bulevardi i ri

bulevardi-i-ri-1280x720.jpg
nev ila14:35 | 03/07/2019

Përfundon  segmenti i fundit i bulevardit te ri në Tiranë. Sipas kryebashiakut Erion Veliaj është projekti më jetik i realizuar në kryeqytet gjatë mandatin e tij të parë në krye të bashkisë.

Tashme dhe segmenti i trete i bulevardit te ri ne Tirane është gati. Sheshit fundor qe do te ngjasoje me ate “Nene Tereza” i eshte hapur rruga e realizimit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj përfundimin e punimeve e inspektoi bashkë me përfaqësuesin e Fondit të Abu-Dhabit dhe Ambasadorin e Emirateve të Bashkuara Arabe.

 “Jam shumë i kënaqur që pas zgjedhjeve i rikthehemi punës normale, iu rikthehemi kantiereve të qytetit tonë, i rikthehemi Tiranës e cila vitin tjetër përgatitet të mbushë 100 vjeç. Këtu jemi në hapësirën që do identifikojë 100 vitet e ardhshme të Tiranës. Nëse bulevardi i vjetër ishte i këtij 100 vjetori të parë, Bulevard i Ri besoj i ka shtruar të gjithë infrastrukturën për Tiranën e 100 viteve më pas, në atë që duam ta quajmë zonën Fin – Tech, pra e financave dhe e teknologjisë për qytetin”, tha Veliaj.

Katër vitet e shkuara  u shpreh Veliaj u rikuperua puna e pa bërë nga administrata e mëparshme ndërsa katër vitet e ardhshme, zhvillimi i Tiranës do të përqendrohet përtej unazës së saj.

 “Projekti ‘lloci’, e thonë tironsit, për nja 4 vite. Çfarë ndodhi, ndodhi, por u munduam të rikuperonim shumë shpejt kohën që humbëm në ato 4 vite. Më vjen mirë që tani jemi gati vetëm për sheshin monumental, që duam të bëjmë në fund të Bulevardit dhe mezi pres të shqyrtojmë 10-15 aplikimet e para që na kanë ardhur për zhvillime.  Ajo që parashikoj në 4 vitet e mandatit të dytë është shumica e zhvillimit që Tirana do të shohë do të jetë jashtë Unazës origjinale të saj, kryesisht në zonën e Bulevardit të Ri. Shpresoj shumë që këtu do të rritet standardi, jo vetëm i cilësisë, por edhe i jetës komunitare”, tha ai.

Ambasadori i Emirateve të Bashkuara Arabe vlerësoi edhe cilësinë e punimeve të kryera ndërsa drejtori  i Financave të Fondit për Zhvillim i Abu-Dhabit premtoi bashkëpunim për të tjera projekte./ABC News Albania 24/7

 

erion-veliaj-6.jpg
G. P.22:02 | 24/06/2019

Kandidati socialist, Erion Veliaj i cili garon për një mandat të dytë për Bashkinë e Tiranës zhvilloi takim me banorët e njësisë nr. 9 ku foli për projektet e realizuara dhe ato që do realizohen në 4 vitet e ardhshme.

Kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi takim me banorët e njësisë 9 në kryeqytet ku foli për të gjitha projektet e realizuara gjatë mandatit të tij të parë

“Japim llogari me krenarinë më të madhe se çfarë kemi thënë e kemi bërë. Thamë që do ta bëjmë sheshin “Skënderbej” ku fillon njësia 9 dhe e bëmë. Thamë që do ta bëjmë unazën e vogël që përshkruan njësinë 9 dhe e bëmë. Thamë do bëjmë bulevardin e ri dhe e bëmë. Thamë do bëjmë kopshte dhe çerdhe dhe i bëmë”, tha ai.

Veliaj foli para banorëve të Njësisë 9 edhe për projektet e reja që do të realizohen sapo të marrë mandatin e ri si kryetar i bashkisë.

“Ne kemi vetëm një plan, ta bëjmë Tiranën, ta bëjmë Shqipërinë, ta bëjmë njësinë , të bëjmë çdo kopsht, çdo çerdhe, çdo ambulancë cilësore se do jetojmë këtu dhe nuk kemi një plan tjetër. Javën tjetër fillon puna për bulevardin “Zogu I” me të njëjtin cilësi si sheshi “Skënderbej” dhe bulevardi i ri”, tha Veliaj.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që gjatë këtyre ditëve të mbetura para 30 Qershorit të vendosin për punën dhe për të çuar përpara projektet, të cilat janë favor të tyre./ABC News Albania 24/7

veliaj17.jpg
ent ela17:06 | 17/04/2019

Përplasja e radhës e banorëve të Bregut të Lumit ka sjellë edhe reagimin e kryetaritë të bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj. Ai tha se Bulevardi i Ri pengohet nga fëmijë të llastuar politikanësh.

“Ju e dini fare mirë, ky është një qytet që ka vështirësitë e veta. Teksa flasim, po ecim me punimet për tek sheshi i fundit i Bulevardit të Ri, por ka ende fëmijë teveqelë e të llastuar politikanësh dhe të fortësh të politikës shqiptare, që i bëjnë rezistencë ndryshimit, por ndryshimi do vijë. Është i pashmangshëm. Në mos do e sjellim ne, do e sjellë dikush që vjen pas nesh. Po më mirë ta sjellim ne, që e kemi në dorë, se sa t’ia lëmë gjithmonë si gjobë një gjenerate tjetër”.  /abcnews.al

shalsi-1.jpg
G. P.20:18 | 09/04/2019

Ditën e sotme pati sërish rezistencë nga ana e banorëve të Bregut të Lumit, shtëpitë e të cilëve do të prishen pasi preken nga projekti për zgjerimin e Bulevardit të Ri në Tiranë.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduard Shalsi, theksoi se projekti për zgjerimin e bulevardit është dinjitoz dhe do t’i japë frymëmarrje qytetit. Ai u shpreh i gëzuar që shikon që janë nisur projekte të tilla.

“Nuk e kam ndjekur ngjarjen e sotme, por ju e dini që kam punuar në një kohë të gjatë në Bashkinë e Tiranës dhe Tirana që shihni sot pasi fjeti një periudhë gjumë 2011-2015 u rizgjua fuqishëm në 2015 dhe po zbaton një numër të konsiderueshme projektesh që kanë qenë gati për t’u aplikuar që në vitin 2004, 2005 apo 2006. Qytetarët e Tiranës duan që qyteti të vijojë të transformohet me shpejtësi. Ju keni parë vepra të mëdha publike të marrin jetë. Sigurisht që vepra të tilla shpeshherë kanë hasur dhe rezistencë nga individë apo familjarë, të cilët në mënyrë të paligjshme kanë ndërtuar në akse rruge, në vende ku totalisht ishte e ndaluar të ndërtoje. Ka një projekt për zgjerimin e Bulevardit të Ri. Është një projekt dinjitoz, që do t’i japë frymëmarrje qytetit. Është e domosdoshme për Tiranën dhe them që unë personalisht duke qenë dhe si ish-punonjës i Bashkisë së Tiranës jam shumë i gëzuar ku shoh që marrin udhë projektet”, tha Shalsi.

Banorët e Bregut të Lumit bënë sërish rezistencë duke u përplasur me forcat e policisë këtë të mërkurë. Situata u vu nën kontroll pas përdorimit të gazit lotsjellës, megjithatë tre efektive të policisë dhe 4 banorë mbetën të lënduar nga përplasjet.

Aksioni vijoi me shembjen e 7 banesave. Disa nga banorët, të prekur nga projekti i Bulevardit të Ri, këmbëngulin në shpronësimin e banesa të tyre, edhe pse atyre iu është refuzuar kërkesa për legalizim./abcnews.al

bregu-i-lumit-1280x623.jpg
ent ela11:53 | 08/04/2019

Mes tensionesh dhe kundërshtimesh të forta u shoqërua përpjekja për prishjen e banesave në zonën e Bregut te Lumit në Tiranë, të cilët kërkojnë kompensimin e shtëpive, para se të shemben nga Inspektorati Urbanistik vendor. Në drejtim të FNSH u hodhën gurë dhe sende të tjera të forta, ndërsa aksioni u shty për një ditë tjetër.

Më shumë se 3 orë ka zgjatur protesta e banorëve të zonës së Bregut të Lumit në Tiranë, të cilët preken nga zgjatimi i Bulevardit të Ri.

Me gurë dhe shkopinj në duar qytetarët nuk kanë lejuar fadromat Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor që të nisin shembjen e banesave të tyre pasi nuk kanë marrë ende kompensimin financiar.

Edhe ndaj Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u hodhën sende të forta por nuk u raportua për persona të lënduar. Banorët shprehen se janë njoftuar por jo se prishja e banesave do të ndodhte këtë të hënë. Protestës ju bashkuan edhe disa ish-deputete të opozitës

Bashkia e Tiranë nëpërmjet Drejtorisë së Kontrollit të Zhvillimit të Territorit ka bërë rivlerësimin e 38 banesave që i përkasin segmentit të tretë në zgjatimin e Bulevardit të Ri. Siç duket edhe në këtë dokument që ABC News e disponon, është përcaktuar kati i banesave e në të njëjtën kohë edhe vlera e kompensimit në para.

Abc News u interesua edhe pranë bashkisë së Tiranës, ku përgjigja e institucionale ishte se këta emra nuk janë pjesë e VKM 752 , dt. 05. 09. 2013 , sepse segmenti rrugor ku ndodhen këto objekte nuk ishte pjesë e projektit të miratuar të Bulevardit dhe për rrjedhojë nuk u përfshinë në VKM e shpronësimit.

Më tej të njëjta burime nga Bashkia e Tiranës pohojnë se, “këto objekte kan qenë në proces legalizimi dhe ALUIZNI i ka skualifikuar para se te miratohej, gjurma finale e “Bulevardit të Ri”. Në atë kohë , grupet e punës kishin dalë në teren dhe i kane matur , fotografuar dhe vlerësuar si objekte , por meqenëse projekti i miratuar nuk e përfshiu këtë segment nuk u futën në VKM e vitit 2013, për t’u shpronësuar./abcnews.al

jorida.jpg
G. P.15:27 | 03/12/2018

Banorët që u prekën banesat nga ndërtimi i lotit të tretë të bulevardit të ri në Tiranë kërkojnë dëmshpërblim për pronat e tyre. Në mbështetje të këtyre banorëve ishte deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.  Në një komunikim me gazetarët ajo argumentoi pse opozita mbështet këtë çështje të qytetarëve.

“PD mbështet protestën e drejtë të këtyre banorëve për disa arsye. E para në dokumentet zyrtare të Bashkisë së Tiranës këtyre banorëve u ka dalë vlerësimi i pronës. Secili prej tyre ka dosje të tëra që kanë qenë në proces legalizimi. Një pjesë të tyre ne i kemi përgatitur dhe VKM-të dhe kanë marrë shpërblimin. Ndërkohë që sot qeveria në panik po zbaton dy standarde. Njërës palë i ka dhënë dëmshpërblimet ndërsa të tjerëve u thotë që për pesë ditë do të largohen ose tek banesat sociale ose duke marrë bonusin e qerasë”, tha Tabaku./abcnews.al

Veliaj-gjate-vizites-ne-Abu-Dhabi-1-1-1280x720.jpg
ent ela14:06 | 05/03/2018

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një vizitë të shkurtër në Emiratet e Bashkuara Arabe për të diskutuar financimin e një sërë projektesh të rëndësishme për kryeqytetin dhe thithjen e investitorëve të huaj në Tiranë. Ai zhvilloi takime shumë të rëndësishme me gjigantët e Masdar dhe Emaar, të cilët i ftoi të investojnë në projekte të ndryshme në Tiranë, si dhe i njohu ata me lehtësirat dhe klimën e favorshme të të bërit biznes në kryeqytet.

Gjatë vizitës së tij, Veliaj u prit në një takim të veçantë nga Mohammed Saif Al Suwaidi, Drejtor i Përgjithshëm i Fondit të Abu Dhabit, me të cilin bisedoi financimin e projekteve konkrete si sheshi fundor i Bulevardit të Ri, Parku Qendror dhe ndërtesën e re të Bashkisë. Kryebashkiaku vlerësoi kontributin e dhënë nga miqtë e Fondit të Abu-Dhabit, për financimin e projektit të Bulevardit të Ri dhe Lumit të Tiranës dhe theksoi se Tirana është gati për një partneritet të ri për realizimin e projekteve të tjera zhvilluese.

“Ne po mbarojmë segmentin e tretë të Bulevardit të Ri, jemi pranë fundit të lumit ku do të kemi një tjetër shesh ceremonial. Pra, Bulevardi do të fillojë me sheshin “Nënë Tereza” dhe do të përfundojë me një shesh tjetër, aty ku takohet me Lumin e Tiranës. Jemi gjithashtu në fazën për të diskutuar se ku do të ndërtojmë bashkinë e re dhe gjithë zhvillimin që do të shkojë në atë zonë, për t’u siguruar që Tirana të balancohet, duke çuar më shumë zhvillim, banesa, biznese dhe tregti në anën e Bulevardit të Ri”, tha Veliaj.

Drejtori i Përgjithshëm i Fondit të Abu Dhabit, Mohammed Saif Al Suwaidi, e cilësoi të shkëlqyer bashkëpunimin e deritanishëm me Bashkinë e Tiranës dhe vlerësoi progresin e projekteve të realizuara. Ai theksoi se aktualisht po shikohet mundësia e investimit në sektorë të ndryshëm. “Patëm një komunikim të shkëlqyer dhe negocime për dy projekte që kemi nisur me qeverinë shqiptare. Kjo marrëdhënie na kthen pas në vitin 2009, kur filluam financimet e para në vendin tuaj dhe që nga ajo kohë kemi patur një bashkëpunim të mirë. Falenderoj posaçërisht kryebashkiakun për gjithë mbështetjen dhe këtë progres të shkëlqyer lidhur me këto dy projekte. Aktualisht, jemi duke parë mundësitë e investimit në fusha të ndryshme. Kemi diskutuar në lidhje me nevojat financiare të qytetit të Tiranës në të ardhmen, do i studiojmë këto mundësi dhe këto aplikime dhe shpresojmë që ato të zënë vend në të ardhmen”, nënvizoi Al Suwaidi.

Duke e cilësuar speciale marrëdhënien e Bashkisë së Tiranës me Fondin e Abu-Dhabit, kryebashkiaku theksoi se është koha për t’i dhënë një ritëm të ri e modern zhvillimit të kryeqytetit. “Kemi pasur jo vetëm një marrëdhënie kreditues-kreditor, por edhe një marrëdhënie të një asistence teknike që na ka ndihmuar të bëjmë projekte me cilësi. Në Bulevardin e Ri parashikojmë të ketë një popullsi prej rreth 100 mijë banorësh. Me këtë projekt duam të tregojmë vizionin tonë për një lagje moderne të Tiranës”, nënvizoi Veliaj, teksa shprehu bindjen se Tirana moderne do të vijojë të zhvillohet në bashkëpunim edhe me partnerët strategjikë.

“Nuk ka më asnjë dyshim që Tirana do të zhvillohet. Mund t’i kalojmë vitet e ardhshme duke diskutuar për vlerat historike të qerpiçit ose mund t’i japim gaz dhe të shohim një Tiranë moderne sa jemi ende gjallë. Për të gjitha këto na duhen partnerë strategjikë që e kuptojnë vlerën e zhvillimit, që ecin me shpejtësi dhe me një cilësi të një zhvillimi modern në qytetin e  Tiranës”, u shpreh Veliaj. /abcnews.al

Veliaj-gjate-inspektimit-te-punimeve-per-Bulevardin-e-ri-te-Tiranes-1-1280x853.jpg
us er12:46 | 02/01/2018

Punimet në segmentin e dytë të Bulevardit të Ri janë drejt fundit dhe shumë shpejt do të hapet për qytetarët. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh i kënaqur me ritmin e punës, duke qenë se hapja e segmentit të dytë do të mundësojë edhe lidhjen e bulevardit me disa rrugë dytësore.

“Jemi duke punuar në gjysmën e dytë të segmentit dhe është çështje kohe sa të prekim Bregun e Lumit, aty ku Bulevardi bashkohet me projektin e Parkut Qendror, për të krijuar ndoshta projektin më të madh inxhinierik dhe infrastrukturor për Tiranën. Kemi mbaruar me shumicën e punimeve, po presim për pak mot të mirë, që të kemi mundësi të vazhdojmë me asfaltin. Siç e shikoni, pjesa më e madhe e Bulevardit është pjesa e parkut, pra pjesa ku kalohet kohë me këmbësorët, ku ulesh në një stol, ku ke korsinë e biçikletave, apo pistën e vrapit”, tha Veliaj.

Ai shtoi se përfundimi i këtij segmenti do ta bëjë Bulevardin e Ri më të aksesueshëm për banorët dhe makinat, pasi lidhë disa rrugë kryesore në kryeqytet. “Për banorët e zonës që kanë shijuar segmentin e parë, e kuptojnë se filozofia e Bulevardit është kryesisht një aks për njerëzit, pastaj edhe për makinat, ama njerëzit janë prioritet. Ndaj, besoj se shkon me filozofinë tonë që të ndërtojmë qytet për njerëzit, kurse makinat janë një mjet që e përdorin njerëzit për të shkuar nga pika A në pikën B, por jo arsyeja pse ekziston qyteti. Më vjen mirë që Bulevardi do të jetë i aksesueshëm me Rr. “Siri Kodra” dhe rrugët e tjera, siç janë Unaza e katërt që do të kalojë në Bulevard”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës vlerësoi faktin se projekti i Bulevardit të Ri do t’i japë qytetit jo vetëm një zonë të re zhvillimi, por edhe një hapësirë të madhe të gjelbëruar. “Përveç një projekti të madh infrastrukturor, këtu kemi edhe një nga projektet më të mëdha të gjelbërimit. Siç e shikoni, kemi mbjellë mbi 400 pisha dhe po vazhdojmë me konturin e qëndisur me pisha të bulevardit të vjetër historik të Tiranës. Një nga gjërat që më vjen mirë për këtë projekt, janë jo vetëm pishat, por edhe 40 mijë shkurre dekorative”, tha Veliaj.

Gjithashtu, ai shtoi se projekti do të përfundojë me një shesh të ngjashëm me sheshin “Nënë Tereza”. “Kemi marrë edhe një vendim përsa i përket mbylljes ceremoniale të Bulevardit. Duke qenë se Bulevardi fillon me sheshin “Nënë Tereza”, pastaj me godinat dhe sheshin Skënderbej në mes, do të kemi një përfundim të ngjashëm edhe në pjesën e Bregut të Lumit, me një elips, shkallaret, kolonat dhe një hapësirë të madhe për aktivitete publike. Kjo do të jetë mbyllja ceremoniale në ekstremin tjetër të bulevardit, ku takon Lumin e Tiranës”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se projekti e zhvillon zonën, pasi për herë të parë lagja po ndërtohet me infrastrukturën e nevojshme urbane. “Ky është projekti i parë, ku fillimisht kemi bërë infrastrukturën, pastaj banesat, rezidencat, qendrat komerciale apo zyrat. Besoj se kjo lagje do të jetë shembulli më i mirë i çfarë do të thotë të ndërtosh Tiranën moderne, pra me infrastrukturë të planifikuar, shkolla, kopshte, çerdhe. Ne parashikojmë që kjo të jetë një lagje me mbi 100 mijë banorë, por në dallim nga shumë lagje të Tiranës, që prej vrullit të viteve 90’ janë kryesisht lagje konvikt, kjo lagje është konceptuar e gjitha si një lagje që jeton 24 orë. Pra paradite me zyrat dhe me gjithë aktivitetin ekonomik, pasdite me aktivitete kulturore dhe sportive, dhe gjatë natës me aktivitete argëtuese”, shtoi Veliaj.

Me përfundimin e më shumë se gjysmës së punimeve, kreu i Bashkisë së Tiranës theksoi se në pranverë ai do jetë gati të presë një sërë aktivitetesh kulturore dhe artistike. “Jemi shpresëplotë që deri në Ditën e Verës, do kemi kompletuar këtë pjesë të bulevardit, për të transferuar shumë aktivitete të Ditës së Verës, edhe për t’u treguar qytetarëve bulevardin dhe sesi infrastruktura shton jetë në qytet. Ashtu si për këtë bulevard, më e mira është përpara, ashtu besoj edhe për qytetin e Tiranës, në 2018-ën, më të mirën do ta kemi përpara”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono