bundesliga

bayern.jpg
G. P.23:15 | 06/04/2019

Bajerni shkatërron Dortmundin 5-0 dhe merr kreun e Bundesligës. Bavarezët triumfuan bindshëm në sfidën më të fortë të kampionatit.

E gjithë Gjermania, por edhe gjithë bota, priste tjetër gjë. Ndoshta kishte ardhur dita që Bajerni të ndalej dhe që titulli i Bundesligës t’i shtonte sfidueses së re, Borusias së Dortmundit. Gjithsesi, dyshimet ishin të mëdha se pikërisht diferenca e madhe në përvojë do të bënte diferencën, siç edhe ndodhi në “Alianc Arena” të Mynihut.

U desh të kalonin vetëm 17 minuta që të kuptohej se shpresat kishin qenë të kota. Bajerni shënoi dy gola, duke vrarë ndeshjen, me dy ish-lojtarët e Dortmundit, Humels e Levandovski, ndihmuar edhe nga dorëzimi psikologjik I kundërshtarit përballë një presioni që nuk mund ta përballonte.

Skuadra e trajnerit Lysien Favre shpërdoroi mundësinë për të kaluar e para në avantazh, dhe u ndëshkua pas kësaj, aq sa pjesa e parë u mbyll 4-0 për bavarezët. E gjithë ndeshja 5-0, dhe ndonëse diferenca në pikë është vetëm 1, përshtypja është se Borusia ka ngritur duart lart në garën për titull.

Kjo ishte ndeshja më e mirë e sezonit për formacionin e trajnerit Niko Kovaç, ndonëse edhe vetë kroati e di se Bajerni i tij nuk është kaq i mirë sa normalisht të mundë Dortmundin me 5 gola diferencë.

Problemi kryesor në Gjermani nuk është se kundërshtari i bavarezëve është tepër i ri në moshë, por se nuk i mban dot lojtarët, pra nuk mundet që pas një apo dy sezonesh, të krijojë një ekip në gjendje për të sfiduar kampionët./abcnews.al

Sadio-Mane-190313-Celebrates-R-1050.jpg
G. P.11:39 | 14/03/2019

Liverpool-i vlerësohet lart pas fitores ndaj Bayernit në Mynih. Premier Liga angleze e fitoi duelin me Bundesligën gjermane, duke arritur të tre kualifikimet.

Në përplasjen e gjigandëve dikush do të rrëzohej. Fati i keq, veçse i merituar, i takoi Bayernit, që nuk mundi ta fitonte betejën për çerekfinalet e Championsit ndaj Liverpulit. Duket qartë se një epokë e madhe po mbyllet në Mynih, dhe nuk është e qartë se kur do të nisin fitoret e një epoke tjetër.

Pas Manchester United, Tottenham-it e Manchester City-t, të kuqtë e Jurgen Klopit nuk mund të mbeteshin prapa dhe Anglia ka katër ekipe nga 8 gjithsej. Po ashtu, Premier Liga fitoi duelin ndaj Bundesligës, 3-0, por pavarësisht nga vlerësimet për City-n e Tottenham-it, triumfi më i madh ishte ky, pasi u arrit ndaj Superfuqisë së Gjermanisë e të Europës.

Liverpool-i bëri detyrën në “Allianz Arena”. Fitoi 3-1 pas barazimit 0-0 të ndeshjes së parë në “Anfield”, duke treguar klasin, por edhe forcën psikologjike për të përballuar një nivel të tillë sfide.  Duket se ishte kalitur mirë nga sezoni i kaluar, me sprovat ndaj City-t, Romës e Realit, edhe pse kjo e fundit u humb në finale.

Gjithsesi, trajneri Klop, është me parimin “sa të rrosh, do të mësosh”.

“Ky ishte një hap përpara për ne, – tha gjermani, – le të shikojmë se çfarë mund të arrijmë, por është kënaqësi të jesh mes më të mirëve të Europës. Fituam në një stadium ku vështirë të fitojë Reali, Barcelona apo City. Gjithsesi, kemi ende shumë për të mësuar”.

Vështirë të zgjidhej lojtari më i mirë i ndeshjes, mes Sadio Manesë dhe Virgil Van Dijk-ut.

“Ishte një fitore tërësisht e merituar, – tha mbrojtësi holandez, – ishte një mbrëmje e madhe, dhe një ndeshje e vështirë. Ishim të pafat që pësuam një gol, por e bëmë detyrën siç duhet”.

Van Dijk shënoi golin e dytë, tepër të rëndësishëm duke i dhënë sërish avantazhin ekipit të tij. Gazeta “Daily Mail” dha këtë vlerësim: Golat e Mane dhe i Van Dijk-ut kualifikojnë djemtë e Klopit, me katër klube anglezë në çerekfinale të Championsit!

Ja edhe “The Guardian”: Pjekuria e Van Dijk-ut, vendimtare për Liverpool-in që pati një mbrëmje prej Las Vegasi! Skuadra e Klopit në lartësinë e detyrës, falë holandezit në një fitore thuajse totale! Bayern nuk mundi të bënte shumë, duke ndjerë mungesën e Joshua Kimich dhe të Thomas Mullerit. Madje, edhe goli i barazimit të përkohshëm, 1-1, ishte një autogol i mbrojtësit Matip.

“Ne donim të fitonim, por nuk bëmë ndeshjen e duhur, – tha Neuer, – nuk krijuam raste sa duhet, edhe pse në mbrojtje luajtëm siç duhet, në pjesën më të madhe të kohë”.

Gazeta “Bild” vlerëson suksesin e madh të Klopit ndaj Bajernit, dhe lajmëron kritikat e sulmuesit Robert Levandovski për trajnerin Kovaç, për lojë shumë mbrojtëse, dhe për mungesën e guximit për të rrezikuar!

“Ne nuk patëm raste sa duhet në të dyja ndeshjet, – u shpreh polaku për kamerat, – pra nuk mund të habitemi pse nuk u kualifikuam”.

Trajneri kroat pranoi epërsinë e rivalëve.

“Ajo që ndodhi ishte e drejtë, – pohoi edhe trajneri Kovaç, – Liverpool ishte më lart se ne dhe e meritoi. Ishte e qartë se ne nuk jemi në nivelin e duhur, por gjithsesi le ta lemë humbjen prapa dhe të mendojmë për ndeshjen e radhës. Duhet të fitojmë Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë”.

Gazeta tjetër gjermane, “Tagesshpil”, titullon që “Klopi nxorri Bajernin jashtë”, dhe vazhdon se “bavarezët u detyruan të pranonin humbjen 1-3, me të gjithë golat shënuar nga britanikët”. Liverpool tani mund të synojë dy trofetë e mëdhenj të sezonit, pasi është vetëm 1 pikë prapa Manchester City në renditjen e Premier Ligës./abcnews.al

rashica.jpg
G. P.22:29 | 09/03/2019

Milot Rashica është një nga lojtarët më të mirë të kampionatit gjerman. Shqiptari i Kosovës shënoi dy gola për Verderin, ndërsa ka 7 rrjeta deri tani, këtë sezon.

Çfarë duhet më shumë për t’u cilësuar një yll?

I tillë padyshim Milot Rashica, shqiptari i Kosovës që po shkëlqen në Bundesligën gjermane, shumë vite pas yjeve të Shqipërisë, Altin Lala apo Ervin Skela. Sulmuesi 22-vjeçar shënoi dy gola në përballjen e Verderit me Shalken, këtë të premte, duke u konfirmuar si një nga lojtarët më të mirë të ekipit të njohur të Veriut.

Në një ndeshje të fituar me fat, 4-2 në “Veser Shtadion”, Rashica barazoi rezultatin për 1-1 dhe pastaj shënoi golin e tretë për Verderin, duke e bërë triumfin më të sigurt. Ai nuk pati nevojë për shumë kohë përshtatjeje, dhe në 26 ndeshje të luajtura në Bundesligë, ka arritur në kuotën e 7 gola, si dhe duke shtuar një asist.

Me shpejtësinë, saktësinë në gjuajtje e pasim, me teknikën e lartë dhe vizionin e lojës, Rashica premton të jetë një yll në Gjermani për shumë vite. Kanë kaluar shumë pak vjet që kur ai nisi të bëhej i njohur, si pjesë e Shqipërisë U21 me trajnerin Redi Jupi, ndërsa në verën e 2016-ës, kombëtarja shqiptare e humbi, pasi nuk e grumbulloi për në finalet e Europianit.

Rashica kaloi te Kosova, për të cilën ka luajtur 20 ndeshje, duke qenë gjithashtu një nga lojtarët më të mirë në kualifikimin historik në Ligën e Kombeve./abcnews.al

bayern.jpg
G. P.21:17 | 09/03/2019

Bajerni doli në vendin e parë të Bundesligës gjermane, me golaverazh më të mirë sesa Dortmundi. Robert Levandovski shënoi dy gola duke vendosur një rekord.

Dy fitore për të vazhduar garën ballë për ballë. Bajerni e Dortmundi i kaluan me sukses sfidat e javës në Bundesligë, ndonëse ndeshjet nuk i ngjanë aspak njëra-tjetrës. Bavarezët nuk patën asnjë problem ndaj Volfsburgut, madje e kthyen në një garë për gola, me rezultatin përfundimtar 6-0.

Robert Levandovski ishte autor I dy rrjetave, për 2-0 në minutën e 37-të dhe për 6-0 pesë minuta para fundit. Sulmuesi polak ka tani 197 gola në Bundesligë, duke iu afruar shifrës simbolike 200. Levandovski është i huaji që ka realizuar më shumë në kampionat, duke lënë pas Klaudio Pizarron e Verderit.

Golat e tjerë kishin për autorë Serzh Gnabrinë, Hames Rodrigezin, Tomas Mylerin dhe Xhoshua Kimihun. Shumë më i vështirë suksesi i Dortmundit. Pjesa e parë në “Signal Iduna Park” ndaj Shtutgartit u mbyll pa gola, ndërsa pas pushimit Marko Rojs me penallti gjeti avantazhin.

Gjithsesi, të rinjtë vendas nuk e mbajtën presionin dhe u barazuan shpejt nga Mark-Oliver Kempf. Ekipi i trajnerit Lysien Favre, u kthye megjithatë tek suksesi, me golat e vonshëm nga Pako Alkaser dhe Kristian Pulishiç.

A do të thotë kjo se u la pas kriza në Bundesligë dhe eleminimi nga Championsi?

Nuk është e lehtë ta thuash, ndërsa gara për titull me Bajernin vazhdon e ashpër. Dy skuadrat kanë nga 57 pikë, por bavarezët kanë golaverazh më të mirë, duke mbajtur vendin e parë./abcnews.al

augsburg.jpg
G. P.21:49 | 16/02/2019

Kritika të forta për Bajernin, pavarësisht fitores në Bundesligë. Trajneri Kovaç u shpreh i shqetësuar në pritje të ndeshjes ndaj Liverpulit në Champions.

U duk jo sikur kishte fituar, por sikur ishte mundur. Rrallë mund të ketë ndodhur që Bajerni të ketë dalë nga fusha me kaq shumë kritika mbi vete. Fitoi në Augsburg dhe iu afrua vendit të parë në Bundesligë, por mediat dhe vetë trajneri Niko Kovaç, i tregoi skuadrës bavareze se kjo nuk mjafton për t’ia dalë mesjavën e ardhshme në Champions.

“Që të gjithë ne duhet të jemi më lart sesa kaq, kur të luajmë ndaj Liverpulit, – u shpreh Kovaç pas ndeshjes, – në fazën mbrojtëse jemi ende dobët dhe Liverpuli është shumë i fortë në sulm”.

Ai e kishte fjalën për dy golat e pësuar, njërin autogol nga Leon Gorecka. Kampionët e Gjermanisë janë ndëshkuar në çdo ndeshje të vitit 2019. Deri tani, në Bundesligë janë pësuar 26 gola, ndërsa vjet ishin 28 deri në fund të sezonit.

“Zydojçe Cajtung” ngacmon bavarezët: Golat e kundërshtarit ishin të shkëlqyer!

Drejtori sportiv, Salihamixhiç, po ashtu u shpreh i pakënaqur: “Kjo paraqitje në mbrojtje nuk mund të lejohet të ndodhë herë tjetër”. Edhe pse diferenca e përkohëshme me Dortmundin është zvogëluar në 2 pikë, sërish përpara bavarezëve qendron pengesa “Liverpul” në Champions. Lajmi i mirë ishte që shënuesi i dy golave, Kingsli Koman, pati dëmtim të vogël në Augsburg dhe është i gatshëm për të luajtur./abcnews.al

dortmund-1280x756.png
G. P.23:12 | 10/11/2018

Dortmundi fitoi duelin klasik të Bundesligës gjermane ndaj Bajernit, dhe u shkëput në krye të renditjes. Skuadra vendase përballoi diferencën e përvojës me kampionët duke arritur një sukses me përmbysje. Robert Levandovski kaloi Bajernin dy herë në epërsi, me golat e tij, por Dortmundi u përgjigj me kapitenin Marko Rojs, që shënoi gjithashtu dy gola.

Fati i ndeshjes u vendos në minutën e 73-të nga sulmuesi spanjoll, Pako Alkaser, që shënoi golin e tretë për vendasit, pas një kundërsulmi të shpejtë. Me këtë fitore, Dortmundi u ngjit në kuotën e 27 pikëve, duke qenë i shkëputur në krye. Bajerni zbriti në vendin e tretë me 20 pikë, ndërsa mbrojtja e titullit kampion u bë më e vështirë. Trajneri Niko Kovaç, po ashtu, rrezikon postin pas kësaj humbjeje./abcnews.al

bb.png
G. P.16:58 | 10/11/2018

Bundesliga do të ketë sot ndeshjen më të madhe të sezonit. Dortmundi pret Bajernin, dhe pas shumë vitesh e ndjen veten favorit ndaj kampionëve.

Çdo ligë ka klasiken e vet dhe Gjermania për fat nuk mbetet pa të. Këtë herë luhet Dortmund-Bajern, një sfidë e madhe edhe në një kampionat të dominuar thuajse plotësisht nga bavarezët, siç është Bundesliga. Madje, për herë të parë pas shumë viteve, Bajerni shkon në këtë përballje jo me statusin e favoritit.

Dortmundi është 4 pikë përpara në renditje dhe diferenca mund të shkojë në shtatë nëse vendasit fitojnë. Kampionët nuk ndihen të sigurt, si dikur, madje trajneri Niko Kovaç është vënë në dyshim. Për më tepër, Bajernit do t’i mungojnë 4 lojtarë si Tiago, Koman, Roben apo Toliso. Gjithsesi, kroati Kovaç ndihet i fortë.

“Dortmundi ka shumë pika të forta dhe shumë pak dobësi, – tha ai, – një skuadër e aftë në çdo sektor të fushës, dhe do të duhej një lupë për të gjetur mangesitë e saj. Gjithsesi, Dortmundi ende nuk është ndeshur me një rival si Bajerni, pra të shohim sesi do të shkojë. Duhet të bëjmë lojën tonë dhe të kërkojmë maksimumin. Nuk e kam problem presionin, ishte shumë më i madh tek Frankfurti kur po binim nga kategoria”.

Dortmundi i trajnerit Lysien Favre po rikujton periudhën e lavdishme të Jurgen Klopit. Sukseset në Bundesligë dhe Champions kanë qenë të shumta, me shumë gola të shënuar, dhe me mjaft lojtarë të rinj në përbërje. Mungesat këtë herë do të jenë vetëm dy, Shmelcer e Dialo. Zvicerani Favre mbetet gjithsesi me këmbë në tokë, pasi humbja në fushën e Atletikos tregoi se gjithçka mund të ndodhë.

“Ne e dimë se do të luajmë ndaj një skuadre shumë të madhe, Bajerni mbetet Bajern. Duhet të jemi shumë të zgjuar. Ende nuk mund të them sesi do të luaj, por duhet të japim maksimumin në sulm dhe në mbrojtje. Ne kemi përparuar shumë këta 3-4 muaj, por kemi ende shumë për të mësuar, sidomos lojtarët e rinj”.

Kërcënimi më i madh për Dortmundin do të jetë nga ish-sulmuesi i saj, Robert Levandovski, golshënuesi më i mirë i viteve të fundit në Bundesligë. Bajerni jepet favorit me kuotën 2.05, ndërsa fitorja e vendasve ka koeficientin 3.25./abcnews.al

BAJERNI-GABON-PERSERI-1280x720.jpg
ent ela20:28 | 05/11/2018

Bajerni konfirmoi se po kalon një sezon të vështirë edhe në Bundesligë. Skuadra kampione e Gjermanisë barazoi në fushën e saj, dhe mbeti prapa kryesueses Dortmund.

Nuk qenka e thënë të jetë një vit normal.

Nuk e kemi fjalën për në Champions, ku Bajerni edhe dështon, por në Bundesligë, aty ku bavarezët nuk kanë diskutuar asgjë për gjithë këta vjet.

Barazimi 1-1 në Mynih ndaj Frajburgut ishte një tjetër konfirmim I krizës së superfuqisë së Gjermanisë, e goditur nga mosha e disa prej yjeve dhe dëmtimet e disa të tjerëve, aq sa ka hyrë në krizë identiteti.

Vështirësia ishte e dukshme në “Alianc Arena”, aty ku kampionët nuk e kanë diskutuar në të kaluarën ekipin e trajnerit Shtrajh.

Lehtësimi ishte i madh kur, më në fund, Serzh Gnabri kaloi vendasit në epërsi 10 minuta para fundit.

U mendua se fitorja do të arrihej, gjithsesi, edhe pse nuk do të ishte e bukur.

Për fat të keq, nuk pati fitore.

Frajburgu barazoi në minutën e parafundit falë rrjetës së shënuar nga Lukas Holer, duke marrë një pikë të vyer.

Barazimi bëri që Bajerni të mbetej në kuotën e 20 pikëve, në vend të dytë, tashmë 4 pikë prapa Dortmundit që nuk gaboi, por fitoi 1-0 në fushën e Volfsburgut, falë golit të kapitenit Marko Rojs. /abcnews.al

gjerman.png
G. P.19:51 | 06/10/2018

Dortmundi vazhdon të mbetet surpriza e Bundesligës gjermane këtë sezon. Arriti një sukses dramatik në sekondat e fundit dhe mbajti kreun e tabelës së renditjes.

Në Gjermani nuk mund ta mendonin që një ekip të shënonte dyfishin e Bajernit. Natyrisht, shpesh njerëzit nuk besojnë pa e parë me sy të vërtetën, dhe realiteti i bukur i Bundesligës këtë moment është Borusia e Dortmundit.

Skuadra, që vazhdimisht është shpresuar të jetë rivalja numër 1 e kampionëve, duket se më në fund po i plotëson pritshmëritë.

Suksesi i kësaj fundjave nuk ishte i shkëlqyer dhe me sundim total, veçse ishte një konfirmim. Të besuarve të trajnerit Lysien Favre iu desh të provonin një dramë të madhe dhe që u duk se do të kishte përfundim të keq.

Rezultati ndaj Augsburgut doli 4-3, me fitoren që u vendos vetëm në sekondat e fundit. Ekipi kundërshtar, që I kishte marrë barazimin Bajernit në Mynih, thuajse ia arriti edhe në Dortmund.

Augsburgu u ndodh dy herë në avantazh, ndërsa në minutën e 87-të pati forca të barazonte pas përmbysjes së vendasve. Jo keq për një ekip që ndodhet në mesin e tabelës. Gjithsesi, Borusia e trajnerit zviceran ka sot diçka të veçantë.

Më shumë karakter dhe besim në vetvete, pa u druajtur nga superfuqia me të cilën duhet të konkurrojë. Ka kapitenin Marko Rojs, por sidomos sulmuesin e ardhur nga Spanja, Pako Alkaser. Dortmundi kryeson Bundesligën me 17 pikë, dhe golaverazhin shumë të mirë, 23-8./abcnews.al

augsburg.jpg
G. P.12:27 | 26/09/2018

Bajerni u ndal papritur në Bundesligë, madje brenda në fushën e tij. Kampionët lanë disa titullarë në stol dhe u ndëshkuan për gabimet që bënë ndaj Augsburgut.

Mund jesh kampion, madje me diferencë të madhe me të tjerët, por kjo nuk të jep të drejtë gjithnjë. Bajerni, me një potencial të frikshëm për rivalët në Bundesligë, u besua se do ta kalonte pa shumë probleme sprovën e mesjavës ndaj Augsburgut, veçse përfundimi doli ndryshe. Edhe pse u luajt në “Alianc Arena”, dhe ndaj një kundërshtari që ndodhet poshtë mesit të tabelës, fitorja nuk u arrit. Në barazimin 1-1 ndikoi padyshim mungesa e disa prej titullarëve që trajneri Niko Kovaç i kishte lënë në stol për t’i shlodhur. Robert Levandovski dhe Hames Rodrigez nuk luajtën asnjë minutë, ndërsa Tiago Alkantara u fut në fushë vetëm çerek orën e fundit.

Për fat të keq, alternativa e Levandovskit, sulmuesi i kombëtares gjermane, Sandro Vagner, nuk e justifikoi plotësisht aktivizimin, ndërsa portugezi i ri, Renato Sançez, u përpoq shumë, por nuk u tregua i saktë. Bajerni iu fal sërish veteranit Arjen Roben, që shënoi golin e vetëm të vendasve në këtë sfidë, në fillim të pjesës së dytë. Gjithsesi, bavarezët nuk e patën atë vullnetin e zakonshëm për ta mbyllur ndeshjen një herë e mirë. Kjo dobësi, bashkë me humbjen e rasteve të shumta, bënë që kampionët të pësonin atë që ndodh shpesh në futboll, një gol katër minuta para fundit, atëherë kur nuk kishte shumë kohë për të reaguar. Gjigandët e Gjermanisë u detyruan të pranonin barazimin që vështirë se do t’i prishë punë për titullin, por që tregoi se gabime të tilla, nëse bëhen në Champions, të dënojnë përfundimisht./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono