bujanovc

cakaj-konference-1220x545.jpg
Sej rie09:45 | 11/07/2019

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka njoftuar se Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka vendosur të financojë restaurimin e godinës së Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe funksionalizimin e plotë të Qendrës Kulturore Multidimensionale të këtij Këshilli në Komunën e Bujanovcit në Serbi.

Gent Cakaj: Një lajm fantastik në shërbim të shqiptarëve nga Lugina e Preshevës 😊🙏!

Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë ka vendosur marrjen përsipër të financimit për restaurimin e godinës së Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe funksionalizimin e plotë të Qendrës Kulturore Multidimensionale të këtij Këshilli në Komunën e Bujanovcit.

Funksionalizimi i plotë i Qendrës Kultutore Multidimensionale në Komunën e Bujanovcit do të ketë një funksion tepër të rëndësishëm në ruajtjen, promovimin dhe zhvillimin e trashëgimisë kombëtare të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe më gjerë. Kjo Qendër, po ashtu, do të ushtrojë një ndikim pozitiv edhe në vitalizimin e shoqërisë civile në ketë hapësirë me vlerë të veçantë historike.

Kjo masë financiare është zgjatim i përpjekjeve politike të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë për konsolidimin e marrëdhënieve politike me shqiptarët në rajon në veçanti. Mbeshtetja e Republikës së Shqipërisë është e domosdoshme për kultivimin dhe avancimin e indetitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë.

Shumë shpejt duhet të procedohet me një marrëveshje të veçantë bashkëpunimi për mbështetje të veçantë financiare, politike, shoqërore dhe kultutore për shqiptarët e Luginës 😉!

Përqafime për gjithë Luginën e Preshevës 🤗🤝!

ministrja-shahini.jpg
nev ila17:51 | 06/05/2019

Gjatë vizitës së saj në Bujanovc, Ministrja Shqiptare e Arsimit Besa Shahini, u premtoi banorëve se Tirana nuk do i braktisë fëmijët shqiptarë. Ajo tha se shqiptarët në Bujanoc duhen trajtuar njësoj si serbët në Shqipëri.

Nxenësve shqiptarë nga viti në vit u është premtuar se do të kenë libra dhe mundësi arsimimi. Por, shkronjat në letër në këtë rast duket së vihen më vështirë.

Ministria e arsimit, Besa Shahini, ka vizituar qytetin e Bujanovcit ku shumica janë shqiptarë. Ajo ka takuar fillimisht homologun e saj serb në një ambient universitar. Ata kanë thënë se është me rëndësi që t’i kushtohet vëmendje arsimit.

Më pas në shkollën e fshatit Bilaq të Bujanovcit, Shahini ka takuar nxënësit dhe ka parë kushtet me të cilat ata përballen. Në “Desanka Maksimovic” nxënësit janë shqiptarë dhe serb. Probleme nuk kanë por dallojnë në kushte. Tirana nuk do ti lërë vetëm, u ka premtuar ministrja bashkë me homologun që kërkon reciprocitet.

“Ne do të mundohemi që me përkthyes ta mundësojmë këtë proces. Në çdo fushë tjetër gjërat ndryshojnë dhe përzihet edhe politika, por në arsim jo. Ne duam të krijojmë kushte këtu ashtu siç duam edhe për serbët që jetojnë në Shqipëri pasi me sa di unë është në proces deklarimi i pakicave atje”, tha ajo.

“Më kanë vënë në dijeni se në Shqipëri janë 9 grupe të cilët konsiderohen si pakica, dhe gjithçka që bëjmë këtu në Serbi është me rëndësi që të ndodhë edhe në Shqipëri, e sidomos në veri ku numri i serbëve është më i madh”, tha ministri serb.

Ministrat thanë se do të kenë ekspert për të filluar punën sa më shpejt për librat për nxënësit shqiptarë. Librat për ta nuk kanë qenë mundësi pasi përkundër premtimeve kushtet nuk janë plotësuar tërësisht asnjëherë./ABC News Albania 24/7

filmiii.jpg
G. P.22:44 | 25/04/2019

Një film që paraqet historinë e luftës në Kosovë dhe momentin kur forcat ruse u futën nga Bosnja dhe u përqendruan në aeroportin e Prishtinës ka krijuar tensione në Serbi. Tema e filmit ka shtyrë drejtorin e Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc që ta ndalojë shfaqjen e tij, ndërsa një parti serbe ka kërkuar shkarkimin e drejtorit.

“Mexha” është turqizëm për kufirin. Rreth këtyre çështjeve Ballkani lufton me shekuj. Në Mexhën e Ballkanit, një film i produksionit serbo-rus, në stilin e filmave aksion amerikan tregon historinë kur forcat nga Moska vendosin të marrin Aeroportin e Prishtinës në Sllatinë.

Forcat ruse në fakt ishin futur në Kosovë, por për një betejë të tillë nuk dihet shumë. Ata janë tërhequr nga misioni me KFOR-in katër vite më vonë. Kështu ka qenë premiera në kryeqytetin serb. Atmosferë festive. Ky film nxiti reagime në Serbi dhe Rusi.

Kështu disi ishte planifikuar të shfaqej edhe në qytetin e Bujanovcit, në jug ku shqiptarët e serbët jetojnë bashkë. Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, të cilën e kontrollon komuna, ka marrë vendim për ta ndaluar shfaqjen e këtij filmi.

Ai beson se një gjë e tillë mund të ngrejë tensionet në këtë qytet. Vendimin e marrë nuk e kthen dhe thotë se Shtëpia e Kulturës është e gatshme për bashkëpunime, por për të afruar popullin.

Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës në Bujanovc: “Është një qytet multietnik. Sa i përket llojit të filmit, unë them se në të paraqitet një farë urrejtje mes popullit shqiptar dhe atij serb”.

Produksioni i filmit nuk e ka komentuar këtë ngjarje shumë. Por, në Serbi reagimet kanë qenë të shumta. Ndalimin e filmit e kanë komentuar edhe zyrtarët.

Vlladan Vukosavljeviç, ministër i Kulturës, Serbi: “Besoj se këtë situatë do ta zgjidhim me një mendje të shëndoshë. Presim që qeverisja lokale të ndërmarrë një lëvizje të kuptueshme. Gjithsesi, ky lajm nuk është i mirë pasi nuk është në përputhje me politikat kulturore dhe as me politikat e këtij shteti apo pushteteve lokale. Këtë e trajtojmë si një incident, natyrën e të cilit jemi duke e verifikuar”.

Por në Bujanovc kjo nuk bën përshtypje. Ismaili thotë se nuk e tërheq vendimin.

Jeton Ismaili, drejtor i Shtëpisë së Kulturës, Bujanovc: “Filmi, sa të jem unë drejtor, nuk do të shfaqet në Bujanovc. Sa i përket pasojave, dihet si vendosen drejtorët në Bujanovc. Partia serbe ka kërkuar shkarkimin tim, të shohim ç’do të ndodhë”.

Pak projekte të përbashkëta artistike ka në mes të shqiptarëve dhe serbëve. Historitë e luftës duket se pas dy dekadave e kanë mexhën më të gjatë./abcnews.al

beogradii.jpg
G. P.17:22 | 10/11/2018

Serbia dhe Kosova ende janë larg marrëveshjes për normalizim. Dialogu i Brukselit nuk solli asgjë të re pasi konflikti i ri nisi pas masave të qeverisë së Kosovës për të paguar taksa për mallrat serbe. Pavarësisht luftës për Serbinë Kosova është një treg i rëndësishëm. Pavarësisht tensioneve politike, presidenti kosovar, Hashim Thaçi dhe ai serb, Aleksandër Vuçiç, pritet të takohen në Francë me ndërmjetësimin e presidentit francez. Kjo në Serbi vlerësohet si mundësia më e mirë për të shpalosur zgjidhjen e mundshme.

Serbia eksporton mbi gjysmë miliardi euro mallra në Kosovë. Pavarësisht konflikteve dhe luftës, tregtia kurrë nuk ka ndaluar. Por, rritja e taksave për 10 për qind nga Kosova u bë problem pasi serbët kërkojnë zgjidhje, ndryshe nuk ka dialog. Takimet e Brukselit e lanë të nënkuptohej se ishte sërish një lloj dështimi. Por, presidentët e të dyja vendve, pritet të takohen në Francë. Në dhomën e tregtisë së Serbisë, thonë se të dy ekonomitë janë të lidhura dhe një pjesë e prodhimeve në Kosovë lëndën e parë e kanë në Serbi.

Nenad Gjurgjeviç, Dhoma e Tregtisë, Beograd: Politika përfundimisht ndikon në sigurinë e biznesit. Jemi të vetëdijshëm që vitin e fundit ka qenë më e vështirë. Ne kemi bërë apel që të hiqet taksa, kjo pasi do të ndikoj tek prodhimet edhe në Kosovë. Kemi shumë biznese që janë të interesuara për të investuar në Kosovë, por me këtë dëmtohen vetëm ata që duan të punojnë legalisht.

Përjashtim nga këto masa kanë kërkuar edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës-bizneset kanë shpesh treg të vetëm Kosovën.

Shaip Kamberi, kryetar i Bujanovcit: “Lugina e Preshevës dhe bizneset tona nuk kanë mundësi të shtrihen në brendi të Serbisë. Tregu i vetëm i mbetet Kosova dhe nëse edhe në atë treg i krijohen kushtet e vështirësuara, biznesi jonë është i brishtë dhe mund të dëmtohet”.

Këto masa ekonomike nuk janë vendosur për herë të parë në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ekonomia më parë ishte përmendur si i vetmi kanal komunikimi që tejkalon paragjykimet./abcnews.al

presheva.jpg
G. P.12:25 | 31/07/2018

Zyra e presidentit Thaçi njofton se në Bruksel në dialogun me Serbinë do të kërkohen të drejta për shqiptarët e tri komunave shqiptare në Serbi. Gjithashtu bën me dije se nuk do të kërkohet bashkimi i tyre me Kosovën.

Presidenca e Kosovës edhe një herë ka bërë të ditur se në bisedimet e Brukselit me Serbinë do të diskutohet edhe për çështjen e Luginës së Preshevës. Zyrtarë nga Presidenca kanë konfirmuar për gazetën “Zëri” se aty do të adresohen probleme të shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga respektimi i të drejtave elementare njerëzore e deri tek ato kombëtare e politike. Megjithatë, ideja e bashkimit me Kosovën është rrëzuar nga shefi i stafit të kreut të shtetit.

Në anën tjetër, liderët shqiptarë të Preshevës, të Medvegjës e të Bujanovcit kanë kërkuar sërish që Lugina të bëhet pjesë e Republikës së Kosovës. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës Lindore i kanë thënë gazetës “Zëri” se edhe kjo pjesë e banuar me shqiptarë duhet të përfshihet në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Të hënën, presidenti Hashim Thaçi i cilësoi lajme false që synojnë të keqinformojnë opinionin publik, raportimet se në Bruksel diskutohet me palën serbe lidhur me shkëmbimet e territorit. Më saktësisht, mediat e Prishtinës raportuan se komuna më veriore e Kosovës- Leposaviçi bashkë me Leshakun mund të shkëmbehen me Preshevën dhe një pjesë të Bujanovcit.

Pjesë e marrëveshjes do të jetë edhe liqeni më i madh artificial që gjendet në veri të Kosovës, Gazivoda. Ndërkohë, takimi i radhës mes Thaçit dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç lidhur me dialogun mes dy vendeve do të zhvillohet në muajin Shtator./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono