të pranueshme për të dyja vendet./abcnews.al

shqipjaaa.jpg
G. P.09:45 | 16/05/2018

Në një tryezë të rrumbullakët në ambientet e Parlamentit Gjerman u debatua rreth hapjes së negociatave me Shqipërinë. Debati nxorri në pah dallimet mes partive të koalicionit qeverisës.

Po të qe për socialdemokratin Michael Roth, ministrin e Shtetit për Çështje Evropiane, pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme  të Gjermanisë, negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë duhet të çelen sa më shpejt.  Në lidhje me Shqipërinë, Roth përmend një sërë zhvillimesh pozitive që sipas tij duhen shpërblyer. Në krye të listës është procesi i rivlerësimit të gjyqësorit, vettingu, i cili sipas tij konsiderohet model për rajonin.

Negociatat do të kenë një impakt pozitiv për reforma të tilla: “Po të krahasosh zhvillimin në Shqipëri me atë në Serbi dhe Mal të Zi, të cilat po bëjnë negoicata konkrete për anëtarësim, mendoj se ky sinjal është një ndihmesë e madhe për stabilizimin e rajonit dhe dokumenton se ne e kemi seriozisht”, tha Roth të martën në mbrëmje në Berlin, gjatë një tryeze të rrumbullakët për Shqipërinë.

Qëllimi i tryezes së mbajtur në ambientet e Bundestagut ishte që të informoheshin deputetët dhe të interesuarit nga politika, shkenca, media dhe ekonomia rreth gjendjes aktuale në Shqipëri dhe të debatonin për përparësitë dhe anët negative të çeljes së negociatave me Shqipërinë.

Por debati mungoi, pasi thuajse të gjithë  folësit në këtë tryezë ishin pozitivë ndaj çeljes së negociatave. I vetmi që e shihte pak më ndryshe gjendjen në Shqipëri, është Thorsten Frei, raportuesi për Shqipërinë në grupin  parlamentar CDU/CSU:  Frei tha se rezulatet e Vettingut, që deri tani ka pasur vetëm pesë procese, nuk mund të shihen ende. Veç të tjerash Frei përmendi edhe tema të tjera, që ende nuk po zgjidhen, siç është reforma zgjedhore dhe lufta kundër krimit të organizuar: “Janë bërë përparime në luftimin e kultivimit të drogës, por jo në tregtinë me të,” vuri re ai. Grupi parlamentar i tij do ta caktojë së bashku me  partinë tjetër të koalicionit, SPD, një pozicion deri në qershor, me të cilin do të prezantohet kancelarja gjermane në samitin e Brukselit, në fund të qershorit.

Për Manuel Sarrazin-in, momenti i tanishëm është shumë i përshtatshëm: “Nëse nuk hapen tani, do të ketë një periudhë pauze të gjatë”,  tha deputeti i të Gjelbërve, i cili ishte edhe njëri prej  organizatorëve kryesorë të takimit. Sipas Sarrazinit mekanizmi i perspektivës europiane është i vetmi mekanizëm efektiv për reformat dhe ngritjen e instiucioneve demokratike.

Edhe Ardian Haçkaj nga Instituti për Bashkëpunim dhe Zhvilllim në Tiranë, përmendi zhvillimet dhe përparimet që ka bërë Shqipëria në këto kohë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë juridik. Ai përmendi efektin e madh pozitiv që ka Vettingu, jo vetëm në drejtësi por edhe në komunikimin mes opozitës dhe pozitës, që sipas Haçkaj ka nisur të jetë konstruktiv. “Evropa është për ne një çështje ekzistenciale, por ne e dimë se është një rrugë e gjatë dhe e vështirë”, tha politologu shqiptar.

Një mbështetje tjetër për negociatat erdhi edhe nga ambasadorja e BE-së në Tiranë, Romana Vlahutin, e cila vlerësoi procesin e reformës juridike, të cilën ajo e quajti një proces shumë të guximshëm, për të cilin Shqipërisë iu desh të ndryshonte një të tretën e kushtetutës dhe kujtoi ndër të tjera se integrimi i Shqipërisë në procesin e negociatave do të jetë një faktor stabilizimi në rajon, nisur nga fakti që “shqiptarët etnikë jetojnë në pesë prej gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Aktiviteti i moderuar nga gazetari gjerman, Michael Martens, korrespondent i Evropës Juglindore dhe Turqinë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung,  ishte organizuar nga Shoqata e Evropës Juglindore dhe Unioni Gjerman për Europën./DW

merkel-2.jpg
ent ela11:12 | 14/03/2018

Angela Merkel  ka fituar votëbesimin në Bundestag për të nisur punën për mandatin e katërt në drejtim të Gjermanisë. Megjithatë, 35 deputetë të Koalicionit të Madh kanë votuar kundër saj, që nënkupton vështirësi për Merkel në qeverisje.

Angela Merkel fitoi votëbesimin në Bundestag, i cili e rizgjodhi në drejtim të Gjermanisë. Në këtë mënyrë u hap dhe mandati i katërt i kancelares. Merkel do të udhëheqë edicionin e ri të Koalicionit të Madh mes Unionit Kristian Demokrat “CDU”, Unionit Kristian Social “CSU” dhe Social Demokratëve “SPD”.

Për të arritur maxhorancën, kancelares i duheshin 355 vota. Merkel arriti të fitojë votëbesimin me mbështetjen e 364 deputetëve. Menjëherë pranoi votimin duke iu përgjigjur presidentit të Bundestagut: “Po, e pranoj”, sipas procedurës së seancës. Merkel mori 9 vota më shumë se minimumi I mundshëm, por në rizgjedhjen e saj munguan shumë vota të koalicionit të maxhorancës, duke parë që kishte 399 deputetë në dispozicion. Pra kanë munguar 35 vota në favor, gjë kjo që mund të përbëjë problem për kancelaren duke parë edhe rritjen e ndjeshme të opozitës në Bundestag.

“Nuk e kam pritur një kundërshtim kaq të gjerë”, është shprehur një përfaqësues i partisë Liberale, i cili shton se ky nuk është një sinjal i mirë për fillimin e kësaj qeverie.

Ndërkohë, për herë të parë Angela Merkel është shoqëruar në Bundestag nga bashkëshorti i saj, Joachim Sauer. Në 3 mandatet e kaluara nuk ishte gjendur në parlament për shkak të impenjimeve të punës në universitet. Sauer ka ndjekur punimet në tribunën e nderit, i shoqëruar nga i biri Daniel. Gjithashtu prezente ishte dhe mamaja e Merkel, Herlind Kasner, e cila ka marrë pjesë edhe në 3 rastet precedente. /abcnews.al

vlcsnap-error878-1280x720.jpg
ent ela12:18 | 22/02/2018

Kancelarja gjermane, Angela Merkel duke folur në Bundestag ka dënuar masakrën në Gutën Lindore në Siri dhe kërkoi ndalimin e saj. Gjithashtu ajo foli edhe për fuqizimin e Bashkimit Europian.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka folur në Dhomën e Ulët të Bundestagut për një sërë çështjesh që janë në vëmendjen e opinionit publik. Duke dënuar vrasjet e civilëve të pafajshëm në Gutën Lindore në Siri, ajo nënvizon se Berlini do të bisedojë me Moskën në përpjekje për të ndalur masakrën, në të cilën janë vrarë mbi 250 civile mes të cilëve dhe fëmijë.

Merkel: “Ajo që po shohim aktualisht, në ngjarjet e tmerrshme në Siri, është një regjim që nuk po lufton kundër terroristëve, por kundër popullit të saj. Vrasja e fëmijëve, shkatërrimi i spitaleve, e gjithë kjo është një masakrë e cila duhet të dënohet”.

Gjithashtu theksoi se Gjermania do të diskutojë me Rusinë, rreth ndalimit të bombardimeve të regjimit të presidentit sirian Bashar Al-Assad.

“Ne duhet të bëjmë çdo gjë që kemi në fuqinë tonë që kjo masakër të marrë fund”, u shpreh Merkel. Ndërkohë, kancelarja gjermane në fjalimin e saj përmendi edhe fuqizimin e Bashkimit Europian. Sipas Merkel, Unioni duhet të zhvillojë një përgjigje për rritjen e presoinit politik global dhe ekonomik. Gjithashtu nënvizoi se në samitin e ardhshëm të BE-së do të ngrejë diskutimin për një mënyrë të re të financimit të bllokut. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono