brazil

brasil123.jpg
G. P.13:59 | 30/07/2019

57 të vrarë është bilanci i revoltës së shpërthyer në një burg në Brazil, në shtetin e Para. Autoritetet bënë të ditur se trazirat nisën kur një grup të burgosurish arritën të hyjnë në një zonë tjetër ku mbaheshin anëtarë të një bande rivale.

Të paktën 16 nga viktimave iu është prerë koka. Ndërsa shumë të  tjerë mbetën të vrarë si pasojë e zjarrit të shpërthyer gjatë trazirave ku u morën pengë dhe dy agjentë policie, të cilët më pas u lanë të lirë./ABC News Albania 24/7

maxresdefault-2-1-1280x720.jpg
ent ela18:55 | 29/07/2019

Të paktën 52 vetë janë vrarë gjatë një trazire që ka ndodhur në burgun Altamira në Brazil. Sipas raportimeve të mediave lokale viktimat janë shkakatuar si pasojë e një beteje midis rivalëve brenda ambienteve të burgut. Dhuna nisi rreth orës 07:00 të orës lokale (10:00 GMT) dhe përfundoi rreth mesditës, thanë zyrtarët të cilët nuk kanë dhënë më shumë detaje mbi bandat kundërshtare.

Dhuna në burgjet e Brazilit nuk është e pazakontë. Vendi ka popullsinë e tretë më të madhe në botë prej rreth 700,000 banorësh, dhe mbipopullimi është një problem i përhapur.

Në maj, 40 vetë u vranë në të njëjtën ditë në katër burgje të ndryshme në Manaus në shtetin Amazonas.

/abcnews.al

 

brasil.jpg
G. P.12:06 | 03/07/2019

Brazili mundi Argjentinën dhe u kualifikua në finalen e Kupës së Amerikës, por pati shumë polemika pas ndeshjes. Lionel Mesi akuzoi gjyqtarin se vendosi fatin e ndeshjes.

Futbolli dihet, fitohet nga ata që shënojnë golat, jo nga ata që godasin shtyllat. Ishte Brazili që realizoi dy rrjeta, ndaj dy shtyllave të goditura nga Argjentina, duke kaluar rivalin e përjetshëm e duke mbajtur gjallë shpresën për trofe në Kupën e Amerikës.

Përfundoi 2-0 gjysmëfinalja në stadiumin e Belo Horizontes, me tifozët vendas që u lumturuan për finalen e arritur, dhe me Lionel Mesin që regjistroi një tjetër dështim me kombëtaren.

Ashtu siç parashikohej, brazilianët ishin pak më lart, duke pasur autorë golash Gabriel Jesus-in dhe Roberto Firminon, pra sulmuesit që luajnë në Angli me Manchester City dhe Liverpool.

Aguero e Mesi iu afruan golit për Argjentinën, por u ndalën pikërisht nga trarët e portës së Alisonit.

“Ishte një fitore shumë e vështirë, – deklaroi trajneri i brazilianëve, Tite, – shënuam gol, dhe vuajtëm presionin e Argjentinës, duke qenë efikasë dhe vendimtarë. Mesi është një alien dhe jam i lumtur që arritëm të mbulonim një lojtar të tillë, që meriton gjithë adhurimin që kanë tifozët për të. U desh të ndryshonim strukturën e ekipit për t’ia dalë”.

Vetë Mesi ishte i tërbuar me gjyqtarin, duke pretenduar penallti, pas episodeve që ndodhën në zonën e rreptësisë së Brazilit, me Agueron dhe Otamendin.

“Ishte arbitri që na nxorri nga loja me vendimet e tij të çmendura, – u shpreh lojtari më i mirë i botës, – meritonim ta fitonim ndeshjen, por nuk na lejuan. Përse gjyqtari nuk u këshillua me VAR-in për rastet e penalltive? Brazili nuk ishte më I mirë se ne”.

Ndeshja ishte tepër e ashpër, në prani të 56 000 spektatorëve, siç pritej nga duele të tillë të Kupës së Amerikës, ndërsa u morën plot 7 kartonë të verdhë, por jo të kuq.

Pesë lojtarë të paralajmëruar ishin argjentinas: Taliafiko, Akunja, Fojth, Lautaro Martinez, Aguero, ndërsa dy brazilianë. Argjentina luftoi shumë, sidomos në pjesën e dytë, por nuk pati edhe fat.

Ja edhe jehona e gazetave.

Në Brazil, “O Dia”: Brazili hedh tej vëllezërit! Gabriel Zhezus mrekullon dhe udhëheq fitoren e seleksionit brazilian ndaj Argjentinës, 2-0 në Mineirao!

“Estado de Minas”: Lamtumirë vëllezër! Me paraqitjen vendimtare të Gabriel Zhezusit, Brazili mund Argjentinën dhe është në finale! Ja si e përjetoi Mesi humbjen ndaj “Selesaos”!

“Tribuna”: Lamtumirë Mesi! Në mbrëmjen ku mbretëroi Dani Alvesh, Leo nuk mundi të ndihmonte kombëtaren e tij!

Në Argjentinë, “Klarin”: Brazili ndali Argjentinën, me lojë të thjeshtë dhe praktike! Kombëtarja luajti ndeshjen më të mirë, por nuk ia doli. Mesi shkëlqeu dhe Seleksioni pati shanset e tij, por nuk mjaftoi!

“La Gaseta”: Edhe një herë me duart bosh! Duke luajtur në mënyrë dinjitoze dhe pa e merituar humbjen, Seleksioni u eleminua në gjysmëfinale të Kupës! Rezultati 2-0 ishte i ekzagjeruar, por Brazili u tregua praktik! Mesi vazhdon të mos fitojë me kombëtaren!

Mesit, tashmë, do t’i duhet të presë moshën 34-vjeçare për të synuar titullin me kombëtaren, në Botëror./ABC News Albania 24/7

brazli.jpg
G. P.13:59 | 02/07/2019

Brazili dhe Argjentina luajnë sot derbin e madh në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës. Brazilianët nuk kanë bindur, por jepen favoritë për suksesin, pasi luajnë në fushën e tyre.

Presioni është në nivelin më të lartë. Kombëtarja braziliane e ka gjithë mbështetjen e publikut, por kjo nuk ia heq stresin në prag të derbit të madh me Argjentinën. Luhet gjysmëfinalja e Kupës së Amerikës, në stadiumin e Belo Horizontes në orën 2 e 30 të mëngjesit, sipas orës së Shqipërisë, dhe prej “selesaos” kërkohet vetëm fitorja.

Në pritje të një mrekullie në Botërorin e ardhshëm, të paktën duhet fituar ky trofe, aq më shumë sepse luhet në shtëpi, ndërsa suksesi i fundit është I 12 viteve më parë. Trajneri Tite sidomos rrezikon postin nëse nuk ia del.

Ai ka disa shqetësime, pasi në dyshim janë Filipe Luis e Fernandinjo, ndonëse sulmuesi Riçarlison duhet të jetë shëruar. Në sulm pritet treshja, Gabriel Zhezus-Firmino-Kutinjo. “Selesao” nuk është se ka kënaqur plotësisht pas barazimit në grup me Venezuelën, dhe kualifikimin vetëm me penallti ndaj Paraguajit.

“E vërteta është se nuk kam fjetur mirë këto net, – tha trajneri brazilian, – unë nuk jam supermen, por një qenie njerëzore. Gjithsesi, kjo është normale dhe unë ndihem mirë. Luajmë ndaj Argjentinës, një rivaleje të madhe, që ka shumë talente të mbledhur në një skuadër. Ata kanë Mesin, Agueron, por edhe ne kemi Kutinjon, Firminon, Uillianin apo Neresin. Do të jetë një duel i madh, dhe kemi besim se do t’ia dalim”.

Argjentina mbërriti në Belo Horizonte me shpresë. Edhe për të, trysnia ekziston, por më pak se për vendasit, ndonëse nga Lionel Mesi kërkohet të fitohet më në fund një trofe me kombëtaren. Stërvitja e fundit u bë në kompleksin e Kruzeiros, me trajnerin Skaloni që padyshim u përpoq të forconte mbrojtjen, ndërsa për sulmin do të mendojë treshja Mesi-Lautaro Martinez-Aguero.

“Mund t’iu them se Aguero do të jetë titullar”, – tha trajneri, që vazhdoi me shaka se “pjesa tjetër nuk është e konfirmuar, përfshi edhe Mesin”. Më pas, ai komentoi ndeshjen duke theksuar se “Brazili është në moment të mirë, lojtarët kanë kohë që luajnë bashkë, dhe trajneri ka kohë në stol, ky është një avantazh për ta”.

Skaloni pohoi se Brazili është favorit i Kupës së Amerikës, rivali për t’u mundur, por shtoi se kjo nuk do të thoshte se Argjentina nuk do të luante për fitore. Brazili jepet favorit për fitoren në 90 minuta apo edhe për kualifikimin në “Stadio Mineirao”, madje me diferencë, jo më kot e ka fituar Kupën e Amerikës të katër herët kur është zhvilluar në stadiumet braziliane./ABC News Albania 24/7

neymar-1.jpg
G. P.20:46 | 28/06/2019

Gjykata kombëtare në Spanjë ka hapur një çështje për transferimin e Neymar te Barcelona në vitin 2013. Shkak është bërë fshehja reale e vlerës së transferimit të lojtarit madje Barcelona u detyrua të paguajë 5.5 milionë euro gjobë për mashtrime fiskale.

Telashet për brazilianin Neymar tashmë në rikthim të tijin në Barcelonë nuk përfundojnë. Kryesisht bëhet fjalë për problemet me drejtësinë. Së fundmi, Gjykata Kombëtare në Spanjë ka hapur një çështje të dytë për transferimin e Neymar tek Barcelona në vitin 2013, ku të akuzuar janë: Neymar, dy prindërit e tij, Josep Maria Bartomeu (presidenti i Barçës), Sandro Rosell (ish-president i Barçës), klubi i Santos dhe shoqëria e familjes së lojtarit N&N.

Të gjithë këto janë hedhur në gjyq nga kompania “DIS”, që zotëronte 40% të vlerës së kartonit të Neymar kur ishte pjesë e Santos, në Brazil. Neymar u ble për 88 milionë euro nga Barcelona, por në bashkëpunim mes klubit katalanas dhe të gjitha palëve të lartpërmendura u vendos që të deklarohej që shumë e transferimit të ishte 40 milionë dhe jo 88.

Kompania “DIS” merr 16 milionë euro edhe pse i takojnë diku tek 37 milionë euro. Prokuroria ka kërkuar dy vite burg dhe 10 milionë euro gjobë për Neymar, ndërsa 5 milionë euro gjobë për presidentin katalanas Sandro Rossel. Çështja “Neymar 1” u mbyll në gjykatë nga vetë Barcelona që pranoi të paguajë 5.5 milionë euro për mashtrime fiskale.

Tashmë është hapur një e dytë, dhe ndoshta kjo për një interes të caktuar që gjithsesi prodhon lajm.  Milionat e eurove në mes janë objekt i padisë së dytë, teksa tashmë përgatitet edhe operacioni i rikthimit të Brazilianit në “Camp Nou”./ABC News Albania 24/7

BRAZILI-KALON-PARAGUAIN-_ABC-M1-T1.mpg_snapshot_00.02-1280x720.jpg
ent ela13:40 | 28/06/2019

Kombëtarja e Brazilit ka siguruar kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës. Selecao fituan ndaj Paraguajit falë serisë së 11 metërshave.

Brazili kalon në gjysmëfinale të Kupës së Amerikes falë ruletës së 11 metërshave. Të besuarit e trajnerit Tite nuk shkuan më shumë se barazim pa gola ndaj Paraguajit në një përballje që rezultoi më e vështirë nga çfarë u mendua. Selecao zhvilluan një loje mjaft të bukur dhe me raste të shumta shënimi,. por nuk arritën të konkretizonin në gol. Nga ana tjetër Paraguaji u mbrojt mjaft mirë duke i bërë ballë sulmeve të njëpasnjëshme të pesë herë kampionëve të botës. Brazili nuk përfitoi nga superioriteti numerik përballë Paraguajit që luajti për 30 minuta me një lojtar më pak pas daljes me karton të kuq të mbrojtësit Balbuena. Trajneri Tite inkuadroi në pjesën e dytë Alex Sandron Uilliam dhe Pakueta, lëvizje e cila nuk  ndikoi aspak në rezultat. Koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola dhe skuadrat u drejtuan serisë së 11 metërshave. Brazili u tregua më i saktë duke fituar me rezultatin 4-3. Firminjo për vendasit dhe Gustavo së bashku me Gonzales për Paraguajin gabuan në ekzekutimin e penalltive. Brazili hedh një hap të madh në Kupën e Amerikës dhe pret qetësisht fituesin e çiftit Argjentinë-Venezuelë. /ABC News Albania 24/7

brasil.jpg
G. P.13:46 | 19/06/2019

Brazili u vërshëllye nga tifozët pas barazimit me Venezuelën në Kupën e Amerikës. Skuadra vendase pati tre gola të anuluar nga teknologjia VAR.

Nuk ishte një ndeshje e lumtur, dhe krijoi tension e dyshime. Faktori fushë mund t’i kthehet në bumerang Brazilit, nëse nuk do të arrijë të fitojë, dhe kjo i ndodhi në përballjen teorikisht të lehtë ndaj Venezuelës në Kupën e Amerikës.

Edhe pse “Seleçao” luajti në shtëpi, nuk arriti më shumë se një barazim pa gola, ndërsa një rol të rëndësishëm luajti teknologjia VAR. Brazilianëve të trajnerit Tite iu anuluan dy gola për pozicion jashtë loje, dhe një tjetër rrjetë për faull, në një mbrëmje të vështirë në stadiumin e Bahias.

Philipe Coutinho realizoi më kot herën e parë, më pas viktimë e VAR-it u bë Gabriel Jesus, ndërsa goli i tretë i quajtur i pavlefshëm, ishte i Roberto Firminos. Dyshimet janë të mëdha nëse ekipi përfaqësues është tepër i varur nga Neymari, që nuk luan në këtë Kupë për shkak dëmtimi.

Në një vend me njerëz gjaknxehtë si Brazili edhe mediat nuk mund të bënin përjashtim.

“O Globo”: VAR-i i anulon dy gola, por Brazili mbetet me ankthet dhe oshilacionet e tij! Kombëtarja krijon raste për gola, por ende nuk bind!

“Estado de Minas” nuk i kushton shumë vëmendje kombëtares së meshkujve, pas barazimit me Venezuelën, ndërsa foton dhe titullin kryesor ia kushtoi legjendës së Brazilit të femrave, Marta, që u bë shënuesja më e mirë në historinë e Botërorëve, duke kaluar gjermanin Klose.

“O Korreiro Braziliense”: Të shqetësuar në Bahia! Me dy gola të anuluar nga VAR-i kombëtarja braziliane barazon me Venezuelën, pa bindur! Marta vë Botën nën këmbët e saj!

“Tribuna”: VAR-i anulon dy gola, dhe Brazili barazon me Venezuelën! Një futboll burokratik! Vajzat e Brazilit shkëlqejnë, dhe kombëtarja fiton me gol të Martës!

Tifozët e vërshëlluan skuadrën në “Arena Fonte Nova” të Bahias, duke qenë të pakënaqur me lojën dhe me rezultatin, ashtu siç bënë edhe në fitoren 3-0 ndaj Bolivisë në Sao Paulo.

“Nuk kam ankesa për teknologjinë, – u shpreh trajneri Tite, pas ndeshjes, – VAR-i ishte korrekt dhe skuadra duhet të tregohet më e pjekur në situata të tilla. Situata të tilla do të ketë gjithnjë. Po ashtu, nuk mund të kritikoj tifozët. Ata duan gola, ashtu siç dua edhe unë. Duhet të përmirësohemi nëse duam që tifozët të jenë me ne, dhe nëse duam që ta fitojmë këtë kupë në shtëpi”.

Brazili kryeson grupin A me 4 pikë, po aq sa Peruja që fitoi 3-1 ndaj Bolivisë./ABC News Albania 24/7

terri-elektrik.jpg
G. P.22:22 | 16/06/2019

Një defekt masiv elektrik ka lënë tërësisht pa energji shtetet e Argjentinës dhe Uruguait. Sipas mediave ndërkombëtare, që citojnë furnizuesin kryesor me elektricitet të Argjentinës, ndërprerja ka prekur edhe pjesë të Brazilit dhe Paraguait.

Media argjentinase bën të ditur se ndërprerja u verifikua mëngjesin e së dielës, me orën lokale, duke shkaktuar vonesa në trafikun hekurudhor dhe probleme në atë rrugor.

Episodi u verifikua teksa qytetarët në disa pjesë të vendit latin po përpiqeshin të shkonin për të votuar për zgjedhjet vendore. Ministri argjentinas i Energjitikës, Gustavo Lopetegui ka deklaruar se shkaqet e defektit nuk janë verifikuar ende.

Ndërsa Ministria për Mbrojtjen Civile ka vlerësuar se pjesërisht energjia do të kthehet pas disa orësh. Në kryeqytetin Buenos Aires elektriciteti është kthyer në disa zona, ndërkohë që dy aeroportet kryesore po punojnë me gjeneratorë.

Edhe në Uruguai, sipas autoriteteve vendase, energjia është rikthyer në zonat bregdetare. Popullsia e dy vendeve latine të marra së bashku është rreth 48 milionë banorë./ABC News Albania 24/7

LULA-BRAZIL.mpg_snapshot_00.10-1280x720.jpg
ent ela13:20 | 11/06/2019

Mediat braziliane kanë publikuar një skandal sipas të cilit ministri i drejtësisë dhe disa prokurorë kanë komplotuar për të futur në burg ish-presidentin e vendit Lula. Kjo, për të shmangur pjesëmarrjen e tij në zgjedhjet presidencialet të vitit 2018.

Ministri Brazilian i drejtësisë, Serxho Moro, dhe disa prokurorë komplotuan për të futur në burg ish presidentin Da Silva, në mënyrë që ai të most ë kandidonte në zgjedhjet presidenciale të 2018-ës. Është ky skandali që ka shpërthyer në vend pas publikimit të disa dokumenteve të rezervuara, e-maileve, diskutimeve private dhe fotografive. Lajmi është publikuar nga “The intercept”, uebsajti informative i themeluar nga Glen Grinuald, personi që ndihmoi Eduard Snouden që të zbulonte sistemin e përgjimit global që ishte krijuar nga shërbimi i inteligjencës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Moro, i cili para se të bëhej ministër në qeverinë e Hair Bolsonaro, kishte drejtuar hetimet që dënuan për herë të parë Lulën në 2017. Më pas ai ka mashtruar sistematikisht së bashku me prokurorë të tjerë për të fajësuar ish presidentin e Brazilit. Objektivi ishte që Lula të qëndronte jashtë garës elektorale.

Në momentin e dënimit dhe deri në shtator kur gjykata e lartë nuk pranoi kandidimin e Lulës, ky i fundit mbetej sërish në krye të sondazheve.

Duke u bazuar tek këto elementë të rinj gjykata e lartë e Brazilit, do të rishqyrtojë kërkesën për lirimin nga burgu të ish Presidentit. Lula u dënua për korrupsion dhe pastrim parash me 8 vjet dhe 10 muaj burg duke filluar nga muaji prill i këtij viti.

 /ABC News Albania 24/7

banka.jpg
G. P.13:47 | 08/06/2019

Presidenti brazilian Bolsonaro propozoi krijimin e një monedhe të përbashkët me Argjentinën si një hap të parë drejt unionit monetar amerikano-jugor. Banka Qendrore e Brazilit përgënjeshtroi faktin se ekziston një plan i gatshëm për këtë nismë.

Brazili do të donte një monedhë të përbashkët me Argjentinën, duke shënuar hapin e parë drejt unionit monetar amerikano jugor. Propozimi u bë nga presidenti Brazilian Jair Bolsonaro, pas takimit në Buenos Aires me presidentin argjentinas Maurisio Makri.

Bolsonaro u shpreh se një familje nis me dy persona, ndërsa lajmi është konfirmuar nga agjencia shtetërore e lajmeve në Brazil. Për Bolsonaron Brazili do të fitonte më shumë se sa do të humbte në këtë rast, me një monedhë të përbashkët e cila dhe do të frenonte aventurat socialiste në Amerikën e Jugut.

Banka Qendrore e Brazili përgënjeshtroi faktin se ekziston një plan i gatshëm për bashkimin monetar me Argjentinën./ABC News Albania 24/7


Rreth Nesh

ABC NEWS është i pari televizion në Shqipëri që në ditën e parë të transmetimeve nis me lidhje direkte nga 7 studio lokale ne Shkodër, Durrës, Elbasan, Korcë, fier, Vlorë e Gjirokaster. Për të pasuruar gjeografinë e informacionit së shpejti do të mundesohet edhe studio nga Lezha me transmetime live në cdo kohë.
Në faqen zyrtare në internet, abcnews.al do të gjeni portalin më të pasur ballkanik me lidhje në rrjetet më të mëdha sociale facebook, twitter si dhe në një prej websiteve më të fuqishëm në kulturën e internetit YOUTUBE. Transmetimi i ABC news është live 24 ore. 
NUIS/NIPT K01711004F


Kontakt

Telefono