britani

sei_25855746-8c52-540x445.jpg
ent ela23:57 | 19/08/2018

Britani- Një i ri është sulmuar për vdekje në një pub në Kembrixh.

31- vjeçari Christopher Frost, u gjet i plagosur në afërsi të pub-it Brook, në Brookfields, të premten në mbrëmjen.

Frost u dërgua në spitalin Addenbrooke, por vdiq mbrëmjen e së shtunës si pasojë e plagëve që mori. Policia britanike ka arrestuar Dennis Hurworth, ai autor të vrasjes.

Ai do të paraqitet ditën e hënë në Gjykatën e Peterborough.

Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarje tragjike që i mori jetën Christopher Frost./tvklan.al

westminster-incident-33.jpg
G. P.12:36 | 15/08/2018

Është identifikuar autori i sulmit ndaj barrierës rrethuese të parlamenit britanik në Londër. Ai është një inxhinier 29 vjeç me origjinë nga Sudani. Ndërkohë, kryeministrja e vendit Tereza Mej, u shpreh se terrorizmi synon të përçajë vendin, por nuk do ia arrijë qëllimit.

29 vjeçari nga Birmingem që të martën u përplas me automjetin e tij me kalimtarë dhe çiklistë në qendër të Londrës, duke përfunduar në barrierën rrethuese të Uestminster, quhet Salih Khater dhe është me origjinë nga Sudani. Lajmi është publikuar nga britanikja Daily Telegraph. Ish-student inxhinierie elektronike, ai ishte transferuar në Britaninë e Madhe pesë vjet më parë duke marrë dhe nënshtetësinë britanike.

Sipas hetuesve, ai është i apasionuar pas muzikës dhe dëgjon muzikë sudanze por edhe Selin Dion, Rihanna dhe Eminem. Në vitin 2011 ai ishte zhdukur nga rrjetet sociale duke mbyllur dhe profilin në Facebook. Ai nuk ka asnjë precedent penal dhe nuk rezultonte si një subjekt i rrezikshëm apo i lidhur me terrorizmin. Ndërkohë, kryeministrja britanike Tereza Mej ka reaguar duke thënë se objektivi konkret i ekstremistëve është përdorimi i dhunës dhe i terrorit për të ndarë njerëzit, por nuk do ia dalin.

Për herë të dytë në dy vjet, shtoi ajo, në territorin britanik kanë ndodhur skena të tmerrshme. Duke përsëritur apelin për popullsinë që të jenë vigjilentë ajo lavdëroi punën e agjentëve të policisë. Ndërkohë, niveli i alarmit në vend mbetet i lartë./abcnews.al

LONDER-AUTOMJETI.mpg_snapshot_00.00-1280x692.jpg
G. P.12:08 | 14/08/2018

Policia britanike ka arrestuar shoferin e një automjeti, i cili u përplas me murin rrethues të parlamentit britanik, duke lënë të plagosur disa persona. Pista më e mundshme e hetimeve është ajo e terrorizmit, edhe pse për momentin nuk ka një konfirmim zyrtar.

Një automjet është përplasur me murin rrethues të parlamentit të Uestminster në Londër. Shoferi u arrestua nga policia, ndërsa disa kalimtarë mbetën të plagosur, por asnjeri prej tyre nuk është në rrezik për jetën. Përplasja ndodhi mëngjesin e së martës, ndërsa policia ka blinduar një zonë të gjerë si dhe bllokoi disa nga pikat kryesore, në një moment që kanë nisur hetimet për një akt të mundshëm terrorizmi.

Menjëherë pas aksidentit, agjentët rrethuan automjetin dhe arrestuan personin me ngjyrë, i cili kishte veshur një bluzë me kapuç.
Sipas dëshmitarëve okularë, automjeti u përplas qëllimisht me kalimtarët para se të përfundonte në murin e parlamentit. Ndër të plagosurit ka dhe disa çiklistë./abcnews.al

Brexit-bloodbath-Theresa-May-1002180.jpg
G. P.12:27 | 13/08/2018

Në një moment që realizimi i Brexit është më pranë se asnjëherë, britanikët kanë ndryshuar mendje dhe kerkojnë një referendum të dytë për të qëndruar në Bashkimin Europian.

Më shumë se 100 zona zgjedhore në Britaninë e Madhe që votuan për t’u larguar nga BE tani mbështesin lëvizjen që kërkon një referendum të dytë për të qëndruar brenda unionit. Në një studim nga Observer, me përfundime që mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në betejën parlamentare të Brexit më vonë këtë vit, arrihet në përfundimin se shumica e vendeve në Britani tani përmbajnë shumicën e votuesve që duan të qëndrojnë në BE. Analiza, një nga vlerësimet më të plota të ndjenjës së Brexit që nga referendumi, sugjeron se ndryshimi është nxitur nga dyshimet midis votuesve laburistë që mbështetën largimin.

Si rezultat, tendenca është më e rreptë në veri të Anglisë dhe Uellsit – krahina të laburistëve në të cilën ndjenja e Brexit duket se po ndryshon. Zhvillimi do të krijojë presion mbi Jeremy Corbyn për të zbutur kundërshtimin e partisë për të rishikuar largimin e Britanisë nga BE.
Hulumtuesit në kompaninë analitike të konsumatorëve Focaldata përpiluan të dhëna duke modeluar dy sondazhe të YouGov me më shumë se 15,000 njerëz, të kryera para dhe pas publikimit nga Theresa May të marrëveshjes së propozuar për Brexit më 6 korrik.

632 zona në Angli, Skoci dhe Uells u shqyrtuan për studimin. Ajo gjeti se 112 kishin kaluar nga “Largimi” në “Qëndrim” në BE.
Analiza e re sugjeron se tani janë 341 zona me mbështetje mbijetese nga shumica, nga 229 që ishin në referendum.
Një zonë ka ndërruar përkrahjen në Skoci dhe 97 në Angli, ndërsa 14 nga 40 zonat zgjedhore në Uells kanë ndryshuar nga pro “Brexit” në kundërshtim të tij. Në përgjithësi, modeli e vë qëndrimin në BE në mbështetjen e 53% të popullsisë, me 47% që mbështesin largimin nga unioni.

Sondazhi tronditës për politikën britanike vjen në një kohë që kryeministrja ka ende për të negociuar mbi votimin në Parlament mbi Brexit dhe gjithashtu në kohën kur po qarkullon ideja për mundësinë e një votimi parlamentar mbi marrëveshjen përfundimtare për Brexit.
Planet janë tashmë duke u hartuar nga kundërshtarët e May-t që të përpiqen të detyrojnë qeverinë për një referendum të ri ose zgjedhje./abcnews.al

te-denuarit.jpg
ent ela18:25 | 07/08/2018

6 persona janë shpallur fajtorë pasi tentuan që të trafikonin emigrantë shqiptarë nëpër anije të tejmbushura nëpërmes Kanalit Britanik.

Aktiviteti kriminal i bandës, që kishte si baze kryesisht Dymchurch në Kent, u zbulua pas një sërë gabimesh.

Policia ndërhyri ndaj bandës kur këta të fundit nisën të përdornin motorë uji (jet ski) tre vendëshe.

Të dënuarit, sipas asaj që shkruan BBC, janë dy britanikë babë e bir, Leonard dhe Alfie Powell, Wayne Bath Albert Letchfor, si dhe dy shqiptarët, Sabah Dulaj, 39 vjeç dhe Artur Nutaj, 23 vjeç.

Djali tjetër i Leonard Powell, George, pranoi fajësinë për rolin e tij në këtë organizatë kriminale më 15 Maj.

Dy të tjerë, Alan Viles dhe Francis Wade u shpallën të pafajshëm.

Në gjyqin që zgjati 9 javë u zbulua sesi se një anije e lidhur me bandën u desh që të shpëtohej pasi po mbytej. Varka mund të mbante deri në 6 persona, por në të kishte 20, përfshirë 18 emigrantë shqiptarë.

Autoriteteve britanike iu desh që të shpëtonin një tjetër anije, e cila po udhëtonte në drejtim të gabuar dhe i kishte mbaruar karburanti.

Nëse banda nuk do të ishte ndaluar në operacionin e drejtuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), ata do të kishin qenë të parët që do tentonin për t’i kaluar emigrantët nëpërmjet një prej rrugëve më të përdorura në botë, me anë të motorëve të ujit.

Hetuesit shprehën mbi të gjitha shqetësim për rrezikun që vjen nga njerëz të tillë, pa dijen e duhur mbi lundrimin.

“Kemi njerëz pa asnjë lloj eksperience detare që kontrollojnë anijet, nuk kanë asnjë lloj eksperience në lundrim, kanë kryer një kurs bazik 1-2 ditor dhe përpiqen të kalojnë në një kanal tejet të ngarkuar me anije gjatë natës në varka të vogla, pa përdorur drita apo radarë“, tha hetuesi Mark McCormack.

Në gjykatë u zbulua gjithashtu se emigrantët, meshkuj, femra e fëmijë, paguanin mbi 6 paund secili për rrugën nga Calais nëpërmjet Kanalit.

Banda në fjalë besohet se ka arritur që të kryejë të paktën një udhëtim me sukses, pasi më 11 Maj të 2016-s, autoritetet britanike gjetën një gomone të braktisur në një plazh në Dymchurch, me xhaketa shpëtimi për fëmijë në të.

Dy javë më vonë, policia franceze dalloi disa njerëz që sinjalizonin një varkë në ujërat e plazhit Cran d’Escalles pranë Calais.

“Normalisht nuk kishin ardhur për të bërë plazh“, tha prokurori Timothy Probert-Wood.

Dy ditë më vonë, banda u përpoq sërish, por këtë herë ata po survejoheshin nga agjentët e NCA.

Kishin marrë 18 emigrantë nga Franca, përfshirë 2 fëmijë të moshës 16 dhe 17 vjeç, si dhe një grua. Për fatin e tyre të keq u mbaroi karburanti duke i detyruar emigrantët që të braktisnin anijen, e cila u mbush me ujë.

Ata u shpëtuan nga një helikopter i rojes bregdetare.

Dy trafikantët që ndodheshin në anije, Mark Stribling 35-vjeç dhe Robert Stilwell, 33, u dënuan me burg në Korrik të 2016-s.

Megjithatë, banda e vijoi aktivitetin e saj, këtë herë duke blerë një anije më të madhe, në të cilën NCA kishte vendosur një përgjues për të dëgjuar planet për rrugën e ardhshme me emigrantë.

Pas tentativës së dështuar më 25 Korrik, për shkak të detit të trazuar, NCA regjistroi fshehurazi një takim të bandës ku blenë një motor uji.

Ata u arrestuan përpara se mjeti të mund të përdorej.

Të gjithë të pandehurit i kanë mohuar akuzat për ndihmesë të emigracionit të paligjshëm.

Dy shqiptarët Dulaj dhe Nutaj pretenduan se ishin “agjentë udhëtimi”, të cilët gjenin njerëz që dëshironin të shkonin drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Dënimi për 6 të pandehurit do të jepet më datë 21 Shtator.//tvklan.al

deputet.jpg
G. P.11:03 | 19/07/2018

Zyra britanike e Emigracionit ka pranuar të pezullojë deportimin e një gruaje shqiptare dhe vajzës së saj disa ditë pasi tre depuetetë të parlamentit e apeluan vendimin në qeveri.

Sipas BBC-së, shqiptarja ishte një studente drejtësie kur shkoi në Itali, ku thotë se u drogua dhe u shit për prostitucion. Ajo arriti të arratisej për në Angli ku kërkoi dhe azil, por që iu refuzua. Tani shqiptarja, identiteti i të cilës nuk bëhet publik për arsye sigurie, jeton në Norfolk.

Tre deputetët e parlamentit në Norfolk, George Freeman, Richard Bacon dhe Clive Lewis ishin ata që e ngritën çështjen në Zyrën e Emigracionit. Sipas tyre, gruaja frikësohej se mund të vritej për çështje nderi nëse kthehej në atdhe me fëmijën dy-vjeçare.

Pasi u takua me anëtarët e parlamentit, Ministrja për Çështjet e Emigracionit në Britani, Caroline Nokes, pranoi që të pezullonte deportimin. Ata vendosën që shqiptarja të riaplikojë sërish dhe aplikimi i saj do të rishikohet në nivelet më të larta.

Deputeti Lewis tha javën e kaluar për BBC-në se të gjithë janë të shqetësuar për shqiptaren dhe se është shumë e rëndësishme që të pranohet aplikimi i saj për azil. Ndërkohë deputeti tjetër Richard Bacon u shpreh se ajo mund të vritet në Shqipëri.

“Për momentin ajo po qëndron në shtëpinë e terapistes së saj në Norfolk-un e jugut në mënyrë që të mos dëmtojë veten. Nëse deportohet në Shqipëri, mund  të jetë viktimë e një vrasjeje nderi”, tha ai./abcnews.al

Trump-Britain-640x480.png
ent ela18:05 | 13/07/2018

Donald Trump është shfaqur me dy fytyra gjatë vizitës në Britani. Në një intervistë ai ka kritikuar kryeministren Theresa May, ndërsa në konferencën e përbashkët për shtyp e ka vlerësuar maksimalisht atë. Ndërkohë, në Londër është ngritur në qiell balona “Baby Trump”, në shenjë proteste ndaj pranisë së tij.

Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe janë në nivelin më të lartë historik. Me këto fjalë është shfaqur presidenti Donald Trump, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministren Theresa May, pak orë pasi në një intervistë kishte kritikuar planin e saj për daljen nga BE-ja. Por kur është gjendur përkrah saj, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka folur ndryshe. “Brexit përbën një mundësi të jashtëzakonshme për Britaninë dhe çfarëdo që ajo të bëjë pasi të ketë lënë BE-në ne do të jemi dakord”, ka thënë Trump. Ai ka vlerësuar më tej se, marrëdhëniet mes dy vendeve janë të domosdoshme për kauzën e lirisë, drejtësisë dhe paqes. Sa i takon intervistës së dhënë për “The Sun”, presidenti amerikan ka theksuar se në tërësi ajo ishte një intervistë pozitive, por gazeta nuk i pasqyroi komentet pozitive të tij për zonjën May “dhe rrjedhimisht u kthye në një fake neës”. “Kjo grua e jashtëzakonshme që ndodhet pranë meje po bën një punë fantastike”, ka vijuar më tej Trump, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara mezi presin të finalizojnë një marrëveshje tregtare dypalëshe të përmasave të mëdha me Britaninë. Ai ka shtuar se nuk i ka dhënë asnjë këshillë kryeministres May për BE-në, por vetëm një sugjerim, të cilin sipas tij ajo e ka cilësuar “shumë brutal”. Nga ana e saj May ka pohuar se Shtetet e Bashkuara janë të prirura për të bashkëpunuar me Britaninë dhe ka konfirmuar nënshkrimin së shpejti të marrëveshjes tregtare. Ajo ka shtuar se plani i qeverisë së saj për Brexit bazohet në rezultatin e referendumit të dy viteve më parë. Ndërkohë, në qendër të Londrës mijëra qytetarë janë mbledhur për të protestuar kundër vizitës së presidentit amerikan. Sikurse ishte paralajmëruar, balona e madhe që e portretizon atë si një fëmijë të sapolindur është ngritur në qiell nga sheshi i Parlamentit. Manifestuesit kanë vërshëllyer dhe kanë bërtitur parulla kundër Trump, si dhe kanë mbajtur në duar ibrikë dhe filxhanë, që janë kthyer në simbolin e protestës. /abcnews.al

theresa-may-dithering-pmqs.jpg
G. P.14:45 | 12/07/2018

Nuk do të lejohet më që europianët të shkojnë të kërkojnë punë në Mbretërinë e Bashkuar. Deklaratën e ka bërë vetë kryeministrja britanike May me anë të një postimi në profiling e saj në Facebook.

Nuk do u lejohet më personave që vijnë nga Europa që të kërkojnë punë në Mbretërinë e Bashkuar. Është ky postimi më i fundit i kryeministres britanike, Theresa May në faqen e saj të Facebook.

Më tej, ajo shton se do të mirëpriten të gjithë profesionistët e kualifikuar që ndihmojnë zhvillimin e ekonomisë britanike, si doktorë e infermierë, inxhinierë dhe sipërmarrës, por për herë të parë prej dekadash tashmë do të ketë një kontroll të plotë të kufijve britanikë.

Më tej, kryeminsitrja May shton se plani i qeverisë britanike për Brexit, i përpunuar javën e kaluar nënkupton fundin e lëvizjes së lirë, firmosje e marrëveshjeve tregtare britanike, dhe nxjerrja jashtë e Mbretërisë së Bashkuar nga juridiksioni i gjykatës europiane.

Mej thekson dhe njëherë së Brexit do të realizohet i plotë dhe se nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimi i saj i të mërkurës në Bruksel./abcnews.al

BRITANI-PERVJETORI-1280x720.jpg
ent ela19:57 | 10/07/2018

Britania e Madhe ka festuar 100-vjetorin e krijimit të Forcave Ajrore Mbretërore, me një seri paradash tokësore e ajrore, që ekspozuan teknologjinë e fundit luftarake. Mbretëresha Elizabeta e Dytë ka vlerësuar rolin e forcave ajrore në ruajtjen e sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Disa mijëra njerëz u mblodhën të martën jashtë pallatit Bakingam në Londër, për të ndjekur eventin që shënoi 100-vjetorin e krijimit të Forcave Ajrore Mbretërore. Anëtarët e njësisë ushtarake elitë parakaluan në rrugët e Londrës, ndërsa rreth 100 avionë fluturuan në qiellin e kryeqytetit britanik. E rrethuar nga anëtarët e familjes mbretërore, mbretëresha Elizabeta e Dytë nderoi ditën e përvjetorit të rëndësishëm me praninë e saj në UESTMINSTER ABEJ. I pranishëm, princi Ëilliam mbante veshur uniformën numër 1 të FAM dhe spaletat ushtarake që tregojnë se ai është një pilot i kualifikuar. Gjatë ceremonisë fluturuan 3 avionë luftarakë të pakapshëm nga radarët “F-35”, duke u shfaqur për herë të parë për qytetarët, ndërsa 22 “Tajfunë” formuan në ajër shifrën 100. “Forcat ajrore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në mbrojtjen e Britanisë në këto 100 vjet. Guximi, aftësia dhe trimëria janë tre elementët që i karakterizojnë”, tha mbretëresha në mesazhin e saj. Sipas policisë metropolitane të Londrës, nga 65 deri në 70 mijë persona ndoqën eventin, që mbajti për disa orë të bllokuara rrugët e qytetit. Të pranishëm ishin veteranë dhe oficerë të lartë të forcave ajrore, si dhe politikanë të shumtë, mes të cilëve kryeministrja Theresa May dhe lideri i opozitës Jeremy Corbyn. Më 1 prillin e vitit 1918, trupat ajrore mbretërore dhe shërbimi ajror i marinës britanike bashkuan forcat duke krijuar Forcat Ajrore Mbretërore, njësia e parë luftarake e pavarur në botë. /abcnews.al

 

TRUMP-BRITANIA-1280x720.jpg
ent ela19:08 | 10/07/2018

Në prag të vizitave zyrtare në Londër dhe Bruksel, Donald Trump nuk i ka kursyer kritikat ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe NATO-s. Në një prononcim për mediat, Trump ka thënë se si Britania ashtu edhe Aleanca ushtarake ndodhen në një katrahurë.

Mbretëria e Bashkuar është e trazuar dhe u takon njerëzve të vendosin nëse Thersa May duhet të vazhdojë të jetë kryeministre, apo duhet të largohet. Ka qenë ky komenti që presidenti Donald Trump ka bërë për mediat, në prag të vizitës së tij në Londër. Përpara se të largohej nga Uashingtoni në bordin e “Air Force One”, Trump tha se Britania e Madhe aktualisht po kalon një turbulencë.

Trump do të mbërrijë në Londër ditën e enjte, pasi të ketë marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet në Belgjikë. “Do të jetë një vizitë interesante ajo në Britani dhe po ashtu ajo në Bruksel për samitin e NATO-s. Pra, në njërën anë është NATO dhe në anën tjetër Britania. Një katrahurë e vërtetë”, tha Trump.

Presidenti amerikan, që disa herë u ka bërë thirrje vendeve anëtare të Aleancës të rrisin shpenzimet ushtarake, bëri shaka në lidhje me takimin me homologun rus Vladimir Putin, që do të mbahet të hënën e ardhshme në Helsinki.

“Mbase do të jetë takimi më i lehtë”, tha ai. I pyetur me insistim nga mediat në lidhje me të ardhmen e zonjës May, Trump tha se ajo është një çështje e brendshme e Mbretërisë së Bashkuar.

“Unë merrem vesh mirë me të, kam marrëdhënie të mira. Por kjo varet nga qytetarët, jo nga unë”, tha Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë shtoi gjithashtu se ka simpati për Boris Johnson, që ditën e hënë dha dorëheqjen nga posti i ministrit të Jashtëm. /abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore.


Kontakt

Telefono