Brukseli

bbb-1280x691.jpg
Sej rie15:10 | 31/05/2019

Reagime të ashpra ndaj deklaratave të Kryeministres serbe Ana Brnabiç për shqiptarët e Kosovës. Një ditë më parë duke iu referuar aksionit të policisë së Kosovës në Veri të vendit, ajo tha se shqiptarët janë të zbritur nga mali. Brukseli e cilëson raciste gjuhën e përdorur nga politikania serbe.

Deklaratat raciste ndaj shqiptarëve të kryeministres së Serbisë Ana Brnabiç, vijojnë të shkaktojnë reagime. Ndërsa Ministria e Jashtme e Kosovës deklaroi se ajo nuk do të lejohet të hyjë në territorin e Kosovës, gazeta Express ka kontaktuar Zyrën e Përfaqësues së Lartë të BE-së e cila e ka dënuar deklaratën e shefes së Qeverisë së Serbisë se shqiptarët janë “njerëz të malit”.

Kryeministrja serbe Ana Brnabiç, nxiti reagime të shumta kur tha se shqiptarët “janë njerëz të dalë nga mali” duke iu referuar liderëve politikë aktualë që dikur ishin pjesë e UCK’së.  Këtë deklaratë ajo e bëri në prani të shefit të delegacionit të BE-së në Serbi, Sem Fabrizio. Liderët kosovarë, përfshirë presidentin Thaçi kërkuan që BE të dënojë gjuhën raciste të kryeministres serbe.

Gazeta Express përmes e- emailit ka komunikuar me Maja Kocijançiç Zëdhënëse e Shefes së Diplomacisë së BE-së. E pyetur rreth qëndrimit të BE-së ndaj deklaratës së Bërnabiç për shqiptarët, ajo thotë se çdo retorikë fyese është në kundërshtim me qasjen bashkëpunuese dhe pajtuese ndërmjet dy shteteve.

Për deklaratën e Brnabiç Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se kjo gjuhë është një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka thënë se ndjehet i zhgënjyer me mosreagimin e BE-së.

Ndërsa, kosovarët kanë nxjerrë fotografi nëpër rrjete sociale nga malet. Kundër kryeministres serbe po bëhet fushatë në Twitter me hashtagun “Njerëzit nga mali” dhe “Fjalë për fjalë të shfaqur nga mali”.

Kësaj fushate i është bashkuar edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, i cili ka thënë gjermanët janë adhurues të maleve. Duke vulosur edhe njëherë mbështetjen që Kosova e ka nga superfuqia e madhe botërore -Gjermania./ABC News Albania 24/7

70853Bashkimi.jpg
G. P.23:59 | 27/05/2019

Udhëheqësit e 28 vendeve të BE, përfshi kryeministren britanike në largim Theresa May do takohen të martën në një darkë pune në Bruksel. Ata do diskutojnë për pasardhësin e presidentit të Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker dhe postet e tjera kyçe, përfshi edhe kreun e Bankës Qendrore Europiane, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve.

Negociata të vështira, interesa kombëtare, linja partiake e çështje gjinore do vazhdojnë të zhvillohen deri në samitin kyç të Këshillit Europian që do mbahet me 20 e 21 Qershor.

Një pengesë mund të vijë nga brenda Parlamentit Europian, pasi liderët e BE duan që kryetarët e shteteve të tërhiqen nga refuzimi për të zëvendësuar Junckerin me një ligjvënës nga radhët e tyre.

Partia Popullore Europiane e qendrës së djathtë e goditur nga humbja e koalicionit CDU-CSU të kancelares në Gjermani, humbi shumicën e përbashkët në legjislaturën e re.

Ndërsa fitorja e liberalëve, si ajo e partisë së re të Macron por edhe e të gjelbërve, që u renditën të dytët në Gjermani, të tretët në Francë e të kartërt në Britani, tregon se një aleancë katërpalëshe është krijuar tashmë./ABC News Albania 24/7

zgjedhjet-BE.jpg
G. P.14:15 | 24/05/2019

Në prag të publikimit të progres-raportit të BE-së po shtohen gjasat që vendimi për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të shtyhet për në vjeshtë. Në këtë përfundim ka arritur analiza e thelluar e Deutche Welle mbi situatën politike që po kalon Shqipëria.

Një pyetje është bërë shpesh gjatë vitit të fundit në Shqipëri. Kur do të çelen negociatat e Shqipërisë me BE-në? Deutche Welle ka publikuar një analizë të situatës dhe deklaratave të politikanëve në Gjermani që në thelb janë të ndarë.

Grindja e dy partive më të mëdha në parlamentin e Gjermanisë (Bundestag) ka të bëjë me datën e votimit për çeljen e negociatave. Ndërsa socialdemokratët kërkojnë që votimi të bëhet sa më shpejt, pra, menjëherë pas publikimit të progres-raporteve të dy vendeve, Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial e ka caktuar datën e vendimit për 23 Shtator.

Një datë, me të cilën, ministri i shtetit Michael Roth, që është përfaqësuesi më i flaktë i qeverisë gjermane pro çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk është dakord. Siç e tha edhe një intervistë me Deutsche Ëelle-n, ai mendon se ka ardhur koha që BE-ja të mbajë premtimin e dhënë një vit më parë ndaj këtyre dy vendeve dhe të japë dritën e gjelbër për negociatat qysh në Qershor.

Por edhe pse Michael Roth është përfaqësues i ekzekutivit, nuk mund të thuhet ende me siguri nëse ky është qëndrimi përfundimtar i qeverisë gjermane. Kancelarja Angela Merkel nuk e ka shprehur akoma mendimin e saj për këtë çështje.

Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert, i pyetur para disa kohësh në konferencën e rregullt të shtypit, tha se “vendimi për çeljen e negociatave do të varet nga progres-raporti i Komisionit”. Por sipas ligjit, qeveria gjermane duhet të marrë parasysh edhe mendimin e Bundestagut para se të formulojë qëndrimin e saj për Këshillin e BE-së në qershor të këtij viti.

Siç ka ndodhur edhe më parë, deputetët gjermanë të partisë CDU/CSU, pritet ta formulojnë mendimin e tyre edhe pasi të jenë konsultuar më parë me Francën. E kjo është shumë skeptike sidomos ndaj Shqipërisë: së pari, për shkak të numrit jashtëzakonisht të madh të azilkërkuesve nga ky vend dhe së  dyti, për shkak të “imazhit të keq” të krijuar nga kontrolli i tregjeve ilegale në Evropë dhe lidhjet e “mafies shqiptare” me trafikime, bëjnë të ditur burimet diplomatike.

Kjo është një gjë të cilën Maqedonia Veriore nuk e ka. Prandaj edhe qarqet diplomatike nga Brukseli, thonë se, nëse vjen deri te ndonjë vendim i negociuar politikisht, atëherë çelja e negociatave me Maqedoninë e Veriut do të jetë më e mundshme se ajo me Shqipërinë./ABC News Albania 24/7

lulzim-bashaa.jpg
G. P.12:44 | 20/05/2019

Në një intervistë radifonike për BBC World kreu i partisë demokratike Lulzim Basha ka deklaruar se forca politike që drejton distancohet nga dhuna në protestat e saj kombëtare, por e kupton zemërimin në rritje të qytetarëve.

Partia Demokratike ka bërë gjithmonë thirrje për protesta jo të dhunshme, është distancuar dhe do të distancohet gjithmonë nga dhuna, i përgjigjet kështu kryedemokrati Lulzim Basha pyetjes së gazetarit të BBC World i cili kërkoi të dijë  nëse ai dhe forca politike që drejton dënon dhunën e ndodhur në protestat kombëtare ku kryefjalë kanë qenë bombat molotov dhe shashkat.

“Absolutisht po. Megjithatë duhet kuptuar se dhuna e izoluar, që falë zotit nuk shkaktoi viktima, asnjë person i vetëm nuk u plagos, asnjë polic nuk u lëndua, është shprehje e zemërimit në rritje. Kto protesta janë pasojë e një krize kushtetuese, politike dhe me pasoja ekonomiko- sociale”, është shprehur Basha.

Është ky realiteti larg të cilit qëndrojnë ata që quan “burokratë të Brukselit me raporte të sheqerosura”.

“Kjo duhet të jetë edhe një kambanë alarmi për vetë institucionet e Bashkimit Europian, që t’i japin fund gjuhës së drunjtë se “shumë është bërë, por nevojitet dhe shumë për të bërë” dhe të përqendrohen në problemet e vërteta, me të cilat përballen vendi”, ka thënë kryedemokrati Basha.

Vendimi i Bashkimit Europian në Qershor për hapjen e negociatave me Shqipërinë do të sanksionojë një tjetër shtyrje të datës, sipas Lulzim Bashës dhe ky sipas tij është një tjetër rezultat i situatës që ka sjellë krizë të thellë në politikë dhe zemërim në rrugë dhe sheshe./ABC News Albania 24/7

tereza-mey.jpg
ent ela14:25 | 02/04/2019

Parlamenti Britanik ka refuzuar të gjitha alternativat ndaj marrëveshjes së arritur mes Kryeministres Mej dhe Brukselit për Brexit.  Tashmë mbeten vetëm dy mundësi: dalja pa marrëveshje nga Bashkimi Europian në 12 prill, ose një votim i katërt për marrëveshjen e arritur nga Mej.

Mbetet ende e bllokuar situata në Britaninë e Madhe për sa i përket Brexit. Parlamenti Britanik rrëzoi sërish katër opsionet e planit B, alternativë e marrëveshjes së divorcit të arritur nga kryeministrja Mej. Propozimet për të mbajtur lidhje ekonomike shumë më të ngushta pas Brexit, mbajtja e një referendum të dytë apo ndalimi i Brexit, për të shmangur një divorc nga Brukseli pa marrëveshje, nuk kanë arritur të marrin mazhorancën e votave në parlament.

Ministri Britanik për Brexit, Stefën Barklei, hodhi hipotezën e një votimi të katërt për marrëveshjen e Tereza Mej. Ai theksoi se në mungesë të një marrëveshjeje të miratuar nga parlamenti atëherë Britania e Madhe do të dalë nga Bashkimi Evropian pa një të tillë.

Barklei propozoi ndër të tjera, një votim të katërt të marrëveshjes së Mej në fundjavë. Lideri i laburistëve Xheremi Korbin, kritikoi përpjekjen e qeverisë për të ripropozuar marrëveshjen e Mej duke përmendur tre dështimet e mëparshme.

Ndërkohë ka reaguar dhe koordinatori i Parlamentit Europian Gaj Verhofstad. Në profilin e tij në Twitter ai shkruante se një Brexit i ashpër është pothuajse i paevitueshëm. Sipas tij e mërkura mbetet mundësia e fundit e Britanisë së madhe për të zhbllokuar situatën./abcnews.al

 

brukseli.jpg
G. P.22:28 | 19/03/2019

Një alarm për bombë ka tronditur të martën zonën e institucioneve europiane në Bruksel. Ka qenë një telefonatë anonime që ka sinjalizuar policinë për shpërthimin e një bombe në një pallat ku ndodhen zyrat e një kompanie konsulence për institucionet e BE-së.

Pas kontrolleve të kryera nga njësitë e specializuara të policisë ka rezultuar se alarmi ka qenë i rremë dhe për rrjedhojë perimetri i sigurisë është hequr. Megjithatë, policia belge ka deklaruar se do të kryejë një proces hetimor në përpjekje për të identifikuar autorin e telefonatës anonime./abcnews.al

europa.jpg
G. P.17:20 | 19/03/2019

Përfaqësues të Parlamentit Europian deklarojnë se midis BE dhe Ballkanit po rritet hendeku dhe se sidomos në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi po bëhen hapa prapa.

Komisioni i punëve të jashtme të Parlamentit Europian dhe ai i lirive civile, drejtësisë dhe punëve të brendshme të Parlamentit Europian janë përshirë në një debat të detajuar mbi reformat e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore në Ballkan. Drejtori për zgjerimin, Christian Danielsson, ka pranuar se ka hapa prapa në reformat e shtetit ligjor dhe të drejtave themelore në disa vende të Ballkanit.

Përfaqësuesit e botës akademike dhe shoqërisë civile kanë deklaruar, se liderët e Ballkanit kanë mësuar t’ia hedhin Bashkimit Europian me zbatimin e reformave në letër dhe mesazhet e mjegullta të Brukselit merren si inkurajim për mënyrën autokratike të qeverisjes në Ballkan.

Christian Danielsson, drejtor i përgjithshëm për zgjerimin, KE: “Ka një dëshirë nga qytetarët e Ballkanit, që duan të jetojnë në vende me prosperitet dhe me barazi, ku shteti ligjor është i fortë, ku korrupsioni të luftohet, ku sistemi i drejtësisë të jetë i pavarur dhe ku ndryshimi demokratik të vijë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Dhe le të jemi të ndershëm. Është arritur një progres domethënës në reforma, por dhe në kapërcimin e trashëgimisë shkatërruese të luftës dhe konflikteve në Ballkan. Por asnjë nga vendet e Ballkanit nuk përmbush kriteret e anëtarësimit dhe në disa vende ne kemi parë fatkeqësisht stanjacion, apo siç u artikulua hapa prapa”.

Marko Kmezi, Qendra për studimet mbi Europën Juglindore, Graz: “Për disa vende të Ballkanit Perëndimor, këto hapa prapa kanë filluar menjëherë pas hapjes së negociatave të anëtarësimit. Rekomandimet për të ndryshuar situatën  kanë të bëjnë së pari me monitorimin e plotësimit të kritereve dhe raportimin e tyre. Së dyti, përfshirjen të nxitjes dhe sanksioneve në kuadrin e financimit për vendet e Ballkanit kur bëhet fjalë për performancën lidhur me shtetin ligjor dhe së fundmi jo të kryhet një ushtrim teknokratik, por më shumë shoqëror të fokusuar në potencialin e vetë shoqërisë”.

Naim Rashiti, Qendra hulumtuese për politikat e Ballkanit: “Ka një rritje të hendekut midis Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit në kuptimin dhe pranimin e reformave të integrimit. Ky është një shqetësim serioz dhe kjo diferencë duket në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri. Në disa raste, zbatimi i reformave në letër vetëm i përkeqëson gjërat. Liderët e Ballkanit Perëndimor kanë mësuar se si t’ia hedhin Bashkimit Europian dhe në disa raste zyrtarët e BE-së e dinë që ua hedhin dhe përballen me vështirësi të axhendave politike që ndryshojnë prioritetet kundër standardeve të shtetit ligjor”.

Marko Kmezi, Qëndra për studimet mbi Europën Juglindore Graz: “Problemi i monitorimit nuk trajton shkaqet e deficencave  të shtetit ligjor në Ballkan dhe mbi të gjitha mënyrën autokratike me të cilën qeverisen këto vende. “Burrat e fortë” të Ballkanit nuk kanë arsye pse të kryejnë reformat, por të ruajnë status-quo. Nga ana tjetër, mesazhet që vijnë nga Brukseli janë shpesh të mjegullta dhe mund të merren si inkurajim për “burrat e fortë ” të Ballkanit. Dhe në emër të stabilitetit, BE-ja po neglizhon devijimet në shtetin ligjor. Duhet merret si model raporti “Priebe” që u bë për problemet e shtetit ligjor në Maqedoni.

Christian Danielsson ka deklaruar, se mënyra e kryerjes së negociatave nuk mund të ndryshojnë çdo vit.  Ai pranuar së mund të bëhet më shumë nga Komisioni Europian lidhur me diplomacinë publike dhe të qenurit më aktivë në terren për rrjedhojat  e mosveprimit dhe të qënurit shumë të qartë kur ka devijim të shtetit ligjor./abcnews.al

be-1.jpg
G. P.21:47 | 18/03/2019

BE ka mbetur i zhgënjyer nga ecuria e reformës në drejtësi në vendet kandidate për anëtarësim. Në një sesion të mbajtur në Parlamentin Europian, pjesëmarrësit kanë shprehur shqetësimin për zvarritjen e këtij procesi nga ish-vendet komuniste, përfshirë Shqipërinë. Ndërkohë, presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio ka deklaruar se mentaliteti i shumë liderëve ballkanas se kush fiton zgjedhjet i merr të gjitha, përbën rrezik për shtetin ligjor.

Demokracia, shteti ligjor dhe të drejtat themelore në vendet kandidate kanë qenë në qendër të një dëgjesë publike të organizuar nga Parlamenti Europian me përfaqësues të Bashkimit Europian, të Komisionit të Venecias, të OMN-së dhe shoqërisë civile nga Ballkani. Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio ka cilësuar si të rrezikshëm për shtetin ligjor mentalitetin e fituesve të proceseve zgjedhore në Europë që qeverisin pa asnjë kufizim dhe nuk respektojnë Gjykatat Kushtetuese. Ai ka shprehur zhgënjim për reformën e drejtësisë në vendet kandidate 30 vjet pas komunizmit.

Gianni Buquicchio, Komisioni i Venecias: “Në Europë po përballemi gjithnjë e më shumë me një tendencë populiste, sipas të cilës ai që fiton zgjedhjet i jep të drejtën shumicës që të qeverisë pa asnjë kufizim. Ky mentalitet, sipas të cilit fituesi merr gjithçka, është i rrezikshëm për shtetin ligjor. Në disa vende kandidate, pavarësisht reformave, rezultatet për reformimin e drejtësisë janë zhgënjyese. Si mund të shpjegojmë që pas 30 vjetësh në vende post-komuniste, gjyqësori le shumë për të dëshiruar? Në disa raste është e nevojshme që të pranohen përjashtime, siç ishte rasti në Shqipëri, ku korrupsioni i shtrirë gjerësisht në vend e bëri të nevojshëm Vettingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Komisioni i Venecias e pranoi këtë nevojë me kusht dhënien e garancive të duhura. Pa vlerësimin tonë pozitiv, gjykatat shqiptare, sipas gjasave, do ta kishin vrarë këtë proces”.

Përfaqësuesi i operacionit të monitorimit ndërkombëtar, OMN, Theo Jacobs ka shpjeguar funksionimin e procesit të Vettingut dhe ka prezantuar rezultatet e tij. Për Jacobs, Vettingu merr kohë:

Theo Jacobs: “Dua të theksoj faktin që procesi i Vettingut po shkon vërtet thellë. Në instancën e parë janë kaluar 111 raste, 18 prej tyre janë në procesin e apelit, 48 janë konfirmuar dhe 46 janë rrëzuar. Kjo do të thotë që gjysma e personave janë rrëzuar nga detyra. Janë 70 largime. Gjykata Kushtetuese, që duhet të përbëhet nga 9 gjykatës; vetëm një është konfirmuar, 8 janë rrëzuar. Gjykata e Lartë, që duhet të përbëhet nga 18 gjykatës, vetëm 3 janë konfirmuar, 15 janë rrëzuar. Pra, po bëhet një proces me rrënjë. Procesi i Vettingut në këtë mënyrë merr kohë, kërkon përgatitje. Ne duhet të fillonim nga fillimi dhe ndaj një proces i tillë kërkon një fazë të gjatë përgatitje”.

Dëgjesa publike mbi plotësimin e kritereve të Kopenhagës është organizuar nga komisionit parlamentar i punëve të jashtme dhe atij të lirive themelore të Parlamentit Europian./abcnews.al

70853Bashkimi.jpg
G. P.13:38 | 14/03/2019

Dy muaj para zgjedhjeve europiane, paritë ekstremiste të djathta kanë shpërndarë teorinë se Bashkimi Europian është krijuar nga nazistët. Këto hamendësime kanë shqetësuar Brukselin, i cili kërkon ndihmën e vendeve anëtare për të luftuar këtë dezinformim.

Bashkimi Europian është i shqetësuar nga rritja e shpejtë e teorive konspirative dhe komplotiste mbi origjinën e Unionit në disa shtete anëtare, por kryesisht në Francë. Sipas këtyre teorive, Bashkimi Europian është krijuar nga nazistët dhe financuar nga CIA. Këto teori paraqitet nga politikanë të ekstremeve të djathta vetëm dy muaj para zgjedhjeve europiane të 26 Majit.

Margaritis Schinas, kryezëdhënës i BE-së: “Ashtu si dhe ju, edhe ne pyesim veten nga vijnë këto teori konspirative apo lunatike në Francë, sipas të cilave Bashkimi Europian qenka krijuar nga nazistët dhe pse ato vijnë tani? Ajo që duam të them, është që në vend që të ketë interesim mbi ata që supozohen në thonjëza të kenë financuar themelimin e Bashkimit Europian, duhet që interesimi të shkojë te financimet e atyre që duan ta shkatërrojnë Bashkimin Europian aktualisht”.

Komisioni Europian ndjehet i vetmuar në këtë betejë kundër dezinformimit dhe i bënë thirrje shteteve anëtare, shoqërisë civile dhe mediave që të luftojnë kundër dezinformimit.

Margaritis Schinas: “Dua të theksoj, se disa herë kemi përshtypjen që jemi  shumë të vetmuar në këtë betejë. Kur sulmohet Brukseli, krijohet përshtypja, se shtete anëtare nuk preken nga ky sulm, Ndaj them, që ndihemi të vetmuar. Në fakt, sa herë që sulmohet Brukseli dhe Bashkimi Europian sulmohen gjithashtu kryeqytetet e shteteve anëtare dhe shpirti i bashkëpunimit të 27 vendeve. Kjo nuk është një betejë që nuk mund të fitohet nga Brukseli”.

Zëdhënësi i Unionit kërkoi marrëveshje dhe mbështetje të institucioneve të tjera europiane, të shteteve anëtare, shoqërisë civile pasi sipas tij, kjo është një betejë komplekse dhe shumë e komplikuar./abcnews.al

be-1280x900.jpg
ent ela21:44 | 11/03/2019

Në një kohë kur data për largimin e Britanisë nga blloku evropian po afron, Brukseli i ka bërë thirrje ligjvënësve britanikë që të marrin vendimin e duhur, në mënyrë që procesi i Breksit të mos zvarritet më.

Bashkimi Evropian ka deklaruar se tashmë varet nga ligjvënësit britanikë të vendoset për Breksit, me Brukselin që mbetet i angazhuar për të arritur një marrëveshje në kohë, në mënyrë që Mbretëria e Bashkuar të largohet nga blloku këtë muaj. Burime nga Brukseli kanë deklaruar se Britanisë i janë ofruar garanci të reja sa i takon çështjes së kufirit irlandez në prag të votimit të radhës që do të mbahet të martën në Parlamentin britanik, mbi marrëveshjen e arritur nga kryeministrja Theresa Mej.

“Tani i takon Dhomës së Përfaqësuesve që të marrë vendimet e duhura”, kanë deklaruar burimet. Laburistët dhe konservatorët i kanë thënë kryeministres Mej se ajo duhet të respektojë premtimin e bërë për mbajtjen e votimit të së martës. Thirrja ka ardhur pas spekulimeve se votimi mund të shtyhet për një ditë tjetër, ose të ketë një rëndësi më të vakët lidhur me efektin e tij. Por qeveria britanike ka konfirmuar se votimi do të mbahet sipas planeve. DAUNING STRIT ka deklaruar se, fokusi i ekzekutivit është vazhdimi i punës për Breksit dhe mbajtja e votimit, në mënyrë që ky proces të mbyllet sa më shpejt. Mbretëria e Bashkuar pritet të largohet nga BE më 29 mars, por në janar ligjvënësit kundërshtuan marrëveshjen e arritur nga Mej në Bruksel, duke kërkuar një seri ndryshimesh në të./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono