britania

181106-emmanuel-macron-mc-1319_011f45c1d1720bd9b69621f5c19a52c2.fit-760w.jpg
G. P.23:55 | 02/04/2019

Pas dështimeve të njëpasnjëshme në Parlament, presidenti Emanuel Makron ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar po shkon automatikisht drejt daljes pa marrëveshje nga BE-ja. Sa i takon Unionit, Makron ka theksuar se ai nuk mund të mbetet peng i krizës së brendshme britanike.

Presidenti francez Emanuel Makron i ka bërë thirrje të martën Britanisë së Madhe që të dalë me një plan konkret për të zhbllokuar ngërçin e Breksit, përpara samitit që mbahet në Bruksel javën e ardhshme. Në të kundërt, ka paralajmëruar Makron, Mbretëria e Bashkuar rrezikon të shkojë automatikisht drejt një daljeje të çakorduar nga Bashkimi Europian. “Nëse Britania, kur po bëhen 3 vjet nga referendumi, nuk është në gjendje të dalë me një zgjidhje që mbështetet nga mazhoranca, atëherë i bie që ajo të shkojë vetë drejt daljes pa marrëveshje”, ka deklaruar Makron.

Në kuadër të një takimi me kryeministrin irlandez, Makron ka theksuar se i takon Londrës të vendosë se kë do të zgjedhë mes planeve alternative, që janë zgjedhjet e parakohshme, një referendum i dytë, apo një union doganor me BE-në. “Fjala e fundit i takon Londrës dhe këtë fjalë ajo duhet ta thotë tani”, ka vijuar Makron. Për presidentin francez, Bashkimi Europian nuk mund të mbetet më peng i një krize politike të brendshme në Britaninë e Madhe. Aktualisht, në Dhomën e Përfaqësuesve ligjvënësit britanikë kanë paraqitur një draft për të parandaluar daljen pa marrëveshje. Nëse drafti kthehet në ligj, atëherë kryeministrja Theresa Mej do t’i kërkojë Brukselit një shtyrje të mëtejshme të Breksit përtej datës aktuale 12 Prill./abcnews.al

Brexit-bloodbath-Theresa-May-1002180.jpg
ent ela17:40 | 23/03/2019

Një peticion online për të bllokuar largimin e Birtanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, ka mbledhur deri tani 3.5 milionë firma. Ndërkohë që presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk shprehet se deri në 12 prill mund të ndodhë cdo gjë, e që shpresa vdes e fundit.

Mes atyre që kanë firmosur peticionin online që kërkon qëndrimin e Londrës në Bashkimin Europian janë dhe personalitete si aktori Hju Grent dhe këngëtarja Ani Lenoks e grupit “Eurythmics”. Peticioni ka mbledhur deri tani 3.5 milion firma, një sukses që nuk pritej vetëm tre ditë pas publikimit të tij. Një rezultat që vë dhe më shumë në dukje pasiguritë që janë krijuar në Mbretërinë e Bashkuar për sa i përket daljes nga BE.

Në Britaninë e Madhe në mënyrë që një peticion të shtrohet për diskutim në parlamentin e vendit duhet të kalojë pragun e 100 mijë firmave, prag ky i kaluar dukshëm. Në peticion lexohet ndër të tjera se qeveria thekson se dalja nga Bashkimi Europian është vullneti i popullit, ndërsa aktualisht ata që duan qëndrimin në BE janë më të shumtë në numër.

Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, u shpreh se fati i Brexit është në duart e miqve britanikë. Ai theksoi se Brukseli është përgatitur për më të keqen por shpreson më të mirën, pasi shpresa është e fundit që vdes.

Tusk më tej u shpreh personalisht i lumtur dhe i kënaqur për vendimin e Këshillit Europian për ti dhënë Londrës më shumë kohë. Kjo do të thotë se deri në 12 prill çdo gjë është e mundur./abcnews.al

britania-1280x721.jpg
ent ela17:24 | 06/03/2019

Britania e Madhe i dhuron Shqipërisë automjete për shoqërimin e personave të dënuar, në insitucionet përkatëse, për të rritur sigurinë në sistemin e burgjeve.

Duke falenderuar ambasadorin Duncan, Ministria e Drejtësisë thekson se kjo ndihmë, tregon se Mbretëria e Bashkuar nuk po lëkundet ndaj tentativave për të penguar Shqipërinë drejt integrimit në Bashkimin Europian.

Në deklaratën për shtyp, Ministria e Drejtësisë rikujton ndihmesën që Britania e Madhe i ka dhënë vendin tonë  në përgatitjen e Master planit 4 vjeçar për sistemin e  burgjeve, duke shtuar investimet dhe përmirësuar infrastrukturën.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, investimet do të jenë edhe për mjete që bllokojnë  valët e telefonave në burgje.

Ministrja Gjonaj dha lajmin e mirë për punonjësit e burgjeve, rritjen e pagave me 7% duke filluar nga muaji prill. /abcnews.al

190114114303-01-theresa-may-0114-exlarge-169.jpg
G. P.19:48 | 24/02/2019

Teksa po afrojnë votimet parlamentare që mund t’i heqin të drejtën për të kontrolluar Brexit, kryeministrja britanike ka deklaruar se largimi nga BE është një proces që nuk duhet vënë në diskutim.

Votimi pro Brexit nuk duhet të vihet në dyshim dhe qeveria duhet të mbetet e fokusuar në implementimin e vullnetit të popullit. Kështu ka deklaruar kryeministrja britanike Theresa May në një fjalim të mbajtur përpara aktivistëve konservatorë, teksa negociatat e saj me BE-në kanë hyrë në fazat finale.

“Gabimi më i madh që mund të bëjmë në këto momente është humbja e përqendrimit”, ka deklaruar Mau.

Deklarata vjen në një kohë kur tre anëtarë pro-BE-së të kabinetit të saj paralajmëruan se mund të votojnë për ta vonuar Breksit, për të parandaluar një dalje pa marrëveshje që do të ishte katastrofike. Por May ka theksuar se, në partinë e saj nuk do të ketë “spastrime” vetëm për shkak të këndvështrimeve të ndryshme.

Në prag të votimeve që mbahen javën e ardhshme në Dhomën e Përfaqësuesve, Greg Klark, Amber Rud dhe Dejvid Gok deklaruan se do ta sfidojnë kryeministren dhe do të votojnë për një shtyrje të daljes nga BE-ja.

Divorci mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Unionit pritet të konkretizohet më 29 Mars dhe ndërkohë, qeveria britanike nuk e ka përjashtuar mundësinë e një largimi pa marrëveshje, në rast se May nuk siguron dot mbështetjen e deputetëve për akordin që mund të arrijë me Brukselin.

Fjalimi i May në Konventën Kombëtare të Konservatorëve, mbajtur në Oksford, vjen në prag të një seri votimesh të rëndësishme të parashikuara për ditën e mërkurë, në të cilat Parlamenti mund t’i zhvasë kontrollin e Brexit kryeministres./abcnews.al

brexit-1.jpg
G. P.08:17 | 30/01/2019

Ligjvënësit britanikë votuan të martën kundër draftit për të parandaluar një dalje pa marrëveshje nga BE-ja, ndërsa mbështetën propozimin e kryeministres Theresa May, për të kërkuar ndryshime në marrëveshjen me Brukselin. Lëvizja u mundëson atyre që t’i rrëmbejnë kontrollin e negociatave kryeministres, nëse ajo dështon të gjejë gjuhën e përbashkët me BE-në në lidhje me çështjen e kufirit të Irlandës.

Kur kanë mbetur dy muaj nga data e daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Unioni, Parlamenti britanik po përpiqet të gjejë një mënyrë për të çuar përpara votimin e amendamenteve të ndryshme, edhe pse shumica e tyre janë hedhur poshtë. Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve votuan me 321 vota kundër dhe 298 pro nismës së njohur si “Amendamenti B”, të propozuar nga laburistët, që parashikonte një shtyrje të largimit të Britanisë nëse qeveria nuk siguronte një marrëveshje të re me Brukselin që të jetë e pranueshme edhe nga Parlamenti. Ndërkohë, amendamenti i miratuar i kryeministres May ka kaluar me 16 vota plus./abcnews.al

gjibraltari.jpg
G. P.23:12 | 29/01/2019

Teksa Britania po përpiqet të bindë BE-në të modifikojë marrëveshjen për Breksit, në Spanjë janë ringjallur pretendimet për Gjibraltarin. Madridi zyrtar kërkon që gadishulli të mbetet jashtë çdo akordi që mund të arrihet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së.

Madridi zyrtar do të insistojë që gadishulli i Gjibraltarit të mos përfshihet në marrëveshjet mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Europian në lidhje me Breksit. Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka deklaruar se vendi i tij synon të luftojë për sovranitet të përbashkët mbi atë copëz territori që ndodhet në jug të Spanjës, por që i përket Britanisë që prej vitit 1713.

“Në çdo marrëveshje që do të arrihet me Britaninë do të ketë një “yll” që sqaron se marrëveshja nuk prek Gjibraltarin”, ka deklaruar Sançez.

Madridi prej kohësh kërkon sovranitet mbi gadishullin shkëmbor, që lidhet me pjesën jugore të territorit spanjoll përmes një brezi të hollë toke. Normalisht pritet që Gjibraltari të dalë nga BE bashkë me Britaninë, por insistimi i qeverisë iberike lidhet me faktin se 97 për qind e popullsisë së gadishullit votuan që të qëndronin në Europë në referendumin e vitit 2016.

“Spanja dëshiron që në çdo dokument që do të firmoset për Breksit të saktësohet se ajo nuk ka lidhje me Gjibraltarin, i cili do të mund të funksionojë në bazë të një marrëdhënieje tjetër”, kanë saktësuar burime pranë qeverisë spanjolle.

Përplasja mes Madridit dhe Londrës në lidhje me Gjibraltarin kërcënoi të devijonte negociatat për Breksit të zhvilluara Nëntorin e kaluar, por një marrëveshje e minutës së fundit i hapi rrugë 27 vendeve anëtare që të aprovonin paketën e divorcit./abcnews.al

47181154_403.jpg
ent ela12:55 | 25/01/2019

Ish kryeministri i Britanisë së Madhe Toni Bler është shprehur i bindur se vendi do të marrë veten shumë shpejt nga pasojat e Brexit. Në një intervistë për Deutsche Velle ai theksoi se dalja pa marrëveshje do të ishte një katastrofë.

Në një intervistë për “Deutsche Ëele” ish-kryeministri britanik Tony Blair, nuk përjashtoi mundësinë e një referendumi të dytë për Brexit, por theksoi se dalja nga Bashkimi Europian pa marrëveshje, do të ishte një katastrofë.

I pyetur për planin B të kryeministres aktuale Tereza Mej, ai tha se pas këtij plani qëndron ideja për të ndryshuar marrëveshjen e daljes nga BE, një marrëveshje që duhet të negociohet mes qeverisë britanike dhe Brukselit. Por ai tha se një procedurë e tillë nuk sjell asnjë të mirë.

“Një grup dëshiron që ne të qëndrojmë të lidhur ngushtë me Evropën, një grup tjetër që të dalim krejtësisht nga sistemi tregtar evropian. Këta janë skenarë shumë të ndryshëm, për të cilët duhet të votojë populli. Sepse parlamenti me siguri që do ta bllokojë sërish veten. Dyshoj që Theresa May të arrijë ta kalojë marrëveshjen në parlament, por për asnjë formë tjetër të Brexitit nuk ka shumicë. Prandaj do të ishte veprim i arsyeshëm që të pyetet edhe njëherë populli”, shtoi Bler, duke mbështetur hapur idenë e një referendum të dytë për Brexit.

Por ish kreyministri këmbëngul se një Brexit pa marrëveshje do të ishte një katastrofë për të gjithë. Ai këshilloi Mej që t’u shpjegojë njerëzve njerëzve mundësitë e ndryshme.

Bler tha se Britania e Madhe është një vend i mrekullueshëm dhe britanikët janë njerëz të mrekullueshëm e për këtë arsye ata do të ngrihen përsëri në këmbë.

“Unë jam kundërshtar pasionant i Brexitit, por po ta kalojmë atë, ne do të organizohemi sërish dhe do të ecim sërish përpara. Këtu është fjala jo vetëm për Britaninë e Madhe, por edhe për Evropën. Kur ke një ekonomi të fortë, kur largon nga Evropa një lojtar të fuqishëm politik, Evropa dobësohet,”-përfundoi ai./ abcnews.al

sala.jpg
G. P.22:57 | 24/01/2019

Autoritetet britanike njoftuan këtë të enjte se përfunduan kërkimet për gjetjen e futbollistit Emiliano Sala pasi avioni me të cilin ai udhëtonte sëbashku me pilotin David Ibbotson u zhduk nga radarët të hënën. Pas tre ditësh kërkimesh në kanalin britanik, ekipet e kërkim-shpëtimit nuk mundën të gjejnë avionin. David Barker, një nga zyrtarët e policisë së Guersney tha se shanset që Sala dhe piloti të kenë shpëtuar janë shumë të vogla.

“Pamë gjithë informacionin që kishim në dispozicion dhe morëm vendimin e vështirë për të përfunduar kërkimet. E kuptoj që familja e Emiliono Salas nuk është e lumtur me këtë vendim, por e mirëkuptoj këtë pjesë. Jam plotësisht i vetëdijshëm që nuk mund të bënim më shumë”, tha ai.

Por menjëherë sapo u njoftua lajmi, reagoi motra e Sala-s, Romina, e cila iu lut autoriteteve që të mos i ndalonin kërkimet.

“Ju lutem, ju lutem, ju lutem mos i ndaloni kërkimet. E kuptojmë që është e vështirë por mos i ndaloni kërkimet. Për ne, ata janë akoma gjallë. Është e vështirë të shprehim atë që ndjejmë tani pasi çdo gjë është e rëndë. Emiliano është luftëtar. Ju përgjërohem, mos ndaloni kërkimet për të. Kanë kaluar tre ditë dhe unë kam akoma shpresa se ai është gjallë”, u shpreh ajo mes lotësh.

Emiliano Sala u bë lojtari më i shtrenjtë që ka blerë ndonjëherë skuadra e Cardiff për një shifër prej 15 milionë Paundësh. Ai ishte rikthyer në Nantes të Francës për t’i dhënë përshëndetjen e fundit ish-lojtarëve të skuadrës, por kthimi në kryeqytetin e  Uellsit u kthye në një tragjedi. Avioni me të cilin udhëtonte ai dhe piloti i avionit, Ibboston, u zhduk nga radarët në mbi kanalin britanik./abcnews.al

kremlin.jpg
G. P.22:32 | 24/01/2019

Rusia ka dënuar ndërhyrjet e fuqive të huaja në punët e brendshme të Venezuelës, duke i cilësuar përpjekje për të uzurpuar pushtetin. Zëdhënësi i Kremlinit ka kritikuar mbështetjen që disa vende i kanë ofruar liderit të opozitës, duke deklaruar se një gjë e tillë çon në gjakderdhje.

Rusia ka dënuar ndërhyrjen e fuqive të huaja në Venezuelë, të cilat shprehën mbështetjen për liderin e opozitës. Përmes një deklarate për shtyp, Kremlini deklaroi se lëvizja është një përpjekje për të uzurpuar pushtetin, që shkel ligjin ndërkombëtar dhe çon vendin latin drejt gjakderdhjes.

Moska e sheh Venezuelën si një prej aleatëve më të ngushtë të saj në Amerikën Latine dhe përveç se i ka dhënë hua miliarda dollarë ka mbështetur edhe industrinë e saj të naftës dhe atë ushtarake. Gjithashtu, ajo ka marrë pjesë në stërvitje të përbashkëta ushtarake.

“Ne konsiderojmë se përpjekja për të uzurpuar sovranitetin e Venezuelës bie ndesh me ligjet dhe parimet ndërkombëtare”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, duke shtuar se Maduro është lideri legjitim.

Në të njëjtën linjë, Ministria e Jashtme ruse deklaroi se vetëshpallja president e liderit të opozitës Huan Guaido’ e çon vendin drejt paligjshmërisë dhe gjakderdhjes.

“Vetëm venezuelianët kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Ndërhyrja destruktive nga jashtë në këto momente tensioni është e papranueshme”, nënvizoi Ministria e Jashtme.

Moska zyrtare gjithashtu paralajmëroi se çdo nismë ushtarake nga Shtetet e Bashkuara do të ishte një aventurizëm që do të ndiqej nga pasoja katastrofike. Reagimi i Rusisë erdhi pasi presidenti amerikan Donald Trump njohu liderin venezuelian të opozitës, Huan Guaido’ si presidentin e ri të vendit. Ai ftoi vendet e tjera të bënin të njëjtën gjë, por thirrja e tij ka krijuar përçarje në komunitetin ndërkombëtar.

Kanadaja, Britania dhe 7 vende të Amerikës së Jugut i janë përgjigjur pro thirrjes, ndërsa BE ka ngurruar. Ndërkohë, Meksika, Bolivia dhe Kuba shprehën mbështetjen për Maduro. Presidenti turk Erdogan iu drejtua atij me një mesazh: “Vëllai im Maduro! Qëndro me kokën lartë, ne jemi pranë teje”. Edhe Kina, një investitor i rëndësishëm në Venezuelë, deklaroi se kundërshton çdo ndërhyrje të huaj./abcnews.al

theresa-may-2.jpg
ent ela11:26 | 24/01/2019

Kryeministrja britanike Tereza Mej ka këmbëngulur dhe njëherë se nuk do të ketë asnjë shtyrje të daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Ajo theksoi se vendi do të dalë me një marrëveshje pavarësisht spekulimeve.

Konfirmimi që Mbretëria e Bashkuar të dalë nga Bashkimi europian me një marrëveshje është e vetmja garanci për të shmangur mungesën e një marrëveshjeje dhe një shtyrje afatesh nuk është fare në diskutim. Në këtë mënyrë kryeministrja britanike Tereza Mej këmbëngul në qëndrimin e saj, duke refuzuar njëkohësisht kërkesën e liderit të opozitës Xheremi Korbin, për të hequr nga tryeza e bisedimeve çdo lloj hipoteze të një daljeje nga Bashkimi Europian pa marrëveshje. Vendimi mbetet i njëjti, përsëriti ajo, një marrëveshje, asnjë marrëveshje ose anullimi i Brexit. Por Mej u shpreh e sigurtë se Mbretëria e Bashkuar do të dalë me një marrëveshje.

Nga ana e saj kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh se të gjithë duhet të përballen me traumën e daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian, por njëkohësisht duhet të ruhen marrëdhëniet e mira me vendin në të ardhmen. Gjatë fjalimit të saj në Davos, Merkel shtoi se sa më të lehta të jenë negociatat aq më mirë do të jetë për Europën. Kancelarja gjermane theksoi se për sa i përket mbrojtjes Europa ka një lloj varësie nga Britania e Madhe. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono