brexit

BRITANI-PARLAMENTI.mpg_snapshot_00.00-1280x720.jpg
nev ila10:52 | 22/10/2019

Nuk do të ketë një votim të dytë në parlamentin britanik për marrëveshjen për Brexit të arritur mes Londrës dhe Brukselit. Pas vendimit të kryetarit të parlamentit, kryeministri Xhonson e akuzoi atë se po mohonte vullnetin e popullit

Kryetari i parlamentit britanik Xhon Berkou refuzoi mocionin e qeverisë së kryeministrit Boris Xhonson për një votim të dytë të marrëveshjes së arritur për Brexit ne Bashkimin europian. Kryeministri britanik u shpreh i zhgënjyer nga vendimi duke akuzuar Berkou se po mohonte vullnetin e popullit.

Berkou nga ana e tij deklaroi se mocioni nuk mund të prezantohet në mënyrë identike nga Xhonson pas votimit të 19 tetorit për amendamentet e ish deputetit Letuin. Kryetari i parlamentit e cilësoi mundësinë e votimit të dytë si përsëritës dhe të parregullt. Më pas ai shtoi se shpresonte që vendimi dhe shpjegimi i tij të ishin të mjaftueshëm.

Konservatorët e cilësuan Berkou si ithtarin e kësaj ideje dhe kërkuan një komision për të diskutuar rolin e kryetarit të parlamentit. Berkou kundërshtoi akuzat duke thënë se interpretimi i rregullores nga ana e tij, në të kaluarën i kishte krijuar shumë hapësira dhe atyre që mbështesin Brexit.

Në këtë pikë qeveria britanike është në garë me kohën për të miratuar Brenda kësaj jave ligjet për daljen nga Bashkimi Europian dhe të riprezantojnë menjëherë marrëveshjen në një kontekst të ri. Alternativat janë dy: shtyrje e afatit ose dalja pa marrëveshje.

Ndërkohë grupi drejtues për Brexit, në Bruksel, është mbledhur për të diskutuar zhvillimet e fundit./abcnews.al

brexit-1.jpg
G. P.18:23 | 21/10/2019

Boris Johnson ka dështuar në përpjekjen e tij për të sjellë marrëveshjen e tij të re për Brexit në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, për një votim të drejtpërdrejtë me “po ose jo”. Vendimi u mor nga kreu i parlamentit.

Kryetari i Dhomës së Komunëve John Bercow kundërshtoi lëvizjen e kryeministrit Boris Johnson me arsyetimin se çështja u shqyrtua në seancën emergjente të së shtunës. “Është e qartë se lëvizjet janë në thelb të njëjta,” tha ai. Bercow shtoi se do të ishte “përsëritëse dhe e çrregullt” që të lejohej debat sot për të njëjtin mocion.

Zoti Johnson dështoi në përpjekjen e tij për të sjellë marrëveshjen e tij të re për Brexit në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar për një votim të drejtpërdrejtë të hënën me “po ose jo”.

Të shtunën ligjvënësit votuan për të shtyrë miratimin për marrëveshjen derisa të miratohet legjislacioni shoqërues, për të parandaluar një largim pa marrëveshje në rast se ligjet nuk miratohen me kohë. Kryeministri arriti një marrëveshje të rishikuar të divorcit me BE javën e kaluar përpara datës së planifikuar të largimit të Mbretërisë së Bashkuar më 31 Tetor.

Marrëveshja duhet të miratohet nga parlamentet e Britanisë së Madhe dhe ato te vendeve BE-së në mënyrë që të hyjë në fuqi.

Më parë, një zëdhënës për kryeministrin tha se qeveria do të ndalonte një votim mbi marrëveshjen nëse ligjvënësit përpiqeshin të bënin ndryshime në të. Laburistët në opozitë dëshirojnë që marrëveshja të ndryshohet për ta bërë Mbretërinë e Bashkuar më të afërt me BE-në sesa është parashikuar, dhe për ta nxjerrë atë në një referendum të dytë.

Kritikët e qeverisë e akuzojnë atë për përpjekjen për të arritur marrëveshjen pa lejuar kohë të mjaftueshme për deputetët që ta shqyrtojnë atë në detaje. Qeveria britanike ka thënë se projekt-ligji i saj për Brexit, për të zbatuar marrëveshjen e re të negociuar me BE, do të publikohej të hënën./ABC News Albania

marrshimi-brexit-1280x724.jpg
nev ila16:45 | 19/10/2019

Populli anti Brexit është rikthyer në sheshet e Londrës, ku me mijëra persona kanë marshuar në zemër të kryeqytetit britanik ku është manifestimi i tretë masiv muajt e fundit, me anë të së cilit kërkohet mbajtja e një referendum të dytë për Brexit.

Njerëzit u mblodhën në Park Lejn për t’u drejtuar më pas para sheshit të parlamentit, ku deputetët po debatojnë reth marrëveshjes së arritur mes Londrës dhe Brukselit për të kompletuar daljen e vendit nga Bashkimi europian, në 31 tetor.

Mes manifestuesve ka qenë dhe kryebashkiaku i Londrës Sadik Kan me pretendimin se të gjithë duhet të kenë të drejtën të thonë fjalën e fundit. Mes parullave të shumta ishte dhe ajo ku kërkohej bllokimi i Brexit./abcnews.al

 

brexit-1280x720.jpg
nev ila16:13 | 19/10/2019

Ashtu si ishte parashikuar votimi për marrëveshjen e arritur mes Londrës dhe Brukselit për Brexit është shtyrë. Në një seancë të jashtëzakonshme parlamentare, deputetët britanikë miratuan dy amendamentet që i ishin bërë marrëveshjes.

Kryeministri britanik këmbëngul se nuk do të negociojë një marrëveshje të re për daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi europa. Deklarata e tij vjen pasi parlamenti britanik në një seancë të jashtëzakonshme vendosi të shtyjë votimin për marrëveshjen e arritur për Brexit mes Londrës dhe Brukselit: duke miratuar nga ana tjetër dy amendamentet që i ishin bërë.

Kjo është hera e parë që nga viti 1982, që parlamenti britanik mblidhet të shtunën. Debatet e para kishin të bënim me amendamentet e prezantuara një ditë më parë nga ish deputeti konservator Oliver Letuin. Kjo pasi parlamenti duhet të miratojë legjislaturën e duhur për implementimin. Një shtyrje vote që detyron kryeministrin Xhonson që të negociojë një shtyrje të re për Brexitme Bashkimin Europian.

Amendamentet e Letuin i japin zë mosbesimit dhe dyshimeve të një pjese të madhe të deputetëve. Frika është se në rast të një marrëveshjeje, krahu më i ashpër i konservatorëve pro Brexit, të fundosë miratimin e impiantit legjislativ të domosdoshëm Brenda pak ditëve që ndajnë vendin nga 31 tetori; kjo për të shkaktuar një dalje pa marrëveshje

Në fjalën e tij të hapjes në parlament, Xhonson  u shpreh se një shtyrje do të ishte e pamenduar, e kushtueshme dhe do të dëmtonte besimin publik.

Kryeministri theksoi se një shtyrje tjetër pas tri vitesh e gjysëm nuk do të kishte kuptim në momentin që në tryezë ndodhet një marrëveshje e madhe që mund të miratohet.

Lideri laburist Xheremi Korbin theksoi se nuk do të votonte pro marrëveshjes pasi nuk ka besim tek qeveria aktuale, sipas tij marrëveshja e arritur nga Xhonson do të ishte e dëmshme për ekonominë e vendit, për të drejtat e punëtorëve dhe ambientin.

Marrëveshjes i duheshin të paktën 320 vota që të miratohej.

Ndërkohë populli anti Brexit ka mbushur për herë të tretë Brenda pak muajsh rrugët e Londrës duke kërkuar mbajtjen e një referendum të dytë për daljen e vendit nga Bashkimi Europian. sipas organizatorëve të manifestimit pjesëmarrësit ishin rreth një milion./abcnews.al

brexit.jpg
G. P.16:59 | 17/10/2019

Pas lajmit për arritjen e marrëveshjes mes Londrës dhe Brukselit për Brexit, në media qarkullojnë detajet e tekstit. Ndërkohë që unionistët e Irlandës së veriut deklarojnë se nuk do ta mbështesin kur të vijë radha e votimit në parlamentin britanik.

Sipas të dhënave të publikuara nga mediat, në marrëveshjen e arritur për Brexit mes Londrës dhe Brukselit, parashikohet se formalisht Irlanda e Veriut nuk do të jetë në unionin doganor me Mbretërinë e Bashkuar, por faktikisht për të paktën dhjetë vjet do të jetë pjesë e tregut të përbashkët europian.

Nuk do të ketë një kufi të ashpër mes dy Irlandave!

Irlanda e veriut do të zbatojë disa rregulla tregtare europiane, ndërsa autoritetet britanike do të vëzhgojnë rregullat doganore që do të aplikohen. Irlanda e veriut do të qëndrojë në unionin doganor britanik por do të jetë një pikë hyrëse në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian. Autoritetet britanike mund të aplikojnë tarifa nëse nuk do të hyjnë më në tregun e përbashkët.

Çdo katër vjet përfaqësuesit e Irlandës së veriut mund të vendosin me mazhorancë të thjeshtë nëse do të vazhdojnë të aplikojnë rregullat europiane ose jo.

Por partia unioniste e Irlandës së Veriut, bëri të qartë me anë të një deklarate për mediat se nuk do të mbështesë këtë marrëveshje. Dyshimet kanë të bëjnë me regjimin doganor dhe me mungesën e qartësisë për taksat.

Unionistët mendojnë se kjo marrëveshja është vetëm hapi i parë i braktisjes progressive nga ana e Londrës. Një zyrtar i Bashkimit Europian bëri të qarë se gjatë Këshillit Europian nuk do të ketë negociata të tjera për Brexit.

Pa mbështetjen e deputetëve të Irlandës së Veriut është shumë e vështirë që kjo marrëveshje të miratohet në parlamentin britanik.

Dhe lideri i opozitës Corbin shprehu qartë kundërshtimin e tij për marrëveshjen duke thënë se Johnson kishte negociuar një marrëveshje dhe më të keqe se ajo e paraardhëses së tij May.

Duke shtuar se marrëveshja duhej refuzuar pasi është një shitje e vendit, Korbin theksoi se mënyra më e mirë për të zgjidhur çështjen e Brexit ishte dhënia e një mundësie të re që britanikët të shprehin vullnetin me votë./ABC News Albania

brexit-2.jpg
G. P.12:15 | 17/10/2019

Arrihet marrëveshja mes Brukselit dhe Londrës për sa i përket daljes së Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Europian. Kryeministri britanik Boris Xhonson u shpreh i emocionuar teksa theksoi se ishte arritur një marrëveshje e madhe dhe e re Brexit. Ndërsa Juncker, me anë të një mesazhi në Tëitter shkruan se aty ku ka vullnet ka dhe marrëveshje.

Mbretëria e bashkuar dhe Bashkimi Europian kanë arritur një marrëveshje për Brexit. Lajmi u konfirmua nga kryeministri britanik Boris Johnson dhe presidenti në largim i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker.

Kreu negociator i Bashkimit Europian për Brexit, Michel Barnier, dha lajmin gjatë një konference për shtyp para Këshillit Europian, jo pa shtuar se durimi është cilësia e të fortëve. Ai theksoi se marrëveshja nuk garanton se Brexit do të ndodhë në 31 Tetor pasi i takon Johnson që të punojë për të marrë miratimin e Mbretërisë së Bashkuar.

Në fakt marrëveshja tashmë duhet të marrë dritën e gjelbër nga liderët e Bashkimit Europian dhe të kalojë nëpër procesin e ratifikimit në parlamentin britanik në fundjavë ku teksti i mëparshëm i arritur mes Londrës dhe Brukselit është refuzuar tre herë.

Nëse Londra do të japë dritën jeshile, vula përfundimtare do të jetë ajo e ambasadorëve të Bashkimit Europian të dielën dhe nga parlamenti europian gjatë seancës plenare javën e ardhshme në Strasburg.

Burime parlamentare thanë agjencinë e lajmeve EFE se parlamenti europian mund të votojë për këtë marrëveshje të mërkurën e ardhshme pas rishikimit që do të bëhet nga komisioni për çështje kushtetuese.

Gjithsesi Parlamenti Europian nuk do të vazhdojë me votimin nëse Dhoma e Përbashkët nuk do e ratifikojë gjatë seancës së jashtëzakonshme plenare të 19 tetorit. Një pikë e përbashkët mes palëve është se nuk do të ketë një shtyrje tjetër për sa i përket Brexit.

/ABC News Albania 

image.jpg
G. P.11:24 | 17/10/2019

Edhe nëse arrihet një marrëveshje mes qeverisë britanike të kryeministrit Johnson dhe komisionit të Bashkimit Europian, marrëveshja vështirë se do të ratifikohet nga parlamenti britanik. Kjo për arsyen se partia nacionaliste e Irlandës së Veriut bëri të qartë se nuk do të mbështeste asnjë marrëveshje.

Liderja e partisë unioniste demokrate, të nacionalistëve të Irlandës së Veriut, Arlen Foster, dhe zëvendësi i saj Najgel Dods, bënë të ditur se nuk do të mbështesin marrëveshjen për Brexit mbi të cilën po punojnë qeveria e kryeministrit britanik Boris Johnson dhe Komisioni i BE-së. Pa mbështetjen e kësaj partie është e vështirë që parlamenti britanik të ratifikojë çfarëdo marrëveshje.

Me anë të një mesazhi të përbashkët në Twitter ata shkruajnë se në situatën aktuale nuk mund të mbështesin atë që sugjerohet për sa i përket çështjeve doganore. Më tej shtohet se do të vazhdojë puna me qeverinë në përpjekje për të arritur një marrëveshje të arsyeshme e cila funksionon për Irlandën e veriut si dhe mbron integritetin ekonomik dhe kushtetues të Mbretërisë së Bashkuar.

Kancelarja gjermane Merkel nga ana e saj u shpreh se ende nuk janë pranë një marrëveshjeje. Ajo iu referua negociatave për Brexit, gjatë fjalës në parlamentin gjerman. Merkel theksoi se kohët e fundit kishte pasur lëvizje përpara, por marrëveshja është ende larg./ABC News Albania

brexit-1.jpg
G. P.12:07 | 16/10/2019

Një zgjidhje e mundshme e ngërçit irlandez mund të jetë dhe pengesa e fundit për arritjen e marrëveshjes mes Londrës dhe Brukselit për Brexit. Mediat britanike raportojnë se marrëveshja në fakt është arritur dhe se teksti i saj do të publikohet gjatë ditës së sotme.

Bashkimi Europian dhe Mbretëria e Bashkuar janë një hap larg arritjes së marrëveshjes për Brexit. Sipas britanikes “Guardian”, teksti i marrëveshjes mund të bëhet publik gjatë ditës së sotme.

Kryeministri Boris Johnson ka pranuar të bëjë lëshime për të zgjidhur ngërçin irlandez, duke njohur disa mënyra të kontrollit doganor mes Irlandës së Veriut dhe Mbretërisë së Bashkuar por duke marrë në shkëmbim sigurinë se Londra dhe Belfast do të dalin nga Bashkimi Europian duke qëndruar nga ana tjetër si një territor i vetëm doganor.

Ekipet negociatore kanë rënë fillimisht dakord për faktin se do të ketë një kufi doganor në detin e Irlandës, gjë që nuk ishte pranuar nga Theresa May, e cila e kishte konsideruar si një marrëveshje që asnjë kryeministër britanik nuk do e pranonte dot.

Një burim diplomatik konfirmoi se Irlanda e Veriut do të jetë “de jure” në territorin doganor të Mbretërisë së Bashkuar por “de facto” në Bashkimin Europian. Në këtë mënyrë Johnson mund ende të pretendojë se ka nxjerrë të gjithë Britaninë e Madhe nga Bashkimi Europian.

Gjithsesi, nëse marrëveshja do të arrihet, Johnson do t’i duhet ende të marrë miratimin e parlamentit, ku ndodhet partia demokratike unionist e Irlandës së Veriut, konservatorët pro Brexit dhe grupi europian i kërkimit./ABC News Albania

brexit-1280x720.jpg
G. P.19:01 | 15/10/2019

Mjafton të kalohet një shteg i ngushtë që palët të arrijnë një marrëveshje. Kështu ka deklaruar kryenegociatori europian për Breksit, Michel Barnier, i cili ka theksuar se çështja mund të zgjidhet përpara samitit të liderëve të BE-së që mbahet më vonë gjatë javës.

Ka një shans sado të vogël që marrëveshja e Brexit të arrihet brenda javës, por duhet që dy palët të bien dakord mbi detajet sa më parë. Kështu ka deklaruar kryenegociatori i BE-së, Mishel Barnier, i cili ka theksuar se është koha që pala britanike t’i hedhë propozimet e saj në letër nëse kërkon që vendet e bllokut europian t’i mbështesin ato.

Ndërkohë, teksa bisedimet mes Londrës dhe Brukselit po intensifikohen, kryeministri Boris Johnson ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Francës, Emanuel Macron. Sipas BBC, dy liderët ranë dakord se ekziston një moment pozitiv, por ka ende shumë pengesa që duhen tejkaluar.

Kreu i qeverisë britanike ka përsëritur disa herë se Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Unioni brenda datës së paracaktuar, por ai detyrohet me ligj që të kërkojë një shtyrje nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda së shtunës së ardhshme.

Pasi informoi ministrat e BE-së lidhur me zhvillimet e fundit, negociatori Barnier nënvizoi se pret që Britania e Madhe të ndajë me Brukselin propozimet e saj në rrugë ligjore së shpejti. Në këtë mënyrë, liderët europianë do të kenë kohë të mjaftueshme për t’i shqyrtuar ato përpara samititi dyditor të tyre, që nis ditën e enjte.

Barnier theksoi se, ekziston një “shteg i ngushtë” për t’u shkelur e që kalon mes objektivave të BE-së për të mbrojtur tregun e përbashkët dhe qëllimit të kryeministrit Johnson për të mbajtur Irlandën e Veriut në territorin doganor të Mbretërisë së Bashkuar./ABC News Albania

mbreteresha-elisabet-1280x826.jpg
nev ila15:51 | 14/10/2019

Britania e Madhe do të dalë nga Bashkimi Europian në 31 tetorin e ardhshëm. Vendimi i qeverisë Johnson është ritheksuar dhe njëherë nga Mbretëresha Elizabet gjatë fjalës së saj në parlamentin britanik.

Brexit, është mbretëresha Elizabetë ajo që ka lexuar programin e qeverisë, në parlamentin britanik, për kohën e daljes së Britanisë së madhe nga Bashkimi eruropian. Ndër të tjera ajo u shpreh se qeveria dëshiron daljen nga BE në 31 tetor të këtij viti. Qeveria britanike e Boris Johnson, në këtë mënyrë rithekson fort vendimin që Brexit të hyjë në fuqi në 31 tetor.

Ndërkohë një pikë tjetër e rëndësishme e programit të qeverisë britanike është ajo e një marrëveshjeje të re bashkëpunimi me Brukselin, por dhe për ndalimin e lëvizjes së lirë.

Mes ligjeve të programit të muajve të ardhshëm, konfirmohet gjithashtu dhe objektivi për hyrjen në fuqi që nga 2021, të lejimit të hyrjes së emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar, duke u bazuar tek aftësitë e tyre./abcnews.al


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono